Çezarania Daragjati, piktorja e famshme që braktisi Realizmin Socialist

0
1503

Piktorët shkodranë përmes penelit të tyre

Referencë për artin grafik shkodran.

Piktura është njëra nga gjinitë e artit figurativ që ka patur dhe ka lulëzimin e vet në Shkodër. Përgjatë pjacës dhe rreth saj gjen disa studio grafike të piktorëve shkodranë, ku ekspozohet puna e tyre dhe ku mund të blini pikturat e tyre.

Aromë grash në Galerinë e Arteve )
Zhani Canco

Historia e panjohur e Çezarinës, një prej piktoreve të para shqiptare nga Shkodra, që studioi në Dubrovnik dhe mori mësime private nga mjeshtrat e mëdhenj, Idromeno e Simon Rrota
— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare, 02.03.2003

Nëna ime Çezarania Daragjati e cila kishte studiuar në Dubrovnik të Kroacisë dhe kishte marrë mësime private për gjashtë vjet me rradhë në qytetin e Shkodrës nga dy kolosët e mëdhenj të pikturës shqiptare Kol Idromeno e Simon Rrota, nuk e lëshoi penelin nga dora deri në fund të jetës së saj. Pak ditë para se të ndahej nga jeta, aty nga fillimi i vitit 1991 kur ajo ishte në moshën 81 vjeçare, m’u drejtua mua duke më thënë: “Zhani, do të bëj një buqetë me lulet e diellit” dhe pas kësaj menjëherë hapi kavaletin dhe përgatiti penelat e bojrat e vajit. Ajo kujtonte se kishte forca për të punuar ashtu si në vitet e shkuara në rininë e saj, por sapo hodhi ngjyrat e para në telajo, e ndërpreu punën e më tha se do ta vazhdonte njëherë tjetër atë tablo dhe e la kavaletin ashtu të hapur. Por ajo nuk mundi që ta vazhdonte më atë punë të porsafilluar, sepse vetëm pas pak ditësh u nda nga jeta”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 62-vjeçari Zhani Canco, ish-piktor-arkitekt i Kinostudjos “Shqipëria Sot”, i dilpomuar në Bukuresht të Rumanisë, i cili rrëfen gjithë historinë e nënës së tij, Çezarina Daragjati (Canco) njëra nga piktoret e para shqiptare nga qyteti i Shkodrës, që ndonëse nuk e leshoi penelin nga dora deri në moshën 81-vjeçare, nuk mundi që të ekspozonte asnjëherë gjatë periudhës së realizmit socialist.

Familja Daragjati

Çezarina u lind në vitin 1910 në një familje të njohur qytetare shkodrane e cila asokohe merrej me tregti dhe banonte diku në fillim të rrugës Fushë-Çelë, që konsiderohej një nga rrugët më të bukura të atij qyteti e ndërtuar prej austriakëve. Babai i Çezarinës, Gaspër Daragjati, pasi kishte mbaruar studimet në Stamboll, ishte kthyer në qytetin e Shkodrës dhe kishte hapur një aktivitet tregtar nga i cili nxirrte të ardhura të konside-rueshme. Ndërsa bashkëshortja e tij dhe njëkohësisht e jëma e Çezarinës, quhej Angje dhe ishte bijë nga fisi i njohur i Dedëvukajve, që njihej më shumë prej Dedës së Shan Dedës, i cili kishte marrë pjesë në krye të përfaqësisë shkodrane në Lidhjen e Prizrenit. Çezarina kishte dhe dy motra të tjera më të vogla se veten, Agetinën dhe Domenikën, si dhe dy vëllezër, Simonin e Guljelmin. Duke qenë se Gaspër Daragjati vdiq shumë i ri, pesha e familjes i ra gruas së tij, Angjes, e cila u kujdes jo vetëm për rritjen e fëmijëve, por edhe për shkollimin e tyre.

Lidhur me këtë, i biri i Çezarinës, 61-vjeçari Zhani Canaco, dëshmon: “Vëllai i nënës sime, Simon Daragjati, pasi mori mësimet e para në vëndlindjen e tij në qytetin e Shkodrës, shkoi në Itali ku dhe mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Barit. Më pas ai fitoi një të drejtë studimi dhe shkoi në Paris ku u diplomua me rezultate të larta për Ekonomi. Pas diplomimit, Simon Daragjati u kthye në qytetin e tij të lindjes ku vazhdoi të merrej me aktivitet tregtar ashtu si dikur i jati i tij. Duke qenë se ishte nga një familje e pasur dhe me bindje antikomuniste, aty nga fillimi i vitit 1947 Simoni u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe vdiq nën tortura në një nga qelitë e improvizura të Degës së Brendshme të qytetit të Shkodrës.

Ndërsa i vëllai tjetër i Çezarinës, Guljelmi, i cili kishte kryer mësimet e shkollës së mesme bashkë me Simonin në qytetin e Barit, më pas vazhdoi studimet e larta dhe u diplomua për Ekonomi në qytetin e Torinos. Aty nga viti 1943, Guljelmi u kthye në qytetin e Shkodrës ku vazhdoi të merrej me aktivitetin tregtar të familjes, duke qenë përfaqësues i firmës italiane të pijeve “Martinirosi”. Në fundin e vitit 1944, Guljelmi u nis për në Itali së bashku me bashkëshorten e tij italiane që priste të lindëte dhe nuk u kthye më në Shqipëri, duke menduar se do të përfundonte ashtu si i vëllai i tij, Simoni”, dëshmon Zhani Canco lidhur me origjinën dhe familjen e nënës së tij, Çezarinës.

Me mjeshtrat Idromeno e Rrota

Ndryshe nga sa kishte bërë me dy djemtë e saj Simonin dhe Gulejlmin të cilët i kishte shkolluar për Ekonomi në Francë dhe Itali, Angje Daragjati u kujdes që tre vajzat e saj të cilat kishin marrë mësmiet e para në Kolegjin e Motrave Stigmatine të qytetit të Shkodrës, të shkolloheshin në Kolegjin e famshëm të Dubrovnikut në Kroaci. Pas mbarimit të atij kolegji që njihej dhe konsiderohej si një nga më prestigjozët e Ballkanit dhe drejtohej nga murgeshat austriake, Çezarina Daragjati me dy motrat e saj u kthyen në qytetin e Shkodrës. Me kthimin e të bijave, ajo që i ra më shumë në sy nënës së tyre, ishte prirja dhe talenti që kishte shfaqur Çezarina për vizatimet. Lidhur me këtë, Zhani Canco dëshmon: “Prirjet për viztaimin, nëna ime, Çezarina, i kishte marrë nga murgeshat austriake gjatë viteve të shkollës në Kolegjin e Dubrovnikut, ku në programet e asaj shkolle përveç lëndës së vizatimit që shihej tradicionalisht si prioritare, zhvilloheshin gjithashtu edhe lëndë të tjera si ajo e muzikës dhe arti i kulinarisë. Sigurisht që krahas këtyre lëndëve të cilave u jepej mjaft prioritet në atë shkollë, aty zhvilloheshin edhe lëndë të tjerë të kulturës së përgjithshme si letërsia, historia, gjeografia etj.

Pasi gjyshja ime Angje Daragati u bind plotësisht per prirjet që kishte e bija e saj, Çezarina, për vizatimet, ajo e mori atë dhe shkuan për tu takuar me piktorin e skulptorin e famshëm shkodran, Kol Idromenon, i cili gjithashtu njihej edhe si një arkitekt e fotograf mjaft i zoti. Mjeshtri madh Idromeno pasi i pa vizatimet e Çezarinës së vogël, e mori atë në provë dhe shumë shpejt krijoi bindjen për talentin e saj. Pas kësja ai pranoi që t’i jepte asaj mësime pikture privatisht duke parë tek Çezarina një vajzë të talentuar dhe me të ardhme në artin e bukur të pikturës. Kol Idromeno iu përkushtua seriozisht asaj duke i sjellë edhe revista e libra të ndryshme pikture si edhe literaturë e metoda bashkëkohore të mësimeve teorike. Për afro dy vjet me rradhë nëna ime mori mësime vizatimi nga mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, i cili nuk nguronte ta shfaqte hapur kënaqësinë për talentin e nxënëses së tij të vogël. Mirpo pas dy vjetësh, nëna ime, Çezarina, u detyrua që të shkëputej nga profesori i saj, për arsye se në atë kohë mjeshtri Idromeno, kishte mjaft kërkesa nga familjet shkodrane për projektimin e banesave të reja që filluan të ndërtoheshin asokohe në atë qytet.

Kështu që duke mos e përballuar dot atë ngarkesë të madhe pune, Kol Idromeno i rekomandoi gjyshes sime, që Çezarina të vazhdonte pikturën me mjeshtrin tjetër shkodran, piktorin e njohur, Simon Rrotën, i cili ishte diplomuar për pikturë pranë Akademisë së Arteve të Bukura të Gracit në Austri. Edhe Simoni e priti mjaft mirë Çezarinën, e cila për katër vjet me rradhë vazhdoi të studjonte privatisht pranë mjeshtrit të shquar shkodran që ashtu si Idromeno, e vlersonte mjaft talentin e nxënëses së tij të vogël. Atë periudhë që ajo qëndroi pranë mësuesit të saj Simon Rrota, ishin vitet më produktive të saj, sepse ajo kishte fituar mjaft përvojë dhe në punët e saj shprehte realitetin e pasqyruar me mjaft emocione të brendshme të shpirtit të saj prej artisteje të vërtetë.

Në ato vite Çezarina realizoi disa nga punët më të mira të saj si në teknikën e vajit, ashtu dhe në vizatimet me karbon, të cilat janë vlerësuar mjaft nga piktorë të ndryshëm të asaj kohe dhe e pasuruan ndjeshëm fondin e punëve të saj. Nga dy profesorët e saj të famshëm, Idromeno e Rrota, Çezarina u njoh me kollosët e mëdhenj të pikturës italiane, franceze e angleze. Në atë kohë me porosi të profesorit të saj të gjuhës frënge në gjimnazin klasik të qytetit të Shkodrës, francezit Paul Guzhonit, Çezarina realizoi mjaft riprodhime të mjeshtrave të mëdhenj të shkollës klasike franceze si Vigee Le Brun. Roza Bokuer etj “, dëshmon Zhani Canco për nënën e tij, Çezarina Daragjatin, e cila i mori mësimet e para të vizatimit nga dy kolosët e mëdhenj të pikturës shqiptare: Kol Idromeno dhe Simon Rrota.

1945 – 1990 asnjë pikturë në ekspozita

Edhe pse u shkëput nga profesori i saj Simon Rrota me të cilin mësoi për katër vjet me rradhë, Çezarina Daragjati e vazhdoi përsëri pikturën duke punuar në shtëpinë e saj për vite me rradhë. Ajo kishte kënaqësi që të ndiqte ndonjë shkollë pikture jashtë shtetit, pasi në atë kohë në qytetin e Shkodrës nuk kishte shkollë vizatimi. Por edhe pse nuk iu dha mundësia që të studjonte më tej, Çezarina nuk hoqi dorë për asnjë moment nga pasioni i saj për pikturën dhe vazhdoi të punonte me të njëjtën kënaqësi ashtu si dikur në rininë e saj. Atë gjë ajo e vazhdoi edhe pas vitit 1937 kur u martua me Gjergj Cancon, ish mësuesin e Gjimnazit Klasik të qytetit të Shkodrës, i cili ia nxiti akoma dhe më shumë pasionin e saj për pikturën. Me bashkëshortin e saj Cancon, Çezarina jetoi në qytetin e Shkodrës deri në vitin 1945 dhe pas atij viti ata erdhën dhe u vendosën në Tiranë, ku Gjergji u emërua me detyrën e Drejtorit të Shhkollës Teknike (Politeknikumi “7 Nëntori”) ku parardhës i tij kishte qenë amerikani Harry Fultz.

Pas vitit 1945 Çezarina u dëshpërua mjaft pas dy goditjeve të forta që pati familja e saj me vdekjen tragjike të vëllait, Simonit, që u shpall armik i popullit dhe humbjen e vëllait tjetër Guljelmit, i cili mbeti përgjithmonë jashtë Shqipërisë në Itali. Që nga ajo kohë Çezarina u mbyll brenda në shtëpi dhe nuk u angazhua asnjëherë në asnjë lloj punë shtetërore, duke menduar hijen e keqe të Luftës së Klasave që mund t’i shkaktonte asaj probleme të reja. Lidhur me këtë, i biri, Zhani Canco, dëshmon: “Ajo vazhdoi të pikturonte përsëri dhe nga punët më të spikatura të saj, janë ato të portreteve të dy prindërve të saj, e gjithashtu dhe vjehrrit e vjehrrës (Zisi e Parashqevi Canco) të cilët ajo i donte dhe i respektonte pa masë.

Po kështu nga të gjitha punimet e saj në fondin e familjes sonë kemi mundur të ruajmë rreth 40 punime, ku nga më të spikaturat janë disa portrete dhe natyra të qeta me lule shumëngjyrshe, të cilat ajo i ka punuar me mjaftë dashuri dhe duket sikur brenda tyre ajo ka vënë diçka nga bota e saj. Po kështu në familjen tonë kemi ruajtur edhe shumë riprodhime të saj nga mjeshtrat e mëdhenj të shkollës klasike italiane, gjermane, franceze e angleze”, kujton Zhani Canco lidhur me nënën e tij, Çezarinën, e cila ndonëse vazhdoi të pikturonte vazhdimisht gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, nuk ekspozoi asnjëherë në ekspozitat e shumta të realizmit socialist.

Pas 65 vjetësh në Galerinë e Arteve

Çezarina Daragjati vazhdoi të punonte në telajo dhe nuk e hoqi kurrë penelin nga dora edhe në vitet e fundit të jetës së saj, kur kishte arritur të tetëdhjetat. Lidhur me këtë, i biri, Zhani, dëshmon: “Pak ditë para se të ndahej nga jeta aty nga fillimi i vitit 1991 kur ajo ishte në moshën 81 vjeçare, m’u drejtua mua duke më thënë: “Zhani, do të bëj një buqetë me lulet e diellit” dhe pas kësaj menjëherë hapi kavaletin dhe përgatiti penelat e bojrat e vajit. Ajo kujtonte se kishte forca për të punuar ashtu si në vitet e shkuara në rininë e saj, por sapo hodhi ngjyrat e para në telajo, e ndërpreu punën dhe më tha se do ta vazhdonte njëherë tjetër atë tablo duke e lënë kavaletin ashtu të hapur. Por ajo nuk mundi që ta vazhdonte më atë punë , sepse vetëm pas pak ditësh u nda nga jeta”, kujton Zhani Canco ditët me fundit të jetës së nënës së tij, Çezarina Daragjatit, piktores së famëshme shkodrane e cila ndonëse kishte marrë mësime nga dy mjeshtrat e mëdhenj e kolosët e pikturës shqiptare, Kol Idromeno e Simon Rrota, nuk ekspozoi asnjëherë në periudhën e realizmit socialist. Ëndrra e saj u bë realitet vetëm pas viteve ’90 kur punimet e saj u ekspozuan dy herë në ekspozita të ndryshme dhe u pritën me mjaft interes si nga kritika ashtu dhe nga shikuesit e shumtë.

Mbrëmë në Galerinë e Arteve

Në kuadrin e 8 marsit ditës ndërkombëtare të gruas, Ministria e Rinisë Kulturës dhe Sporteve në bashkëpunimim me Galerinë Kombëtare të Arteve, organizuan mbrëmë në një nga sallat e kësaj galerie një ekspozitë të titulluar “My Changes” në kujtim të Çezarina Daragjati Canco. Në prani të shumë dashamirësve të artit, artistëve, piktorve të njohur dhe personaliteteve të kulturës, fjalën e hapjes së asaj ekspozite e mbajti kuratorja e Galerisë së Arteve, Suzana Kuka Varvarica, e cila nxorri në pah rolin e grave piktore shqiptare ndër vite. Në një nga sallat kryesore të galerisë, ishin ekspozuar 40 punime të piktores së famshme shkodrane Çezarina Daragjati dhe në sallat e ndryshme ishin ekspozuar punimet e piktoreve të tjera shqiptare që jetojnë ende. Në punimet e Çezarina Daragjatit binin në sy riprodhimet e saj nga autorët e famshëm të shkollës klasike italiane, gjermane, franceze e angleze, si dhe disa vizatime në karbon me portrete dhe kompozime origjinale të saj të realizuara në teknikën e vajit. Gjithashtu në stendat e kësaj ekspozite ishin ekspozuar dhe disa nga librat e piktores së famshme shkodrane dhe veglat e saj të punës, si penela, kavaleti dhe bojra të ndryshme, të cilat u ndoqën me interes të madh nga vizitorët e shumtë. Sipas organizatorve të kësaj ekspozite, ajo do të qëndroj e hapur deri më datën 8 mars, ditën ndërkombëtare të grave.


Fotografi, piktura, performanca, video… Vetëm krijime grash në ekspozitën e gruas shqiptare, deri të hënën

Aromë grash në Galerinë e Arteve

Një sallon special kushtuar kujtimit të një gruaje italiane, që ka pikturuar gruan e Zadrimës. Dhuratë nga i biri, Zhani Canco për 8 Marsin

— nga Belina Budini

TIRANË – 10.03.2003 – Ajo nuk ishte një grua shqiptare. Por në ekspozitën e grave shqiptare në Galerinë Kombëtare të Arteve zë vendin kryesor. Salloni ku janë ekspozuar krijimet e saj duket më interesanti, edhe për faktin se punët e bëra datojnë që prej viteve ’30. Por jo vetëm kaq. Autorja e tyre është një grua italiane e martuar në Shqipëri. I biri i saj, Zhani Canco, tani rreth të shtatëdhjetave, është ideatori i kësaj ekspozite si dhuratë 8 Marsi për nënën e tij, Çezerina Cancon (Daragjati) e cila nuk rron më. Kujtimet e veta nga e ëma, Zhani i ka ekspozuar në Galerinë e Arteve, ku çdo ditë, që nga koha kur u çel ekspozita, shkon t’i kontrollojë. “I ka merak se i ka relike të së ëmës”, – thonë punonjëset e galerisë.

Dhe nuk janë paraqitur aty vetëm pikturat e saj të stilit klasik, por edhe një pjesë e bibliotekës së saj, partitura muzikore si edhe mjetet e punës, kutia e ngjyrave dhe penelët si edhe një karrige e familjes Dargjati, me stemën e kësaj familjeje, e cila në vitin 1902 u është dhuruar atyre nga një familje gjakovare. Salloni në kujtim të Çezerinës i ngjet një kthine muzeale. Gjen aty edhe albumin e familjes Dargjati, shumë prej fotografive të së cilës janë të bëra nga mjeshtrit e hershëm të fotografisë shqiptare, Marubi. Por përveç Çezerinës, plot gra të tjera, artiste shqiptare, kanë prezantuar punët e tyre të veçanta dhe interesante, me plot ide të reja, në këtë ekspozitë të gruas shqiptare, e cila është hapur më një mars. Drejt mbylljes, vizitorët janë rralluar megjithëse pikturat, grafitët, fotografitë, videot, performancat dhe kombinacionet artistike do të qëndrojnë në pritje të vizitorëve deri në datën 10 mars, kur bëhet mbyllja. Megjithatë sot, më tetë mars, edhe gratë e Galerisë e kanë pushim dhe ekspozita do të qëndrojë e mbyllur.

Fotografi dhe video

Pjesa më e madhe e ekspozitës “My Changes” fokusohet në fotografi dhe video. Në sallonin e madh janë ekspozuar edhe punë të veçanta të dy grave që janë njohur si stiliste në Shqipëri. Bëhet fjalë për Mariana Eskin dhe Enda Maçin. Të veçanta janë punët e Eskit, që titullohen “Vështrim i thyer” dhe “Fund i përmbyllur”. Ndërsa “performanca” e Endës është e vendosur në mes të sallës, mbi një poltron të bardhë dhe përbëhet nga një grumbull leshi në ngjyrë të bardhë dhe ngjyrë kafe e pjekur. Në këmbët e poltronës janë shpërndarë “thërrime” leshi. Krijimi titullohet “Lesh e li”. Të guximshme paraqiten punët e artistes Silvana Nini. Fotografia e saj “Tullumbaci” paraqet në fakt një bebe që ushqehet me qumësht në gjirin “tullumbace” të së ëmës.

Akoma më i guximshëm është kombinacioni ose kolazhi i disa skicave të tjera, ku shfaqen pjesët më intime të trupit të femrës. Krejt të bardhë e ka lënë krijimin e saj Ermira Jahja. Artistja ka zgjedhur këtë imazh për protestën e saj. Dhe krijimi titullohet “Protestë”. Duke udhëtuar më thellë nëpër sallonin ku janë ekspozuar punët e grave artiste takohesh me plot krijime të tjera të spikatura. Më tej syrin ta tërheq një video që projekton pauza imazhesh në një WC. Ndërsa në ekranet e televizioneve në sallën labirint, video të tjera tregojnë momente nga puna e artistëve por edhe xhirime artistike.

Kujtimet e Çezerinës

Kthehemi në ekspozitën e gruas italiane për të vëzhguar më nga afër krijimet e saj. Tablo të mëdha klasike, hijerënda, të ruajtura shumë mirë nga i biri, Zhani, megjithëse, pothuajse pjesa më e madhe e tyre datojnë që nga vitet 1930. Çezerina Canco ka lindur në 1910 dhe ka vdekur në 1991. Një fotografi e saj ka zënë vend në sallonin e ekspozitës. Por ajo që të bie në sy menjëherë pranë kësaj fotografie është një pikturë e bukur e gruas së Zadrimës. Piktura titullohet “Zadrimorja”. Shumë tërheqës është edhe krijimi “Portret Gruaje” i vitit 1935, por edhe “Motra Fabiola”, e cila megjithëse e vjetër, është ruajtur mjaft mirë edhe gjatë regjimit komunist. Në një cep të galerisë mund të admirosh edhe një portret të Leon Tolstoit, që duket se ka qenë autori i preferuar i Çezerinës, një portret ky mjaft i gjallë i shkrimtarit të madh rus. “Gruaja në punë” është një kopje e sjellë në telajo nga Çezerina. Peisazhet janë më të pakta se portretet, ashtu si edhe natyrat e qeta, por jo më pak të spikatura se ato.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here