MIGJENI, MË KONCEPTUALI I LETRAVE SHQIPE

0
5995

Moikom Zeqo

Migjeni është një nga shkrimtarët më të ribotuar në Shqipëri, i përkthyer në shumë gjuhë të botës. Botimet e Migjenit bazohen të gjitha te botimi kryesor i bërë nga Skënder Luarasi. Botimi më i fundit është bërë nga vajza e Skënder Luarasit, Angjelina Ceka. Ky botim i ri ka fakte të reja të ikonografisë dhe jetës së Migjenit (fotografi të rralla dhe të çmuara, të dhëna familjare të hollësishme dhe të sakta), si dhe përfshirjen e dy letrave të famshme të Bojkës.

Disa shënime përcjellëse të këtij libri hedhin poshtë mitin se gjoja familja e Migjenit ka pasur origjinë serbe, si dhe bëjnë sqarimin e marrëdhënieve të pastra e të pashembullta të dashurisë së Migjenit për Bojkën dhe ndërsjellas. Zonja Angjelina Ceka ka bërë një punë të lavdëruar dhe shumë të dobishme.

Unë, që jam marrë një jetë të tërë me Migjenin, madje kam përgatitur dhe botimin e plotë për Migjenin më 1989-n, së bashku me zonjën Rozeta Uçi, mund të them me plot gojën se mungon ende dhe sot një botim akademik shkencor tekstologjik i Migjenit, ku të përfshihet në mënyrë akribike tërë paraqitja e poezisë dhe e prozës, së bashku me rreshtat e shuar, ose të shtuar për vetë autorin. Në këtë botim duhet të përfshihen dhe shkrimet e Migjenit në gjuhë të huaj, krahas përkthimit në shqip. Unë nuk e kuptoj përse Akademia e Shkencave deri më sot nuk e ka bërë një gjë të tillë? Kur vallë do të bëhet një botim i tillë më në fund?

Në botimin akademik të veprës së Migjenit është e domosdoshme të fshihen edhe nënvizimet e tij nëpër libra, shënimet, vizatimet e tij, si dhe të gjitha letrat që i janë dërguar atij nga të tjerët.

Lexuesi shqiptar mund të mësojë kështu se në botimet e reja do të kemi patjetër një plotësim të opusit migjenian.

* * *

Një dokument që ruhet në fondin “Migjeni” të Muzeut Popullor të Shkodrës, flet për veprimtarinë atdhetare të babait të Migjenit, Gjergj Nikolla (1875-21 mars 1924), i mbiquajtur Shkodrani. Foqion Postoli i dërgon Gjergjit më 1 janar 1924 një dëftesë – dekoratë që nga Korça për nderim të meritave atdhetare si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin Kishtar të Beratit, që krijoi Kishën Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë më 12 shtator 1922.

Ky fakt ka rëndësi për të kuptuar ndjenjat e thella të shqiptarisë të familjes së Migjenit, ndjenja që lanë gjurmë të pashlyeshme atdhedashurie tek ai, krenarie të vërtetë për qenien shqiptar. Migjeni flet qartë në një shkrim të tij për etnogjenezën iliro-shqiptare, fakt ky me rëndësi për shqiptarësinë e formimit kulturor–shkencor të tij.
Nga motra e Migjenit, Ollga, ruhet një “Autobiografi” e shkruar në Tiranë më 10 nëntor 1959.

Në të thuhet: “Tri muaj para se të mbaroja gjimnazin (në Sarajevë 1933) ma prenë bursën, për shkak se im vëlla Millosh Nikolla – Migjeni, kishte pranuar vendin e mësuesit të gjuhës shqipe në fshatin Vrrakë të Shkodrës, ku ishte shtetëzuar shkolla fillore dhe në vend të gjuhës serbe ishte vënë gjuha shqipe”. Nga dokumentet shkollore e kujtimet e atyre që e kanë njohur në Manastir gjatë viteve 1928-1933, mësojmë për gjendjen jo të mirë shëndetësore të Migjenit, i cili “çdo javë shkonte për mjekim”, ku ruhen shënime për shtrimin herë pas here të tij në spital. Nga 257 ditë mungesa të bëra gjatë viteve të studimit, vetëm në vitin e fundit Migjeni ka bërë 166. Në ditarin e shkollës është edhe ky shënim i kujdestarit për Migjenin: “Nxënësi s’ka fare nota në tremujorin e dytë në pjesën më të madhe të lëndëve, si dhe në sjellje për shkak të sëmundjes”.

Nga viti 1928, deri më 1938, viti final i jetës dhe njëkohësisht i vdekjes, Migjeni ka vuajtur, ka një histori të sëmundjes, e cila ka ndikuar në jetën e poetit.
Deri më sot nuk është gjetur një biografi e Migjenit dërguar Ministrisë së Arsimit më 1933-n siç dëshmon Skënder Luarasi – fakt ky me interes të posaçëm.
Në fondin Migjeni në Shkodër janë të shkruara nga Migjeni një gjenealogji e familjes, një përkthim në shqip i diplomës së marrë në Manastir (një kopje e po kësaj diplome është përkthyer në italisht – po me dorën e Migjenit), ku ka dalë gjyshi dhe gjyshja e shkrimtarit nga ana e nënës, në anën e prapme Migjeni ka shënuar edhe emrat e 11 personave të familjes.

Një fotografi e një turisti austriak që ka kaluar në vitin 1936 në Pukë, e ka hyrë në klasën që mësonte Migjeni, e ka fiksuar një pamje të nxënësve të ulur në banka, një kalendar i bërë nga dora e Migjenit për nevojat e shkollës (ruhet në Muzeun e Pukës), një dokument ku flitet për një mbledhje të nënprefekturës së Pukës, ku ka marrë pjesë edhe Migjeni, ku është marrë edhe një vendim kundër disa zakoneve prapanike, një stilolaps i shkrimtarit i dhuruar dëshmorit të ardhshëm të luftës Bahri Shaqirit, i cili shkruante dhe vetë poezi (ruhej në Muzeun e Shijakut), një numër fotografish të publikuara deri më sot, që kanë fiksuar momente të ndryshme të jetës së Migjenit që nga fëmijëria deri në ditët e fundit (disa nga fotografitë kanë të shënuara nga pas dhe datën e vendin), janë me interes për kronologjinë e veprimtarinë e jetës së shkrimtarit.

Diçka prekëse është dokumentacioni mjekësor i sanatoriumit në Tore Peliçe, një radiografi e mushkërive të Migjenit, pasaporta e tij që përdori për herë të fundit, (krahas tri pasaportave të tjera që ruheshin dikur në shtëpinë muze të tij). Është grumbulluar një material i gjerë i kujtimeve mbi Migjenin.

Po a ka dëshmi të tjera, të reja, për krijimtarinë e Migjenit?
Janë botuar disa fragmente, shënime të tij, letra, dokumente etj.
Dhimitër Shuteriqi në artikullin e tij “Arti i Migjenit” botuar më 1938-n, bën fjalë për një ose dy poezi të Migjenit – më të hershmet e tij, botuar në shtypin shqiptar të Rumanisë (në “Shqipëria e re” e “Kuvendi kombëtar”). Zbulimi e gjetja e tyre do të ishte ngjarje letrare.
Megjithatë dëshmohen shkrime të tjera të panjohura të Migjenit. Këtu është rasti të themi se ndonjë shkrim që i është atribuuar atij, si p.sh. një roman me titull “Jeta pa fat” shkruar gjoja gjatë viteve të studimeve në Manastir, një fragment i të cilit dhe është botuar, është në fakt një mistifikim, një gjë jo e vërtetë, e padokumentuar.

Një letër e vajzës që ka dashur Migjeni dërguar Ollgës me datën 04.09.1938 paraqet një interes të veçantë jo vetëm për jetën intime të tij, por edhe për njoftimin e tij që jep për disa letra të cituara në fakt në vetë këtë letër. Ja ç’shkruhet në të: “Kalonim kohën me biseda dhe këngë. Kur për herë të parë më shfaqi dashurinë me letër unë i jam përgjigjur se edhe tek unë ka lindur një ndjenjë e tillë… Ja disa nga fjalitë e tij nga letrat e para që janë gdhendur në kujtesën time: “Ti je për mua kaq e ëmbël, më e ëmbël se engjëjt që nuk ekzistojnë”… Kam dashuruar dhe çdashuruar (këtu në kuptimin e një dashurie të braktisur -shënimi im M.Z.), por vetëm te ti kam gjetur qenien e vërtetë sociale”. Dhe në fund e mbyllte kështu:

“Në fund të fundit të mbetet miqësia apo jo B.? Unë jam mësuar me dështime, bankrote, që jeta m’i paraqet sapo bëj një hap të tillë o dhimbja ime… Në rastin më të parë e kam pyetur të më sqarojë përse më ka quajtur Dhimbje. Më tha se unë do të isha Dhimbje për të sikur të mos e doja. Unë i thashë se nuk mund të jem e tillë (Dhimbje), kurrsesi se doja të mos shqetësohet fare – dhe me të vërtetë e kam dashuruar”.

Në këtë letër ka edhe dëshmi për një poezi të re të Migjenit. Po citojmë fjalë për fjalë këtë pjesë të letrës: “Ishte ulur në tryezë dhe po shkruante. Kur më pa, fytyra iu ndriçua nga një buzëqeshje. Unë i përkëdhela flokët dhe e pyeta se ç’po shkruante. Ai m’u përgjigj: “Për ty e dashur, lexoje!”

“Të faleminderit o shi që u bëre shkak të mbetem në shtëpi të rri pranë së dashurës sime (dhe në fund e mbyllte me vargun): ‘Jam i lumtur, i stërlumtur’”.
Kjo poezi, përveç vargjeve të mësipërme, nuk ruhet. Ajo ka rëndësi për të treguar një moment të jetës intime të poetit tonë, të dashurisë së tij të vërtetë, jashtëzakonisht të pastër, njerëzore.

Në një letër të datës 30.09.1938 që kjo vajzë kurajoze, me botë të madhe shpirtërore, i dërgon po Ollgës, lexojmë:
“Rri ashtu vetëm në dhomë, nxjerr të gjitha sendet që të më kujtojnë ty dhe Mirkon (Migjenin): letra, shkrime, fotografi, i lexoj me mall dhe me dhimbje në shpirt”.
Kohët e fundit kemi gjetur një variant të poezisë “Malli rinuer”. Duke parë e konsultuar dorëshkrimet origjinale me dorën e poetit të librit “Vargjet e lira”, kemi vënë re që disa gjëra që në botime të mëparshme janë dhënë si lapsuse.

Në dorëshkrimin e poezisë “Trajtat e mbinjeriut”, vargu i katërt i strofës së nëntë është: “qarkullojnë rreth rruzullit dhe nëpër sferë të hapshe” që në të tëra botimet është: “qarkullojnë rreth rruzullit tue synue vragshëm”.
Vargu i parë i strofës së fundit i poezisë “Një natë pa gjumë” në origjinal është:
“Hiqmuni qafet mendime cauchemars!”

Fjala frenge cauchemars (ëndrra të tmerrshme), në botimin e vitit 1954 ekziston, në botimet e mëparshme është hequr. Kjo fjalë karakteristike (un mot picard) – një fjalë pikarike përmendet te Colette (Je tombais de reve en cauchemar, de cauchemar en convulisions nerveuses).

Pse e vuri Migjeni këtë fjalë në vargun që përmendëm? Për të bërë më të fuqishëm mendimin. Migjeni edhe në shkrimet e tjera ka fjalë nga frëngjishtja (si p.sh. “un roseau”, folja “Compremetter”).
Vëmë në dukje se “Un roseau” është pjesë e frazës së njohur të Blez Paskalit “L’homme est un roseau pensant”. Migjeni ka bërë nënvizime te libri “Les penses” të xhensenistit e mendimtarit të madh Blez Paskalit.

Nga letërkëmbimi i njerëzve të familjes së Migjenit janë disa letra, kartolina që i dërgohen atij, letra që i dërgohen kryesisht Ollgës, Skënder Luarasit, që dëshmojnë për momente të tjera të ndryshme të jetës së Migjenit të madh. Një kushëri i afërt i Migjenit i shkruan Ollgës nga Gjakova më datë 07.09.1938:

“U binda se jam njeri pa fat (fatkeq) dhe fakti është se mbeta pa vëllanë tim tek i cili kam pasur besim se do të bëhej njeri i madh”.
Një kushëri tjetër i dërgon Ollgës dhe Cvetkës (letra s’ka datë, po duhet të jetë e vitit 1938, mbas vdekjes së Migjenit) edhe këto rreshta: “E dashur Ollga, kam dashur të të lutem të m’i dërgosh tregimet e Mirkos (Migjenit) si i ke në dorëshkrim, ose po pate fragmente, ashtu siç i ka publikuar ai. Poezitë e tij i kam. Tregimet do të doja t’i përktheja. Mund të dërgosh ç’të kesh. Materialet do t’i kthej përsëri. Unë punoj dhe për përkthime letrare. Punoj… me një profesor Universiteti – filologun albanolog, dr. Parioin.”
Të mbetet në mendje fjalia se “poezitë e tij i kam”.

Cilat poezi?
Ato që njihen nga trashëgimi i Migjenit, apo edhe ndonjë të panjohur?
Më 1961 një studiues shqiptar, Krist Maloki, në një letër i shkruan Skënder Luarasit nga Austria: “Para një viti kam qenë n’Ulqin apostafat për të mbledhë material historik e letrar rreth Migjenit. Atje u njohta me zonjën Leposavë, me të bijën e kunatës s’ate e me një shok të vjetër të Migjenit…” Ndër “Kangë të rinisë” vende-vende shpërthejnë tonalitetet si ato të Bethovenit në (“Dashuri e pavdekshme”). Në librat e lexuara nga Migjeni (ruhen në shtëpinë muze) ka nënvizime të shkrimtarit.

Në librin “Kriza e kulturës bashkëkohore” e N. Verbajevit në faqen 27 Migjeni nënvizon me laps “Shkolla e Bolonjës njeh Mikelanxhelon dhe Rafaelin”, më poshtë: “Morali i Niçes nuk njeh vlerën e personalitetit të njeriut”.
Në faqen 38 Migjeni nënvizon: “Marksi shpirtërisht ka dalë nga religjioni humanist i Fojerbahut… Marksi përfundimisht u “nda” nga “Renesanca si nga një botë ‘borgjeze’ dhe aspiroi për një shoqëri të re”.

Në librin “Letra nga India”, Migjeni ka nënvizuar gjithashtu në faqen 11:
“India, vend i religjionit, vend i misticizmit, vend i mistereve”.
Në faqen 15: Një adhurues anglez i Tagorës thotë: “Është një poet jo thjesht se është atdhetar, por se i njeh thellë bashkatdhetarët e vet… të gjithë studentët e adhurojnë Tagorën. Unë kam ardhur nga larg. Kam ardhur të studioj në Santinikalen, për shkak se këtu është tempulli reformues i Tagorës, sepse në këtë shkollë jepte mësim Tagora, e se kjo bibliotekë është vepër e Tagorës, sepse në këtë shtëpi ka jetuar, e menduar, e punuar, Tagora”.

Këto nënvizime e të tjera që nuk po i japim këtu, flasin për kulturën e gjerë të shkrimtarit tonë (ka ardhur koha e një botimi të plotë të shënimeve të Migjenit nëpër libra – kënd më vete që e pasuron krijimtarinë e tij).
Me vlerë për veprën migjeniane janë kundërvëniet dhe polemikat e shkrimtarit me shkrime të ndryshme të botuara në shtypin e kohës.

Në “Illyria”, më 13 maj 1934, botohet shkrimi “Letër nga fshati”, ku thuhet: “I dashur shok… kam zili për jetën e qetë të fshatit, – kaloj ditë të lumtura në paqe e në qetësi. Të ka ndodhur ndonjëherë të flesh në pyll? Eja të rrosh këtë jetë të ëndrrave”. Ky shkrim romantizues, me idilikë neveritëse, është bërë shkak që Migjeni të botojë më 1 korrik 1934 skicën – përgjigje ironike të “pamëshirshme” “Të fala nga fshati”, ku me realizëm të pashembullt thuhet gjendja e vërtetë e jetës dhe e sendeve.

Tek “Illyria”, 28 nëntor 1935, është botuar shkrimi panegjirik ndaj mbretit Zog me titull “…Dhe drita u ba!”, ku thuhet: “më 21 tetuer (data e urdhrit për reformat e Zogut, shënimi im M.Z.) u hap porta e Madhe e Kombit tonë për me lanë me hy në marshim luftarak djemtë e rinj e të mprehur për çdo guxim të mirë… ndigjojmë marshimin fatidik të kalorësve të rinj kah fate të sigurt si agimin e kaltër të kësaj stine krenare”. Shkrimi mbaron me fjalët “Vade retro Satana! Rroftë mbreti!”

Migjeni i kundërvihet këtij shkrimi me ironinë e tij të fuqishme, sfiduese, asgjësuese, në prozën “Vetëvrasja e trumcakut” “…një fjalë goje, si p.sh.:”…
“Të bëhet dritë! Dhe dritë u ba! A shifni? Një fjalë magjike! Hokus – Pokus! Sa bukur!”
Shënojmë se tema e prozës së Migjenit “Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur?” lidhet me një citim nga filozofi anglez Xhon Stjuart Mill (1806 -1876), partizan i liberalizmit politik, kritikues i moralit të bigëzuar, të kohës së tij, përfaqësues i teorisë empirike.
Citati i Millit botuar disa herë në shtypin e viteve ’30, është: “Më pëlqen të jem më tepër një Sokrat i pakënaqur sesa një derr i kënaqur”.

Kurse vargu “Qeshni paljaço, ndërsa zemra të pëlcet” që përdoret si refren te proza e Migjenit “Tragjedi apo komedi?” është përdorur edhe në një skicë të Platonicusit, – Veli Stafës. Është fjala për një varg të famshëm nga aria e operës “Pagliacco” (1892) të kompozitorit italian Rugero Leonkavalo (1858-1919).

Në poezinë “Këngë Skandaloze” Migjeni thotë për shprehjen e Niçes në librin “Kështu foli Zaratustra”: “njeriu është një litar i ngrehur midis shtazës dhe mbinjeriut – një litar mbi humnerat” dhe ironizon me vargjet e njohura: “Unë dhe ti murgeshë, dy skaje të një litari – të cilin dy taborë ia ngrehin njëri-tjetrit” duke vënë në reliev një mendim të ri luftarak, emancipues.

Së fundi të japim një interpretim të ri të poezisë “Këngë më vete”. Kjo poezi tepër e rëndësishme është në fakt e vetmja e ciklit homonim (ciklet e tjera janë prej disa poezish). Kjo poezi – cikël, flet për fqinjët, komshinjtë, për të cilët Migjeni shënon në varg: “komshinjtë e mi që i kam farefis”, pra, janë shqiptarë e jo të ndonjë kombësie tjetër.
Ai krijon antitezën sfiduese e të pamëshirshme për ata që u bënë “orakuj” e pararojë e fashizmit, rrezikun apokaliptik Migjeni e shpall edhe në skicat “Të korrat” apo te “Kusarët në Adriatik”.

Migjeni denoncon, sarkazmatizon pikërisht këta emisarë të Shkodrës që janë parathënie e fashizmit në Shqipëri – pra poezia për të cilën flasim është e para poezi antifashiste shqiptare në vitet ’30, pra nga më kryesoret e “Vargjeve të lira”.
Migjeni është një shkrimtar i madh konceptual, tek ai ndihet si tek askush ndërrimi i epokave, paraprijësi më i shquar për letrat e artin tonë.
Në një libër në frëngjisht i quajtur “Shovinizmi linguistik”, Migjeni ka bërë nënvizime të rëndësishme.

Familja e Jakov Milaj në Fier ruan kujtimet e shkruara me dorë të Jakov Milaj për Migjenin. Jakov Milaj ka qenë një intelektual i shquar i viteve ‘30 dhe autor i librit të famshëm “Raca shqiptare”. Ai është i pari që paraqet teorinë shumë të rëndësishme gjenetike me tri ligje themelore të Mendelit, që është mbiquajtur si Ajnshtajni i gjenetikës. Jakov Milaj është kështu një nga dëshmitarët më të vërtetë dhe seriozë që e ka njohur drejtpërdrejt Migjenin. Kujtimet e tij plotësojnë shumë gjëra që kanë mbetur në boshllëk.

* * *

Përtej hulumtimit si punë e mirëfilltë shkencore mbetet shumë për të bërë për kualifikimin e rolit të Migjenit në letërsinë shqipe, duke hedhur tutje si mbivlerësimin e llojit barok, ashtu dhe nënvlerësimin e llojit inkuizicionist. Ai kërkon një lexim të ri, ndryshe nga leximi i dogmatizuar i shtetit totalitar, ndryshe nga leximi i sforcuar sociologjik, duke u mbështetur në rrafshin e epërm estetik dhe krahasimtar.

Në 100-vjetorin e lindjes së Migjenit, ne mundohemi t’i shmangemi sa më shumë fjalës “Vdekje”. E bëjmë këtë seriozisht, sepse askush, asnjëri prej nesh nuk beson në vdekjen e Migjenit në të gjitha pikëpamjet. E një lloj alibie e vdekjes është përdhunimi i varrit të tij (para disa vitesh) nga forcat e errëta, duke i thyer kapakun e varrit dhe mbishkrimet. Është diçka groteske dhe në thelb pa asnjë kuptim.

Unë do të doja të përfytyroj se si mund të shkruhej një editorial për 200-vjetorin e lindjes së Migjenit, nisur vetëm nga kronologjia. Jam i bindur se edhe në 300-vjetorin e largët të gjithë do t’i shmangeshin fjalës “vdekje”.
Migjeni është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, i cili e ndau letërsinë shqipe në dy pjesë. Mund të thuhet që letërsia shqipe ka historinë para Migjenit dhe tashmë historinë pas Migjenit.

Shkrimtarët para Migjenit krijuan një traditë të fuqishme, të pëlleshme, tepër interesante edhe në rrafshin ballkanik. Atdhetarizmi në një sens kulturologjik është substanca artistike e kësaj letërsie. Emrat e Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit në një farë mënyre përfaqësojnë ata paraprijës që mund të imagjinohen si roli i Eskilit, Euripidit dhe Sofokliut në letërsinë greke dhe europiane. Kjo krahasueshmëri natyrisht është konvencionale dhe duhet marrë e mirëqenë vetëm në kuptimin kombëtar shqiptar.

Tradita para Migjenit është shumë e rëndësishme. Dhe ja lindi në këtë botë Migjeni si për të treguar se gjithçka që u shkrua para tij në letrat shqipe ishte vërtet një gjë serioze, madje madhështore. Por këtej e tutje Migjeni do të ndryshonte në mënyrë konceptuale si askush rrjedhën e letërsisë shqipe. Ai është i pari që kuptoi se jo vetëm shoqëria, por edhe letërsia domosdoshmërish nuk mund të bënte dot më pa një emancipim tërësor dhe të fuqishëm të kombit dhe të krijimtarisë së fjalës. Ai kuptoi se duheshin rrëzuar totemet dhe idhujt patriarkalë, ballkanikë, konservativë të Shqipërisë. Ai e kuptoi se letërsia shqipe nuk do të kishte më kuptim, në qoftë se nuk do të krijonte një modernitet cilësisht më të lartë dhe konkret në rrafshin europian dhe botëror.

Shkrimtarët përpara Migjenit lidhen me Rilindjen Europiane dhe Humanizmin (si Gjon Buzuku), apo me artin e madh barok evropian (Bogdani, Budi etj.). Kjo letërsi shkëlqeu me emrat e papërsëritshëm të romantizmit shqiptar dhe europian si Naim Frashëri, De Rada, Serembe. Por tradita kriticiste e letërsisë europiane e shekullit 19 përfaqësuar nga Balzaku, Dostojevski ende nuk pati fuqi ndikuese e vepruese siç duhet në letrat shqipe. Kemi një prapambetje bashkëkohësie në këtë hulli. Ky kriticizëm i pashembullt në letrat europiane nuk mund të krijonte boshllëk të përjetshëm në letrat shqipe.

Fillon kështu letërsia e shekullit XX në Shqipëri, ku shkëlqejnë emrat e Konicës, Poradecit, Fan Nolit. Letërsia e viteve ‘30 në shekullin XX ishte gjithashtu e jashtëzakonshme në Europë. Emrat e Franc Kafkës, Georg Traklit, Miroslav Kërlezhës, Kazanzaqit janë emra emblematikë. Rryma e ekspresionizmit shkëlqeu në mënyrë inkandeshente në kontinentin tonë. Pikërisht në këtë bashkëkohësi dritëson si askush Migjeni, biri i ekspresionizmit europian dhe më i fuqishmi dhe më i madhi i ekspresionizmit shqiptar. Migjeni u bë maratonomak i emancipimit shoqëror e artistik për të gjithë ne edhe në ditët e sotme.

Por unë mendoj se Migjeni është shkrimtari më konceptual në letrat shqipe. Karakteri i rolit ekskluziv të Migjenit kështu nuk mund të përsëdytet. Danillo Kish ka thënë se letërsia botërore ndahet nga emri i Jorge Luis Borgesit në letërsi para Borgesit dhe në letërsi pas Borgesit. Ka një semantikë të ngjashme me emrin e Migjenit, siç e thashë më lart topologjikisht për letërsinë shqipe. Migjeni është një shkrimtar kulmor i letrave shqipe, i denjë për panteonin e letrave europiane në vitet ‘30 të shekullit XX.

Migjeni vetëm ringjallet, sepse problemet ekzistenciale të shoqërisë shqiptare janë ende shumë të mprehta. Migjeni është artisti i një katarsi tërësor për shoqërinë shqiptare, një letër lakmuesi i pamohueshëm. Shikoni mediat shqiptare dhe kriticizmin e publicistikës sot! Pika më e madhe referuese e tyre çuditërisht është dhe mbetet Migjeni. Mund të them me bindje se Migjeni është më i gjallë se sa ne të gjallët e rastësishëm dhe vdekatarët e zakonshëm. Në këtë kuptim ai ka një dimension trascedental dhe i përket së ardhmes më shumë se të tjerët.

Moikom Zeqo

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.