DED GJO’ LULI, PUSHKË E NGREHUN PËR SHQIPËRINË

0
3033

Ded Gjo Luli - luftëtar i lirisëHISTORI SHKODRANE
Vrasja e Gjelosh Lulit
Persekutimi i familjes së Bajraktarit të Hotit
Masakrimi i Marash Vatës
Lekë Vojvoda i Dukagjinit

— nga DALIP GRECA

Ded Gjo Luli, shkru ka letër,
t’parit Shkodrës o ia ka çu,
Se Shqipnia nuk don tjetër,
veç don vedin me e sundu…

— vargje të këngës popullore.

Kur i patën thënë Plakut të Flamurit, Ismail bej Vlorës, i cili e kishte përcjellë Dedë Gjo Lulin vetë deri tek dera,- pse i batë aq nderime këtij katundari malëcor?, ai i qe pergjigjur:

Dedë Gjo’ Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë.

Dhe ashtu mbeti, deri në çastin e fundit, në moshën 75 vjeçare, kur i organizuan kurthin në Orosh. Ai edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëruan miqtë që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vënd të prijësëve, i doli përpara kapiteni serb, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin: – paskemi mbarue! Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me pesë mirditorët, nuk e lëshoi veten. Trupin e tij e gjetën pas dy javësh dhe e varrosën në kishën e Oroshit.

Për të kuptuar përmasat e figurës së Dedë Gjo’ Lulit, për të prekur simbolin e mburojës kombëtare, mjafton të sjellim për lexuesit vargjet e shkruara më 1913 nga poeti dhe studiuesi Risto Siliqi:

Ah, Qe prap don’ t’na dajnë copa!
Prap mendimi i parë asht ngjallë!
Por ta marrë vesh gjithë Evropa:
Dedë Gjo’ Luli prap asht gjallë!

Falë trimërisë së malësorëve, fqinjët ishin zmbrapsur nga trojet tona përmes pushkëve që mbaheshin në krah. Dedë Gjo’ Luli me djemtë e Hotit e kishin ngritë Flamurin e Skënderbeut, shumë më heret se sa në Vlorë. Madje në fund të marsit – fillim të prillit, ai gatit për ta shpalos për të dytën herë mbi Deçiç. Palokë Traboini, që më 1911 kishte sjellë tre flamujë prej Vjene; njërin ia kishte dorëzuar Dedë Gjo Lulit, të dytin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit. Në librin “Lufta për çlirim kombëtar” të P. Pepos, kjo ngjarje është përcjellë me emocion: “Ditën e dielë, më 6 prill 1912 u mblodh popull i madh të kisha e Traboinit, Kol Ded Gjoni me urdhën t’tet, Dedë Gjo’ Lulit, e hapi flamurin kuq e zi. U ba nji rreth i madh njerzish e Kola tha: “Shiqo popull! Nji ky asht flamuri i Shqipnisë, i kuq me shqipe të zezë me dy krena”. Të gjithë ndenjën pa za. Mandej u ba një batare pushkësh e ushtuen malet për rreth. Hare ma të madhe s’ishte pa ndonjëherë ndër Hot…”

Ndersa mësuesi, poeti dhe luftëtari i lirisë, Palok Traboini, çastin e sjelljes së flamurit e ka perjetësuar në vargje:

Tue krisë pushka shpat e n’shpat
Një djalë Hoti vjen prej larg
Pa pikë frymë prej Dalmacisë
Ded Gjo Luli ku e ka nisë
Me pru flamurin e Shqipnisë.

Dedë Gjo’ Luli duket se kishte lind me pushkë, (Jo vetëm pse lindja e djalit u përcoll me batare pushkësh) por prova e parë trimërisë së tij përcaktohet pjesëmarrja në betejen, që u zhvillua në ndihmë të Oso Kukës. Atëherë nuk ishte më shumë se 21 vjeç. Epopeja që shkroi trimi Oso Kuka në Vraninë, i cili pasi luftoi deri në fymën e fundit kundër malazezve, nuk u dorzua i gjallë, por i vuri zjarrin kullës. U shkrumbëzua dhe la pas këngën – epope të trimave, këngë që mbajti gjallë jo vetem emrin e trimit, por dhe vetë historinë e shkruar përmes vargjesh që rapsodët thurën për trimat. Epopeja që shkroi Oso Kuka, i mëkoi trimat e Dedë Gjo Lulit me më shumë atdhedashuri,- u përcolli në ashtën trimërore malësorëve më shumë ndjesi vetmohimi për komb e atdhe. Ndër luftëtarët që i kishin ardhë në ndihmë Vraninës, binin në sy shumë hotianë dhe malsorë të Grudës, ndër ta dhe djaloshi 21 vjeçar Dedë Gjo’ Luli. Ajo ditë është quajtur nga bibliografi i tij (P.Doçi) si dita e pagëzimit në zjarrin e luftës. Ishte një sprovë që i dha emer prijësit të ardhshëm të maleve.

Ai lufoi si titan kundër malazezëve dhe emrin do t’ia përmendinin për shumë kohë ndër ato anë. Trimi kishte treguar zotësi, urtësi dhe shkathtësi në luftën ballë për ballë me armikun. Dhe që nga ajo ditë, kur dëgjoheshin lajme lufte, malësorët thërrisnin: hej të lumtë pushka, Dedë Gjo’ Luli! Ku kërciste pushka për “komb” e “Shqipni” në krye ishte ai, trimi i Gjo’ Lulëve. Në të gjithë malësinë e Shqipërisë së Veriut, Hoti ishte bajrak me emër, bajrak i parë, prandaj ai përfaqësohej në të gjithë kuvendet. Edhe në Lidhjen e Prizrenit, Hoti pati përfaqësuesit e vet, mes tyre ishte dhe prijësi i ardhshëm Dedë Gjo’ Luli, i cili ende nuk ishtë bërë aq i njohur, por pushka i ishte ndjerë. Pjesmarrja e tij ne Kuvendin e Lidhjes, ballafaqimi me patriotet e medhenj te Rilindjes, te penës dhe pushkës, ishte më shumë se një shkollë për rrugën e vështirë nëpër të cilën do të ecte trimi i maleve, nën hijen e pandashme të pushkës.

Pas Kuvendit ai do të ishte i kudogjendur në mbrojtje të trojeve kombëtare. Vihet në vijën e parë të frontit kundër malazezëve, të cilët kërkonin të zaptonin e shkëpusnin copa nga trungu i memëdheut. Lufta po e piqte djaloshin e Hotit. Ai ishte jo vetem në krye të luftimeve, por edhe përkrah lëvizjeve diplomatike të kohës. Ishte mes atyre që u kërkonin konsujve europiane në Shkodër, të respektoheshin të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e të parëve të tyre. Në letrat që malësorët i drejtonin konsujve, e bënin të qartë betimin se asnjë copë tokë nuk do të lëshonin pa luftë. Në letrën që iu çua i ambasadorit të Austrisë, me 1 mars 1880, malësorët shkruanin: “…Të jeni të sigurtë se po të ndodhë kjo padrejtesi që nuk e besojmë, do të ndodhin medoemos gjana të papëlqyeshme…” Në letër malësorët përcjellin mendimin e tyre se ata ishin të vendosur që të jetonin të patundur në viset e të parëve. Por fuqitë e Mëdha e kishin shitur Shqipërinë. Trojet kishin dalë në ankand.

Me 4 prill një tjetër letër u është drejtuar konsujve në Shkodër. “Na dëshirojmë me jetue e me gëzue lirinë për të cilën jemi kryenaltë; na nuk kishim ndejë pa kundërshtue, cilindo qoftë për ndërrimin e fatit tonë. Prandaj kemi vendose me derdhë pikën e fundit të gjakut tonë para se me hy në zgjedhën e huej. Ideja kombëtare na bashkon për mbrojtjen e Atdheut tonë…” Por dukej se Evropën nuk e linin këmborët e fqinjëve tanë, që të dëgjonte zilet e shqiptarëve. Pazarllëqet ishin bërë me kohë. Sidoqoftë shqiptarët pushkët i mbanin ngrehur, gishtin në çark.

Deda ishte si gjithmonë në krye të luftëtarëve. Ai dha një kontribut të çmuar për mirëkuptimin e prijësve shqiptarë, mes të cilëve nuk mungonin dhe grindjet. Kronistët kanë shkruar se ai u priu forcave shqiptare, që pritën me pushkë ushtrinë e madhe të Malit të Zi, të cilën e udhëhiqte Vojvoda Mark Milani. Deda në krye të 18 trimave të zgjedhur prej Hotit dhe Grudës, ishte shkëputur dhe doli përpara tek ura e Rrzhanicës. Këmbë serbi nuk e kaloi urën. Ushtria e Knjazit u kthye mbrapsht, duke mos u mbuluar me lavdinë e fitores së munguar, ndërsa malsorët shkruan një faqe tjetër të ndritur në historint e Shqipërisë. Dedë Gjo’ Luli kishte kaluar me sukses një provë tjetër. Pas thyerjes së Lidhjes, shumë luftëtarë nuk i ulën armët.

Valiu i Shkodrës nuk i ndërpreu përpjekjet e tij për të futur nën sundim me ligjet e Turqisë malësorët. Përveç dëshmive dhe kronikave të përcjella, nga shtypi i kohës, përsëri na vjen në ndihmë Palokë Traboini me poemen “Lufta e maleve”, i cili jep përmasat e figurës shumë popullore, Dedë Gjo Luli:

Kjo malsia kur ndigjoji
Dedë Gjo Lulit fjalë i çoi,
Çoi me e thirrë e me e pyet’
………………………
Dedë Gjo Luli trim dai,
qi s’i lè shoqi n’Malsi
bashkë me fise ban davi:
“Unë i herë, thom sa për veti,
armët e brezit nuk i hjeki…

Dhe kështu ndodhi. Ai mbeti tërë jetën me pushkën krahut. Ashtu siç luftoi pa e njohur kompromisin me pushtuesin turq me 1911, ku ai spikat si një ndër figurat kyç të kryengritjes, po ashtu kishte luftuar dhe kundër malezezëve me 1880-1881. Ai ishte mjeshtër i rrallë i shfrytëzimit të terrenit që e njihte me pëllëmbë dhe asnjëhere nuk u korit përballë armikut.

Në këngët e popullit është gdhëndur si një hero legjendar, që mundi dhe gjeneralin me akademi Shefqet Turgut Pashën, i cili në krye të katër divizioneve, 16 batalione, msyni malet. Gjenerali që qe shprehur se Ballkani ishte i vogël për me provue aftësitë ushtarake, do të ndjehej i poshtëruar nga sfida që i bënë 3500 shqiptarë të armatosur me ca pushkë të vjetra, të cilët vertetë e humbën në fillim orientimin, se viheshin për herë të parë përballë mitralozëve që përdornin turqit, por shpejt do ta bënin gjeneralin që të kthehej me turp. Të njëjtën sfidë do t’i rezervonin trimat edhe Abdulla Pashës.

E tërë jeta e Dedës dhe familjes së tij është një shembull i papërsëritur atdhetarie. Një familje gati e shuar, por një familje, që kujtohet e nderohet për bëmat në ëmër të Atdheut. Kur do të binte i pari i dëshmor i fisit, Nik Gjelosh Luli, ai që më 6 prill 1911 kishte hedhe për tokë flamurin me gjysëm hënë, Deda do ta ndjente shtypjen e zermës prej dhimbjës. Por ai nuk do ta jepte veten as kur i dhanë gjëmën e rënies së të birit, Gjergjit, 22 vjeçar. Në betejen e 29 gushtit 1912, kishin rënë shumë luftëtarë. Kur do t’ia jepnin lajmin Dedës, për të mos e lënduar, i thanë:

– Dedë, kanë mbetë 20 hotianë në fushë të luftës.
– Po burrat në luftë do të mbesin, qe përgjegjur ai.
– Po mbeti dhe djali yt, Gjergji.
– Po dhe ai djal nane ishte, qe përgjigjur Deda, duke e gëlltitë dhembjen.

Pas tre vjetësh do të vritej vetë Deda, shtator 1915. Djali tjetër, krahu i djathtë i tij ndër beteja, Kola, do të jepte shpirt tre vjet pas të atit, me 1918, i helmuar. Më 1920, në verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i djathtë i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.

Nga ana e saj Shkodra e nderoi vetmohimin e familjes Gjo’ Luli. Në maj të vitit 1923, me përpjekjet që banë e bija Nareja dhe e reja Nora, (Bashkëshortja e Kolës), u bartën prej Oroshit eshtrat e Dedës dhe prej Vlore ato të Kolës dhe u sollën në Shkodër.

Mitingu i përmortshëm i përcjellë nga i shtypi i kohës ishte i jashtëzakonshëm.

Shkodra nderonte ata që gjakun nuk e kishin sakrifikuar për Atdhe. Në gazetën “Ora e Maleve”, (Viti 1923, nr. 8) përcillen fjalët e Gjok’ Lulit: ”Të falem nderës, moj Shkodër… Por ma tepër të falen nderës edhe gurt e Hotit. Nuk e kam besue se i dini këto punë e pasha këto eshtna që kena përpara edhe sa mashkuj, që të kenë pesëqind shtëpi në Hot kanë me dekë për Shqipni!”

Ndërsa deputetët shkodranë nga Tirana nisen telegramin: “Bashkohemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Dedë Gjo’ Lulit, tue krye detyrën e mirënjohtësisë ndaj Fatosit të Pavdekshëm që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë se Atdheut mbi krepat e përgjakun të Malcisë së Madhe. Si përfaqësues të Shkodrës lutemi na zevëndësoni në ceremoni.” Ceremoninë e përshëndetën edhe shumë shkodranë që jetonin në Tiranë.

Në një telegram të tyre shkruhej: “Ditën kur Shkodra kryen detyrën ndaj Dedë Gjo’ Lulit, që gjithë jetën ja kushtoi atdheut dhe ushqeu në gjak lirinë, zemrat tona rrahin përnjëherë me ato të bashkëqytetaseve tanë të bashkuem në vorrin e nderimit për Fatosin e Malëcisë së Madhe.” Edhe ky telegram është i botuar në gazetën “Ora e Maleve”.

Ndërkohë në Shkodër qe formuar dhe “Komiteti Dedë Gjo’ Luli”, që do t’i ngrinte një monument këtij patrioti të shquar. Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me Avni Rustemin e Risto Siliqin, anëtar nderi të komitetit, shkruante: “…due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo’ Luli…”

Patrioti tjetër i shquar, Avni Rustemi, do të shkruante që nga Roma: “Gëzohem që u muar inisiativa për t’i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni emëruar si pjesëtar nderi.”

Poeti Risto Siliqi do të shkruante fjalë zëmre për luftëtarin e madh: “Sot pa farë dyshimi mund të thuhet se gjeneracioni i jonë i sotshmi e ka kuptue rëndësine e veprave patriotike… që trupat e fatosave martirë të shporuem pa mëshirë me bajonetat e armikut mos të kalben nën dhè bashkë me veprat e tyre. Emni i Dedë Gjo’ Lulit, i cili nuk triumfoi me kombinacione, por me vepra të gjalla, që e dëshmojne edhe krepat e thepishme të maleve tona, vuloset i gdhëndun në historinë tonë kombëtare” (Ora e Malësisë, nr. 20, viti 1923).

… Dhe emri i tij u gdhënd në histori përjetësisht. Fundi i tij ka mbetur sfidë atyre që i morën jetën. Një rapsod mirditor e ka fiksuar në vargje fundin e kreshnikut të maleve:

Në Bjeshkë t’Oroshit na u derdh zani
Se ç’ban m’ne serbjani.
Si ata trimat i kanë rrethue
Me vargoj na i kanë shtrëngue.
Zana e malit t’jam ankue
Curril gjaku a’ tue shkue.
Mu në Shëshëz burrit t’botës
Pa iu trëmb qerpiku i lotës
Serbi thikën i ngul në krahnuer
Dedë Gjo’ Luli’ burrë malëcuer
S’u përkul as nuk u tut
Por po i thotë këto fjalë açik:
Gjaku em të të shkojë fli
Për me pshtue të ngraten Shqypni…

Jemi në mars, fillimin e kryengritjes së Malësisë së Madhe, e cila çoi në Pavarësinë e Shqipërisë. Përkrah trimave e shumë martirëvë të asaj kryengritjë nderohet dhe emri i prijësit, Ded Gjo’ Luli.

Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” New York Nr.919, 17-20 Mars 2000, fq.10.


DED GJO’ LULI – NJË JETË ME LUFTË PËR SHQIPËRINË

E shanë, e torturuan, pastaj e vranë dhe më në fund e masakruan. Dhe për t’i humbur gjurmët e atij krimi monstruoz e qitën në shpellë.

Ky burrë shqiptar kishte shkuar atje në Orosh të Mirditës për bisedime, edhe pse kishte një parandjenjë se atje do të vritej. Testamenti i nënshkruar një ditë më parë se të nisej, tregon parandjenjën e tragjedisë së tij, pavarësisht se të gjithë e kishin këshilluar që të mos shkonte.

Por Dedë Gjo’ Luli ua kishte dhënë fjalën krerëve të Mirditës. Ishte ditë fatkeqe e shtatorit kur u vra trimi legjendar i Shqiperisë, Dede Gjo’Luli i Hotit.

Atë ditë u shua nga qielli shqiptar një yll i lirisë kombëtare. E vranë ata që e vrasin kombin shqiptar tash 1300 vjet.

Dede Gjo’ Luli lindi në Traboin të Hotit në vitin 1840. Ishte bir i një prej familjeve më fisnike të Malësisë, derë e përmendur brez pas brezi. Hoti ka një të kaluar të shkëlqyeshme. Historianët thonë se ishte një ndër krahinat më të organizuara në gjithë Shqipërinë në Mesjetë.

Bile Millan Shufllaj, shkruan se organizimi ushtarak i Hotit ka filluar ne shekullin XIV. Shtepia e Dede Gjo’ Lulit, ka qene dere e pare neper shekuj. Traboini dhe krejt Malesia gjithmone ka gezuar respekt per kete familje fisnike.

Dede Gjo’ Luli u rrit dhe u be burre ne Bardhaj te Hotit ku edhe sot e kesaj dite ruhen me mire se kudo tjeter traditat me fisnike te races arberore.

Qysh i ri mori pjese ne lufterat per lirine e tokave shqiptare. Merrte pjese ne te gjitha kuvendet me rendesi. Ne moshen 21 vjecare u kishte prire djemve te Hotit per te shpetuar Oso Kuken nga flaka e barotit ne Kulle te Vranines.

Çun Mula dhe Dede Gjo’ Luli perfaqesuan Hotin ne Lidhjen Shqiptare te Prizrenit. Edhe atehere Deda ishte i ri por shume i pjekur.

Nga pjesemarrja ne luftera dhe ne kuvende shihet mirefilli se Dede Gjo’ Luli ishte atdhetar e trim. Zoti e kishte pajisur me keto cilesi fisnike. Roberine shekullore otomane dhe coptimin sllav te tokave shqiptare i kishte plage ne zemer.

I dridhej toka nen kembe, ndersa qielli shqiptar qante per ato padrejtesi dhe mallkime qe kishin rene mbi dheun e shenjte te arberit.

Nga ato male te larta shqiptare, me syte e shqiponjes, i shikonte te gjitha ato tragjedi ne veprim. Marreveshjen turko-sllave per coptimin e tokave shqiptare, Dede Gjo’ Luli e kishte kuptuar me mire se asnje prijes tjeter shqiptar, per faktin se kurre nuk ka qene aleat i tyre.

Periudha para dhe pas Lidhjes se Prizrenit ishin deshmi per Dede Gjo’ Lulin se kombi shqiptar i roberuar mund te zhdukej nga faqja e dheut. I kishte kuptuar shume mire intrigat turke dhe pasionet e cmendura sllave. Cereku i fundit i shekullit XIX, kishte qene shume fatkeq, sepse gjate kesaj periudhe gjysma e Shqiperise se roberuar nga otomanet kishte rene nen sundimin sllavo-grek. Tashti si burre i pjekur Dede Gjo’ Luli ishte i vetedijshem se cka po ndodh.

E shihte me syte e tij edhe ate gjysme Shqiperie se po shkon drejt copetimit dhe humneres. Ne fillim te shekullit te kaluar, sllavo-greket, pastaj edhe italianet, nuk lane gure pa levize per rrenimin e Shqiperise. Ne ate kohe Dede Gjo’Luli ishte burre i pjekur dhe me pervoje te madhe ushtarake e politike. Keto i kishte mesuar ne beteja dhe ne kuvende te medha shqiptare sic ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Politiken dhe diplomacine nderkombetare i kishte mesuar ne Shkoder, ku kishte kaluar nje pjese te rendesishme te jetes. Atje ishte njohur me patriotet dhe intelektualet me te shquar shqiptare te Rilindjes. Asnje kuvend kombetar ne Shkoder nuk behej pa pjesemarrjen e Dede Gjo’ Lulit. Shqiperia dhe Kosova e kishin kuptuar se ky eshte nje prijes i vertete. Njeri qe nuk ishte korruptuar nga shperblimet dhe titujt e huaj. Tere jeten e kishte kaluar ne male te Hotit pa bere asnje kompromis. Mbante lidhje te ngushta me te gjithe patriotet shqiptare ne Jug e ne Veri, ne Kosove dhe ne diaspore. Sa here e kishte pare shtepine e tij te djegur shkrumb e hi, por asnjehere nuk u ligeshtua.

Te gjithe e kishin kuptuar se Turqia ishte para shkaterrimit, e sidomos fqinjte sllave e greke. Ata enderronin se pas largimit te Turqise do te gelltitnin te gjitha tokat shqiptare dhe sipas tyre nuk do te kishte me Shqiperi. Por, keto kurthe mizore ballkanike Dede Gjo’ Luli i kishte kuptuar me mire. Pas shume takimesh dhe bisedimesh me patriotet shqiptare, ky hero legjendar kishte vendosur te fillonte luften per pavaresine e Shqiperise. Ne Shkoder, ne Kosove dhe ne gjithe Shqiperine ishte krijuar bindja se lufta per pavaresi ishte e domosdoshme. Edhe pse i shtyre ne moshe, trimi legjendar i Malesise kishte bere te gjitha pergatitjet per nje qendrese te vertete.
“E filloi luften me 24 mars te vitit 1911, e cila brenda me pak se dy vjetesh i solli Shqiperise pavaresine dhe atdheut ma te madhen nder”, thote nje poet shqiptar.

Me 6 prill te vitit 1911 per here te pare ne Bratile te Hotit valoi flamuri shqiptar i Gjergj Kastriotit. Valoi pas 500 vjet roberie. E shpalosi dhe u nguli ne koder te Bratiles, Nike Gjelosh Luli i familjes se Dede Gjo’Lulit. Por ne ate moment Nike Gjelosh Luli ra deshmor, me flamur te Kastriotit ne dore.

Ne Deciq filloi nje lufte e vertete qe u perhap ne Shqiperi dhe Kosove. Tere bota e kuptoi se shqiptaret jane gati te bejne sakrificen me te madhe per atdhe.

Shtypi evropian dhe boteror shkruante cdo dite per trimerine dhe vendosmerine e shqiptareve. Politika dhe diplomacia evropiane mesoi shume nga kjo lufte. Ato dite patriotet shqiptare pergatiten dhe nenshkruan Memorandumin e Greces, qe eshte dokumenti me i rendesishem per pavaresine e Shqiperise, para Shpalljes se Pavaresise ne Vlore me 28 nentor te vitit 1912. Te gjitha ketyre veprimeve heroike dhe politike u priu Dede Gjo’ Luli me guximin, ndershmerine dhe largpamesine qe e karakterizonte ne cdo cast historik.

Per lufterat dhe atdhedashurine e tij kane shkurar me shume se 100 autore shqiptare dhe te huaj. Kane shkruar dhe shkruajne poetet, historianet dhe shkrimtaret me te mire te kombit shqiptar.

Vendlindja e tij dhe gjysma e Malesise se Madhe gjendet edhe sot e kesaj dite nen pushtimin serbo-malazez. Kulla e Dede Gjo’ Lulit eshte shnderruar ne nje germadhe.

Deciqi dhe Bratila jane troje shqiptare qe u lane me gjak per lirine e Shqiperise. Kete e dijne te gjithe historianet shqiptare. Flamuri i Kastriotit eshte ngritur per here te pare ne Bratile dhe ne Deciq; atje eshte lare me gjakun e djemve dhe vajzave me te dalluara te Malesise, ashtu sic eshte lare me gjak Prekazi i Drenices nga Adem Jashari dhe bashkeluftetaret dhe anetaret e familjes se tij.

Dede Gjo’ Luli eshte nder te paktet brezni luftetaresh qe eshte shuar me far e me fis per flamur e per liri.
Megjithate politika shqiptare nuk eshte treguar kurre e sinqerte ndaj atyre qe dhane jeten per lirine e atij vendi. Historianet shqiptare gati gjithmone kane qene te diktuar nga politika.

Per Bratilen, ku per here te pare u ngrit flamuri shqiptar, historianet nuk e kane thene fjalen e vete.
Klanet e ndryshme politike kane manipuluar me te verteten historike te kombit shqiptar. Dihet se ata qe kane pasur pushtetin kane shkruar historine. Por Dede Gjo’ Luli dhe trimat e tij nuk kane luftuar per pushtet. Deri edhe armiqte e kombit shqiptar e kane pranuar se Malesia e Madhe eshte nje treve e vertete iliro-shqiptare, qe u eshte nenshtruar te huajve me pak se cdo krahine tjeter.

Akademite dhe parlamentet shqiptare duhet t’i korrigjojne keto gabime. Amerikanet nderojne ne menyre te posacme diten e pavaresise por edhe diten e flamurit, te cilin e kane ngritur ne lufte kunder Perandorise angleze.
Keto jane te verteta historike, pavaresisht se mund te jene te hidhura.

Ne fushebeteja per lirine e Shqiperise jane vrare nje dyzine burra e gra te familjes se Dede Gjo’ Lulit. Ata jane vrare kunder armiqve te Shqiperise dhe te kombit shqiptar. Ata meritojne vend me rendesi ne Panteonin e kombit. Edhe entet fetare pa dallim, duhet t’i nderojne dhe te luten per shpirtin e tyre.

Vitin e ardhshem eshte 90-vjetori i Kryengritjes se Malesise, ne krye me Dede Gjo’ Lulin, eshte 90-vjetori i ngritjes se flamurit ne Bratile te Hotit dhe eshte 90 vjetori i Memorandumit te Greces. Ne mendojme se keto data historike meritojne nje perkujtim shume te organizuar dhe solemn, nga i gjithe kombi shqiptar. Qeveria, akademia dhe diaspora shqiptare duhet t’i bashkerendojne veprimet e tyre, qe ky pervjetor i rendesishem te nderohet ashtu si i ka hije nje populli te qyteteruar.

Jeta e Ded Gjo Lulit
shkëputur nga gazeta Koha Jone (Shkruar nga Gjolekë Gjonlekaj)

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT