Kolë Jakova, romani i pashkruar…

0
11394

[ Letërsi ]

Kush ishte Kolë Jakova

Kolë Jakova Kolë Jakova ka lindur në qytetin e Shkodrës më 1916. Në këtë qytet, Kola mbaroi shkollën fillore dhe u angazhua në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare. Ishin pikërisht këto vite, ku i riu nisi të shkruajë vjershat e para. “Kenga e tre heronjeve” dhe “Shqiponjat partizane” shumë shpejt nisen te kendoheshin si kenge”. Pas çlirimit ne vitin 1953 Kola shkroi vepren “Heronjtë e Vigut”. Fusha kryesore ku Kolë Jakova ka dhene nje kontribut te veçantë eshte dramaturgjia. Ne vitin 1954 shkruan dramen “Toka Jone”, në ’65 “Perkolgjinajt”, 1970 “Lulet e sheges, 1975 “Bashke me agimin” dhe dramën “Lugajanet” ne vitin 1997, i dhane nje ndihmese te konsiderueshme zhvillimit të dramaturgjise. Njekohesisht Kole Jakova eshte autori i disa romaneve si “Fshati midis ujrave”, “Perballe hekurave te kryqëzuara”, dhe “Kulla buze Liqenit”.

Rrëfimi i dramaturgut të njohur, 86-vjeçarit Kole Jakova, që jeton prej katër muajsh në një azil privat në Tiranë.

— nga Belina Budini, Shekulli

TIRANË – Kolë Jakovën, autorin e dramës së njohur “Toka jonë”, nuk e gjen më në apartamentin e vet. Shtëpinë e zbrazur nga gruaja pesë vjet më parë (e vdekur) dhe nga fëmijët (të larguar jashtë) vendosi ta braktiste para katër muajsh. Në moshën 88-vjeçare, dramaturgu, poeti dhe romancieri me origjinë shkodrane, ndërmori një aventurë të fundit. Pa harruar të marrë me vete kutinë me librat e preferuar, gjyslyket dhe një bibël, Kolë Jakova vendosi të shkonte në azil. Mbërriti një mëngjes korriku aty në “Joshua Trauma Center”, ku vazhdon të jetojë çdo ditë mes miqsh të rastësishëm dhe nën përkujdesin e personelit të kësaj qendre rehabilitimi që prej katër muajsh.

Në një nga dhomat e kësaj qendre e gjetëm paraditen e djeshme Kolë Jakovën. I gatshëm për të biseduar, ai pranon të rrëfejë për gazetën “Shekulli” ditët e vetmuara në pleqëri. Përpjekjet për të mbijetuar, takimet e shumëpritura me mbesat në azil, telefonatat e përlotura me të bijat në Udine të Italisë, e-mail-at e tyre të përzemërt, me të cilët i kërkojnë përditë të bashkohet me to. Rrëfimi për krijimtarinë e vet, prej të cilës nuk ka hequr dorë as në pleqëri, planet për botimin e një libri të ri me rrëfenja të vjetra shqiptare, rikthimi në kujtimet dhe dëshira për të rrojtur sa më gjatë.

Ditët e Jakovës në vetmi

Dramaturgut 88-vjeçar, i ndodh që këtyre ditëve të vetmuara të thurë edhe ndonjë vjershë të trishtë. “Keq ta sosësh jetën/ kur je akoma i ri/ por akoma ma keq/ kur ngelesh vetëm n’pleqni”, – nis të recitojë Jakova shkodrançe. Kështu e nis ai bisedën, me vargje. Thotë se tanimë vargjet e tij janë të trishtueshme dhe “të randa”, prandaj ka vendosur të mos botojë asgjë prej tyre. Me duart që i dridhen, mezi arrin të shkruajë, por nuk heq dorë.

Nisi të thurte vargje pesimiste atëherë kur ditët në vetmi të plotë iu bënë të padurueshme. Nuk pranon ta japë për botim një vjershë të revoltuar ndaj realitetit, as edhe një tekst kënge që ka sajuar në vetmi e që fillon me vajin: “o mor gjysh i shkretë/ se ç’të paska gjetë/ s’ka kush t’bën hyzmet/ or medet, medet.” “E kam shkruar nga mërzia e pleqërisë se sa për hyzmet ka kush më bën. Vajzat më lusin çdo ditë në telefon që të shkoj e të jetoj me to në Itali, por unë nuk kam dëshirë të shkoj. Nuk e di në do të vendos për të shkuar apo jo, por dëshirë të shkoj nuk kam. Dua të vdes këtu… Le që nuk jam kaq i vjetër, dua edhe dy vjet të mbush 90 vjeç…”, – thotë duke qeshur. Sensi i humorit nuk i mungon për asnjë çast, edhe kur flet për vuajtjet e ditëve të veta në pleqëri. Në azil të gjithë e duan dhe
e respektojnë e i thërrasin në një zë “gjysh”. Për personelin e shërbimit, ai është i preferuari. Këto përkujdesje dhe fjalë thotë se ia largojnë disi vetminë. “Jam më mirë këtu sesa vetëm në shtëpi. Këtu kam edhe ndihmën mjekësore kur më duhet, edhe shërbim në dhomë, edhe shoqëri kur dua të bëj muhabet.

Megjithatë, një pjesë të mirë të ditës e kaloj duke lexuar”, – thotë ndërsa na tregon një libër të Ajshtajnit që nuk e heq nga dora. Një guidë për të qenë i suksesshëm në jetë, një enciklopedi personalitetesh, një libër me tregime nga bibla, janë disa nga literaturat që ka momentalisht në duar. Në të majtë ka një kuti me libra e dorëshkrime të vetat, ndër të cilat edhe disa tregime të fundit. Përballë një televizor të vogël, në tryezë telefonin celular, gjyslyket dhe pjatën e pambaruar të mëngjesit. Nën shtrojet e trasha, ai tregon se si mbërriti aty në qendrën “Joshua”. “Isha sëmurë dhe kisha nevojë për përkujdesje të vazhdueshme. Atëherë bëra hesapin dhe mendova të pranoj të paguaj 300 mijë lekë në muaj e të vij në këtë azil privat për të mbyllur ndoshta ditët e jetës sime. Një pjesë të shpenzimeve i kompensoj me pensionin tim që është 230 mijë në muaj. I marr edhe një qira 150 mijë lekë të vjetër shtëpisë sime dhe kështu më del edhe për të shpenzuar të tjera. Me të ardhur këtu, u përmirësova nga shëndeti. Vuaja edhe nga koliti, por këtu ushqimi është i kontrolluar për sëmundjen që kam e nuk më bën dëm. Jam shumë më mirë tani. Kam edhe ndonjë shok të azilit që vjen e më mban me muhabet. Shoh ndopak televizor dhe lexoj librat që shihni këtu”, – tregon ai.

Familja

Kjo ishte pjesa rutinore e ditës së Kolë Jakovës aty. Por ajo më emocionuesja është kur pret telefonatat e të bijave, Vidës dhe Lilit nga Italia ku ato jetojnë prej shumë vitesh. Entuziast është ai edhe për mesazhet elektronike që ato i dërgojnë nëpërmjet email-it, ku e ftojnë të bashkohet me to në Udine të Italisë sa më shpejt e të mos rrijë më në azil. Edhe vizitat e mbesave në Tiranë e gëzojnë pa masë. Vizita e të premtes, e të birit, Sokol Jakovës, është një tjetër ngazëllim për të. Ndërsa ka mbetur i ve që prej pesë vjetësh ai thotë se familjen e ka ndier pranë gjithnjë. Edhe aty në azil thotë se ndihet si në një familje. “Këtu të gjithë më thërrasin gjysh si mbesat e mia. Ato, kur erdhën të më vizitonin në fillim, më thërrisnin kështu e ja, ku më mbeti emri gjysh”, – thotë ai. Ndërsa punonjëset tregojnë se ai vërtet u duket si një gjysh i tyri, pasi janë rritur në shkolla duke lexuar tregimet, dramat e krjimet e tij.

Prononcimi

Treska: Jakova, i preferuari ynë

Drejtoresha e qendrës së rehabilitimit “Joshua Trauma Center” thotë se ka pritur Kolë Jakovën aty para katër muajsh, kur e sollën të afërmit e vet. “Erdhi në gjendje jo të mirë shëndetësore, por u përmirësua shumë shpejt pas një diete të rreptë të ngrëni, të cilës iu nënshtrua. Është një ndër më të preferuarit tanë, është shumë i dashur e i hapur në
komunikim. Çdo ditë flet në telefon me të afërmit, që nuk mund të thuash kurrsesi që e kanë braktisur, pasi për të ndenjur këtu Jakovës i duhet të paguajë çdo muaj një kuotë mujore prej 300 mijë lekësh të vjetër. Një nga përparësitë e qëndrimit në këtë qendër është edhe shërbimi shëndetësor e çdo lloj shërbimi tjetër që atij i është i nevojshëm, i përfshirë në pagesën prej 300 mijë lekësh”, – shprehet Majlinda Treska.

Krijimtaria

Ja tregimet e mia të reja, janë rrëfenja të vjetra shqiptare, që pres t’i botoj në një vëllim me tregime

Planet letrare, botimi i një vëllimi me tregime

Megjithëse 86 vjeç, në planet e tij bën pjesë edhe botimi i afërm i një libri me tregime. “Kam mbledhur rrëfenja të vjetra, i kam shkruar para një viti dhe them se do t’i botoj“, – thotë ai. Disa nga tregimet i ka në dorëshkrime, ndërsa një pjesë të mirë i ka shtypur në makinë shkrimi, siç thotë ai vetë që përpara një viti. Ai thotë se historitë që ka mbledhur janë gjysmë të vërteta dhe legjenda të vjetra shqiptare, të cilat i ka shkruar sipas stilit të vet. Nis e na rrëfen disa prej tyre. Titujt “Nuria e Rexhë Mehmetit” të Ulqinit është njëra që ai e ka më për zemër. Por edhe të tjerat si “Takimi me Mjedën”, “Nuh Sahatçia”, “Zemër nëne shqiptare” janë ndër tregimet e librit që ai dëshiron t’i përmendë. I gjithë vëllimi përmban rreth 15 tregime. Ja një pjesë e shkurtër hyrëse e tregimit “Nurija e Rexhë Mehmetit”: “Ka qenë, në mos gabohem, fundi i shekullit shtatëqind. Gjithë Ulqini e jetoi atë ngjarje tronditëse. Shtëpia e Rexhë Mehmetit, mu në breg të detit shquante si një drandafil i posaçelun në mes të shtëpijave të tjera. Shtëpi dykatëshe si e motit.

Çardaku i madh, oborri plot lule gjithëfaresh, kopshti plot pemë dhe i rrethuar me avlli, të kënaqej syri të shikoje. E pra në këtë shtëpi plot dhoma jetonte vetëm Hanko Xhixhikja, gruaja e kapedan Rexhë Mehmetit me të bijën, Nurijen. Atje në fund të oborrit, në një jerevi të vogël banonte një kushëri i kapedanit, një njeri i veçantë në llojin e tij. Quhej Alush Mehmeti Nuk ishte martuar kurrë. Ai kujdesej dhe ruante shtëpinë kur kapedani merrte detin me karavele duke bërë tregti gjatë gjithë bregut verior të Afrikës. Shkonte në Egjipt, në Itali, Spanjë e deri në Mauritani. Këtu në Mauritani ai kishte mikun e tij, piratin e madh ulqinak, Haxhi Alinë. Pirati Haxhi Ali ishte tmerri i anijeve tregtare venedikase… Kur kapedani ishte në det, Alushi interesohej për zonjën e shtëpisë dhe Nurijen… Nurija, vajza e kapedanit, ishte lulja e shtëpisë. Kishte një bukuri të rrallë. Ulqini e quante si vajzën më të bukur të qytetit…”. Kjo është vetëm një pjesë shkurtuar e hyrjes së kësaj rrëfenje të bukur shqiptare shumëshekullore, të cilën autori Kolë Jakova pret ta botojë së shpejti.

Jetëshkrim

Kolë Jakova, dramaturg, poet dhe romancier lindi më 1916. Ai kreu shkollën fillore dhe të mesmen, shkollën e Françeskanëve në Shkodër. Më vonë vazhdoi Normalen pranë gjimnazit të Shkodrës. Më 1935 u emërua mësues në Vaun e Dejës. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Pas luftës punoi në Ministrinë e Kulturës, drejtor i
Teatrit Popullor në Tiranë, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Me krijimtari letrare, ai është marrë që nga viti 1935, kur botoi vjershën e parë në revistën “Cirko” në Shkodër. Gjatë luftës shkroi vjershat “Kënga e tre heronjve të Shkodrës” dhe “Shqiponjat partizanë”. Pas çlirimit shkroi për fëmijë dhe për të rritur. Ndër veprat e tij janë “Halili dhe Hajria”, botuar në 1950, “Heronjtë e Vigut”, botuar në 1953-in, drama “Toka jonë”, botuar në vitin 1955, “Dom Gjoni” i 1967-ës, “Përballë hekurave të kryqëzuar” i vitit 1973 si edhe librat “Poezia shqipe” e “Kulla buzë liqenit”. Së fundi është duke përgatitur një vëllim me rrëfenja të vjetra shqiptare.


Vdiq në moshën 86 vjeçare, shkrimtari i mirënjohur Kolë Jakova

Lajmi i ores 12:20 PM

TIRANE (16 Nëntor) – Në orët e para të ditës së sotme ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare, dramaturgu, poeti dhe romancieri, Kolë Jakova. I lindur në Shkodër në vitin 1916, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, Kolë Jakova mori pjesë gjallërisht në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në këto vite ai bëri hapat e para në letërsi me vjershat “Kënga e tre heronjve” dhe “Shqiponja partizane”, të cilat u kënduan si këngë kudo. Pas Çlirimit ai shkroi vepra poetike, nga të cilat shquhen “Heronjtë e Vigut” në vitin 1953, ku, sipas poetikës së folkorit, i këndoi heroizmit të partizanëve. Fusha kryesore e letrave shqipe, të cilës ai iu përkushtua më tepër, është dramaturgjia, me dramat; “Toka jonë” 1954, “Perkolgjinajt” 1965, “Lulet e shegës” 1970, “Bashkë me agimin” 1975, “Lugajanët” 1977, etj.

Kolë Jakova u bë i njohur me dramën “Halili dhe Hajria”, shkruar në vitin 1949, ku pasqyrohet trimëria e luftëtarëve të Malësisë së Madhe në ndeshje me pushtuesit turq, në shekullin XVIII-të. Sipas kritikës, dramaturgjia e Kolë Jakovës karakterizohet nga psikologjizmi, fryma e mprehtë dramatike, veprimi i ngjeshur, dialogu i shkathët dhe i goditur. Ai është gjithashtu autor i romaneve “Fshati midis ujërave”, “Përballë hekurave të kryqëzuara”, “Kullë buzë liqenit”. Homazhet në nderim të këtij personaliteti të letrave shqipe, do të bëhen në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ndërsa ceremonia e varrimit të të ndjerit do të bëhet nesër në orën 12:00. anjo/mr (BalkanWeb)


Sot përcillet për në shtëpinë e fundit dramaturgu Kolë Jakova

Romani i pashkruar i Jakovës

Të gjithë te “Xhoshua” e thërrisnin gjysh

— nga Rezarta Delisula, Gazeta Shqiptre

TIRANE – 17.11.2002 – Kishte gjetur subjektin e romanit të tij. Një mjek që i shpëton jetën pacientit të cilin familjarët e konsideronin të vdekur. Kolë Jakova e pëlqente misionin humanitar të mjekut, prandaj dhe romanin e fundit donte t’iu kushtonte bluzeve të bardha, roman të cilin e la pashkruar.

Në moshën 88-vjeçare, Kola nuk e mendonte vdekjen dhe shihte me optimizëm Shqipërinë tek rritej e zhvillohej, por dramaturgu nuk mundi t’i shpëtoi lodhjes së gjatë të viteve.

Romani i pashkruar

Me fytyrën fisnike që çuditërisht për moshën nuk mbante rrudha, Kol Jakova shpjegonte i qetë romanin që e kishte në kokë. Në qendër të romanit do të ishte një familje e cila çon në spital të afërmin e vdekur, e për merak këta të fundit i kërkojnë mjekut që t’a kontrollojë edhe një herë. Mes të qarave të familjarëve për të vdekurin, mjeku guxon t’i kërkojë largimin nga salla ku ishte vendosur trupi. Familjarët nuk e zbatojnë urdhrin e mjekut, megjithatë, pas këmbënguljes së mjekut ata largohen. Mjeku viziton pacientin që e kishin sjellë për të vdekur, madje edhe e kishin qarë, kur kupton se ai ishte gjallë.

Infermieret të urdhëruara nga mjeku bëjnë gati sallën e operacionit, ndërkohë që pas derës qëndronin familjarët për të marrë trupine e pajetë. Mjeku nuk u përgjigjet shumë familjarëve pasi koha nuk i priste dhe me mjetet e tij, nis operacionin e gjatë, operacion i cili përfundon me sukses. E kur mjeku ballafaqohet me familjarët të cilët kërkonin trupin, mjeku i tregon numrin e dhomës të të afërmit tashmë të gjallë. Kështu e kishte shkruar në mendjen e tij Kol Jakova romanin që nuk mundi ta shkruaj, ndërkohë që për të flisnin të gjithë punonjësit e Qendrës Sociale “Xhoshua” ku Kol Jakova qëndroi për katër muaj.

Gjyshi

Për Kolën flasin shumë mirë, madje në qendrën “Xhoshua” ku ai ndenji për pak muaj, të gjithë e thërisnin gjyshi. Kol Jakova kishte një dhomë të veçante me televizor, shumë libra dhe një tryezë punë ngjitur me shtratin e tij. Punonjëset e Qendrës ia kishin vënë shumë pranë tryezën e punës, pasi Kola mezi ngrihej nga vendi. Kola iu tregonte “shoqërisë së re” në “Xhoshua” për jetën e tij dhe vajzat që i kishte pikë të dobët. Kol Jakova është autor i dhjetra këngëve për partizanë, ka shkruar poemën “Heronjtë e Vigut” si dhe kryeveprën e tij dramën “Toka Jonë” me personazhe kryesorë Loken dhe Tuç Makun. Kur ishte gjallë Kola tregonte se dramën e kishte shkruar pasi e kishte përjetuar, madje, sipas tij, personazhet e dramës së famshme ishin të gjallë. Të gjithë në qendrën “Xhoshua” apo azilin modern kanë mbetur pa fjalë kur mësuan vdekjen e Kolë Jakovës, vdekje e cila nuk e la dramaturgun të shkruante romanin e fundit të jetës së tij.


Percillet ne banesen e fundit personaliteti i letrave shqipe

— nga Manjola Zeka, Koha Jone

Ne sallen e Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve u bene dje homazhe para trupit te pajete te dramaturgut Kole Jakova

“Vepra e tij ne kete fushe hyn ne themelet e kesaj gjinie, e cila me pare ka qene teper diletante, ndersa ai e ngriti kete gjini ne nje drame te vertete me “Halili dhe Hajria, “Toka Jone” etj, te cilat do te mbeten gjithmone ne letersine shqipe dhe dramaturgjine tone, pasi nuk jane vepra te politizuara dhe te ideologjizuara, por pasqyrojne jeten me nje dramacitet te plote, me karaktere te forta shqiptare,” tha dje shkrimtari i njohur Dritero Agolli.

“Vdekja e shkrimtarit Kole Jakova eshte dyfish e hidhur, pasi nje nga emrat me te njohur dhe me kontribut ne letersine shqipe, vdiq ne nje azil, gje qe i ben apel gjithe shoqerise shqiptare per ta trajtuar me mire shkrimtarin dhe intelektualin, sepse fundi i tij te kujton pikerisht fundin e vetmuar te De Rades,” tha Bardhyl Londo.

Kishte kerkuar vete qe te shkonte ne Azilin “Joshua Trauma Center” ne Tirane, por vdekja nuk e mori aty. Nje dite me pare ishte larguar nga azili per t’i mbyllur syte nje here e pergjithmone ne shtepine e tij. Nderkohe qe dje personalitete te larta te kultures shqiptare, miq dhe shoke, bene homazhe para trupit te te ndjerit Kole Jakova, dramaturgut, poetit dhe romancierit te njohur shqiptar. Dje paradite, ne sallen e Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve, u perulen prane trupit te pajete dhe vendosen kurora, Kryetari i Kuvendit te Shqiperise, Servet Pellumbi, Ministrja e Kultures, Rinise dhe Sporteve Arta Dade, Ministrja e Punes dhe Çështjeve Sociale, Valentina Leskaj, si dhe mjaft dramaturge, shkrimtare dhe arstiste te teatrit dhe muzikes shqiptare.

Dramaturgu, poeti dhe romancieri i njohur Kole Jakova nderroi jete ne moshen 86-vjecare, ne oret e para te dites se shtune ne Tirane. Pas homazheve, ne nderim te ketij personaliteti te letrave shqipe, miq dhe personalitete te artit dhe kultures, percollen trupin e pajete per ne varrezat publike te sharres. Ne fjalen e rastit, Prof. Kudret Velca theksoi: “Kole Jakova ka qene themeluesi i artit tone teatror. Historia e teatrit nuk mund te kuptohet pa dramaturgjine e tij, sepse ajo lindi bashke me vepren e tij”. Me pas Velca shtoi se dramaturgjia e Kole Jakoves, per strukturen e saj artistike, per formen e saj, per mbeshtetjen ne ligjet artistike te pavdekshme te drames realiste, mbetet shembull arti edhe sot.

Kush ishte dramaturgu Kole Jakova

I lindur ne Shkoder, ne vitin 1916, ku kreu shkollen fillore dhe te mesme Jakova mori pjese gjallerisht ne Luften Antifashiste Nacional-Clirimtare. Ne keto vite ai beri hapat e para ne letersi me vjershat “Kenga e tre heronjve” dhe “Shqiponja partizane”, te cilat u kenduan si kenge kudo. Menjehere pas clirimit ai shkroi vepra poetike, nga te cilat shquhen “Heronjte e Vigut” ne vitin 1945, ku sipas poetikes se folklorit i kendoi heroizmit te partizaneve. Fusha kryesore e letrave shqipe, te ciles ai iu perkushtua me teper, eshte dramaturgjia, me dramat: “Toka Jone”, 1954, “Perkolgjinajt” 1965, “Lulet e Sheges”1970, “Bashke me agimin” 1975, “Lugajanet” 1977, etj. Por Kole Jakova u be i njohur me dramen “Halili dhe Hajria”, shkruar ne vitin 1949, ku pasqyrohet trimeria e luftetareve te Malesise se Madhe ne ndeshje me turqit, ne shekullin XVIII-te. Ai gjithashtu eshte autori i romaneve “Fshati midis ujerave”, “Perballe hekurave te kryqezuara”, “Kulle buze liqenit”.

Personalitete te kultures flasin per shkrimtarin Kole Jakova

Ceremonia e homazheve ne nderim te dramaturgut, poetit dhe romancierit Kole Jakova mblodhi dje, pervec miqve dhe njerezve te aferm te familjes, njerez te njohur te artit dhe kultures shqiptare. Secili nga njerezit e artit kishte deshire te thoshte dy fjale per mikun e vjeter, njeriun e shquar te letrave shqipe Kole Jakova. Dritero Agolli, nje nga shkrimtaret e shquar, e cilesoi Jakoven si, te parin dramaturg shqiptar te drames se re shqipe. “Vepra e tij ne kete fushe, hyn ne themelet e kesaj gjinie, e cila me pare ka qene teper diletante, derisa ai e ngriti kete gjini ne nje drame te vertete me “Halili dhe Hajria, “Toka Jone”, etj. te cilat do te mbeten gjithmone ne letersine shqipe dhe dramaturgjine tone, pasi nuk jane vepra te politizuara dhe ideologjizuara, por pasqyrojne jeten me nje dramacitet te plote, me karaktere te forta shqiptare. Ai ishte dhe prozator me nje humor te holle, karakteristike e krahinave te veriut, gje qe pasqyrohet edhe ne romanin “Fshati midis ujerave”, veper e rendesishme ne humorin dhe satiren tone”. Me pas Agolli e cilesoi Jakoven dhe si nje poet, qe ka ndjekur rrugen e Fishtes, i vetmi poet epik sipas tij.

Studiuesi dhe kritiku letrar Dalan Shpallo e vleresoi Jakoven si “dramaturgun me me emer, qe duke u mbeshtetur ne origjinalitetin e rrefimeve dhe realitetit shqiptar ngriti drama shume interesante me probleme te mprehta te kohes, pasi njohu shume mire mjeshterine e drames dhe eshte nder te paret qe e kultivoi ate. Sipas studiuesit Shpallo , “Kole Jakova” mbetet realist ne perpjekjen e temave te ndryshme, pasi hynte thelle ne realitetin njerezor”. “Ishte njeri me talent qe e donin te gjithe, njekohesisht shoku im me i ngushte”- shtoi me pas Shpallo. Edhe shkrimtari i njohur Bardhyl Londo i tha dy fjale per Jakoven: “Vdekja e shkrimtarit Kole Jakova eshte dyfish e hidhur, pasi nje nga emrat me te njohura dhe me kontribut ne letersine shqipe, vdiq ne nje azil, gje qe i ben apel gjithe shoqerise shqiptare per ta trajtuar me mire shkrimtarin dhe intelektualin, sepse fundi i tij te kujton pikerisht fundin e vetmuar te De Rades”.

Me pas Londo shtoi se “ai eshte nje nga emrat me te njohur te letersise shqipe, i spikatur qysh ne fillimet e letresise se pas Luftes se II-te Boterore dhe drama e tij “Halili dhe Hajria” eshte pa dyshim nje nga dramat baze te fondit te dramaturgjse shqiptare, por dhe nje nga te parat qe senon rritjen cilesore te kesaj dramaturgjie”. Shkrimtari Pjeter Arbnori u shpreh per Jakoven: “Vdiq nje njeri qe ka luftuar ne menyren e vet per vendin, edhe pse ne jeten e tij pati zhgenjime, pasi kishte dy vellezer ne internim dhe ne burg. Jakova e donte shpirterisht demokracine, por dua te them se vdekja e tij ne azil, megjithese ne kushte te mira, nuk eshte endrra e nje shkrimtari”. Studiuesja Klara Kodra u shpreh dje: “Jakova ka qene nje shkrimtar i talentuar dhe ne vepren e tij, ne luften me talentin dhe ideologjine ka triumfuar talenti”.

Presidenti Moisiu i lutej Jakovës: Kthehu te djali

Edhe presidenti Moisiu ka qenë një ndër personat që i ka dhënë si këshillë dramaturgut Jakova të kthehej në shtëpi dhe të mos vazhdonte të qëndronte në qendrën e rehabilitimit. I biri, Sokoli, i kishte përcjellë para disa ditësh mesazhin e presidentit. Ndërsa dramatargu i ka kujtuar Presidentit se secili duhet të bëjë llogarinë e tij. “Presidenti duhet të shohë të bëjë mirë detyrën e tij se është jo pak e vështirë”, është përgjigjur ai duke qeshur. As Presidenti dhe askush tjetër nuk ka mundur ta tërheqë atë prej qetësisë së tij, ku edhe pse në moshën 88 vjeçare nuk reshti së shkruari.

Kola ia lë trashëgiminë nipërve dhe Mbesave

Më datë 25 dhjetor dramaturgu i njohur Kolë Jakova do të festonte ditëlindjen e tij të 89-të, por në orët e para të ditës së djeshme pasi është çmallur më të bijat e ardhura nga Italia, jeta e tij është shuar. Disa ditë më parë ai kishte dhënë një intervistë prej gati një ore për Radio Televizionin e Kosovës, ku kishte folur jo vetëm për jetën dhe krijimtarinë e tij, por edhe kishte përcjellë mesazhe për popullin kosovar. Drejtoresha e Qendrës së reabilitimit të të moshuarve “Joshua”, tregon se prej muajit gusht të këtij viti ai ka jetuar aty. Kanë qenë dy vajzat e tij që e kanë sjellë. Herëpashere, djali i tij Sokoli, që banon në kryeqytet, i lutej që të kthehej në shtëpi, por ai nuk pranonte.

Për shkak të moshës së thyer ai vuante nga disa sëmundje dhe i duhej kushtuar një kujdes i veçantë mjekësor dhe kishte menduar si zgjidhje pikërisht qëndrimin e tij në këtë qendër. Vetëm dy ditë më parë ai i kishte thënë drejtoreshës së Qendrës së reabilitimit të të moshuarve “Joshua” që t’u telefononte dy vajzave të vinin në Shqipëri. Ai ka qëndruar përreth pesë orë me vajzat por edhe me mjaft të afërm, miq e shokë të tij. Në momentet e fundit të jetës ai ka kërkuar ta çojnë në shtëpinë e tij ku dhe është shuar jeta e dramaturgut Jakova. Ai ka lënë edhe amanetet, duket se ka menduar më së shumti për fëmijët e djalit që prej disa vitesh kanë mbetur pa nënë. Dy mbesave u ka lënë trashëgim shtëpinë e tij, ndërsa nipit të preferuar të tij, Marinit, i ka lënë të drejtën e autorësisë së librave të tij.

Gazeta Shqiptare, 17 nentor 2002


Kolë Jakova i shkruan Presidentit Moisiu:

Nuk po ju kërkoj dekorata

I nderuar, zoti President Alfred Moisiu!

Unë, shkrimtari dhe veterani i moshuar Kolë Jakova, po ju shkruaj këtë letër:

Së pari, ju uroj nga zemra detyrën e lartë të kreut të shtetit tonë dhe jua them sinqerisht se më është bërë shumë qejfi që ju u zgjodhët President konsensual për të mirën e shqiptarëve dhe për zhvillimin me hapa të shpejtë të Shqipërisë. Ngaqë ju njoh juve dhe atin tuaj, kam besim të sigurtë se këtë detyrë të lartë ju do ta kryeni me devotshmëri, përkushtim, ndërgjegje e patriotizëm.

Halli im, zoti Alfred, është se pas vdekjes së gruas, në moshën e thyer që jam, në gjendje disi të rënduar shëndetësore, u propozova fëmijëve, djalit dhe dy vajzave që jetojnë me familje në Itali, që të shkoj e të ngrys vitet e fundit të jetës në një Qendër Shëndetësore Rehabilitimi private, ku, ç’është e vërteta, kushtet janë të mira.

Pas botimit të një interviste në gazetën “Shekulli”, ku kishte edhe plot pasaktësira, mora vesh që opinioni publik reagoi për këtë çështje, madje prej tim biri u informova që ishit interesuar edhe ju për të marrë vesh se si qëndronte e vërteta. Për këtë ju falenderoj sinqerisht, se jemi miq, aq më tepër se mua më kishin harruar të dy presidentët e mëparshëm të vendit. Shtoj se më harruan, siç e kam thënë dhe në një intervistë, edhe shteti e sidomos Lidhja e Shkrimtarëve dhe Ministria e Kulturës. E që ta konkretizoj këtë, janë dekoruar e po dekorohen me dhjetëra e qindra intelektualë, por askush nuk pyeti e nuk pyet për Kolë Jakovën, ndërkohë që ju e dini se unë nuk i kam dhënë pak këtij vendi, jo vetëm me veprat e mia, por edhe gjatë luftës dhe familja Jakova në këtë periudhë ka qenë ndër më të shquarat.

Nuk po jua shkruaj këtë letër për të kërkuar dekorata, sepse asnjëherë nuk e kam pasur zakon një gjë të tillë, por halli im është se e pashë dhe e ndjeva që në shtëpinë e tim biri, ku jetova për më se një vit, për arsye të kushteve jo të mira, ngushtësisë, halleve të jetës, nuk mund ta shtyja më, prandaj erdha këtu, megjithë këmbënguljen e djalit, vajzave, nuses, nipërve e mbesave për të mos u larguar.

Unë e kam një apartament me një dhomë e një kuzhinë, por atë ua kam lënë me testament dy mbesave të mia, të cilat jetojnë në Greqi e Itali. Shtoj se ato janë jetime, pasi djalit i ka vdekur gruaja e parë, dhe i kam edhe vetë amanet, prandaj këtë apartament nuk mund ta shes e të rregullojmë një shtesë që ka nisur të bëjë djali pranë apartamentit të vet, por që ka mbetur pezull.

Im bir, Sokoli, ka mbetur për rreth katër vjet pa punë dhe tani vonë, para katër-pesë muajsh, mezi mundi të sistemohej në një punë të përshtatshme në sektorin e botimeve pranë Kuvendit të Shqipërisë, falë ndihmës dhe interesimit të disa miqve të tij që ia kuptuan hallin. Pra, ai nuk ka mundësi financiare tani për tani për ta mbaruar shtesën e pallatit, ku të shkoj e të jetoj unë në kushte të mira e normale, siç i kam këtu, bashkë me djalin, nusen dhe nipin e vogël. Prandaj, nëse do t’i krijohej mundësia tim biri që t’i jepej një kredi nga shteti me kushte lehtësuese, atëherë edhe halli im do të zgjidhej përfundimisht. Këtë gjë jua kërkon Kolë Jakova.

Shpresoj, zoti Alfred, se do të ma kuptoni drejt kërkesën. E vërteta është se dua ta ngrys jetën e të shuhem midis njerëzve të mi dhe për aq sa do të jetoj, të kem kushte e mundësitë që të ma lehtësojnë sadopak pleqërinë e thellë.

Me respekt të veçantë

Kolë Jakova, Tiranë, më 30.10.2002


Përgjigje në vend të asaj përgjigjes që s’mbrriti kurrë

“E beson a jo, nderime të bëri edhe ministrja, Kolë – edhe pse dukej se ishte e dërguara e qeverisë, sepse u ndal diku te dera, e shoqëruar me roje e me lidhistë. Ngushëllimet nuk t’i solli dot pre-si-denti se ishte i zënë me punë atë të dielë pushimi; madje nuk mundi as t’ia përcillte tët biri. “S’është momenti”, thanë. Edhe na the se e kishe njohur më parë familjen Moisiu, atje në Shkodër sigurisht, dhe se i biri i Spiros, ndryshe nga ata dy që ikën para tij, do të bënte diçka për ty! Sepse ti s’po kërkoje krejt katin e ndonjë pallati luksi në qendër të Tiranës, e as vilë plazhi! Dekoratë, jo e jo! Po fajin e ke vetë, ama, se edhe letrën e shkrove vonë edhe ike pa pritë përgjigjen e Alfredit.

Eh, u bë një ceremoni në sallën e asaj Lidhjeje që ti e përmend në letër; ata që të kujtonin qenë përzier me ata që të harronin dhe nuk merrej më vesh asgjë. Me dekorata e pa dekorata, me çmime e pa çmime, ata t’i sollën lulet, kurorat, të përcollën deri në varreza e u kthyen prapë. Gjithësesi ti mos u shqetëso: deri në mandatin tjetër, presidentit do t’ia lexojë dikush lutjen e ndoshta, dikush tjetër do të ta kthejë përgjigjen. Atëherë do të të sjell një letër më të gjatë; aty do të kesh përgjigjen e ndonjë presidenti, por të premtoj se nëse përgjigjja do të jetë e hidhur nuk do të të shkruaj më.”

Irhan Jubica, Ars

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.