— nga Dashnor Kaloçi | Gazeta Shqiptare
Historia e familjes së vjetër shkodrane që rrjedh nga fshati Sumë i Postribës. Nga dy vëllezërit, Pjetri dhe Sokoli, e deri te Mikeli i cili në 1895 u dekorua nga Presidenti i Francës
Dëshmia e Engjëll Çekës, pasardhësit të familjes së njohur shkodrane: “Gjyshi im, Mikel Çeka, apo siç njihet ndryshe me mbiemërin Suma, më 23 prill të vitit 1895, pas një propozimi të Ministrisë së Jashtme të Francës, së cilës ia kishte dërguar Konsulli i saj në Shkodër, Hekardt, u dekorua me Medalje Ari nga Presidenti i Francës, Feliks More, me motivacionin: “Për shërbimet e bëra për interesat franceze nga 1856 në 1895, si përkthyes e ndihmës i Konsullit francez në Shkodër”
Gjyshi im Mikel Çeka apo siç njihet ndryshe me mbiemërin Suma, i cili ishte djali i Pjetrit që rridhte nga familja e njohur tregtare nga qyteti i Shkodrës e cila rradhitet ndër familjet më të vjetra shkodrane, të cilat figurojnë të shënuara që në vitin 1736 në regjistrin e pagëzimeve që ka mbajtur familja Kamësi, më 23 prill të vitit 1895 në bazë të një propozimi të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Franës, së cilës ia kishte dërguar Kosulli i saj në Shkodër, Hekardit, u dekorua me një Medalje Ari nga vetë Presidenti i Francës Feliks Fore, me motivacionin: “Për shërbimet e bëra për interesat franceze nga 1856 në 1895 si ndihmës dhe përkthyes i Konsullit të Francës në Shkodër”.
Po kështu vëllai i gjyshit, Filipi i cili u lind në Shkodër në vitin 1826, ka qenë personi numër dy, në regjistrin e veçantë për të huajtë të cilët Konsullata franceze e kishte marrë nën mbrojtje, në bazë të dispozitave të marrëveshjes të përmbajtura në traktatet e lidhura ndërmjet Francës dhe Portës së Lartë të Stambollit dhe në fund të atij dokumenti të firmosur nga Konsulli francez në Shkodër, shkruhet: “Me besën e fjalës së dhënë, ne i japim atij këtë dhuratë për t’i shërbyer aty ku ja jep e drejta”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën” është 58-vjeçari Engjëll Çeka me profesion Ekonomist, njëri nga pinjollët e fundit të familjes së vjetër shkodrane të njohur ndryshe dhe me mbiemërin Suma, që njihen si një nga familjet më të vjetra të atij qyteti ku të parët e saj kanë qenë pronarë të mëdhej tokash dhe më pas janë marrë me tregëti dhe politikë.
Engjëll Çeka rrëfen gjithë të kaluarën e trungut të familjes së tij që para pesëqind vjetësh me dy vëllezërit Pjetërin dhe Sokolin, gjyshin e tij Mikelin që u dekorua nga Presidenti francez në vitin 1895, vëllanë e gjyshit Filipin i cili ka qenë një nga organizatorët kryesorë të përfaqësisë së Shkodrës, që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit, e deri tek babai i tij Filip Çeka i cili pasi shërbeu për dhjetë vjet si nënprefekt në kohën e Monarkisë, gjatë viteve të regjimit komunist punoi si llogaritar i thjeshtë në disa rrethe të vëndit i survejuar nga Sigurimi i Shtetit si ish-funksionar i lartë i Mbretit Zog. Po cila është origjina e familjes Çeka dhe cilët janë të parët e saj? Kush ishin Pjetri me Sokolin dhe pse u shpërngulën ata nga fshati i tyre duke zbritur në qytetin e Shkodrës ku ndërtuan shtëpitë e tyre? Si u trashëguan në gjatësitë e shekujve Çekajt e Shkodrës dhe si u bënë ata ndër familjet më të pasura të atij qyteti?
Cili ishte aktiviteti i Filip Çekës dhe kontributi i tij në përfaqësinë e Shkodrës e cila mori pjesë në Lidhjen e Prizërenit, të cilin Konsullata Franceze e Shkodrës e mori në mbrojtje duke e caktur si personin e dytë në regjistrin e veçantë që ajo kishte për të huajt në bazë të marrëveshjes me Portën e Lartë? Cili ishte Mikel Çeka dhe përse u dekorua ai nga Presidenti i Francës? Lidhur me këtë të kaluar të familjes Çeka si dhe origjinën e saj, na njeh dëshmia e 58-vjeçarit Engjëll Çeka një nga pasardhësit e asaj familje të vjetër dhe djali i Filip Çekës i cili gjatë kohës së Monarkisë shërbeu si nënprefekt në disa Prefektura të vendit.
Origjina dhe trashëgimia e familjes Çeka (Suma)
Lidhur me origjinën e herëshme të familjes Çeka apo siç njihen ndryshe edhe me mbiemrin tjetër Suma, janë bërë disa hulumtime nga studjues të ndryshëm, por ai që i ofrohet më tepër së vërtetës dhe konsiderohet nga më të saktit, është ai që ka bërë studjuesi i njohur shkodran Emil Shiroka në vitin 1984, i cili përveç dëshmive të ndryshme gojore dhe hipotezave që janë trashëguar ndër disa breza si të vetë asaj familje ashtu dhe atyre të tjera shkodrane, është mbështetur gjithashtu mbi dokumenta të ndryshme arkivore dhe iu është referuar studimeve të tjera që janë bërë më përpara rreth kësaj familje. Sipas studimit të Emil Shirokës, thuhet se origjina e herëshme e familjes Çeka, është nga lagjija Bojej e fshatit Sumë që sot është nën juridiksionin e Postribës në Malësinë e mbi Shkodrës. Kur turku shkeli për herë të parë dhe e pushtoi Shkodrën (bashkë me Kalanë e saj) e cila asokohe shtrihej afër Lumit Bunë dhe Liqenit të Shkodrës, pjesa më e madhe e popullsisë së këtij qyteti me burra gra fëmijë dhe pleq emigruan për në Itali duke u larguar nga Liqeni në Bunë dhe në Detin Adriatik. Kurse disa familje të tjera u ngjitën lart në bjeshkë të Malësisë së Shkodrës. Në atë kohë thuhet se ndër të vetmit që qëndroi në qytet dhe nuk u largua që andej, ishte një pasanik i madh shkodran, të cilit Venediku e thërriste me emrin Çeka, që ka kuptimin e fjalës “qarë”.
Një nga interpretimet e ndryshme që i bëhet kësaj fjale, ndoshta dhe ajo më e sakta, është se ai njeri kishte fituar shumë dhe ishte bërë i pasur duke “lozur me qarin”. Ky njeri për të mos e humbur gjithë atë pasuri të madhe që kishte vënë prej kohësh, thuhet se bëri një kompromis me turqit duke ndërruar besimin dhe nga katolik u kthye në myslyman. Mbas pesë vjetëve Veziri i Shkodrës i cili ishte i emëruar nga Turqia dhe ishte me kombësi e shtetësi turke, për ta provuar atë, nëse i qëndronte besnik fesë myslymane e detyroi atë që të shkonte për haxhillëk në Qabe tek varri i Muhametit. Ky person i quajtur Çeka, e pranoi kërkesën e Vezirit dhe pasi u kthye që nga Qabeja, njerzit në Shkodër e thërritën Haxhi Çeka. Rreth origjinës dhe trashëgimisë së trungut të kësaj familje, ka dhe disa hipoteza të tjera, ku në njerën prej tyre thuhet se në fshatin Sumë në atë kohë jetonin dy vëllezër të cilët quheshin Sokol (Kolë) dhe Pjetër Suma. Veziri i Shkodrës kishte të dhënë se këta vëllezër rridhnin prej një familje bajraktarësh dhe u dërgoi fjalë që të shkonin për ta takur në Shkodër në sarajet e tij.
Fjalës së Vezirit, që ishte dhe sundimtari i Shkodrës, iu përgjigj vetëm njëri nga vëllezërit, Sokoli, kurse Pjetri nuk erdhi fare në Shkodër. Veziri i premtoi Sokolit se do t’i jepte toka dhe pasuri me konditë që ai të bëhej myslyman dhe pasi Sokoli e pranoi atë gjë, Veziri e mbajti pranë vetes. Pas disa kohësh, Veziri i tha Sokolit që të shkonte në fshatin Sumë dhe t’i mbushte mëndjen edhe vëllait Pjetrit dhe gjithë fshatit që të zbrisnin në Shkodër dhe të ndërronin fenë, njëlloj siç kishte bërë dhe ai. Por kur Sokoli shkoi dhe ia trasmetoi Pjetrit mesazhin që kishte marrë nga Veziri, Pjetri u indinjua shumë dhe për t’i shpëtuar ndonjë hakmarrje të mundëshme të Vezirit, u largua nga fshati dhe për dhjetë vjet me rradhë qëndroi i fshehur ndër miqtë e tij dhe nëpër male. Duke u mërzitur nga jeta e keqe që bëri për afro dhjetë vjet nëpër male, ku disa herë iu rrezikua edhe jeta, Pjetri vendosi dhe zbriti në Shkodër e shkoi drejt e në shtëpinë e Haxhi Çekës, për të cilin kishte dijeni se nga katolik ishte kthyer në myslyman. Pjetër Suma i tha Haxhiut se kishte shkuar aty për t’i rënë në dorë dhe për t’i kërkuar besë ta mbronte nga i vëllai i tij Sokoli, i cili donte që t’i ndërronte besimin. Haxhi Çeka e mori në besë Pjetrin dhe e mbajti në shtëpinë e tij duke i thënë se nuk e detyronte njeri për të ndërruar fenë.
Kështu Pjetër Suma qëndroi për afro tre vjet në shtëpinë e Haxhi Çekës dhe mbas tre vjetëve Haxhiu i dha dhe të hollat për të ndërtuar shtëpinë e tij. Pjetri e ndërtoi shtëpinë e tij ngjitur me atë të Haxhiut, por kur e morën vesh turqit dhe shkuan për t’ja shëmbur, Haxhi Çeka u doli përpara dhe ju tha se ajo ishte shtëpia e tij. Turqit ikën duke thënë se ajo është shtëpia e Çekës dhe që nga ajo kohë Pjetër Sumës, i mbeti mbiemëri Çeka dhe në të gjithë Shkodrën ai filloi të thirrej Pjetër Çeka. Kurse jashtë qytetit e nëpër fshatra dhe jashtë Shqipërisë ku ai shkonte për tregti, njihej dhe thërritej Pjetër Suma. Prandaj që nga ajo kohë edhe sot ajo familje njihet me dy mbiemrat, Suma dhe Çeka. Po kështu sipas këtij versioni thuhet se edhe familja e njohur shkodrane Sokoli që është e besimit myslyman dhe e ka origjinën nga fshati Sumë, është po nga trungu i familjes Çeka dhe ajo rrjedh prej Sokolit, vëllait të Pjetër Sumës i cili edhe ai u kthye në myslyman e mori mbiemrin Çeka. Pjetër Çeka u martua dhe i lindën pesë djem: Preçi, Hila, Ejlli, Kola dhe Simoni. Dy djemve të mëdhenj Preçit dhe Hilës, Pjetri u dha zanatin e rrobaqepësit, kurse djalin e tretë Ejllin e dërgoi në Romë ku pasi u shkollua për xhakua (prift) erdhi e shërbeu në Shkodër dhe më vonë në fshatin Shirq, ku dhe vdiq e u varros në kishën e Shënapremtes.
Djali i dytë Hila, nuk ishte i kënaqur nga puna e rrobaqepësit dhe më pas u muar me tregëti lëkurësh, ku pasi mblodhi një sasi shumë të madhe shkoi dhe i shiti në Venedik. Me paratë që fitoi nga shitja e lëkurëve, Hila bleu shumë mall të cilin erdhi dhe e shiti në Shkodër në gjashtë dyqanet që i bleu së bashku me vëllezërit e tij. Nga lekët që fitonte prej shitjes së lëkurëve në Itali, Hila blinte mall manifakture dhe vinte e shiste në Shkodër. Pasi u fuqizua shumë ekonomikisht, përveç Shkodrës, Hila filloi t’i shiste mallrat që sillte nga Italia dhe në Gjakovë, Prizren, Shkup, Tetovë etj, ku hapi agjensitë e tija që njiheshin me firmën “Suma” (Çeka) dhe punësoi njerëz të besuar nga Shkodra. Llogaritë e firmës, vëllezërit Çekaj (Suma) ia lanë Simonit, që ishte më i vogli i vëllezërve, por më i zoti prej tyre ndonëse kishte fare pak shkollë. Pasi fituan shumë nga kjo lloj tregtie, vëllezërit Çekaj u martuan sipas rradhës dhe blenë dyqane, vreshta dhe toka të cilat shtriheshin në Bushat, Vrakë, Çelepie, Lezhë e deri në Zejmen ku ata kishin 200 dynym. Hila ndërtoi një shtëpi të madhe me gjashtë dhoma në qytetin e Shkodrës, në atë vënd ku sot njihet me emrin Arra e Madhe.
Trashëgimia gjenealogjike e familjes Suma apo siç njihet ndryshe Çeka, pas Pjetrit dhe Sokolit, mori këtë rrjedhë: Preçi pati dy djem, Pjetrin dhe Zefin. Pjetri pati tre djem, Ndocin, Filipin dhe Mikelin. Ndoci pati dy djem, Pjetrin dhe Lecin. Leci pati dy djem, Toninin dhe Pjetrin. Zefi pati për djalë Ejllin që la nëntë fëmijë, një djalë dhe tetë vajza. Djali që quhej Gaspër, la tre djem, Ejllin, Zefin dhe Luigjin të cilët nuk u martuan dhe ajo degë e familjes u shua fare. Tetë vajzat e Ejllit, ishin: Çilja, Angjia, Kusha, Dranja, Cina, Tonja, Lezja dhe Gjystja. Dy vajzat e mëdha Cilja me Angjen, në vitet 1834 dhe 1837 u martuan me dy djemt e Pjetër Shirokës, Shanin dhe Gaspërin. Kurse dy vajzat e tjera, Kushja dhe Drandja, po në vitet 1834 dhe 1837, u martuan me dy djemtë e Kol Shirokës, Ndrekën dhe Zefin. Vajza tjetër Cina u martua me Pashko Muzhanin, Lezja me Loro Saraçin, Tonja me Filip Çurçinë, kurse Gjystja, më e vogla nga vajzat u dorzua murgeshë. Kola la një djalë, Filipin i cili pati vetëm vajza dhe ajo degë u shua. Simoni më i vogli la katër djem, Matinë, Lazrin, Franon dhe Gaspërin. Matia vdiq, Lazëri shkoi në Francë e Franoja në Spanjë dhe nuk u kthyen më. Ndoci la vetëm vajza dhe u shua si degë, kurse Gaspëri pati djalë Kolën i cili kishte djalë Zefin dhe Zefi pati dy djem Nikolinin dhe Gaspërin.
Filip Çeka, shkodrani që u mbrojt nga Franca
Dëshmia e 58-vjeçarit Engjëll Çeka, pasardhësi i familjes së njohur shkodrane: “Filip Çeka i cili ishte vëllai i gjyshit tim Mikelit, në 6 shkurt të vitit 1854 u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës. Ajo Konsullatë e kishte atë si personin numër dy në regjistrin e veçantë për të huajt, në bazë të marrëveshjes dhe traktateve që Franca kishte lidhur me Portën e Lartë”
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm në kuadrin e ciklit “Familjet e Mëdha të Shqipërisë”, u njohëm me origjinën dhe trashëgiminë gjenealogjike të familjes së njohur shkodrane Çeka. Kjo familje që njihet ndryshe edhe me mbiemërin tjetër Suma, rrjedh nga lagjia Bojej e fshatit Sumë të Postribës dhe së bashku me familjet Çoba e Llupi, konsiderohen ndër familjet katolike më të vjetra të Shkodrës. Të parët e kësaj familje që njiheshin si pronarë të mëdhej tokash, kanë zbritur në qytetin e Shkodrës që nga koha që ai ra nën sundimin e Turqisë dhe më pas ata janë marrë edhe me tregëti e politikë. Sipas dëshmisë së Engjëll Çekës një nga pinjollët e fundit të kësaj familje, në vitin 1966 ata i kanë dorzuar Arkivit të Shtetit rreth 250 dokumente të vjetra që i përkisnin së kaluarës së fisit Çeka
Shtëpia mbi 200-vjeçare e Çekajve
Shtëpia e Çekajve, e cila është ndërtuar më shumë se dyqind vjet më parë, ndodhet diku në Lagjen Arra e Madhe të qytetit të Shkodrës në Rrugën “Vaso Pasha”. Aty në atë shtëpi të rrethuar me mure të larta, banojnë së bashku me familjet e tyre, dy vëllezërit Engjëll dhe Mikel Çeka, të cilët janë dhe pinjollët e fundit të Çekejve që njihen si ndër më të vjetrit e qytetit të Shkodrës. E ndodhur përballë me konviktin e shkollës së Gjuhëve të Huaja, shtëpia e madhe dy katëshe e Çekajve nga pamja e jashtëme nuk të ngjall ndonjë kureshtje të madhe. Por gjithshka ndryshon kur futesh brenda dhe vetja të duket sikur je në ndonjë Muze Etnografik apo kështjellë të vjetër mesjetare, të cilat shumë rrallë i ndesh në qytetet tona. I zoti i shtëpisë, 58-vjeçari Engjëll Çeka na fton brenda dhe na shoqëron për në dhomat e sipërme të asaj shtëpie me hapësira të bollshme ku gjithëçka është e gdhendur në dru nga mjeshtrat shkodranë, këtu e dyqind vjet të shkuara.
Që nga ajo kohë e largët, ajo shtëpi tipike shkodrane ka humbur shumë nga origjinaliteti dhe formën e saj të parë vazhdon ta ruaj ende vetëm njëra nga dhomat ku çdo gjë është e paprekur që nga shekulli i kaluar. Aty mbizotëron tavani i varur me gdhëndje dhe oxhaku i madh i stolisur me ornamente e deri sëndyku i pajës apo siç njihet ndryshe nga shkodranët e vjetër si “Arka e Venedikut”, nga që familjet e pasura aristokrate të asaj kohe e blinin pajën e nuses në Itali. I gjithë ansambli akitekturor që mbizotëron aty, që nga ndërtimi dhe zbukurimet me gdhëndje në dru, e deri tek mobiljet e reliket e vjetra të ruajtura me shumë kujdes prej më shumë se dy shekujsh, e detyruan Institutin e Monumenteve të Kulturës, që në vitin 1966 atë shtëpi ta shpallnin Monument Kulture. Ndonëse me profesion ekonomist, por me një pasion prej historiani për t’u admiruar, 58-vjeçari Engjëll Çeka prej vitesh ka hulumtuar ndër arkiva, biblioteka dhe në shtypin e kohës, duke nxjerrë dhe skeduar pothuaj të gjitha ato çka janë shkruar dhe thënë rreth trungut të familjes së tij, të cilat së bashku me dokumentet e tjera dhe reliket e rralla që disponon ajo familje, përbëjnë një pjesë të gjallë të historisë jo vetëm të Çekejve, por dhe të atij qyteti me tradita të lashta.
Dokumentet e Francës në mure
Në shtëpinë e vjetër dhe karakteristike shkodrane të Çekajve, ajo ç’ka të bie më tepër në sy përveç fotografive të vjetra të varuara në muret e asaj dhome të madhe, janë dy dokumente të vjetra të shkruara në frëngjisht. Njëri prej atyre dy dokumenteve, mban datën 6 shkurt të vitit 1854 dhe është Patenta e Mbrojtjes, me të cilën Konsullata franceze e Shkodrës ka pajisur vëllain e gjyshit të Engjëllit, Filip Çekën. Në atë dokument të titulluar “Patentë Mbrojtje”, shkruhet: “Ne, Konsullata Franceze në Shkodër, vërtetojmë se zoti Filippo Suma, shtetas otoman, lindun dhe banues në Shkodër, është i regjistruar me numër 2 në regjistrin e veçantë për të huajtë e mbrojtur nga kjo Konsullatë, në bazë të dispozitave të marrëveshjeve të përmbajtura në traktatet e lidhura ndërmjet Francës dhe Portës së Lartë Otomane. Me besën e fjalës së dhënë ne i japim atij këtë dhuratë për t’i shërbyer aty ku ja jep e drejta” Shkodër më 8 shkurt 1854.
Nga zotni Konsulli De Diagruan. Këtë dokument Konsullata franceze e Shkodrës ia ka akorduar Filip Sumës për shërbimet që ai i kishte bërë asaj në atë kohë kur nuk ishte më shumë se 30-vjeç. Kurse dokumenti tjetër i cili i përket vitit 1895, është një Medalje Ari e cila i është dhënë gjyshit të Engjëllit, Mikel Çekës (Suma), ku shkruhet: “Ministria e Punëve të Jashtme. Presidenti i Republikës Franceze, Mbi propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dekreton: Një Medalje Nderi prej Ari që i është lëshuar Z. Summa, përkthyes ndihmës i Konsullit të Francës në Shkodër të Shqipërisë, për shërbimet e bëra për interesat franceze nga 1856 në 1895”. Shefi i shërbimit të Protokollit Sh. Croziej. Lëshuar në Paris, më 23 prill 1895. Feliks Fore. Y Hanoto.
Kush ishte Filip Çeka
Po kush ishte Filip Çeka dhe përse ai u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës? Lidhur me këtë Engjëlli dëshmon: “Filipi u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1826 dhe ai ishte djali i Pjetër Çekës, familja e të cilit rradhitet ndër më të vjetrat shkodrane që figurojnë të shënuara që në vitin 1736 në regjistrat e pagëzimit që janë mbajtur nga familja Kamsi. Nga tre dokumente pagëzimi të kishës që ruan familja e që i përkasin viteve 1830, 1871 dhe 1898, pjestarët e kësaj familje njihen dhe me mbiemërin Suma dhe kanë lidhje fisnore me fisin Sokoli të Shkodrës. Kjo gjë vertetohet edhe nga të dhënat e ditarit të Mustafa Boriçit, që është ruajtur nga qershori i vitit 1844, ku ai midis të tjerash ka shkruajtur: “Fitova davanë me tregtarin Ndoc Çeka”.
Duke qenë se asokohe ishte në modë që familjet aristokrate t’i dërgonin fëmijet e tyre për të mësuar në shkolla private, e më pas në ato fetare, edhe Filipi mendohet të jetë arsimuar në këto shkolla. Mirëpo deri më sot familja jonë nuk disponon asnjë lloj dokumenti shkollor të Filipit dhe këtë gjë e bazon në llogjikën e familjeve të asaj kohe që i dërgonin fëmijët në ato shkolla për të mësuar gjuhët e huaja, gjë e cila u imponohej për nevoja të tregtisë. Që Filipi ka mësuar në ato shkolla, vërtetohet dhe me faktin se ai ka mësuar gjuhën frënge që përpara moshës 30-vjeçare, kohë në të cilën ai u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës. Ky fakt na lejon të supozojmë se atë mbrojtje, Filipi e ka marrë në rradhë të parë si personalitet që ka qenë, se përndryshe nuk mund t’i jepej ai privilegj” dëshmon Engjëlli lidhur me Filip Çekën.
Me përfaqësinë e Lidhjes së Prizrenit
Nga studimet e ndryshme që janë bërë, Filip Çeka njihet dhe si një nga organizatorët kryesorë të përfaqësisë shkodrane që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Lidhur me këtë Engjëlli dëshmon: “Nga viti 1854 kur Filip Çeka u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës dhe deri në vitet 1878 kur ai figuron në shumë dokumente si një nga organizatorët kryesorë të Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit, nuk ka ndonjë të dhënë se me çfarë është marrë në atë periudhë kohe. Në një studim të Stefanaq Pollos dhe Selami Pulahës, citohet një dokument që është shkruar një muaj përpara se të mbahej Lidhja e Prizrenit. Ajo është një protestë që shkodranët ia kanë dërguar ambasadorit francez në Stamboll, ku midis të tjerash thuhet: “Ne, katolikë e myslymanë, vëllezër prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, pëlqejmë më mirë të asgjesohemi, se sa të vdesim të poshtëruar e të skllavëruar”. Ndonëse në atë dokument nuk jepen emrat e nënshkruesëve të tij, kemi të drejtë të mendojmë se aty është dhe dora e vëllezërve Çeka, Filipit dhe Mikelit, nisur nga fakti se ata kanë ditur frëngjishten dhe Filipi ka qenë ndër organizatorët e asaj proteste.
Kjo gjë bëhet e besueshme nisur dhe nga fakti se Filipi ka pasur lidhje me qarqet e huaja diplomatike që kanë qenë në asokohe në Shkodër. Sipas dokumenteve historike, më 15 qershor, dy ditë pas hapjes së Kongresit të Berlinit, në oborrin e Medresesë që ndodhej pranë Pazarit të Vjetër të Shkodrës, është zhvilluar një manifestim popullor ku është lexuar dhe një peticion që paria shkodrane ia dërgoi Kongresit të Berlinit në shenjë proteste. Duke parë firmëtarët e atij peticioni, shihet dhe emëri i Filip Sumës, çka pohohet edhe nga studjuesi Xhafer Belegu në veprën e tij “Akte të Rilindjes”. Po kështu në një studim të akademikut Kristo Frashëri, ku ai jep me përafërsi emrat e antarëve më aktivë të Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, që dërgoi përfaqësinë e saj në Lidhjen e Prizrenit, rradhitet dhe emri i Filip Sumës. Një dokument tjetër që vërteton pjesmarrjen e Filip Sumës në përfaqësinë e Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, është dhe ai i vëllezërve Çoba, ku midis të tjerash thuhet: “Na të premen, (Premten) u mblodhme e i vuni populli katër vetë, F. Çekën, N. Shirokën, Simon e Gjok Muzhani. Edhe dje kan kenë në komisjon edhe i kan prit fort mirë”.
Në bazë të këtyre dokumenteve dhe materialeve historike, emri i Filip Çekës figuron në përfaqësinë drejtuese të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën që nga korriku i vitit 1878 e deri në fund, pavarësisht nëse ka qenë i ngarkuar me detyra apo jo. Mos pjesmarrja e tij në delegacionin e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit, ndoshta ka qenë e kushtëzuar prej statusit të tij prej “gjysëm diplomati” nga lidhjet që ai kishte me Konsullatën Franceze të Shkodrës”, dëshmon Engjëll Çeka lidhur me vëllanë e gjyshit të tij, Filipin, i cili nga dokumentet arkivore, njihet dhe si pjesmarrës me trupat vullnetare shkodrane në Luftën e Plavës e Gucisë përkrah Jusuf Sokolit. Po kështu Filip Çeka figuron edhe si pjesmarrës në Luftën për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët në vitin 1879, ku shkodranët në shenjë solidariteti dërguan dy formacione me vullnetarë. Në njërin prej tyre ishte Filipi 60 vjeçar, i cili së bashku me Jusuf Sokolin kishin nën komandë 40 vullnetarë shkodranë. Filipi vdiq në Shkodër në vitin 1895 dhe për meritat e tij, në vitin 1978 ai është dekoruar me urdhërin “Për veprimtari patriotike”. Po kështu për nder të Filip Çekës, në shtëpinë muze, që aktualisht banon Engjëlli me të vëllanë Mikelin, në vitin 1989 u vendos një pllakë përkujtimore që e cilëson atë si organizator të Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit.
Babai i Engjëllit, nëprefekt i Monarkisë
Pas Filip Çekës dhe vëllait të tij Mikelit, një nga pasardhësit e tjerë të trungut të familjes së njohur shkodrane, është dhe babai i Engjëll Çekës, Filip Çeka (i riu). Lidhur me të kaluarën e tij, Engjëlli dëshmon: “Babai im Filip Çeka u lind në vitin 1898 në këtë shtëpi dhe gjatë pagëzimit që iu bë në kishë, si kumbarë kanë qenë çifti francez De Guard, të cilët në atë kohë punonin në Konsullatën Franceze në Shkodër. Babai kishte dhe një motër, Gjystinën e cila u dorzua murgeshë dhe një vëlla, Angjelinin. Filipi u shkollua në shkollën Tregtare të Shkodrës të cilën e mbaroi në vitin 1920 nga ku u emërua si nëpunës finance në Bashkinë e Shkodrës.
Më pas Filipi punoi si Drejtor i Financave në Krujë, Lezhë, Pukë dhe Durrës. Duke qenë se ai ishte një ndër njerzit e besuar të Mbretit Zog, në vitin 1934 Filipi kaloi si kontigjent i Ministrsë së Brendshme dhe u emërua si nënprefekt në Delvinë, Ersekë dhe Konispol. Pasi punoi disa kohë si Kryesekretar i Prefekturës së Vlorës, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Filipi u pushua nga puna. Me ardhjen e gjermanëve ai u emërua nënprefekt i Lushnjes, ku punoi vetëm një muaj dhe u largua që andej pasi e shpëtoi qytetin nga djegia e gjermanëve”, e përfundon rrëfimin e tij Engjëll Çeka për babanë Filipin i cili gjatë viteve të regjimit komunist deri në 1960-ën, punoi si llogaritar në Korçë, Fush-Arrëz e Bushat, gjithmonë i survejuar nga Sigurimi, si ish-funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut.
— marrë nga Gazeta Shqiptare
Një “mbretni” e pazbulueme vlerash e patriotizmi në familjen Çeka
Në mes të ndërtimeve të shumta, të reja e moderne që hedhin shtat çdo ditë në qendër apo lagjet më periferike të Shkodrës, të bien në sy çatitë e vjetra karakteristike apo ndonjë avulli e naltë e mbyllun me derë të madhe oborri prej druri. Lulevilet, lulemustaku apo shërmasheku që dekorojnë zymtinë e këtyne mureve janë gja e zakonshme…
Në një kryqëzim të zhurmshëm mu në qendër të qytetit, pas mureve shekullore të arnueme rishtazi shihet pjesa e sipërme e një shtëpie të vjetër e karakteristike qytetare me dritare të vogla që duket sikur fshehin pas tyre një mbretni të pazbulueme e sende të panjohuna të kohës së kalueme. Nga rrethimi, duket se shtëpia ka pasë një derë të madhe druri, që nuk egziston ma dhe asht zëvendësue me një metalike të mirëmbajtun. Mbi derë asht fiksue një tabelë ku shkruhet… Monument Kulture. Mbasandej hapet një oborr ku dikur gjendej pusi e rrasa e pusit, e sot asht vetëm lugu prej guri të latuem ku gratë rrahnin me lopatën e drunjtë rrobat që lanin. Nga oborri duhet të përshkosh ahurin e vjetër, shkallaren me gurë të latuem për me hy në ambientet e shtëpisë së familjes Çeka. Engjëll Çeka, i zoti i shtëpisë, një burrë i mbajtun dhe shumë xhentil, më fton të futem në dhomën e ndejës për kafe. Me të hymë përballesh me atmosferën karakteristike të qytetarisë të mirëfilltë e një kulture familjare të pashoqe. Shtëpia e cila në vitin 1963 asht shpallë si Monument Kulture, mban mbi kurriz një histori rreth 270 vjeçare. Ajo asht e ndertueme me madhësinë e një kulle nga të parët e familjes Suma-Çeka, të cilët ishin tregtarë të njohun në qytet ku zotnonin shumë dugaja si dhe toka në rrethinat e Shkodrës. Familja trashëgon në historikun e saj kontribute të mëdha për kombin shqiptar dhe ka pasë në gjinin e saj figura të përmenduna atdhetare.
E gjithë rruga asht vendbanim i disa familjeve të vjetra e shumë të përmenduna qytetare si ajo Shiroka, Guga, Çoba, Suma, Shuli, Gjonej, Kraja, Kamsi… Shtëpitë e tyre të mëdha e me histori të randësishme për qytetin, janë të vendosë pranë njena tjetrës në një distancë sa mban oborri.
Sapo ngjitesh në katin e dytë, befasohesh nga bukuria e dyerve të vogla prej druni të gdhenduna me shumë mjeshtri e shije që zbukurojnë korridorin e errët dhe të naltë. Në një dhomë të madhe të katit të dytë të familjes Çeka, e cila asht e tana e veshun me dru të punuem, vihesh përballë dokumentesh e dëshmish historike e të bahet sikur je në një muzeum etnografie. Dokumente të cilët origjinalin e ka në zotnim Arkivi i Shtetit Shqiptar, por që Engjëll Çeka asht kujdesë t’i ketë dublikatë, zbukurojnë muret e dhomës-muze të familjes. Bukuria dhe eleganca e gdhënieve me imitacione lulesh, apo motive popullore të shumë formash e llojesh, i japin pamje madhështore ambientit. Në ballë, në mes të dy dritareve të befason me bardhësinë e elegancën e tij një oxhak karakteristik i punuem me mjeshtëri në gips nga mjeshtrat e përmendun dibranë.
Foto 1: Oxhaku
Kati i dytë ka tri dhoma karakteristike druri, por në dhomën e zgjedhun për muze janë të përqëndrueme për me ia kënaqë synin vizitorit objektet ma të aëndësishme që ka shtëpia. Mbasi kundrova me kënaqësi për një kohë të gjatë fantazinë e artin e derdhjes të figurave mbi sipërfaqen e oxhakut karakteristik, vendosa të kaloj një vështrim mbi fotografitë, dokumentat dhe stolitë e shumta që mbushnin ambientin.
Foto 2: Zbukurimet
Sapo të afrohesh pranë murit ku varen kornizat me fotografi e dokumenta të radhë, të bie në sy një letër e vjetër sa formati A4 e shkrueme bukur me dorë dhe që mban dt. 8 shkurt 1854. Letra emërtohet “Çertifikatë mbrojtjeje” (Patentë de Protection) lëshue Filip Sumës–Çekës, i lemë dhe banues në Shkodër dhe vërteton marrjen e tij nën mbrojtjen e konsullatës franceze të Shkodrës me të gjitha të drejtat sipas marrveshjeve që Republika e Francës kishte me Perandorinë Osmane. Dokumenti asht lëshue nga konsullata franceze dhe mban vulat e saj.
Foto 3: Çertifikata e mbrojtjes e Filip Sumës
Objekt tjetër interesant për t’u tregue asht edhe dokumenti shoqnues i medaljes së arit akordue Mikel Sumës–Çekës, i cili nderohet nga ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Franceze, për punën e tij të mirë si përkthyes i konsullatës në Shkodër në periudhën 1856-1895. Dokumenti mban mbishkrimin e Presidentit të Republikës Franceze Felix Faure, Paris 23 prill 1895 dhe i asht dorëzue atij nga konsulli i kohës Hecquard. Ky dokument asht kopjue nga origjinali i cili ndodhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë.
Një urdhën tjetër nderi për patriotin Filip Çeka që asht dhanë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, zen një vend të dukshëm në dhomë dhe mban datën 5.6.1978; me motivacion: Si aktivist i dalluar i lidhjes shqiptare të Prizrenit në vitet 1878-1881. Ka dhënë kontribut me pjesmarrjen e tij në luftën patriotike të masave popullore për mbrojtjen e tërësisë së tokave shiqiptare dhe për clirim kombëtar…
Foto 4: Medalja e Nderit nga presidenti francez
Foto 5: Urdhëri i Kuvendit Popullor për veprimtari patriotike për Filip Çekën
Në mes të këtyne margaritarëve historik gjendet një fotomontazh tepër i veçantë me të gjithë krenët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: Ali pashë Gucia, Jakup Ferri, Haxhi Zeka, Sulejman Vokshi, Mehmet Shpendi, Jusuf Sokoli, Kupe Danja, Nik Lekë Pepa e midis tyre, patrioti shkodran Filip Çeka.
Filipi ishte në përfaqësinë drejtuese të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën. Rroku armët dhe luftoi përkrah Jusuf agë Sokolit për Plavë e Guci si dhe për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët më 1879. Qe firmëtar i telegramit të peticionit që ju dërgua Kongresit të Berlinit kundër copëtimit të trojeve tona dy ditë mbasi u çel.
Foto 6: Patrioti Filip Çeka
Foto 7: Filip Çeka dhe udhëheqësit e tjerë të lidhjes së Prizrenit
U bana shumë kureshtar për foto-skanimin e një dokumenti shumë të vjetër që mbante datën 6 tetor 1854 i lëshuem nga përfaqësuesi i Propaganda Fides kardinal Faransoni. Në përmbajtje të dokumentit vërtetohet përfaqësimi nga zyra tregtare e Pjetër Sumës (Çekës) dhe familja e tij në Venezia, të interesave tregtare të Vatikanit. Dokumenti mendohet të jetë përdorë për arsye zhdoganimi dhe tatimesh nga zotnuesi.
Foto 8: Dokumenti i Propagandës Fide i firmosun nga Kardinal Fransoni për familjen Çeka
Vlerat tradicionale – etnografike të shtëpisë
Nisun nga këto vlera duhet theksue që të gjitha ambientet e shtëpisë janë të stolisuna nga punime dore, në dru, në gurë, apo në gips. Sipas dëshmive të paraardhësve të familjes Suma–Çeka, në qytetin e Shkodres ishte shumë e vleresueme puna e dorës e dy punëtorëve dibranë, mjeshtrave Jashar Xhani dhe Jashar Lleshi. Dy artistët endacakë dibranë njiheshin nga të gjithë si dy Jasharët. Ato kanë lanë gjurmët e tyre në të gjithë qytetin e veçanërisht në ato familje që dikur ishin në gjendje të mirë ekonomike, që ishin reshperët e kamun të qytetit.
Foto 9: Raft muri në dru të gdhendun
Foto 10: Dera e dhomës muze në dru të gdhendun
Foto 11: Fasada e dhomës dhe balkonet e grave në dru të gdhendun
Foto 12: Arka e nuses e punueme në dru dhe e pikturuem
Foto 13: Tavani në dru të gdhendun
Objekte të tjera zbukuruese me vlerë që trashëgon familja
Foto 14: Kuti druni e gdhendun me motiv biblik
Foto 15: Shishe e punueme në xham venecian
Foto 16: Tangari i prushit në bakër
Foto 17: Stufë metalike
Ndërsa po shkruaej këta rreshta për të promovue vlerat artistike, pasuninë intelektuale, folklorike dhe etnografike që kemi trashëgue, me të cilën mund të krenohet vendi, më zen turpi dhe ngashërohem kur kujtoj se në Shkodër mungon (një ndër shtëpitë më të bukurat në Shqipëri) shtëpia e heroit tonë kombëtar Luigj Gurakuqi. Edhe pse MONUMENT KULTURE QE MBROHET NGA SHTETI, ajo u braktis, u la në mëshirën e fatit për rreth 10 vite (deri sa u shemb vedit) gja që ngarkon me përgjegjësi shtetërore pushtetin lokal dhe atë qendror. Shumë brezni që vizituen këtë shtëpi-muze, në mes bukurive të shumta që ndodheshin mbrenda saj, mund të kujtojnë rrobet e viganit liberator Luigj Gurakuqi të shpueme nga plumbat e armës tradhëtare, të skuquna nga gjaku i tij. Do të ishte në nderin e çdo politikani që ky simbol i patriotizmit, arkitekturës, vlerave historike e etnografike të rindërtohet për t’u shndërruar në një institucion atdhetarizmi, ku brezat e ri të gjejnë vetveten.
… sa mirë do të ishte… sa kemi nevojë…
Wien, 19.5.2014
Përgatiti dhe përmbledhi Pjetër Logoreci