E VEÇANTA E POEZISË SË GJEKË MARINAJT

0
4115

| Letërsi |

Letërsia shkodrane

Letërsia shqiptare trashëgon një fond të pasur vlerash nga krijuesit shkodranë. Që nga koha e Marin Barletit, në Rilindjen Kombëtare e deri pas Luftës së Dytë Botërore…

Marrë nga gazeta Rilindja Demokratike, 29 korrik 2008

— nga Mujo Buçpapaj

Gjekë Marinaj është një poet universal ku dijenia e jetës dhe artit japin bashkë pamjen më të përkyer të krijimtarisë. Ai po sfidon emrat më të mëdhenj të poezisë bashkëkohore amerikane duke tronditur formalitetin poetik dhe format tradicionale të të shkruarit me librin e tij të fundit “Lutje në ditën e tetë të javës”.

Mujo Buçpapaj Marinaj bën atë që nuk e kanë bërë të tjerët para tij, duke bashkuar imazhe, legjenda, profile dhe filozofi të popujve, racave dhe kombeve me një lehtësi të rrallë që mund ta bëj vetëm një poet që vjen nga Ballkani, vend i poezisë, legjendave dhe miteve.

Marinaj, i cili provokoi në rininë e tij regjimin komunist me poezinë e tij “Kuajt”, tani provokon bibliotekën e poezisë botërore, pas shumë vuajtjesh njerëzore, në fillim si emigrant që ka kaluar telat me gjemba dhe pastaj si student i shkëlqyer dhe si pedagog i letërsisë bashkëkohore në Universitetin e Richlandit në Dallas të SHBA-ve.

Marinaj ka eksperimentuar me një guxim të qartë duke ndërtuar një kod të ri poetik të sofistikuar, i vlerësuar me shumë çmime letrare në Amerikë.

E përpunuar në laboratorin e poezisë amerikane, krijimtaria e Gjekë Marinjat është një majë e poezisë bashkëkohore, ku rifillimi i jetës zhvesh pamjen optimiste të poetit, prej ëndrrës mashtruese, pasi për atë ka gjithnjë një ditë të tetë, e cila mund të quhet dita e lutjes, mallkimit apo lumturisë së poetit.

Marinaj i përgjigjet me dinjitet nevojës për ndryshime në poezinë shqipe, duke sugjeruar një leksion të shkruari perfekt si një “autoportret i avancuar” i stilit të poetit dhe jetës së tij, mes imazhit të Atdheut të braktisur dhe gjykimit për dashurinë e botës së pafund.

Nëse Walt Whitmani i dha fund imitimit të shkollës evropiane të poezisë në Amerikë, duke krijuar vargun i tij biblik, origjinal edhe Marinaj me “Lutje në ditën e tetë javës” ka krijuar një civilizim të ri për poezinë shqipe, duke ndihmuar jo vetëm vendin e tij, por edhe poezinë evropiane.

Autoportret i avancuar

Lutje në ditën e tetë të javës Forma e poezisë së Gjekë Marinaj ndryshon nga njëri cikël poetik tek tjetri. Një shpërthim lëndësh universale ringrejnë mendimin shijues të poezisë së Marinjat në stade të reja, të frekuentuara nga motive filozofike dhe shpirti human që e dallon atë nga poetët e tjerë bashkëkohorë amerikan.

Poezia amerikane e shekullit të XXI përbehet nga një radhë poetësh të shquar që ecin në një garë me shumë korsi, pa patur akoma një lider. Siç vëren kritika vendase ndryshe nga Shek. XX, kur Amerika lindi një numër të madh poetësh si Wallace Stevens, Ezra Paund, T.S. Eliot (i lindur në Amerikë), William Carlos Williams etj, në shekullin e ri disa nga poetët më të shquar të saj janë amerikanë të natyralizuar, si Ferderik Turner, Eduard H. Gracia, Rainer Schulte etj. Në këtë grup bën pjesë edhe poeti me origjinë shqiptare Gjekë Marinaj, i cili me librin “Lutje në ditën e tetë të javës”, unifikon sipër botës dashurinë dhe dhimbjen, si një bashkë vuajtjes i vetëdijshëm i planetit.

Libri hapet me ciklin “Mesnatë pa kalendar”, i cili është një cikël filozofik i shkruar me një mençuri të skajshme. Është një cikël i sofistikuar, i shkruar për një elitë lexuesish. Poezia “Autoportret i avancuar” është një mini-poemë, një esencë e librit. Poezitë në librin “Lutje në ditën e tetë të javës” e ndihmojnë lexuesin të transformojë vizionin, të shqyrtojë vetveten dhe të arrijë përfundimet e duhura si jehonë e jetës e shndërruar shpesh në melankoli dhe dyshim. Ky cikël përbën një rifreskim fondamental të poezisë bashkëkohore, me një përkushtim subsencial të poetit, plot çiltërsi metafore dhe shpirt të gjerë komunikimi.

Ky cikël shënon një sfidë jo vetëm në karrierën poetike të Marinjat, por edhe për caqet që vë përpara poetëve bashkëkohorë amerikanë dhe evropianë. Të krahasuara me një stekë të ngritur lart për garë, ato dallojnë për strukturën, mënyrën e të shprehurit dhe imazhet e kërkuara mes dashurisë dhe dhimbjes që dalin prej demokracisë së shpirtit të tij dhe përsosjes morale dhe artistike. Poezia e tij ka fituar admirues të spikatur sidomos ata tek ai grupim, që është i dhënë pas poezisë filozofike. Ashtu si Gary Snyder, edhe Gjekë Marinaj sjell në poezinë bashkëkohore amerikane dhe shqiptare një prezencë të fuqishme autoriale.

Cikli i dytë “24 orë dashuri”, është një cikël i bukur, i shkruar për t’u kuptuar nga të gjithë. Poezitë janë ndërtuar duke përdorur një formë tradicionale, por një tekst të papërdorur më parë. Për shembull në poezinë “24 orë dashuri” sido e shkruar me një lojë fjalësh, teksti përsos kodet poetike të realizuara shumë dekada më parë nga poeti i shquar shqiptar Lasgush Poradeci.


Dhe u largua tinëzisht për ne duke folur uratë,
Natyrshëm, natyrisht bëmë dashuri në natyrë.

Dhe zbuluam buzëqeshjen më të re të universit
Natyrisht, bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm.

Dhe muskujve të tokës u pëshpëriti një sekret
Bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm natyrisht.

Siç shprehet edhe kritika “në pikëpamje të formës, lirika e Marinajt mbart në vete konceptin e përsosmërisë ritmike, një parim organizues simetrik, ku gradacioni poetik, aluzionet e vargjeve në përpikmëri gërshetohen mes përmbajtjes dhe formës.”

Rrëfimi i Rozafës

Gjekë Marinaj me librin “Lutje në ditën e tetë të javës” i vë vetës detyra të reja në lidhje më cilësinë e poezisë dhe këtë e ka arritur me një pasion të vërtetë. Dhuntia e imagjinatës së gjallë me plot nota prekëse ka bërë që Marinaj të unifikojë konceptet metaforike të duarve të nënës, pamjes së fshatit dhe shpresës së dritës në kodrat për rreth. Cikli “Në duart e nënës” përmbledh poezi për fshatin, vendlindjen, Nënën, poezi për pasuritë dhe varfëritë e fshatit etj. Cikli është ndërtuar për t’u kuptuar nga çdo lexues, i cili do të gjejë në këto poezi shumë pasazhe drithëruese, meditative. Në këto poezi njeriu qetëson shpirtin përmes imazhesh që lëvizin me lirshmëri, nga observime të pastra, nga skena jashtëzakonisht emocionuese dhe njerëzore. Në këtë cikël poeti ka shkruar me një stil të qartë, që është i përshtatshëm si për auditorin që e ka zgjedhur për t’ju drejtuar, ashtu edhe për vetën e tij si poet i klasit botëror. Risjellja e vlerave humane dhe e zemrës së tij lënë “në duart e nënës” krijojnë një pamje që mund ta zgjojnë vetëm poetë të thelbit poetik si Gjekë Marinaj, i cili ka fituar një famë të merituar në poezinë bashkëkohore Amerikane.

Ashtu si poeti i njohur, bashkohor amerikan Ted Kooser, edhe Marinaj në këtë cikël praktikon një universalizëm të gjuhës poetike të përshtatur për një lexues të thjeshtë, por me intuitë të mprehtë për të zbuluar vlerat. Kjo është diçka shumë pozitive pasi përmes detajesh konkrete merr një zhvillim abstrakt, por dhe të përbotshëm metafora e fshatit dhe e Nënës. Poezia e Gjekë Marinajt është e një niveli jashtëzakonisht të lartë. Krahasuar me dy vëllimet e tjera poetike “Mos më ik larg” (1995) dhe “Infinit”(2000), “Lutje në ditën e tetë të javës” shënon një kapërcim të paparë jo vetëm për krijimtarinë e tij, por edhe për nivelin e poezisë botërore në përgjithësi, të cilin Gjeka e shkund nga themelet.

Cikli “Rrëfimi i Rozafës”, përfshin poezi që Marinaj i ka kushtuar Shkodrës, Kosovës, Rozafës, Nënë Terezës, Skënderbeut etj. Poezitë konceptojnë dashurinë humane, jo erotike. Në këtë koncept ai ka pasqyruar çdo vuajtje nga Nënë Tereza deri tek Rozafa e murosur. Rrëfimi i Rozafës është më origjinali me këtë temë në poezinë shqipe. Marinaj e sheh Rozafën si Viktimë dhe jo si heroine:

Nën iluzionin se një grua vlen më pak se një burrë,
Më murosën mua.

Nën pretekstin se te gjithë patën të drejtë,
Edhe unë murosa brenda vetes fjalën “vrasje.”

(Rrëfimi i Rozafës)

Sugjerim me zë të ulët

Cikli “Sygjerim me zë të ulët”, mbart një trishtim të ndjeshëm, pasi Marinaj ka përfshirë në të poezi që kanë të bëjnë me disfatat njerëzore me humbjet dhe vështirësitë e njeriut në jetën tonë. Ato përcjellin sygjerimin për të përballuar sfidat e jetës të cilat shpesh bëjnë shkrumb e hi ëndrrat tona, prej nga na duhet t’ia rinisim nga e para. Megjithatë, ashtu si tek Maya Angelou një tjetër poete e shquar amerikane, edhe tek Marinaj ndjehet personaliteti human i poetit i cili para se gjithash i drejtohet me tone kritike vetvetes, duke ndihmuar pastaj lexuesit që të arrijnë në përfundimin e duhur. Marinaj në këtë cikël si një dëshmitar i zotit i bën gjërat të duken edhe nga fundi i dheut.

Përmes kontrastit të zymtësisë së pamjes së padëshiruar dhe humbjes, ai mjaftueshëm i ndez një kujtesë njeriut për të mos harruar jehonën vajtuese të atdheut të tij. Për shembull, poezia “Flluska mbi Adriatik”e cila trajton humbjen tragjike të njerëzve në anijen “4 i Radës” me 28 mars 1997 në detin Adriatik, të lë pa frymë. Ata humbën jetën duke mbetur në trajtën e flluskave mbi Adriatik. Në poezi ndjehet kontrasti dyfish i perëndimit si qytetërim, por edhe perëndimit si muzg, si mbrëmje kur ata fatkeqinj u nisën përmes detit në kërkim të lumturisë, ashtu siç ishte nisur vetëm 7-8 vjet më parë poeti Gjekë Marinaj, por vetëm zoti e kishte shpëtuar.

Perëndimi në të dyja kuptimet e fjalës
Gravitet specifik ekstrem,
Kripë dhe shqiptarë,
Uji dhe vdekje.

(Flluska mbi Adriatik)

Ailuropoja në gjygjin e fjalës

Në një botë të kërcënuar nga shpërbërja e zjarrit të urrejtjes, rrënimi tronditës ndalet vetëm nga poetët, thotë Gjekë Marinaj. Ai vëren se graviteti i javës e tërheq poetin në vertikalitetin e intuitës njerëzore gjatë shtatë ditëve, ndërsa të hënën poeti e rifillon përsëri nga e para, e kështu si një mallkim i përjetshëm, duke shënuar ditën e tetë të javës. Siç ka vërejtur kritika, “ky vëllim poetik që në titull implikon nivelin e leximit intertekstual të poezisë, që këtu nënkupton kontekstin e shtatë ditëve të krijimit biblik. Kjo lojë poetike përveçse reflekton koncepsionet për krijimin, këtë akt të magjishëm, e sforcon aktin krijues deri në kod kulturologjik universal e të përjetme. Poeti Marinaj i shton krijimit hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditë të krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotsia e universit apo “engjëjt të zbresin nga parajsa dhe të bëhen poetë”, “Lutje në ditën e tëtë të javës.”

Vokacioni i vuajtjes për racën e poetëve është i pashmangshëm edhe në librin “Lutje në ditën e tetë të javës” e shkruar nga një penë dytehëshe e Marinajt, si vetë jeta e poetëve të mëdhenj që njohin njëkohësisht edhe lavdinë edhe përbuzjen. Ky cikël pasuron me tej shumëllojshmërinë stilistike të “Lutje në ditën e tetë të javës”, ku dallon intelekti i një profesori letërsie dhe studiues pasoinant të poezisë botërore si Marinaj.

Cikli “Ailuropoja” në gjyqin e fjalës, u është kushtuar poetëve që kanë jetuar në një realitete të ndryshme vuajtjesh apo lavdie, si Fishta i mohuar për 50 vjet dhe i ripranuar përsëri, Emili Dikindonin, apo tragjizmi i poetit Frederik Reshpja, i cili vdiq i vetmuar.

Poetit i pati humbur me kohë harmonia e trupit
Me ndjenjën. Koordinimi i shpirtit me vargun jo.

Cili ka poezi interesante si “me Nerudën pranë Atlantikut”, poeti shkruan se “sa herë që jep shpirt një poet diçka vdes brenda meje.” Apo poezia “Nëna e poetit Luigj Çekaj dha shpirt”, siç thotë ai “nëna e cilitdo poeti është nëna e të gjithë poetëve.”

“Ailuropoja në gjyqin e fjalës” i është kushtuar poetëve Blloshmi dhe Leka, të pushkatuar nga regjimi komunist.

Labirinthet e mendimeve të Tanugunit

Këto janë poezi që e trajtojnë botën si pjesë e qenies njerëzore të të gjithë shoqërisë poetike. Cikli fillon me malin e Fuxhit që e pat shkatrruar Tokion, prej nga u desh të krijohej një e re, sepse Vullkani mbuloi qytetin.

Një tjetër poezi është për arkitekturën e New Yorkut, ku Marinaj ndjek traditën e shumë poetëve të shquar amerikanë dhe botërore që kanë shkruar për qytetin gjigand.

Një tjetër poezi interesante është “Labirinthet e mendimeve të Tanugunit”. E bazuar në mitologjinë koreane, Marinaj “na del më specifik se kushdo në komunitetin tonë letrar, i pakrahasueshëm me format dhe mënyrën si e organizon materien poetike, si e koncepton temën e si i mishëron vargjet me figura dhe sistemin e brendshëm të rimimit dhe ritmit.” Në këtë poezi janë marrë kafshë si tigri, arusha etj., të cilat implikojnë koncepsione universale. Poezitë përcjellin idenë se çfarëdo përpjekje që të bëjë njeriu në jetë, n.q.s kanë rezultatin zero, ti nuk ke bërë asgjë. Poezia është kundër famës dhe meritave fallco.

Tjetër poezi interesante është ajo për Kullën “Eifel.” Ajo përcjell një mesazh interesant, siç thotë poeti “një peizazh i humbur në përkthim.”

* * *
Vëllimi i Gjekë Marinajt shënon një pikë kthese në poezinë shqipe.

Ajo është një lëndë universale plot trazim shpirtëror, dijesh, kulturash dhe emocioneve të thella. Ato kanë një dendësi artistike, forcë dhe imazhe që shkojnë nga ato të drejtpërdrejtat deri tek surrealistet. Siç ka vlerësuar kritika “poeti në cilësinë e orakullit evokon me gjuhën e së bukurës dhe sublimes perceptimet për jetën dhe universin. Këto përçmime dhe observime poetike i gjejmë të sintetizuara në librin me poezi të Gjekë Marinajt “Lutje në ditën e tetë të javës.” Njohuritë e fituara nga studimet e gjata dhe komplekse reflektohen në një eksperiment të suksesshëm letrar, si një bazament i ri shkencor për formën poetike në poezinë bashkëkohore, por edhe si një koncept universal human. Poezia e Marinajt mbart në vetvete inteligjencë, pasion, ndjeshmëri dhe spontanitet.

“Lutje në ditën e tetë të javës” është një dëshmi poetike për njerëzimin, i cili ka akoma shumë sfida dhe punë për të bërë, duke mbartur ideale të forta të jetës dhe lirisë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.