Kastrati

1
7182

| Histori | Malësi e Madhe | Gruda

Artikuj nga gazeta “Malësia”

Gazeta Malësia
Hoti
Gruda
Kuçi
Kastrati
Rrjolli
Kryengritja e 1911
Prek Cali
Cur Gjeloshi
Malësorët prishin Shkodrën?


Kastrati në fokus

Përgatiti: Ndue BACAJ, Gazeta “Malësia“, nëntor 2000

Ky emër i rrethuar me shumë shumë “enigma”, por me një të vërtetë të madhe, se ky mal, fis e bajrak është palca kurrizore e Malësisë së Madhe, trevës më shqiptare të Shqipërisë Etnike, e këtë e pranojnë studiues, shkencëtarë, miq dhe armiq të Shqipërisë në mbarë botën, por le të fillojmë më konkretisht:

Fjala Kastrat në dokumentet e Venedikut gjindet në vitin 1343 dhe shkruhet se e ka marrë emrin nga fortesa romake “Castrum” (latinisht), e ciia ruante rrugën buzë liqenit Kaster. Duhet sqaruar se kjo rrugë ishte kryesore që kalonte nga Shkodra drejt Europës Qendrore.

Duke ditur se Perandoria Romake është më e herëshme se lindja e Krishtit, pse jo, emri Kastrat duhet të jetë shumë më i hershëm se gjindet në dokumentet e Venedikut. E duke arsyetuar këtë, konkludohet se ky emër Kastrat qe gjindet me shumicë në Shqipërinë etnike, si Kastro e Sarandës, Mollakastër. Prevez e me shumrcë në Verilindje të Shqipërisë etj., e vërteton atë se të gjitha kanë prejardhjen nga Kastrati jonë, pse jo edhe nëse këto fise vijnë nga larg, pasi sipas rrugës që thamë më sipër kjo ishte porta e hyrjes për të gjithë, që donin të futeshin në Ilirinë e Jugut, edhe nga Evropa Qendrore e më gjerë.

Ka edhe një variant tjetër që thotë se ky emër vjen nga kullotat dimërore të Kastratit Malor, por ky është shumë pak i besueshëm. Në regjistrat veneciane të vitit 1403, gjejmë të përmendur (Capo) kryetar Aleks Kastrati, në krye të listës të shpërblyesve me cohë nga Venediku. Emri Kastrat shënohet edhe në vitet 1416-1417 në kadastrat e Venedikut, si dhe në hartat e Portës së Lartë, mbaspushtimit osman në vitin 1485, duhet nënvizuar se një dokument osman i vitit 1481-1506 nënvizon mërgimet e pashoqe anti-osmane.

Një dokument tjetër i vitit 1520 e përforcon këtë qëndresë, pasi ai nënvizon se 3% e popullsisë shqiptare ishte islamizuar, ndërsa në Kastrat asnjë. Ngritja e taksave osmane në vitin 1526 nuk e preku fare Kastratin e Malësisë së Madhe, e kjo falë rezistencës së kastratasve. Në vitin 1610 krijohet bashkësia “Malet e Shqipërisë”, ku përkrah Hotit, Kelmendit, Kuçit, Triepshit e Piperit është edhe Kastrati, ku pikërisht është kjo inisiativë e cila çoi në krijimin e një lidhje të madhe anti-osmane në rang ballkanik në vitin 1614 me qendër në Kuçin shqiptar. Në këtë periudhë gjindet një dokument i paplotë, që tregon se Kastrati kishte 50 shtëpi me 130 burra të aftë për armë, me një (Capo) kryetar Preç Kastrati, e që mbështetnin edhe fisin e Hotit. Një dokument tjetër shënon se Kastrati kishte 800 frymë në vitin 1628.

Një dokument tjetër i vitit 1653 flet për 660 frymë, ndërsa një tjetër i 1671 bën fjalë për 75 shtëpi. Në vitin 1678 një dokument “Castratorum Oppidium” shënon 150 shtëpi, ndërsa një tjetër i vitit 1688 bën fjalë vetëm për 80 shtëpi., kjo tregon se dokumentacioni i mjësipërm ose është i pasaktë, ose ka pasur lëvizje të shumta familjesh për në zona të tjera. Gjithsesi periudha 1600-1640 është ajo më e diskutuara, pasi albanologë e studiues seriozë e përcaktojnë prejardhjen e Kastratit nga Drekali Kuçit, që për vete e ka origjinën nga Berisha. Si shembull po marrim studiuesin Georg Hanh, i cili përcakton se rreth viteve 1600-1640 nga Drekali i Kuçit vjen e vendoset në shpellat e Veleçikut një i parë me emrin Detal (ose Dedli) Bratosili, që kishte shtatë djem.

Këtu jeton shtatë vjet, dhe pas mbrapështisë që u jepej vendasve në jetesë, është një plak shumë i vjetër që u sugjeron vendasve të bëjnë një provë me një gosti, duke u lanë larg një viç të pjekur, ku po të afrohej Detali me djemtë për ta hangër, nuk duhej të largoheshin, e nëse Detali kap dhe afron sofrën me viçin e pjekur pranë vehtes, atëherë Detalin e ka çuar vetë dora e Zotit e duhej t’i lëshojnë vendin.

Në fakt kështu ndodhi e shtatë djemtë e Detalit janë: Ali Delali, Ivan Detali, Pal Detali, Nar Detali, Jer Detali, Gor Detali dhe Gjon Detali, të cilët u rritën dhe ndanë tokat, ku natyrisht emrat e shunië katundeve të Kastratit kanë si fillesë të emrave pikërisht emrat e djemve të Detalit, ndërsa në disa dokumenta të tjera thuhet se jo të gjithë autoktonët ikën në atë kohë, ku përmenden si autokton, Pjetroshani, Bajzë, Gashaj, Mikelaj e tjerë, që historografia dashakeqe i quan me prejardhje sllave duke u bazuar nga emrat Totoviqi, Popoviqi, Petroviqi, ku për mua këta emra janë deformuar e marrë mbrapashtesat viqi, si rezultat i pushtimit të dhunshëm të perandorisë famëkeqe të Stefan Dushanit të viteve 1330-1355.

Kontestime ka për fshatin Jeran, që disa e quajnë me prejardhje nga djali i Detalit Jeri, e disa të tjerë thonë që nuk ka qenë Jeri po Jera, pra bijë e martuar në Reç dhe pasi i ka vdekur burri është kthyer në gjini tek Detali, që i ka dhënë hise si dhe djemve të tij.

Ka gojëdhëna që Kastratin e përcaktojnë si fis nga fisi i Kastriotëve, pra të Gjergj Kastriotit. Duke ditur se i ati i Gjergjit ka lindur në Mat, mbrapa Krujës, ku atje ishte një terren tepër i thyer malor dhe pa interesa për perandorinë e Stefan Dushanit, ka shumë mundësi, që fisi i Kastriotëve atje është pikërisht nga Kastrati, që për t’u larguar sadopak reprazaljeve të pushtetit të S. Dushanit të jenë vendosur në Mat mbas vitit 1330.

Na mbetet për të thënë se janë të njëjtë me Kastriotët vetëm ata fise që janë autoktonë në Kastrat e jo pjesa me prejardhje nga Detali apo Dedli, kur dihet se Gjeraj Kastrioti është i viteve 1405 – 1468 ndërsa Detali pas vitit 1600. Një dokument interesant tregon qëndresën e kastratasve për të mos u islamizuar dhe se vetëm në vitin 1620 fillojnë të islamizohen me pakicë kastratasit.

Dokumentacioni i pas këtyre viteve është tepër i varfër, se vetë kultura e ekonomia, që mbarte perandoria osmane dhe vetëm në ca defterë taksash përmenden pjesërisht. Në vitin 1840 fisi i kastratit quhej fisi më i fortë i maleve të Shqipërisë, këtë përcaktim me sa duket e bënin vetë osmanllinjtë që nuk mundën të nënshtronin plotësisht kurrë Kastratin. Një dokument i vitit 1881 jep Kastratinme 350 shtëpi e 2300 banorë dhe me 450 burra të aftë për armë, e kjo në një sipërfaqe prej 80 km2 e me 19 fshatra. Një material tjetër i vitit 1887 paraqet Kastratin me 450 shtëpi e me 3700 banorë, në këtë vit Kastrati kishte dhe Bylykbashin (përfaqësuesin zyrtar) në Gjykatën apo Këshillin (Xhibalin) Shkodër.

Një dokument i vitit 1910 jep shifrën se Kastrati kishte 500 shtëpi, ndërsa një tjetër pak më i saktë shënon 479 shtëpi me 3280 banorë e 500 burra të aftë për armë. Në vitin 1927, Kastrati numëronte 444 shtëpi me 2700 banorë banorë gjithsejt, nga këta 2288 katolikë dhe vetëm 412 myslimanë.

Dy fjalë për kryeqendrën e Kastratit, Bajzën, e cila në dokumentacione paraqitet relativisht vonë, deri tani kemi siguruar vetëm një të viteve 1896-1897, që e konsideron Bajzën Bajrak me 100 shtëpi, nga ku 60 kristianë e 40 muslimanë, madje me një bajraktar, ku kjo duhet të jetë arsyeja që ndonjë dokument e quan Kastratin me dy Bajraktarë, kur në fakt krejt Kastrati kishte një. Në një dokument të Portës së Lartë (Turqisë), shënohet emri Bajza Plakë, ndoshta me këtë tregohet antikiteti i saj i supozuar, ose për zotësinë e saj për të zgjedhur çëshijet arbitrare të katundeve të tjera të Kastratit.

Hershmëria e emrit të Bajzës duhet të jetë shumë më e madhe, e ka shumë që e lidhin me Gjergj Balshajn, Princin e Balshajve, i cili mund të jetë nga vetë Bajza apo Balajt. Kisha e Bratoshit ka mbi 350 vjet që është ndërtuar nën kujdesin e Detali apo Dedlit, dhe mbiemri i Detalit, Bratosil, të jetë vetë i Bratoshit e jo siç mundohen ta quajnë sllav apo diçka tjetër. Gjithsesi para se të mbyllim këtë shkrim të shkurtër duhet të sqarojmë se rruga e gjatë e kastratasve të vjetër e të rinj ka kaluar pënnes stuhish e dallgësh të kohës, në luftrat për liri e pamvarësi, ku mund të përmenden pjesëmarrja në Lidhjen e Prizrenit të Prel Tomës dhe e Gjok Dodës, në vitin 1878. Luftrat e viteve 1910-1911 me turqit, 1920 me serbo-malazezët. Votimet e 1923 për Ahmet Zogun, lufta nga 1939-1944 kundër pushtuesve fashistë e veçanërisht ajo e Janarit 1945, ku tashma quhet kryengritja e parë antikomuniste në të gjithë Europën. Gjithsesi, këto e të tjera, që për mungesë vendi nuk po i shkruaj u paguan me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të saj.

E ata edhe në vorre hijshëm janë Gurët e themelit të kësaj binaje, që ka dhjetë vjet që po mundohemi ta ndërtojmë dhe e quajmë Shqipëri, ku promotori i saj duhet të jetë demokracia, e nga ku edhe sot Kastrati është pararoja e palënkundur, një komunë me rreth 13.000 banorë, që gjithnjë rrezaton vetëm Shqiptari.


Ka 12 vendbanime në rajonin e Kastratit, ku Bajza është statusin e qendrës.
1. Aliaj
2. Bajzë
3. Bratosh
4. Goraj
5. Gradec
6. Hot
7. Ivanaj
8. Jeran
9. Kastrat
10. Pjetroshan
11. Rrapshë
12. Vukpalaj

Për më tepër: Kastrati – Wikipedia

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.