Si u masakrua familja e Marash Vatës

1
8121

— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare

Historia e një prej familjeve më të dëgjuara në Veriun e Shqipërisë e përmendur dhe nga Fishta në “Lahuta e Malsisë”. Si u persekutuan nga regjimi komunist.

Si u masakrua familja e Marash Vatës, bajraktarit të Shkrelit
Dëshmia e 79 vjeçarit Prek Gjelosh Vata: “Familja jonë që rrjedh prej trungut të bajraktarit të Shkrelit Marash Vata, i cili ka luftuar kundër turqëve dhe serbo-malazezëve, u trajtua në mënyrën më mizore nga komunistët. Pesë burra u pushkatuan, dhjetë të tjerë u dënuan me 126 vjet burg nga të cilat vuajtën 92, shumë u arratisën jashtë vendit dhe i gjithë fisi ynë përfundoi kampeve të internimit”

Dy vëllezërit e mi Vata me Nduen pasi kishin mbaruar akedemitë ushtarake në Itali dhe shërbenin pranë Gardës Mbretërore të Viktor Emanuelit, në vitin 1944 u kthyen në Shqipëri për tu bashkuar me xhaxhanë tonë Llesh Marashin ish-Qarkomandantin e Shkodrës i cili që në 1943 kishte dalë në mal dhe me çetën e tij luftonte kundër italianëve.

Vata me Nduen mbetën të vrarë më 19 mars të vitit 1946 gjatë një përpjekje me forcat e Sigurimit ku u rrethuan në shtëpinë e Ibrahim Kupit në qytetin e Krujë, ku u vra dhe i zoti shtëpisë me djalin e tij 12 vjeçar. Po kështu vëllai tjetër Ndoci i cili kishte mbaruar për Teologji në Romë dhe jepte mësim në kolegjin e fretënve në Shkodër, u arrestua në dhjetorin e vitit 1945 dhe u dënua me vdekje i akuzuar si pjestar grupit të seminarsistëve që hodhën trakte në zgjedhjet e 2 dhjetorit të atij viti. Ndocit iu fal jeta dhe bëri 18 vjet burg në Burrel. Po kështu xhaxhai major Llesh Marashi në vitin 1946 u var në mes të qytetit të Shkodrës, pasi ishte organizatori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe, kurse nipi Rroku që u kap i gjallë së bashku me të në shpellë, në fillim u dënua me vdekje e më pas përfundoi burgjeve dhe internimeve. Vëllai tjetër Marku që banonte në fshatin Shullaz të Kurbinit, në vitin 1979 u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg i akuzuar se në shtëpi iu gjet një radio-marrse që lidhej me agjenturat e huaja.

Nga pjestarët e familjes dhe farefisit tonë që rrjedhim prej trungut të bajraktarit të Shkrelit Marsh Vatës, shumë prej të cilëve ishin diplomuar në Akademitë Ushtarake dhe universitetet e Europës, vetëm unë shpëtova pa u dënuar se kisha dalë partizan. Gjatë periudhës së regjimit komunist familja dhe i gjithë fisi ynë pësoi një tragjedi dhe masakër të vërtetë pasi u pushkatuan katër burra, dhjetë të tjerë u dënuan me 138 vjet burg, nga të cilat vuajtën 92 vjet, shumë u arratisën jashtë vendit dhe pothuaj të gjithë të tjerët deri te brezi i tretë e kaluan të gjithë jetën në kampet e internimeve”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën” është 79 vjeçari Prek Gjelosh Vata, nipi i bajraktarit të Shkrelit Marash Vatës, që ka hyrë në Historinë e Shqipërisë si prijës i malësorëve të Shkrelit në luftrat kundër turqëve e serbëve të cilat janë përshkruar me mjeshtëri nga Padër Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcisë” ku ndërmjet të tjerash thuhet:

“Porsi rrfeja në shtërngata / duel prej Shkreli njai Marash Vata / dhe ka msy drejt Dukagjinit / bashk me a’t Gjin Pjetrin e Kurbinit /”

Teksa pi duhan me çibukun e tij që s’e shuan kurrë, i ulur aty pranë oxhakut të shtëpisë së vjetër në fshatin Gurëz të Komunës së Fush-Kuqes së Kurbinit (8 km. në perëndim të qytetit të Laçit) ku banon prej më shumë se gjashtëdhjet vjetësh, Prek Gjelosh Vata rri e mendohet për një çast sikur do të thërrasë në kujtesën e tij gjithë të kaluarën e asaj familje që para dyqind e sa vjetësh, e cila është mishëruar në legjendat që janë thënë e shkruar të cilat ai i ka fare të freskëta në memorjen e tij. Po cili është i pari i shtëpisë së Marashvatajve dhe si njihet ai e trungu i familjes së tij në historinë e Shqipërisë dhe çfarë ka shkruar për të Gjergj Fishta në veprën e famëshme “Lahuta e Malcisë”?. Kush ishte Llesh Marashi, majori që ishte diplomuar në Vjenë të Austrisë dhe në kohën e Monarkisë shërbeu si Qarkomandant i Prefekturës së Gjakovës e Shkodrës dhe përse lufta që ai bëri kundër italianëve në krye forcave nacionaliste që komandonte në fshatin Reç të Malësisë së Madhe, për më shumë se 40 vjet iu atribua vetëm partizanëve ?
Si e sulmoi ai me forcat e tija të armatosura qytetin e Shkodrës në atë që njihet si Kryengritja e Koplikut dhe si varën Lleshin në mes të Shkodrës pasi e kapën të gjallë në shpellë së bashku me nipin e tij ? Si u arratisën nga Shqipëria dy djemtë e Lleshit, Alfonsi me Alfredin kur nuk ishin më shumë se 12-14 vjeçarë dhe si përfunduan burgjeve e internimeve dy motrat e tyre Albina e Rexhina? Kush e vrau Alfredin (djalin e Lleshit) në Marsejë të Francës në vitin 1979 kur ai ishte duke marrë pjesë në një miting antikomunist që e kishte organizuar mërgata politike shqiptare në Perëndim? Cilët ishin pinjollët e tjerë të familjes së Marash Vatës dhe si përfunduan ata burgjeve e internimeve të regjimit komunist deri në fundin e vitin 1990 së bashku me gratë e fëmijët e tyre?

Bajraktar i Shkrelit

Origjina e familjes që rrjedh nga trungu i Marash Vatës është nga fshati Zagorë i Shkrelit i Malësisë së Madhe ku edhe sot gjenden rrënojat e kullës së madhe të cilat me prezencën e tyre në atë luginë të bukur ku fillojnë Alpete Veriut, sikur duan të dëshmojnë lavdinë e dikurëshme të saj. Lidhur me të kaluarën e kësaj familje dhe burrat e shquar që ajo nxorri gjatë dy shekujve të fundit, 79 vjeçari Prek Gjelosh Vata dëshmon: “I pari i trungut të familjes sonë ka qenë Vat Marashi djali i Marash Vatës, i cili ka lindur rreth fillimit të viteve 1800 dhe njihet për luftrat e tija kundër Krajlve të Serbisë dhe Malit të Zi. Që në moshë fare të re kur akoma nuk i kishte mbushur akoma 25 vjeç, Vata u bë tmerri i Krajl Nikollës i cili i kishte porositur ushtarët e tij që t’ja sillnin atë të gjallë dhe ai që e sillte do të paguhej me flori.

Pas vrasjes së Vat Marashit, nusja e tij nuk u largua nga ajo shtëpi sipas zakonit, por qëndroi aty dhe djalit që i lindi pas tre muajsh i vunë emrin e gjyshit dhe e quajtën Marash. Familja jonë e cila ka qenë e vendosur prej qindra vjetësh në Zagorë të Shkrelit ka pasur një miqësi të ngushtë me familjet e dëgjuara shkodrane të Ded Jakupit, Hodo Beg Sokolit e Gjon Serreqi etj. Ashtu si gjyshi i tij edhe Marash Vata u rrit duke luftuar dhe mbajti bajrakun e Shkrelit të cilën familja jonë e kishte të trashëguar në disa breza dhe në krye të malësorëve ai luftoi kundër turqëve e serbo-malazezëve. Për trimëritë e Marash Vatës dhe urtisinë e tij në kuvendet e burrave ka folur dhe Padër Gjergj Fishta në “Lahutë të Malcisë” ku midis të tjerash në ato kangë që kanë përjetësuar në histori legjendash emrat e burrave që i bënë emër vetit, ai shkruan:

“Porsi rrfeja në shtërngata / duel prej Shkrelit njai Marash Vata / dhe ka msy drejt Dukagjinit / bashkë me a’t Gjin Pjetrin e Kurbinit / që për pushkë e për urti / e lan namin të dy në Shqipni “. Po kështu në një kangë tjetër Padër Gjergji flet përsëri për Marash Vatën.”E njai tjetri ma përtej /me ato mustakë të mëdhenj / me i prek në shoq që ka bri vedit / nuk asht jo Diomedi / por ashtë bajraktar i Shkrelit / si jaj pyrgu në ball të kështjellit / që se trem as topi e as shpata / ja thonë emrin Marash Vata”

Shkollohen në Evropë

Po si rrodhën më tej ngjarjet në familjen e bajraktarit të Shkrelit Marash Vata dhe gjashtë djemëve të tij? Lidhur me këtë Prek Gjelosh Vata dëshmon: “Marashi u martua shumë i ri që në moshën 18 vjeçare dhe nga ajo martesë atij i lindën 12 fëmijë, gjashtë djem e gjashtë vajza. Djemtë e tij u quajtën Rrok, Kanto, Pjetër, Gjelosh, Gjek dhe Llesh. Tre djemtë Kanti, Gjeka dhe Lleshi pasi mbaruan kolegjin e fretënve në qytetin e Shkodrës, erdhën në Tiranë dhe përfunduan shkollën mbretërore të plotësimit të oficerëve. Pasi ata të tre u diplomuan me rezultate të lartë në atë shkollë ushtarake, fituan nga një bursë shtetërore nga qeveria e Mbretit Zog dhe vazhduan më tej studimet pranë Akademisë Ushtarake në Vjenë të cilën e mbaruan me rezultate të larta dhe u diplomuan e u titulluan si oficerë.

Po kështu edhe djali tjetër Rroku pasi mbaroi kolegjin e fretënve në Shkodër, vazhdoi studimet universitare në Romë për Teologji dhe më pas erdhi në Shqipëri ku shërbeu si frat në disa krahina të Veriut. Dy djemtë e tjerë Pjetri me Gjeloshin nuk vazhduan shkollat por qëndruan në shtëpi në fshatin Zagorë duke administruar atë pasuri që kishte familja, ndonëse Pjetri kishte gradën e kapitenit si oficer në rezervë” kujton Prek Gjelosh Vata lidhur me shkollimin e tre djemve të Marash Vatës në Akademinë Ushtarake të Vjenës, si dhe të Rrokut që u diplomua në Teologji.

Në mbrojtje të Zogut

Po cili ishte fati i tre djemve të Marash Vatës të cilët u shkolluan dhe u diplomuan në Akademinë Ushtarake të Vjenës në Austri? Lidhur me këtë 79 vjeçari Prek Gjelosh Vata dëshmon: “Nga gjashtë djemtë e bajraktarit të Shkrelit Marash Vata, dy prej tyre Kanto dhe Rroku vdiqën në vitet ’30. Kant Marashi pasi u diplomua si ushtarak në Vjenë, u kthye në Shqipëri dhe u emërua si oficer i xhandarmërisë Mbretërore në Malsinë e Madhe. Sipas disa dëshmive Kanto u vra aty rreth vitit 1934 nga një vrasës me pagesë të cilin e kishin shtyrë disa persona me bindje të majta dhe përkrahës të KONARE (Komiteti Nacional-Revolucionar) që drejtohej nga Fan Noli qëndra e të cilëve ishte në Gjenevë të Zvicrës. Kjo vrasje erdhi pasi Kanto kishte bërë me ta një debat të ashpër duke u sharë Leninin dhe Bashkimin Sovjetik, për të cilët ishte shprehur “Kolera që do të skllavëroj Shqipërinë”.

— marrë nga Gazeta Shqiptare


Mark K. Shkreli (shkrelim@aol.com) komenton:

Vite me rrallë, me kenaqesi e lexoj shkoder.net. Jam perpjekur disa here te kontaktoj me autorin e nje shkrimi ne rubriken “Histori”, me titullin “Si u masakrua familja e Marash Vatës” — nga Dashnor Kaloçi. Arsyeja eshte se shkrimi eshte me nje perqindje dermuese i pasakte. Familja e nderuar dhe e shumevuajtur e Llesh Marashit nga Zagora e Shkrelit, s’ka te bejë, ne asnje menyre, me familjen e bajraktarit te Shkrelit, Vat Marash Dashit, nga Vrithi i Shkrelit.

Duke marre parasysh kete fakt, atehere, i gjithe shkrimi vlersohet i pabaze. Nese keni kontakt me autorin, do te isha me se i gatshem ta diskutoj kete gje me te. Une jam ne kontakt te vazhdueshem me te dy familjet, ate te Llesh Marashit, permes djalit te vetem qe eshte gjalle, Rudolf Llesh Marashi (New York) dhe ate te Vat Marash Dashit (Rec, Velipoje, qe i vizitova me 20 shtator). Rrok Kanto Marashi, i cili kaloi ne burgje dhe internime pothuajse tere jeten e tij, tragjikisht humbi jeten, bashke me te vetmin djale, ne kohen e demokracise, kurse dy vajzat e tij jane te martuara ne New York. Asnje nga familja e major Llesh Marashit nuk pretendon te jete nga trungu i familjes se bajraktarit te Shkrelit.

Marash Vata i Lahutes se Malcisë, nuk ka te bej me familjen e LLesh Marashit por eshte babai i bajraktarit te vertete Vat Marashit. Vata, kur u largua nga Vrithi dhe zuri vend, me pare ne Malin e Brise (Ulqin) dhe me vone ne Rec te Velipojes, si zevendes te tij, ne Vrith la Pjeter Gjoken, i cili vepronte si bajraktar ne mungese te Vates. Sot, edhe pse roli i bajraktarit eshte zhdukur, Shkreli e nderon familjen e bajraktarit te vet, ate te Vat Marashit, permes te birit Toshi i Gjoke Vates dhe te tjeret (jane shume per t’i permendur te gjithe).

Edhe nje sqarim: Dasho Shkreli, me vellezerit e tij Sefon, Kasemin dhe Cafon (te birte e Hasanit), nuk kane lidhje familjare me bajraktaret e Shkrelit, te cilet jane te besimit katolik. Ne mburremi me Llesh dhe Kanto Marashin nga Zagora, me Dasho Shkrelin nga Shkodra, por bajraktare kemi familjen e Vat Marashit nga Reçi i Velipojës.

1 KOMENT

  1. Para shume kohe kam bere nje koment ne lidhje me familjen e Llesh Marashit, ne te cilin kam bere nje gabim kolosal, jo me qellim por nga informatat e gabuara qe kam pasur. Rrok Kanti, vertete qe ka vdeke me gjithe te birin Gjovalinin ne nje akcident. Gjovalini ka lene nje djale dhe nje vajze. Per me teper, Rroku ka lene edhe nje djale tjeter, Albertin, te cilin pata fat ta takoja ne New York gjatye nje darke per rritje fondesh per Kishen e Shen Kollit ne Shkrel, me 24 qershor 2017. Ne perfundim te darkes takova edhe djalin e Gjovalinit te ndjere, Kanto Gjovalin Rrok Kanto Marashin. Kerkoj falje per informten e gabuar ne komentin tim origjinal. Jam shume i gezuar, qe kjo familje martire ka lene trashigimtare. Dhashte Zoti e u shumoft edhe me e me.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.