Migjeni dhe Ekspresionizmi

0
8438

Fragment nga punimi estetik i autores Xheni Shehaj

Kur është fjala për të kuptuar se nga cila shkollë letrare, nga cili drejtim, rrymë a lëvizje ndikohen poetët, kritikët përherë e më shumë gjenden në një situatë jo fort të mirë. Ka tipare të ekspresionizmit, jo është tipik simbolist, vargu i tij, shprehja, ritmi, rima, stili, forca shprehëse, etj. Këto janë kryefjala e studiuesve, të cilët ashtu si arkeologët përpiqen të zbulojnë gjurmë të fshehura, tipare të maskuara në veprat e poetëve. Nënçëshja e radhës ka të bëjë me mendimin kritik të një tjetër studiuesi, Hysni Hoxhës i cili e sheh veprën e Migjenit të lidhur me ekspresionizmin. Ai flet jo vetëm për të përbashkëtat por dhe për të veçantat, për dallimet që e ndajnë poetin tonë nga kjo rrymë.

Por dallimet mes tyre s’bëjnë pjesë në linjën tonë të studimit. Ne do të vijojmë ta shohim dhe këtë shkrim kritik nën dritën e rrafshit të shprehjes e të përmbajtjes.

Hysni Hoxha në studimin e tij ngre problemin e ndikimit të Migjenit nga rryma ekspresioniste. Sa dhe si është ndikuar ai nga kjo rrymë? A janë të dukshme gjurmët e saj në veprën e poetit tonë? Si balancohet rrafshi tematik me strukturimin, me mjetet teknike që formësojnë veprën? Hoxha flet gjerë e gjatë për procedimet teknike, pasi në thelb janë ato që e afrojnë Migjenin me ekspresionizmin më shumë se sa tematika. Përsa i përket kësaj të fundit, H. Hoxha jep si shembull idenë e mbinjeriut, ide, e cila tregon ndikim të drejtëpërdrejtë me rrymën ekspresioniste.

“Ideja e njohur e filozofisë së Niçes mbi mbinjeriun, të cilën e përvetësuan ekspresionistët, madje jo vetëm shkrimtarët gjermanë, por edhe të tjerë, shfaqet edhe në vjershat e poetit tonë: Të lindet njeriu, Trajtat e Mbinjeriut, Nën flamujt e melankolis,etj”.[1]

Por edhe Hysni Hoxha, ashtu si dhe një pjesë e kritikëve migjenianë i jep përparësi rrafshit të shprehjes. Që në nisje të shkrimit ai thekson shprehjen e re, vargun e ri që poeti solli në letërsinë shqipe.

“Që para Luftës Nacionalçlirimtare është theksuar se Migjeni në poezinë tonë ka sjellë një varg të ri, një shprehje të re. Mirëpo, kur është fjala për shprehjen e re të Migjenit, është lënë pa u shqyrtuar një dukuri karakteristike dhe me rëndësi të madhe për vlerën poetike të veprës Vargjet e lira. Kjo është shprehja eskpresioniste, e cila e bën poezinë e Migjenit të freskët dhe bashkëkohore”.[2]

Më tej, studiuesi flet për elemente tipike ekspresioniste, të cilat janë të pranishme në veprën e Migjenit e për pasojë e afrojnë veprën e tij me rrymën ekspresioniste.

“Më vonë, në prozë, për herë të parë te ne, në punimin e dr. Ali Aliut: Tregimi i shkurtër i viteve ’30 – të, shtrohet pyetja: “A mund të flitet për ekspresionizmin e Migjenit?” Autori në këtë rast ka vënë në pah disa tipare karakteristike të tregimit të shkurtër të Migjenit që përkojnë me prozën tregimtare ekspresioniste gjermane, siç janë: lajtmotivi i përbashkët i kësaj proze – frika, pastaj mënyra e fillimit të ngjarjes sipas strukturës narrative të goditjes së parë, etj”.[3]

Deri këtu Hoxha nuk është ndalur të analizojë tekstin apo të tregojë konkretisht se ku ndodhen ngjashmëritë. Kur nis e flet për groteskun, errësirën, ekstazën, ai fillon të punojë me tekstin migjenian dhe gjen në të tiparet në fjalë.

“Errësira është një trajtë karakteristike e stilit ekspresionist. Në një kontekst të tillë të errësirës shfaqen vizione dramatike iracionale, që janë bërë veti themelore të ekspresionizmit. Vjersha e Migjenit: Nji natë fillon me këto vargje:

“Grue a hyjneshë, e mbshtjellun n’errsi të natës
zbriti nga sfera të panjohtuna ndër odat e mija…”.[4]

Jep një lloj përkufizimi për termin, pikas përdorimin e tij prej poetit dhe bën dhe ndonjë krahasim me ndonjë poet të huaj. Tek errësira krahasimin e Migjenit për përdorimin e këtij elementi e bënte me Kërlezhën dhe poetin gjerman Georg Hajm. Grotesku, element i rëndësishëm i ekspresionizmit është mjaft i përdorur dhe nga Migjeni.

“Groteska, është një veti tjetër karakteristike e stilit ekspresionist, e cila është e shpeshtë jo vetëm në poezi, por edhe në trajtën e tregimit, dramës, mandej dhe në artet figurative. Groteska paraqitet shpeshherë në trajtën e lojës. Trajta e groteskës bie në sy edhe në veprën e Migjenit. Edhe vete Migjeni, si Ernest Toleri dhe ekspresionistë të tjerë, e përmend vallen e çmendun”[5]

Groteskun e gjejmë në poezitë Pesha e fatit, Baladë qytetëse. Nga sa shihet, në punimin e Hysni Hoxhës, tematika në një farë mënyre ka mbetur e paprekur. Vëmendja është përqëndruar te konstrukti i veprës. Vetë Hoxha pranon se vepra e poetit lidhet me ekspresionizmin përmes elementeve strukturore (të cilat padyshim kanë dhe përbërjen tematike brenda por që në rastin konkret mbizotëron shfaqja strukturore mbi atë përmbajtësore, p.sh; errësira, është parë si përbërës ndërtues por s’duhet anashkaluar fakti se në vetvete ajo ka dhe pjesën kuptimore, domethënëse.

“Migjeni në poezinë tonë solli një sensibilitet të ri modern që përkon me sensibilitetin e lirikës ekspresioniste, po ashtu dhe në lirikën e sotme. Ekspresionizmi në poezinë e Migjenit, madje jo vetëm në poezinë, por edhe në prozën e tij, shfaqet si një frymë, stil i një periudhe të caktuar historike. Një frymë e tillë është strukturuar në mënyrë burimore dhe inventive në ligjërimin poetik të Migjenit. Kjo është, në të vërtetë, vlera poetike, e cila e bën poezinë e Migjenit të jetë edhe sot e freskët dhe moderne”.[6]

Raportin e veprës së Migjenit me rrymën ekspresioniste e ka prekur dhe Alfred Uçi. Ai e trajton këtë raport në një nga nënçështjet e librit të tij Estetika migjeniane, fryma moderne në letërsinë shqipe.

“Në studimet e migjenologjisë ka tërhequr shpesh vëmendjen raporti midis krijimtarisë së Migjenit dhe një prej drejtimeve më të rëndësishme të reja të estetikës dhe të artit europian modern – ekspresionizmi”.[7]

Uçi jep fillimisht përkufizimin e ekspresionizmit, marrë nga një fjalor italian dhe më pas kalon në rastin e Migjenit duke e parë atë në vija të përgjithshme e duke kritikuar edhe studiuesit e mëparshëm për paralelet që kanë hequr mes ekspresionizmit dhe krijimtarisë migjeniane. Ai pohon afërsinë mes tyre por shton se ekspresionizmi i Migjenit ka karakter e tipare ballkanike.

“Ekspresionizmi është një nga format e shumta të dekadentizmit europian. Në themel të tij qëndrojnë moderniteti, subjektivizmi, individualizmi, irracionalizmi; zgjidhjet e tij stilistike janë analoge me ato të propozuara nga rryma të tjera dekadente (p.sh; zhdukja e nyjës, e mbiemrit, e zgjedhimit; shkurtimi i fjalisë solli si pasojë një ritëm të shpejtë e konçiz”.[8]

Uçi pranon se vepra e Migjenit ka tipare ekspresioniste.

“Në këtë kuptim ne mendojmë se edhe vepra letrare e Migjenit bart prirje dhe elemente estetiko – stilistike që e afrojnë me tiparet karakteristike të përgjithshme europiane e ballkanase të ekspresionizmit”.[9]

Tani, le ta shohim problemin e ekspresionizmit nën kënvështrimin tonë, pra sipas organizmit formal të rrafshit të shprehjes e të përmbajtjes. Uçi në lidhje me rrafshin e shprehje vendos si mjet kryesor të ekspresionizmit, ekspresivitetin.

“Për artistët ekspresionistë mjeti kryesor i çdo krijimi artistik duhet të jetë eskpresiviteti, i cili kuptohej, nga njëra anë, si fuqi tërheqëse, impresionuese e artit; po mungoi ekspresiviteti, mbaron edhe arti”.[10]

Ndërsa përsa i përket rrafshit tematik, përmbajtësor, sipas Uçit ekspresionistët trajtuan një tematikë sociale të mprehtë duke u fokusuar të plagët dhe padrejtësitë shoqërore. Vepra e Migjenit përmban fund e krye këtë lloj tematike.

“Ekspresionistët, pavarësisht nga kërkimet e tyre formaliste, trajtuan një tematikë sociale, duke e përqëndruar vëmendjen te plagët dhe shëmtimet që sjell realiteti, te njerëzit që i gjymton fizikisht dhe shpirtërisht bota antinjerëzore e shoqërisë së padrejtësisë, por tablotë ekspresioniste përshkohen nga fryma e dëshpërimit dhe e tmerrit apokaliptik”.[11]

Duke u nisur nga ky përcaktim për stilin ekspresionist, e kemi të lehtë të vërejmë ngjashmëritë mes poetikës migjeniane dhe asaj ekspresioniste. Ashtu si eskpresionistët edhe Migjeni ka prekur një tematikë të mprehtë. Shoqëria me padrejtësitë e saj, ngjyrat dëshpëruese të jetës, trajtat shtazarake të saj, lypësat, prostitutat, hajnat, varfëria e skajshme, çmenduria, dorëzimi, të gjitha ngjyrat e errëta të jetës të dhëna me mjeshtëri të pashoqe. Uçi me të drejtë ka dhënë një përcaktim të saktë në lidhje me veprën e poetit duke e quajtur atë ‘realizëm ekspresiv’.


Kristaq Jorgo dhe teoria e tekstit konspektiv

Një studim mbi veprën e Migjenit e ka kryer dhe Kristaq Jorgo. Në artikullin e tij Një teori për Migjenin, ai tregon arsyet mbi pazbërthyeshmërinë e tekstit migjenian. Sipas tij, studiuesit në vend që ti afrohen po i largohen tekstit. Ai jep disa arsye me të cilat kritikët po e mbulojnë veprën, si: vepra është e papërfunduar, autori se dinte mirë shqipen, s’ka njohur dashurinë fizike, etj. Jorgo shkon dhe më tej në përcaktimin e mangësive të studimeve për Migjenin. Ai thekson se studiuesit janë përqëndruar te tematika.

“Trajta më e përgjithshme e dukurisë së largimit nga teksti është interpretimi sociologjizues i veprës, duke e parë atë si pasqyrë të jetës shqiptare të viteve ’30. Me përqëndrimin e vëmendjes në raportet referent (kontekst) – tekst, të gjykuara si “thellësisht besnike”, shpërfillet tipari kryesor i shenjës letrare, autorefleksiviteti, veçanërisht i theksuar ky në rastin “Migjeni”.[12]

Jorgo mendon se teksti migjenian është i tipit konspektiv, pra, tekst që mundëson maksimumin e domethënieve përmes minimumit të shenjave gjuhësore. E thënë ndryshe, sipas Jorgos vepra e Migjenit është një vepër e ngjeshur, e koncentruar. Kritiku jep disa paralele mes tekstit konspektiv dhe veprës së autorit.

“Vepra me karakter konspektiv ka gjithnjë në bërthamën e vet përvojën e autorit. Ajo është në kuptimin më të gjerë dhe më të thellë të fjalës një akt ekzistencial, vetërealizues. Organizimi hierarkik i kodeve dytësore duhet të jetë një tipar i theksuar i tekstit konspektiv. Kodi konspektiv është kodi më intrigues, ose mbikodi. Ai ndodhet në majë të piramidës së kodeve dytësore. Kjo duhet të jetë arsyeja kryesore që ka vështirësuar dhe vështirëson së tepërmi procesin e leximit, gjegjësisht të analizës semiotike të krijimtarisë së Migjenit. Në rastin më të mirë është kuptuar në mënyrë të vetëdijshme se teksti migjenian është një tekst i koduar në mënyrë specifike dhe se për të thithur mesazhin që ai mbart, duhet të dekodohet”.[13]

Kristaq Jorgo mbështet më tepër kodet simbolike, konotative në veprën e Migjenit. Çelësi i zbërthimit të poetikës së poetit qëndron në dekodimin e kodeve që ai ka përdorur.Vetëm kështu do merret mesazhi i veprës.

Megjithatë një gjë është e sigurtë në gjithë morinë e etiketimeve që i janë dhënë veprës së Migjenit: ajo është bartëse e tipareve avangardiste e moderniste.-


Poetikat avangardiste në krijimtarinë e Migjenit

Përpara se të shohim tiparet avangardiste në veprën e Migjenit, le të shpjegojmë se ç’është avangarda, cilat janë format e saj, si ndodhi ndryshimi në gjuhë.

“Le avanguardie storiche (cubismo, dadaismo, espressionismo, surrealismo, futurismo…) quale prima, quale dopo, nascono su un fronte antagonista nei confronti dell’Ordine, culturale, storico, sociale. L’arte è vissuta come momento di tensione tra la cultura ufficiale, corrente, della maggioranza, e la cultura della minoranza, dei pocchi, fondata su fattori fino allora considerati minoritari, e che, invece, si ritiene giunto il momento di rivalutare. Il primo obiettivo è quello di sopprimere il concetto di ‘arte’ borghese, inteso come oggetto superiore di culto, avvolto nella sua aura e di farlo scendere alla portata di tutti, sciogliendolo da una visione e gestione antropocentrica e totalizzante, specchio di realtà e verità anch’esse antropocentriche e totalizzanti”.[14]

Avanguarda lindi si kundërpërgjigje ndaj artit borgjez. Ajo pati disa forma që e pasqyronin si kubizmi, futurizmi, surrealizmi, simbolizmi, etj. Arti borgjez shihej në kuptimin e mentalitetit të mbyllur. Artistët avangardistë duke shfuqizuar artin borgjez, hierarkinë letrare, kanonin që ekzistonte, duke mos pasur më një model letrar unik, të ngurtë, përvijuan një tjetër model, një letërsi të hapur për të gjitha stilet, kodet, tematikat. Ç’ndodhi me gjuhën? A u pasurua, çfarë teknikash u futën në përdorim?

“Tutta la messe dei desideri e immagini che vengono dal fondo, possono essere tradotte da un linguaggio altamente figurato e ‘coprente’ che dice e non dice, che nasconde esprimendo o esprime nascondendo. Cosi pure le tecniche di rimozione del linguaggio psichico, condensazione e spostamento, diventano le più saccheggiate da artisti, come i surrealisti, che vogliono interpretare i messaggi e gli impulsi che arrivano sia dal fondo dell’uomo, che dalla parte misterioza e animata del reale. Spostamento significa spostarsi da una situazione che turba a un’altra, da un’immagine che non si può esprimere ad un’altra meno chiara. Condensazione è accoppiare elementi, parole, cose, sensazioni, campi semantici diversi tra loro, ma che l’individuo riesce, per associazione, immaginazione o analogia, ad accostare. Nelle tecniche umoristiche dello spostamento troviamo metonimie, giochi di parole, calembours… nelle tecniche di condesazione, oxymoron, doppi – sensi, paradossi, iperboli, metafore…”.[15]

Pra, flitet për teknika të reja që avangardistët sollën. Është fjala për kondensimin dhe zhvendosjen. Këto dy tipe teknikash kanë secila mjetet e veta shprehëse si metafora, metonimia, oksimoroni, hiperbola, paradoksi, lojrat e fjalëve, etj.

“Pavarësisht nga gjurmët e rrymave të caktuara europerëndimore, që duken në tekstet e Migjenit, modernizmi i tij mund të krahasohet vetëm përafërsisht me avangardat evropiane, pasi është një fenomen i lidhur me veçantitë e kushteve kulturore – letrare ku lindi. Në krijimtarinë e tij shohim tipare që shkojnë nga rryma postdekadente e krepuskolarizmit, deri tek ekspresionizmi me shfaqjet e tij, që paraprinë surrealizmin etj”.[16]

Në veprën e tij gjejmë gjurmë të shumë lëvizjeve letrare prandaj dhe nuk mund të themi se nga anon më shumë vepra e tij.


Futurizmi dhe Migjeni

Futurizmi, mesa duket ka gjetur vend dhe në poetikën e Migjenit. Ai i pati rrënjët në Itali, me Manifestin futurist të Marinettit. Disa nga rregullat themelore të kësaj lëvizjeje, po i japim më poshtë:

“ – Bisogna distruggere la sintassi disponendo i sostantivi a caso, come nascono.
– Si deve abolire l’aggettivo, perchè il sostantivo nudo conservi il suo colore esenziale.

– Ogni sostantivo deve avere il suo doppio, cioè il sostantivo deve essere seguito, senza congiunzione, dal sostantivo a cui e legato per analogia.

– Abolire la punteggiatura”.[17]

Futurizmi theu traditën që kishte ekzistuar deri atëherë duke sjellë rregulla të reja për t’u ndjekur.

“Karakteristikat futuriste si: “agresiviteti”, “shpulla”, “grushti” dhe tregues të tjerë si “mjetet e shprehjes letrare”, “fjalët në liri”, “shembja e sintaksës, e shenjave të pikësimit”, etj janë elemente që gjenden dhe në krijimtarinë e Migjenit. Por pavarësisht nga këto elemente, Migjeni nuk afron në frymë me futurizmin italian. Notat e revoltës migjeniane nuk shpërthejnë në dhunë dhe ekstremizëm nacionalist si te futuristët italianë”.[18]

Le të analizojmë disa tekste të Migjenit për të parë se ku afron me futuristët dhe ku jo. Agresivitetin, grushtin, i kemi të pranishme në veprën e Migjenit. Grushtin e gjejmë në disa poezi të tij si, Recital i malsorit, Trajtat e Mbinjeriut, Të birtë e shekullit të ri.

Fillimisht po tregojmë përdorimin e elementeve futuriste në poezinë e Migjenit për të kaluar më pas në analizë.

“Recital i malsorit”
“ O, si nuk kam një grusht të fortë,
O, si nuk kam një grusht të fuqishëm.”[19]

“Të birtë e shekullit të ri”
“Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në ‘shejtnin’ e tij
e çuem grushtin për me luftue…”.[20]

“Trajtat e Mbinjeriut”
“N’ardhmëni të trashgueme Mbinjeriu vrehet,
ndërgjegje pa dyshime,
ndërgjegje pa trillime,
me një grusht graniti që kurr nuk do thehet”.[21]

Ashtu si futuristët, dhe Migjeni e përdor grushtin. Grushti i tij është grusht graniti, i fortë, i fuqishëm, por mungon agresiviteti. Po të vërejmë Recital i malsorit, në pamje të parë duket si një poezi plot nerv, agresive, poeti kërkon të godasë, të asgjësojë. Në fakt, grushti këtu as që ekziston. Është thjesht imagjinata e poetit. Ai do të donte të kishte një grusht të fortë, të fuqishëm, por nuk e ka.

Agresiviteti i tij do dukej nëse me grushtin e fortë (që duhej ta kishte paraprakisht), do godiste “zemrën e malit”, “thembrën e Akilit”, pikën fatale që do sillte asgjësimin. Prandaj dhe ne themi se Migjeni nuk afron në frymë me futuristët italianë pasi nuk ka tek ai nota të dhunshme, agresivitet të skajshëm. Përsa i përket sintaksës, pikësimit, Migjeni mbahet si poeti që shkeli të gjitha rregullat e deriatëhershme. Ashtu si futuristët e thyen traditën, ashtu dhe ai doli nga kanoni letrar i ngulitur.

“Bisogno furioso di liberare le parole, traendole fuori dalla prigione del periodo latino!”.[22]

“Migjeni nuk i mbahet rreptësisht metrikës tradicionale. Ai i ka kushtuar një vëmendje të madhe fjalës dhe përdorimit të saj në funksion poetik, prandaj ka kërkuar fjalë të fuqishme dhe me imagjinata plastike”.[23]

Futuristët ngulmonin të fusnin në letërsi tri elemente që deri atëherë ishin anashkaluar.

“Bisogna introdurre nella letteratura tre elementi che furono finora transcurati:

– il rumore (manifestazione del dinamismo degli oggetti);
– il peso (facoltà di volo degli oggetti);
– l’odore (facoltà di sparpagliamento degli oggetti)”.[24]

Zhurmën, e cila ka të bëjë me zhurmën që lëshojnë objektet e gjejmë dendur në skicat e Migjenit. Në Tragjedi apo komedi janë tingujt e kitarës a të zemrës siç donte të thoshte poeti ting – tung – tang. Tek Moll’ e ndalueme objekti zhurmues është kambanorja e kishës që lëshon britmat tan – tan – tan – tan. Poeti përdor objekte të ndryshme për të krijuar zhurmën. Patkonjtë e kalit që ndeshen me gurët, krk, krk, krk (A do qymyr, zotni?); monedhat e lypësit teksa i numëron, tik – tik – tik – tik!; këpucët e reja të zotit Filip në tregimin Bukën tonë të përditshme falna sot me zhurmën e tyre crrr – crrr – crrr.

Shënime:
[1] Hysni Hoxha, Lirika e Migjenit dhe ekspresionizmi, Prishtinë, Revista Letrare “Jeta”, nr. 3. 1984, f. 426 – 427.
[2] Hysni Hoxha, Lirika e Migjenit dhe ekspresionizmi, Prishtinë, Revista Letrare “Jeta”, nr. 3. 1984, f. 425.
[3] po aty, f. 426.
[4] po aty, f. 428.
[5] po aty, 433.
[6] Hysni Hoxha, Lirika e Migjenit dhe ekspresionizmi, Prishtinë, Revista Letrare “Jeta”, nr. 3. 1984, f. 435.
[7] Alfred Uçi, Estetika migjeniane, fryma moderne në lerërsinë shqipe, Tiranë, Shtypshkronja “Kristalina – KH”, 2013, f. 489.
[8] po aty, f. 494.
[9] Alfred Uçi, Estetika migjeniane, fryma moderne në lerërsinë shqipe, Tiranë, Shtypshkronja “Kristalina – KH”, 2013, f. 493.
[10] po aty, f. 498.
[11] po aty, f. 500.
[12] Kristaq Jorgo, Një teori për Migjenin, në: SF, 1998, n. 3 – 4, f. 5.
[13] po aty, f. 9.
[14] Silvana Cirillo, Alberto Savinio, humour, sensi e nonsense, Itinerario guidato nel mondo letterario di Savinio e delle avanguardie, Euroma – Editrice Universitaria di Roma, La Goliardica, 1994, f. 67.
[15] po aty, f. 68 – 69.
[16]Blerina Suta, Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe. Proza e shkurtër e Koliqit, Kutelit dhe Migjenit, Tiranë, Shtëpia botuese “Onufri”, 2004, f. 147.
[17] Silvana Cirillo, Per conoscere Marinetti e il futurismo, Milano, Arnoldo Mondadori Editore, f. 77 – 78.
[18] Blerina Suta, Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe. Proza e shkurtër e Koliqit, Kutelit dhe Migjenit, Tiranë, Shtëpia botuese “Onufri”, 2004, f. 149.
[19] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 16.
[20] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 5.
[21] po aty, f. 25.
[22] Silvana Cirillo, Per conoscere Marinetti e il futurismo, Milano, Arnoldo Mondadori Editore, f. 77.
[23] Petro Janura, Migjeni, Shkup, “Flaka e vëllazërimit”, f. 271.
[24] Silvana Cirillo, Per conoscere Marinetti e il futurismo, Milano, Arnoldo Mondadori Editore, f. 82.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.