Dom Mikel Koliqi – kardinal, dhe nderi i kombit…

0
5848

PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK

HISTORI SHKODRANE
Persekutimi i kishës katolike
At Gjon Shllaku, heroi i katolicizimit
At Pjetër Meshkalla, pishtar i demokracisë
At Bernardin Palaj


— përgatitur nga Nirvana Pistulli

“Papa më ka zgjedhur mua për kardinal se isha më i moshuari” por “titullin e kardinalit e ka marrë gjithë Shqipëria.”

Mikel Koliqi Mikel Koliqi lindi në Shkodër me 29 shtator 1902. I ati, Mark Koliqi, ishte tregtar dhe e ëma, Age Simoni, bijë tregtari. Mikeli qe fëmija i parë dhe pas tij pasuan dhe 7 të tjerë.

Shkollen fillore e nisi në Shkodër dhe e mbaroi në vitin 1911 në kolegjin “Arici” te Eterve Jezuit në Breshia të Italisë, një koinçidencë e bukur, në klasë me të ishte edhe papa i ardhshëm Pali VI.

Gjithashtu dhe gjimnazin e kreu ne Itali pjesërisht në Monxa, në Bergamo dhe në Bari.

Mikeli i ri ishte i apasionuar nga muzika. Qysh në fëmijëri kishte mësuar të luante mandolinen dhe në Milano mori mësime muzike nga organisti i Duomit të Milanos, ishte mjaft i talentuar.

Pas mbarimit të shkkollës së mesme filloi mësimet në universitet, në degën e Inxhinierisë Mekanike, në Politeknikumin e Milanos.

Vendosi të bëhet prift dhe kështu la teknikumin dhe filloi studimet teologjike në seminarin “Corso di Venezia” të Milanos dhe më vonë në seminarin e Venegonos. Kreu studimet ne vitin 1930 dhe 1931 u shugurua meshtar në Kishen e Jezuiteve në Shkodër nga arqipeshkvi i Shkodrës Imzot L. Mjeda.

Vendimin për t’u bërë prift ai e mori në një moshe relativisht të madhe, pra me koshiencë të plotë, një vendim i dalur nga shpirti dhe këtë regjimi i mëvonshëm në Shqipëri nuk ia fali.

Studimet e tij nuk mbaruan me kaq, më vonë me lejen e kishës shkoi në Austri, për të studiuar muzikë.

Veprimtaria e tij si meshtar qe shumë e gjërë. Ai si i ri me veladonin e priftit, i qeshur, i dashur, optimist, me kulturë të gjërë, amator i muzikës, bëri për vete shumë të rinj, që prej tij prisnin shumë. Periudha e punës së tij të lirë u shtri në një hark kohor prej 13-14 vjetësh. Në këtë kohë në fillim si zëvendësfamullitar dhe pastaj si famullitar pati një aktivitet shumë të gjërë.

Krijoi shoqatën kulturore Veprimi Katolik me rinine e qytetit, por dhe me të rritur. Punoi të pregatiste rininë për jetën moderne, duke e edukuar që të ishte e aftë të zgjidhte problemet etiko-morale, për të përballuar sfidat e jetës moderne me dinjitet njerëzor, me koncepte kristiane dhe identitet kombëtar.

Organizoi korin e Katedrales së Shkodrës “Schola Cantorum”, kompozoi dhe realizoi në skenë tre melodrama me theks të fortë patriotik, kompozoi 30-40 pjesë korale me përmbajtje fetare.

Themeloi revisten “Kumbona e së djelës” dhe e drejtoi atë si kryeredaktor nga numri i parë me 1938, deri sa u mbyll nga çensura komuniste më 1945.

Më 1940 filloi të shfaqë filma në një sallë afër Katedrales, që zinte rreth 400 spektatorë, bëri dhe operatorin e parë të kësaj kinemaje, por asnjë minut nuk u largua nga detyra e tij kryesore, Famullitar i Shkodrës.

Detyrat e tij i organizoi më së miri dhe u ndihmua nga klerikë të tjerë.

Ne qershor te vitit 1945 arrestohet për herë të parë, i akuzuar për propagande fetare dhe veprimtari kulturore katolike, pas disa ditësh lirohet me kusht.

Në janar të vitit 1946 arrestohet perseri me të njëjtën akuzë dhe dënohet 5 vjet burg.

Jane vitet e tmerrshme, ku u korrën kokat e intelektualëve, për ta bërë vendin më injorant se ç’ishte…

Dom Mikelin e nderonte e gjithë Shkodra, myslimanë e të krishterë.

Më 1951 u lirua nga burgu, vazhdoi detyrën e tij të famullitarit, por nuk mund të vazhdonte me aktivitetet e tjera, ishte gjithnjë nën mbikqyrjen e sigurimit.

Tashti dom Mikeli kishte shumë kohë të lirë dhe nisi edhe një herë të merret me muzikë, me lexime, pra të zgjerojë dhe me shumë horizontin e tij shumë të gjërë. Me gjithë frikën e diktaturës e të sigurimit, intelektualë shkodranë mblidheshin të dëgjonin muzikë dhe të interpretonin pjesë të ndryshme në piano, etj.

Më 1954 arrestohet edhe një herë…

Nuk i lidhen duart, që Shkodra të e mos shikonte të arrestuar, meqë e resperktonin të krishtere dhe myslimanë.
Fillon nje epokë e zezë në jetën e tij…, privim komplet i lirise…

Kurrë nuk pushoi së punuari si meshtar edhe në burg edhe në internim. Ishte i mbikqyrur ditë e natë, ishte shumë i kujdesshem, por kur dikush kishte nevoje për meshtarin, ai ishte gati.

Shumë klerikë të tjerë vdiqën nga torturat ose i zhdukën, por Dom Mikeli rezistoi me fizikun e tij delikat. Ndoshta ishte peng i çmuar në duart e komunisteve ndaj vëllait të tij Ernest Koliqi, ndaj punës së tij patriotike në Itali, ose ishte Zoti vetë, që e ruajti si shembull virtyti, besimi, inteligjence, kulture, integriteti moral…

Si do t’i ketë kaluar gati gjysëm shekulli në burgjet e internimet e një diktature të vetme në historinë e njerëzimit për egërsinë e saj?

Etika e tij nuk mund të pranonte sjelljen e pakulturuar, kultura e tij – injorancën, delikatesa e tij – brutalitetin, feja e tij – torturën, vrasjen, padrejtësinë.

Por dinjiteti i tij qe më i madh se universi, dhe besimi i tij qe më i madh se dinjiteti i tij.

Ishte një intelektual i kompletuar, i rrallë. Zotëronte mirë latinishten, greqishten e vjetër, gjermanishten, italishten, anglishten, frëngjishten, serbo-kroatishten. Interesat e tij intelektuale ishin shumë të gjëra letërsia, arti. Njihte mirë letërsine moderne e klasike, kuptohet jo atë të mbas viteve 40. Njihte mirë pikturën, skulpturën, arkitekturën, muzikën…

Kishte një memorje të hekurt, ishte një encilopedi e gjallë.

Gjatë viteve të burgut e të inernimeve e mbajti gjallë aq sa pati mundësi dëshirën e intelektualit; sa pati mundësi të dëgjoje muzikë dhe nga altoparlantet e burgut, muzikë sinfonike shqiptare, të lexojë të gjithë librat që mundi të gjejë.

Bashkëvuajtesit e tij të burgjeve e kujtojnë dhe e quajnë fat, që u njohën me një njeri si Dom Mikeli.
Nga 1954 u dënua tre herë dhe u dërgua edhe në internim. E dënuan dhe me burgim të përjetshëm, duhet te mbaronte dënimin ne vitin 1992 ne moshen 90 vjeçare, ndoshta duke menduar të mos dalë gjallë prej andej.

Me vdekjen e diktatorit, pasardhësi i tij u mundua t’i bëjë “tualet” imazhit të tmerrshëm të diktaturës dhe kështu e liroi Dom Mikelin.

Lirimi i tij qe i papritur. Ku do të shkonte të jetonte tashti mbas 32 vjetëve. Motra Jozefinë, Luçie Koliqi, nuk jetonte më.

Nipi i tij, djali i së motrës; Albert Kurti, me shumë guxim dhe shumë dashuri, e mori në gjirin e familjes së tij.
Alberti, djali i Margarita Koliqit dhe Salvator Kurtit, ka qenë i përndjekur politikisht, si gjithë familja e Kurtajve. Salvatori, i biri i Palok Kurtit muzikantit e patriotit të njohur shkodran, kishte vuajtur dhe ai në burgjet komuniste dhe kishte vdekur duke lënë familjen në gjendje të vështirë jetese.

Simbas uljes e ngritjes së luftës së klasave, Bertin e hiqnin nga puna e çonin në fshat…

Kështu që vetëm me guximin që vjen nga një dashuri dhe karakter i madh, e morën Dom Mikelin në shtëpine e tyre. Nga ai moment ne jetën e Dom Mikelit do të ndodhmin gjëra të bukura, Zoti i kishte pregatitur për të surpriza që ai nuk mund t’i ketë ëndërruar kurrë. Rrugët e tij janë të pashtershme dhe kurorëzoi vuajtjet e Dom Mikelit, që nga ajo dite e deri me 28 janar 1997 ky i fundit pa ngadhnjimin e jetes mbi vdekje.

Dom Mikeli gjeti ngrohtësi e dashuri familiare nga të pestë pjesëtarët e familjes Kurti: motrës Margarita, nipit Bert, nuses së shtepise Rexhina Ndoja-Kurti, e fëmijëve të tyre Salvator e Greta. Rexhina nga dita që Dom Mikeli shkeli pragun e shtëpisë, u kujdes për të si një nënë e mirë kujdeset për foshnjën e saj, jo vetëm një grua e shkathët dhe e gjindshme, por edhe një infermiere e zonja.

Frika ishte, por Dom Mikeli e kishte kaluar provën e tij dhe Zoti vuri dorën e tij të mbrojë atë familje dhe e bekoi me hirin e tij, gjë që mund të duket e çuditshme, por të gjithë që kaluan pragun e asaj shtëpie, kuptuan që aty kishte hyrë një shenjt.

I lanë dhomën më të mirë të shtëpisë dhe ai mundi të vazhdojë fsheftas punën e tij si meshtar.

Shpejt erdhën vitet 89-90, dhe gjithçka filloi të ndryshojë.

Në nëntor të vitit 1990, prifti guximtr Dom Simon Jubani dha meshën e parë pas 23 vjetësh në kapelin e varrezave të vjetra katolike. Mbas disa ditësh u hap dhe xhamija e Plumbit. Kishat e xhamijat u hapën me vrrull të madh.
Qeveria shqiptare lidhi marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë. Dom Mikeli dhe pse mosha e shëndeti i tij delikat nuk e lejonin të dilte dhe të jepte meshë jashtë, qe shumë i rëndësishëm si udhëheqës i priftërinjve.
Ai u bë personifikimi i përndjekjeve gjysëmshekullore diktatoriale. Shumë emitentë radiotelevizivë dhanë emisione të posaçëm për të si: CNN, BBC, RAI, RTSH… Në mbarë botën u botuan artikuj mbi jetën e tij.

Në vitin 1991 me kërkesën e tij, u lirua nga detyra e famullitarit të Shkodrës, që e kishte vazhduar gjithë jetën pa ndërprerje. Në janar të 1992, Ati i Shenjtë e emëroi ipeshkev, por gëzimet nuk do të mbaronin këtu.
Në shtator të vitit 1992, Presidenti i Republikes e dekoroi me medaljen “Pishtar i Demokracisë”, për meritat dhe për qëndresën e palëkundur në idealet e tij, gjatë përndjekjes 50-vjeçare.

Dom Mikeli dhe Nënë Tereza, dy figura të shquara të krishtërimit dhe të kombit shqiptar, u takuan në prill të vitit 1993.

Te dy luftuan materializmin e egër të këtij shekulli, të shfaqur në dy ekstremet ideologjike të shoqerise njerëzore.

Njëri filloi punën duke organizuar veprimtari të dobishme në disa fusha të jetës shpirtërore e kulturore në një qytet të vogël të Evropës.

Tjetra filloi punën në Kalkutën e përbindëshme kundër mjerimit më të zi, pa asnjë mjet financiar, vetëm dashurinë dhe vullnetin e mirë.

Njëri luftoi i vetëm me bishën në errësirë, tjetra sfidoi etjen e pasurisë në sy të mbarë botës.

Në takimin e tyre ndodhi diçka e madhe dhe e papritur.

Nënë Tereza gjunjëzohet para tij dhe i thotë: “Më jep bekimin tënd, sepse ti je martir” Dom Mikeli u përpoq t’i shmangej, por ajo qe më këmbëngulëse.

Dashuria e madhe u përul dhe nderoi vuajtjen e madhe.

U takua dhe me Papën Gjon Pauli II. Dita e 25 prillit 1993 është dhe 50 vjetori i krijimit të korit Schola Cantorum, gjithashtu dhe rimëkëmbjes nën drejtimin e kompozitorit Gjon Kapedani.

Ai shoqëroi dhe meshën e celebruar nga Papa dhe vazhdoi më pas veprimtarine e vet.

Në vitet 94-95 u organizuan koncerte me pjesë të kompozuara nga Dom Mikeli.

Kurorëzimin e gjithë vuajtjeve të tij do të arrinte në nëntor të vitit 1994, kur u kurorëzua Kardinal.

Të shtunen me 26 nëntor 1994, në sallën “Paolo IV”, i kryesuar nga Papa, u mblodh Konçistori, për emërimin e kardinalëve të rinj, ndërsa të nesërmen, në Bazilikën e Shën Pjetrit u zhvillua ceremonia e dytë, gjatë së cilës, të emëruarit merrnin unazën e kardinalit. Gjatë ceremonisë, kardinalët e rinj iu gunjëzuan Papës. Dom Mikelin nuk e linte mosha e shëndeti, kështu që qëndroi i ulur në karrige dhe Papa do ta bekonte, në atë moment ndodhi diçka e papritur; për herë të parë në historinë 2000 vjeçare të Kishës, një Papë gjunjëzohet para një Kardinali…

Të hënën, me 28 nëntor, Papa priti në audiencë Kardinalin dhe njerëzit e tij.

Mediat botërore i kushtuan vëmendje të veçantë emërtimit kardinal të Dom Mikelit, jo vetëm si kardinal i parë nga Shqipëria, por edhe si 92 vjeçar.

Dom Mikeli qëndroi gjithnjë i njëjti person, me thjeshtësinë e njeriut të madh, që e karakterizoi gjithë jetën. Ai tha:

“Papa më ka zgjedhur mua për kardinal se isha më i moshuari” dhe “titullin e kardinalit e ka marrë gjithë Shqipëria.”

Në Shqipëri u bënë festimet e rastit, për kardinalin, ai mori pjesë me thjeshtësinë e tij të zakonshme. Populli e duartrokiti me zjarr dhe dëgjoheshin thirje nga turma, Dom Mikel, Dom Mikel…

Shëndeti i tij u keqësua, dhe me gjithë kujdesjet e mëdha, nuk pati përmirësime. Me 25 dhjetor të vitit 1996 Presidenti i Republikës erdhi personalisht në shtëpine e tij dhe i dorëzoi dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
I rrethuar me kujdesje të vazhdueshme dhe dashuri nga motra Margarita, nipi Berti, nusja Xhine, me 28 janar të vitit 1997 mbylli sytë përgjithmonë në shtëpine ku kishte lindur.

Në ceremoninë e varrimit të tij mori pjesë gjithë populli i Shkodrës. Morën pjesë edhe autoritetet më të larta të bashkisë katolike, të Shtetit Shqiptar dhe të qytetit të Shkodrës, përfaqësues të bashkive fetare dhe të shoqatave fetare humanitare.

Papa dërgon telegram ngushëllimi, drejtuar kreut të konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Arqipeshkvit të Tiranës dhe të Durrësit, Imzot Rrok Mirditës.

Në varrim foli edhe presidenti i atëhershëm Berisha dhe gjithashtu Imzot Rrok Mirdita.


Marrë nga libri i autorit Gjon Simoni

SINFONIA E NJE JETE: KARDINAL MIKEL KOLIQI

DASHURIA E MADHE U PERUL DHE NDEROI VUAJTJEN E MADHE

Mikel Koliqi dhe Papa Gjon Pali Dom Mikeli dhe Nene Tereza: dy figura te medha te krishterimit, por dhe njekohesisht te popullit shqiptar. Te dy e kishin kuptuar me pare se te gjithe te tjeret se materializmi i eger i ketij shekulli, i shfaqur ne dy ekstremet ideologjike te shoqerise njerezore, duhej luftuar me mjete reale e bashkekohore, pa asnje kompromis, pa ngurruar para asnje sakrifice.

Njeri filloi punen duke organizuar veprimtari te dobishme ne disa fusha te jetes shpirterore e kulturore ne nje qytet te vogel te Europes.

Duke u nisur nga i njejti qellim, tjetra filloi luften ne Kalkuten e perbindeshme kunder mjerimit te zi, pa asnje mjet financiar, vetem me dashurine dhe vullnetin e mire.
Dom Mikelit iu desh te linte pergjys punen e nisur dhe te peballej me veshtiresite e tmerret e ferrit komunist per gati gjys shekulli. Ne heshtje dhe i panjohur, ai u mbeshtet vetem ne ndihmen morale qe i jep njeriut besimi.

Nene Tereza arriti kulme te paperfytyrushme ne perpjekjet per t’ua lehtesuar vuajtjet njerezve ne mbare boten, duke u bere nje nder personalitetet me te medha te shekullit.
Njeri luftoi i vetem me bishen ne erresire, tjetra sfidoi etjen e pasurise ne sy te mbare botes, duke i kundervene meshiren e dashurine.

U takuan ne prill te vitit 1993, ne nje dhome te erret te Shkodres, keta dy njerez te veçante, dy qenie shpirterore, trupi i te cileve pothuaj nuk ekzistonte. Atehere ndodhi diçka e madhe dhe papritur. Nene Tereza u ul ne gjunje para tij duke thene: “Me jep bekimin tend, sepse ti je martir“. Me modesti u perpoq t’i shmangej kesaj kerkese, por pas pak çastesh, pas kembenguljes se saj karakteristike, bekoi me doren e vet shqiptaren me te madhe te gjithe koheve.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.