Shkrime me interes:
Familja Marubi
Historia e kalasë Rozafa
Emri i kalasë Rozafa
Statutet e Shkodrës
Shkodra dhe motet
Rrethimi i Shkodrës
— Vlera e një “dokumenti të bukur” – Aurel Plasari
— nga Ardian Klosi
Ardian Klosi Ka dalë kohët e fundit në Romë një botim i veçantë që shënon gur kilometrik në historinë e Shqipërisë: Statutet e Shkodrës, nën kujdesin e filologes Lucia Nadin, shoqëruar me studime të saj, të historianëve G. Ortalli e O.J. Schmitt, gjuhëtarit G.B. Pellegrini dhe me një përkthim shqip nga P. Xhufi. Dorëshkrimi origjinal është gjetur para pak vjetësh në Bibliotekën e muzeut Correr të Venecies nga studiuesja Nadin; ai i përket fillimit të shek. 16, ndërsa vetë nyjet e statutit apo statuteve zënë fill në krye të shekullit të XIV, ndoshta edhe më parë. Ekzistenca e këtij dorëshkrimi përmendej qysh në një bibliografi italiane të vitit 1907; por sikurse ndodh shpesh në këtë fushë, ku rastësia dhe pasioni i njerëzve të veçantë luajnë rol më të madh sesa logjika e përparimit studimor, sot, mbi 500 vjet mbas rënies së Shkodrës në duart e osmanëve, arrijmë të krijojmë një përfytyrim pak a shumë të plotë për kryeqendrën shqiptare të veriut duke pasur në dorë kodin e së drejtës të saj.
Dokumenti origjinal është shkruar në pergamen dhe përmban 40 faqe; në krye ai paraqet stemën e qytetit, që po e riprodhojmë këtu: përmbi shqiponjën dykrerëshe, majtas, shihet një shkabë krenare, që duket sikur simbolizon të shkuarën zëmadhe të qytetit, ndërsa në të djathtë i gëzohet një kocke një qen lypsar, që, sikurse mendojnë edhe studiuesit, metaforizon gjendjen e nënshtruar të Shkodrës pas pushtimit turk.
Gjuhë e statuteve është venetishtja vulgare, e përzier me një dalmatishte, që shpesh mbizotëron. Aty-këtu ndeshen fjalë të veçanta, me burim sllav ose edhe të errëta. Si fjalë e vetme e prejardhjes thjesht shqipe është “besare”, në kuptimin e të betuarit me besë para gjyqit, kurse fjalë me burim latin ose sllav që shqipja i ka krahas gjuhëve të tjera ballkanike janë disa si prikë, ushtador (ushtëtar), beleg, qilar etj.
Teksti është kopjuar me dorë nga njëfarë Marino Dulcic, sikurse thamë në fillim të shek. 16, pikërisht në atë kohë kur në Venedik tema shqiptare përjetonte një ringjallje dhe nostalgji të fortë, kur hapej shkolla shqiptare e San Maurizios (zbukuruar me ciklin e pikturave të Carapaccios), kur Veronese përjetësonte mbrojtjen heroike të Shkodrës në Pallatin Dukal, atë mbrojtje që e përshkroi në librin e tij De obsidione scodrensi Marin Barleti, i cili do të bëhej edhe më i famshëm me Historinë e jetës dhe bëmave të Skënderbeut (1506-1508). Është e qartë pra se, në kohën kur u kopjuan, këto statute nuk kishin më asnjë vlerë praktike-juridike, por i shërbenin vetëm ruajtjes së kujtesës pas ndryshimit dramatik që kishte pllakosur mbi zhvillimin shekullor të një qyteti.
Statutet e Shkodrës rregullonin jetën e këtij qyteti, duke dhënë me të 279 nyjet e veçanta përcaktime që kanë të bëjnë me administratën, ndërtimet, mirëmbajtjen e qytetit, zanatet, punët e bujqësisë e blegtorisë, importet e eksportet, gjyqet, të drejtën familjare, qëndrimin e të huajve etj. Për çdo kundravajtje ndaj dispozitave janë përcaktuar gjoba, të cilat përgjithësisht ndahen më dysh midis kontit (mëkëmbësit të mbretit serb) dhe komunës, ose kontit dhe të dëmtuarit ose paditësit. Për t’i dhënë një ide lexuesit se si janë formuluar krerët e veçantë të statutit, pasi ndoshta do të kalojë njëfarë kohe deri në një botim shqiptar, po japim disa shembuj:
Kreu 12: Ndalohet hapje e portës së shtëpisë apo e qilarit si dhe hapja e dritares ballë për ballë me fqinjin, me përjashtim të rasteve kur porta apo dritarja nuk mund të hapet në anë tjetër. Kundravajtësit gjobiten me 12 dinarë, që shkojnë gjysma në favor të Kontit dhe gjysma tjetër në favor të Komunës.
Kreu 24 (Mbi hedhurinat) Urdhërojmë që askush të mos flakë plehra nga dritarja, ballkoni apo qilari në rrugë publike ose çdo lloj rrugëkalimi tjetër të qytetit tonë. Kundravajtësit do të ndërshkohen me 12 grosh gjobë, gjysma e të cilave do t’i shkojë Kontit odhe gjysma Komunës.
Kreu 42 (Mbi prerjen e drurëve): Nëse provohet me dëshmi të sigurta se dikush ka prerë ose ka djegur qëllimisht ullirin e huaj, fajtori dënohet me 50 perperë Sklavonie, që ndahen përgjysmë mes Kontit dhe atij që e ka pësuar dëmin. Nëse nuk arrihet të provohet, i dëmtuari bën betimin bashkë me gjashtë dëshmitarë.
Kreu 87 (Mbi gratë e përdala): Nëse një grua provohet se është e përdalë nga dëshmia e dy ose tre burrave, të mos lejohet të mbajë kapelë në kokë, siç është zakoni ynë, as të shoqërohet me këdo. Nuk i lejohet të rrijë ose të banojë pranë zonjave fisnike…”
Kreu 92: I ndalohet çdo qytetari t’i drejtohet bashkëqytetarit të tij me fyerjen “ti je tradhtar i Mbretit” ose “i Komunës”, si dhe të grishë në dyluftim tjetrin për çfarëdolloj shkaku. Kush vepron ndryshe do t’i dorëzojë kryezotit tonë 500 perperë.
Kreu 97: Gjatë kohës që është në detyrë, gjykatësi duhet t’u ofrojë shërbimet e tij të gjithë atyre që i paraqesin hallin e tyre dhe të gjykojë mbi bazë të statuteve të qytetit, me ndershmëri dhe paanësisht, pa u joshur nga miqësitë. Gjatë vitit të shërbimit si gjykatës, gjykatësi nuk duhet të marrë rolin e avokatit për askënd. Detyra e tij është të dëgjojë të dyja palët, të regjistrojë me anë të sekretarit shpjegimet e secilës palë dhe të japë vendim të drejtë sipas statuteve dhe zakoneve të qytetit.
Kreu 101 (Mbi daljen e sekreteve nga Këshilli): I ndalohet çdo anëtari të Këshillit të nxjerrë jashtë çështjet që diskutohen në të. Në rast kundravajtjeje të paguajë tetë peprerë gjobë dhe të mos pranohet kurrë më në poste të komunës. Kreu 196 (Mbi testamentin e një femre): Gruaja që ka fëmijë ka të drejtë të bëjë testament dhe të heqë mënjanë për lutje të shpirtit të saj një të pestën e prikës, nëse këtë prikë nuk ia ka kaluar ndërkohë vajzës së saj. Përndryshe, të caktojë për përshpirtjen e vet pjesën që ka mbetur pasi u ka shpërndarë djemve pjesën e tyre.
Pothuaj çdo krye paraqet interes të veçantë, çdo nyje e këtyre kodeve na shpalos në përfytyrimin tonë jetën e një qyteti të vetëdijshëm, paqësor, punonjës e të vetadministruar, ashtu sikurse nuk do të hasej më në historinë e mëpasme të Shqipërisë së pushtuar nga turqit, siç nuk ndesh madje as në ditët tona.
Sikurse e vënë re me të drejtë studiuesit që shoqërojnë këtë botim, statutet e Shkodrës nuk janë një fenomen i veçuar, por bëjnë pjesë në gjerdanin e statuteve që rregullonin jetën e qyteteve të zhvilluara mesjetare përandej e përkëndej Adriatikut. Kështu statuti i qytetit Budva, që është shkruar në mes të shekullit të 14. është fort i ngjashëm me këtë të Shkodrës, madje në shumë krerë identik me të parin, që është më i hershëm në kohë siç e vërteton edhe vetëm referimi ndaj “mbretit”, ndërkohë që Budva i referohet “perandorit” (Stefan Dushani u shpall i tillë në vitin 1346). Statutet e Shkodrës më anë tjetër janë më të vjetër se “Zakoniku” që përpunoi perandori serb – sikurse e shtjellon në mënyrë bindëse historiani Schmitt.
Ngjashmëria e këtyre statuteve qytetare në bregdetin italian dhe atë dalmacian-shqiptar jep edhe thelbin e natyrës së tyre: kemi të bëjmë me qytete të zhvilluara të Mesjetës së lartë në prag të Rilindjes; natyra e tyre është thellësisht latine, dmth. latine si kulturë, si fe, si juridiksion, si gjuhë administrate etj.; madje në një numër nenesh të statuteve të Shkodrës bëhet dallimi midis latinëve si vendas dhe arbanesëve dhe skjavonëve si të ardhur që mund të integrohen në bashkësinë e qytetit; kështu p.sh. që në nenin e parë: “Nëse ndokush dëshiron të qëndrojë në qytetin tonë… ai duhet t’i shërbejë vetëm Komunës sonë dhe askujt tjetër. Në rast se ndonjë nga qytetarët tanë, apo ndonjë sllav apo ndonjë albanes përpiqet ta bëjë pronë të vetën, do t’i paguajë Mbretit 50 perperë…”
Ose në kreun 136 (Mbi dëshmimin në çështje midis qytetarit me të huajin) thuhet “Në proceset midis qytetarëve nga njëra anë dhe sllavëve e arbëreshëve nga ana tjetër, pala që i ofron dëshmitarët duhet t’i zgjedhë ata gjysmë për gjysmë…”. Kush dëshiron t’i lexojë këto statute nga këndvështrimi kombëtar, zgjedh një pikënisje që nuk shpie gjëkund. Së pari, në Mesjetë e më tej përkatësia kombëtare ishte e panjohur si njësi, ose më e pakta, vinte në rang të dytë a të tretë. Kryen e vendit e kishin përkatësia qytetare, krahinore a reale (në kuptimin e mbretërisë), fetare a ushtarake. Së dyti, Shkodra duket të ketë qenë pas gjithë gjasave, siç na e tregojnë edhe këto statute, një qytet i kulturës dalmate-shqiptare-sllave-bizantine, e pra një qytet kozmopolit, ku natyrisht të privilegjuarit ishin latinët, dmth. ata që bënin pjesë në shtresën fisnike që përdorte si gjuhë shkrimi dhe administrate latinishten/dalmatishten/venetishten.
Në këtë pikëpamje, përkthyesi Xhufi, i cili ka bërë një punë të lëvdueshme (edhe pse herë-herë më të lirë se ç’e lejon një botim i tillë filologjik), më kot është përpjekur në disa vende që t’i shmanget origjinalit, për “t’u dhënë vend më të mirë shqiptarëve”, si p.sh. në kreun 84 (Mbi ruajtjen e kullotave), që në origjinal thotë: “Ordinemo che zaschadun guardator de li herbi sia tenudo fidelmente a guardar li herbi de le citade e se trovasse sclavo oy arbaneso vay scutarino cum piegore over cum vache over cum porci…” dhe përkthyesi e jep: “Rojtarët e kullotave duhet të ruajnë me besnikëri kullotat e qytetit. Në rast se rojtari kap dikë një bujk, një malësor ose një shkodran duke kullotur delet, lopët ose derrat…” E pra “sllav” përkthehet me “bujk”, kurse “shqiptar” me “malësor”, çka mund t’u përgjigjet skemave të përgjithshme për prototipin sllav dhe prototipin shqiptar, por jo së vërtetës të tekstit në fjalë. Mendoj që në një botim të ardhshëm përkthyesi duhet ta rishikojë me kujdes shqipërimin e të gjithë krerëve të statuteve, edhe në dritën e analizave filologjike-historike që kanë filluar të bëhen e që pritet të shtohen.
Nuk mund të mos mendosh për “Kanunin e maleve” ndërkohë që lexon statutet qytetare të Shkodrës. Ndryshimi është si ai i malit me fushën ose i honit me bregdetin e butë ose edhe si i natës me ditën. Në një nen të vetëm bëhet fjalë në statutet e Shkodrës për gjakmarrjen (kreu 266), e cila quhet “pazia” – “marri”, edhe aty për të kujtuar që burri paratë për gjakmarrjen nuk duhet t’i marrë në asnjë mënyrë nga prika e së shoqes. Në përgjithësi gruaja shkodrane ka një status, që do t’ia kishin lakmuar edhe pasardhëset e saj të shekullit 20. Pasuria familjare është pronë në mënyrë të barabartë (“Gjithçka që fitojnë burrë e grua së bashku konsiderohet e barabartë, dmth. gjysma i takon burrit dhe gjysma gruas” – kreu 166). Gruaja ka të drejtë të ndajë pjesën e saj nga vjehrri e vjehrra, gruaja ka të drejtë të bëjë testament (“Vajza dhe femra në përgjithësi ka të drejtë të lëshojë testament duke filluar nga mosha 12 vjeç e lart” – kreu 186″). Kujtojmë kalimthi për krahasim ndonjë nen të Kanunit të Lekë Dukagjinit: “Grueja asht shakull për me bajtë sa të jetë në derë të burrit” (nye i njizetenandet, sipas Sh. Gjeçovit) ose “Me rrahë burri gruen, nuk bje në faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kërkojn të rrahmen” (nye i njizetetet); “Grueja qi lshohet, tuj dalë shpijet të burrit, kurrnji send s’ka tager me marrë me vedi posë petkash, qi ka në shtat” (nye i tridhetepare) etj.
Me të drejtë studiuesja Nadin, duke sjellë edhe shembullin e Voskopojës, që e quan qytetin me kulturën më të lartë në Ballkanin e shek. 18, kujton se këta ishuj qytetërimi janë përsëritur disa herë në Shqipërinë mesjetare e pasmesjetare. Mendojmë se janë pikërisht kontrastet e forta, përzierjet dhe pranëjetesat e kulturave, feve dhe mendësive të ndryshme, ndryshimi i thellë mes qyteteve dhe hinterlandit ato që dallojnë trevat arbëreshe ose arbereshe-bizantine-dalmate-sllave në prag të pushtimit osman dhe njëtrajtësimeve që do të vijonin.
Botimi “Statutet e Shkodrës” është shembull i punës së kujdesshme dhe të përkushtuar filologjike. Sikundër e do rëndësia e një vepre të tillë, ai është fryt i mundimit disavjeçar të një numri kolegësh, ndër të cilët veç atyre që përmendëm kanë dhënë kontributin e tyre Giorgio Zordan në pikëpamje juridike, Piero Lucchi me njohuritë e tij për kodet mesjetare, Marco Pozza për çështje të natyrës paleografike e diplomatike; asgjëkundi ndonjë shenjë xhelozie profesionale ose diletantizmi vetmitar dhe përpallës, sikurse po dëgjojmë këto kohët e fundit nga do studiues shqiptarë, për të cilët legjenda thotë se kanë zbuluar kodin më të lashtë të nacionalizmës sonë.
— marrë nga Gazeta Shekulli, 30.10.2002
“Statutet e Shkodrës”, dëshmia e qytetërimit
— nga Migena HOXHALLI, Reportazh
Studiuesit qe i gjeten ne Venecia: I perkasin shekullit XIV
Të gjetura në origjinal pas 7 shekujsh, “Statutet e Shkodrës” erdhën së fundmi në dritë nga një botim i kujdesshëm kritik, i mundësuar nga një seri studimesh, që nxjerrin në pah karakterin thelbësor dhe pozicionin e rëndësishëm të ngjarjeve shqiptare dhe adriatike të shek.XIV-XV”. Me këtë paragraf nis një ndër botimet më të rëndësishme të kohëve të fundit “Statutet e Shkodrës”, të zbuluara në Bibliotekën e Muzeut Correr, në Venecia. Për të shpjeguar rëndësinë, kohën, gjuhën, përmbajtjen dhe çdo gjë të mundshme lidhur me këto statute, libri në fjalë, krahas këtyre statuteve, në gjuhën italiane dhe atë shqipe, shoqërohet dhe me disa studime. Këto studime janë bërë nga katër profesorë italianë: Lucia Nadin, Oliver Jens Schmitt, Giovan Battista Pellegrini e Gherardo Ortalli. Sipas këtyre studiesve, të hartuara që para vitit 1346, kur Shkodra ishte nën regjimin e Stefan Dushanit, këto statute u mbajtën në fuqi edhe pasi qyteti kaloi në kontrollin e Venecias, në vitin 1396. Të kohës veneciane janë adaptimet e mëvonshme, që vijojnë deri në 1469, në prag të pushtimit turk, në vitin 1479.
“Statutet”, monument i mesjetës shqiptare
“Duhet të them se pasi studiova me kujdes dhe pasi e pashë nga çdo këndvështrim, më doli një libër me vlera shumë më të mëdha se ç’e kisha menduar. Eshtë vërtetë ‘Një monument i vërtetë i Shqipërisë Mesjetare'”, shprehet studiuesi, Oliver Jens Schmitt, madje studiuesi tjetër Gherardo Ortalli mendon se është diçka më shumë, pasi ka rëndësi të madhe historike për pjesën lindore të Adriatikut dhe raportet e saj më Venecian, që me potencën e saj të madhe arriti të ruante ekuilibrat ndërkombëtarë.
Sipas Oliver Jens Schmitt, deri më sot ekzistenca e statuteve shqiptare është vërtetuar vetëm në mënyrë të tërthortë. Kështu dihet që Antivari më 1369, Dulcigno në 1379, Durazzo më 1392 e deri tek Drivasto në 1397 poseidonin tekste juridike të shkruar në këtë tip. Por të gjithë këto statute nuk janë konservuar (ruajtur). Janë bërë përpjekje për identifikimin e tyre, por kjo ka qenë e vështirë, dhe për herë të parë zbulohen Statutet origjinale të Shkodrës. “Statutet e Shkodrës”, në redaktimin aktual ekzistojnë 278 kapituj. Janë të ndarë sipas blloqeve tematikë. Schmitt i klasifikon ata duhe nisur me kapitujt e parë nga 1-7, ku jepen marrëdhëniet mes individëve dhe mbretit serb, kapitujt nga 8-50 flasin për marrëdhëniet mes fqinjëve, ndarjen e tokës, etj. Kapitujt vijues flasin për kriteret e vërteta të qytetarisë me dispozita relative të asamblesë popullore, në këshill, në gjykata, në impenjime të ndryshme, shërbimin e detyruar ushtarak, për detyrimet mbi pronën, ndërshkimet pas një fyerjeje, grideje, krimi, etj.
Pjesë nga dorëshkrimet e “Statuteve“
Koha dhe gjuha e “Statuteve”
“Statutet e Shkodrës” kanë mbijetuar deri më 1479, pra, deri në pushtimin otoman. Ato kanë ekzistuar vetëm në formë dorëshkrimi. “Statutet e Shkodrës” u zbatuan nga 1392 deri më 1479 në një gjuhë vulgare veneciane. Eshtë për t’u çuditur, thotë Schmitt, sepse në tituj është përdorur gjuha veneciane, brenda në tekst dialekti roman i atij regjoni që i përket gjuhës dalmate. Në asnjë tekst tjetër të asaj kohe nuk jepet kaq qartë karakteri roman i botës qytetare të Shqipërisë veriore dhe jetës dalmate në gjysmën e parë të shek.XIV. Ndërsa studiuesi Giovan Battista Pellegrini në pjesën e tij të studimit ka marrë përsipër të analizojë dhe të japë të dhëna shkencore mbi gjuhën e përdorur gjatë hartimit të “Statuteve të Shkodrës”. Sipas tij gjuha e përdorur është ajo veneto-veneciane. Për të sqaruar gjuhën e dorëshkrimit të “Statuteve të Shkodrës” ai ka marrë me rradhë të analizojë fonetikën, morfologjinë dhe leksikun e tij. Dhe për të vërtetuar pohimet e veta Pellegrini flet me shembuj konkretë.
Mbi gratë e përdala
Nëse një grua provohet se është e përdalë nga dëshmia e dy ose tre burrave, të mos lejohet të mbajë kapele në kokë, siç është zakoni ynë, as të shoqërohet me këdo. Nuk i lejohet të rrijë ose të banojë pranë zonjave fisnike. Nëse vepron në kundërshtim me këto urdhëra, do të dënohet me tetë hyperperë, që pjesëtohen midis Kontit dhe paditësit. Nëse provohet se një grua e përdalë bën punë të liga ose kërkon të prishë të tjerët, ajo duhet të lerë qytetin tonë brenda tre ditësh dhe nëse e kapërcen këtë afat, të ndërshkohet me tetë hyperperë gjobë, të sillet rrugëve të qytetit duke u rrahur me shkop dhe në fund të syrgjynoset dhe kurrë më të mos kthehet në tokën tonë.
Mbi përdhunimin e grave
Nëse një burrë përdhunon me zor një grua të ndershme të pamartuar dhe nëse burri është i pamartuar, ai detyrohet të bashkohet me të në martesë të ligjshme. Por, nëse gruaja është e martuar dhe gjithashtu burri që e përdhunon është i martuar, atëherë ai detyrohet të paguajë një gjobë prej 50 hyperperësh që ndahen përgjysmë midis Kontit dhe gruas. Por për këtë gruaja duhet të japë prova bindëse.
Mbi martesën e fëmijëve
Prindërit që kanë djem e vajza për të martuar duhet të kenë parasysh se të parët martohen vajzat e pastaj djemtë. Nëse një djalë dëshiron të martohet përpara se motrat të kenë dalë nga shtëpia, pa miratimin e prindërve, atëherë babai dhe nëna kanë të drejtë ta dëbojnë atë nga shtëpia.
Mbi ndërtimet në shesh
Për çdo ndërtim të ri me dritare ose hajat në sheshin ose në rrugët qendrore të qytetit, banorët duhet të bëjnë kërkesë dhe përmbahen me ndershmëri ligjeve tona.
Mbi mjekun
Urdhërojmë që çdo mjek që pranon të kurojë një të sëmurë, të mos ta braktisë atë përpara se ta ketë shëruar.
Mbi pabesinë
Nëse vëretohet se dikush nuk i ka qëndruar besnik qytetit tonë, gjithë pasuria e tij bëhet pronë publike, kurse tradhtarit i pritet koka dhe nëse arrin të arratiset të shpallet i dëbuar për jetë të jetëve nga qyteti ynë.
Mbi plagosjen me shpatë, shigjetë ose hekur
Nëse ndokush ka plagosur një person me shpatë, shigjetë ose me hekur, duke shkaktuar gjak dhe kur gjykatësi dhe mjeku e gjykojnë plagosje me rrezik për jetën, të dënohet me 50 hyperperë, që i shkojnë mjekut, si dhe me pagimin e kohës së humbur nga i plagosuri. Nëse një gjë e tillë nuk mund të provohet, i akuzuari bashkë me 6 burra të tjerë duhet të bëjnë betimin. Nëse i provohet krimi, të shtrëngohet të paguajë gjysmë urazbë, gjysmën Kontit dhe Komunës dhe gjysmën të plagosurit.
Falsifikimi i shenjës së Komunës
Nëse provohet se dikush ka falsifikuar vulën e Komunës, masën, formën dhe ngjyrën e saj për ndonjë qëllim të mbrapshtë, të dënohet me 100 hyperperë, gjysma e të cilëve i shkon gjykatës dhe Komunës, dhe gjysma tjetër denoncuesit. Falsifikuesi dhe tradhtari nuk duhet të ketë të bëjë më me Komunën.
Nadin: “Statutet” jo pjesë e “Kanunit”
Ndërsa studiuesja Lucia Nadin, në kapitullin e saj, fillimisht bën një parantezë. “Përballë një realiteti të ndërtur dhe të bazuar mbi një kanun, thotë ajo, bëhet fjalë për Shqipërinë veriore, ishte e vështirë të kërkojë një kuadër tjetër të ndryshëm me të, veçanërisht për të gjetur qytetërim”. Informacione fragmentare të qytetarisë në dy principata të asaj kohe, në Durrës dhe Shkodër, rivinin pikërisht nga struktura organizative të qeverisjes që nuk kishin të bënin me “Kanunin” e Lekë Dukagjinit, fakt që është përmendur dhe në komentin e Gjergj Fishtës në kodin e Lekë Dukagjinit.
Sipas studiueses Nadin, dorëshkrimi “Statuteve të Shkodrës” nuk datohet, por sipas llojit të shkrimit (grafikës) duket se i përket shek.XVI, një epoke pak para rënies së Shkodrës në duart e turqve. Më pas studiuesja Lucia Nadin i konsideron këto statute një dëshmi, një dokument që vërtetojnë edhe një herë ekzistencën e qyteteve shqiptare në kompleksin mesdhetar mes viteve 1300 dhe 1400, të botës qytetare të zonës ballkanike. Madje, sipas Lucia Nadin, gjetja e “Statuteve të Shkodrës” rihap një faqe shumë të rëndësishme, të harruar, të historisë së këtij vendi, i njohur vetëm si “vendi i shqiponjave”. Kjo e bën atë të qëndrojë më së miri në krah të çdo vendi tjetër të zonës së Adriatikut.
“Rregulla praktikë për t’u zbatuar”
Serioziteti i këtyre statuteve duket që në fjalitë e para të tij ku thuhet se “Asnjë njeri, qoftë qytetar i Shkodrës, apo i huaj, nuk është i justifikuar nëse injoron “Urdhërat e Statutit”. Po ta shohësh me vëmendje Libri i Statuteve duket se është i përbërë nga rregulla praktikë për t’u zbatuar. Ato tregojnë qartë se nga kush dhe për ç’qëllim zbatohen. Kapituj të tërë tregojnë për jetën civile në Shkodër. Normat relative të ndarjes dhe ndërtimit të shtëpive, pastrimit të rrugëve, kapituj të tërë flasin qartë për agrikulturën dhe olivikulturë. Shumë interesantë janë kapitujt që tregojnë zyrat e Komunës. Strukturën administrative dhe juridike të asaj kohe, duke filluar që nga ambasadorët, noterët, avokatëve etj. Pjesa e fundit e statutit i është rezervuar të drejtës penale. Të gjitha këto tregojnë për një funksionim strikt dhe mbi ligje të “shtetit”, në mund të quhet kështu, të asaj kohe.
VLERA E NJË “DOKUMENTI TË BUKUR”
— nga Aurel Plasari
Që qytetet bregdetare të Arbërisë gjatë Mesjetës së vonë deri para pushtimit osman kanë pasë bërë një jetë politike dhe sociale thuajse aspak të ndryshme nga ajo e qyteteve të tjera të Europës perëndimore, kjo tanimë përsëritet në historiografinë tonë si e dhënë së paku prej dy autoritetesh të historisë së Mesjetës shqiptare, Jireček, Šufflay, dhe tëhu. Edhe që këto qytete u patën qeverisur në formë komunash urbane, me statute qytetare të ndryshme prej së drejtës dokesore apo “kanunit të maleve”, kjo është pranuar. Është quajtur si një handikap, nga ana tjetër, fakti që prej këtyre teksteve juridike hulumtuesit kishin në dorë vetëm tregues të tërthortë, shumë-shumë fragmente, dhe jo një korpus të plotë të tyre. Jepej madje e dhëna kërshërore, sa u takon Statuteve të Durrësit, se durrsakët paskëshin qenë të detyruar t’i fshihnin statutet e tyre me rënien e qytetit në duart e një sundimtari të ri (Balshë ose Topia) dhe vetëm neni 35 i një statuti të shkruar në papirus qenkësh gjetur ndër franceskanët e atjeshëm.
Pa u zgjatur me historinë e dëshmive të tërthorta statutore, tani që ja ku i kemi Statutet e Shkodrës, të zbuluara dhe të parashtruara në një botim shkencor (Viella, Romë 2002), do ta shtroj pyetjen kështu: me këtë dokument konkret në dorë, çfarë u shtohet njohurive tona mbi organizimin e Shkodrës në veçanti apo të qyteteve të tjera bregdetare të Arbërisë gjatë Mesjetës së vonë përgjithësisht? Me tjera fjalë: me shtënien në punë të një dokumenti të këtillë, çfarë përsaktësohet/qortohet nga vizioni që kishim para se të njihnim këtë korpus statutor konkret? Ndër përsaktësimet/qortimet e mundshme po rendis, ngjeshurazi, disa që më duken më të rëndësishmet.
Mund të quhet tanimë jashtë dyshimi që baza e statuteve të këtyre qyteteve-komuna ka qenë “e drejta romane”, si një model që u trashëgua në të gjitha qytetet e Adriatikut lindor, kështu edhe në Shkodër. Qysh prej konstituimit në shek. V të një Perandorie romane të Lindjes me kryeqytet Kostandinopojën, në viset perëndimore të Ballkanit vijonin të ekzistonin zona që me doket e tyre, dhe sidomos me organizimin e tyre administrativ, u kundërviheshin dokeve dhe madje ligjeve lindore. Ishin zona ku vijoi të ruhej tradita romane, të quajtura “viset romane” ose, simbas shprehjes fatlume të Jorga-s, “partes Romaniae” të Ballkanit. Një vis të tillë e pati përfaqësuar Shkodra, si një territor që, nga njëra anë, as qe vënë plotësisht nën pushtetin qendor të Bizantit dhe, nga ana tjetër, as ishte pushtuar permanentisht prej barbarëve.
Përkundër një stereotipi të historiografisë perëndimore mbi Mesjetën ballkanike, do të kujtoj që në kësi rajonesh periferike të Perandorisë kishte jo dy forma politike organizimi, sikurse është menduar, por tri: një formë e parë ajo e mirëfillta e Perandorisë, e cila vijonte të qeveriste qoftë edhe duke bashkëpunuar me prijës barbarë; një formë e dytë ajo e vetë barbarëve që shtinin në dorë territore të caktuara të Gadishullit duke u bërë dalngadalë “vendës”; dhe një formë e tretë kjo e “viseve romane”, sikurse paraqitet Shkodra, që organizoheshin simbas modelit të ri komunor dhe qeveriseshin me statute si këto të Shkodrës.
Si e patën vënë re medievistët tradicionalë, këto qytete-komuna përbënin njësinë kulturore adriatike, që përshkruhet prej Kuarnerit deri në Otrant (Jireček, Šufflay, Zamputi, Ducellier etj.). Rifunksionalizimi i këtij modeli kishte të bënte me bjerjen e autoritetit të Bizantit në periferinë e tij europiane, një bjerje që kishte filluar prej shek. VIII për ta mbërritur kulmin me fundin e shek. XII dhe fillimin e shek XIII, kur mbas pushtimit latin provincat periferike iu shkepën Perandorisë dhe thuajse u shkërmoqën. Ishte brenda logjikës së procesit historik që bjerja e autoritetit qendror perandorak të shoqërohej në kësi qytetesh me përparimin e autonomive qytetare-komunore. Perandoria nuk ekzistonte më. Atëherë, në mungesë të Perandorisë, qytetarët dhe populli i qyteteve si Shkodra organizoheshin dhe mbroheshin.
Këtë model e përfaqësonin në veri të bregut tonë adriatik qytete të qeverisura me statute si Kotorri, Budua, Tivari, Ulqini, Drishti, Shkodra tanimë e dëshmuar në hollësi, deri diku Durrësi. Në të tilla kushte të reja, nën trusninë gjithnjë më të theksuar të ndikimit perëndimor, këto qytete-komuna vinin duke shndërruar mënyrën e administrimit të vet dhe institucionet e veta. Së paku mbas “pushtimit latin” të Kostandinopojës, ky proces vijonte i pandalur: ndjesia e autonomisë qytetare mbetej e paprekur pavarësisht nëse ndërroheshin mbretërit apo perandorët apo autoriteti epror në përgjithësi, sikurse Stututet e Shkodrës tani e dëshmojnë duke iu referuar herë “mbretit Stefan”, herë “perandorit”, më vonë “kontit kapiten” ose “proveditorit”, që përfaqësojnë Republikën e Venedikut etj.
E përvijuar mbi një territor të caktuar dhe e organizuar me ligje të caktuara, “komuna qytetare” mesjetare paraqitet si një dukuri relativisht e re e Mesjetës së vonë. Kam përshtypjen që ajo gabimisht t’i jetë brendashkruar ndonjëherë “feudalizmit”, sikurse ka bërë historiografia zyrtare shqiptare. Edhe prej tipareve të Statuteve të Shkodrës, që i kemi për duarsh tani, mund të dallohet se komuna qytetare shfaqet më shumë si një veprim kundërvënieje ndaj feudalizmit dhe, në përgjithësi, ndaj autoritetit qendror që funksiononte simbas traditave të veta të vjetra ose bënte pjesë, ky autoritet vetë, në organizimin feudal. Po të vëmë në punë përfytyrimin, qytetarët e një komune si kjo e Shkodrës mund t’i shikojmë si dofarë rebelësh dhe vetëdija e tyre do të na rezultojë me mjaft pika takimi me vetëdijen e masave popullore që lëviznin kundër autoriteteve zotëruese. Nga sa marrim vesh tani prej statuteve si këto të Shkodrës, Jorga del të ketë të drejtë kur ka pohuar se duhet të ketë pasur një luftë reale, ose një luftë të fshehur, në themel të të gjitha komunave qytetare.
Ndonëse Statutet e Shkodrës vijnë sot të riprodhuara/ kopjuara pikërisht nga administrata vendikase, duke bartur njëherësh edhe një shtesëzim të qartë venedikas në redaktimet e përditësuara të tyre, modeli i tyre nuk mund të emërohet si “venedikas”. Mirëpo, nga një anë tjetër, nuk mund të mos vihet re që edhe vetë Venediku, duke ruajtur gjithnjë lidhjet e veta me Perandorinë bizantine, i pati gjetur mjetet e vetorganizmit në këtë trajtë gati-popullore të “komunës”. Po të kërkosh me këtë synim në historinë e Venedikut, kapet pa vështirësi domethënia e atij virtyti aktiv të cilit Venediku ia detyroi zhvillimin e vet dhe atë lulëzim të jashtëzakonshëm në shekujt XIII dhe XIV. Të vihet re: edhe vetë Venediku pati qenë njëfarë Rome, një “Romani e vogël”, që fillimisht fuksiononte si “dukat” brenda Perandorisë së madhe bizantine.
Mbas kalimit të fazës së “tribunëve”, të ngjashëm me ata që Roma i quante “judices” dhe që në të vërtetë nuk qenë gjyqtarë, por fuksionarë me atribute shumë më të gjera, prej shek. VIII niste aty qeverimi me një dukë (dux) të zgjedhur të quajtur “dogjë”, me një “Senat”, një “Këshill të Madh”, një “Këshill të Vogël”, të cilat janë në thelb institucione popullore, që nuk u shpikën nga Venediku, por ndeshen në çdo aglomerim urban të shkëputur nga Perandoria dhe që e kërkon jashtë Perëndorisë atë çfarë Perandoria e jepte me hierarkinë e vet të funksionarëve dhe me garancinë e armëve të saj. Ashtu si qytetet-komuna të ikura një mbas një prej periferisë së Bizantit, edhe vetë qytetit i Venedikut, që pati ndenjur më shumë nga sa përfytyrohet nën Bizant, po kështu pati “ikur”, ndërsa Bizanti ia pati toleruar këtë “ikje” prej pushtetit qendror. Në këtë kuptim, ndikimi i virtytit aktiv venedikas nuk mund të mos ndihet edhe në Statutet e Shkodrës dhe, si mund të përfytyrohet, edhe në organizimin dhe drejtimin e jetës urbane në qytet.
Pikërisht në kontekstin e marrëdhënieve të organizimit dhe drejtimin e jetës urbane të Shkodrës dhe asaj të Venedikut, vihet re se jo pak nga instancat organizative që njihen si “venedikase” gjejnë në Ballkan, dhe ngushtësisht në viset e Arbërisë, një traditë të vetën. Do të mjaftonte të kujtohej institucioni i atyre mbledhjeve të quajtura “senate”, ose “këshille”, gati i barasvlershëm si model jo vetëm me “këshillin” (conseglio, conseio) që del tani nga Statutet e Shkodrës, por në përgjithësi me “kuvendet” e arbërve që patën mbijetuar deri në Shqipërinë moderne si tradita organizimi vendor. Po të nisemi nga një këndvështrim i tillë, edhe ngulmimi mbi raportin e Statuteve të Shkodrës me sundimin e Stefan Dušanit, dhe përkatësisht me Kodin e tij, që bën në esenë hyrëse të këtij botimi z. Oliver Jens Schmitt do të ngjajë (së paku) i njëanshëm. Të më lejohet të shtoj diçka mbi këtë çështje.
Statutet e qyteteve-komuna të bregut lindor të Adriatikut në përgjithësi u ndikuan prej sundimeve të mbretërve të ndryshëm, ndër ta edhe prej mbretit Dušan në rajonet që i pati përfshirë për një ndërkohë sundimi i tij. Sa u takon Statuteve të Shkodrës, që kemi përpara, besoj se vetë teksti me shtresëzimet e ndryshme dëshmon se redaktimi i “kapitujve”, posaçërisht i atyre që po i quaj “norma cilësore”, ka pasë mbaruar shumë para ndërkohës së sundimit të Dušanit në Shkodër apo në rrethinat e saj. Sa i takon “Kodit” të këtij mbreti, Zakonikut të redaktuar më 1349, së paku teksti i tij klasik që njohim nga botimi i historianit serb Novaković, mbahet ai vetë si një tekst me shtresëzime marrjesh të shumta. Kur ngrihet pyetja nëse ka pasur përpara Dušanit ndonjë farë “legjislacioni serb”, përgjigjja nuk mund të jetë veçse “po” dhe ky legjislacion rezulton i huajtur kryepari nga tradita bizantine.
Kështu, para Zakonikut, për serbët që patën ardhur në rajon në shekujt VI-VII ka pasur repertore të së drejtës si kanë qenë, për shembull, “Ligjet e Justinianit”, të përbëra ato vetë nga Eklogeja (njëfarë e drejte agrare), nga Proheironi i perandorit Vasil, nga nomokanone të ndryshme etj. Nuk përjashtohet mundësia që, krahas elementeve bizantine të së drejtës, të ketë qarkulluar ndër serbët edhe një përkthim i “ligjeve vasilikale”, po të llogarisim zbulimin e një versioni të këtyre ligjeve me shpjegime në sllavonishte përanash faqeve. Në këtë kuptim, vetë Zakoniku ka një bazë mirëfilli bizantine, dhe jo aspak latine; deri edhe emërtimi gradski zakon ishte një përkthim i emërtimit politikos nomos. Pos kësaj, në atë konstruksion laraman, që ishte Zakoniku serb, mbi huazimet e shumta bizantine, shtoheshin edhe shumë doke popullore, si të popullit serb, ashtu dhe të popujve që jetonin në fqinjësi me ta ose të përfshirë përkohësisht në një njësi perandorake me ta, sikurse u futën padyshim edhe mjaft elemente të huajtura nga Perëndimi.
Në një rast si ky më duket i sforcuar përfundimi i z. Schmitt se mungesa e së drejtës ndëshkimore në këto Statute në njëfarë mënyre u përplotësuakësh me ekzistimin e kësaj të drejte në Zakonikun e Stefan Dušhanit, ku në të kundërt mungojnë pjesë të gjera të së drejtës civile (Un monumento, 29). I pambështetur vjen edhe konstatimi i tij: “Ky ligj perandorak [i Stefan Dušanit] gjeti zbatim në mbarë perandorinë serbe, në Serbinë qendrore, por edhe në territoret e pushtuara nga car Stefani në Maqedoni, në Tesali dhe në Epir, edhe komunave të Serbisë bregdetare dhe të Arbërisë veriore iu desh të përshtateshin me të” (po aty, 29-30). Ta mbështetësh një këso përfundimi në termin “reame dello re”, përdorur nga shkodranët në kapitullin XXXI të Statuteve të tyre, do të thotë të nxjerrësh më shumë përfundime nga sa mund të mbajë një term i vetëm.
Një nga njohësit më autoritarë të institucioneve ballkanike, që ishte Jorga, ka pasë vërejtur: “Sa për Zakonikun, rëndësia e të cilit ka qenë ekzagjeruar mjaft si vlerë intrinseke, madje edhe si mundësi zbatimi e preskriptimeve të tij, do thënë se ai është më shumë një përmbledhje urdhëresash të mbretërve serbë paraardhës, të cilave Dušani u shtoi elemente që i dukeshin të nevojshme për ta plotësuar kodin e tij” (Le caractère, 76-77). Sa u takon marrjeve dhe dhënieve mes Statuteve të qyteteve-komuna si këto të Shkodrës dhe Kodit të Stefan Dusanit, mendoj se i duhet vënë veshi një autoriteti si Jorga, i cili duke analizuar pikërisht Zakonikun në fjalë delte në përfundim se kanë qenë përkundrazi Statutet e qyteteve-komuna të Adriatikut që kanë ofruar “modelin” për një kod të tillë (po aty, 78).
Sa i përket aksiomës së që e përmenda sipër (se qytetet bregdetare arbëre gjatë Mesjetës paraosmane bënin një jetë politike dhe kulturore aspak të ndyshme nga ajo e qyteteve të tjera perëndimore), ka gjasë që edhe ajo tanimë të duhet përsaktësuar/qortuar. Mbështetur në treguesit statutorë të qyteteve-komuna me autonomi relative, si Kotorri, Budua, Tivari, Ulqini, Drishti, Durrësi dhe sidomos tani në Statutet e Shkodrës, një dallim i rëndësishëm bie në sy sa i takon modelit. Nuk do të ishte e saktë që rinovimi i lirive komunore të qyteve si Shkodra, i cili rinovim rezulton nga tatëpjeta e administrimit perandorak bizantin, të njësohej me jetën urbane të zhvilluar në Perëndim thuajse në të njëjtën kohë.
Përparimet e mrekullueshme të qyteteve-komuna të Flandrës dhe të Italisë dhe të lirive të tyre patën prejardhje mjaft të ndryshme: ato u zhvilluan në një rrafsh që nuk ka të bëjë me autonominë e qyteteve të ikura nga sfera bizantine në bjerje e sipër të Perandorisë. Qytetet-komuna të Mesjetës perëndimore, qofshin themelime të vjetra të epokës romane apo përftesa moderne, ishin produkt i rilindjes së tregtisë dhe të industrisë; edhe teknikisht lagjja e re e tregtarëve në to i kundërvihej shpesh qytetit të vjetër episkopal, të cilin e shtinte në dorë shkallë-shkallë duke ua nënshtruar ligjeve të reja të “komunës”. Në Perëndim ky proces ishte një revolucion i vërtetë, që ndante përfundimisht qytetin e lirë, “të privilegjuar”, nga fshati i mbetur nën regjimin pronor të zotëruesve të tokës, të tagrave, të bujkrobërisë etj. Me terma të tjerë mund të thuhet se ishte fjala për një revolucion politik (jo të dhunshëm) që vinte si rezultat dhe si përfundim i natyrshëm i një revolucioni ekonomik. Pavarësisht ndyshimeve nga një vend në tjetrin, këto janë karakteristika të përgjithshme të zhvillimit urban në gjithë Europën perëndimore prej shek. XI në shek. XIII. Kuptohet, kështu, përse do të ishte gabim ta njësonim këtë model perëndimor me rrethanat mjaft të ndryshme të lindjes dhe ngritjes së qyteteve-komuna në rajonin ish-bizantin, siç qe Shkodra.
Për qytete si Shkodra mund të thuhet tanimë në mënyrë të dokumentuar se nuk i patën humbur mjaft prej karakteristikave të shekujve të fundit të Antikitetit. Shkodra vijonte të ishte qendër administrative, madje e organizuar simbas traditës me një kështjellë etj. Ajo mbetej qendër e rëndësishme tregtie në Ballkan, por mund të vihet re se edhe aty tregtia vinte e përqendrohej në duart e “latinëve” d.m.th. perëndimorëve, të cilët kishin vendosur koloni në të gjitha udhëkryqet e rëndësishme të trafikut të Orientit. Prandaj mund të thuhet se komunat urbane, ose komunat e privilegjuara (dhe Statutet e Shkodrës gjithshtu hapen me mëtimin e të drejtave që rrjedhkëshin prej privilegjesh të dhëna nga “Aleksandri i Madh” etj.) që lindnin në atë kohë në Perandorinë bizantine shfaqeshin njëherësh edhe si një trup i huaj: për nga legjislacioni, nga vetë statutet, nga veprimtaria, deri edhe nga popullsia e tyre mikste. Pak a shumë e tillë rezulton situata edhe nga Statutet e Shkodrës: me “cittadini” të dalluar nga “slavi”, “albanesi”, “forestieri” etj.; vjen e besueshme vërejtja e hollë e znj. Nadin se në tekstin e Statuteve “latino” është sinonim me “cittadino” (Il testo, 54) Në mjaft raste, sa më shumë bjerej autoriteti bizantin, kësi komunash urbane funksiononin si “koncesione europiane” në Orient, deri në zemrën e vetë Perandorisë, po të kujtojmë aty qytetin-komunë të Perës të zotëruar prej gjenovezëve mu pranë Kostandinopojës.
Për të përfunduar këtu, do të them se Statutet e Shkodrës, të zbuluara dhe të parashtruara në këtë botim përbëjnë një dokument nga ato që historia pozitiviste i mban si të privilegjuara, madje duke i emërtuar si “dokument i bukur”, ngase prejardhja e tyre administrative dhe ruajtja në një arkivë përbëjnë gjithnjë një prezumim autenticiteti. Ky “dokumenti i bukur” sapo hyn tani në qarkullim për të provokuar specialistë të disiplinave të ndryshme të historisë, por edhe përtej saj, me vlerën e tij përsaktësuese, qoftë dhe qortuese. E kam fjalën për atë farë provokimi që funksionon në kahje të përkundërt, në dukje paradoksale, si në rastet kur nuk është problematika që të nis në kërkim të burimeve, por është zbulimi i një burimi të rëndësishëm që bën të lindë problematikën. Dhe këto “Statute” janë sigurisht një burim i tillë.