MARTIN CAMAJ, ENDE I PAZBULUEM

1
10150

Martin Camaj — nga Hans-Joachim Lanksch

Në nji shkrim të viteve tetëdhjetë, i ribotuem më 1994 te revista »Hylli i Dritës«, me titull KUTELI ENDE I PAZBULUEM, Martin Camaj kishte shkrue, ndër të tjera: »Kuteli na paraqitet si letrar e njeri kulture si vetje fort komplekse. Si i tillë, nuk i përket asnjë rryme letrare plotësisht apo mbetet mik tri ditësh, vetëm për kalim, kudo të vendoset mbrenda kallëpeve të –izmave. (…) Vepra e tij në tanësi mbetet e pazbulueme, nën hijen e vet.«

Nën hijen e vet mbetet edhe vepra e vetë Camajt. Mbas heshtjes kambëngulëse gjatë tanë periudhës së sundimit të Realizmit Socialist në Shqipni, lexuesit shqiptarë ndigjonin për shkrimtarin, gjuhëtarin dhe njeriun shqiptar me kulturë Martin Camaj (1925-1992) për herë të parë në vjetët e parë të »tranzicionit«. Dhe, sapo u kujtuen për nji përfaqësues të madh të kulturës shqipe në botën e jashtme, ky ndërroi jetë. Plot habi për asi »kolosi» të kulturës shqipe diku larg trojeve shqiptare e të pa hetuem nga publiku shqiptar, gazetarët, publicistët etj. shkruejshin shumë për tê, sidomos mbas vdekjes së tij të papritun.

Më 1996 në Tiranë u botue nji pjesë e madhe e veprës së tij letrare në nji botim të kujdesshëm e serioz. Megjithatê, botimi i pjesës së mirë të veprës letrare të Camajt duket se mbeti pa jehonë të fortë, ashtu si dhe botimet jo të shumta të përkthimeve në gjuhë të hueja. Poezia e Martin Camajt nuk e pushtonte terrenin e antologjive ku, fjala vjen, vargjet e Ismail Kadaresë dhe Ali Podrimjes zënë shumë mâ shumë vend sesa vjershat e Martin Camajt. Në veprat linguistike vazhdoi heshtja për emnin e albanologut Camaj, me ndonji përjashtim të rrallë siç âsht, bie fjala, »Dialektologjia« e Jorgji Gjinarit dhe Gjovalin Shkurtajt. Në periodikun letrar u ripërhapej heshtja e mâparshme.

Nga nji anë, njeriu s’ka qejf për me i ndryshue adetet. Gazetaria dhe publiku lexues ishin të mësuem me ushqim letrar që kapërdihet mâ kollaj dhe jo me poezi sikurse âsht ajo e Camajt – apo e Zef Zorbës a Primo Shllakut – që thotë shumë sepse flet pak. Gjuha e Martin Camajt mund të jetë nji si pengesë tjetër në përceptimin e veprës së tij e cila nga shumëkush apostrofohet si ikonë e lashtë dhe e vyer, por njihet bukur pak. Gjuha e kësaj vepre, ndonëse âsht nji gegnishte mjaft e moderueme, prapëseprapi e ballafaqon lexuesin jo vetëm me pasuninë e pazakontë të frazeologjisë së gegnishtes, por në radhë të parë edhe me jo pak lekseme pak të njohuna a të panjohuna – kjoftë nga leksiku i letërsisë së vjetër shqiptare, sidomos i asaj të arbëreshëve të Italisë, apo kjoftë edhe neologjizma të krijuem nga vetë Camaj.

Nga ana tjetër, Camaj, larg të bamave dhe klaneve letrare shqiptare, nuk e kishte reklamën që e kishin – dhe kanë – »emnat« e takëmit letrar të Shqiptarisë. Camaj nuk ka kenë »disident« zyrtar apo diç tjetër që mund të trumbëtohet nëpër pazaret e vatanit e të botës dhe që mund të profilohesh me tê a të përfitosh prej asaj.

Dromca kujtimesh për Martin Camajn

Çdokush që merret me figurën e shkrimtarit Martin Camaj has në surpriza të cilat janë, në të shumtën e herave, e kundërta e asaj që pritej dhe »dihej« për tê. Personi i Martin Camajt ishte i qetë, paksa timid, i padukë e modest, me plot dinjitet dhe krenari të natyrshme, shpesh ishte ndërdyzash, e kërkonte vetminë. Nga ana tjetër, i njêjti Martin Camaj, djalë bariu nga katundi mbishkodran Temal, e çau rrugën e vet me energji dhe vullnet të rrallë. I ndiqte dhe i diplomonte studimet universitare dy herë, luftonte me kambëngulje derisa ia arriti qëllimit me themelue dhe instalue në Munih profesurën e albanologjisë në kohë kur studime albanologjike universitare përveç në Shqipninë moniste kishte vetëm në Itali, Leningrad dhe SHBA, në kohë kur në Gjermani nuk kishte interesim për kopshtin shkambor të Europës, të panjohun e të bllokuem në aventura ekzotiko-groteske të nji diktature të luejtun mendsh.

Me gjithë dëshirën e tij për qetësi, Martin Camaj nuk mund të rrinte i ngujuem në izolim, i nevojiteshin kontakte të shumta me njerëz – me shokë, kolegë, bashkatdhetarë. Nji pjesë të mirë të kohës së tij i kushtonte letërshkëmbimit të gjanë dhe kohës së telefonave. Ai ishte, në të vërtetë, Njeriu më vete dhe me tjerë siç e thotë titulli i përmbledhjes së tij qendrore poetike.

Dihet se në Shqipninë e pjesës së dytë të shekullit XX kishte njerëz që hidhnin poshtë çdo mendim kritik për veprën e vet tue potencue se kênkan autorë »me famë botërore«. Ja, cili ishte qëndrimi i Martin Camajt. Autori i këtyne rreshtave, si student, kishte fatin e bardhë me mësue shqipen nga Martin Camaj. Nji ditë prej ditësh, gjatë pushimit dhetë minutash mes dy kursesh, tue u shëtitë në korridor para auditorit dhe tue bisedue për çkamos, profesori e pyeti studentin – me çka merreni në kohën e ngesë? Kur ky tha se me përkthimin e poezisë, Martin Camaj tha – punë interesante. Mbas nji pauze shtoi, me zâ të ulët – unë shkruej. Mbas nji pauze tjetër, studentit të shastisun i tha – jam shkrimtar shqiptar.

Martin Camaj ishte bashkëbisedues për mrekulli. Në radhë të parë, ai dinte ende artin pothuej të shuem me ia vû veshin tjetrit. Nuk mbahej si profesor, por si mik. Për hallet personale të studentëve e bashkëpunëtorëve shpesh kërkohej këshilla e tij. Në çdo situatë ai e gjente fjalën e qëllueme ngushëlluese, inkurajuese a paralajmëruese. Si në poezi – ku në fazën e pjekunisë së tij krijuese e peshonte çdo fjalë e çdo rrokje – ashtu dhe në bisedë a diskutim Martin Camaj ishte fjalëmatun. Para se me u përgjigjë, shpesh binte në heshtje, mendohej për nji copë të mirë here, pleqnohej me vete dhe, mâ në fund, jepte përgjigje kryekëput të papritun, jokonvencionale, origjinale. Ashtu si poeti Martin Camaj nuk merrej me të shkruemit të cekët, në bisedë personale kurrë nuk mori ndonji qëndrim të pamedituem, të pamenduem a të përciptë.

Ai ishte nji qenie rebeluese që i çmonte traditat, vërtet, dhe nuk i duronte konvencionet. Në poezi, mbas librit të parë bukoliko-konvencional, “Nji fyell ndër male”, Camaj filloi me u çue në kambë kundër kallëpit të poezisë së traditave të vyshkuna dhe arriti shpejt te vargu i lirë të cilin e përpunonte, zhvillonte, kultivonte, lëmonte deri në shkallën e përsosmënisë. Në jetë private, thoshte shpesh se i urrente thellësisht konvencionet dhe mendjengushtësinë e »filistinjve«. Ai vuente nga horizonti mendjendryshkun i njerëzve mikroborgjezë. I përshtatej mjedisit tek gjindja llafoseshin me orë të tana për gjana, të cilat ai i sqaronte me nji fjali të vetme; i përshtatej asi mjedisi, por me zor dhe me mall për gjanësinë madhështore nën kupën e qiellës së pafund mbi bjeshkët mbishkodrane.

Camaj i epitetizuem

Martin Camaj nuk iu përgjigj shabllonit prej »emigranti«. Kishte nji qëndrim bukur të kjartë rreth komunizmit, por nuk ishte i mbrujtun nga konservatorizmi syplasun, siç donin qarqe të përcaktueme me e paraqitë atê. Nuk birrte kohë, si ca e ca të tjerë, me të shkruemit e shkrimeve aq të flakta sa dhe të kota për punë politike e patriotike. Simbas bindjes së tij »nuk jam njeri i politikës, por jam njeri politik«, u rrinte larg grupimeve, rrymave e partive politike të mërgatës. Nuk andërronte për Shqipninë e Madhe, as për Mbretninë e Shqipnisë dhe as për zbarkime parashutistash. Vetëm kah fundi i jetës, i lodhun nga përjetimi shumëdekadash i sundimit të paligjshmënisë si në Shqipni ashtu dhe në Kosovë, shpresonte fort te forcat politike që vetes ia vunë emnin »demokrat« dhe atyne u sinjalizonte simpati. Camaj nuk ishte i detyruem të shihte se çfarë kishte me u bâ mâ vonë nga këto forca dhe përçapjet e tyne politike – mbas rrëzimit zyrtar të monizmit u shue jeta e tij mu në kohë kur viheshin filizat e para të reja mbas regjimit, i cili e kishte bâ Camajn me e lëshue vendin e vet amë.

Si poet, mbas përpjekjeve fillestare deri në moshën përafërsisht njizetvjeçare, nuk jepej mbas nostalgjisë anakroniste kronike sikurse e ka zakon shumëkush nga radhët e shkrimtarëve në mërgim.

Në këtë mes ia vlen me përmendë mendimin bukur të çuditshëm të nji eksperti gjerman. Kur ishte fjala për botimin eventual të veprës “Njeriu më vete e me tjerë” pranë nji shtëpie botuese në Austri, botuesi kërkoi mendimin e nji specialisti gjerman në fushën e letrave shqipe, i cili e vlerësoi librin në fjalë si letërsi të demodueme, të prapambetun e të parandësishme rurale. Në vend të veprës së Martin Camajt u botue nji varg librash të shkrimtarit kolosal Kadare. Në librin e refuzuem, Martin Camaj kishte shkrue nji vjershë “Nji poeti të sotëm”. Vjersha, me të vërtetë, mund të zbatohet për vetë autorin e saj, ku thotë, ndër të tjera:

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,

zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull

akull
ndonëse nën shtatë lëkura.

Jo vetëm në lidhje me poezinë »rurale« Martin Camajt i janë ngjitë epitete, etikete dhe klishe nga mâ të ndryshmet e të pavërteta.

Poeti »folklorik« – ky vlerësim dhe as nuk meriton ndonji koment përveçse me ua hedhë nji sy pak mâ serioz përmbledhjeve “Njeriu më vete e me tjerë”, “Nema”, “Buelli”, “Dranja” (poezi në prozë) dhe “Palimpsest”.
Camaj »patriotik« – kategorizim ky që âsht jashtëzakonisht pa vend dhe i pamend. Martin Camaj ishte njeri normal, e donte vendlindjen dhe e kishte mall, por jo vetëm se në jetën private nuk merrte pjesë në organizime, tubime, kuvende etj. patriotike, por as si poet dhe prozator nuk merrej me trumbëtimin e kumtimeve patriotike. Përkundrazi, edhe shumë mâ shumë nga konvencionet shoqnore i urrente, siç e formulonte vetë, »fjalët e mëdha«. Patriotizmi, dihet, fjalët i ka të mëdha. Camaj nuk e pëlqente fort pompozitetin e frazave patriotike.

Vepra e tij e fazës së pjekurisë së plotë krijuese, vërtet, duket me kênë e ndërthurun me erën e bjeshkëve të vendlindjes së Camajt. Mirëpo, poeti s’na e parashtron inventarin e peizazhit a të jetës në botën reale të Dukagjinit, përkundrazi, aso elementesh ka pak në poezinë e Camajt, por gjuha që e përdor e rrezaton atmosferën e mjedisit ku flitet ajo. Dhe, edhe mâ tepër, vetë formulimi i të folunit poetik, zani i përqendruem eliptik, lakonik dhe lapidar i poezisë së tij, vetvetiu na e shfaq frymën e të qenunit malësor shqiptar. Ky tipar i poezisë camajane jo vetëm që s’ka gjâ me bâ me patriotizmin shqiptar, por âsht njêna e shtresave – nji shtresë e randësishme, vërtet – të poezisë shumështresore të Martin Camajt. Lirikat e tij mundet me i shijue edhe lexuesi dashamirës i poezisë që nuk ka as habër për Shqipninë dhe as që s’interesohet për tê. Për cilin ndër »emnat« e sotëm në letrat shqipe mund të thuhet që ka lexues potencialë universalë, d.m.th. shkëputë nga informimi resp. interesimi për hallet shqiptare?

Martin Camaj nxehej kur po botohej diku edhe nji herë vjersha e tij e vetme me frymëzim »patriotik«, “Vendit tem”. Zemërohej sepse e merrnin para sysh mu atë vjershë, tue i lanë mbas dore të tjerat. Kur u botue antologjia e parë dhe e vetme e poezisë shqipe në gjermanishte, ku ai u përfshî me nji vjershë të vetme d.m.th. me »Vendit tem«, tha se u shti mbrenda pikërisht »vjersha ime mâ atipike«.

Shkrimtari »katolik« – rreshtim që tingëllon bukur, por nuk qëndron. Martin Camaj ka kênë katolik, i ka përkitë traditës katolike dhe ka kênë nxanësi i kolegjit jezuit dhe shkrimtar. Ai ka kênë i brumosun me dijeninë dhe kulturën e klerit katolik, prej fratënve jezuitë kishte mësue kjartësinë e të menduemit. Klerikët katolikë, ndër të cilët ka pasë shumë shokë e miq, ia kanë kthjellue mendjen dhe ia kanë hapë rrugën në botën e shkencës e të artit. Mâ shumë lidhje me katolicizmin nuk ka. As në poezi dhe as në prozë nuk ka shfaqë ndonji orientim që mund të quhej »katolik«, pa lëre që do të kishte përfshî ndonji tematikë katolike. Si person, nuk fliste për fenë, gjâ që nuk duhet me kênë kuptimplote. Sepse, për gjânat që i kishte në zemër mâ së shumti, ai fliste mâ së pakti. Për këso gjânash, Martin Camaj thoshte vetëm nji fjalë a gjysmëfjali. Këshilla mâ me peshë që më ka lanë amanet ishte katër-rrokjeshe dhe e tha me zâ shumë të ulët, memzi e ndigjova – mos m’u përlye.

Ta shtrojmë edhe në këtë mes pyetjen, se cili ndër »emnat« e sotëm të mëdhenj e të vegjël…?!

Poeti Camaj »i ndikuem« nga Ungaretti. Duket se puna e »ndikimit« ungarettian ende s’âsht studiue si dhe sa duhet për me dallue se sa dhe cilat ndër dukunitë e »hermetizmit« camajan rrjedhin nga ndikimi i Ungaretti a Quasimodo dhe sa a cilat rrjedhin nga themeli i poezisë së Camajt, nga traditat gojore të mbishkodrës, tue u puqë me procedeun poetik të Ungaretti.

Po japim veç nji kujtim anekdotik e të vërtetë. Nji ditë prej ditëve, kur kemi kênë tue ndejtë dhe tue folë për poezinë e tij, ia tregova nji vjershë të poetit Giovanni Pascoli, së cilës i ngjan dukshëm poezia e Camajt “Mospërfillje”. Përputhjet janë të forta. Ai qe i hutuem, heshtte, mejtohej dhe tha – nuk dij, nashta e paskam lexue dikur, herët, në shkollë, dhe m’ka mbetë si reminishencë këndimi.

Pa marrë para sysh nëse âsht fjala për nji rast poligjeneze a për shkrimin e Mospërfilljes mbi sfondin e nji reminishence të pavetëdijshme, Mospërfillja âsht poezia e Martin Camajt me gjuhë e strukturë të ligjëratës së tij poetike.

Poeti i dihotomisë

Në jetën e Martin Camajt kishte plot kontraste, shpeshherë përjetonte kontradikta, thyemje dhe të qenët Mes dy botnave. Qysh në ditët e djelmnisë, Camaj e lëshoi familjen dhe botën që e njihte.

Dheu im âsht i përmendun
për humneret e thella
ndër banorët e malit e të fushës

Nga bjeshkët zbriti në fushë, katundin e shkëmbeu me qytetin dhe jetonte jo mâ në kulturën e katundit malor por në mjedis urban, në botë që ishte e huej për tê. Mbas shkollimit, u kthye prapë në malet e mbishkodrës dhe punonte mësues në shkollën fillore që e kishte themelue ai vetë. Pas pak kohe, mori malet dhe mbas disa muejsh mori dheun ndër sy. Prapë jetonte nji kohë në botën malore, në Mal të Zi, dhe prapë iku në fushë, në ambient urban të Beligradit. Mbas disa vjetësh iku prapë mâ larg, në Romë të Italisë. Atje hasi në nji si kokërr vendlindje në personin e Ernest Koliqit dhe, gjatë qëndrimeve të shpeshta në Kalabri dhe Siqeli, tek arbëreshët e Italisë.

Mirëpo, nuk ngulitej as atje, por u nis edhe nji herë për në stacionin e fundit në kërkimin e nji votre të jetës së tij. Aty, në Munih dhe Lenggries të Bavarisë u rrumbullaksue rrethi i jetës prej shtegtari dhe kërkuesi e gjurmuesi, jetë kjo që kishte fillue në malësi mbishkodrane si djalë bariu. Më 12 mars 1992, mori fund jeta e kapacitetit ndërkombëtar në shkencat albanologjike dhe poetit mâ të madh shqiptar në pjesën e dytë të shekullit të kaluem.

Martin Camaj i përjetonte kontrastet mes botës së njohun dhe të huej, mes veriut dhe jugut, mes ngrohtësisë dhe ftohtësisë, dritës dhe territ, mes të qenunit mbarë e të qenunit prishun. Mbas mureve të kolegjit jezuit në Shkodër e përjeton kontrastin mes gjallësisë e qetësisë, mes aktivitetit dhe kontemplacionit, tërhjekjes dhe ecjes përpara. Parimi binar me dalë përjashta në mes të të tjerëve dhe me u tërhjekë në vete ka me u bâ njêni i elementeve mbizotnuese të poezisë së tij.

Në gjimnazin klasik, Martin Camaj has dhe në kontrast mes së lashtës dhe së resë, mes gjuhëve antike dhe moderne, letërsisë së traditës dhe të së tashmes. Mâ vonë, në studimet e doktoraturës, përsëri has, kësaj here shumë konkretisht, në polaritet të së resë me të vjetrën: ai merret me palimpseste tue kërkue nën kapakët e librave të rinj dëshmitë mâ të vjetra të shqipes së shkrueme.

Në poezi, Camaj e kapërcen kundërshtimin mes së vjetrës e së resë tue u mbështetë mbi struktura dhe trajta arkaike traditash gojore shqiptare dhe tue i përdorë si katalizator të modernitetit të poezisë së tij »hermetike«. Kah fundi i jetës, Camaj u kthye edhe nji herë te tema e së resë e së vjetrës tue ia kushtue nji përmbledhje vargjesh me titull kuptimplotë “Palimpsest”.

Parimi dualist në veprën e Martin Camajt pasqyrohet edhe në preokupimin e tij të dyfishtë me dukuninë e gjuhës, nga nji anë në fushën e shkencës dhe, nga ana tjetër në atë të artit. Mirëpo, jo vetëm se me gjuhën merret me bipolaritet gjuhësi-letërsi, por në laminë e letërsisë merret edhe me dyformësinë poezi-prozë. Dy vepra, Djella dhe Dranja, priren kah simbioza a sintheza e dy zhanreve. Në raste tjera, në njênin zhanër shprehte se ç’nuk mund të shprehte në atë tjetrin (Njeriu më vete e me tjerë / Rrathë).

Për poetin nga bjeshkët e Temalit, bota ishte nji si arsenal shenjash, kurse letërsia për tê ishte nji mjet për me u dhanë shenjave nji tingull nëpërmjet fjalës. Camaj ishte nji poeta doctus, i cili e dinte mirë që gjâsendet kanë nga nji emën. Në saje të gjuhës së poezisë së tij, ai donte me ua dhanë zâ emnave. Në poezinë Synkopë (nga përmbledhja Nema) tingëllon –

zani në fjalë
në një teh brisku
germa t’imta
thnegla varg
në një fill pêni
jetë mbas jete.

Në çiftet binare SHENJË / TINGULL dhe EMËN / ZÂ hasim dy fjalë kyçe të poezisë camajane. Fjala »tingull« ishte fjala mâ e preferueme e Camajt. Për fjalën »zâ« shkruen në hymje të Palimpsesit: »Për botën nga vi unë zani ishte gjithçka, sinonim me përjetësinë, kujtesën, me kangën …« dhe e thekson »papajtimin e zanit me shenjat apo çka janë shkrojat e nji libri të lashtë, që në të vërtetë e përjetësojnë zanin e shuem para sa e sa shekujsh«.

Tue marrë para sysh numrin e madh polaritetesh, s’âsht çudi nëse në lirikat e Camajt prapë e prapë duken motive të ndamjes me dyshë: »gjysma akull e gjysma diell«, »Zemra ime asht e ndame dyshë / dyshë mes dy dhenash / dyshë mes dy kohnash / dyshë mes dy shijeve«, »Çdokush ka dy shtigje para«. Ndamjen më dyshë – ndamjen mes integrimit në dheun e huej dhe shkëputjes nga dheu i vet – e tematizonte disa herë në poezitë për mërgimtarin.

UNTERFUEHRUNG

Erdhi pa e thirrë
kushedì se kàh

Në natë e rroku galeria
me katër krahë muresh
në dy anë, një poshtë
e një nàlt,

katërfish e ndritun
krejt flakë.

Dý kambë e një hap
pa hije përbri
e përcjellin nën tokë
nëpër shkam,
qytèt në qytèt.

Në njênën sosh, poeti e citoi tekstualisht fjalën gjermane Unterfuehrung. Camajn e fascinonte kompozita »unter-fuehren« (»kalon nën tê«). Fascinimi i fjalëve, tingujve dhe tonaliteteve të gjuhës na çon deri te thelbi rreth të cilit qarkullonte jeta dhe puna e Martin Camajt. Për tê, gjuha ka kênë jo vetëm hallka mes artit letrar dhe shkencës gjuhësore, por edhe hallka ndërlidhëse me vendlindjen. Në letërsi, Camaj nuk i krijonte vetes njifarë surrogati vendlindjeje dhe as ndonji mitifikim me ngjyrosje folklorike. Vendlindjen e sillte ndër mend me anë të dendësimit të poezisë së tij të kristalizueme në trajta eliptike. Vendlindjen e gjente kudo në botë në rrâjët që s’mund t’i shkulë asnji regjim në botë: në gjuhë. Vjersha e poetes gjermane Rose Auslaender Mëmëdhe:

Vatani më vdiq

dhe e varrosën
në zjarr

Po jetoj
në mëmëdheun tim
në fjalë

për Camajn mund të modifikohet në mënyrë që për tê vendlindja e vërtetë ishte gjuha amtare.

Në çdo moment dhe në çdo vend, për Martin Camajn gjuha ka kênë edhe nji lloj kthimi. Vjersha e fundit e përmbledhjes së fundit poetike të Camajt na e vë në dukje kthimin te zanafilla:

DIPTIK

Ishte koha me kthye andej kah erdha
te zanafilla dhe e mbylla librin
si mbyllen dý flegra dritaresh
dhe më doli para kuadri diptik
i thyem midis prej një kurrizorje
ashti njeriu

dhe në tê pasqyra e jetës ndá përgjysë
poezí në dy fletë ku çdo fjalë rrinte
në shërbim t’idesë ”palimpsest”.


Vepra letrare e Martin Camajt:
1953 – Në Prishtinë boton vëllimin e parë me poezi me titull “Nji fyell ndër male”.
1954 – Del vëllimi i dytë me poezi, “Kanga e vërrinit”.
Mâ vonë, autori distancohet nga dy vëllimet fillestare dhe konvencionale.
1958 – Në Romë botohet “Djella”, roman me intonim poetik dhe i përshkuem me vjersha.
1964 – Në Romë dalin “Legjendat”.
1967 – Në Munih dalin, si botim i autorit:
“Lirika mes dy moteve”, kryesisht vjersha të përpunueme nga faza e mâparshme
“Rrathë”, roman
“Njeriu më vete e me tjerë”, poezi.
1981 – Poashtu si botim i autorit dalin në Munih:
“Shkundullima”, novela dhe nji dramë
Poezi 1953-67, vjersha të zgjedhuna
“Dranja. Madrigale”. Prozë poetike.
1985 – Me titull “Poesie në Palermo” botohet përkthimi mjeshtëror i librit “Njeriu më vete e me tjerë” nga Francesco Solano.
1987 – Në Munih, Camaj boton librin “Karpa”, në të cilin eksperimenton me elemente të romanit fantastik.
1990 – New York. Në edicionin shqip-anglisht (përkthyesi: Leonard Fox) Selected Poetry botohen për herë të parë dy ciklet poetike “Nema” dhe “Buelli”.
1991 – New York-Munih: “Palimpsest”, poezitë e fundit të botueme nga Martin Camaj, prapë si botim dygjuhësh shqip-anglisht me përkthimin e Leonard Fox.
1991 – Në Munih del vëllimthi “Gedichte”, botimi i parë në gjermanishte.
1993 – Në Cosenza (Kozencë) të Italisë botohet drama “Kandili Argjandit”, në të cilën Martin Camaj punonte akoma në shtratin e vdekjes.
1994 – Në Prishtinë del “Djella”, version i përpunuem nga Camaj i romanit të vjetit 1958.
1996 – Në Tiranë botohen pesë vëllime me nji pjesë të veprave të Martin Camajt. Edicioni âsht parapa me përfshî nantë vëllime. Botimin e përkrah Ministria e Kulturës. Kështu merr fund anatemizimi i disa dekadave i Martin Camajt.
Mbas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare më 1997 thuhet se: »Martin Camaj nuk botohet më«.
1998 – Në Munih del përkthimi gjermanisht i “Palimpsestit”, përkthye nga albanologu prof. Wilfried Fiedler.
1998 – Në Tiranë, Martin Camajt i jepet post mortem nderimi mâ i nalt letrar i Republikës së Shqipnisë, Penda e Artë. Çmimi Penda e Artë jepet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Shqipërisë. Martin Camaj âsht laureati i parë.
Nji ditë para dhanies solemne të Çmimit, njoftohet tërhjekja e tij, dmth. se Çmimi nuk i jepet Martin Camajt.
1999 – Në Klagenfurt del përkthimi gjermanisht i vëllimit “Njeriu më vete e me tjerë”.
2000 – Në Pejë, redaktue nga Rexhep Ismajli, del vëllimi “Lirika”, botimi gjer më tani mâ i plotë i poezive të Martin Camajt
2000 – Vepra e Martin Camajt përfshihet në ekspozitën “Fremd(w)orte. Schreiben und Leben – Exil in Muenchen” në arkivin letrar të qytetit Munih, “Monacensia”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.