Ledri Kurti (Kraja – 1969)

0
5991

Letërsia shkodrane

Letërsia shqiptare trashëgon një fond të pasur vlerash nga krijuesit shkodranë. Që nga koha e Marin Barletit, në Rilindjen Kombëtare e deri pas Luftës së Dytë Botërore…

Curriculum Vitae

Ledri Kurti (Kraja) LEDRI KURTI-KRAJA ka lindur në Shkodër, më 27 Gusht 1969. Kryen shkollën tetëvjeçare në Tiranë, kthehet në Shkodër, në moshën 14 vjeçare dhe vazhdon të mesmen në shkollën “Jordan Misja”. Më 1989 fillon studimet në Universitetin e Shkodrës, të cilën e kryen në 1993, me rezultate maksimale, për këtë dhe mbahet po atë vit si asistente pedagoge, ku vazhdon edhe sot.

Gëzon titullin Doktore e shkencave në Letërsi, pasi ka mbrojtur temën e doktoraturës, fusha: Estetikë “Skicë e mendimit estetik shqiptar në fillimin e shekullit te XX” ( Faik KONICA, Ernest KOLIQI, Gjergj FISHTA, Anton HARAPI, Kolë ASHTA). Tashmë është titullare e lëndëve: “Teori Letrare Moderne” dhe “Estetike”, në Universitetin e Shkodrës, pranë Departamentit të Letërsisë. Ka botuar dy vëllime me poezi dhe tregime dhe një roman.

Më tepër në: http://ledri.blogspot.com/


1. “Bashkë” (Poezi dhe tregime)ShB “Camaj- Pipa, Shkodër 2000.
2. “Hapjani portën erës” (poezi dhe tregime) ShB “Camaj -Pipa” Shkodër, 2001
3. Nën harqe kacafytjesh” (roman), ShB”Camaj- Pipa”, Shkodër, 2003.

… …


Poezi nga libri “Hapjani portën erës”, 2001

(http://ledri.blogspot.com/2007/05/nga-libri-hapjani-portn-ers.html)

Hapjani portën erës

HAPJANI PORTËN ERËS!

Hapjani portën erës!
Të ngopet gjersa të gromësijë,
për ku ajo të jetë nisur,
me gjethurina apo ranishtë.
Ose kapistall t’u bëhet
dëshirave të pista,
puthjeve të fëlliqura,
me parfum lulesh përzier aksidentalisht!

Hapjani portën erës!
Ju pështiros tejngopja me ne.
do diku të vjellë,
plehrat, të lënat… shpirtrat e zheluar.
Mbase mund të ngelet dikush…
Fatlumi ai!
Mbase, të gjithëve na pështyn…!
Ptu! Ptu..! Ptuuu!

1996!

Nën harqe kacafytjesh

TË KAM THËNË BIJË?
Të kam thënë bijë: Jetë?
S’kam gënjyer – Jeta ime, je ti!
Te kam thënë bijë: Diell??
E vërtetë, dielli im je ti!
Të kam thënë bijë: Shpirt??
S’e mohoj! Por dhe më fal, më fal
për mëkatin tim të shenjtë…
I vetmi mëkat i shenjtë, mëkati
im i bukur i dashurisë, më solli diellin,
më ringjalli jetën në ty, për ty.
Më fal! Të linda për të mbajtur në kurriz
kryqmëkatin tim të natyrës.
Por do t’i fal, gjithë qeshjet e shpirtit
dritën e diellit e të syve.
Kur dhimbje të ndjesh,
vetëm njëherë më thërrit
edhe po të mos jem!

25 Dhjetor 2000

Bashkë

PA HARRUAR SE JEMI DHE DËSHIROJMË

Jeta të pret…
t’i hidhesh në krahë.
Në krahët e saj
të gjesh, ç’të gjesh
është veç për ty.
Aty!
Aty është
ç’ka na lanë dhe jo
ata, para nesh
atë, fis, e racë,
në mal, në fushë, në shesh.
Në krahët e saj,
diç më shumë a më pak
si ata, ngrysesh a qesh!
U pendove që je,
kush dhe pse???
Masivin shkëmbor shkërmoqe!
Të gjithë e katrorizuam
në thërrmija vetvetesh, qytetesh,
në sy dritaresh… brilante heshtjesh!

2 shkurt 2001

MË PRIT!

Më prit, se s’kam ndermend të vij.
Ti hajde, se s’dua të pres.
Nëse më gjen, me ty do të rri
do qesh, do qaj, do hesht…
E çuditshme!
Ti mund të vish të më kërkosh,
por adresa ime është ndarë nga unë.
Unë s’jam më këtu as kur pres,
as kur humb!
Më prit!
Vërtetë,
Të kam dashur dhe dua shumë!

NUHATJE

Të kthejmë?
Po atëherë pse erdhëm gjer këtu?
Të shkojmë më tej???
Por… sa? si…? Për ku…?
Të kthejmë??
Qeshim… me qeshjedhimbje në shpirt.
Qentë bastardë, nuhasin “erë njeri!”

Të vraposh… s’mundesh!
Të presësh?? Të kthehesh??
Ç’lemeri!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.