Ja si ia prenë kokën babait tim, kapiten Gjelosh Lulit

1
5760

HISTORI SHKODRANE
Ded Gjo’ Luli
Persekutimi i familjes së Bajraktarit të Hotit
Masakrimi i Marash Vatës
Masakrimi i Gjelosh Lulit
Lekë Vojvoda i Dukagjinit


Gjelosh Luli — nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare

Dëshmia e 61-vjeçares Izabela Luli, për historinë tragjike të babait të saj, Gjelosh Lulit, kapitenit të Artilerisë të diplomuar në Torino, i cili u masakrua nga komunistët në 1947.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, babai im, kapiten Gjelosh Luli, qëndroi i fshehur nëpër male duke u strehuar tek miqtë e tij, sa në malësitë e Hotit të përtej kufirit dhe atë të Kastratit këtej kufirit, ku u rrethua dhe ra disa herë në përpjekje me Forcat e Ndjekjes. Aty nga dhjetori i vitit 1947, ai u rrethua në shpellën ku streohej në zonën e Kastratit dhe mbeti i ngrirë në dëborë. Pas shumë kërkimesh kufoma e tij u gjet nga Forcat e Ndjekjes, të cilat ia prenë kokën dhe trupin e tij e lanë mbi dëborë që ta shqyenin kafshët e egra. Më pas kokën e tij ata e morën me vete dhe sollën në Koplik, ku thirrrën disa fshatarë që e kishin njohur atë, për të bërë verifikimin nëse ishte ajo koka e Gjelosh Lulit”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për: Gazetën”, është 61-vjeçarja Izabela Luli (Mari) e bija e kapitenit të famshëm Gjelosh Lulit, nipit të heroit të Deçiqit, Dedë Gjon Lulit, ish-komandantit të përgjithshëm të Forcave Nacionalistë të Malsisë së Madhe, i cili u masakrua në mnëyrën më barbare nga forcat komuniste në fundin e dhjetorit të vitit 1947. Po kush ishte Gjelosh Luli, cila është e kaluara e tij dhe ku u diplomua ai? Cili ishte aktiviteti i tij gjatë viteve të Monarkisë së Zogut e në periudhën e pushtimit fashist të vëndit dhe përse e masakruaun komunistët kufomën e tij?

Gjeloshi, nipi i Dedë Gjon Lulit

Gjelosh Luli u lind në vitin 1912 të në fshatin Traboin të Malsisë së Madhe, në familjen e patriotit të madh dhe heroit të Luftës së Deçiqit, Dedë Gjon Lulit. Babai i Gjeloshit, Gjokë Luli, ishte kushëri i parë me djalin e Dedë Gjon Lulit, por e e gjithë familja e tyre jetonte bashkë në një kullë atje në fshatin Traboin. Që kur ishte fare i vogël, Gjelosh Lulin, e përkundi në djep, Nora e Hotit, “Heroina e Popullit”, të cilën Dedë Gjon Luli e kishte nusen e djalit. Nga ajo familje e madhe, përveç Dedë Gjon Lulit, kanë qenë tepër të njohur edhe dy djemtë e tij, Kola me Gjergjin, të cilët patën luftuar përkrah babait të tyre. Kola vdiq tepër i ri, pasi u helmua nga serbët në një hotel të Vlorës në vitin 1910, në shenjë hakmarrje ndaj Dedë Gjon Lulit, ndërsa Gjergji mbeti i vrarë në Luftën e Deçiqit, teksa ishte duke ngritur flamurin së bashku më babanë e tij.

Përveç këtyre burrave që kanë lënë emër të madh, nga familja e Gjelosh Lulit ka qenë tepër i njohur edhe Luc Nishi, nip i kësaj shtëpie, i cili u vra duke luftuar me armë në dorë në Luftën e Koplikut në vitin 1920. Gjatë asaj beteje të madhe, Luc Nishi i vuri gjoksin topit të artilerisë serbe dhe trupi i tij u bë copa copa. Aty nga viti 1913 kur u bë ndarja e kufijve të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha dhe fshati Traboin mbeti nën juridiksionin e Malit të Zi, si shumë familje të tjera të atij fshati, edhe familja e Dedë Gjon Lulit u shpërngul që andej dhe erdhi e u vendos në një fushë në afërsi të qytetit të Shkodrës. Edhe sot e kësaj dite ajo fushë afër fshatit Shtoj, njihet me emërin: Hoti i Ri. Që nga ajo kohë e në vazhdim familja e madhe e Dedë Gjon Lulit ka jetuar në atë fshat, kurse shtëpitë e tyre përtej kufirit në Traboin, mbetën të shkreta pa njeri.

Në atë familje të madhe që u vendos në Hotin e Ri, jetoi edhe familja e Gjok Lulit, babait të Gjeloshit, i cili kishte gjashtë fëmijë: Pjetrin, Gjeloshin, Rrokun, Nolin, Gjelinën dhe Nocën. Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, familja e Gjok Lulit u respektua dhe u nderua shumë nga regjimi zogist, për arsye se ai ishte nip i heroit të madh, Dedë Gjon Lulit. Nisur nga ky fakt, përveç djalit të madh Pjetrit i cili qëndroi me prindërit e tij në shtëpi, tre djemtë e tjerë të Gjokës, Gjeloshi, Rroku e Noli, përfituan bursa shtetërore nga qeveritë e Monarkisë dhe studjuan në universitetet e akademitë e Italisë. Ndërsa Gjeloshi me Nolin u diplomuan në shkollat dhe akademitë ushtarake, Rroku u diplomua në degën e Ekonomisë në një nga universitetet e Italisë.

Në Akademinë e Torinos

Gjelosh Luli nuk ishte më shumë se shtatë vjeç kur erdhi në qytetin e Shkodrës dhe filloi mësimet e para të shkollës fillore. Pas kësaj ai ndoqi mësimet e gjimnazit klasik pranë Konviktit “Malet Tona” të atij qyteti, ku u dallua si një nga nxënësit më të mirë të asaj shkolle. Lidhur me këtë, e bija e tij, 61-vjeçarja Izabela Luli (Mari) dëshmon: “Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1929, babai, Gjelosh Luli, përfitoi një bursë shtetërore nga qeveria zogiste e asaj kohe dhe shkoi për të ndjekur studimet e larta pranë Akademisë Ushtarake të Torinos në Itali.

Në atë akademi ai u diplomua me rezultate të shkëlqyera në degën e Artilerisë dhe pas mbarimit të saj bëri edhe një vit tjetër specializim në kursin e Aplikacionit. Në vitin 1934, babai u kthye në Shqipëri dhe u emërua në një nga repartet e Regjimentit të Artilerisë në qytetin e Tiranës ku iu dha edhe grada e togerit. Përveçse profesionit të tij si oficer artilerie ku ai ishte diplomuar me rezultate të larta, babai në atë kohë ishte i dhënë shumë edhe pas shkrimeve publicstike dhe gjuhëve të huaja, duke zotëruar shumë mirë italishten, frëngjishten e gjermanishten. Pasi shërbeu për disa vjet në Regjimentin e Artilerisë në Tiranë, Gjeloshi u transferua pranë familjes së tij në qytetin e Shkodrës, duke u caktuar përsëri në një repart artilerie. Në vitin 1936 teksa babai shërbente si oficer në qytetin e Shkodrës, u martua me nënën tonë. Elenën, e cila ishte bijë e familjes së njohur Mirakaj nga rrethi i Pukës.

Në atë kohë që u bë martesa, nëna jonë sapo kishte mbaruar gjimnazin pranë Institutit Femëror “Nana Mbretë-reshë” në qytetin e Tiranës, ku ishte diplomuar me rezultate shumë të larta. Gjatë atyre viteve që babai shërbeu si ushtarak në qytetin e Shkodrës, ku mori dhe gradën e Kapitenit të Parë, ai gjithshtu dha edhe mësim si pedagog i gjuhëve të huaja në gjimnazin klasik të Shkodrës. Që nga ajo kohë babai filloi të botonte vazhdimisht shkrime të ndryshme në shtypin e kohës, e kryesisht në revistën “Hylli i Dritës” të cilën ai e kishte shumë për zemër. Ndërsa babai ishte i dhënë pas shkrimeve publicistike, nëna jonë, Elena, shkruante vazhdimisht poezi të cilat edhe sot pas kaq vitesh, me shumë mundime ne i kemi ruajtur dhe i kemi në shtëpinë tonë. Po kështu që në ato vite, Gjeloshi, kishte shfaqur hapur ndjenjat e tij antikomuniste me anë të shkrimeve të ndryshme që botonte në shtypin e kohës dhe ajo gjë njihej mirë prej të gjithëve në qytetin e Shkodrës”, dëshmon Izabela Luli, lidhur me babanë e saj Gjelosh Lulin, të cilit Mbreti Zog i dha mundësinë e shkollimit në Itali, për arsye se ishte nip i Dedë Gjon Lulit.

Kreu i nacionalistëve të Malsisë së Madhe

Pushtimi i Shqipëria nga Italia fashiste në prillin e vitit 1939, e gjeti kapiten Gjelosh Lulin, si oficer në Regjimentin e Artilerisë të qytetit të Shkodrës. Si shumë ushtarakë të tjerë edhe ai e kundërshtoi pushtimin fashist, por në vitin 1940 kur iu bë thirrje të gjithë ish-ushtarakëve të Monarkisë së Zogut, që të riktheheshin në Ushtrinë Kombëtare, edhe ai u kthye dhe u emërua përsëri në Regjimentin e Artilerisë ku kishte shërbyer vite më parë. Lidhur me veprimtarinë e Gjelosh Lulit gjatë viteve të pushtimit fashist dhe mbarimin e Luftës, e bija e tij. Izabela Luli dëshmon: “Në vitet e para të pushtimit, babai, nuk u përzie fare me punët e politikës por vazhdoi të shërbente siu ushtarak i Artilerisë dhe herë pas here vazhdoi të shkruante shkrime letrare e historike në revistën “Hylli i Dritës”e në ndonjë gazetë tjetër të asaj kohë.

Asokohe familja jonë banonte në Lagjen “Badra” të Shkodrës, ku pas motrës së madhe Klarës që kishte lindur në vitin 1938, në vitin 1942, aty u linda dhe unë. Në atë kohë babai ynë njihej si nacionalist i flaktë e antikomunist i vendosur dhe të tillë e kishte edhe rrethin e tij shoqëror, ku përveçse me shumë intelektualë të njohur të qytetit, ai kishte shoqëri e miqësi të ngushtë edhe me oficerët: Mark Gjeka, Mark Mala, Mark Dredha si dhe me Gjon Dostanishtën e Gaspër Palin. Deri aty nga viti 1943, babai mbajti detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave Ushtarake të gjithë Qarkut të Shkodrës, ndërsa më pas kur filloi konflikti i armatosur midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, ai doli në mal dhe u zgjodh me detyrën e Komandantit të Forcave Nacionaliste të Malsisë së Madhe.

Si komandant i atyre forcave nacionaliste, Gjeloshi, qëndroi maleve me armë në dorë deri në mbarimin e Luftës dhe në nëtorin e vitit 1944, ai së bashku me major Llesh Marashin dhe njerzit që komandonin, shkuan në qyetezën e Koplikut dhe bënë një kuvend me popullin e asaj krahine. Gjatë atij takimi, Gjeloshi mbajti një fjalim ku midis të tjerash iu drejtua të gjithë popullit që ishte atje duke iu thënë: “Lufta ka mbaruar dhe komunistët e kanë fituar atë, prandaj ju shkoni nëpër shtëpiat tuaja, sepse s’kena ma gjak me derdh kot. Ndërsa unë po largohem e do të vazhdoj rrugën që kam nis”. Ky ishte dhe takimi i fundit i babait me malësorët e asaj krahine, sepse më pas ai doli në mal në arrati”, dëshmon Izabela Luli, lidhur me babanë e saj kapiten Gjelosh Lulin, që në atë kohë ishte komandant i Forcave Nacionaliste të Malsisë së Madhe.

Tre vjet i arratisur nëpër male

Që nga nëntori i vitit 1944 kur kapiten Gjelosh Luli u largua nga qyteti i Shkodrës, ai doli në arrati dhe qëndroi i fshehur nëpër male, për të shpëtuar nga hakmarrja e komunistëve të cilët e kishin shpallur atë armik. Lidhur me këtë dhe peripecitë e familjes, pas arratisjes së tij, e bija Izabela dëshmon: “Pas arratisjes së babait, nëna. Elena, me mua dhe motrën Klarën, (që në atë kohë ishim shumë të vogla) nuk patëm fatin të qëndronim shumë në shtëpinë tonë, sepse që në janarin e vitit 1945 ne na internuan në Katër Rrugët e Shijakut. Në momentin që po na nxirrnin nga shtëpia vetëm me rrobat e trupit, motra, Klara, qante me të madhe duke kërkuar një fustan të bukur që ia kishte sjellë babai nga Italia. Në atë kohë njeri nga ushtarët që po kontrollonin shtëpinë, doli në dritare dhe pasi pyeti nënën se kë fustën kërkonte motra, e gjeti dhe ia hodhi atë nga dritarja, e motra pushoi së qari.

Në Shijak ne na lanë në një stallë dhe më pas na internuan përsëri në Kalanë e Beratit dhe në qytezën e Kuçovës. Në atë kohë që ne ishim të internuar atje, babai qëndronte i fshehur nëpër male, së bashku me mikun e tij, Major Llesh Marashin. Pas arrestimit të Lleshit, babai qëndroi vetëm me mikun e tij të ngushtë, (probatinin) Marash Dodën nga Kastrati, duke u strehuar ndër miqtë e tij në atë krahinë. Aty nga fundi i vitit 1945, dymbëdhjetë burra të Hotit shkuan në Kastrat dhe morën takim me parinë e asaj krahine, duke iu thënë: “Na e dorzoni kapiten Gjelosh Lulin, se është marre për ne që ai streohet këtu në Kastrat dhe jo në Hot, që është dhe vëndlindja e tij”. Pas kësaj kërkese, paria e Kastratit iu përgjigj burrave të Hotit duke iu thënë: “Po edhe ne me bukë e kemi mbajt Gjelosh Lulin”. Kastratasit nuk pranuan me e dorzu Gjelosh Lulin dhe e mbajtën të strehuar edhe për shumë kohë në atë krahinë.

Kur u dha një amnisti nga qeveria komuniste e Tiranës, babai e detyroi probatinin e tij, Marash Dodën, që të dorzohej dhe vetë qëndroi përsëri i fshehur në një shpellë në Kastrat. Nga viti 1945 deri në vitin 1947, atë e strehuan dy familje, nga kushërinjtë e tij matanë kufirit, Mark e Kol Miri, të fisit Dedëvukaj. Ndërsa këtej kufirit ai ka qëndruar i fshehur tek dy vëllezërit, Mark e Lul Gjeloshi. Kur në atë krahinë shkonin forcat të shumta komuniste për kontroll, babanë e kalonin matënë kufirit dhe kur kishte kontrolle andej, ata e sillnin përsëri këtej kufirit. Në vitin 1946, forcat shqiptare të Ndjekjes e rrethuan shtëpinë e Mark e Kol Mirit në Traboin të Malit të Zi, por babai mundi që të shpëtonte dhe iku ndër male. Pas kësaj forcat e Sigurimit e lidhën Kol Mirin këmbë e duar dhe i ndezën dy zjarre anash tij. Ndërsa filloi t’i fryhej mishi i trupit nga flakët e zjarrit, Kola bërtiti që ta zgjidhnin, sepse do t’u tregonte vëndin ku fshihej Gjelosh Luli. Ndërsa Kola bërtiste nga dhimbjet, vëllai i tij, Marku, që ishte i lidhur në një trung lisi aty pranë, i bënte me shenjë që të mos tregonte. Pasi e zgjidhën, Kola i sorollati Forcat e Ndjekjes nëpër male pa ua treguar vëndin ku fshihej Gjelosh Luli dhe ai mundi që të shpëtonte prej tyre, duke u arratisur nga një shtëpi ku ata shkuan për të kaluar natën.

Pas kësaj Kola mundi që të arratisej nga Shqipëria, ndërsa të vëllanë e tij, Markun, e burgosën me dënime të gjata. Pas kësaj ngjarje, Gjelosh Luli, iku nga Hoti dhe u strehua në Kastrat, ( i mbajtur në vig nga fshataërt pasi i kishin ngrirë këmbët) ku në dhjetorin e vitit 1947 atë e rrethuan dy herë Forcat e Ndjekjes. Në rrethimin e dytë ai iku nga shpella pa e kapur, por mbeti i ngrirë në dëborë ku dhe e gjetën të vdekur forcat e Sigurimit. Pasi e gjetën në dëborë, ata ia prenë kokën Gjeloshit dhe trupin e tij e lanë aty në dëborë që ta shqyenin kafshët e egra. Kokën e tij ata e sollën në qëndrën e Malsisë së Madhe, në Koplik, dhe aty mblodhën shumë fshatarë që e kishin njohur atë, për të bërë verifikimin, nëse ishte ajo koka e Gjelosh Lulit. Aty nga pranvera e vitit 1948, trupin e tij e gjeti një çoban i atyre anëve, i cili e varrosi dhe vuri një shenjë që të mos e harronte vëndin. Në atë kohë ne na hoqën nga internimi e na kthyen në Shkodër dhe nga ajo gjë ne e morëm me mënd se babanë e kishin vrarë, sepse ishte si rregull që kur vritej një njeri, familjen e tij e kthenin nga internimi. Në Shkodër ne na morën në shtëpinë e tyre, Nora e Hotit me Katrinën, vajzën e Luc Nishit dhe tek ato ne kemi qëndruar gjatë gjithë kohës së regjimit komunist.

Por edhe pas vrasjes së babait, fatkeqësitë tona nuk mbaruan, sepse në vitin 1953, arrestuan nënën tonë, Elenën, të cilën e dënuan me dhjetë vjet burg për agjitacion e propagandë. Dënimi i saj erdhi pasi ditën që vdiq Stalini ajo tha: “Shyqur që vdiq ky kriminel, por kur po i vjen rradha këtij tonit”. Deri në vitin 1991, ne nuk e mësuam dot të vërtetën e zhdukjes së babait, sepse për atë thuheshin shumë legjenda dhe çobani që e varrosi trupin e tij pa kokë, nuk ia tregoi asnjeriu deri në shëmbjen e regjimit komunist. Aty nga viti 1991, ai na dërgoi fjalë që të shkonim aty për të marrë eshtrat e babit tonë, por kur shkuam ne, ai kishte një muaj që kishte vdekur. Pas shumë kërkimesh, ne i gjetëm eshtrat e babait pa kokë dhe pas një ceremonie që bëmë në fshatin Kushe, eshtrat e tij i sollëm në varret e Rrmajt të qytetit të Shkodrës ku prehen e dhe sot”, e përfundon rrëfimin e saj Izabela Luli, për babanë e saj, kapitenin e famshëm, Gjelosh Luli, të cilin komunistët e masakruan në mënyrën më barbare, duke i prerë kokën në natën e vitit të ri të vitit 1947.

1 KOMENT

  1. Jam krenare qe jame nje stermesë e ksaj familje heroike, nga heroi i popullit DEDE GJON LULI e deri tek
    kapiteni GJELOSH LULI, jane nje shtylle e historisë shqiptare, pa emrat e tyre, nuk ka histori te vertetë.
    Falenderoj tezen time Izabela Lulin, qe ka berë nje pershkrim konkret e real per baben e saj, i uroj nje pleqeri te mbare.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.