Shkrime me interes
Familja Marubi
Historia e kalasë Rozafa
Emri i kalasë Rozafa
Statutet e Shkodrës
Shkodra dhe motet
Rrethimi i Shkodrës
Artikuj nga “Fjala e Shkodrës”
Katedralja e Shkodres
Kisha Zoja e Shkodres
Kisha e Shirqit
Xhamia e Plumbit
Kisha ortodokse
Sahati i Inglizit
Teatri shkodran …
Historia e Kalasë Rozafa – legjendë
“Rozafa”, dashuri me pëllumba – Ben Andoni
Rozafa – gruaja e murosur
— nga Arben Çokaj
– ese –
Rozafa është zanafilla e një qyteti të lashtë e legjendar. Gjithçka fillon me një legjendë, gjithçka vazhdon si në legjendë. Rozafa ishte aty, para se Krishti të lindte, ajo është aty edhe sot.
Për ata që e njohin legjendën e Rozafës, e kanë të qartë se në muret e saj prehet një trup i gjallë nëne.
Gruaja ‘Rozafë’ lutet që t’ia lënë njërin gji jashtë, për të ushqyer me qumësht djalin e saj të vogël. Me trupin e saj, Rozafa i dha jetë një fëmije, me sinqeritetin dhe vetë-flijimin e saj, ajo i dha jetë një qyteti. Mbi të u ngrit një kala, tre vëllezërit e legjendës gjetën mirëkuptim mbi murosjen e kësaj gruaje. Si gjithmonë, dikush flijohet që diçka më e madhe të jetojë. Dhe Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar.
Vetë historia njerëzore, në turbulencën e saj nën-ndërgjegjësore, ka provuar paarsyen e vet paradoksale:
Diçka e shenjtë jepet, diçka e shenjtë fitohet! Jeta është e shenjtë. Dhe brezat që vijnë, gëzojnë mbi atë që u shua. Rozafa, kjo grua naive, mund të kishte vdekur si të gjitha të tjerat – e harruar, por ajo vdiq, pa e ditur as vetë, për të jetuar si legjendë. Ky paradoks i arsyes njerëzore na çon tek një fillim: Plaku orakull, u tregon vëllezërve se duhet të murosin njërën nga gratë, që muri të qëndrojë.
Por a janë të gatshëm vallë, të gjithë njerëzit të flijojnë? Jo, por në të vërtetë, po! Secili nga ne humbet diçka, dikush më shumë, dikush më pak, pa dëshirën tonë, pa vetëdijen tonë. Kjo ndodh po aq natyrshëm, sa ç’ndodhi me Rozafën. Por humbjet tona janë të vogla, individuale, ndërkohë që humbja e Rozafës u bë për hir të interesave globalë: ndërtimit të një muri mbrojtës për qytetin e Shkodrës.
Gjekë Marinaj
RRËFIMI I ROZAFËS
Nën iluzionin
se një grua vlen më pak se një burrë,
Më murosën mua.
Nën idenë
se u ushqye me gjakun tim,
Kalaja gjeti forca të mbahet në këmbë.
Nën sikletin
se mund të thirrej dëshmitar,
Drini vazhdoi udhën.
Nën emblemën
e vet-sakrificës njerëzore,
Më kthyen në legjendë.
Nën pretekstin
se të gjithë patën të drejtë,
Edhe unë murosa brenda vetes fjalën “vrasje”.
R O Z A F A
( është një gojëdhënë (legjendë), e përcjellur brez pas brezi )
– Historia e kalasë Rozafa –
“Krenare ngrihet mbi Bunën e gjanë e mbi qytetin e Shkodrës kalaja e lashtë e Rozafatit. Kur asht qitë guri i parë në themelet e kësaj kështjelle? S’dihet. Historia e saj tretet në mjegullën e lashtësisë ilire, banorëve të moçëm të kësaj mange. Nji gja dihet mirë e kjartë: ate e kanë pasë dikur labeatët e mandej ardianët, që ishin fise të forta ilire.
N’atë kohë tanë bregu i këtejshëm i Adriatikut, deri në Tergestën e bujshme jase Triestën e ditëve tona, ish breg ilir. Ma vonë, u derdhën këndej romakët, tevona sllavët, normanët, venetikët, turqit e shumë popuj tjerë të huej. Gjatë shekujve ata krepat e thatë nën muret e Rozafatit, si edhe vetë muret e kështjellës, janë lagë me përrej gjaku t’atyne që e kanë sulmue dhe t’atyne që e kanë mbrojtë. Të huejt erdhën e shkuen, kurse populli ynë mbeti i ngulun në këtë tokë ilire. Ndërtimi i kështjellës së Rozafatit ka nji gojëdhanë të bukur e të hidhun që na ka ardhë nga lashtësia jonë. Qe se ç’thotë kjo gojëdhanë. “…
I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tanë. Tri ditë e tri net kjo mjegull mbeti aty. Mbas tri ditësh e tri netësh nji erë e hollë fryu e e naltoi mjegullën. E naltoi dhe e shpuni deri në kodrën e Valdanuzit. Aty maje kodrës tre vëllazën punoshin. Ndërtoshin nji kështjellë. Po, murin që naltoshin ditën u prishej natën, e kësisoj nuk e naltonin dot. Na kalon aty nji plak i mirë. – Puna e mbarë, o tre vëllazën. – Të mbarë paç, o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë? Ditën punojmë, natën na shembet. A din me na diftue ndoj fjalë të mirë: çka të bajmë që t’i mbajmë muret më kambë? – Unë di – u thotë plaku ~ po drue me jua thanë se a’ mëkat.
Atë mëkat hidhe mbi krytin tonë, se na duem ta qëndrojmë më kambë nji këtë kështjellë. Plaku i mirë mendohet e pvet: – A jeni të martuem, trima? A i keni ju të tri varzat e jueja? – Të martuem jemi – i thonë ata. – Edhe të tre i kemi varzat tona. Na thuej pra ç’të bajmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë? – Në daçi m’e qëndrue, lidhuni me besa-besë: varzave mos u diftoni, në shpi mos kuvendoni për fjalët që do t’ju thom unë. Ate prej të tri kunatave që do të vijë nesër bukë me ju pru, ta merrni e ta muroni të gjallë në mur të kështjellës. Atëhere keni me pa se muri ka me zanë vend e me qëndrue për jetë e mot. Tha kështu plaku e shkoi: njitash u pa, njitash s’u pa.
Sa keq! Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën. Kuvendoi në shtëpi, i tregoi vashës së vet kështu e kështu, i tha të mos vinte atje të nesërmen. Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të tana vashës së vet. Vetëm i vogli e mbajti besën e fjalën: nuk kuvendoi në shpi, nuk i tregoi vashës së vet.
Nadje. Të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë. Çekanët shkapeten, gurët copëtohen, zemrat rrahin, muret naltohen. Në shpi, nana e djemve s’din gja. I thotë të madhes: – Moj nuse e madhe, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë. Nusja e madhe ia kthen: – Besa, nanë, sod s’mund të shkoj se jam e sëmunë. Kthehet i thotë të mesmes: – Moj nuse e mesme, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë. – Besa, nanë, sod nuk mund të shkoj, se kam me shkue te fisi me bujtë.
Nana e djemve i kthehet nuses së vogël: – Moj nuse e vogël… Nusja e vogël brof në kambë: – Urdhno, nanë! – Mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë. – Besa, nanë, unë shkoj, po e kam djalin të vogël. Drue se don gji me pi e kjan. – Nisu, shko, se djalin ta shikjojmë na, s’ta lamë me kja – i thonë të kunatat.
Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me venë, e puth djalin në të dy faqet, niset e bjen në Kazenë; njaty ngjit kodrën e Valdanuzit, i avitet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit: dy të kunetnit e i shoqi. – Puna mbarë, o mjeshtër! Po ç’asht njikështu? Çekanët ndalen e s’shkapeten, po zemrat rrahin fort e fort. Fëtyrat zbehen. Kur e sheh i vogli të shoqen, hedh çekanin prej dore, mallkon gurin e murin.
E shoqja i thotë: – Ç’ke ti, o im zot? Pse mallkon gurin e murin? Hidhet kunati i madh: – Ti paske lindë n’e zezë ditë, moj kunata jonë. Na e kemi ba me fjalë me të murue të gjallë në mur të kështjellës.
– Shëndosh ju, o kunetë. Po unë do t’ju la nji porosi: kur të më muroni në mur, synin e djathtë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, kambën e djathtë të ma lini jashtë, gjinin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të kjajë – me njanin sy do ta shikjoj, me njanën dorë ta ledhatoj, me njanën kambë t’i tund djepin e me njanin gji t’i jap me pi. Gjini m’u nguroftë, kështjella qëndroftë, djali jem u trimnoftë, u baftë mbret e mbretnoftë!
Ata e marrin nusen e vogël e e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, naltohen, nuk shemben ma si ma parë. Po rranxë tyne gurët janë edhe sod të lagun e të myshkun, sepse vahdojnë me pikue lotët e nanës për birin e saj… E biri? Biri u rrit, luftoi e trimnoi.”
“Rozafa”, dashuri me pëllumba
Eshtë aziatik dhe kujton se hyrja në portën kryesore të kalasë është fundi i kalvarit të tij. Duket se është fillimi. “Nuk kam gja me Ju”, ma kthen i këndshëm bashkëatdhetari, që e shikon ndërkohë qyqarin e tejdetrave, mos i zhvasë ndonjë monedhë. Bash lek. I lë vetëm në diskursin e tyre me gjestikulacione. Sakaq duhet të jenë marrë vesh me njëri-tjetrin, ngaqë, nga pas, ndjej se ndaluesi, alias cerberi i Kalasë së Rozafës, nuk ndihet më të artikulojë tinguj.
Ben Andoni
“Ejjjjjj! O karajfil! A i ke vesht të stampuem”. I ngrati që mezi e ka ngjitur kalldrëmin e rregullt deri në hyrjen e Kalasë së Shkodrës e shikon si Shvejku, dhe ofshan me gojën çapëlyer. Nxjerr disa tinguj zogjsh. Nuk kupton asgjë. Eshtë aziatik dhe kujton se hyrja në portën kryesore të kalasë është fundi i kalvarit të tij. Duket se është fillimi. “Nuk kam gja me Ju”, ma kthen i këndshëm bashkëatdhetari, që e shikon ndërkohë qyqarin e tejdetrave, mos i zhvasë ndonjë monedhë. Bash lek. I lë vetëm në diskursin e tyre me gjestikulacione. Sakaq duhet të jenë marr vesh me njëri-tjetrin, ngaqë, nga pas, ndjej se ndaluesi, alias cerberi i Kalasë së Rozafës, nuk ndihet më të artikulojë tinguj. Duhet të shikojmë Kalanë e Shkodrës për të cilën pak muaj më parë, një sherr i madh mbeti pa përgjigje, por edhe se është Shtëpia e Rozafës. Ishte kishë apo xhami, objekti brënda saj?! Pak minuta më vonë, rebusin e ngatëruar, thjesht ma sqaron një djalë. Quhet Agron Beqiri. Të paktën, më thotë kështu, ndërsa profesioni i tij është nga më të padëgjuarit për veshët e stërmykyr të kalasë: Shërbyes i Pëllumbave.
“Ku merret vesh këtu” – më thotë. Ky 35 vjeçar bën përditë një gjë, për të cilën qytetarët e tij të mbushur me aq mllefe dhe me pak histori pak e dinë… Në 08.00 duhet të jetë këtu dhe të merret me krijesat e tij, të cilat e presin me padurim. U sjell kallamoq, bukë, bar… dhe gjithë ditën ujë. E shikoj angazhimin e tij, teksa merr e jep me një pëllumb, që nuk i bindet dhe që i qëndron kryeneç sipër rrjetit… Falë tij, pëllumbat në këtë vend, e kanë kaluar qindshen dhe kjo koloni e tërë shpendësh paqësore, i bën shoqëri oborri i Kryezonjës Rozafë…
Kalaja, si dikur
Pak gjëra kanë ndryshuar në Kalanë e Rozafës. Por, ndërsa kam përshkruar oborrin e parë, në një nga muret, është fshirë një gjë që mungon dhe që i grishte aq shumë vizitorët në të shkuarën. Pas një hapësirë të pamatë, shumë shpejt afër derës tashmë nuk e shoh më parrullën, që dikur më ka bërë aq shumë për vete: “Shkodër, nuk të harroj kurrë”. Nuk e gjej më. Agronin, që e pyes, nuk di gjë, edhe njësoj, një bari që kullot delet aty edhe ai nuk di të më thotë asgjë. Vetëm më tall me shikimin e tij dhe me mirëqënien, që e shfaq me një bark të frikshëm. Të tillë bari nuk e kemi parë kurrë. Hulumtoj, atë që mund të ketë ndryshuar në këtë vend. Në fakt asgjë. Eshtë njësoj. Sërisht, e gjithë sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me tip portash mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Jam konsultuar shpesh më literaturë për këtë vend.
Një çift i ri studentësh, që shkëmbejnë puthje të harlisura mbi murin që rrëzohet mbi Bunë, më qësëndisin, sepse kërkoj instiktivisht për qeramikë. U dukem si rishtar. Vazhdoj i patrazuar e përfundoj në muret dalës të tij, ku janë të dalura drejtkëndëshe, që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës qëndrojnë rëndazi ambientet, që lidhen me një kullë rrethore, një depo, si dhe një godinë pak-katëshe, që duket se ruan dorën e venedikasve. Oborri i dytë zë pjesën qendrore të kalasë dhe falë një muri tërthor pa kulla, ndahet nga i pari. Brenda tij, kam dëgjuar se ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit. Janë katërkëndëshe dhe të mbuluara me qemerë, prej të cilave, uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Në një si tip stere, futemi me disa shkallë spirale dhe përfundojmë jashtë kalasë. Ruhet pastër një nga depot, është ende një “burg”, si dhe shenjat e kishës, që më pas është kthyer në xhami.
Intermexo
Bash luftë për të. “E po, ku merr vesh këtu i pari të dytin“ – ma kthen bariu, që është afruar vetë. Muslimanët me krishterët dhe argumentime nga më të sofistikuarat, më qarkullojnë në kokë, teksa më vjen ndërmend problemi. E si ndodh rëndom, do ishte Kumbarja e lekëve (Znj. Ris) për restaurimin e objektit, ambasadorja e shtetit amerikan, që do u kujtonte shkodranëve sherrxhinj, se Objekti mbi të gjitha i vlen turizmit të vendit. Duket se strumbullari i daljes në siperfaqe të përplasjes mes dy komuniteteve fetare kanë qenë lekët e një projekti për rinovimin e këtij objekti kulti, i cili u përzgjodh në muajin gusht të këtij viti nga Departamenti i Shtetit për Fondin e Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Granti prej 30 mijë dollarë do të zbatohej nga vetë ambasada e SHBA në Tiranë.
“Ku di gja unë”, më thotë Agroni. Po merremi bashkë me pëllumbat dhe japim me një “këmblesh”, pastaj një balli, që nuk bindet. Kapim, e marrim, na ikën dhe e kapim sërish sëbashku… ”Eshtë sëmurë”, më thotë i hidhëruar. “Nuk ka ngrënë fare”. Shqipëria ishte një nga 76 vendet e përzgjedhura për të marrë një financim të veçantë dhe kjo ishte hera e tretë për Shqipërinë, pas fondeve të akorduara për rinovimin e pjesshëm të kështjellës së Lezhës në vitin 2002 dhe fondit për ruajtjen e kishës së shën Nikollës në Voskopojë.
I kujtoj Agronit, që ka qenë dhe Gjon Pali II, që ka meshuar këtu në vitin e largët 1993, por kjo ka pak gjasa… t’i bëj përshtypje për të kujtuar. Kjo qoftë tek bariu, por edhe tek djali qytetar, që ndalon pasi e ka kapur të sëmurin dhe “e bind me dhunë” të kthehet në kafaz. Tashmë i qeshur më bën një përshkrim të familjes së tij, ku mungon vetëm stema heraldike.
Rezidenca ipeshkvnore e Shkodrës, shtëpia e ipeshkvit që përmendet si ‘domus episcopate’ në 1251, ishte para invazionit turk në qytet, afër kishës katedrale kushtuar shën Shtjefnit Protomartirit dhe përmendet në vitin 1403 dhe thuhet se ishte deri aty në vitin 1950, ku pat qenë hani i Ndokës, sikurse e dëshmojnë rrënojat e themelet, që shihen të mbuluara me dhe, dikur xhamia e Musllupit ishte dikur Kisha e Shen Shtjefnit…
Nëpër kala
“Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416 u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta, që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik”. Të duken si të përgjysmuara dhe kanë shumë lagështirë. Janë grishja më e madhe e fotografit, që ndalon duke marrë silueta platformash të tëra, që i mbulon rënia e diellit.
Kati i dytë i kullës përfundon me një tarracë pjesërisht të mbuluar me çati, ndërsa pjesa tjetër ishte rrethuar me një parapet të pajisur me bedena dhe frëngji. “Porta mbulohet me një hark sektorial të dyfishtë prej gurësh të punuar, mbi të cilin ndodhet një hark shkarkues gjysmë rrethor prej dy rrathë gurësh të punuar, brenda fushës së të cilit është gdhendur si dekoracion një hark majë lundre me një formë spirance në kulmin e saj,” shkruhet në literaturën për të. Pas korridorit të kullës ndodhet një oborr i vogël katërkëndësh i kufizuar djathtas me mur. Këtu ndodhen shkallët për në shtegun e rojës. Përballë murit ndodhet porta kryesore e kështjellës dhe anash saj një portë e vogël. Për të hyrë në brendësi të kalasë, duhet të kalosh një korridor në formë L-je, të mbuluar me qemer cilindrik, fundi i të cilit mbyllet nga një portë e dytë. Një pjesë e qemerit është me tulla dhe në gypin e tij ndodhet një vrimë drejtkëndëshe 40 x 55 cm, që shërbente për të hedhur lëndë djegëse të nxehtë mbi kundërshtarin.
Përveç hyrjes kryesore, kalaja ka edhe disa hyrje të vogla që shërbenin për manovrimin e forcave në raste rrethimi apo si dalje sekrete. Njëra prej tyre, e ndodhur në rrëzë të paramurit lindor, ruhet akoma dhe ka një thellësi rreth 4 metra. Venecianët kanë kryer punime të veshjes së kullave dhe nën këto veshje ka ndërtime që i përkasin periudhës kur sundonin Balshajt. Gjatë riparimeve, anës së jashtme të mureve, iu është dhënë pjerrësi në formë skarpati që arrin deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Nga ana perëndimore e kalasë, sipërfaqe të pjerrëta të kodrës shkëmbore janë veshur me gurë të skuadruar. Aty ku veshja e mureve nuk është bërë, dallohen teknikat e vjetra me vendosje copa tullash mes gurëve, ndërsa harqet e dritareve dhe frëngjive janë punuar me tulla të rrethuara me bordurë.
Kullat kanë forma rrethore dhe katërkëndëshe, në një lartësi 12-16 metra. Ato janë më të larta në anën e jashtme dhe përbëhen nga një kat i mbuluar me qemer dhe tarraca me parapet të dhëmbëzuar. Hyrja në ambientet e kullave bëhej përmes një porte të hapur në murin e tyre të prapmë, ndërsa lidhja me tarracën bëhej përmes shkallësh të brendshme, që përfundonin në tarracë nëpër një baxho katrore me mur anash, ose me shkallë të jashtme guri”. Kjo përkryerje arkitektonike është e kuptueshme që ka qenë një kafshatë për të gjithë ata që e kanë provuar, që të hynë këtu. Jo më kot ajo mbrojti këtë vend nga dy rrethimet e egra turke, ajo e vitit 1474 dhe më pas ajo e vitit 1478-’79. Kalaja e Shkodrës është kthyer në një simbol të qytetit të lashtë, i pranishëm në piktura, gdhendje, kartolina, stema etj. Por, kalaja ka qenë një vend grishje i madh për këdo që ka dashur të vizitojë Shkodrën. “Nuk ka ndryshu kurrgja nga koha e Enverit”, më thotë dikush, që më sjell ndërmend udhëtarët e pakët të huaj që vinin dikur këtu.
“Mos u tallnin me varfërinë – thotë në një nga këto udhëtime artisti dhe dramaturgu i madh, Peter Ustinov për Shqipërinë e vitit 1966. Ambasadori i shquar i UNESCO-s dhe UNICEF-it është i mahnitur me Kalanë e Shkodrës në atë vit, por mbetet i zhgënyer me mbulimin e vuajtjes, që bëjnë shqiptarët e viteve ‘60.
“Pas drekës, ne u bashkuam përsëri me njëri-tjetrin në makinë dhe na dërguan që të shikojmë Kalanë e Shkodrës, e ndërtuar sipas shoqëruesit, në shekullin e 10-të para Krishtit. Por, që në momentin, që ai na kumtoi se Plani i Pestë pesëvjeçar do të mbaronte në vitin 1975, ishte i menjëhershëm për ne reagimi që të fillonim, që të dhënat e tij statistikore, t’i kalonim në vrimat e kripores”.
“Ai na shoqëroi në pjesën më fotozhenike të Kështjellës, – kujton Ustinov – që ishte e mbështetur në kodër, dhe që dukej si një dhëmb i thyer në një copë çamçakizi. Në këtë vend, na tha se mund të bënim fotografi. Pak më vonë, kur zbritëm, ne pamë me sytë tona se çfarë pamje kishte fshati tipik shkodran, që ishte pranë liqenit. Shoqëruesi i shkretë nuk e kishte parashikuar se pikërisht atë ditë, rreth njëzet njerëz, shumë prej tyre fshatare të varfëra, pak fëmijë lakuriq dhe një burrë për të ardhur keq, që ishte i paralizuar, do të na shtriheshin dhe do të na shfaqeshin në rrugë”. Në fakt, tani nuk është se ka ndryshuar shumë, ndërsa mbrëmja pak nga pak po i merr dritën Kalasë.
Pak historik
Në shekullin V – IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç në hyrje të qytetit në një lartësi 130 m. Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.k. Nga monedha mësojmë emrin që ka patur qyteti në atë kohë, Scodrinon. Në vitin 181 p.k. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Në shekullin II p.k. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Diokleciani e kthen në qendër krahinore. Më vonë bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shek. Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër Bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së familjes Balshaj.
Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut, e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik. Kalaja e Shkodrës ishte kalaja e fundit që ra në shekullin e XV, kur më vitin 1479 Sulltan Mehmeti II e rrethoi me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitari i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Europë në vitin 1504. Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku, nën sundimin e familjes vendase të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane.
Më 1865 kalaja braktiset pasi Lumi Drin ka ndryshuar shtratin…
Ndërtimi
I gjithë ky rrëfim nuk i bën përshtypje “shërbëtorit të pëllumbave”. Agroni ka ardhur që në mëngjez këtu. Dikur ka qenë kamarier në lokalin ngjitur me muzeun e kalasë, ndërsa sot është thjesht një nga punonjësit. Por, pronarit të saj i shkoi ndërmend diçka krejt e veçantë, ndaj në një nga kthinat e kalasë- ai mendoi që të ngrejë një vend për pëllumbat. I pari para Agronit i rrënoi dhe ndaj ai caktoi djalin e përkushtuar…”U katandisën 70 copë. Jan si rob. Veç goj nuk kanë”, më thotë. Ato janë krenaria më e bukur e këtij vendi. Nga pas ndjej aziatikun, që nuk orientohet dot sërisht. Për fat të keq është i mbyllur muzeu, ndërsa ai vetë duket se me kureshtjen e tij, nuk bën dot punë. Nga pas e tall çifti, që tashmë i kanë shkëputur buzët nga njëri-tjetri. Nuk e orientoj dot as me sy.
Ndërkaq, edhe Agroni jep shenjat e para të besdisjes. Më mbush kokën me fjalë dhe me teknologjinë e mbajtjes së pëllumbave, ndërsa më tregon se ky është profesioni i ri i tij dhe i vetëm me të cilin jeton. “Kjo është hera e parë që kam mbajtur pëllumba në jetën time”, më thotë. Largohemi me të. Tashmë muzgu është varur mbi kala. Dalëngadalë janë fshirë në horizontin e këmbëve të saj konturet e lumenjve, Drin e Buna, ndërsa nuk kontrollohet më fusha bregdetare përreth hyrjen në Liqenin e Shkodrës. Kështu zhduken dhe gjurmët e Balshajve që sunduan në Shkodër deri në vitin 1396, dhe pak nga pak e gjithë të tjerëve. E gjithë sipërfaqa prej 9 ha tashmë fle. Si në një kaleidoskop gjigand ngjarjet përplasen me njëra-tjetrën, por kujtoj vetëm, kohën kur Esat Pasha ua dorëzoi malazezëve Rozafën, që në ekstazë përkëdhelnin gurët e saj.
“Dorëzimi u krye në agun e 25 prillit dhe, vetëm pasi u largua edhe luftëtari i fundit shqiptar, malazezët ngritën flamurin e tyre në kalanë e Rozafës”. 25 Prilli ishte dita e 183 e rrethimit këtë herë për Rozafën. Kaq kishte mjaftuar të mbilleshin mbi 3500 viktima, disa mijëra të plagosur dhe të shkatërrohej i gjithë qyteti. Kaq kishte mjaftuar që Kalaja e Shkodrës të zgjaste përjetësinë e saj në kronikat moderne.
Ky rrëfim që ia bëj bashkëbiseduesit të fundit, nuk mjafton që të mbushë interesin e lodhur të aziatikut, që tashti i duhet që të përballet edhe me qësëndinë e bariut, që është në oborrin e dytë të Kalasë. Ky i fundit vazhdon e kullot i qetë bagëtinë e tij, ndërsa jep e merr me derëtarin, që këtë herë duket açik se është i njohuri i tij. E ka lënë të kullosë në kala- e qeshin ndërsa flasin me një gegnishte tepër arkaike, që u sjell pa fund kënaqësi, ngaqë nuk kuptojmë asgjë. Aziatikut i janë tejhapur sytë e mbyllura dhe kqyr. Ndërsa Agroni befas e ka gjetur një shfajsim për të na hequr qafe. E thërret një djalë nga klubi afër. Kuptohet se i braktis dhe pëllumbat, që ndihen më të qetë vetëm. Si në kohën e Ustinovit përsëri vendin e rëndon heshtja dhe boshnaja e vizitave…
Eshtë dimër. Kronikat e vitit 1913 tregojnë se ushtria malazeze hyri në Shkodër 24 orë pasi qenë larguar trupat e Esat Pashës. Të gjithë i mbanin sytë mbi kala. I dehte pa masë flamuri mbi Fortesën e dikurshme të Balshajve. Të gjithë e kishin ëndërruar që të flinin një natë me Rozafën, që nuk bëhej kurrë e askujt… Ikim dhe ne. Rozafa fillon përgatitjen e kahmotshme për të flejtur. Largohemi të përcjellë shëmtuar nga derëtari, kurse aziatiku ecën i lumtur teposhtë. Edhe një sy i fundit pastaj mbi Rozafë: Zotat i kanë falur përjetësi bukuroshes së shekujve.
Mund te ma tregoni daten e ndertimit te saj dhe diqka rret saj?
Ju faleminderit!!
A esht e vertet kjo?