Problemet, motivet dhe veçoritë artistike

0
17242

[ Migjeni – hyrje ]

Migjeni (1911-1938)

Migjeni (1911-1938) hspace= Migjeni lindi më 23 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël, ku shumë shpejt vështirësive ekonomike iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare. Kur ishte pesë vjeç, i vdiq nëna, kurse në moshën trembëdhjetëvjeç humbi të atin, e më pas vëllanë e gjyshen me të cilën ai ishte lidhur fort pas vdekjes së nënës. Këto fatkeqësi e bënë Migjenin, që vetiu ishte një natyrë e mbyllur, të tërhiqej nga jeta e moshatarëve të tij. Pasi mbaroi shkollën fillore në Shkodër, ai shkoi për të vazhduar mësimet në Tivar dhe më pas përfundoi seminarin teologjik të Manastirit.

Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën. Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.

Për një të ri me interesa të gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse. Nga leximet Migjeni ra në kontakt me ide revolucionare të kohës që zienin në gjithë Evropën.

Në vitin 1932 Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe nuk mundi të sigurojë një bursë për të vazhduar studimet e larta, mbeti pa punë deri sa më 1933 u emërua mësues në Vrakë, një fshat afër Shkodrës. Rruga Vrakë-Shkodër, që ai bëntë përditë me biçikletë, ia keqësoi gjendjen shëndetsore. Gjatë kohës që qëndroi në seminar, Migjeni sëmurej shpesh dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm të mjekut, ngaqë mushkëritë e tij ishin të dobëta dhe rezikoheshin të prekeshin nga turbekulozi, sëmundja tipike e kohës, nga e cila i vdiq edhe nëna.

Ndërkohë, ai kishte filluar të botonte shkrimet e tij në revisten “Illyria”. Në to ndihen përshtypjet e para, reagimi shpirtëror i Migjenit ndaj realitetit të zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte zhytur edhe fshati, edhe qyteti shqiptar.

Problemet, motivet dhe veçoritë artistike të poezisë së Migjenit

Poezia e Migjenit, një poezi novatore, u bë shprehëse e fuqishme e pakënaqësisë ndaj realitetit, e urrejtjes ndaj dhunës dhe shfrytëzimit, ndaj mashtrimit politik, shoqëror dhe hipokrizisë. Duke shpërthyer drejtpërdrejt nga jeta e gjallë ajo pasqyroi botën shqiptare në vitet ’30 me protestat, dhembjet, ëndërrat dhe shpresat për të ardhmen.

Vëllimin e tij “Vargjet e lira” (1936) Migjeni e hapte me vjershën “Parathënia e parathënieve” ku shpërthente gëzimi i tij se shekulli ka nisur të çlirohet prej skllavërisë shpirtërore. Lajtmotivi i kësaj vjershe e cila është një sintezë e mendimit revolucionar të Migjenit, është vargu: “Përditë prendojnë Zotat”, Njeriu po hipën në majën e fronit, po bëhet zot i jetës, i tokës së tij, i vetvetes dhe nuk do t’u përulet më “idhujve”.

Pas kësaj vjershat e veta Migjeni i ka ndarë në gjashtë cikle: “Kangët e ringjalljes”, “Kangët e mjerimit”, “Kangët e perëndimit”, “Kangët më vete”, “Kangët e rinisë” dhe “Kangët e fundit”.

Në ciklin e parë bëjnë pjesë pesë nga vjershat më të mira të Migjenit. Filli që i bashkon këto vepra, është gëzimi për lindjen e “Njeriut të Ri”, prej atyre të varfërve të rritur në mjerim, të cilët janë ngritur në luftëra të reja, që të mos humbin më në lojën e përgjaktë të historisë, të mos jenë më skllevër të titajve të tërbuar, por zot të vetes e të një bote të re, ku njeriu të jetë i lirë dhe askush të mos e shkelë personalitetin e tij. Këto luftëra nuk janë grabitqare e as për të siguruar privilegje të reja, si ato të hershmet, por janë luftëra të reja, siç i quan poeti kryengritës.

Në këtë cikël kemi edhe protestën ndaj gjendjes së rëndë të shoqërisë shqiptare, ndaj gjithë forcave konservatore, që e mbajnë në vend atë, dhe shpërthimin e entuziazmit për lindjen e “Njeriut”, i cili do ta drejtojë kombin drejt një agimi të ri. Në këtë cikël jeton edhe ideja se vetëm në liri mund të shpërthejnë energjitë dhe aftësitë njerëzore. Në gjithë ndryshimet, përmbysjen e botës së vjetër dhe krijimin e botës së re, poeti njeh si protagoniste rininë. Ajo është më e pastra, më e bukura pjesë e shoqërisë, ku ai var shpresat, besimin për fitoret e ardhme, për triumfin e idealit për një jetë të re:

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate, që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand, të shpërthejë me vrull.
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
(Kanga e rinisë)

poeti është i bindur se asgjë s’mund ta pengojë më lulëzimin e lirisë, ku do të shpërthejë hovshëm gjithë ato këngë, që ende i flenë në shpirt. Kjo është intuita e poetit, i cili ka aftësinë ta ndjejë i pari rrezen e ngrohtë të Diellit të jetës së re:

Por a do të vijë dita kangët me u zgjue
Apo ndoshta shekujt me ne prapë po tallen
Jo, Jo! Se liria filloi me lulzue
Dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.

Për identifikimin e figurës Diell ka pasur disa përpjekje për ta zbërthyer e konkretizuar. Por ato vetëm se e kanë vulgarizuar perceptimin poetik të poetit. Mjafton të mbetemi në simbolikën e tij dhe ajo thtë gjithçka. Ai ia ndien rezatimin botës së re, shoqërisë së re, e cila do të jetë e ngrohtë dhe e ndritshme si dielli dhe si ai do të mund të gjallërojë, të zgjojë të rilindë gjithçka që qëndon ende e ndrojtur, e përgjumur në errësirë. Thirrja që Migjeni i drejtonte Rinisë, në këtë vjershë ishte kuptimplotë, optimiste dhe tepër e ngrohtë, intime dhe romantike:

Thueja, kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu Rini! Qeshu! Bota asht’e jote!

Cikli i dytë i “Vargjeve të lira” nis me “Poemën e mjerimit”, kryevepër poetike e Migjenit dhe një prej krijimeve më të bukur të poezisë shqiptare. Poema ka një konceptim e trajtim origjinal. Në fillim poeti sjell figurën e mjerimit të konkretizuar nëpër dhjetëra motive jetësore. Dhe së bashku me fytyrën tragjike të mjerimit në jetën shqiptare, vjen edhe dhembja, dhembja e poetit dhe dhembja që mbyt çdo shoqëri të ngritur mbi dhunën. Kjo dhembje e thellë përfundon në protestën ndaj rendit shoqëror që e krijon mjerimin, dhe në ironi dhe sarkazëm ndaj fesë, e cila s’arrit ta ndryshojë këtë pamje tragjike, megjithë lutjet e mëshirat mijëvjeçare. Pas kësaj poeti konkludon:

Mjerimi s’do mëshirë, por don vetëm të drejtë!

I gjithë cikli pavarësisht nga dhembja e thellë dhe pamja tragjike që krijohet ka tone optimiste, sepse nuk kemi të bëjmë me një dhembje mbytëse, por me dhembje krenare, të cilat sipas poetit, koha do të dijë t’i qetësojë.

Në këtë cikël poeti na jep për herë të parë me shumë art figurën e punëtorit që shfrytëzohet kafshërisht ose endet i papunë, duke thelluar kështu pamjen tragjike të mjerimit.

Gjithashtu në këtë cikël ai trajton edhe temën antifetare ku demaskon institucionet fetare, si bashkëfajtore të asaj shoqërie që pjell mjerimin. Në ciklin e tretë “Kangët e prendimit”, Migjeni, sjell pamjen e Evropës kapitaliste para Luftës së Dytë Botërore, ku plagët e tmerrshme shoqërore dhe krizën ekonomike përpiqen t’i mbulojnë me pseudoart, me vepra e filma sentimentalë që e vishnin me ngjyra artificiale lumturie dramën shoqërore e politike. Po përtej kësaj cipe të neveritshme poeti sheh botën e rëndë të shtëllungave të tymit e të avujve, të djersës e gjakut. Në të dy vjershat e këtij cikli poeti sjell imazhin e një bote sonambul që po rrëshqet drejt greminës së shkatërrimit, drejt luftës. Kjo botë e zhytur në mjergull ende s’po e kupton se po i pregatisin një tragjedi të re. Për t’u orientuar në këtë botë të dehur, poeti kthehet nga bota punëtore e uzinave me thirrjen poetike:

Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung
Avull, në pika djerse,

Si vazhdim i këtij mendimi poetik, autori duke dashur që vëllimi i tij të ketë një kompozicion kuptimplotë, vendos vjershën “Kangë më vete” ku ai sjell më konkret imazhin e luftës së ardhme me shkaktarin e vërtetë të saj, fashizmin, që po hyn si hajn edhe në Ballkan.

Menjëherë pas kësaj vjen cikli “Kangët e Rinisë”, që së bashku me ciklin “Kangët e fundit” janë më intime, më shprehës të shpirtit të poetit, të vuajtjeve, dëshirave, pasioneve të tij.

Te “Kangët e rinisë” bën pjesë vjersha “Ekstazë pranverore”, që së bashku me këngët e ringjalljes dhe “Sonet Pranveror”, janë krijimet më pasionante, më optimiste e më me ndjenjë të poezisë migjeniane. Aty ndihet thellë himni i triunfit të një bote të re, që do të jetë gjallëruese si një pranverë. A do të arrijë poeti t’a shijojë këtë pranverë? Parandjenja e një vdekjeje që po i afrohet, i jep dhembje poetit që, ndoshta, s’ka për ta parë këtë botë të re. Por gëzimi i triumfit të saj është kaq i madh sa dhembja vjen në përmasa reale e jo në trajtën e pesimizmit.

Te këto dy cikle jeton edhe dashuria e poetit, e cila sjell imazhin e bukur të një dashurie rinore, ku është shkrirë pasioni për vajzën, dëshira për të shijuar gjithçka të bukur, si dhe dashuria për krijimin e jetën në përgjithësi.

Në tetë vjershat e fundit, që i janë shtuar vëllimit më vonë ndihet edhe trishtimi, dhembja dhe pesimizmi i poetit, që e sheh se si po i fiket pak nga pak jeta. Por ato nuk e rëndojnë gjendjen shpirtërore të lexuesit, sepse janë të natyrshme dhe njerëzore.

Në disa vjersha “Rezignata”, “Trajtat e mbinjeriut” etj. Migjeni trajton motive filozofike rreth kuptimit të ekzistencës së njeriut, të jetës, të vetëflijimit për të ardhmen e shoqërisë, të botës etj. Trajtimi i këtyre ideve është pak i mjegulluar, sidomos kur poeti sjell edhe mbinjeriun, që mendohet se është nocion që ka evoluar, në krahasim me kuptimin që i pati dhënë krijuesi i tij Niçja. Mbinjeriu i Migjenit, nuk është përbuzësi i vegjëlisë. Ai është një figurë, që merr përsipër të udhëheqë masat drejt një bote të re, ku të ketë kuptimin e vërtetë edhe sakrifikimi edhe ekzistenca, edhe dashuria, pra, të marrë një kuptim të ri jeta. Mendimi në këto vjersha vjen i turbullt dhe lë shteg për t’u interpretuar në mënyra të ndryshme, por ato kanë diçka të përbashkët, optimizmin, dashurinë për njeriun, dashurinë për të renë, për të bukurën.

REALITETI SHQIPTAR NË PROZËN E MIGJENIT

Problematika, që trajtoi Migjeni në tregimet e në skicat, ishte ajo që trajtohej në publiçistikën dhe në prozën përparimtare të kohës. Ndryshimi qëndron në zbërthimet e thella dhe përgjithësimet e mëdha të Migjenit, në krijimet me një nivel shumë të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i realizmit kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet “A don qymyr zotni?”, “Studenti në shtëpi”, “Të çelën arkapijat”, “Historia e njenës nga ato”, “Qershijat”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar në problemet më thelbësore dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah poezisë së tij më të mirë. Migjeni është krijuesi i vetëm i letërsisë sonë të së kaluarës që u shfaq me të njëjtën forcë artistike si në poezi ashtu edhe në prozën e shkurtër.

Me tregimin e tij në letërsinë shqiptare motivohet për herë të parë plotësisht në art problemi i shkatërrimit të personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie despotike. Në tregimet e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve të shumta të jetës së shtresave të varfëra. Me dhembje e revoltë ai tregon se si dinjiteti legjendar i malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në vështirësinë për t’i siguruar fëmijës një copë bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.

Në krijimtarinë e tij Migjeni shprehu bindjen se përderisa të mos përmbyseshin idhujt e jetës së vjetër, gjithçka, në jetën e qytetit dhe të fshatit do të mbetej në gjendjen ekzistuese, në mjerim dhe varfëri. Në prozën e tij mjerimi, uria, konservatorizmi, patriarkalizmi, degjenerimi, kanë një burim: shtypjen dhe shfrytëzimin, që mbrohen me ligj nga rendi në fuqi. Ky qëndrim ndaj realitetit, i cili ishte një kundërvënie edhe ndaj krijimeve të autorëve konservatorë, jepet nëpërmjet një konflikti të fuqishëm, dramatik. Në këtë prozë kemi një ekuilibrim ndërmjet shpërthimit lirik të emocioneve dhe veprimit dramatik e përdorimit mjeshtëror të fjalës. Ai shkroi me dashuri e pikëllim për ata njerëz, që e shkonin jetën në kthetrat e mjerimit, kurse për shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje ai derdhi urrejtjen dhe përbuzjen. Migjeni e trajtoi vesin në prozën e tij si dukuri të një jete që brehej nga kontradiktat e thella dhe jo mbi bazën e instiktit, ndaj ai arriti të sjellë në letërsinë tonë përgjithësime të rëndësishme ideoartistike.

Personazhi i prozës së Migjenit është punëtori i papunë, malësori që i ka harruar hynitë e tij dhe i përgjërohet kokrrës së misrit, nëna që mallëkon pjellën e vet e që detyrohet të shesë vetvehten, e reja dhe i riu të cilëve jeta patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat, shpresat dhe ëndrrat rinore. Në tregimin e tij Migjeni trajtoi problemet më të rëndësishme të kohës dhe u bë shprehës i kontradiktave të saj.

Personazhet e tij janë tipizme të plota të një shtrese të caktuar të shoqërisë së kohës. Ai nuk i përshkruan ato, por i krijon me anë të zbërthimeve të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve. Personazheve të tilla si malësorja (“A don qymyr zotni”), Nushi dhe Agla (“Studenti në shtëpi”), ose Bakalli (“Të çelen arkapijet”) e Kola (“Bukën tonë të përditshme falna sot”), janë dhënë me forcë të rrallë artistike.

Pjesën më të madhe të krijimtarisë në prozë të Migjenit e zënë skica dhe fejtoni. Në këto krijime të rëndësishme realiteti është pasqyruar me shumë larmi dhe mjeshtëri artistike. Në prozën satirike të tij Migjeni herë kalon në trajtim konkret të problemit të mjerimit, papunësisë, të mohimit të mëshirës kristiane e artit për art. ( Një refren i qytetit tim, Mollë e ndalueme, Në kishë, Luli i vocërr, Zoti të dhashtë, Programi i një reviste, Legjenda e misrit, Bukuria që vret, etj.), herë në trajtim të përgjithshëm në formën e një eseje filozofike të problemeve të dinjitetit të njeriut, të së ardhmes së vendit, të ushtrimit të dhunës për të mposhtur personalitetin e njeriut të thjeshtë etj, (Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun, Ne me Krishtin, Përrallë abisine, Gjysëm ose italian, mësim gjeografie etj.

Në veprën e tij jeta paraqitet lakuriq, me gjithë shëmtimin e saj dhe ai gjithnjë depërton me art në kuptimin e kësaj të vërtete. Në skicat migjeniane ka një galeri të tërë portretesh. Shumë autorë të brezit të tij e trajtuan me mjeshtëri skicën dhe prozën satirike, por tek asnjë ajo nuk është aq unike dhe origjinale, e thellë e artistike sa te Migjeni. Në prozën e tij Migjeni e mohon realitetin e kohës, gjithçka të keqe, pa mohuar mundësinë e përmirësimit të saj. Ai mohon shfrytëzimin, luftën imperialiste, konceptin patriarkal, vesin, shfrytëzimin e njeriut, po jo njeriun, mohon deri në fund anët e shëmtuara të jetës, por jo jetën.

Mohimi i tij nuk ushqen pesimizmin, cinizmin, depresionin, prandaj krijimtaria e tij mbetet gjithmonë e re. Tregimi i tij karakterizohet nga sinteza e mendimit, shqetësimi qytetar dhe psikologjia e thellë e personazheve. Kurse te skicat ku ka pasuri motivesh, Migjeni e shtjellon idenë me anë të të një monologu dramatik të fuqishëm, i cili nis gjithnjë me ironi dhe përfundon me sarkazëm dhe revoltë. Ky monolog u përdor edhe nga autorë të tjerë të viteve ’30, sidomos Nonda Bulka, po te Migjeni ai është më i natyrshëm e më i thellë.

Në krijimtarinë e Migjenit kufijtë midis skicës e tregimit shpesh humbasin. Forma origjinale e mendimit të tij, ironia e sarkazma therëse e sidomos monologu dramatik, bëhen te skicat shprehëse të konflikteve të rëndësishme shoqërore e politike të kohës. Prandaj mjaft nga skicat, ku ka edhe portrete të realizuara, është vështirë t’i dallosh nga tregimi.

Duke krahasuar tregimet e Kutelit, Koliqit, me ato të Migjenit, shohim se i pari ka njëfarë adhurimi mistik për të kaluarën, shpreh pakënaqësinë për realitetin ekzistues dhe beson se e ardhmja do të sjellë diçka të mirë, i dyti nuk i kundërvihet realitetit, por përpiqet ta riparojë atë dhe të harmonizohet aty, kurse Migjeni e mohon të kaluarën dhe të tashmen në emër të së ardhmes, të cilën kërkon t’ia rrëmbejë me forcë kohës.

Tregimi i Migjenit është satira e mprehtë e një poeti, që shpërthen me një protestë nga më të fuqishmet e letërsisë sonë të traditës. Ndaj, ndërsa Kuteli është një prozator i shquar, i talentuar i thellë, e Koliqi një prozator i kulturuar, Migjeni është novator. Ai vështroi thellë në shoqërinë e kohës dhe pasqyroi atë, duke e gjykuar dhe dënuar rreptë, në emër të një të ardhmeje më të bukur, pavarësisht se ajo na shfaqet e turbullt e simbolike. Migjeni në prozë na shfaqet si shkrimtar i formuar i realizmit kritik. Me krijimet e Migjenit, për herë të parë në prozë shohim thelbin tragjik të botës shqiptare dhe tregimi shqiptar arriti nivelin ideoartistik dhe shumllojshmërinë problematike të poezisë sonë. Tregimi i tij, bashkë me atë të Kutelit, shënojnë një periudhë pjekurie të letërsisë sonë, sepse individi filloi të vështrohej gjithnjë e më gjerë në një raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqërore.

VEÇORITË E KRIJIMTARISË ARTISTIKE

Pikëpamjet e reja politike e shoqërore, konceptet e përpunuara mbi natyrën e shoqërisë, mbi njeriun dhe artin, krahas artit të tij të ri revolucionar, e bëjnë Migjenin figurën më të madhe të brezit të ri të viteve ’30 dhe një nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë. Me krijimtarinë e tij novatore letërsia jonë kaloi përfundimisht nga romantizmi ne realizmin kritik. Migjeni si në poezi edhe në prozë pasqyroi me realizëm të thellë shoqërinë shqiptare të kohës, jetën e shtresave më të vogla të qytetit dhe fshatit, iu kundërvu deri në mohim rendit në fuqi, akuzoi fashizmin, stigmatizoi klerin, artin zyrtar dhe arriti të japë një tablo realiste të viteve ’30.

Në krijimtarinë e tij, për herë të parë përftohen figura dhe portrete të plota e shumë të fuqishme të malësorit e punëtorit, të gruas shqiptare e cila ishte viktimë e një shfrytëzimi të dyfishtë.

Revolta e hapur, vuajtjet e thella, dhe optimizmi janë tipare karaktristike të poezisë së tij, e cila shquhet për konceptimin dhe sistemin origjinal të figuracionit. Kurse në prozë ai u shfaq si mjeshtër i portretizmit dhe i dhënies së psikologjisë së tipave të ndryshëm, që përfaqësojnë shtresa e klasa të ndryshme. Si në poezi dhe në prozë, ai solli një satirë shoqërore e politike të fuqishme. Në poezi ai trajtoi vjershën dhe poemën pa subjekt me varg të lirë, që shquhet për mendimin sintezë dhe sistemin figurativ, ku dallohet antiteza, simboli dhe alegoria. Në prozë ai lëvroi tregimin psikologjik, skicën, prozën satirike, që shquhet për tipat, portretet, dialogun, monologun, ritmin e veprimit, mendimin energjik dhe gjuhën e gjallë.

përgatitur nga: Denis Zavalani

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.