Shkodër 1977, si i gjeti Sigurimi i Shtetit dokumentet e groposura të Klerit Katolik

0
1586

— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare

Dëshmia e 70-vjeçarit Dom Gjergj Simoni, famullitarit të Bregut të Bunës, i cili në vitin 1967 fshehu në shtëpinë e tij dhjetë thasë me relike dhe libra të Arqipeshkvisë.

Dom Gjergj Simoni Aty nga fillimi i vitit 1967 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës nisi fushatën për mbylljen e kishave dhe xhamiave e prishjen e objekteve të kultit, unë bisedova me vëllanë tim, Zef Simonin, i cili në atë kohë punonte si llogaritar pranë Arqipeshkvisë, duke i thënë se siç po paraqitej situata, ndalimi i fesë ishte punë ditësh. Pas kësaj bisede, unë shkova tek Arqipeshkvia dhe mbusha plot 20 thasë me libra, dokumente e sende të tjera me vlerë dhe të gjitha ato i çova natën në shtëpinë tonë që ndodhej në lagjen “Arra e Madhe. Për disa ditë me rradhë duke bërë gjoja se po prashisja lulet e kopshtit, zgjodha 10 thasë me gjërat më me e i groposa aty në oborr me fshehtësinë më të madhe. Por pas 10 vjetësh, në korrikun e vitit 1977, kur sapo isha kthyer nga Vau i Dejës ku punoja si punëtor, disa njerëz të Sigurimit më thanë që të paraqietsha në Degën e Brendshme dhe kur vajta atje, njeri prej hetuesëve më tha: “Ne kërkojmë disa libra të vjetër në kopshtin tuej”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 70-vjeçari Dom Gjergj Simoni, nga qyteti i Shkodrës që shërben si meshtar në fshatin Dajç të bregut të Bunës, i cili rrëfen të gjithë historinë e jetës së tij plot peripecira dhe ngjarjen e vitit 1977, kur Sigurimi i Shtetit pas pesë javë kërkimesh i gjeti në kopshtin e shtëpisë së tij të gjitha materialet më me vlerë të Arqipeshkvisë së Shkodrës, të cilat ai i kishte groposur në pranverën e vitit 1967. Po kush është Dom Gjergj Simoni, cila është e kaluara e tij dhe përse ai i mori nga Arqipeshkvia dhe i fsheu në kopshtin e shtëpisë së tij objektet dhe dokumentet më me vlerë të Klerit Katolik të Shkodrës dhe si u gjetën ato nga Sigurimi i Shtetit?

Kush është Dom Gjergj Simoni

Gjergj Simoni u lind në 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës në një familje me origjinë qytetare, ku të parët e tyre janë vendosur aty tek “Arra e Madhe” që prej 400 vjetësh. Gjyshi i Gjergjit, Simon Moni, ka qenë njeri ndër tregtarët më të mëdhenj të pazarit të Shkodrës (Bezistanit) dhe pasurinë e tij ai e kishte vënë nga tregtia që bënte asokohe me Italinë. Po kështu edhe babai i Gjergjit, Kolë Simoni, trashëgoi zanatin e të jatit duke u marrë me tregti, por jo pasurinë që kishte pasur ai, pasi atyre u falimentoi tregtia dhe familja ra në varfëri të plotë. Kështu në atë gjëndje të mjerushme ekonomike, Kol Simoni dhe bashkëshortja e tij, Gjyste Hugashi, i lindën dhe i rritën tre fëmijët e tyre, Zefin, Gjergjin dhe vajzën e vetme, Çiljetën. Lidhur me këtë, Gjergj Simoni kujton: “Duke kenë se të dy prindrit tanë ishin besimtarë të devotshëm të fesë sonë katolike, si vëllaun tem, Zefin, ashtu dhe mue, na patën çue për me mësue në Kolegjin e Fretënve, ku ne na pat marrë nën kujdestari, Dom Mark Harapi, vëllau i Padër Anton Harapit.

Por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si unë ashtu dhe vëllau Zefi, u detyruem me u fut në punë të ndryshme për me mbajtë familjen e varfër dhe nuk mundëm që të vazhdojshim rregullisht studimet Teologjike, pasi ajo gja kje ndalue prej pushtetit komunist. Por tuj kenë të brymosun e të devotshëm për fenë katolike, si im vëlla, Zefi, ashtu dhe unë, morëm fshehtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli. Por vetëm im vëlla, Zefi, në vitin 1961 mundi me u shugurue mshehtas si meshtar nga Arqipeshkvia e Shkodrës, por pa e ushtrue dot atë gjë legalisht. Kështu që ai u detyrue për me mbarue edhe Institutin e Lartë për Gjuhë-Letërsi dhe disa kohë pat punue edhe si mësues në gjimnazet e qytetit të Shkodrës. Ndërsa unë për vite me rradhë deri ditën që kjeshë arrestue, pata punue në punë të ndryshme si punëtor dhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës”, kujton 70-vjeçari Dom Gjergj Simoni, lidhur me të kaluarën e familjes dhe peripecitë e tij e të vëllait, për të marrë fshehtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli.

Letërsia, pasioni i vëllezërve Simoni

Në mesin e viteve ’60, Gjergj Simoni vazhdonte të punonte si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, ndërsa i vëllai i tij, Zefi, punonte si llogaritar pranë Arqipeshkvisë së Shkodrës. Ndonëse se Zefi kishte mundur që të futej në punë së mësues i Gjuhës e Letërsisë në gjimnazet e Shkodrës, prej devotshmërisë që kishte ndaj besimit katolik, ai e kishte lënë atë punë bashkë me rrogën e mirë që merrte në Arsim dhe ishte punësuar si llogaritar pranë Arqipeshkvisë. Por përveç devotshmërisë që të dy vëllezërit Simoni, kishin ndaj besmit të fesë katolike, ata kishin dhe një pasion tjetër, letërsinë dhe si Zefi ashtu dhe Gjergji, vazhdimisht shkruanin poezi dhe tregime të ndryshme, por pa mundur dot që t’i botonin ato. Lidhur me këtë, Dom Gjergj Simoni dëshmon: “Pasionin për Letërsinë, si unë, ashtu dhe vëllau, Zefi, e kem trashëgue nga ish mësuesi ynë Dom Mark Harapi, i cili na e pat shti në gjak atë gja. Edhe pse punojshim gjithë kohën në punë të randa, unë gjejsha mundësinë për me u ul e me shkrujtë poezi apo tregime të ndryshme.

Po kështu në atë kohë pata ba dhe një dramë për heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun, pasi në vitin 1967 do të festohej me madhështi 500 vjetori i vdekjes së tij dhe flitej se do t’u bate një konkurs në shkallë vëndi se kush kishte shkrue dramën ma të mirë për te. Nërmjet rrethit tonë shoqnor që veç të tjerash na bashkote dhe Letërsia, unë kisha shoqni me Frederik Reshpen, me të cilin debatojshe shpesh sepse kishim pikpamje të kundërta për Letërsinë. Pothuajse pjesa më e madhe e poezive dhe tregimeve që shkruejsha në atë kohë, ishin me përmbajtje kundër pushtetit komunist dhe nisur nga kjo gja, unë nuk mujshe me ia tregue kërkujt ato.

Ndër poezitë ma të spikatuna që kisha ba asokohet kundra regjimit në fuqi, ishin ato të titullueme: “Letër Luçiferrit” dhe “Mëngjeze në Shkodër”. Tek poezia e parë unë satirizoshim Enver Hoxhën dhe tiraninë e tij, ndërsa tek e dyta nxjersha në pah mjerimin e madh të punonjsve të qytetit tonë, ku midis të tjerash shkrujshe: “Si retë njerzit shpërndahen në punë / S’u qesh kurrë buza, ashtu të metun / punojnë të heshtun me dhunë”. Por jo vetëm këto poezi, por edhe të tjerat unë jo vetëm që nuk mujshe me i botu, por as me ia tregue kujt, kujton Dom Gjergj Simoni, lidhur me pasionin për Letërsinë që kishte ai dhe i vëllai, Zefi.

Fshehja e dokumenteve të Arqipeshkvisë

Aty nga viti 1967 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës nisi fushatën për mbylljen e kishave dhe xhamiave e prishjen e objekteve të kultit, një nga qytetet që e ndjeu më tepër atë gjë, ishte qyteti i Shkodrës ku ishte përqëndruar edhe qëndra e Klerit katolik të Shqipërisë. Duke e parandjerë atë dhunë masive që po përgatitej të niste ndaj fesë, Gjergj Simoni, mendoi që të bënte diçka për të shpëtuar ç’të mundte nga librat, objektet, sendet dhe dokumenetet më më vlerë të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Lidhur me këtë, ai dëshmon: “Që në fillimin e vjetit 1967, u paranje prej gjithkujt se do të fillote një dhunë e madhe naj fesë dhe në veçanti naj Klerit Katolik, të cilin komunistat e kishin shpall si anmikun ma të madh që kur kishin ardh në pushtet në vjetin 1944. Nisur nga kjo gja, aty kah pranvera e vjetit 1967, unë bisedova me vëllaun tem, Zef Simonin, i cili në atë kohë punonte si llogaritar pranë Arqipeshkvisë së Shkodrës dhe i thaç se e pat kjo punë, pranej të bajshim të pamundunën me shpëtue ç’të mujshim nga objektet ma me vlerë që kishte atje si dhe librat e dokumentet e ndryshme që kishte në bibliotekën e arkivin e saj. Pasi dhe Zefi kje në nji menje me mue, se nalimi i fesë ishte punë ditësh, ramë dakort që të shpëtojshin prej Arqipeshkvnisë gjithçka që të mujshim.

Pas kësaj bisede unë shkova tek Arqipeshkvnia dhe me materialet e grumbulluara mbusha plot 20 thasë të mëdhenj, të cilat fshetas, natën, me anë të një karroce i çova në shtëpinë tonë që ndodhej tek “Arra e Madhe” aty ku asht edhe sot. Ndër ato thasë pata marrë sendet që përdorshim për meshë, veshje të ndryshme, ikona, libra dhe dokumente ma me vlerë që nodheshin aty. Ndër to pata marrë edhe një pjesë të dorëshkrimevet të Dom Mark Harapit dhe të At Benedikt Demës, si dhe të gjitha shkrimet e mija që kisha ba ndër vite. Pasi i pata çue tek shpia dhe i pata fsheh ndër lule në një cep të oborrit, prej atyne thasëve zgjodha gjanat ma me vlerë dhe i mylla në dhjetë thasë plasmasi, të cilat i groposa në një cep të kopshtit, Atë gja e bajsha mshehtas duke ba se gjoja po punojshe duke rregullue lulet e kopshtit dhe oborrit”, kujton Dom Gjergj Simoni vitin 1967 kur pak kohë para se të niste prishja e kishave dhe xhamiave, ai mori dhe fshehu në shtëpinë e tij librat, dokumentet, e disa objekte me vlerë të Arqipeshkvisë së Shkodrës.

Gjetja e dokumenteve nga Sigurimi

Po cili ishte fati i dy vëllezërve Simoni pas vitit 1967, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaloi ushtrimin e besimeve fetare duke prishur kishat e xhamiat dhe ç’u bë me dhjetë thasët që kishte fshehur Gjergj Simoni në oborrin e shtëpisë së tyre? Lidhur me këtë, Gjergji kujton: “Ato thasë që pata mshehë aty, nuk mujti me i gjetë kurkush për afro dhjetë vjet me rradhë, deri në vjetin 1977 kur ato ranë në duert e Sigurimit.

Më kujtohet si tani ajo ditë e 13 korrikut të atij vjeti ku bate një i xetë i madh dhe unë kjesh ulë me pushue në pik të zhegut, pasi sapo isha kthye prej Vaut të Dejës ku punojshe puntor. Aty ka ora tre e pasdrekes ra derë e shtëpisë dhe unë nuk dola me e çil, tuj kujtue se kishin kërcitë fmia e lagjes. Por ajo gja u nigjue përsëri dhe në dhomën ku flejshe erdhi motra e më tha me dalë me e hapë se po vinin disa shokë. Ndërsa i thashë motrës që unë nuk kishim shokë, hapa derën dhe aty pashë nënkryetarin e Degës së Mbrendshme të Shkodrës dhe pesë vetë të tjerë. Ata më thanë: “A na njeh?”. Unë ia ktheva: “Po kush s’iu njeh ju”. Pas kësaj ata hinë mbrendë dhe që prej asaj oret e deri në tetë të mbramjes, e kthyenë gjithshka përmbys tuj kontrollue. Pa pushue asnjë minut, për pesë orë me rradhë ata kontrolluen deri tek arka e nanës, e aty ka ora tetë erdhi dhe një ushtar me minakërkues për me vazhdue kontrollin.

Ndërsa po kontrollojshin, njeni prej tyne që ishte shumë i mirë, fshehtas shokëve më diftoi se atë ditë e kishin arrestua edhe vëllaun tim, Zefin, i cili pat nodhë në Razëm. Pak kohë pasi ikën ata, erdhi një person e më tha që të paraqietsha në Degën e Brendshme dhe kur shkova aty, njeni prej hetuesëve më tha: “Ne kërkojmë disa libra të vjetër në kopshtin tuej”. Unë iu përgjigja se aty nuk kishte gja. Ai ngulte kambë se kishte, unë i thosha jo, ai vazhdote prapë tuj thanë po dhe kështu bamë debat një cop heret. Pas kësaj ai më vuni në tavolinë nji libër ungjillit që kishin marrë në shpinë tonë dhe më tha të bajsha be se nuk kishim gja në oborr të shpis. Unë menjeherë vura dorën mbi ungjill dhe thashë: “Si e basha unë në ungjill, ashtu më vraftë në rast se kena gja në kopsht”. Pas kësaj ai më tha: “Ik në shtëpi”.

Pak kohë pasi ika në shtëpi, aty erdhën tetë policë dhe filluen me kontrollue në oborr. Ai kontroll vazhdoi për pesë javë me rradhë në prezencën time dhe kur i gjetën, ata më thanë: “Edhe besimtar, edhe na rrejte”. Unë iu thashë: “Ju me pyetët për në kopsht e jo për në oborr”. Ndërsa e mora përsipër se ato i kisha mshe vetë, iu përgjigja: “Po ju më pvetët për në kopsht e jo në oborr”. Disa orë pasi ikën ata, në shtëpi erdhën fshehtas dy oficerë policiet të Degës, të cilët nuk hynë nga porta jonë, por tuj shfrytëzue një portë tjetër të kojshive, me të cilat na shkojshim shumë mirë. Ata më thanë që të paraqitesha në Degë dhe kur shkova atje, më futën në qeli ku më lanë të ndrymë për nëntë muaj me rradhë”, kujton Gjergj Simoni arrestimin e tij pas gjetjes së dhjetë thasëve me dokumenteve e sende të ndryshme të Arqipeshkvisë. Po si i gjeti dhe si ra Sigurimi në gjurmët e tyre? Lidhur me këtë Dom Gjergji shprehet se nuk mund të akuzojë asnjeri, pasi jo vetëm nuk ka fakte, por “ajo gja tashmë asht një kapitull i myllyn dhe i përket një kohe të shkueme”.

Gjergji, 10 vjet burg

Pas nëntë muajve që Gjergjin e mbajtën të izoluar në qeli, e morën që andej dhe e çuan tek dhoma ku Sigurimi kishte vendosur thasët që i kishin gjetur atij në oborr. Lidhur me këtë, ai kujton: “Aty ku kishin jetu Murgeshat Servite, më vunë me sistemu dokumentet e gjetuna, sepse librat i kishin çu në Bibliotekë, apo i kishte marrë dikush tjetër. Aty më thanë që të dajshe veç shkrimet e mija, e veç ato të Dom Mark Harapit e At Benedikt Demës. Teksa sistemojshe ato, pashë dhe poezinë time “Letër Luçiferrit” dhe kur shkova në qeli, mendoja se do më pushkatojshin. Por shpejt i dhashë kurajo vedit duke menue se aty ishin pushkatue sa e sa priftën të tjerë dhe u gëzova se edhe unë po bajshe diçka të mirë. Për çdo shkrim timin, më thërritshin çdo ditë për me dhanë spjegime në hetuesi, ndërsa për poezinë “Letër Luçiferit” që kishte rreth 400-500 vargje, dhashë skjarime prej orës 7 deri në ora 16. Pas nëntë muejsh hetuesie, ku nuk më torturuen po më hidhnin drogë në gjellë, më nxorrën në gjyq, i cili u zhvillue me dyer të mylluna në sallën e Gjykatës së Rrethit.

Para se me më nxjerrë në gjyq, më vizitoi Dr. Enver Mersini i cili iu tha atyre të Degës: “Ju pakeni dashtë me e mytë këtë djalë”. Gjyqi kundër meje filloi natën e madhe të Pashkëve në prillin e vitit 1977 dhe gjatë akt-akuzës të cilën e kishin përkufizue “Agjitacion e propagandë të myllun”, më lexuen gjashtë poezi ku unë aludojshe hapun kundër regjimit. Ndërsa poezinë “Letër Luçiferrit”, nuk e lexuen pasi ajo fliste kundër Enver Hoxhës dhe ata nuk munt ta lexojshin. Kur më kërkuen fjalën e fundit, unë iu thaç: “Unë kërkoj drejtësi”. Ndërsa trupi gjykues u tërhoq me dhanë venimin, disa policë më shanë duke më thanë; prift i poshtën. Pas kësaj i thaçë një polici që më kishte shtërngue fort prangat, që të më vinte në gojë një cigare se i kishe duert e lidhuna. Ai duke më ndezur cigaren, më tha: “Qenke guximtar i madh” dhe unë iu ktheva duke i thanë: “Ju i masni njerzit me gjatësinë e trupit dhe jo me forcën e shpirtit. Kjo është e keqja juej”.

Pas kësaj trupi gjykues ma dënoi me dhjetë vjet burg”, e mbyll rrëfimin e tij Dom Gjergj Simoni, i cili vuajti plot nëntë vjet e 19 ditë në kampet e Ballshit, Qafë Barit e Spaçit, për faktin e vetëm se deshi të ruante objektet e dokumentet me vlerë të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Po kështu vite të gjatë burgu vuajti edhe i vëllai i tij, Monsinjor Zef Simoni, i cili sot është Ipeshkvi i Shkodrës. Edhe vetë Gjergj Simoni, që prej vitit 1991, kur u shugurue si i pari meshtar prej Selisë së Shenjtë, shërben në famullinë e Dajçit të Bregut të Bunës, pa harruar pasionin e tij të vjetër: Letërsinë.

/25.02.2003

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here