DY FJALË
Dalja në dritë e këtij botimi, krahas kënaqësisë së ligjshme që më jep, më lehtëson dhe nga një lloj përgjegjësie morale. Autori i kësaj vepre, i ndjeri ati im, vdiq me “shpirtin e lënduar”, sepse nuk e shijoi vetë gëzimin që përjeton çdo krijues, kur vepra e tij bëhet e të gjithëve, por, më përpara, gjithnjë shprehte bindjen se dorëshkrimi i tij do të botohej me siguri dikur, duke mos pësuar kështu fatin e pamerituar të sa e sa simotrave të veta, që janë lënë dhe lihen në harresë, ndonëse mbartin vlera të shumta e të plota.
Përmbysja e diktaturës krijoi shanset që dihen dhe unë iu vura punës për ta përmbushur detyrimin moral që më takonte, ndaj “amanetit” të tij të veçantë: “Ban çmos që vepra të mos mbetet pa u botue, qoftë sado vonë !”.
Në radhë të parë “amaneti” përmbante dhe një kusht mjaft delikat dhe me përgjegjësi: -ta ripunoja veprën në anën e formës, por pa cënuar përmbajtjen (faktet, idetë). Megjithëse para meje ishte një material 1500 faqesh të daktilografuara, nuk mund të hezitoja. Francezët kanë një thënie proverbiale “Kur do, mundesh” (-Vouloir c’est pouvoir-) që patjetër më kujtonte se si e pat kapërcyer vetë autori kontradiktën që ishte në mes volumit të madh të punës së tij studimore si dhe kushteve minimale dhe kufizimeve të panumërta morale e materiale që ia vështirësonin së tepërmi përkushtimin e tij.
Kështu, në vitin 1993, i hyra strukturimit të ri të veprës, pasi në dorëshkrim mungonte një kriter i qartë dhe i përcaktuar mirë, sepse, kur autori filloi bashkëpunimin me institucionet shkencore, qe menduar vetëm për grumbullim faktesh etnohistorike. Gjatë daktilografimit të dorëshkrimit u krijua mundësia për t’i bërë redaktimin letrar, duke e çuar në vend një pjesë të “amanetit”. Materiali i dorëshkrimit, i përmbledhur në katër vëllime, u sistemua në dy pjesë, jo pse këto kanë tipare të ndryshme, por vetëm për arsye utilitare: botimi në një vëllim të vetëm me më se 1000 faqe të shtypura duhej shmangur, si aspak praktik për botuesin dhe lexuesin.
Redaktimi gjuhësor paraqiti mjaft vështirësi, sepse në vitet ’60, kur u punua vepra, qenë të pakristalizuara normat e reja të drejtshkrimit; në botime të ndryshme vazhdonte të përdorej edhe gegërishtja. Gjatë “dorës së dytë” që grupi redaktues i dha veprës, u arrit në një kompromis: -për të mos cënuar autenticitetin e saj, qoftë dhe vetëm në formë, duhej të ruheshin disa veçori tipike të gegërishtes letrare (prania e n-ës në vend të rotacizmit, ruajtja e diftongut -ue, përcjellorja e paskajorja e gegërishtes, mbaresat e pjesores më-ë ose -ue). Në të gjitha rastet e tjera, për problemet fonetike dhe morfologjike u vendos të ndiqeshin kriteret që rekomandojnë dy botimet shkencore: “Drejtshkrimi i gjuhës shgipe i vitit 1973” dhe “Fjalori i drejtshkrimit të gjuhës shqipe i vitit 1976”. Kjo ishte e vetmja mënyrë per të ruajtur vazhdimësinë dhe konsekuencën në drejtshkrim dhe për të mënjanuar fluktacionet gjuhësore.
Vepra është e vëllimshme dhe mundësia për gabime mbetet e pranishme si për redaktuesit dhe për anën teknike të botimit.
Për botimin e kësaj vepre kanë treguar interesim të veçantë punonjësit e Muzeut Historik të Shkodrës dhe ata të Fototekës “Marubi” me në krye drejtorin, z. Mentor Quku, që angazhoi dhe të ndjerin Vehbi Troshani për daktilografimin me cilësi të lartë të këtij dorëshkrimi. Po kështu meritojnë mirënjohje z. Ali Kazazi e Visar Bala, që arritën të sensibilizojnë dashamirësit e nismave kulturore, duke mundësuar sponsorizimin e botimit të kësaj vepre.
Me këtë rast e ndjej për detyrë të falënderoj z. Prof. Dr. Zija Shkodra, Faik Luli, Islam Dizdari, Menduh Dërguti, që me përgatitjen e tyre profesionale dhe me sugjerimet e tyre të kualifikuara ndihmuan që ky punim të dilte sa më serioz. Në sajë të këtij angazhimi qytetar, u mundësua që vepra të mos mbetej vetëm lëndë burimore për studjuesit, por të braktiste dosjet dhe sirtaret dhe të bëhej “ushgim” për masën e qytetarëve shkodranë dhe miqtë e qytetit të tyre.
Nexhmi H. Bushati