– Kol Idromeno – dhe piktorë të tjerë të talentuar
– Ismail Lulani – piktor i njohur, i ati i Ormirës
DHE MALLI NA NDJEK PAS…
Ishte një ditë e ftohtë gri dhe binte shi kur u nisa për te banesa e piktores Ormira Lulani. Qyteti ishte zbukuruar, bredhat ishin stolisur me drita shumëngjyrëshe dhe jepnin një bukuri të veçantë. Fëmijët e mi bërtisnin të gëzuar, ndërsa unë, nga xhami i makinës nëpërmjet pikave të shiut e shikoja këtë bukuri të ftohtë dhe s më bënte asnjë përshtypje.
Një bukuri e ngrirë që s më përket mua. U ndalëm në qendër të qytetit, ku rri Ormira apo më mirë Ora siç e thërrasim ne dhe hymë në pallatin ku ajo banon. Tek ashensori ngjitej në katin e tretë, mendoja për pikturat e Orës. Kisha kohë që s e kisha vizituar se ajo përgaditej për një ekspozitë që do të hapte këtu në Toronto. Mbrenda një viti ajo ka bërë rreth 40 punime. Trokitëm në derë dhe kur dera u hap për një çast u befasova. Para meje u shfaq salloni i madh, i lyer ngjyrë tulle dhe i mbushur plot e përplot piktura. Në një kavalet të madh, ishte një peisazh akoma i papërfunduar vjeshte, ku spikasnin mullarët e sanës.
Hodha tutje mantelin dhe çantën dhe fillova të shikoj pikturat me radhë. Ja tri gra me ato veshjet e mrekullueshme të katolikëve të Shkodrës, tek po mbushnin ujë te një pus i vjetër. Dy gra me shtama në kokë pranë burimit, një grua me veshjen shkodrane tek qëndis në gjergjef shqiponjën në flamur nën dritën e hënës, kompozimi i plakut me dash në një muzg dimri, portreti i zadrimores apo kompozimi i bareshës të befasojnë. Larmia e kostumeve, ngjyrat e forta dominojnë në punimet e saj. Peisazhet e pranverës dhe të dimrit janë të shumëta dhe të japin një çlodhje në shpirt. E ulur në divan sodis pikturat dhe ndiej ngrohtësinë që më ka rrethuar të tërën. Këto piktura më qojnë në qytetin tim, në rrugicat e mëhallat e tij, në pazarin e vjetër, tek kalaja.
Për një çast vështroj Orën. Është një vajzë e bukur, e qeshur, me flokë të verdhë që i mbanë gërshet. Është rritur në një ambient arti, që e vogël e rrethuar gjithmonë nga pikturat e të jatit, nga shumëllojshmëria e ngjyrave, nga kostumet e mrekullueshme shkodrane, nga librat e shumtë gjë që influencoi tek ajo. E pyes lidhur me pikturat dhe ajo më përgjigjet:
-Unë gjithmonë kam tentuar në lidhjen e reales me irealen, gjithmonë më pëlqen që piktura të ketë diçka drejt andrrës, ta fus atë që dëshiroj dhe dua që kur të tjerët ta shohin t’u lerë një mbresë dhe të ndiejnë kënaqësi. Më pëlqen shumë ikonografia dhe mundohem që të fus diçka në pikturat e mia përsa i përket ngjyrave, kompozimit si dhe stilizimit të figurave.
Punimet e Orit janë ekspozuar në disa vende të botës dhe kanë marrë vlerësime. Kështu janë ekspozuar në Nju Jork, Egjipt, Podgoricë,… tani ajo përgaditet të hapë një ekspozitë në Toronto.
– Dua të paraqes artin shqiptar në mënyrën sa më dinjitoze – thotë e menduar dhe prandaj ndoqa një tematikë të till për këtë ekspozitë. Çdo gjë shqiptare. Dua të tregoj se ç’është Shqipëria, çfarë kulture ka, çfarë kostumesh të mrekullueshme, dhe mbi të gjitha Shkodrën me magjinë e saj…që s më len të qetë as ditë as natë, e malli i saj na ndjek pas…
Befas ajo kthen kokën mënjanë dhe mundohet të fsheh lotin që padashur e tradhtoi. Është më se e natyrshme. Festat na trokiten në dyer dhe ne të ndarë nga prindërit, nga vëllëzrit, nga motrat, nga e bukura Shqipëria jonë dhe në mes qëndron i njelmi lot i mallit…Mbi një komodinë janë me dhjetra libra në italisht, frëngjisht dhe anglisht. Janë libra për artin dhe Ora fillon të më flas për një piktor të kohëve të fundit. Por unë s po e dëgjoj më atë…Mendoj pë këtë vajzë që nesër do të përfaqësojë denjësisht atdheun e saj. Janë me dhjetra e dhjetra djem e vajza të tjerë, që të përhapun në të katër anët e botës, me kulturën, personalitetin dhe veprat e tyre do të ngrenë lart kokën e ulur të nënokës së tyre të dashur, të së lashtës Shqipëri…Në mendje më godasin si çekan fjalët e Orës… dhe malli na ndjek pas…
— përshkruar nga M.V.