HISTORI SHKODRANE
– Oso Kuka in English
– Qyteti i Shkodrës
– Shkodra dhe motet
– Zanafilla e Shkodrës – Wikipedia
– Rrethimi i Shkodrës
– Historia e ‘Rozafës’
Një shprehje për OSO KUKËN
— nga Kolec Traboini
Shprehja “Me je mbyllur brenda si Oso Kuka” perdoret ne zhargonin e bisedave te perditeshme kur komunikon me nje njeri, qe ke kohe qe nuk e ke pare, a qe rri brenda ne shtepi per te studiuar dhe del disi rralle ne shoqeri.
Në fakt shprehja nuk eshte krejt e saktë, sepse kujdo qe i thuhet nuk eshte as ne kushtet, as ne qellimin e “mbylljes” si Oso Kuka. Per ta kuptuar se jo cdo mbyllje ne shtepi, ne zyre , konvikt a salle studimi, eshte e ngjashme me mbylljen ne Kulle te Vranines te Oso Kukes me djemt e tjere shkodrane, le t’ju sjellim ne kujtese ngjarjen:
Ishte koha e perandorise Turke. Malazezet qe kishin shtetin dhe Mbreterine e tyre te dale pas traktatit te Shen Stefanit ne mbarim te luftes Ruso-Turke, kerkonin pushtimin e teritoreve te Perandorise Otomane, te cilat ne te vertete ishin toka shqiptare. Ne maj te vitit 1862, forcat malazeze nisen sulmet ne Malesi te Shkodres por u thyen nga malesoret e Hotit dhe te Grudes. Nje muaj me vone, forca te shumta ushtarake te Malit te Zi, sulmuan ishullin e Vranines. Per te mbrojtur piken kufitare te Vranines, qe eshte anen veriore te Liqenit te Shkodres, dolen vullnetare nga Rinia Shkodrane. Nder keto ishte dhe i riu nga qyteti i Shkodres Oso Kuka.
Detyra e grupit te tij prej 24 vetesh ishte te mbronin Kullen e Vranines qe ishte dhe poste kufitare, qe ndante shtetin malazez me perandorine otomane. U zhvilluan luftime te shumta, ne mes te grupit te djelmoshave
shkodrane te komanduar nga Oso Kuka dhe ushtareve te shumte malazezë. Oso Kuka me shoket e vet rezistoi gjate, mirepo sulmuesit malazezë ishin te shumte, dhe vendosen ta marrin me cdo kusht Vraninen.
Oso Kukes po i vriteshin bashkeluftetaret e vet nje e nga nje dhe ndihma nga qyteti i Shkodres po vononin te vinin. Ne momentet e fundit, kur malazezet mendonin se kulla do te dorezohej, sepse ishi vrare pothuaj te gjithe mbrojtesit, Oso Kuka me dy tre shkoket e mbetur akoma gjalle, megjithese me trupin plage, vendosin te mos dorezohen te gjalle ne duart e armikut.
Mbledhin te gjitha fucitë e barotit ne nje vend te kulles dhe ndenjen ne pritje te sulmit vendimtar te armiqeve. Kur ushtaret malazeze menduan se shqiptaret ishin vrare te gjithe, dhe i u afruan kulles me deshiren, kush me pare te hynte brenda per te vendosur flamurin malazez ne maje te kulles, Oso Kuka i gatshem me pishtar ne dore, i vuri flaken fucive te barotit. Kulla u hodh ne ere bashke me rrethuesit dhe mbrojtesit. U degjua nje shperthim i tmerrshem.
Jehona e kesaj ngjarje shume shpejt u percoll ne Shkoder e ne Podgorice – kryeqyteti i Malit te Zi. Ishin vrare te 24 djelmoshat shkodrane ne kohen me te bukur te jetes se tyre, por e kishin shpaguar vehtem duke vrare me qindra armiq qe u dogjen e perveluan ne ekstazen e fitores qe u kthye ne nje tragjedi, e cila edhe sot e kesaj dite
kujtohet me hidherim ne Mal te Zi.
Nenat shkodrane e rapsodet e malesise se Shkodres, trimerine e Oso Kukes e kenduan ne kenge trimerie qe edhe sot e kesaj dite degjohen me admirim nga i gjithe populli shqiptar. Oso Kuka shume shpejt u kthye ne simbol trimerie e vetmohimi per mbrojtjen e trojeve shqiptare, qe mizorisht u pushtuan nga fqinjet tane ballkanike, dhe shembellesa e tij ishte e gjalle e frymezuese edhe ne zjarrin e luftes per lirine dhe pavaresine e Shqiperise dhe me pas.
Nder shkrimtaret qe eshte frymnezuar me shume nga akti vetmohues i Oso Kukes eshte At Gjergj Fishta, i cili ne
kryevepren e tij “Lahuta e Malesise” i kushton kater prej tridhjete kengeve te librit, Oso Kuka, Preja, Vranina, dhe Deka.
— përgatitur nga Kolec Traboini, Boston
Oso Kuka, hero me vulën e popullit, jo të qeverisë
Duke qenë popullor, diktatori Enver Hoxha e lakoi për t‘i dhënë një përkrahje të lehtë popullit të Shkodrës. Ai, që në fillimet e diktaturës, pati qëllime dashakeqe ndaj tij dhe heroizmit të popullit të vet. Oso u dogj i gjallë për të mos lënë këmbë serbi të shkelë në tokën amtare, e për të mos iu dorëzuar barbarëve armiq të përjetshëm të popullit e kombit tonë. Kuptohet qëllimi i lënies në errësirë të heroit, se lartësimi i tij binte ndesh me politikën e miqësisë me millosheviçët e vjetër e të rinj.
Përpos kësaj, gjatë viteve të egra nuk u lejua asnjë krijim a vepër artistike të shkruhej a këndohej. Kuka mbeti gjallë me një këngë, që këndohet tash e 100 e sa vjet. Vetëm një pikturë është inventari që përjetëson Oso Kukën dhe pas vdekjes së diktatorit, një roman me qëllime të dyshimta vihet në botim, ku lexuesi nuk priti atë ç‘ka pritej për heroin e heroizmin e Oso Kukës. Ishte poeti kombëtar, at Gjergj Fishta që përjetësoi aktin e heroit tonë në “Lahuta e Malcis‘.
Kush ishte Oso Kuka? Familja e Kukajve ishte një familje e vjetër, me tradita patriotike. Këtë mbiemër e gjejmë – thotë studiuesi dr. Mikel Prenushi – në literaturën historike humaniste të shek. 16 si mbiemër të disa luftëtarëve të Skënderbeut. Prejardhjen e tyre të largët Kukajt e kishin nga rrethet e Pejës.
Oso Kuka jetoi në vitet kur lëvizjet kundër turqve nuk kishin të sosur, e pushtonin në forma e madhësi të ndryshme. Në kryengritjen shqiptare të vitit 1831 u bashkërenduan veprimet e luftëtarëve të Zylyftar Podes me të Mustafa Pashë Bushatliut. U shtyp kjo kryengritje, por shqiptarin nuk e zuri gjumi së kërkuari lirinë. Përsëri, më 1831-‘35 plasën kryengritjet kundër reformave në të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe më e rëndësishmja ishte ajo e Shkodrës, më 1835-ën. Kryeministri turk, Ali Pasha, emëroi Namik Ali Pashën në krye të sanxhaqeve të Shkodrës, Ohrit, Elbasanit. Kur ky sundimtar turk kërkoi pëlqimin e Portës së Lartë për zhdukjen e elementeve opozitare, Sulltani nuk ia aprovoi, madje i shkroi se “shqiptarët kanë një karakter të çuditshëm. Në Shkodër kanë ndodhur kaq shumë turbullira …ka mundësi që të lindin revolta….”
Masat administrative, tentativat për zbatimin e reformave ushtarake e për kufizimin e qeverisjes së zonave malore, taksat, grabitja e dhuna i shtuan pakënaqësitë e Sanxhakut të Shkodrës, që u bë më i privilegjuari.
Në Shqipërinë veriore, në Shkodër, Kosovë, Dibër etj., ashtu si në jug, politika e re e të ashtuquajturave reforma ndeshi në një qëndresë të ashpër, për këtë arsye qeveria otomane dërgoi ekspedita ndëshkimore. Dështimet e saj Porta e Lartë ia vishte paaftësisë së Valinjve. Brenda 40 vjetëve (1831-1871) në Shkodër u ndërruan 52 të tillë. Knjazi i Malit të Zi kërkonte ta shfrytëzonte për të zgjeruar tokat e tij, duke sulmuar herë pas here në pikat kufitare më kyçe.
Në Shkodër, në fillim të vitit 1862, ishte krijuar një situatë kryengritëse, populli i armatosur i detyroi trupat otomane të largohen nga qyteti, preu lidhjet telegrafike, e deklaroi Valiun të rrëzuar, siguroi lidhjet me malësorë trima dhe krijoi çeta me luftëtarë-vullnetarë në mbrojtje të kufijve. Oso Kuka ishte në krye të një çete prej 24 vetash.
Duke jetuar në këtë periudhë, e me këto ngjarje, në prag të Lidhjes së Prizrenit, Oso Kuka që në fëmijëri u ushqye me dashurinë për atdheun, për trojet e veta, për kombin e vet, urrejtjen ndaj atyre që mbanin të pushtuar tokën shqiptare.
Osman Bejtullah Kuka lindi në qytetin e Shkodrës. Gjë e saktë për vitin e lindjes nuk dihet, por sipas përpjekjeve tona, më e pranueshme është viti 1820, në një familje qytetare, e cila banonte në qendër të Shkodrës (në vendin ku sot është gjimnazi “28 Nëntori”). Fëmijërinë e kaloi në shtëpinë e ardhur (të re) ndërtuar te Çinari Hoxhë – Dheut (sot rruga “Oso Kuka”, nr. 12). Sipas gojëdhënave e ndonjë shkrimi të gjetur, që në të ri linte të kuptonte se do bëhej trim, se xhixha (zjarr) i nxirrnin sytë. Kur pashai turk ankohet se nuk ka djem në Shqipëri që t‘ia dalin zot trojeve të veta, ai përgjigjet dhunshëm.
Se për din e për Iman
T‘baj që t‘kaj e zeza nanë!
Më tej Oso Kuka shton: Pse në Shqypni ka djelm si Zana.
Qi për mbret e troje të veta
Nuk i dhimet gjaja jeta.
Një i moshuar që ruan kujtime, nga ata që ka dëgjuar shton: “Osoja të bante për vete për urtësi e gojën e amël”.
Në këtë kohë të huajt për Shkodrën nuk treguan as më të voglin kujdes për ta mbrojtur nga qeveritë fqinje, të cilat mundoheshin t‘i shqyenin vendit të shqipeve kafshata të majme, ndërsa për përparim, kulturë nuk bëhej fjalë. Shkodra, me pozitën e saj gjeografike, strategjike ishte në qendër të lakmive edhe të rusmëdhenjve, të cilëve u duhej dalja në detin Adriatik. Ata nxitnin Malin e Zi e Serbinë ta merrnin Shkodrën, me çdo kusht. Nga ana e vet, Mali i Zi nxiste trazira në kufi. Nga një material që na ka rënë në dorë tani së fundi për këtë problem, shkëputëm edhe këto: “Që prej vjetësh nuk i lënë të qetë (malazezët) shqiptarët në arat e kullotat e ata janë duke bërë sulme të njëpasnjëshme, plaçkitin e djegin shtëpitë e (shqiptarëve) tyre…”
Duke u krijuar kjo gjendje e për t‘i dalë zot tokës shqiptare në kufijtë me Malin e Zi, vendoseshin çeta luftëtarësh në kullat kufitare, të cilat udhëhiqeshin nga luftëtarët më të aftë e më trima atdhetarë në zë për luftë, urtësi e trimëri.
Kënga thotë: “Në Vraninë unë jam tue dalë,
Cubat Knjazit me t‘ia ndalë…
Kur Çerkez Abdi Pasha, Vali e komandant i Vilajetit të Shkodrës, shfaq fije dyshimi nëse çeta e Oso Kukës do të përballonte ushtrinë malazeze, Oso Kuka me shikim të rreptë e rëndë i thotë: “Pasha! Në qoftë se malazezët guxojnë me përkitë, ka me e ndie e besa ke me e pa, se kush asht Oso Kuka…” Pashai Osman me pushtetin e tij voli mundin e djersën e popullit, grabiti e shteroi burimet jetësore e nuk ishte në gjendje as ta mbrojë, as të luftojë lakmimet e cenimet e të tjerëve ndaj Shqipërisë, madje pengonte shqiptarët t‘i bënin mbrojtje vendit të tyre, trojeve të veta, se Turqia plotësonte dëshirat e qëllimet e tyre mbi kurrizin e vendit tonë, duke nxitur edhe ai vetë gjakderdhje e vjedhje në kthinat kufitare e shpesh qeveritarët nuk i linin shqiptarët t‘u përgjigjeshin kërcënimeve malazeze e serbe.
Ngjarja, ku lindi heroizmi i Oso Kukës, ishte në vijë kufitare me Malin e Zi, ishte kalaja e Vraninës, e cila në qershorin e vitit 1861 u sulmua nga ushtria malazeze. Ajo numëronte një kontingjent prej 8000 vetësh. Në fillim ata zaptuan Lisedrën (një ishull i vogël në liqen të Shkodrës,nga ku me lundërza komandanti armik hodhi forca në Vraninë, për të marrë së pari kullën, se kjo e bënte më të lehtë ecjen para të ushtrisë malazeze. Kulla (Kalaja) kishte përpara një të ashtuquajtur Maksud-kullë (rezervë), ku Osoja kishte lënë pjesë të shokëve të vet. Pabarazia në numër e luftëtarëve shihej qartë, luftonte një ushtri 8000 trupash me një çetë të vogël shkodranësh.
Djemtë e Osoja mbanin pushkën ngrehur gati. Kënga te “Lahuta” vazhdon:
Djersë e gja xu me kullue,
Po s‘nxu asnjeri me u ligështue.
Me zjarrin e njësitit të Osos ushtarët malazezë nuk bënin asnjë hap para. Kjo e bindi komandantin armik, se me forcën e armëve kalanë e Oso Kukës nuk mund ta merrte, prandaj vuri në shërbim dredhinë. I dërgoi me besë një njeri, i cili kërkoi dorëzimin, duke i premtuar nderime të mëdha dhe grada.
Trimi ynë i kthen një përgjigje, ashtu si e këndon kënga:
Me xhevap po shkon te shkina
Po dëgjo more Nikollë
Pa u djegë e gjithë Vranina
Oso Kuka nuk të bjen në dorë… e shton:
“Nuk jena mësue me ra në duar të huaja për së gjalli, e nuk kena nevojë për ndere të tjerëve, kena boll të tonat”, i është përgjigjur edhe njëherë Osoja.
Me vete ai kishte një djalë të ri të quajtur Salë Behri, nga Shkodra. Me të kishte lidhje familjare. Djali tregoi trimëri të pashoqe gjatë luftës së egër e të pabarabartë me forcat serbe e malazeze që kishin rrethuar Vraninën. Duke e parë veten të rrethuar dhe të pamundur për të çarë rrethimin e mijërave forcave armike, Oso Kuka ka folur: “Kush don me ndejt me mua të rri, por unë gjallë nuk dorëzohem, por do të digjem brenda, këtu në kullë”, lajmi i kësaj beteje të pabarabartë u mor vesh edhe në Maksudkull, ku kishin mbërritur forca ndihme nga Shkodra, të cilat kanë vënë përpara malazezët. Ata nga unë nuk kishin nga t‘ia mbanin, iu afruan kullës, filluan të kacavirreshin në muret e saj, të hipnin mbi çati. Oso Kuka, mbasi kishte marrë edhe mendimin e shokëve të çetës, për të mos u dorëzuar i jep urdhrin njërit prej tyre që shërbente si kuzhinier: “Afroi fuçitë e barutit midis kullës, se dora e varrueme nuk më len me i afrue”? Dhe kur mbi pullaz (çati) kishin kërcyer qindra malazezë, qindra të tjerë kishin thyer muret, trimi ynë thërret edhe një herë:
“Ah kadale”, Nikollë të vraftë Zoti,
Se këtu i thonë Oso Baroti,
Se djeg veten edhe ty…
“Dhe u dha zjarr fuçive me dorën tjetër që kishte shëndosh. Me qindra armiq u hodhën në erë. E fortë ishte tronditja e shpërthimit të fuçive me barut, sa malet e Krajës u zbardhuan”, tregonte plaku i motnuem, nga ata që kishte dëgjuar prej prindërve. “Në Shkodër ka ardhë era e mishrave të luftëtarëve të djegur”, tregonte i ndjeri plak Qamil Kuka. “Kur kanë arritur forcat e ndihmës nga Shkodra, midis të cilëve edhe vëllai i Osos (Cufja) në kullën e djegur nuk mund të hyje nga yndyra e mishrave të djegur. Asgjë nuk kishte mbetur, u gjet vetëm një krah, i cili u njoh se i kujt ishte, se mbante në të një shkrim. Ai ishte i Salë Behrit”, fliste plaku i urtë.
Me këtë ngjarje, trimëria e Oso Kukës ngriti monument Vraninën, në gërmadhat e së cilës është heroizmi i shqiptarit, aq sa një gjeneral turk, i detyruar nga fakti i trimërisë së rrallë, shkroi: “Janë nga popujt ma trima e ma luftëtarë, e s‘druajnë vdekjen, sidomos kur është puna për mbrojtjen e vendit të tyre, atëherë ata tregojnë se janë ushtarë të shkallës së lartë. Kjo i pranohet nga të gjithë”, përfundon gjenerali i njohur turk. Bilbili i letrave shqipe, at Gjergj Fishta, shkruan në “Lahutën e Malcis‘”: Njisi gjaku qi Oso Kuka
Sot ka derdhun ke ato suka
Si për mbret, si për dhe të parëve
Vlon sa vlon ndër dej të shqyptarëve.
Vdekja heroike e Oso Kukës mori dhenë, e dëgjoi i madh e i vogël. Oso Kuka – tregonte plaku i moçëm nga ata që kishte dëgjuar – u vajtua për një javë në familje. Erdhën ngushëllime jo vetëm nga mbarë qyteti i Shkodrës, por edhe nga Shala e Shoshi, Gruda, nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit. Avdi Pasha u njoftua, por nuk reagoi. Kjo e zemëroi e ia ngriti më lart urrejtjen ndaj turqve-osmanë. Zemërimi i popullit u shpreh edhe disa muaj pas,
sa për një shkak të vogël shpërtheu në Shkodër një kryengritje, e cila mbërtheu në kalanë Rozafat për 25 ditë forcat turke. Kjo revoltë ishte prelud i ngjarjeve që përgatitën e çuan në krijimin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo tokë përherë ka gjëmuar nga pushka e topi, nga trimëria e heroizmi që nuk njeh kufi, se heronjtë nuk njohin kohë, kufi, ata lindin kur i kërkon atdheu e detyra e mbrojtjes së tij.
Akti i Oso Kukës e bën krenar çdo shqiptar.
Fishta i madh e skaliti në veprën e tij, në këngët që u bënë popullore e që këndohen në dasma e gëzime. Heroi doli nga populli e populli i këndoi me vargjet e poetit të madh. Nga fundi i shekullit të kaluar, revista e arbëreshëve të Italisë e Anselmo Lorekios, që dilte në Katanzaro, botonte një artikull për Oso Kukën – (Nr. 5, viti 1898). Ajo shkruante: “Shkodra është vendi fatlum, ku ka lindur Oso Kuka dhe duke komentuar heroizmin e tij theksonte: “Përgjigjja që dha Oso Kuka ishte tamam përgjigje shqiptare”. Po aty botohej edhe një poezi popullore, që revista kishte marrë nga Shkodra atë ditë.
Ja disa vargje nga përgjigjja e Oso Kukës dhënë të dërguarit të Knjazit.
“Unë jam djalë i Shqipnisë”.
Edhe revista “Albania”, që botohej jashtë atdheut, i kushtoi një shkrim me interes, në fillim të shekullit tonë, figurës heroike të Oso Kukës. Për krijimtarinë popullore, kushtuar këtij trimi legjendar, kanë shkruar Gustav Majer në Studime Shqiptare (1897), revista “Dituria” Tiranë, 1927, Kasem Taipi në përmbledhjen e tij “Zana popullore” më 1933-shin dhe botimet folklorike.
Më 1923-shin Avni Rustemi e përmend emrin e Oso Kukës në një thirrje që ua drejton autorëve të shoqërisë “Bashkimi”.
Në fillim të viteve ‘20, mësuesi patriot Zef Harapi i kushtoi një dramë heroit të Vraninës, Oso Kuka.
Edhe për Oso Kukën, si e thamë dhe në fillim të shkrimit tonë, paranojaku Enver Hoxha kishte mërira, e zinte në gojë “sa për të larë gojën”, si thoshte Shkodra. E përsërisim se vetëm një këngë, një pikturë e disa artikuj në gazeta u shkruan për këtë simbol të trimërisë e vetëmohimit. Lartësimi dhe vënia aty ku e meritonte trimin Oso Kuka i prishte terezinë me miqtë e tij sllavë e cenonte interesat e tyre dhe të tijat, andaj diktatori pranonte fashitjen e heroizmit të kombit të vet, përpara interesave me serbët e kallëpeve të ndryshme, aq sa pas vitit 1944, edhe ndonjë shkollë a rrugë që populli ia kishte vënë emrin e heroit të vet, regjimi komunist ia fshiu.
Me vdekjen e diktatorit sikur u gjallërua e u rrit përkujdesi e nderimi për këtë figurë popullore, sa u shpejtua t‘i vihet emri i një rruge, një shkolle, u botua ndoshta me porosi një roman, u mendua për një muze, por edhe kjo përpjekje nuk ishte e gjatë. Erdhën vitet e demokracisë e heroizmi i Oso Kukës evokoi heroizma të rinj. Nga populli shqiptar lindën heronj e pishtarë të demokracisë. Po emri i Oso Kukës është sintezë e tërë heroizmit shqiptar e kërkon të gjejë vendin e vet, nderimin që i takon. Edhe tani, i lënë në harresë. Nuk u kujtua kush ta lexonte, të paktën në netët përkujtimore të një emisioni televiziv, ose t‘i shkonte mendja për të. Një Oso Kukë që nuk vjen më, po që në gjakun e shqiptarit ka plot molekula me gjene të tipit Oso Kukë, andaj edhe ai gjak kërkon nderim, se jemi shqiptarë.
— marrë nga https://www.shqiperia.com/Oso-Kuka-hero-me-vulen-e-popullit-jo-te-qeverise.4121/