CUBAT – përgatitur nga Zef Ahmeti
Metamorfoza– përgatitur nga Enis Sulstarova
—
– Pavion për Fishtën
– Fishta për gjuhën
– Fishta pa veladon
– Tregojnë për Fishtën
– Fjalimi i panjohur
– Poeti Kombëtar
– Letër e pabotueme
– Shkurorëzimi i poetit
– Fishta-gjeniu pa varr
— nga Kolec Çefa, Shkodër
Tue lexue me vëmendje biografët e studiuesit e Fishtës kam vërejtë, me keqardhje, se nuk asht studiue sa duhet epistolari i Fishtës, që flet për marrëdhaniet e Fishtës me bashkëkohësit, me dijetarë e punëtorë të letrave shqipe, me patriotë e luftarë të çashtjes shqiptare, me politikanë të huej e vendas. E, pra, ky epistolar diçka na mëson, diçka na edukon, diçka na frymëzon.
Epistolari i pasun e i çmueshëm i Fishtës përmbanë mozaikë mendimesh e ndjenjash, ngjarjesh e personazhesh, episodesh e të dhanash, kujtimesh e intimitetesh, që plotësojnë, sqarojnë a zbukurojnë biografinë a veprimtarinë e tij të shumanshme.
Aty gjenë: diku copëza prozash artistike a estetike, diku të dhana me vlera historike a arsimore, diku gjykime interesante a vleresime veprash letrare, ngjarjesh a personazhesh, diku figura mendimesh të goditura e shpesh humor të zgjedhur e të gëzueshëm.
Për interesimin rreth mbledhjes dhe botimit të letrave të Fishtës na sinjalizon Atë Mark harapi S.J.
Që më 24 mars 1941, i vleri dijetar shkruente: “… po s’u kerkuen pa vonesë, udobisht mundet se humbin e s’gjinden ma”. Dhe vërtetë disa letra janë të shpërndara në organe tashma të rralla; disa i konsiderojmë të zhdukuna; disa presin ditën e botimit. E të gjitha ekzistueset kërkojnë studimin objektiv e kompetent, mbasi janë përdorë fragmente të shkëputuna nga konteksti, vetëm për disktrititim.
Ndërsa bashkëvëllau e miku im i zemrës Atë Pal Dodaj në artikullin “Atë Gjergj Fishta OFM në korrispondencë me një si vëlla të përzemërt”, analizon 200 letra vetjake, çka i duket interesante, të cilat, për fat të keq, nuk janë botue të plota.
Një kontribut me vlerë ka dhanë Dodiq në punimin e vet botue në “Aktet e Kolokiumit Albanologjik Ndërkombëtar, Innsbruck, 1972”. Edhe një punë të mirë e të frytshme ka ba edhe Dr. Petrit Kotrri me kumtesat e artikujt e tij, lidhun me epistolarin fishtjan.
Por në këtë kumtesë synoj të tërheq vëmendjen për interesimin e intelektualëve shkodranë (pse në Shkodër ka pasë mjaft intelektualë që kanë pasë letërkëmbime me Joklin), për përpjekjet e vëllazenve Justin e Kolë Rrota e sidomos me ndërhymjet e Fishtës për të shpëtue Joklin nga fundi tragjik, sipas një letre të pabotueme.
Pa u zgjatë e pa e përsëritë po citoj nga revista “Cirka”:
“Në këtë rasë nuk mundemi me ndejë pa e shfaqë edhe na dishirin e urimin, që kje tregue edhe prej ndonjë anës tjetër, qi Prof. Norbert Jokli, shkencëtari albanolog me famë botnore i Universitetit të Vjenës, të merret në shërbim prej shtetit shqyptar…Profesor Jokli, i cili sot ka mbetë pa plang, pa atdhe, duhet të gjejë çerdhen e vet në këtë Shqypni e cilla tij i detyron sa vepra vigane qi ia kanë zbulue randësin e bukurin e vet ditunis ndërkombëtare”. (“Cirka”, 1939, f.56-57).
Në “Shejzat” e prof. Ernest Koliqit, numër i veçantë, përkujtimuer (më saktë, 74-vjetorit, mbasi Koliqi ka lindë më 1901, siç e kam ba të ditun në një artikull të botuem e jo më 1903 siç thonë shkrimet e të gjithëve, edhe ftesa juej), Messing ka dhanë një Memorandum mbështetë mbi një deklaratë të Kolë Rrotës, sih-Konsull i Shqipnisë dhe lektor në Universitetet në lidhje me vdekjen e profesor Joklit, ku bahet fjalë për kërkesën e Joklit shpreh Kolë Rrotës, që të merrej vesh me autoritetet shqiptare, nëse do të ishte e mundun të transferohej në Shqipni, për emnimin e prof. Joklit si administrues i bibliotekes shqiptare me një rrogë mujore 600 franga ari, për burgosjen e vdekjen e tij, për kërkimet për të gjetë se ku gjindej biblioteka e pasun e dorëshkrimet e Joklit. (Ma gjatë lexo: “Shejzat” numer perkujtimuer).
Nga bisedat e dikurshme e të shumta me Pader Justin Rrotën, mbaj mend edhe një fakt tjetër mendoj i panjohun: “Kur më 1938 filluen përndjekjet naziste kundër çifutenve në Austri, françeskanët me Fishtën, Justinin në bashkëpunim me Kolë Rrotën u përpoqen ta tërhiqnin Joklin në Shqipni. Ideja e Fishtës, në fillim, ishte ta mbante Joklin në Kuvendin Françeskan. U ba gati edhe dhoma, njashtu si u mbajt Luigj Gurakuqi në periudha të vështira të jetës, sidomos gjatë viteve 1921-1923. E synuen t’i nxirrej nënshtetësia shqiptare. Pastaj ky variant u ndryshue, nderhyn edhe Koliqi e të tjerë, por ngjarjet precipituen shpejt dhe Jokli u arrestue”.
Shumë vite ma vonë, më 1950, në një letër të Kolë Rrotës, dergue Justinit, lexojmë: “Sa për zhdukjen e të ndjerit prof. Joklit në vjetin 1942, po të diftoj se unë atëherë jam mundue me gjithë shpirt me e shpëtue prtej thojve të nazistave. Shkurt, ky mbaroi në Minsk, po ashtu si u banë therorë miliona e miliona njerëzish tue u helmue me gaz”. Edhe në korrispondencën me Kolën, të vëllanë, edhe me lambercin, Justini asht interesue për dorëshkrimet e Joklit, veçanërisht për “Fjalorin etimologjik” si edhe për bibliotekën e tij.
Por të këthehemi te Fishta
Orvajtjet e Fishtës, me cilësinë e akademikut, për të shpëtue Joklin, deri-diku dihen.
Po japim një letër të panjohun e të pabotueme të Fishtës, drejtue Françesko Jakomonit, më 23 shtator 1939, shkrue në emen të të gjithë intelektualëve shqiptarë, me të cilën, pasi shpreh vlerësimin ma të naltë për Joklin, shfaqë dëshirën që të gjindet mundësia me ardhë Jokli në Shqipni, në ndonjë nëpunësi, të përshtatshme me famën e tij, si shkencëtar e gjuhëtar i shquem.
Shkodër, 23 shtator 1939
Shkëlqesi,
Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Evropë, asht profesor Norbert Jokli, me kombësi çifute që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit te Vjenës e profesor gjuhësie në të njajtin universitet.
Tashti, më shkruejnë nga Vjena, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem të largohet, brenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut.
Ai, tashma, asht i ndrymë, beqar, me një fat mjaft modest. Atij, natyrisht, i duhet të rropatet me gjetë ndonjë vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue në Amerikë.
Shkelqesi, pa dyshim, do të ishte një fatkeqësi e madhe për gjuhën kombëtare shqipe, në qoftëse ky shkencëtar, me famë europiane, që unë e njoh e që, me autoritetin e tij të padiskutueshëm, ka mbajtë gjatë interesin e filologëve ma të përmendun për gjuhën shqipe, të jetë i shtrënguem me braktisë Europën.
Kombi shqiptar, i tani, do t’ju dijë për nder shumë, nëse Shkëlqësia e juej të mund të gjejë mundësinë ta bajë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty një vend, edhe pse jo aq fitimprurës, megjithatë të përshtatshëm për famën e tij si shkencëtar e gjuhëtar i shquem.
Jam i sigurtë se do ta merrni në konsideratë dashamirëse këtë propozim timin, që unë e paraqes në emen të të gjithë intelektualëve shqiptarë.
Përfitoj nga rasti, për t’Ju lutë të pranoni ndjenjat e respektit ma të madh dhe me mirënjohje të thellë.
I Shkëlqesisë suej
i devoçëm e mirënjohës
P. Gjergj Fishta OFM
Shkëlqesisë së tij
Françesko Jakomoni
Luogotenente
— dërguar nga Klajd Kapinova, New York
NGA VEPRAT E AUTORIT |
Cubat | Metamorfoza | Fishta për gjuhën | Fishta pa veladon | Tregojnë për Fishtën | Fjalimi i panjohur | Poeti Kombëtar | Në mbrojtje të Joklit | Shkurorëzimi i poetit | Gjeniu pa varr |