Gjush Sheldija (1902 – 1976)

0
696

Gjush Sheldija – Biografi

Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës dhe Dioqezat Sufragane I

Stema e Arkipeshkvisë së Shkodrës ( shënime historike )

Gjithsejt: 68 faqe

Shkarko në .pdf

Shkodër, 1957-1958

Përmbajtja:

  • Parathania nga Imz. Ernest M. Çoba Ipeshkëv, Ordinar i Arkidioqezat të Shkodrës.
  • Përmbledhje e historisë së Shkodrës gjatë shekujve.
  • Kronologjia e ngjarjeve që nga 360 para Krishtit deri më sot.
  • Përshkrimi i qytetit.
  • Randësia dhe ndryshimet historike të Kishës së Shkodrës.
  • Themelimi dhe përshkrimi i Kishës Katedrale.
  • Ngjarjet ma të randësishme rreth Kishës Katedrale.
  • Vargu i ipeshkvijve dhe arqipeshkvijve metropolitë të Arkidioqezat të Shkodrës.
  • Shënime historike rreth dioqezeve sufragane me vargun e ipeshkvijve.
  • Shtojcë.

Kolec Çefa

H Y M J E
 

Botimi i kësaj vepre ka qenë një dëshirë e largët, pothuej e harrueme.

U njoha me këte daktiloshkrim në dhomën e Pader Marin Sirdanit, të cilin e shifshe tue e lexue e tue ba shënimet e veta. Një ditë, si e pashë të përqendruem mbi këtë daktiloshkrim, i thashë: “Pader, a mendon se do të botohet kjo vepër?” Ai, me buzë në gaz, m’u përgjegj: ” Do të vijë dita e do ta botosh ti”. Për vete ishte i sigurtë se nuk do ta shifte shembjën e komunizmit, për mue ishte i bindun. Disa vjetë ma vonë, u njoha me daktiloshkrimin në shtëpinë e autorit dhe aty dallova shënimet e Mons. Çobës, me atë shkrimin e tij karakteristik dhe ato të Pader Marinit, me atë shkrimin e tij të avashtë e të kujdesshëm. Kur u interesova ma vonë, daktiloshkrimi kishte “humbë” ndër arkiva, atëherë tabu për mue.

Kjo vepër monografike ka karakter divulgativ, por përmban material të pasun e të larmishëm, nxjerrë prej burimesh historike kishtare, të pashfrytëzueme prej historianëve të diktaturës, si edhe prej burimesh laike, të cilat përbajnë një sine qua non për historinë tonë kombëtare. Autorë të përmendun të historisë kishtare, si: Farlati, Zeiller, Baroni,, P.Allard, Bolandistat, L. De Tillemont e deri te Cordignano e Valentini; historianë e medievistë, si: Taloczy, Shuflai, Jireçek, Mommsen, K.Paç; udhëpërshkrues e të huej që kanë njohtë e punue në vendin tonë, si: Ippen, Hecquard, Pouqueville e mandej autorë tanë shqiptarë, ma të vjetër e ma të rij; janë shfrytëzue shënime e ditare të famullisë, regjistra të vjetër kishtarë dhe asht pasunue me të dhana të mbledhuna nga tradita gojore e materiale të gjetuna në familjet shkodrane parë me sy që dinë të shohin e ndigjue me veshë që dinë të ndigjojnë.

Lexuesi ka për t’u njohtë me ngjarje nga historia e Kryeipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës dhe me dioqezet sufragane që në zanafillë e sidomos në ditët e vona; me prelatët e Kishës e me ndihmesat e tyne kishtare e shoqnore; me pamje e ngjarje të qytetit tonë, pajisë me kronologji historike; me të dhana nga lëvizja artistike e kulturore e me përpjekjet për arsim e qytetnim. Në monografi ka njoftime për punime artistike, tashma të zhdukuna nga diktatura, me dhunimin e Katedrales tue e kthye në pallat sporti. Duhet ta ilustroj me nonjë shembull: lexoni punën e madhe që kan ba piktorët e skulptorët Kolë e Arsen Idromeni, për të cilat nuk flasin biografët e Kolë Idromenos, skulpturat e Fratel Salës, zanafillen e veprimtarinë e bandave etj. etj.

Materialet e shumta, herë-herë tue u hapë e kapërcye qellimin e veprës e dobësojnë kompozicionin e saj. Gjuha gegnishte e veprës, sado që asht zbutë e afrue me të sotmën që të bahet ma e lehtë e ma e kuptueshme, prapëseprapë ka edhe ndonjë inkonveniencë, për të cilën kerkojmë të falun, por asht punue me një fotokopjim të paqartë, madje, ndoshta, të daktiloshkrimit jo përfundimtar e jo të përgatitun për botim.

Materiali i dhanë në vepër mund të ketë edhe mangësi e pasaktësi, prapëseprapë po ia dhurojmë lexuesit tanë, sepse asht një kontribut për njohjen e vendit tonë.


Imz. Ernest M. Çoba, Ipeshkëv, Ordinar i Arkidioqezës së Shkodrës.

P A R A T H A N I E
Kishën Katedrale Metropolitane të Shkodrës populli, me të drejtë, e quen Kisha e Madhe, pse asht Kisha ma e madhe në Ballkan. Me entuziazem Parvet Opus për përfundimin e lterit të ri artistik, i cili po shugurohet shi sot në kishë, me rastin e 100-vjetorit të Bekimit të Gurit të parë prej shkruesit të Kryesisë, në sa Gjon Shllaku e Martin Trushi po kryejnë së kopjuemit punimin që studiuesi i vendit tonë, Gjush Sheldija, pat mirësinë me ia dhurue Klerit katolik shqiptar me rastin e këtyne kremtimeve.

Shkrimtari i zellshëm veprën e paraqiti me titullin e kauzalitetit të qindvjetorit të Katedrales, me thanë të vërtetën vepra asht shumë e hapët e po përfshinë një pjesë mjaft të gjanë të historisë së Kishës dhe të qytetit të Shkodrës që në kohët e vjetra, tue bamë një përmbledhje të veprimtarisë së gjithë dioqezave sufragane të Shkodrës dhe një kronologji në bazë të ngjarjeve ma të randësishme të historisë së Kishës sonë.

Por, sikurse në çdo vepër tjeter njerëzore, në mes të shkëlqimit dallohen edhe të metat, lusim të ndershmin lexues të ketë mirësinë me na sjellë shënimet e kritikat e veta, me qëllim që vepra të dali sa ma e vertetueme, për të kenë vertetë një kontribut për historinë, sidomos kishtare të vendit tonë.

Ky asht dishiri i autorit e njajzi i të nënshkruemit që pat nderin të bashkëpunojë me të vlertin autor në rreshtimin e kësaj vepre.

Qytet, 19.IV.1958


Gjush Sheldija (1902 – 1976)

Shënime biografike
— nga Kolec Çefa

Në fushën e arsimit dhe të edukimit, gjatë periudhës së para luftës, Gjush Sheldija i dha ndihmesë modeste shkollës e kulturës shqiptare.

Ushqyer nga mjedisi patriotik, i rritun në shkollën e jezuitëve, pajisë me përvojë të pasun nga specialistë të letrave shqipe, Gjushi ka meritën se punoi me zell e me vullnet punëtori si veteran i arsimit kombëtar, se mblodhi material të shumtë e të gjithanshëm, se trajtoi tematikë të pasun në kulturën shqiptare, se qe veprimtar i palodhun në shoqni të ndryshme patriotike, si: “Bogdani”, “Rozafa”, “Shoqnia Antoniane”, dhe pjesëmarrës aktiv në shumë veprimtari kulturore të qytetit tonë, sidomos ato teatrore.

Ka lindë me 12 korrik 1902, në Shkodër. Studimet i bani në vendlindje, ku mori maturën pedagogjike, por në pamundësi të studimeve të larta jashtë shtetit per shkaqe ekonomike, ka studiue vazhdimisht si autodidakt, veçanërisht: histori, etnografi, folklor, gjuhësi etj. Ka njohtë 4 gjuhë të hueja, si: italisht, frengjisht, gjermanisht e latinisht.

Gjatë vjetëve 1921-1944 ka shërbye si arsimtar në fshate e qytete të atdheut; ka marrë pjesë aktivisht në Revolucionin e Qershorit 1924, për këtë asht arrestue e dënue me burgim nga qeveria e Zogut; në fillim të diktaturës ka punue si, herë në muzeum, herë në bibliotekën e qytetit e pastaj, si pensionist i vetmuem, ka mbyllë sytë, më 1976.

Shfrytëzues sistematik e i pandërpremë i kohës së lirë, Gjushi ka një veprimtari të dendun e të larmishme, si:

1) krijime origjinale në poezi, prozë e dramatikë,
2) artikuj me karakter arsimor, etnografik, historik e arkeologjik,
3) mbledhës i pasionuem i materialeve, ndër ma të ndryshmet, i biografive e i kujtimeve të personave historikë, letrarë, luftarë, i toponimisë etj.

Ka botue artikuj e studime në revista e gazeta të vendit, si edhe jashtë shtetit, veçanësisht, në revistat e vjetra shkodrane, si “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Kumbona e së dielles”, “Shkodra”, “Shkëndija” e Tiranës, apo në gazetat, si: “Balli i Rinisë”, Tiranë, “Afrimi”, Vlonë, “Gazeta shqiptare”, Bari, si edhe në gazetat e Shkodrës.

Ka pasë marrëdhanie pune, shoqni e miqësi me Fishtën, Mjeden, Koliqin…, ka bashkëpunue me punëtorin e palodhun të letrave shqipe, A. Zef Valentinin, të cilin e ka ndihmue në punën e tij të shumanshme, siç e dishmojnë letrat e ruejtuna ende gjatë këtij rrebeshi të pamenduem e të paparishikuem. Valentini, Cordignano, Armao etj. e falënderojnë për ndihmën e dhanë, ndërsa autorë të sotëm e falënderojnë ndër letra personale, por jo me shkrim ndër veprat e tyne.

Ka shkrue disa artikuj për historikun e shkollës, si: “70 vjet shkollë: shkolla e Shirokës, 1874-1944”, “Shkollat e moçme dhe arsimtarët e vjetër të Shkodrës, shek. XIX-XX”, “E para shkollë muzike në Shkodër”; shënime me karakter biografik: “Mësuesit e moçëm shkodranë”.

Gjushi punoi mjaft edhe në fushën e krijimtarisë letrare. Ka shkrue novela, tregime, poezi, drama, komedi, monologë e dialogë, të botuem në organet e kohës, disa të mbetuna në dorëshkrime, disa të shfaquna në salonet teatrore të kohës. Në dramaturgji po veçojmë “Kupe Dane” (me dy akte e pesë tablo) dhe dramën “Brahim Gjoci”, “Atdheu mbi të gjitha”, me një prolog e dy akte; komedi me një deri në katër akte, si edhe përkthime dramash shfaqë në sallat e Kolegjit Saverian nga shoqnia “Bogdani”

Rrallë janë arsimtarë që kanë mbledhë material kaq të shumtë, kaq të larmishëm e kaq të dobishëm. Lidhun me mbledhjen e materialeve në bazë, Gjushi asht një pikë referimi ku duhet drejtue vëmendja e mësuesve të rij, për të mbledhë visarin e popullit. Për ilustrim po përmendim disa historikë, si: “Historiku i teatrit në Shkodër, 1879-1944”, me pasqyrë të të gjitha shfaqjeve, të autorëve e të aktorëve etj.; “Historikun e karnevaleve të Shkodrës, 1860-1949”, “Historiku i bandave muzikore të vendlindjes, 1874-1944”; “Pazari i Shkodrës dhe artizanati në shek. XIX-XX”, pastaj qinda faqesh të daktilografueme për tabakët e Shkodrës, për esnafet, për terzitë, dyfekqinjtë e Shkodrës, për veshje, doke e zakone, për humorin e humoristët tanë, ahengun e ahenggjijtë me biografitë e tyne, shënime e biografi për veteranët e historisë sonë etj.

Për hir të rrethanave ekonomike, të detyrimeve familjare a ma shumë të gjendjes politike, Gjushi s’arriti të përmbledhë në vepra të plota ndihmesën e vet folklorike, etnografike, letrare, historike. Sinteza do të qit’te në pah ma qartë veprimtarinë e tij të shpërndame në revista e gazeta, tashma të rralla, të shkrueme e të harrueme ndër pseudonime sot të panjohuna, si: Gjeto Kola, Nji mik, Sheboja, Magister, Nji bashkëpunëtor i ri, Korespondenti, Dikush, 67, 647 etj.

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT