Martin Camaj në fillimin e krijimeve

1
4734

Tre letra të Martin Camajt dërguar profesor Krist Malokit

— Orientimi i Martin Camajt në filllimin e krijimit të poezisë

Letra I.

Fort i Nderti Z. Profesor,

Më falni se po U trazoj me poezinat e mija, por mbassi mendoj me i dhanë në shtyp /në qe se prandohen/ në tansi kisha me pasë qejfë të U a lëshoni nji sy kritik. Prej afër dyqind vjershave kam zgjedhë këto. Do të jem mirënjohës përjetë po qe se m’i vêni në dukje të metat ashtû si i keni zanat dhe me rrebsi kur cenohet e verteta artistike.

Martin Camaj Dishroj me U skjarue për nji gjâ. Kam dashtë me U dergue botimet e daluna deri tash në gjuhën shqipe në Jugosllavi unë dret për drejt, mbasi kam mundsi financjare, por Ndermarrja e botimeve, të cilës i pata dergue listën, m’u përgjegj se do t’U a dergonte Instituti i ri Albanologjik, që dishron, në ketë mënyrë, më ra në lidhje me Ju. Ata t’Institutit U çmojnë shum dhe kanë nevojë për Ju. Në qoftë se e keni letrën tême të fundit, në mbraim U shfaqi dishirin e Institutit. Prej andej Ju kishit me mujtë me na ndihmue shum.

U lutem më falni për trazim.
Me sympathi të madhe U përshëndes.
Martin Camaj (me dorë i nënshkruar vër. A.R)
Beligrad, 5/X/1953

P.S.

Si titull mendoj “Jehu i shkambijve”, pse në tematikë jam endè i lidhun me shkambijt e mij. Dishroj që dhe publiku i këtuhit ta ketë para sysh se unë flas dhe mendoj si Dukagjinës i Shqipnis. Në qe se nuk vlen ky titull më shkruani U lutem. Poezis së fundit i kam ndrrue titullin /poezis që U kam dërgue titullin/ poezis që U kam dergue në letrën e fundit /: “Fëmija” në vend “Unë jam ti”. Kam fillue me bâ në tê disa ndreqje.

Përsëri U përshëndes

Vjerrsha 33 (tridhetetri)

M. Camaj (edhe një herë nënshkrim me dorë në të njëjten letër. vër. A. R.)

* * *

Letra II.

Fort i Nderti Z. Prefesor,

Me dt. 14 të k.m. mora letrën Tuej. Dy dit përpapra /me 12 të k.m./ u paç dërgue nji tubë vjerrsha, të cilat – shpresoj – do t’i merrni para kësaj.

Krist Maloki Menjiherë u interesova ke Prof. Dançetoviqi për ata që më porositshit. Mbasi i a parashtrova të gjitha pyetjet e arsyenat Tuaja besnikisht, ai m’u përgjigj kështû:

I / Unë i kam bâ ket propozim Prof. dr. Malokit në nji mënyrë indirekte /nepërmjet meje/ si përgjegjës i grupit Albanologjik këtu, i cili dishron nivelin kvadror të grupit. Unë, para se me bâ ndonji hap pranë eprorve, e kam pyetë Z. e Tij a pranon në princip me ardhë a po jo?

II/ Në rasë pozitive unë do të kisha bâ propozimin Këshillit të Profes. të Fakultetit tue paraqitë aktivitetin dhe kvalifikimet e Z. së Tij.

III/ Vendimi që do t’ishte marrë nga këshilli mâ parë dhe mandej nga qeverija, nuk mund t’a dij, por, si mbas gjasës, po t’egsistojshin mardhanjet kulturore etj. mes dy shteteve, puna do t’ishte udobsisht. Pra unë – Profes. – kam fol në princip si njeri privat i interesuem po se po, por edhe si përgjegjes i grupit dhe si antar i Këshilit të Profeso. të Fakultetit këtu.”

Këto janë mendimet autentike të profesorit. Por, po qe se më lejoni, unë kisha me U bâ nji propozim në lidhje me ket çeshtje: para se të merrni ndonji vendim, kishte me qenë shum mirë që të vini nji herë në vizitë këndej me na pa dhe me ndrrue mendimet me né /me falni se thaç me “né” pse na jemi të vogjël dhe s’na pyet kush për ato punë/ due me thanë me ndrrue mendimet me Prof. Dançetoviqin, Nimanin etj.

Zotni Profesor, letrat Tueja më pëlqejnë shum dhe mendimet dhe qindrimi i Juaj në të kaluemen. Sinqerisht U tham se tue këndue kritikat Tueja mâ përpara se me ra në kontakt me Ju, keni ngjallë tek unë nji sympathi të veçantë, pse jam krejtsisht dakord me principet Tueja në pikpamje letrare. Shum me vend e kritikoni dhe vjerrshën që U pata dergue. Çdo njeri, por sidomos nji i ri shqiptar, në kohën e soçme âsht e pamujtun të jetë, ndër momentat e të menduemit intensiv, jo i preokupuem dhe optimist. Kam frigë se e para e mramja vepër e eme e këthjelltë do të jetë poema. Po për ketë arsye shum me pa durim pres mendimin Tuej mbi poezinat që u dërgova, dhe me U thanë të vertetën kam frigë se mendimi i Juej nuk do të jetë i favorshëm si mbi poemën.

E pra këto më pëlqejnë mâ tepër se poema! Ndoshta për dy arsyena: së parit pse shumicën e kam shkrue tash vonë, së dytit pse ndoshta janë mâ subjektive. Por t’a dini, Zotni, shumica e të rive sod në Shqipni gjinden në njat gjendje shpirtnore. Masa e ré studenteske dhe intelektuale në Shqipni nuk e donë të tashmën, por e tolerojnë pse dronë dhe urrejnë të kaluemen! Na të rit shqiptarë, që kemi kalue nepër nji revolucjon mendojmë ndryshej nga ata që e kanë lanë Shqipnin në 1944! Psehin Ju mund t’a nxjerrni vetë si filozof dhe mendtar që jeni!

Poezinat e mija në shqiptarët e Jugosllavis priten mjaft mirë, por kritika e disave – kritika e kafeve e jo e shkrueme – i bje si në formë si tematikë të vjetrueme /kanë hy dhe këndej disa rryma ybërrealiste/. P.sh. si keni me pa dhe në “jetën e ré”, nga redaktori i saj kryesor preferohet vargu i lirë, ndërsa vargu i caktuem mbahet si formë “arkaike” etj. Disa tjerë më thonë: na shurdhove mâ me ata malsorë! Shkruej mâ nji herë dhe mbi qytet!” Disa tjerë: – Të mira janë vjerrshat tua, por për me i kuptue duhet me mendue nji orë se ku ke dashtë me vra!”

Disa tjerë mbas syshë thonë: – Klyshi i Mjedës ase “Mjedjuk”! Por unë asgjamangut vijoj në têmen tue shkrue si më duket e drejtë dhe si e ndij vetë, mbasi deri dikund dhe ideologjikisht këtu më mbajnë përparimtar. Për sa i përket gjuhës dhe formës më duket e drejtë me i shfrytzue shkrimtarët e kaluem, pse pa traditë nuk mund të krijohen vepra të mëdha. N’anë tjetër vetë landa shpesh herë ia çel rrugën formës. Si do t’a shifni në këto poezina në disa venda përdori vargun e lirë. Prej të kaluemes nuk mund të ndahemi me mur, si thotë dhe Gjilas! Mandej më duket se origjinaliteti qëndron në të shiquemit e jetës nën nji prizëm të ri, në shfaqjen e mendimeve me krahazime dhe metafora të reja e jo të përdorueme me qindra herësh.

Mandej dikuj nuk i mbushet mendja se njimbëdhet rrokshi p.sh. mundet me pasë mija muzikalitetesh të ndryshme, pse mue më duket, se punën në dorë në nji varg poezije e ka vetë fjala e rradhitja e fjalve, prej të cilave del tingulli i cili i jap ngjyrën mendimit. Në këto punë merreni mâ mirë Ju vesht, prandaj pres mendimin Tuej, të cilin e çëmoj, Mue nuk më ka qejfi shum të teoretizoj, pse tue mendue gjatë për mbi nji punë ka ndodhë që kam humbë busullën dhe kam ra në formalizme tue tretë krejt dhe individualizmin, por këto llojë punësh, shyqyr! ia kam dhanë zjarmit kur kam këthye në vedi mbas do kohë! Fjalët që më thoni ndër letra do t’i vari mirë për vesh dhe më japin zemër me qenë i sinqerët me ve-vedi dhe mos me spekullue!

Në poezinë që do të merrni, keni me gjetë gjendje të ndryshme shpirtnore. Kur të shifni se ka vetëm emocjone pa ndonji art, U lutemi të m’i veni në dukje. Kam përdor dhe fjalë, që s’gjinden ndër fjalorë por të cilat përdoren në Dukagjin, a thue asht mirë me i spjegue ashtu si në poemën ase me i lanë që lexuesi t’kuptojë si mbas kontekstit?

Mbramë kam folë me nji shoq nga Kosmeti dhe më ka lajmrue se librat i kanë bâ gadi me U a nisë. Më falni se dhe unë dola jo puntual në ket mes! Pranoj se unë e kam fajin mbassi Ju më jeni drejtue dhe unë mâ përpara u kam pasë premtue botimet e këtuhit! Por n’anë tjetër m’a xeni besë se qeshtja qëndronte ashtu si U kam shkrue në letrën që do të merrni me poezina! Për çdo siguri po U dergoj qyshë sod “Jugoslovensko – Albanski odnosi /1939-1948/ nga Dedjeri. U kam parapague dhe në gazëtën “FLAKA e VLLAZNIMIT” që del në Shkup. Këjo asht gazeta ma e interesanshme, me të cilën mund të jeni në kontakt dhe me jetën kulturale të shqiptarve këtu. Ka me U ardhë dhe “Zani i Rinis”, që shtypet në Beograd. Po U lajmroj se Anton Çetta, asistent i Albanologjis këtu asht i biri i Lazër Çettës. Matet me U shkrue por nuk dij se çka ka, duket se âsht pak i turpshëm! Kaleshit deri në sod nuk i ka dalë pasaporta për Stambollë, kështu që studimet që kishte ndër mend me u a hy do të shtyhen. Kam folë me nji peshkatar nga Visi kur qeshë ndër pushime.

E kam pyet për shum gjâna. Ai më thonte se ata janë me origjinë “latin”! E pyeta në kroatisht ketë frazë: si thoni ju në djalektin tuej “sa kushton nji barrë dru?” Ai m’u gjegj “POCA KARO DURVA”- pošto tovar drva?” serb. Jam njoftë me nji profesor nga ky vend, i cili shtihet se nuk ka ndigjue se nga e kanë origjinën. Kam mundsi me u vu në kontakt me famullitarin e Visit dhe do ta hulumtoj ketë qeshtje me anën e korrispondencës. Në Plloça, përball ishullit Braç, kishte pasë dikur shqiptarë. Disa intelektual të Zarës bashkpunojnë me krijimet e tyne letrare dhe në “JETËN E RE”. Në frazën e naltëpërmendun a mos asht interesant fjala PO Ca dhe krahazimi etimologjik mes DUVRA dhe DRVA të gjuhës kroate?

Nuk po e çoj mâ gjatë ketë në ketë letër dhe përfundoj tue U përshëndetë nga ana e ême dhe e Prof. Dançetiviqit dhe posaçerisht e Anton Çettës.

Me nderime dhe sympathi

Maritn Camaj (nënshkrimi me dorë, vër. A. R.)

Beligrad 16/X/53

* * *

Letra III.

Fort i Nderti Z. Profesor,

Mora letrën t’Uej të datës gjashtë të këtij mueji. U falenderoj dhe U lutem të falni për heshtjen t’ême. Nuk e kam lanë për asnji arsye pa U shkrue vetëm pse kam dashtë që mos të U a merzis, së parit, dhe së dyti Anton Çeta, miku i êm i ngushtë, më ka pasë premtue kaherë se donte me U shkrue nji letër të gjatë mbi punën intelektuale këtu, mbasi ai âsht shum mâ ekspert se unë të flasë mbi këto gjana.

Me vrejtje dhe interesim kam shikue korrigjimet e dy poezinave që më derguet. Ndër disa vende jam dakord /sidomos aty ku mendimin t’em e bâni mâ të kjartë/ prandej, si mbmas lejes s’Uej, me qefë do t’i shfrytzoj. Por gjâja, që më intereson mâ fort asht mendimi i Juej, të cilin në përgjithsi ma dhatë në letrën e fundit. Pajtohem kryekput me mendimin t’Uej. Qellimi i êm âsht qenë dhe âsht që të përgatis nji koleksjon vjershash për shtyp. Kur i kam nda ato poezina nga tjerat, kam pasë para sysh deri dikund dhe shijen e lexuesave këtu. Por po e shof se ky mendim âsht plotësisht i gabuem, aq sa gjysën e poezinave që U dergova i kam tërhjekë nga grumbulli i zgjedhun. Shof se të tana punimet e mija që kanë nji ton deklarativ me të vertetë janë ” të shtyeme me gisht”, shkurt: nuk i ndij ashtu si RRASHTËN, FLAKËN E PISHËS etj. Këto vargje i përpunoj penda dhe kur të më duket se janë të deja për botim do t’Ua dergoj. Jam shum i gëzuem pse jeni i pari njeri me të cilin jam krejtsisht dakord në shijen artistike. Për kërshilla t’Ueja do të jem shum mirënjofës gjithmonë.

Shum më ka interesue mendimi i Juej në lidhje me pikpamjet gjuhsore të Z. Selman Rizës. Selmanin si njeri e çëmoj dhe due mbasi kam njohje dhe të shkuem me tê, por këjo gjâ nuk më përvetson aq sa të jem i mendimit të tij në lamën e gjuhsis. As këtu nuk janë shumica dakord me tê, por asgjamangut për tek ne asht auktoritet dhe pikpamjet e tij shkojnë tue u shpërnda, pjesërisht, në krejt rinin intelektuale. Nji sherbim sa s’thohet do t’u bânte po qe se këjo qeshtje vihet në rendin e ditës. Z. Selmani âsht zhvillue në pikpamje gjuhsore tepër individualisht dhe e terpon me logjikë në qështje gjuhsore. Aman mos e leni pa bâ diçka në lidhje me këtê gjâ, për dashni të gjuhës s’onë. Nji përleshje këso dore do të interesonte këtu me mija e mija shqiptarë, të cilët janë të djegun të ndigjojnë nji herë fjalën e Veteranve. Veç kisha me dishrue fort që punët të ndreqen pa shamatë pse dhe Selmani flet tepër “troq”. Pra kam shpresë se kadalë-kadalë po i kuptoni për së largut nevojat t’ona dhe do të na jepni ndihmën e duhun.

Revistën ‘JETA E RE’ prej tashit do t’U a dergoj çdo numër sa të dalë. Për kolekcjon kam pasë folë me Esad Mekulin, drejtorin përgjegjës, dhe ai, si U kam pasë shkrue ma pat dhanë premtimin se do t’U a dergonte. Por duket se më qiti rrenc para Jush z. Esadi, pse në Redaksi s’kanë tjetër ceç dy tri kolekcjone komplete dhe duket se janë pendue për premtim të dhanun. Mjerisht as unë nuk e kam komlet, pse për Zotin do të U a kisha dergue. Gazetën FLAKA E VLLAZNIMIT nga Shkupi do të U a dergoj tue fillue nga numri i kësaj vjete. Sa për punë të shpenzimeve nuk âsht nevoja të më dergoni asnji send. Kur të më bij nevoja për ndonji botim shqip ase në lidhje me gjuhën shqipe, që mund të dalin andej, kam me U lutë që të ma dergoni. Të tana këtyne redaksinave u kam pasë dergue adresën t’Uej tue i lutë me U a dergue Revistat ase gazetat përkatëse, natyrisht tue derdhë në bankë në llogarin e tyne të hollat. Sod do t’u shkruej të tanve tue U parapague për të tanë vjetin. Të jeni të bindun se suma âsht shum e vogël, pse të përkohëshmet këtu relativisht kushtojnë shum pak.

Mbrenda pak muejve kam me U çue kolekcjonin e poezinave, të cilat kam me i pregatitë për shtyp. Nja pësëmbëdhet prej tyne janë ndër ato të U kam pasë dergue, prandej tash për tash mos U lodhni me to. Tash dy muej punoj në fjalorin e Kristo(foridhit, vër e A.R.). Jam vendosë me e pregatitë si ribotim tue transliterue dhe tue përkëthye besnikisht spjegimet e auktorit, i cili këto spjegime ai i bân – si e dini – greqisht. Përkëthimi do të dalë përbri tekstit greqisht ndër kllapa. Gjithashtu ndër kllapa do të jenë edhe fjalët që i shtoj si synonime të origjinalit. Qe si përshembull nji fjalë ç’farë do:

ARSÉZË, /T./ adv. t o l m h r v ¢ V , q a r r a l e ¢ w , p r w p e t w V /trimnisht, me guxim/.

ARÍTHI. Adv. – ¢ e p i ¢ z ¢ w w n – t o ¢ b a d i ¢ z e i n ¢ e p i ¢ t w n d n ¢ o ¢ o p i s q i ¢ w n ‘a ¢ c r w n w ¢ V h ¢ ‘a ¢ r c t o V /për shtazë – mënyra e t’ecunit në dy kambët e mbrama si harusha /shi. ARÍTH-I

1. Fjalët me të mëdhaja janë ato t’origjinalitetit të transliterueme
2. Tekstet greqisht – spjegues – âsht i përshkruem dhe
3. fjalët ndër kllapa me germa të vogla âsht përkthimi i êm.

Në këtê punë tash tri vjet punoj dita me ditë. Këtê fjaluer e kam kalue tri herë. Nji kopje të tij e kam të përkëthyem krejt frengjisht. Më duket se këjo mënyrë e nalt paraqitun âsht mâ e përshtatëshmja, pse del Krist. âshtu si âsht dhe i plotsuem. Me nji fjalë “mishi piqet e helli nuk digjet”. Frengjishten e laç pa e shti pse kishte me u bâ puna “llallë”. Fjalët e fjalorit e kam rregullue si mbas alfabetit të soçëm t’onin.

Me kaq, Zotni Profesor, po i ap fund tue U përshndetë përzêmersisht. Me nderime i Jueji

Martin Camaj (nënshkrim me dorë, vër e A. R.)

Beograd – 11- I- 1954

* * *
Nga lista e Stubllës:

Vërejtje:

Këto letra janë marrë nga dorëshkrimet e DDr. Krist Malokit në Graz, e falenderojmë Zonjën Maloki që na mudnësoi t’i kemi këto letra në dorë. Letrat e DDr. Krist Malokit që i ka derguar Martin Camajt nuk e kemi. Do të ishte shumë më interesant që edhe letrat e tij t’i kemi parasysh dhe ti bashkojmë, por kjo nuk ishte e mundur për ne, apo ndoshta edhe kanë humbur sepse Martin Camaj ishte detyrimisht i obliguar të lëshonte Jugosllavinë, kështu që ndoshta janë zhdukur. Duhet që këto letra të kërkohen në dorëshkrimet e Martinit, që i posedon gruaja e tij Zonja Dr. Erika Camaj në Gjermani. Këto kopje të këtyre tri letrave ia kam dorzuar edhe gruas së Maritnit Zonjës Erika, në vitin 1998.

Kurse një letër të Z. Dr. Krist Maloki që ia ka dërguar Z. Anton Çettës në Beograd pran Institutit Albanologjik në vitin 1954 është botuar në revistën fetaro-kulturore të studentëve të ipeshkvisë së Kosovës “URTIA” Viti VII/1998 (11) ff. 179 – 182 dhe po në këtë shrim mund të shifni edhe më gjërsisht shkruar nga autori i këtyre rreshtave mbi Krist Malokin dhe disa letra të dërguara prej tij si Eminencës Fan S. Nolit, Z. Prodani dhe siç e ceka edhe më parë të Z. Anton Çetta po në të njëjtën revistë dhe numër ff 174-193.

Shumë dorshrkime janë të botuar edhe në revistën Phoenix në Shkodër dhe në Gazeta e Stubllës në Kosovë. Në këto letra shifet shumë kjart se çfarë orientimi poetiko-artistik në krijimtarinë e Martin Camajt kishte profesori i mirënjohur Krist Maloki. 33 vjerrsha ia ka dërguar Camaj Malokit dhe në këto vjerrsha shifen shumë mirë përmirësimet e Malokit në vjerrshat e Camajt. Do të ishte mirë që një herë ti botojmë ashtu si janë. Shpresoj se do ta bëjmë këtë më vonë. Këto vjerrsha botohen për të parën herë në listën stublla.

Për informata më të hollsishme mund të drejtoheni tek autori i këtyre rreshtave. Çdo letër duhet studijuar dhe analizuar në vete, si aspekti gjuhsor, poashtu edhe artistik. Shifet shumë kjart se çfarë shprehje interesante dhe të pasura përdor Camaj. E për fat të keq, këto shprehje nuk janë sot në përdorim, ne gjuhën zyrtare letrare shqipe. Do t’Ju dergoj edhe shkronjat e sakta greke, nese Ju intereson, sepse nuk mi njohu kompjuteri – pra, ishte problem teknik. Letrat janë të botuara ashtu siq ishin në origjinal, në përjashtim shumë të vogël të ndonjë gabim shkrimi (P.Sh. nese i mungon një shkronjë në ndonjë fjali, pra lëshim. Këso janë diku 4 apo 5 shkronja më duket në të 3 letrat.

Albert Ramaj – Vjenë
© 2001 – Të drejtat e botimit dhe ribotimit janë tek Albert Ramaj.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.