Artist i njohur i humorit Shkodran. Vasia është shquar më tepër për bejtet, paroditë dhe kompozimet e tij humoristike e satirike, të cilat i këndon me kitarë…
OROSKOPI SI RROSKOPI
— nga Gjosho Vasia
DASHI — 20 MARS — 19 PRILL
Po ndigjo djali’i Lulashit (Bektashit)
je tue i rà nè qafè shoqnisè,
mos mendo se je mish “Dashit”
rreh ma fort nga mishi i dhisè…
DEMI — 19 PRILL — 20 MAJ
Nè ketè botè gjithkush me t’veten,
pra gjithmonè me gjanè e shpisè,
ti si “Dem” mbaje pak vehten
mos trazo “loptè” e kojshisè…
BINJAKET — 20 MAJ — 21 QERSHOR
Fjalè tè urtè m’kanè thanè do shokè
mos e ço nanen n’kojshi,
se ka ndodhè me lindè “Binjokè”,
njeni i bardhè e tjetri i zij…
GAFORRJA — 21 QERSHOR — 22 KORRIK
Ju t'”Gaforres” me 6 kambè
dy me’u thy, prap kceni hop,
kurse mue Zoti m’ka nàmè,
nji me thy, do t’eci n’shkop…
LUANI — 22 KORRIK — 22 GUSHT
N’oroskop njihesh “Lua”,
por trimninè e ke sa’i micè,
sa herè don trimnì me ba
e han shtjelmin n’mbrapanicè…
VIRGJINESHA — 22 GUSHT — 22 SHTATOR
Shej’i im ju ban me qeshè
sa nuk qeshni as n’teater,
n’oroskop jam “Virgjineshè”
un qè ndrrova’ i qind e kater.
PESHORJA — 22 SHTATOR — 23 TETOR
Nuk ke “Peshè” ma n’asnji vend,
ke burrni sa’e zeza’e thonit,
ti din vetem me shitè mend
thue je nipi i Napoleonit…
Ishte dashtè kètij mende lehtit
me’i lidhè mbarpa nji teneqe,
qè tue krisè per gjatè qytetit
me’u dallue per farè e keqe…
HAGREPI — 23 TETOR — 22 NANDOR
Kje e bulur qyshè te djepi,
hyllè u rrite n’duer t’satamè,
n’oroskop quhesh “Hagrepi”,
bane Zot me ma ngjitè dhambè…
SHIGJETARI — 22 NANDOR — 20 DHJETOR
Shum u fryne porsi gjeli
tue shitè mend me oroskop,
“Shigjetar” si Wilhelm Teli,
por shkoj shtrembt se je “miop”.
BRIJCJAPI — 21 DHJETOR — 20 KALLNOR
Ti’ i “Vllaznisè” me atè lloj hapit
porten tande po’e shet lirè,
po tè kishè brena “Sqapit”
do tè ishe mbrojt’s i mirè…
UJORI–20 KALLNOR–19 FRORE
Si nè frorè si nè qershorè
mbushim kova n’pusa t’huej,
t’marroftè Zoti ty “Ujorè”
si na’i le çesmet pa ujè.
PESHQIT — 19 FRORE — 20 MARS
Ju tè “Peshkut” hani peshk,
ka sa t’dushè lundra e Palok’s,
sidomos nè tavè kam rreshk,
noten dhjetè krapit t’ Shirokès.
Gjosho-2009
KUTIA E LLOKUMIT
Per kush ka mend nè kokè besoj se i kujtohet
kur nder vizita shkojshim me nga’i kuti llokum,
me gjithse duket pak,por duhet tè vlersohet
nji’ e treta e pag’s ditore per ne kushtonte shum.
U sillshim maratonè nen sqetull me kuti,
prej Gjyles te Marija,n’Serreq e derè n’pazarè,
njiherè kutija e jonè u kthye persri n’shtèpi
mbasi i kish rà rrotull qytetit mbrapsht e mbarè.
Mjerimi kete llokumen e bani shum rrugaqe,
kalonte dorè nè dorè,i ndrronte dyert per ditè,
edhe pse merrte t’shkyme dhe u nxinte nder dy faqe
u pshtillte me pak leter e fillè e per vizitè.
Kto raste na ndihmuen sè paku me ndejè bashkè
dialogjet plot me halle se na kish mblue kolera,
se ma nder festa t’mdhaja n’ Krisht – Lindje, a por per Pashkè,
vajtojshim krye me krye pa na ndigju as dera…
Nji zojè na erdh n’vizitè por shpija s’kishte asgja,
me’jherè kutinè e sajè e hapem nè nji çoshe,
por mbrendè asaj kuti besoni çka kemè pà,
nè vend t’atij llokum,gjashtè drrasa katerçoshe..
Partija marimangè na kishte mbyllè n’pelhurè,
s’u ndinte ma erè mishit,asgja nuk merrte shkrum,
mendo se nji gjysè shekull tue u shtypè nè diktaturè,
kish mblue bolleku shpinè,me nji kuti llokum…
V.O. Kjo ngjarje e 6 drrasave i ka ndodhè Paulin Sekujt…
Mergim, frurè, 2005
Dhurata për fundviti
Miqève tè mij…
Po shfrytzoj do çaste t’shpejta
me qè due t’mè ndihet zani,
sa me’u thanè 3-4 bejta
çka n’zanatè e ka shkodrani.
Edhe pse nuk jemè n’Atdhe
po’u pershndes vllazen shqiptàrè,
kush Krisht-lindje e Vjetè tè re
t’i kaloni mirè e mbarè.
Dhe pse jashtè bajmè mirè t’a themi
se rrimè t’kapun dorè per dorè,
se per fat kemè qenè e jemi
pjesè e shkambit arbènorè..
Per kush ka pjestarè n’Shqipni
n’Konispol deri nè Shkoder
t’ngasin vrap e fillè n’shtèpij,
tè rreshtohet te ‘ajo voter.
Porsa t’mrrijnè Zoti e thrret
(per nji kèshillè qè don me ‘i dhanè),
mos t’mendojnè veç per shpij t’vet
por t’ndimojnè dhe fukaranè
50 vjet njoftem urinè
e ka prap shqiptàr t’mjeruem,
shko me vrap gjeja shtèpin
se do jeshè shum i nderuem..
Ju n’Prendim nuk jeni n’hije
por jetoni n’qytetnim,
keni marrè kulturè dhe dije
njihni mirè çdo perparim..
E ato dije t’grumbullueme
çojeni atje n’ Atdhe,
nxirni jashtè çdo gja t’vjetrueme
edhe futni frymè tè re.
Nder keto festa shkyni zanin
der qè mjesi tè jetè pà,
cep mè cep tundni vatanin
se kjo moshè s’persritet ma.
Merrni kangèt mbarè e mbarè
si moderne e popullore
e nder valle hyni n’garè
me ato vajza engjellore.
T’krisè shampaja, tè shkumbzinè,
t’plasin dritat mbrenda n’dhomè,
nuk ka gja se mbetè n’errsinè
se t’ndriçojnè dy sy tè njomè..
Por kujdes ti e gjithkush
rrij larg helmit qè t’drogon,
se po u shfaqe karabush
n’kazan t’plehit perfundon…
Pra po s’kje njeri i dlirtè,
(shum i gatshem per nenbishte),
ke me mbetè ndoj ditè pa shpirtè
te ndoj bankè diku n’lulishte.
Edhe ti me bark sa’i vorr
veni gojes dy tre shula,
sepse zemra si motorr
s’e duron trupin me tula
Mishin n’tavè putarkè me mazè,
rakin trio e torten dopjo,
d.m.th. ke ardhè n’atè fazè
me ‘i herè zemra me t’ba skopjo
Me veturè nèse perdridhesh
i droguem mbrapa kokonash,
mjerisht vjen nji ditè e mblidhesh
me kullojce makaronash..
N’se aty ka kush hundè t’madhe
qè ngjason me kollomoqin,
mos e futni mbrenda n’valle
se u pengon me pà shoshoqin…
N’se aty ka ndoji tollac
mos ia len pirunin lidhè,
se tollac e pak koprrac
me atè piru ai krehet fillè.
N’se do t’keni ndoj krye-madh
asht shum mirè per qiell e dhe,
se n’sallè t’vogel ju ban hall,
nxjerr dy dhoma e nji wece
Per shum vjet vllazen shqiptàrè
per shum vjet Atdhe i lirè,
sot nji vjet e prap ma mbarè
edhe ma me zemer t’mirè…
Trieste, 2008
“Gjosho Vasija u varros në Trieste, nuk kishte shtëpi në Shkodër”
Valeria Dedaj, Shekulli, 26 Nëntor 2013
Artisti Gjosho Vasija u nda nga jeta para pak ditësh. Ceremonia mortore për të u bë në qytetin e Trieste-s në Itali, aty ku ai jetonte që prej vitit 1990, së bashku me bashkëshorten, Blerinën dhe me dy fëmijët e tij. Pasioni i tij për kitarën, humorin, parodinë, skeçet, krijimet e ndryshme, loja në skenë, improvizimet dhe imitimet kanë krijuar personalitetin e tij artistik dhe dëshirën që këto vlera t’ia prezantonte shoqërisë shqiptare që asokohe. Për krijimtarinë e tij, por dhe për të si njeri i thjeshtë tregon artisti Zef Deda, i cili ka bashkëpunuar me të para që para viteve 1990. Zef Deda tregon për Gjosho Vasijan se dhe pse zemra i dhembte, ai është larguar nga Shqipëria vetëm sepse gjithë jetën kishte qenë i mbyllur dhe i persekutuar.
“Gjosho Vasija ka qenë artist i fuqishëm në skenën tonë, por erdhi koha që të largohej dhe pse ishte 60 e ca vjeç. Ka pasur shumë dëshirë që të interpretonte në skenë, ka mbështetur këdo që donte të interpretonte, mua së bashku me artistët e rinj na ka qëndruar gjithmonë pranë. Ai humorin shkodran e ka ngritur fuqishëm, kudo që shkonte për të interpretuar në skenë, në emisionet e radio-televizionit etj. Ka qenë një interpretues i mirëfilltë i skeçeve, aq sa përherë në organizimin e shfaqjeve sillte prurje të reja”. Ai sipas Zef Dedës, jo vetëm në skenë, por dhe në bashkëpunimet që ka pasur me teatrin e fëmijëve në Shkodër ka qenë artist i kompletuar. “Dhe pse ishte larguar para shumë vjetësh, përherë na pyeste se si kishte ecur arti në Shqipëri, apo se çfarë bënin artistët pasardhës për ngritjen e tij në nivele sa më të larta.
Asnjëherë nuk e harroi skenën ku shkeli dhe pse kushtet e detyruan që të jetonte larg”. Kujtimet e Zef Dedës me të janë të shumta, por mbresëlënëse janë sidomos ato që kanë bashkëpunuar së bashku në skenë. “Mbaj mend pjesë të mrekullueshme për fëmijë si, “Mencat tona” apo “Fëmija i keq”, me të cilin kemi punuar. Kemi pasur skeçe e parodi të ndryshme, kemi punuar në çdo lloj pune. E kujtoj dhe si kompozitorin e këngës “Kominoshet”, për 50 vjet ka qenë pjesë e emisionit të fëmijëve. Ai ishte personazhi që dëgjuesit dëgjonin më tepër, unë Altini i vogël, një fëmijë i prapët, me të cilin ai tregonte shumë kujdes. Për mua ka qenë një kujdestar dhe një profesor i mrekullueshëm”. Ndonëse Gjosho Vasija ka vuajtur për një kohë të gjatë në internim, kjo asnjëherë nuk ia “thau” sensin e humorit. “Ka kaluar probleme të shumta në jetë, ka punuar në uzinë dhe në fabrikë të cigareve, por asnjëherë këto probleme nuk e bën atë të dobët, përkundrazi gjithmonë ishte i dashur me njerëzit, aq sa arrinte që këtë talent ta shpaloste dhe në skenë, përballë të tjerëve.
Kishte vuajtur shumë dhe donte vetëm të ishte i lirë. Kujtdo i jepte liri të jashtëzakonshme, jo vetëm artistëve të vegjël të humorit, por dhe dëgjuesve ai u përcillte humor dhe gaz, aq sa asnjëherë nuk e shprehu dhimbjen që kishte përbrenda. Tashmë eshtrat e tij prehen në Trieste të Italisë, pasi në Shkodër nuk kishte një shtëpi të vetën, por gjithë Shkodra e ndjen humbjen e tij. Zef Deda tregon se: “Është varrosur në Trieste sepse nuk kishte një shtëpi të vetën në Shkodër. Por gjithë Shkodra e ndjen humbjen e këtij artisti sepse ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme tek ne. Do të ishte një kujtim i bukur nëse do të ishte varrosur këtu, sepse do të kishte një ceremoni të jashtëzakonshme nga popullariteti që ka pasur ky artist, por kushtet bënë që ne të mos vëmë dot një lule në varrin e tij. Këto janë kushtet dhe ne nuk kemi ç’të bëjmë”.
Ndoci: Një obelisk për artistët jashtë Shqipërisë
Këngëtari Shkodran, Frederik Ndoci shkruan në profilin e tij të Facebook-ut, lajmin e ndarjes nga jeta për Gjosho Vasijan, por dhe hedh idenë për ngritjen e një obelisku për këta artistë që eshtrat e tyre treten nëpër botë. “Miku dhe artisti i madh Gjosho Vasija u nda nga jeta. Një artist i madh, që nuk u vlerësua asnjëherë me ndonjë titull, as nga Shkodra, as nga Shqipëria. Ai vinte nga kampet e internimit të Tepelenës, ku u njoh dhe u dashurua me Blerina Kacelin”. Sipas Ndocit, atleti, poeti, publicisti, humoristi dhe kompozitori Gjosho Vasija kishte një botë shumë të madhe artistike dhe shpirtërore, ai ishte me një edukatë të stilit precioz që i parapriu të gjithë artistëve shkodran. “Është pikërisht ai që nxori për herë të parë në skenë “Artisten e popullit”, Vaçe Zelën, Zef Dedën dhe shumë të tjerë. Kalvari i Gjosho Vasijas nis me persekutimin e tij si njeri, (nga arratisja e vëllait) dhe mbaron sot me mërgatë në Trieste që nga viti 1991.
Ai vinte nga kampet e internimit të Tepelenës, ku u njoh dhe u dashurua me Blerinën
Para një viti shumë i entuziazmuar më tha se: “Sokol Olldashi i kishte premtuar një hyrje në Durrës…, por sot shpirtrat e tyre si i artistit dhe i Sokolit janë në paqen e përjetësisë dhe nuk kanë nevojë për strehë më të mirë se në qiell”. Sipas Ndocit, humbja e Gjosho Vasijas do të jetë një zbrazëti e madhe. “Do të na mungojë shumë fizikisht, por në mendjet tona nuk do të shuhet thirrja e tij ‘alegoria’”. Me tej Ndoci shtron idenë se një artist si Gjosho Vasija nuk duhet të prehet në Trieste. “Mendimin po e shoqëroj me kujdes se nuk dua të ofendohen Luçjanoja dhe Majuca, fëmijët e Gjoshos, por unë mendoj se artistët i takojnë qytetit, prandaj të gjithë ata si Gjoshoja duhet të kenë një obelisk në qytetin e Shkodrës. Ky obelisk të jetë si monument i gjithë artistëve Shkodran që nuk jetojnë më, e veçanërisht ta titullojmë ‘Obelisku i artistëve’, ku njerëzit ‘paguajnë’ respekt qoftë edhe me një ledhatim të fotove të artistëve. Sipas këngëtarit shkodran Frederik Ndocit, shumë artistë janë duartrokitur nga një Shqipëri e tërë, sepse u ngritën në këmbë dhe ndan hallet e dramës së madhe, por sot treten jashtë vendlindjes.
[…] Një shkrim biografik për Gjosho Vasinë Nga Pjetër Logoreci. […]