Një ditë në qytetin e veriut, ku lindi 90 vjet më parë Millosh Gjergj Nikolla. Busti i braktisur dhe i zhgarravitur, harresa e bashkëqytetarëve, dhe varri i mbuluar me borë. Poeti, përmes fjalëve të Aurel Plasarit, Nasho Jorgaqit, Arshi Pipës, Skënder Drinit, Moikom Zeqos, Robert Elsie, Fatlum Nures.
Ditët e ftohta të dhjetorit 2001 më sjellin ndërmend vetvetiu ditën e 20 dhjetorit të vitit 1937, kur ai do të nisej nga Shkodra për të mos u kthyer më në Shqipëri. Gjithsesi, nga xhamat me brymë të makinës ndjek ecjen e shkodranëve të shekullit t’ri. Nuk e di pse më duken ashtu si dhjetëra vjet më parë, përmes rrugëve, me trishtimin e zakonshëm të personazheve të Migjenit. Kryeqyteti i kulturës të duket krejt i hirnosur në këto ditë të ngarkuara me borë në dhjetor.
Rikthim në 90-vjetor
Nostalgjia ka kohë që ka kaluar në qytet për poetin e shquar. “Faji” më i madh është se vepra e Migjenit gjithmonë e ka tejkaluar tragjizmin që shoqëroi jetën e tij të shkurtër. “Sa turp, sa turp”, do të thoshte prof.Nasho Jorgaqi, kur e pyet pse nuk u bë diçka më shumë për Migjenin, në 90-vjetor, në ditët e tetorit. Ngre supet: “Eshtë me të vërtetë turp.” “Pse nuk u kujtua askush për të në çmimin më të madh të letërsisë ‘Penda e Artë’!?” -të kujton një nga botuesit. Në fakt, një antologji poetike e përgatitur nga një krijues, Kujtim Dashi, dy-tre shkrime në shtypin periodik ishin gjithçka, që kujtuan Migjenin në 90-vjetorin e tij shtuar me dy aktivitete respektivisht në Tiranë dhe Shkodër. “Ai është mesazheri i të gjitha kohërave”, thotë Dashi.”Zyrtarisht vdekja e Migjenit merret vesh vetëm një muaj më vonë, më 29 shtator 1938, me letra ku nuk mungojnë pasaktësitë, neglizhencat…aq të zakonshme në burokracinë dhe injorancën e shtetit…ndërsa vetë Inspektoria e Arsimit në Shkodër e merr vesh krejt privatisht vdekjen e tij”, thotë Rinush Idrizi në monografinë kushtuar poetit.
Një situatë e tillë -më thonë në qytet – ka ndodhur edhe pak javë më parë në Shkodër. “Më kanë kujtuar ditën e fundit, atëherë kur askush nuk kujtohet, mandej askush nuk ka propozuar diçka konkrete për përkujtimin e poetit”, thotë një nga funksionarët e Bashkisë. Kjo do të thotë se në Shkodër poeti nuk është, të paktën, qytetar nderi, ndërsa lista e “Të nderuarve” “është e madhe dhe nuk na kujtohet”, thonë në Bashki. Kjo të thotë, që listës së artistëve të këngës, humorit dhe personave të tjerë të nderuar shkodranë i mungon ‘rastësisht’ Qytetari Migjeni. Këto mendoj, ndërsa jam duke shkuar drejt Varrezave të Dëshmorëve, ku gjendet varri i tij. “Eshtë rregulluar vorri, pak kohë më parë”, na sigurojnë në Bashki. “Ne i kemi sendet e përdorimit vetjak të Migjenit dhe dorëshkrime të pabotuara të autorit”, thotë drejtori i Muzeut të Shkodrës. Magjithatë shkodranëve u ngjan si çudi kur i pyet për poetin. “Lene t’ shkretin n’vorr”, të thonë indiferentë ata. Gjithsesi, ‘rrezikun’ ka kohë që nuk e kanë lënë rehat.
Pak vjet më parë i thyen varrin dhe ia lanë ashtu të ekspozueshëm, për ndonjë mbledhës objektesh. Si për ironi të fatit, në 20-vjetorin e Muzeut Kombëtar, të ekspozuara si relike të rralla ishin edhe copat e mermerit të varrit të tij. Ky ishte ndoshta motivi ku fshihej dëshira për të udhëtuar drejt Varrezave të Dëshmorëve në Shkodër, ku prehen edhe eshtrat e tij. Askush nuk e di varrin, ndërsa nëna natyrë kuriozitetit tonë e ka intriguar me një shtresë të admirueshme bore. “A, pse k’tu asht Migjeni”, më thotë një nxënës i shkollës së mesme. Përpjekjet tona përfundojnë të pasuksesshme në varrezë. Listës së gjatë nominative, me tre kolona të heronjve, i mungon qartësia e emrave në kolonën e dytë, atje ku shpresojmë që të jetë “Ai”. Kërkimet janë hipotetike dhe, kuptohet, edhe rezultati mbetet po ai. Mbetemi në besimin e funksionarit të Bashkisë, Fatlum Nure, që na thotë se “varri i tij është rregulluar”…
Shkodra dhe bashkëkohësit
“Shkodra, dashnorja e shekujve”, sipas Migjenit, është treguar mazohiste me poetin e saj. Dashurinë ia ka kthyer sipas mënyrës së vet. E ka lënë pa shtëpi. Bustin e tij, pasi ia ka prishur epigramin, e ka vendosur në një cep të padukshëm, përbri teatrit me të njëjtin emër. Shkodra e ka ‘strehuar’ duke e bërë vendin para tij në një parkim të thjeshtë furgonësh. “Ku është busti i Migjenit”, pyes një shkodran pranë Teatrit. “A nuk po e sheh rrezikun”, më tregon ai Migjenin. Pa hundë, monumenti gati në degradim të prezanton Migjenin. Falë nënshkrimit me emrin e tij, i cili është fshirë nga një dorë që ka pasur kohë të tregojë qetësisht artin e saj, vërtetoj gjithçka.
Migjeni të vështron kryelartë në një bust tipik të realizmit socialist. Krenar, tashmë i mbuluar me një shtresë bore, atij që kalon aty pari, nuk i bën asnjë përshtypje. Epigrami i tij është prishur ‘kortezialisht’ me një vijë blu në mes. “Qeshu rini qeshu/ Bota asht e jote”/ poshtë emrit të tij është ironia më e madhe në këtë realitet. Fare i braktisur, Migjeni qëndron në shoqërinë e furgonëve të udhëtarëve. E vetë, në pozicionin e dispeçerit historik, shikon personazhet njerëzore që lëvizin përditë. Përbri tij qëndron një dyqan i mbajtur keq dhe në një kënd 90° shtrihet 40 metra më tej, Teatri që mban emrin e tij.
“Nuk ka iniciativa për Migjenin”, të thotë nënkryetari i bashkisë së Shkodrës, Fatlum Nure. “P.sh. komuniteti i mjekëve propozoi një mjek (figurë e nderuar për qytetin) dhe atij iu dha titulli, ndërsa komuniteti i humoristëve propozoi një koleg dhe atij iu dha çmimi”. Qesh me një paradoks për një humorist ‘Nder i qytetit’, që nuk gjente dot një sasi modeste lekësh nga bashkia, për spektaklin e tij. “Në qoftë se nuk do të propozojë dikush, atëherë si mund të bëhet qytetar nderi?! Unë jam me profesion inxhinier dhe problematika rutinore nuk më jep mundësi që të vëzhgoj data apo të kem njohuri për figura”, thotë Nure. Për të, indiferenca ndaj Migjenit vjen fillimisht nga komuniteti artistik i Shkodrës. “Gjithsesi, ne jemi duke menduar që monumenti i Migjenit të riparohet dhe po shikojmë një mundësi për një basoreliev që mund të vendoset në murin e Teatrit. Një projekt tjetër është që Migjeni të ketë mundësi që të jetë në mes të lulishtes që do të rikonstruktojmë së shpejti, ku ai të jetë figurë qendrore e këtij kompleksi”, thotë Nure.
“Në rast se nuk e realizojmë këtë, thotë pastaj i revoltuar bashkiaku, atëherë edhe teatrit kryesor të qytetit, t’ia ndërrojnë emrin.” Pa shprehje, fytyra e Migjenit, pas ndryshimeve estetike që i janë bërë, të qesëndis. Po, vërtetë, tekefundit ç’i duhen ato në botën tjetër… Dikush nuk di se e ka varrin apo jo. Dikush tjetër të konfuzon për ish-shtëpinë e tij. Dikush tjetër të ngatërron në elementë të tjerë… “Ai është krenaria jonë”, të thotë me dinjitet një qytetar, që, si për ndonjë koincidencë të jashtëzakonshme, mban në dorë librin “Migjeni në Pukë”. Ky qytet i vogël, ku ai ka kaluar disa kohë, e ka bërë “qytetar nderi” të saj.
Shtëpia dhe “sllavizmi” i tij
Shtëpia muze e Migjenit është ndërtuar në vitin 1961 në Shkodër, në vendin ku ka qenë banesa e lindjes e poetit. Dikur përmbante dorëshkrimet origjinale të Migjenit, mjetet e punës, sendet vetjake, botimet që lidheshin me të, përkthime dhe dorëshkrime…. Pas viteve ’90, shtëpia e tij është marrë nga pronarët. Më vonë kjo shtëpi u bë kuvend murgeshash. “Unë kam dëgjuar- thotë nënkryetari i Bashkisë, Fatlum Nure- se edhe malazezët e kanë dashur që ta etiketonin si poetin e tyre.” Nuk është ndonjë çudi, ndërsa sjell ndërmend fjalët e profesorit Arshi Pipa për shkrimtarin: “I lindur shqiptar në një familje me prejardhje sllave, pastaj i shkolluar në një mjedis kulturor sllav, ai përsëri pati kontakte me Shqipërinë dhe me gjuhën e kulturën shqipe si i rritur.
Gjuha që fliste në shtëpi ishte serbo-kroatisht, kurse në seminar mësoi rusisht. Ai nuk e dinte mirë shqipen. Shkrimet e tij janë plot gabime drejtshkrimi. Madje edhe mjaft elementare, kurse sintaksa e tij ishte larg sintaksës tipike të shqipes.” Kur mendoj kontributin e Migjenit për shqipen, atëherë dua t’i besoj fjalët e Robert Elsie për të: “Duke qenë edhe me prejardhje sllave, ai nuk u mbyll brenda kufijve nacionalistë, por do të bëhej një nga shkrimtarët e paktë shqiptarë, që do të lidhte dy anët e hendekut kulturor, i cili ndante dhe po i ndan shqiptarët dhe serbët”.
Morali, feja dhe Migjeni revolucionar
Zoti është për të një gjigant me grushta graniti, që dërrmon vullnetet e njerëzve. “Migjeni është i anatemuar nga Kisha, të thotë një shitës. Mbahet një diferencë me të, sepse ai ka qenë i njohur kundra fesë”. Kjo është një e vërtetë që të tremb në Shkodër. Të gjithë e thonë dhe askush nuk e pranon me zë. “Manastiret, të dobishme për edukimin e parë të qytetërimit modern, u bënë pengesë për rritjen e tij dhe të dëmshme për zhvillimin e tij”, e perifrazon vetë Migjeni një pjesë nga “Të mjerët” e Hygoit. Dy poezitë e tij, fillimisht të censuruara, “Parathënia e parathënieve” dhe “Blasfemi”, gjithmonë do të na mahnisin me guximin e tyre. E njeriu nuk e di: /A asht zoti pjella e tij/apo ai-vetë pjella e zotit,/por e shef se asht kot i kotit/me mendue mbi një idhull/që nuk u përgjigj./Dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri./ Ndërsa në “Blasfemi”: /Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarëve./O sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!…/
Për Migjenin, shqiptarët në përgjithësi kujtohen kur shfryjnë. ‘Mllefi’ i tij për pamundësinë, tashmë i futur në rrjeta të shumtë librash, del në momentin që njerëzit duan të këlthasin.”Kohë për Migjenin asht tani”, të thotë një bashkëqytetar i tij, ndërsa mbart një si mangall….apo kush e di se çfarë. Migjeni i përgjigjet vetë këtij realiteti:”Unë jam pa moral. Konceptimi im menduer -mos me thanë ideologjik-nuk pajtohet me moralin të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, n’sa mbrapa unë ia loz lojën kur të due. Kështu si unë ia lozin lojën shoqnis’ me qindra veta në vendin tonë…” Në fakt, Migjeni i takonte një kohe “kur ëndrrat çirreshin si këmishë e thurur me penj merimange dhe mbetej vetëm lakuriqësia e jetës banale”, thotë Plasari.
Ndoshta ishte kjo kohë, kur ai bëri një hop cilësor nga bashkëkohësit e tij. Migjeni pati kurajën, që të tregonte aq sa dinte për misterin moral. Ai nuk pati frikë që t’i shprehte instinktet e tij. Gjithsesi, kjo do të mjaftonte që bashkëvendasit t’i tregonin “mosmirënjohjen”. Këtë sot e has në indiferencën dhe përshtypjet rutinore të njerëzve në Shkodër. Në fakt, për Migjenin është shkruar shumë. Por vallë është shkruar për vlerën e vërtetë të veprës së tij? “Ai nuk është zbehur në epokën postmoderniste, sepse Migjeni e ka konceptuar historinë nëpërmjet paradokseve dhe, me sa duket, ligji i paradokseve është i përjetshëm”, thotë Moikom Zeqo.
“Në mjaft raste, thoshte në një shkrim të tij studuesi i njohur Aurel Plasari, kur për një dukuri flitet shumë, ndodh që ajo të mbulohet më tepër, se të zbulohet. Kam përshtypjen se kështu ka ndodhur edhe me diskutimet për vlerën emancipuese të veprës së Migjenit. Vepra e tij është me vite drite larg romantizmit kombëtar, mbizotërues për kaq shumë dekada në letërsinë shqipe.”
“Migjeni është lënë në heshtje. Ai është quajtur poet revolucionar. Kuptohet gjithmonë nga ata që nuk e kuptojnë.
Megjithëse ai nuk është poet socialist apo revolucionar, me gjithë revoltën dhe grushtet e shtrënguara, që na tregon ndonjëherë”, thotë Elsie. Sepse Migjeni nuk ishte as optimist, si edhe as nuk ishte i angazhuar.
Bashkë me largimin, pak orë më vonë nga Shkodra, më kujtohet fatkeqi i Sidran: “Nënë, ja pse dua të këndoj një këngë, një këngë me këtë zë, që nuk e kam më. Dua të këndoj për ata që nuk më dëgjojnë. Dua të këndoj për…”
— marrë nga Reportazh, dhjetor 2001