“Ja si na pushkatoi 10 burra, motra e dëshmorit Çelo Sinani”

2
7170

— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare

Historia e panjohur e 28 nënorit 1944, ku partizanët e Jaho Gjolikut dhe Haki Toskës ekzekutuan një grup malësorësh në fshatin Bruçaj të Dukagjinit. Rrëfimi i 84 vjeçarit, Prek Sokoli.

Sapo ata mbërritën diku në një përrua, motra e Çelo Sinanit, nxorri revolverin dhe e qëlloi dy-tre herë në kokë Nikoll Mirashin, duke e lënë atë të vdekur në vënd. Ndërsa kur grupi i partizanëve të batalionit të spastrimit të Brigadës së gjashtë, së bashku me tetë malësorët e lidhur mbërritën në Qafë-Thanë ku ndodhej shtabi i brigadës, sipas premtimit që i kishin dhënë motrës së Çelo Sinanit, të tetë burrat ia rreshtuan të lidhur përpara saj. Në atë moment, ajo nxorri pistoletën nga brezi dhe nisi t’i qëllonte malësorët e lidhur, duke i goditur të tetë me nga dy plumba në kokë. Kur po bëhej gati të qëllonte mbi të fundin, që ishte 17-vjeçari Mëhill Vocrri, disa partizanë iu lutën që ta falte, por ajo vazhdoi të qëllonte edhe mbi të duke thënë: “Lëreni se qenka moshatar me Çelon tim”.

Pasi i la të vdekur në vënd të nëntë malësorët (së bashku me Nikoll Mirashin që e vrau gjatë rrugës) motra e Çelo Sinanit u dha urdhër partizanëve të tjerë që t’i zhvishin shpejt e shpejt dhe t’ua merrnin rrobat e trupit të vrarëve, pasi ato u duheshin për partizanët e brigadës që ishin duke marshuar për në drejtim të Malit të Zi”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 84-vjeçari Prek Sokoli, i cili rrëfen të gjithë historinë e asaj ngjarje të largët të ndodhur në 28 nëntorin e vitit 1944, ditën e fundit të luftës për forcat partizane të Enver Hoxhës që ishin duke marshuar në krahinën e Dukagjinit, për në drejtim të Malit të Zi. Po si ndodhi ajo ngjarje, kush ishin dhjetë malësorët që u ekzekutuan nga dora e motrës së dëshmorit Çelo Sinani dhe përse e kreu ajo atë vrasje makabre që nuk është harruar ende në atë trevë të largët të Veriut të Shqipërisë?

Vrasja e Çelo Sinanit

Lidhur me atë ngjarje, Prek Sokoli dëshmon: “Më 26 nëntor të vitit 1944, vëllau im 25 vjeçar, Pëllumb Sokoli, kishte shkuar në qytetin e Shkodrës për të blerë ushqime pasi na duheshin për festën e Shën-Kollit, që na binte për ta kremtuar disa ditë më vonë, më pesë dhjetor. Bashkë me Pëllumbin, atë ditë për në qytetin e Shkodrës kishin shkuar dhe një grup tjetër malësorësh, të cilët pasi kishin blerë ato që u duheshin, kishin marë rrugën e kthimit për në fshatrat e tyre të zonës së Dukagjinit. Duke qenë se ajo rrugë mbante rreth tetë orë larg nga qyteti i Shkodrës, grupin e shtegëtarëve e zuri nata në fshatin Bruçaj të Dukagjinit ku një pjesë e tyre bashkë me vëllain tim Pëllumbin, qëndroi aty në atë fshat për të kaluar natën duke bujtur në shtëpitë e malësorëve. Ndërsa pjesa tjetër që mbeti, vazhdoi rrugën duke ecur për në drejtim të fshatit Xhan, duke shpresuar që të ecte pas mushkave të cilat ndiqnin rrugën pa asnjë vështirësi edhe natën.

Në këtë grup që vazhdoi udhëtimin për në drejtim të fshatit Xhan, bënte pjesë edhe Lulash Gjoni i Xhanit, i cili ishte i vetmi malësor i asaj krahine që merrej me tregëti dhe kishte dyqan të vetin. Gjatë rrugës duke udhëtuar nëpër natën e errët nga fshati Bruçaj për në drejtim të fshatit Xhan, në vëndin e quajtur Shtruga, i cili ndodhet në një qafë të vogël mali, grupi i malësorëve u përball me një pritë partizane që komandohej nga partizani Çelo Sinani, vetë i tretë, i cili kryente detyrën e korrierit të Brigadës së gjashtë partizane, që komandohej nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska. Partizani Çelo Sinani i bëri thirrje grupit që të ndalonte duke duke u thënë: qëndro, por malësorët nuk e kuptuan fjalën e tij dhe u shtrinë të gjithë barkas në dëborë duke zënë secili nga një pozicion, pasi i gjithë grupi ishte i armatosur.

Nga që Çelo nuk i shikonte dot ata se ku ishin, qëlloi në drejtim të tyre me automatikun e tij, dhe breshërive të tija iu përgjigj po me zjarr njëri nga malësorët, duke qëlluar edhi ai për andej nga erdhën të shtënat. Pas atij shkëmbi zjarri, malësorët shtetgtarë qëndruan një cop herë ashtu të shtrirë nëpër dëborë dhe pasi nuk dëgjuan më të shtëna armësh në drejtim të tyre, ata vazhduan rrugën nëpër natën e errët, pa ditur gjë se nga të shtënat e tyre kishte mbetur i vrarë partizani Çelo Sinani”, kujton 84 vjeçari Prek Sokoli lidhur me atë ngjarje të largët të 28 nëntorit të vitit 1944, kur në afërsi të fshatit Bruçaj të zonës së thellë të Dukagjinit që ndodhet në malësinë e mbi Shkodrës, mbeti i vrarë korrieri i Brigadës së 6 Sulmuese, partizani Çelo Sinani nga fshati Picar i Gjirokastrës.

Arrestimi i malësorëve nga partizanët

Por ç’ndodhi më pas me grupin e malësorëve që kishin shkëmbyr zjarr me partizanin 15-vjeçar që kryente detyrën e korrierit në ato forca partizane të cilat nuk e dinin se ajo ditë shënonte dhe mbarimin e Luftës? Lidhur me këtë, 84-vjeçari Prek Sokoli dëshmon: “Dy partizanët e tjerë që ishin në pritë bashkë me Çelo Sinanin, sapo konstatuan se shoku i tyre nuk kishte më asnjë shenjë jete nga plumbat që kishte marrë, zbritën menjëherë në fshatin Bruçaj aty ku ndodhej shtabi i komandës së Brigadës së gjashtë partizane, së bashku me një batalion të asaj brigade që ishte lënë aty në fshatin Xhan për spastrime. Po ashtu aty në atë fshat atë natë ndodhej edhe një pjesë e grupit të malësorëve shtegëtarë që ishin kthyer nga Shkodra dhe kishin bujtur nëpër shtëpiat e malësorëve për të kaluar natën. Komanda e brigadës së bashku me partizanët e batalionit që ishte lënë aty për spastrime, nuk kishin dijeni për malësorët shtegtarë që kishin bujtur në atë fshat, dhe po ashtu as malësorët shtegtarë nuk kishin dijeni për partizanët që ndodheshin në atë fshat.

Sapo erdhi lajmi për vrasjen e Çelo Sinanit, në fshat filluan lëvizje të shumta dhe partizanët e batalionit të spastrimit morën urdhër që të bënin rrethimin e plotë të fshatit në mënyrë që prej andej të mos dilte as miza. Pas kësaj ata filluan kontrollet nëpër të gjitha shtëpitë ku kishin të dhëna se ishin strehuar për të bujtur një pjesë e grupit të shtegëtarëve. Gjatë kontrolleve që bënë nëpër shtëpitë e fshatit Xhan, partizanët e batalionit të spastrimit ua morën armët grupit të malësorëve shtegëtarë, të cilët pranuan t’i dorzonin ato, pasi partizanët u thanë se do t’ua kthenin përsëri sapo të dilin në Qafë Thanë ku ishte vendosur komanda e brigadës. Komandantët e grupeve partizane të batalionit të spastrimit u dhanë besën malësorëve shtegëtarë se armët do t’ua kthenin përsëri të nesërmen më datën 27 nëntor, sapo të takoheshin me komandën e tyre. Të nesërmen, sapo zbardhi dita, partizanët e batalionit të spastrimit i mblodhën në një vënd të gjithë malësorët shtegtarë që ishin në fshatin Bruçaj, për t’i bashkuar me ata të grupit tjetër që ishin në fshatin Xhan, meqënëse afër atij fshati ishte vrarë Çelo Sinani.

Qëllimi i komandës së brigadës së gjashtë, ishte që të bënte seleksionimin e tyre për të gjetur se kush ishin ata që kishin qëlluar dhe vrarë korrierin e brigadës, partizanin Çelo Sinani. Në grupin e malësorëve që kishin bujtur në fshatin Xhan, bënte pjesë edhe një djalë i ri, 17-vjeçar, i quajtur Mëhill Vocrri, i cili kishte aty dhe tre probatinë (vëllezër që pinë gjak me njëri tjetrin) nga e njëjta shtëpi. Kur e morën vesh partizanët se Mëhilli ishte nga fshati Shosh, i thanë të ikte, por ai nuk iku, duke u thënë se nuk mund të ndahej nga probatinët e tij. Sipas urdhërit të komnadës së brigadës, partizanët e batalionit të spastrimit ku bënte pjesë dhe motra e Çelo Sinanit, bënë seleksionimin e malësorëve shtegëtarë dhe një pjesë të tyre e lanë të lirë të ikte, kurse grupin tjetër ku bënin pjesë: Tom Martini, Pëllumb Sokoli, Kol Vata, Pal Pëllumbi, Nikoll Mirashi, Mëhill Vocrri, Pal Vata, Shytan Deda dhe Prenush Zefi, ata e morën me vete për të shkuar në Qafë-Thanë atje ku ndodhej Shtabi i Brigadës”, kujton 84-vjeçari Prek Sokoli lidhur me arrestimin e nëntë malosorëve shtegëtarë nga forcat partizane të batalionit të brigadës së gjashtë, i cili ishte lënë në atë zonë për spastrime.

Motra e Çelos qëllon malësorët e lidhur

Por çfarë ndodhi më pas me grupin e malësorëve, që u arrestuan nga partizanët e batalionit të spastrimit, si të dyshuar për vrasjen e korrierit të brigadës, Çelo Sinanit? Lidhur me këtë, 84-vjeçari Prek Sokoli, i cili e ka akoma të freskët në kujtesën e tij atë ngjarje makabre ku mbeti i vrarë edhe i vëllai i tij, vazhdon rrëfimin duke u shprehur: “Meqënse njëri prej atyre malësorëve, i quajtur Nikoll Mirashi, ishte i sëmurë dhe nuk ecte dot, motra e Çelo Sinanit që ishte partizane në atë batalion, i tha komandantit të saj, se do të rrinte ajo me Nikollën për ta ndihmuar të ecnin, deri sa të mbërrinin në Qafë-Thanë.

Por sapo ata mbërritën diku në një përrua, motra e Çelo Sinanit, nxorri revolverin dhe e qëlloi dy-tre herë në kokë Nikoll Mirashin, duke e lënë atë të vdekur në vënd. Ndërsa kur grupi i partizanëve të batalionit të spastrimit së bashku me tetë malësorët e lidhur mbërritën në Qafë-Thanë ku ndodhej shtabi i brigadës, sipas premtimit që i kishin dhënë motrës së Çelo Sinanit, të tetë malësorët ia rreshtuan të lidhur përpara saj. Në atë moment, ajo nxorri pistoletën nga brezi dhe nisi t’i qëllonte të tetë burrat e lidhur, duke i goditur me nga dy plumba në kokë. Kur ajo po bëhej gati të qëllonte mbi të fundit e grupit, që ishte 17-vjeçari Mëhill Vocrri, disa partizanë iu lutën që ta falte, por ajo vazhdoi të qëllonte edhe mbi të duke thënë: “Lëreni se qenka moshatar me Çelon tim”. Pasi i la të vdekur në vënd të nëntë malësorët (së bashku me Nikoll Mirashin që e vrau gjatë rrugës) motra e Çelo Sinanit u dha urdhër partizanëve të tjerë që t’i zhvishin shpejt e shpejt ata dhe t’ua merrnin rrobat e trupit të vrarëve, pasi u duheshin për partizanët e brigadës që ishin duke marshuar për në drejtim të Malit të Zi.

Ndërsa ata zbatuan urdhërin e saj duke i zhveshur lakuriq të tetë trupat e pajetë që ishin pladosur pa frymë mbi dëborën e ngrirë kallkan, disa prej tyre filluan t’i godisnin përsëri kufomat me tytat e pushkëve dhe me bajoneta duke i shpërfytyruar keqas ato. Pasi ua hoqën rrobat e trupit dhe i lanë ashtu të zhveshur në dëborë në një fushë të vogël, motra e Çelo Sinanit me gjithë partizanët e tjerë vazhduan rrugën për të arritur forcat e brigadës që ishin duke marëshuar për në drejtimin e Malit të Zi”, kujton Prek Sokoli lidhur me ngjarjen makabre të pushkatimit të nëntë malësorëve të pafajshëm të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, ku midis nëntë malësorët që u qëlluan me nga dy plumba në kokë nga motra e Çelo Sinanit, njëri prej tyre ishte i vëllai i Prekës, 25-vjeçari Pëllumb Sokoli.

Vrasin edhe Lazër Vuksanin

Vrasja makabre e nëntë malësorëve të pafajshëm të cilët u ekzekutuan në shenjë hakmarrje për vrasjen e korrierit të brigadës, 15-vjeçarit Çelo Sinani, nuk u mbyll me aq. Kështu shprehet malësori 84-vjeçar Prek Sokoli, i cili e vazhdon rrëfimin e tij për atë ngjarje tragjike, duke u shprehur: “Pasi motra e Çelo Sinanit së bashku me partizanët e tjerë vazhduan rrugën për t’u bashkuar me pjesën tjetër të brigadës, në drejtim të vëndit ku ndodheshin trupat e pajetë të tetë malësorëve, nisën të shkonin fshatarë të atyre anëve të cilët kishin dëgjuar krismat, por në të vërtetë nuk dinin asgjë mbi gjëmën e madhe që kishte ndodhur aty. Të parët që mbërritën në vëndngjarje, ishin burrat e shtëpisë së Halil Zenelit, të cilët u kthyen përsëri në shtëpinë e tyre dhe morën me vete disa batanije e rroba të tjera për të mbështjellë të tetë kufomat, pasi ashtu siç ishin të zhveshura lakuriq, ata nuk mund t’i transportonin për në fshatrat e tyre.

Ndërsa familja e Halil Zenelit ishte duke u marrë me veshjen e kufomave, motra e Çelo Sinanit së bashku me partizanët e tjerë që po udhëtonin për t’u bashkuar me forcat e tjera të brigadës së gjashtë, rrugës u takuan me një malësor nga fshati Bruçaj i quajtur Lazër Vukasni, i cili po vinte nga fshati i tij i hipur në mushkë. Sapo u ndeshën përball Lazërit, grupi i partizanëve së bashku me motrën e Çelo Sinanit, e qëlluan menjëherë atë duke e lënë të vdekur në vënd. Vrasjen e tij ata e bënë me qëllim që ai të mos shkonte në vëndin e ngjarjes ku ndodheshin trupat e pajetë të tetë malësorëve, pasi po të shkonte ai atje, do jepte kushtrimin dhe fshatarët e atyre anëve do rroknin pushkët dhe do dilnin në kërkim të vrasësve. Pra me qëllim që ajo ngjarje të mbahej e fshehtë, deri sa të largoheshin të gjitha forcat partizane që andej, motra e Çelo Sinanit së bashku me partizanët e tjerë e ekzekutuan edhe Lazër Vuksanin që ishte duke udhëtuar me mushëkn e tij për në fshatin Bruçaj ku ai kishte shtëpinë”, kujton Prek Sokoli lidhur me vazhdimin e asaj ngjarje e cila shënoi edhe viktimin e dhjetë nga ana e malësorëve të asaj ane, prej forcave partizane të brigadës së gjashte që komandohej nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska.

Arrestimi i 37 malësorëve

Por pushkatimi i dhjetë malësorëve dukagjinas në afërsi të fshatit Bruçaj, duket sikur nuk i kënaqi kuadrot drejtuese të Shtabit Brigadës së gjashtë që komandoheshin nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska, pasi forcat e shumta të asaj brigade u rikthyen përsëri në fshatin Xhan e Bruçaj, ku kryen arrestimin e 37 fshatarëve të tjerë. Lidhur me këtë ngjarje, 84-vjeçari Prek Sokoli me origjinë nga Dukagjini dhe me banim në Rranxat e Bushatit të Shkodrës, dëshmon: “Pas pushkatimit të atyre dhjetë burrave nga një partizane për të cilën u tha se ishte e motra e Çelo Sinanit, forcat partizane, të udhëhequara nga Jaho Gjoliku, u kthyen përsëri në fshatin Xhan dhe aty arrestuan edhe 37 fshatarë të tjerë, të cilët ashtu të lidhur i rreshtuan në një bregore për t’i pushkatuar të gjithë. Në atë çast që pritej pushkatimi i tyne sipas urdhërit që kishte dhënë Jaho Gjoliku, vendimi u anallua dhe të 37 burrat e lidhur mundën që të shpëtonin nga vdekja e sigurtë.

E gjithë ajo mrekulli, pra falja e tyre ndodhi pas ndërhyrjes së Komandantit të Divizionit partizan, Gjeneral Gjin Markut, që kishte nën vartësi Brigadën e gjashtë, i cili e ndaloi Jaho Gjolikun që ta kryente atë masakër. Sipas atyre burrave që kanë qenë prezent në atë vënd, Gjin Marku i tha kështu Jaho Gjolikut: “Nesër kemi festën e Çlirimit të Shqipërisë dhe nuk bën që atë ditë të shumëpritur ta festojmë me gjak”. Pas atyre fjalëve të Gjin Markut, ata 37 burra të pafajshëm u lanë të lirë për të shkuar në shtëpitë e tyre”, e përfundon dëshminë e tij, 84-vjeçari Prek Sokoli, vëllai i njëri prej dhjetë burrave të pushkatuar në fshatin Xhan, i cili shton se që nga ajo ditë e deri në vitin 1990, familja e tij u quajt reaksionare dhe vazhdimisht u përmëndej vëllai i vrarë. “Prej asaj ne s’kena mujt me lyp kurgja” shprehet Prek Sokoli, familjen e të cilit në vitin 1971 e hoqën nga fshati Xhan dhe e dërguan aty në Rranxat e Bushatit, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Por edhe pse ata u shpërngulën nga fshati i tyre, nuk e kanë harruar ende atë histori tragjike ku 59 vjet më parë nga plumbat e partizanëve mbeti i vrarë i biri i tyre, 25-vjeçari Pëllum Sokoli.

Dëshmia e tre familjeve të viktimave

Për atë histori tragjike të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, Prek Sokoli, nuk është i vetmi dëshmitar që hedh dritë mbi çka ndodhi aty. Ajo histori është ruajtur e freskët në kujtesën e shumë malësorëve të asaj ane dhe sidomos në familjet e viktimave, ku njeri prej tyre, 67-vjeçari, Dedë Marashi dëshmon: “Më kujtohet si tani kur në fshatin tonë erdhi haberi për vrasjen e kushëririt tim, Tom Martinit, të cilin e sollën mbi një vig. Sapo trupi i tij mbërriti para shtëpisë, sipas zakonit i pari doli babai i Tomës, Martin Gjoni, i cili kur e pa syrin e të birit që varej poshtë fytyrës prej goditjeve të bajonetës, iu drejtua atyre burrave që e prunë trupin e tij duke u thënë: “Pse ma keni sjellë kështu” dhe e shkuli syrin e të birit e e flaku tutje në përrua”, kujton Deda lidhur me atë histori rrënqethëse, kur trupat e pajetë të malësorëve të vrarë u përcollën nëpër shtëpitë e tyre. Një tjetër dëshmitare e asaj ngjarje, është dhe 85-vjeçarja Drane Vata, e motra e Kol Vatës që u pushkatua nga partizania e brigadës së gjashtë, e cila dëshmon: “Lajmi për vrasjen e dhjetë burrave, na erdhi në atë kohë që unë isha e martuar në fshatin Gjuraj.

Nga Gjuraj për në Xhan, mban rreth dy orë dhe rrugës për aty unë po mundohesha që të nxirrja të vërtetën se kush ishte vra. Sepse për vëllanë tim Kolën, nuk më treguan që ishte vra, pasi e kisha vëlla të vetëm dhe mua më treguan vetëm për vrasjen e kushërinjëve tanë dhe të tjerëve. Por unë shumë shpejt e mora vesh për vrasjen e vëllait tim, Kol Vatës, nga një fshatar i cili thirri: “Kujdes mos i dëftoni asaj për atë njeriun që kan vra”. Nga ai e mora vesh se bëhej fjalë për mue dhe vëllanë tim Kolën, i cili kishte marrë dy plumba në vetull dhe dy në sy, të cilët i kishin dalë sipër kokës. Shtëpia jonë ku kisha lindur unë kishte tre të vrarë dhe bashke me probatinin (vëlla gjaku prej gishti) bëheshin gjithsej katër që po qaheshin së bashku. Që nga ajo natë dhe për gjithë jetën e jetës unë mbeta qyqe pa vëlla dhe po kështu prej asaj dite e deri sot që jam në moshën 85-vjeçare, unë nuk kam vesh gja tjetër në trup përveçse ngjyrës së zezë”, kujton Drane Vata lidhur me vrasjen e vëllait të saj.

Po kështu, Lezja, motra e Mëhill Vocërrit, njërit prej dhjetë viktimave që u pushkatuan atje, dëshmon: “Në atë kohë që ka ndodh ngjarja, unë isha e martueme në fshatin Pog të Komunës së Pultit. Natën e 28 nantorit, aty erdhën dy fshatarë tek kojshiu jonë dhe kërkaun burrin tim, Kol Zefin. Meqënëse shtëpia e kojshisë sonë nuk ishte ma larg se 30 m. nga kurioziteti unë u afrova fshehurazi dhe dëgjova të gjithë bisedën që bënë dy fshatërt me burrin tim, të cilit në mes të tjerash i thanë: “Kan plagosë partizanët në Xhan vëllanë e Lezes dhe e kanë nisë për në Shosh”. Në ato momente kur dëgjova ato fjalë për vëllanë tim të vetëm, një tmerr i madh më pushtoi trupin. Burri im me dy fshatërt nuk më treguan të vërtetën dhe unë u nisa menjëherë për në Shosh, që mbante rreth katër orë larg ditën, e natën akoma më shumë.

Gjatë gjithë rrugës unë mendojsha se përse vallë vëllanë tim të plagosur e kishin sjellë në vëndlindjen e tij në Shosh, në një kohë që atë fare mirë atë mund ta dërgonin për në Shkodër, që ishte fare pak më larg nga Xhani dhe atje kishte spital. Me këtë shpresë të pashpresë unë arrita deri në Shosh, ku shumë shpejt mora vesh gjamën e zisë së përjetëshme që na pllakosi. Që nga ajo ditë, e 29 nantorit të vjetit 1944 e deri më sot, ne dy motrat e Mëhillit mbetëm me rroba të zeza dhe me dhëmbje në shpirt”, kujton Leze Vocrri, e motra e Mëhillit 17-vjeçar, të cilin para se ta pushkatonte, partizania e brigadës së gjashtë i tha: “Lëreni këtë se qenka moshatar me Çelon tim”.

Reagimi i fshatarëve ndaj partizanëve

Masakra e kryer nga forcat partizane të Brigadës së gjashtë mbi ata dhjetë burra të pafajshëm, nuk kaloi lehtë nga malësorët e atyre anëve të cilët reaguan menjëherë. Lidhur me këtë, 63-vjeçari nga Shkodra. Zef Zeka, i cili prej kohësh merret me hulumtime për terrorin dhe genocidin komunist të ushtruar mbi ato treva të veriut të vëndit, ndërmjet të tjerash dëshmon: “Vrasja e dhjetë burrave të pafajshëm i indinjoi pa masë malësorët e atyre fshatrave të cilët u ngritën menjëherë me armë në dorë dhe dhanë besën për hakmarrje. Kështu pas disa ditësh, më pesë dhjetor 1944, një grup i madh fshatarësh nga Xhani dhe Kiri, filluan pushkën kundër forcave spastruese të Brigadës së gjashtë partizane. Nga ajo përplasje me armë, mbeti i vrarë një partizan, ndërsa nga fshatarët u vranë katër vetë, tre nga shtëpia e Gjon Palit dhe një probatin i tyre. Pas kësaj në shenjë hakmarrje, forcat spastruese partizane dogjën shtatë shtëpi të atyre fshatrave dhe u larguan për në drejtim të Malit të Zi”, shprehet Zef Zeka lidhur me vazhdimin e konfliktit në mes partizanëve të Brigadës së gjashtë dhe fshatarëve dukagjinas, konflikt i cili në forma të tjera ndoshta dhe më të egra vazhdoi edhe për gati një gjysëm shekulli me rradhë.

Versioni zyrtar i vrasjes së Heroit të Popullit Çelo Sinanit

Nga ajo ditë pioneri Çelo Sinani u bë partizan. Në çetën e Kurveleshit e në batalionin “Asim Zeneli”, në grupin e parë të Kurveleshit e në brigadën e 6 sulmuese Çelua u dallua ndër shokët. Pushka e tij u rreshtua përkrah pushkëve të partizanëve të tjerë. Më vonë pushkën e zëvendësoi me automatik, me mitraloz. Me mitraloz në krah zbriti dhe ngjiti qafën e Dhëmbelit, kapërceu Vjosën, Osumin, Shkumbinin, Drinin. Me opinga të shqyera, me një mushama, që e përdorte herë-herë si batanie, me bukë e pa bukë, në shi, në breshër e në dëborë luftonte dhe këndonte këngën aq të dashur: Mbi çdo vend të Shqipërisë / Brigad’ e gjashtë kur kalon,/ Drithet fron’ i tiranisë / Mali e fusha ushëton… Dy vjet luftë e kalitën Çelon. A u rrit nga shtati, mësoi shumë gjëra. Në një përpjekje që bëri me armikun grupi i parë i Kurveleshit, Çelua papritur mbeti i rrethuar. -Të zura, more rjepacak, s’ke ku më shkon,- i tha një ballist dhe iu vu prapa Çelos.

Pioneri, sadoqë ndjeu frikë nuk e dha veten. E priti të afrohej dhe e qëlloi. Ballisti klithi dhe ra shul në tokë. Nuk e humbi besimin në vetvete dhe vendosi të çante rrethimin. U shtri barkas dhe rrëshqiti pa u vënë re nëpër gërxhe e shkrepa gjersa doli jashtë çdo rreziku e u bashkua përsëri me shokët. … Nëntor 1944. Çelua, partizani i Brigadës së gjashtë, bashkë me një shokun e tij bënte roje në Theth, në fshatin piktoresk në zemër të Alpeve. Kur partizanët e tjerë bisedonin përzemërsisht me malsorët, dy rojet që nga bregorja vërenin me kujdes çdo lëvizje. Nga deriçka e kishës doli nëj “prift”, i cili, si hodhi sytë rreth e përqark u largua me të shpejtë në drejtim të bregut të lumit. Çelua dyshoi: “Pse ecën i trembur”?! Zuri vend mbi rrugë dhe i thirri të ndalej. “Prifti” shtangu në vend. Nisi të bënte kryq dhe në çast nxori “valterin” nga gjoksi dhe shtiu tri herë.

Ciflat e gurit mbi të cilin ranë plumbat e gjakosën në njërën dorë pionerin, por ai nuk u tërhoq. Iu kundërpërgjigj menjëherë me një breshëri automatiku. “Prifti” vrapoi duke shtënë në të rrallë, ndërsa pioneri i gjakosur iu qep pas duke shtënë. “Prifti” hyri në ujë për të dalë në bregun tjetër. Në përpjekje për t’u mbrojtur nga plumbat e Çelos përdrodhi këmbën, ra në ujë u ngrit, po revolveri i ra nga dora. Në ndihmë të Çelos shkoi Alemi, shokët e tjerë dhe “prifti” u kap. Gjatë kontrollit Alemi i tha Çelos:”- Shih dreqi, na qenka toger gjerman! Akte trimërie të vogëlushit i gjen të shkrira në gjurmët e brigadës së tij. Kudo Çelua i vogël luftoi si trim. Episode nga më të ndryshme tregojnë shokët e tij për Çelon. Ai në kujtesën e tyre mbeti fëmijë i gëzueshëm, luftëtar trim që, si thotë populli, të merrte “gjak në vetull”. Po afronte dita e çlirimit të plotë të Atdheut. Brigada e gjashtë ndodhej në afërsi të Qafë Thanës, në malësinë e Dukagjinit. Natën, duke u gdhrë 26 nëndor 1944 partizanët të lodhur e të pangrënë ishin grumbulluar në një vend, ku mund të mbroheshin sadopak nga shiu e furtuna. Papritmas hidhen dy bomba nga mercenarët.

Çelua i ndezur nga urrjetja për armiqtë vrapon bashkë me partizanët e tjerë për t’u hakmarrë. Ndodhet përballë me tre mercenarë. Qëllon me automatik, vret një mercenar dhe plagos nji tjetër. Mercenari i tretë qëllon nga dukej flaka e automatikut dhe plumbi armik godet trimin pioner, që puthi për herë të fundit tokën e shtrenjtë të Atdheut. Nga fytyra i rrodhën currila gjaku. Malësorët i kënduan trimërisë së heroit të vogël: “Kush lufton në atë breg / Çelo Sinani vetë i tret, / Çelo Sinani kuq si molla / Qit dhe njëherë, të lumtë dora, / Jo me një po qit me dy,/ T’lumshin krahët e ay sy”. Ndërsa në gazetën lokale të vendlindjes së Çelos, për të u shkruan këto vargje:”… Kush tha se s’di Çelua / Në male të luftojë?!/ Kush tha se s’di Çelua / Me pushkë të qëllojë?!/ Përballë me armikun, / Në krah me shok’lufton,/ Dhe kurrë ai s’trembet…/ Me pushkë ai qëllon. … Po plumbi seç e gjeti,/ Bariun tonë të ri; / Ia ngatërroi flokët era,/ Me kapënë mbi sy…”.

2 KOMENTE

  1. Shkrim i dhimbshem e realist qe mall difton per luften civile ne Shqipni ku malcoret e masiperm per 50- Vjet u quejten reaksionar e. Çelot e Co. Deshmorë qe duhej te ishte e kunderta, megjithate Malcia e mbishkodres po’ i Ka frike per se vdekuni e i mban per Heroj çelopartizanet e Brogades se Gjashtë…

  2. Në këtë rrëfim ka një pasaktësi të madhe, e cila qëndron në bazë të tij. Çelua vetë ishte shumë i ri, është vrarë 14 vjeç dhe ishte djali i madh i familjes Sinani. Ai ka pasur motra, por ato kanë qenë më të vogla dhe asnjëra nuk ka pasur statusin e partizanes?!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.