Letërsi e vjetër shqiptare

0
7008


Lekë Matrënga (1560 – 1619)
Pjetër Budi (1566 – 1623)
Parathënia e “Fjalorit” të Frangut të Bardhë (1606 – 1643)
Pjetër Bogdani (1625 – 1689)
Pjetër Bogdanit, argjupeshkëpit Skupsë, kushërinit tim dashunit
Nikollë Filja (1671 – 1769)
Jul Variboba (1724 – 1768)


Pasthënia e “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555)

Meshari i Gjon Buzukut U Donih Gjoni, biri hi Bdek(1) Buzukut, tue u kujtuom(2) shumë herë se gluha jonëh nukë kish gjaa të endigluom(3) ensëh shkruomit shenjtë(4), ensëh dashunit(5) sëh botësë sanëh(6), desha me u fëdigunëh(7) për saa mujtah meh ditunëh, meh zdritunë pak mendetë e atyneh qi t’eh endiglonjinëh, për seh ata tëh mundëh mernëh(8) saa hi naltë e hi mujtunë(9) e hi përmishëriershim(10) anshtë Zotynë atyneh qi tah duonë em gjithëh zemërë. U lus enbas sodi maa shpesh të vinih em kishëh, përseh ju kini meh gjegjunë(11) ordhëninë e Tinëzot. E atëh nëh enbaroshi(12), Zotynëh tëh ketëh mishërier enbii juu, e atah qi u munduonëh dierie tash maa mos u mondonjënëh. E ju t’ini tëh zgjiedhunitë e Tinëh Zot, e përherë Zotynë kaa meh klenëh me juu: ju tueh endiekunë tëh dërejtënë e tueh lanë tëh shtrenbënë; e këta(13) ju tueh baam,Zotynë ka me shtuom endër juu, se tëh korëtë tajh(14) tëh englatetëh(15) dierie ensëh vjelash, e të vjelëtë dierie ensë enbiellash.

E u’ maa due tëh enbaronj vepërënë teme, Tinë Zot tueh përqyem. Endëh vjetët MDLIV njëhzet dit endëh mars zuna enfiill e enbarova endëh vjetët MDLV, endëh kallënduor V dit. E seh për fat nëh keshë kun enbëh endonjë vend fëjyem(16), u duoh tuk të jetëh fajtëh, aih qi tëh jetë maa hi ditëshim seh u’, atah fajh e lus tah trajtonjëh(17) endë e mirë. Përseh nukë çuditëm seh në paça fëjyem, këjo tueh klenëh maa e para vepërë e fort e fështirëh për tëh vepëruom enbëh gluhët tanëh. Përseh mund mund e qëllonjinë(18), se fajh të mos banjinë; përseh përherë ëndajh tah nukë mundëh jeshëh u’ tueh enbajtunëh njëh klishëh enbëh të dyy anët mëh duhë meh shërbyem. E tash u jam enfalëh gjithëveh, e lutëni Tinëh Zonëh endeh për muoh.

Shënim:
“Pasthënia …” është nxjerrë nga fotokopja e origjinalit,që ruhet në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë.
Origjinali gjindet në bibliotekën e Vatikanit, Romë, me këtë shënim katalogu: R.G. Liturgia III, 194.
Kjo pasthënie është i vetmi dokument (deri me tani) që na mëson se kush qe autori i librit dhe kur u përkthye e u botue ky libër.

Sqarime:
(1) Bdek, Benedekt.
(2) Tue u kujtuom, tue kujtue, tue sjellë në mend.
(3) Të endigloum, që kupton.
(4) Ensëh shkruomit shenjtë, prej shkrimit të shenjtë, prej librave fetarë.
(5) Ensë dashunit, prej dashurisë.
(6) Botësë sanëh, gjindjes, popullit tonë.
(7) Me u fëdigunëh, me u mundue, lodhë.
(8) Tëh mundëh mernëh, të mund të marrin me mend,të marrin vesh.
(9) Hi mujtunë, i fuqishëm.
(10) Hi përmishëriershim, fort i mëshirueshëm.
(11) Meh gjegjunë, me gëgjue.
(12) E atëh nëh enbaroshi, e taë punë në e bëfshi, e në veprofshi kështu.
(13) Këta, këtë, këtë gjë.
(14) Tajh, tuaj.
(15) Tëh englatetëh, të zgjatet.
(16) Fëjyem, gabuar.
(17) Tah trajtonjëh, ta ndreqë. Tueh klenëh etj.: kuptohet që kjo është e para vepër që përkthen Buzuku; mund të nënkuptohet edhe se ai nuk njeh tjetër vepër të përkthyer para tij.
(18) Nukë mund e qëllonjinë etj., nuk mund t’ia qëllonin aq mirë punës sa të mos bënin gabim.

Copyright 1996 © Eshref Januzaj.


Lekë Matrënga (1560 – 1619)

Lekë Matrënga
Këngë e përshpirtëshme

Gjithëve thëres, kush do ndëlesë,
të mirë të krështë, burra gra,
mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,
se s’ishtë njerii nesh çë mkatë s’kaa;
e lum kush e kujton se ka të vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bijr të tij e për vëlla.

(1592)

Copyright 1996 © Eshref Januzaj.

Matteo Mandalà: LEKË MATRANGA: njeriu koha vepra.

Me botimin kritik të varianteve dorëshkrim e të shtypur të veprës “E mbsuame e krështerë”, 1592. Ombra GVG, Tirane, 2013. 564 f. ISBN 978-9928-06-053-2.

Në Akademine e Shkencave në Tiranë:
[ OraNews – Info ]

Lekë Matranga - E mbsuame e krështerë


Pjetër Budi (1566 – 1623)

Pjetër Budi
I madhi zot, qofsh lëvduom

I madhi Zot, qofsh lëvduom
për gjithë kaqë të mirë
që së kam u’ merituom
me ndoonjë shërbetyrë;

qi më dhee kaqë hijr
këtë kafshë me mbaruom,
si q paçë zanë fijll,
gjithëherë tue shkruom.

Posi mendja më përcijll
nd’Arbënë me ua dërguom,
për kishë e për munështjir
pak ndë mend me i trazuom.

Ata merrë mbë dëshijr
mkatit me u peenduom,
posi pemëtë ndë prijll
ndë shpirt me lulëzuom;

e si zogzitë ndë pyyllt,
Zoti im me të lëvduom,
ndjerë vetë nata mbyyllt,
me një zaa t’amblëtuom.

(1618)

Pjetër Budi - Dottrina Christiana
Madhështi e njerëzve

Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtëtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri,
të bukur e të lulzuom,
që pate pamë me sy,
me ta folë e ligjëruom?

Ku janë ata zotëninj,
që dojin me zotënuom
ndë sqimë e ndë madhështi,
këte jatë tue shkuom?

Ku janë ata perandorë
gjithë shekulli nalcuom,
në krye me një kunorë
gurëshi cë paçëmuom?

Ku janë ata letërorë
t’urtë e dijes të ndëgjuom,
të bardhatë posi borë
letëra tue kënduom?

Ku janë ato gra e vasha
ndë sqimë e ndë madhështi,
me petëkat të mëndafshta
nalcuom mbë zotëni?

Gjithë mortja i rrëzoi,
sikur i pret me shpatë,
për të ri s’i shikoi,
as të vobegë, as të begatë.

(1618)

Copyright 1996 © Eshref Januzaj.


Parathënia e “Fjalorit” të Frangut të Bardhë (1606 – 1643)

(Fragment)
Frang Bardhi - pikturë nga Pal Toma Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2) copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë saa maa parë të ve(3); e maa fort me ndimuem gjithë atyne qi janë nd’urdhënitë Tinëzot e të shintesë kishë katolike, e s’dijnë gjuhënë latine, paa të sijët askush s’munë shërbenjë si duhetë paa të madh error(4) e faj hesaapetë(5), zakonetë ë çeremoniatë e shintesë kishësë Romësë; më ndy(6) jo pak mirë me marrë e me nkëthyesë n’gjuhët cë lëtine mbë gjuhët t’arbëneshë një dicionar, qi tjetër s’ashtë veçëse nja librë, qi kaa ndë vetëhe saa fjalë e saa emëna janë e gjindenë ndë këte pjesë shekulli(7) posikuur me thanë të nierëzet e të shtazëvet e ujënavet e të malevet e të fushavet e të saa tjera kafshëve(8), qi gjindenë ndënë qiellt, ende mbë qiellt, posikuur të Tinëzot, të engjiet e të shintënet… I silli librë më pëlqei e m’u duk se kishte me u qenë për ndoonja ndimë, ndoonëse të pakë e të moritunë(9).

Prashtu, mbassi u daashë Kolexhiet cë Zonjësë ndë Lurijt e ershë mb’Romë pr’urdhënit të Kuvendit Shint(10) e të ndriçmit nderueshimit zot upeshkëpit Sadrimësë, tim ungjë, pr’emënë Gjeçi i Bardhë(11), fisit sinë e ndoret sonë, shumë i urtë e i vëjyeshim, i cilli, prej së dashunit të Tinëzot e së shintit Atë Papë Urbanit VIII, ashtë tash krijuem e baam argjupeshkëpi i Tivarit; e hina në Kolexhë te janë shkollarëtë, oo ata qi xanë, me vonë
mbasandaj ndër të paafeet me çtuem shintenë e të vërtetënë feenë tanë, zunafijll tue këthyem këtë dicionaar mbë gjuhët tanë, e këtheva nsi(12) gjithë qish mujta; e mbassi e solla(13), m’u duk i pakë e i vogëlë, prashtu hina tue kujtuem(14) e shkrova mbe gjuhët tanë maa parë do të falunazë(15), qi kanë zakon e banjënë t’Arbëneshëtë kuur, së largu oo s’të këtje(16), mb’udhë mpiqenë, tue vumë përngjat(17) tyne ende mbë gjuhët të Latinjet; ashtu ende do proverbia oo të thana, ncë sijashit disa kanë zakon e i thonë Latinjtë e disa Taliantë; do adverbia ende, e gjithë saa kafshë janë në këtë copëzë librë, i vuna fjalë për fjalë, e maa parë mbë disa vuna latinisht, ani(18) përngjat oo përfundit vuna arbënisht, e mbë të tjera vuuna maa parë fjalënë e rieshtnë arbënisht, ani përfundit latinisht, ashtu qi ata qi të fëdigenë(19) e të duenë më xanë gjuhënë latine maa mirë e maa udob(20) t’u vinjë …

… Prej Rome, dit ndë maaj 30, ndë vietëtë Krishti 1635. Shërbëtori i zotënijsë saaj, unë D. Frangu i Bardhë, shkollaar ndë Kolexhë të Shintesë Fee.

Shënim:
“Parathënia …” është nxjerrë nga origjinali, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë parathënie gjejmë disa te dhëna kryesore mbi jetën e Bardhit.

Sqarime:
( 1) Kujtuem, sjellur ndër mend, menduar.
( 2) Qish, çfarë.
( 3) Saa maa parë të ve, sa më shumë shkon koha.
( 4) Error, ang. gabim.
( 5) Hesaapetë, tq. konceptet.
( 6) Mëndy, m’u duk.
( 7) Në këte pjesë shekulli, në këtë pjesë të botës, në këtë vend.
( 8) Kafshëve, sendeve.
( 9) Të moritunë, të pakë, të dobët. Lurij (Loreto), qytet në Itali, ku ishte një kolegj, me emër “Kolegji Ilirian”, që pergadiste priftërinj e misionarë edhe për Shqipërinë. Punën për fjalorin, B. e filloi duke qenë akoma nxënës.
(10) Kuvendit Shint, Kuvendi i Propagandës së Shenjtë, një si organizatë e Vatikanit për propagandën fetare në vendet e ndryshme. Mbasi kreu studimet në Loreto, B. i vazhdoi ato në një seminar të Propagandës së Shenjtë (“Propaganda Fide”).
(11) Gjeçi i Bardhë, vdiq më 1647. Familja e Bardhajve duket se ishte një familje priftërinjësh, që luajtën rol me rëndësi në kishën katolike të vendit tonë, veçanërisht që nga pjesa e dytë e shekullit XVI e gjer në pjesën e parë të shekullit XVII. Daja i Gjeçit, Nikolla, dhe Gjeçi vetë, patën marrë pjesë në lëvizjet kryengritëse të vendit kundër Turqisë.
(12) Nsi, prej tij.
(13) E solla, e përktheva.
(14) Hina tue kujtuem, fillova të mendoj.
(15) Të falunazë, përdhëndetje.
(16) S’të këtje, së afërmi.
(17) Përgjat, pranë, përkrah.
(18) Ani, pastaj.
(19) Fëdigenë, lodhen, përpiqen.
(20) Udob, lehtë.

Copyright 1996 © Eshref Januzaj.


Pjetër Bogdani (1625 – 1689)

Pjetër Bogdani
Kendonj birrë madh

Kendonj Birrë madh mbë Diellt’ të lumit Atë,
Qi dergoj gjiut se vet për të shelbuem;
Veshunë ndë Mish, e gjak bam i begatë,
Ndë dy natyrë ngjeshun e fort shterguem,
Me pushtet të madhë, sa për mot të gjatë
Rreth shekullit të shelbon tui besuem,
Se ky i verteti Krisht Hyj, e Nieri
Ashtë, e si leu ndër ne Virgjinet Mri,
Xihariq me dhanë nji Pëllumb derguem,
Qiellsit kur vo bashkë ndë Iordant’ të bardhë
Me të Shë Gjonë lum meu pagëzuem
Ashtu Sibila thotë, se ka për t’ardhë
Fajtërorët me grisem, e me shelbuem.
Posi vjollëxa ndë dimënë pa mardhë
Ndërshen: e si Njegullatë palë, palë,
Reza n’Dielli përzë, tue dhanë Malë,
Të Dërejtë jete, e udhë të pamashtri
Shekullit, qi shpie mbë Qiellt ka me mspuem
Gjyq t’amëshuem pa me kallëzuem.
Shelbues yt Rëshit kur plot memeni,
Ka me dalë ende Kryqa ndrykë nalxuem,
Lum, o Dru, e bukura, pa ndonji leqe,
Ku mplaki u çrish, e s’mbet as nonji e keqe.

(1685)

Sibila delfika

Vajtonj unë e mjera nji të madhe gjamë,
se Krishnë mbë Kryqt rrafun e keq shëmtuem,
shuplaka, grushta, helm’e uthull dhanë:
përgjegjun shtatnë plagësh e irënuem
Izraeli mbë dhe keq nuk la pa i banë;
patërshanë ende mbë Kryqt depëruem:
vdekun s’amësë mbë prehënë ia dhanë,
zemërën tu’ i shituem anë a pr’anë.

(1685)

Sibila persika

Kumbon zani malesh e këlthet ndë shkretëti,
zihariq me dhanë e udhë të drejtë
shekullit me çelë, e fajevet për mengji
pagëzimnë predikon, mbë këtë jetë
kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,
ndë Parrisit vend të gjanje si do vetë,
tue trusun kryet e asaj bishë,
mirë t’u bamë e shpesh tu votë n’Kishë.

(1685)

Sibila samia

Sion se Peshtriku Mal Prisrend mai nalti
Falemi s nteje Ligja ka me dalë,
Kur Apostuitë Krisht’ ambl’i përmjalti,
Me të dashunë Kungim, e Shenjtë fjalë.
Ende Vajza ngiat ty derguem se nalti,
Leu Djalinë Kërthi, qi neve na mpsoj:
Jevrejt’ e marrë Hyjnë tand derguem,
Kryetë ja deperton Ferrash rethuem.

(1685)


Pjetër Bogdanit, argjupeshkëpit Skupsë, kushërinit tim dashunit

Shkolla Pjetër Bogdani
Duel Gurit bukuria,(1)
zana si nji sut’ e naltë,(2)
qi s’kish mbrenda Veneqia,
të Peshtrikut muer maltë.(3)

Djelz’ e vashaz’ ende graa
i shërbejnë ndë robij,
tue kënduem aqan’ saa
gjithë zemërat’ i çkrij.

Alesandr’ i madh Darinë,
Skanderbeg’ shitoj mbëretnë,
e ndoq Sauli fort Davidnë,
mbyti Giudit Holofernë.

Këndoj zana maje malet.
ani zunë me lodruem
tek i thonë Vrap i Kualet,
ndë zemërë fort gëzuen.

Tufë-tufë tu’ mbëledhë
me zymyla nji kunorë,
drandafille bashkë dredhë
ndë këshet me gjithë dorë.

Lulesh ani me ja falë
blegëtorijesë zanë,
qi ndë valle kur të dalë
të na ndritnjë dhenë tanë.

Priserenë çelepij,(4)
gjithë nd’armë mbukuruem;
prej Gore dimisqij,(5)
trim i foortë me lëftuem.

Kur del ani e soditën
treg të ri ende të vjetër,
trimënia ke shetitën,
thue s’ka dheu tjetër.

Skodra ngulë ndë konfij,(6)
fush’ e malet i pushton,
me të forta zotënij
Lesh, Zadrimën’ e zapton.

Ndë lëqen’ me gjithë duer
peshku, trofta ende blij,
përditë kush vote muer
gjindsë vetë ndë shtëpij.

Skupja gjytet perëndeshë,
ndë ranxë të Lubotenit,
qi regjina Rodopeshë(7)
trajtoj motër Priserenit.

Argjupeshkëpi e ree,
endunë për breg Vardari,
i shkon delli ndëpër dhee(8)
rëmbje, shtambje, rgjandje e ari.

Grigja të njehunë s’kaa,
lesh e saftian e dyllë,(9)
përse kush e mbelë s’kaa,(10)
bleta shkret i kërkon pyllë.

Këte det nd’ Urumelij,(11)
Skodrë Priserenë kanë,
shoqe nd’ Arbën e Shërbij
tri gjytete të mëdhaa.(12)

Nalt’ mbë mal siellë kunorë,
doret sonë s’arbëneshë,
Turkut votunë ndë dorë,
me të madhe sod’ shpëneshë.

Tyy lus, e Shënë Marii,
qi ri n’kishë Priserend,
ban të dalë përsërij
kryq e flamburë me rend !

Zot shëlbuesi barii,(13)
ruzullimnë ta pushtonjë,
gjithëkush donji selij
mbi qiellt’ ani ta gëzonjë !

Kënduar nga Lukë Bogdani.

Shënim:
Çeta e profetve - Pjetër Bogdani Vjershën e ka botuar Bogdani në krye të librit të tij, si ç’ish zakoni atëherë të botonte autori në krye të veprës së tij, lëvdata që i kushtonin miqt e vet, me rastin që nxirrte librin. Autori i vjershës është Luka Bogdani, për të cilin nuk dimë gjë, po që është kushëri i Pjetër Bogdanit. Kjo këngë le të shërbej si shembull i një vjershe të vjetër shqipe. Bashkë me Budin e një Luka Suma prej Shkodre (edhe ky i ka bërë një vjershë të vogël për nder Bogdanit në veprën e këtij), Luka Bogdani është i treti vjershëtor shqiptar që njohim (deri më tani) nëshekullin XVII. Ka të ngjarë që vjershërija atëherë të lërohej sado pak prej klerikëve shqiptarë.

Shënim shtesë : (Marrë nga një raport i QIK-ut – 23.10.1997)

U shënua 310-vjetori i vdekjes së poetit Lukë Bogdani

Prishtinë, 23 tetor (QIK)

Në kuadër të manifestimit të sotëm letrar “Hivzi Sylejmani” në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë, u shënua edhe 310 – vjetori i vdekjes së poetit Lukë Bogdani, i cili ishte poeti i parë i shkolluar në shkollën shqiptare të Janjevës – Trepçës. Kjo shkollë ishte e njohur edhe nga Vatikani. Poetin Lukë Bogdani e vranë turqit në Grykën e Kaçanikut në vitin 1687.

Lukë Bogdani në letërsinë shqipe njihet me vjershën kushtuar ungjit të tij, Pjetër Bogdani, e cila është përfshirë në veprën madhështore të Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve”. Kjo iniciativë në SHSHK rrodhi në mënyrë, që të inaugurohet një aktivitet i veçantë letrar me emrin e këtij poeti.

Sqarime:

( 1) Gurit, prej Gurit në Has, vendlindje e Bogdanit.
( 2) Sutë, femra e drenit, drenushë.
( 3) Peshtriku, mal pranë Hasit.
( 4) Çelepi, it. vend metalesh.
( 5) Gora, mal i Prizrenit. Dimisqij, damaskine, shpatë Damasku.
( 6) Konfij, kufi.
( 7) Rodopeshë, emër mitologjik i të shoqes së një mbreti të Trakës, që u kthye e u bë mal. Ajo e paska bërë Shkupin motër të Prizrenit, e paska themeluar.
( 8) I shkon delli ndëpër dhee, ka nën vehte mina, metale, bakër (rembje), kallaj(shtambje).
( 9) Saftian, lloj lëkure e punuar, marokin.
(10) E mbelë, mund të jetë gabim shtypi : e mbledh.
(11) Këte det, këtej detin.
(12) Tri gjytete, Shkodra, Shkupi e Prizreni.
(13) Shëlbuesi, shpëtimtari.

Copyright 1996 © Eshref Januzaj.


Nikollë Filja (1671 – 1769)

Rruga Nikollë Filja
Durtilja

Mori e zgledhura ndër zonjat,
ktë vo t’artënë kurorë,
t’cilnë na t’dhuruam n’dorë,
ti në qiell ngrijna neve.

Vash’ e kuqe e rodhustane
më ruash, ill, o diell, hënë,
xhil i bardh’ e trëndafile,
s’Inzot nuse, ëm’ e bile,
prind si ti s’jan’ të lipismë.

Ki kujdes për ne t’mavrismë!
Zëmra jote lipsiare
t’ligat tona s’vareft’ fare;
po t’ndëlemë, nj’ dit’ na thrret
te Parrajsi ku na pret.


Jul Variboba (1724 – 1768)

Jul Variboba
Gjella e Shën Mërisë virgjër

Oj jet’ e ëmbël, o Shën Mëri,
vjershin e ri ea na mbiso;
si do shurbier, si ti t’pëlkier,
ti bashk’ mene nga e këndo.

Na ning dimi ti të vandonjim,
ti të nderonjim si meriton;
se je fanmirë se na do mirë,
këta ti thomi, këjo baston.

Cili njeri sa i lart’ je,
sa gracje ke, mund nimëronjë?
Vet’ Zoti inë ti di vandinë,
jatër gjuhë s’di ti këndonjë.

Nd’atë dikret çi fjet karta,
vetëm sa lart ti qeve vënë;
neve të tjerët të bjerrt’,të mjerët,
gjarpri mëkatat na pat ngrënë.

E bër’ aposta për Tënzonë,
shkele Dimonë, i re pir mort;
ti vetëm qeve porsa u leve,
ndi trut’ ia ngjoke, ia ngjoke fort.

Jot ëm’ Shin Ana me Shin Xhakinë
fimilë s’kinë e, pjot me lot,
e shertëruan, e agjëruan,
ashtu ti bjetin ka Inzot.

Me vute e meshë e raciuna,
me divuciuna e me hjidhi,
të kunçipirti,të parturti
Shin Ana e mirë ndi pjakëri.

Kur ti u leve, e qiell e dhe
bëri hare ndir gjith’ kundat;
haret’ i solle kur ti dolle,
dolle si dielli e pamëkat.

Tri vjet u mbille ndi një kuvend
bëre kutiend ti Tënëzon’;
i dhe nji lule, nji trëndafile,
i dhe të virgjrit çi lulëzon.

Andaj Zotinë tij t’u prejar,
t’u namurar e mir’ të dish:
e të bekoi, të shëjtëroi,
e shpirti kurmin t’e bëri kish’.

Nj’ëmgjëll aposta të suall mbashatën,
të suall uratën ndi kit modh’;
– O e lumja grua, Ti si e thua?
Ti Zoti in’ për ëm’ të zgjodh.

Ti rispëndove: – U’jam e virgjër
Si nji e virgjër mund jetë ëmë?
Këjo mbashatë ning ësht’ uratë;
pir nji të virgjër ësht’ më se nëmë.

Ëngjëlli foli: – Jo, se Zotin’
tek vete hin, ning e danon
virgjinitatet e puritatet;
tek më e nget, më e ngjaron.

Si pasikiri tek dielli hin,
ai ning e nxin, e dritëson.
Mos kij pahur, mos kij timur:
vet’ Shpirti shëjt’ vjen e të mbjon.

(1762)

Jul Variboba - vepra
Kanka e të zgjuarit

Zgjou, bir, jo më gjumë,
ngjou, se mi fjëjte shumë.
Jeta ime, xha m’u zgjo,
zgjou se bëre nino.
Vjen një legë pekurar’
pruçesion ti vizitar.
Gjegj si loznjin, si këndonjin,
dhenë e detin e gjëmonjin,
Karramunxa e fishkarole,
surdullina e rusinjole,
mirë bukur e ngular, –
o çi vjersh! Ti rikriar.
Gjegji, bir, e iu gëzo,
me kto duars i beko.
Ruaj rigale çi ti sualltin,
gjithë mandrën e rëzuatin.
Nga me dorë ti kit qengje,
çi ësht’ e bardh’ si nji skamëngje.
Çi ësht’ e tener këjo gjiz’!
Ruaj e suall ki kaçiapriz.
E kaciqin me kit dhi
e suall ki buzëzi.
E gastratin pjot lesh
e suall ki këmbëlesh.
Ç’ësht’ i ëmbël ki huall!
Erdh Nikolla e t’e suall.
Nji manure pratunere
e njo zok si kaçjulere
e nji t’egërith pëllumb
e suall Ngjisku me nji tumb
Via, bir, zgjou, pravoi,
pekurarët bekoi.
Erdh edhe nji leg’ divote
tue kënduar parambote.
Ruaji, bir, e i gëzo,
zgjou se bëre nino.
Vjen Xhudita me nji gjel,
zunë fill ajo kangjel.
Suall Malita nji kapua,
e e motra nji pagua.
Pesë bracë xagarele
suall e ve Rutiçele.
Suall e bija ca këstanja,
kirgorina edhe milanja.
Suall Rakelea nji brez
se t’e ngjeshinj nd’atë mes.
Me nji fash rikamatë
erdh Suzana çi me natë.
Lia suall dica skutina,
e ca ve Carafina,
e Dilusha,çi u martua,
suall nji kez’,m’e suall mua.
Ruaji gjith’ e i beko,
zgjou se bëre nino.

(1762)

Copyright 1996 © Eshref Januzaj.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.