Artikuj nga gazeta “Malësia”
Hoti
Gruda
Kuçi
Kastrati
Rrjolli
Kryengritja e 1911
Prek Cali
Cur Gjeloshi
Malësorët prishin Shkodrën?
Përgatiti: Mark Bregu, Gazeta “Malësia“, prill 2001
Në pamjen e parë kjo anatemë të ngjason si një thash e them, si nji çështje pa randësi dhe që përgojohet nga njerëz të rëndomtë. Por tue qenë se ky “thash e them”, përgojohet edhe nga ndonjë intelektual i veshur me pushtet, mendoj se kjo çështje duhet pa në nji spektër më të gjanë.
Duhet natyrisht që ky arsyelim t’i nënshtrohet një analiza serioze në rast se dona me nxjerrë nji konstante reale. Me gjithë këtë nuk marr përsipërta quaj vehten analist, por sidoqoftë e shoh të nevojshme, që e quaj obligim të jap disa mendime si bashkëqytetar i Shkodrës, pa asnji paragjykim as prapamendim: por vetëm tue u mbështetë mbi fakte historike.
Për çdo ngjarje apo trazim që cënon qetësinë, ose prish ekuilibrin në një bashkësi qytetare, duhet t’i referohemi historisë për të zbuluar shkaqet. At’here cila asht historia e Shkodrës? Shkodra asht nji ndër qytetet më të vjetra të Shqipërisë dhe të Ballkanit, pse jo edhe të Evropës (mbi 2700 vjeçare…). K’të të vërtetë e dëshmon historia, dhe monumentet… Por kjo nuk i jep të drejtë asnji familjeje Shkodrane të pretendojë se paraardhësit e saj kanë mbi 2000 vjet në Shkodër. Ky pretendim asht i pathemeltë, dhe absurd. Dihet historikisht (simbas Marin Barletit) në “Rrethimi i fundit i Shkodrës” 1478 -1479, pra mbas këtij rrethimi, në Shkodër nuk mbeti asnji qytetar.
Dihet gjithashtu, se mbas nji qëndrese mbinjerëzore të Shkodranëve të rrethuem nga hordhitë aziatike, ma në fund rreth 2000 vetë, që patën fatin të shpëtojnë gjalle, u morën nën mbrojtjen e Venedikasve, dhe u larguan në Itali, ku u trajtuan si ‘qytetarë nderi’ të Venedikut. Ripopullimi i mavonshëm i qytetit, u ba prej fshatarëve përreth tij, dhe prej malësie. Kush ka lexue: “Rrethimi i fundit i Shkodrës” e din shumë mirë se sa me “kulturë”, dhe “edukatë” u sollën mizorët turq për ti “konvertue” katolikët në fenë islame. Duhet theksue, se ata që ripopulluan qytetin në fjalë, nuk erdhën as nga Jugosllavia, as nga Greqia, por nga fshatrat dhe malet kreshnike shqiptare.
Kronisti turk Evlia Çelibi, i cili ka marrë pjesë në ekspeditat ndëshkimore turke në Ballkan, pati rastin të ndalojë në Shkodër (rreth viteve 1660 – 1662) dhe ndër të tjera thotë se në atë kohë, në Shkodër nuk kishte asnji familje katolike. Kuptohet, më vonë zbritën prej maleve malësorët katolikë, të cilët Turku nuk mundi t’i islamizonte, dhe kjo jo nga “terreni i thyer”, por nga karakteri i papërkulun i malësorëve tonë trima e fisnikë. Por, ndrëkohë që në Shkodër zbritën (të papërkulunit) nga hordhitë aziatike, nuk njohim ndonji fakt historik, që malësorët ta kenë prishë Shkodrën.
Ne e dimë se Shtatë Shaljanët, prishën të birin e Vezirit, që sundonte dhunisht “Rozafën” por jo Shkodrën. A asht e drejtë kur disa pseudo-intelektualë, dhe pseudo-pushtetarë, shprehen në mënyrë krejtësisht të pandërgjegjshme se malësorët e kanë prishë Shkodrën?!… Kur dihet mirëfilli se bixhozin dhe shumë vese të tjera të ndyra tue përfshirë edhe haremin, e sollën pushtuesit osmanë, nuk mund t’ju “faturohen” malësorëve. Në rast se dikush aludon për lëvizjet e pakontrollueme demografike të viteve të fundit, këtë “faturë” ta adresojmë te ata që krijuan “njeriun e ri”…
Në qoftë se do t’i referohemi fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit XX-të, sidomos kohës kur filluan të hapen klubet dhe mësonjtoret shqipe, do të shohim se malësorët u banë mbështetje e fuqishme e inteligjencës Shkodrane, që gjithsesi ishin dhe mbeten iniciatorë të hapjes së këtyre institucioneve të ndritura të kulturës sonë për malësorët tonë, trima e patriotë.
Truni i inteligjencës Shkodrane ushqehej me gjakun e zemrave malësore, dhe ishte ky binom që u bë kala e pathyeshme në mbrojtjen e gjuhës dhe të kulturës kombëtare. Kreshniku legjendar i maleve, Dedë Gjon Luli, pati përeherë pranë vehtes patriotët dhe ideologët Shkodranë. Luigj Gurakuqi ishte “ambasador” dhe këshilltar i përhershëm pranë Dedë Gjon Lulit. Nuk ishin malësorët ata që deshën t’i vënë zjarrin klubit të shkronjave shqipe (pse, deshën shkronjat arabe), por… (shih Noli vepra 2 fq. 157). Ndërkohë që Dedë Gjon Luli me trimat legjendarë të Hotit po ngrinin Flamurin “Kuq e Zi” të Gjergj Kastriotit, tue lanë gjashtë trima mbi majën e Batilës (6 prill 1911), në Shkodër kishte prej atyne fanatikëve anadollakë, që kërkonin Flamurin e Baba Davletit me “Hyll e Hanë”, dhe shqipen tonë dykrenare mbi flamur e quanin sorrë të zezë!…
Të njëjtën “epope të palavdishme”, e përsëritën edhe disa anadollakë fanatikë të Shqipënisë së mesme, ku, me në krye injorantin Haxhi Qamili, organizuan kryengritjen rebele, tue demonstrue me flamurin turk në nji kërkim të “Baba Davletit” në nji kohë kur Shqipënia, nuk i kishte mbushë as dy vjet nga shpallja e pavarsisë. Edhe në këtë kryengritje u përsërit se duam flamurin turk me hyll e hanë dhe nuk dona “sorrën e zezë” (shih – Ismail Kadare “Koha e Shkrimeve”).
Me sa duket, stërnipat e Haxhi Qamilit dhe “jargu” i dalun prej haremeve të sulltanit, përsëri kanë nostalgji për të kaluemen e “artë” të pushtimit osman? Dhe janë pikërisht pjella e këtyne haremeve, që kanë alergji për malësorët, se tek ata shohin atë barrikadë të pakapërcyeshme, për realizimin e andrrave të stërgjyshëve të tyre, për të mbetë përjetë vasalë të sulltanëve të mesjetës (por ylli i tyre ka perëndue me kohë).
Me sa argumentuam ma sipër pjesërisht, më thoni ju lutem kush e ka prishë Shkodrën?
Për t’ju krijuar nji imazh më të kjartë për malësorët, dhe për kristal, po ju ofrojmë dy shembuj mjaft të spikatun dhe sinjifikative: Hoti, kjo krahinë “perlë” e trimnisë shqiptare, megjithëse krejtësisht e besimit katolik, nderon dhe pranon të vetmen familje muslimane hotjane si bajraktarë të Hotit, Mulë Delinë.
Dhe kurrë nuk e tradhëtuan nieri-tjetrin. Pse? Sepse karakteri i fortë, burrnia e pakundshoqe, të gërshetueme këto madhnueshëm me trimninë e rallë dhe fisnikërinë e admirueshme. i paten gjithmonë kryefjalë malësorët tonë të mirë. Nga kjo del se jo malësorët e kanë prishë Shkodrën, por pushtuesit! Rreth mbarimit të shek. XVIII, në Çillen të Dibrës shkon për banim të përhershëm Bibë Alia prej Kastratit të Shkodrës. Edhe pse jabanxhi, dibranët e vendosin në krye të tyre dhe i drejtoi mrekullisht. Pra ishte kjo krahinë që iu rezistoi burrnisht të gjitha rebesheve të pashaliarëve turq, dhe vetëm mbasi la në fushën e betejës 22 000 dibranë të vrarë, (tue përfshirë fëmijë, gra e pleq); më në fund, në Qershor të vitit 1845, e gjithë Dibra e vogël u kthye në fenë islame.
Malësia e veriut, ku u lindën malësorët për të cilët po flasim, ka kenë në shekuj, dhe vijon të mbetet djepi i djelmnisë së vërtetë shqiptare. Mjafton t’u referohemi shkrimeve të autoriteteve serioze shkencore, udhëtarëve të ndryshëm (jo shqiptarë) si: Edith Durham, Baron Nopça etj… të cilët tek malësorët panë atributet dhe cilësitë kryesore të shqiptarizmës. Por edhe konsujt, shkencëtarët e famshëm, si, Eugen Piter etj… të cilët folën për Shqipninë e epërme, perlat e këtij trolli që lind trima, njerëz bujarë e inteligjentë, që në çdo kohë e rrethanë, me burrninë e tyne ditën t’ju tregojnë kufinin jo vetëm okupuesve vandalë turq, por edhe serbëve.
Asht pikërisht, që ndër këto male të “egra” por gjithmonë fisnike, Atë Shtjefën Gjeçovi mblodhi grimë për grimë në çdo vatër malësore, Kodin e Besës, të ligjit, të institucionit të parë juridik, i cili sot po mahnit Universitetet më të njohuna të botës, për vetë vlerat e shumanëshme, që ruan kjo vepër madhore. Shembuj të tillë janë të panumërt, dhe faqet e artikujve në shtypin e kohës do të xanë nji vend të veçantë e të randësishëm, që gjithsesi mendoj se lexuesi i sotëm duhet t’i njohi këto fakte.
Ky pra është terreni ku u lindën dhe vijojnë të jetojnë malësorët, shqiptarët e veriut! Dhe historia flet e do flasë se bij të malësorëve dhe katundarëve ishin ata viganë, që shkëlqyen në të gjitha fushat e shkencës, kulturës e artit. Kujtojmë me nderim të posaçëm Homerin dhe Danten shqiptar, Atë Gjergj Fishta (fshatar prej Fishte), Profesor Ernest Koliqi, nji ndër korifejt e letrave shqipe (prej Shiroke e ka prejardhjen), Dr. Frederik Shiroka, kirurg i kalibrit Europian, i quajtun “njeriu me duar të arta” (shirokas ishte), Atë Anton Arapi , një meteor që shndriti me veprën e tij, si prelat brilant i Kishës Katolike, për oratori e penë të artë, për ma të shejtin Kombin tonë martir…
E historia ka shumë për të folun… I tillë ishte edhe Profesor Martin Camaj, si ambasador i kulturës shqiptare nëpër botë dhe kolos i letërsisë moderne shqiptare (malësor prej Dushmani), Sami Repishti, profesor dhe intelektual i njoftun në sferat e nalta në SHBA (prej Repishtit e ka prejardhjen), Hamit Gjylbegu, personalitet me kulturë e diapazon të gjanë, ushtarak dhe burrë me karakter të papërkulun, i cili asnjiherë nuk pranoi të votonte gjatë regjimit komunist (me origjinë nga një fshat i Kosovës), Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, Gjeçovi, të gjithë gjigandë për kohën të letrave shqipe (me prejardhje fshatare).
Lima e poezisë dhe mendimit shqiptar, Dom Ndre Mjeda (prej Nënshkodre ishte), piktori i kalibrit Evropian Lin Delija, i cili shpalosi aftësitë dhe talentijn e tij të rrallë, në Romë dhe pothuaj në të gjitha qytetet kryesore të Italisë (prej maleve kreshnike të Dukagjinit e ka origjinën), Gjon Shllaku, përkthyes i kryeveprave të Greqisë antike, si “Iliada”, etj. si poliglot dhe personalitet me diapazon dhe kulturë të gjanë e të thellë (asht me origjinë prej Shllaku), artisti i shquem i skenës shqiptare Zef Jubani (origjinën e ka prej Lotajve të Dukagjinit), baritoni i madh që shkëlqeu në Konservatorin e Moskës dhe që tundi skjenën e teatrit “Bolshoi” dhe shumë skenave të Evropës, Luk Kaçaj (malësor prej Malësisë së Madhe asht).
Artisti i Popullit, kompozitoiri i mirënjohur Pjetër Gaci (prej Shirqit asht), pedagogu i Universitetit të Shkodrës Prof. Doc. Anton Fistani, si personalitet i mirënjohur ndërkombëtar, i cili e futu (shpellën interesante të Gajtanit), Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë në librin botëror të historisë (prej Dukagjinit e ka origjinën), Artistat e Popullit, Pjetër Gjoka, Tinka Kurti, Ndrek Luca dhe artisti i persekutuem Ndoc Deda (të gjithë me origjinë malësore), po kështu edhe bylbyli i kangës shkodrane, Bik Ndoja dhe kompozitori i mirënjohun Mark Kaftalli, që të dy me origjinë na fshatrat e Mirditës, Lec Bushati, Artist i Merituar, një ndër aktorët ma të shquem të skenës dhe kinematografisë shqiptare (prej Bushati e ka origjinën), kompozitori i mirënjohun (patitull?!) Zef Lekaj, i cili mbetet i skalitun në buzët e vogëlushëve për këngët e tij aq të bukura (prej Hotit e ka origjinën), megjithëse diktatura e burgosi me 10 vjet burg, ajo nuk mundi të burgoste talentin dhe shpirtin e Artistit të Madh.
Ka edhe një plejadë njerëzish të dalluar, që me veprën e tyre, nderojnë veten dhe vendin e vet, Shkodrën dhe më gjerë, si poeti dhe gazetari i talentuar Gjekë Marinaj (me orighinë nga fshati Brrut i Kastratit), që banon në Texas dhe jep mësim në një kolegj amerikan. Ai ka futur veprat e Kadaresë etj. në programin mësimor të kolegjit amerikan. Apo shkrimtari dhe gazetari i njohur Lazër Stani (me origjinë nga Dukagjini) etj. E kështu mund të radhisimm me dhjetëra e qindra në çdo fushë të jetës Shkodrane e Shqiptare, si futbollistat e talentuem Palë Mirashi, Prek Gjeloshi e deri te Kapiteni i Madh, (cilësue prej specialistëve Gjerman) Lin Shllaku, të cilët nderuan ngjyrat e “Vllaznisë” dhe përfaqësuesen Kombëtare, për futbollin e tyne teknik, total e cilësor në çdo aktivitet, mbrendë dhe jashtë vendit (të tre me origjinë malësore prej Shllakut).
Bij të malësorve e katundarëve ishin ata djelmosha trima, që të parët në Shqipni, manifestuan në mënyrë të fuqishme urrejtjen kundër diktaturës, kur me 14 janar të vitit 1990, tundën themelet e diktatorit, që na kishin sjellë prej stepave të Rusisë. A duhet të shihen me përbuzje malësorët e katundarët, të cilët ja zbardhën faqen Shkodrës e mbarë Shqipnisë, në të gjitha periudhat e historisë? Dua t’ju kujtoj atyne që nuk e dinë, ose që nuk duen ta dijnë, se malet janë kështjellat tek e ka folenë “Liria”. “Në gjokset e maleve bashkë me rrufetë e bubullimat u ruejt gjuha jonë Shqipe” – Ismail Kadare – “Koha e Shkrimeve”.
E dij se ata që gjykojnë jo drejt malësorët, osi që i paragjykojnë janë shumë pak, dhe tepër të vegjël në mendje e në shpirt, por gjithsesi duhet t’ju kujtoj që të mos harrojnë se: Trungu i maleve kreshnike kurrë nuk do të thahet. Ai çdo pranverë do të çelin filiza të rij. Djepat e malsisë do të përkundin sërishmi Marash Ucë e Dedë Gjon Lula. Do të rritë Dukagjini, Mar Lula e Mehmet Shpenda, Mark Milanë e Babun Çetë. Do të përkundë djepi i Mirditës Preng Bib Dodë e Ndoc Mardedë, Mark Gjon Markë e Preng Doçë. Do të rritë Puka Deli Pjetra e Gjin Lekë, që për Atme e për fe e bajn dekën si me le/ Prej oxhakësh prap do t’dalin tymi/ Gjin Pervizë do të rritë Kurbini/ Në çdo shkrep e në çdo mal/ do të lins Shqipja nji Prek Cal.
Shkodra, djepi i kulturës e trimërisë Shqiptare, që ka nxjerrë prej gjiinit të saj Hodo Sokolin e Dasho Shkrelin, kryeviganin demokrat liberator Luigj Gurakuqin, kurrë dhe në asnji rrethanë nuk do të përbuzë malësorët tonë të mirë, bujarë, trima e fisnikë. Ata zbresin prej malesh si rotekë të bardhësive të bjeshkëve, për t’u bashkue me liqenin e madh të dashtunisë e kulturës Shkodrane. Ata, sjellin në Shkodër freskinë dhe aromën e maleve, forcojnë harmoninë dhe unitetin, për të cilat kemi aq shumë nevojë… Malësori ynë inteligjent prej natyre, shumë shpejt din të hyjë në rrejdhën e kulturës qytetare…, shembujt që cituem ma nalt besoj se janë të bindshëm dhe të pakontestueshëm.
Ky shkrim analitik, por jo i shterruem per Shkodren dhe malsorët e ardhun qe e “paskan prish” qytetin asht nji pasqyre reale e zhvillimit historik te ketij qyteti tuj u mbeshtetë autori ne dokumente autentike historike te M. Barletit etj. me radhe. Por, mendoj une, qytetit mund t’ia kene prish me kohe harmoninë e kulturen e tradicionare kur iken shkodranët e vjeter, te ardhunit nga hapsina e Perandorise Turke, qysh kur ra Shkodra ne 1479-ën. Ata i solli Sulltani me popullue qytetin e, bash njata sollen frymen anadollake e jo malcoret e konvertuem ne myslimanë, se edhe ata ishin shqiptar. E si thote At Zef Pllumi te “Rrno per me deshmue” shqiptaret katolike nga ata myslimanë nuk kane shume dallime nga menyra e jeteses, se pak me i gervishte te kovertuemit ne myslimane, dalin te krishtene.
Studiuesi erudit, i ndjemi Hamdi Bushati, ne vepren e tij voluminoze ka ba studime te hollsishme per familjet e ardhuna nga shtete te Perandorise ose sllavë, italianë etj, siç janë:
“Per prejardhjen e familjeve qe jemi duke i pershkruar nuk kemi dokumente konkrete, perveç te dhenave tradicionale te vete pjestarve te atyre familjeve, te cilet kane degjuar nga pleqt e tyre.
1) Te ardhur nga Turqia, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj: Familjet e ardhura nga keto vende perbejne numrin me te madh te familjeve te ardhura ne Shkoder. Ne kete studim nuk permenden te gjitha familjet e ardhuna nga keto vende, por vetem ato familje qe jane ma te njohtunat si familja Raxhimi (imam nga Egjypti), familja Djepaxhija (tregtar nga Konje e Anadollit), familja Berdicaj (te ardhun nga Anadolli qyshe ne fillim te invazionit osman dhe te vendosun ne fshatin Berdice), familja Derguti (nga Vilajeti i Ajdinit ne Anadoll te vendosun ne lagjen Dergut), Çukejt (artilier nga Turqia), Çakejt (personalitet zyrtar nga Çanak-Kalaja-Dardanele), Kashejt (nga Spanja mbas zhgatrrimit te dinastise islame), Sheh Muhamet Magribi (imam nga Maroku), Dilaverit (ushtarak nga Turkia), Bilanet (pregatites ilaçesh nga krahina Bilan e Anadollit), Kalajajt (oficer jeniçersh te ardhun qe ne kohet e para te invazionit osman), Abdurrahmanet (oficer turk nga Egjipti), Rust (nepunes), familja Kalact, familja Shehi (shehler me origjine arabe), familja e Nelit te Molla Dautit (origjine egjiptjane), familja Dizdart (dizdar ne kalà i ardhun nga Izniku i Bruzes se Anadollit), fisi i Sheh Qazim Hoxhes (ushtarak nga qyteti i Kastamonit te Anadollit), familja Axhemi (ushtarak nga Trabzuni i Azise se Vogal), familja Boksejt (ushtarak nga Anadolli), familja Muhamet Shehu (hoxhe nga viset e Azise se Vogel), familja Jenishehri (nga qyteti i vilajetit Hudaveqindar te sanxhakut Ortugal), familja Hysejt (oficer nga Izmiri i Anadollit), familja Xhemil Tulejmani (tekstilist nga qyteti Humus i Sirise), familja Mexhidi (me prejardhje nga Degistani), familja Behrej (ushtarake qe nga fillimi i pushtimit osman), familja Allajbegve (kolonel me origjine turke), familja Hadrejt (mytevli-administrator kujdestar), familja Sala-Isuft (grek i bame musliman).
– Zezaket e shqiptarizuar (te mbiquejtunit ” Harapet “) ne Shkoder, qe formojne nji numer te vogel, jane pergjithesisht me origjine nga Sudani egjiptian. Jane te sjellur si skllever nga tregtart, sidomos nga detaret ulqinake. Keto jane blere nder tregjet e Algjerise, te Tunizise te Sirise etj… Keto permenden veçanerisht prane vezirve Bushatllij…Familjet katolike dhe orthodhokse nuk kan mbajtur kurr harape ose harapesha… Keto kan sherbyer vetem nder familjet borgjeze e aristokrate myslimane… te cilat i kan trajtuar si bashkefamiljart e shtepise ku kane jetuar.
2) Familjet te ardhura nga Armenia, Greqia, Austria, Italia: (nga Armenia): te debuar prej turqve nga Mustafa Qemal Ataturku, si familja Johanexhan (punonjes zorresh bagtishe), familja Hagopi (teknik dhe perpunues mendafshi), familja Muzali (mjek). (nga Greqia): familja Kacarosi (nepunes depoje duhani), familja Ronkali (rrobaqepes), familja Idromeno (arkitekt e piktor). Te ardhun (nga Austria, Vjena) familja Ingriz (kepucar dhe nji nga sindikalistat e pare ne Shkoder), (nga Italia): familja Scanietti (artist), familja Zamputti (mjek), familja Tedeschini (mjek qe nga 1760), familja Benussi (farmacist). Edhe rreth ketyre familjeve jepen te dhena te vlefshme historike. Numri i tyre nuk eshte i ndjeshem.
3) Podgoriçajt te ardhur nga Mali i Zi: Emigrantet Podgoriçan u dynden drejt Shkodres ne 4 periudha: 1)Gjate sundimit te Bushatlinjve, 2) Mbas Kongresit te Berlinit, 3) Gjate Luftes se I Botrore, 4) Gjate Luftes se II Botrore”. Podgoriçajt jane sllav musliman nga Podgorica, Shpuza, Nikshiqi – ne pergjithesi nga Mali i Zi. Familjet podgoriçane ma te hershme, sidomos ato te dyndjes se pare, e ndjejne veten shqiptar dhe mjaft prej tyre kan bere shqiptarizimin e emrave duke hjekur mbrapashtesen sllave “iq”. Familja me e hershme dhe me e permendura ne kete studim asht familja Alivoda (Alivodoviq), prej nga rrjedh sot familja Podgorica, familja Bajri e cila dikur quhej Muxhiq, familja Mandia (Mandiq), familja Osmani (Osmanagiq), familja Haveri (Haveriq), familja Uruçi (Uruçeviq), familja Bebeziq, familja Sykaj (Sykniq), Juka (Jukniq), Llukaqi (Llukaqeviq), Halluni (Hallunoviq), familja Striniq. Familja Boshnjaku nga Bosnja etj.
4) Te ardhur nga tokat shqiptare, Ulqini, Tuzi, Kraja: Ka pase emigracion shqiptarsh ne Shkoder edhe nga tokat shqiptare ne Mal te Zi si Ulqini, Tuzi, Kraja. Duhet te them se emigracioni i podgoriçajve, i ulqinakve, etj, i ka dhene shkas ndryshimit te disa zakoneve tradicionale shkodrane.”
Ne fund te pjeses se dyte jepen kumtesat vlersuese te kesaj vepre nga:
Prof. Dr. Jup Kastrati, Prof. Dr. Gazmend Shpuza te cilën e quen “Enciklopedi Albanologjike per Shkodren dhe shkodranet”, As.Prof.Dr. Artan Haxhi, As.Prof.Dr. Simon Pepa, Islam Dizdari, Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” te Shkoderes As.Prof.Dr. Mahir Hoti, Mentor Kopliku, shkrimtari i njohtun Fadil Kraja, Nikolla Spathari, Ahmet Osja, Artes Llazani si dhe Nexhmi Hamdi Bushati. Ka pase nji jehone jo te vogel ne shtypin shqiptar: “Gazeta Shqiptare” me 11.10.1998, “Rilindja Demokratike” 20.10.1998, “Rimbkambja” me 20.10.1998, “Drita Islame” tetor 1998, “Albania” me 21.10.1998, “Drita e Dijes” me shtator dhe tetor 1998, “Perla” ne nr.4 1998, “Klan” ne nr. 84 1998.
Shënim: Ky shkrim asht publikue nga Paul Tedeshkini te “Forumi Shqiptar”. Une i bana “kopy” materialit.