Lidhur me letërsinë shqiptare

0
6819

Autorët shqiptarë shkruajnë për të marrë çmime “jashtë shtetit”

Ardian Klosi — Intervistë me Ardian Klosin, Revista kulturore ARS

Adrian Klosi u lind në vitin 1957. U diplomua në fakultetin e Gjuhë – Letërsisë në 1981. Ka marrë doktoratën në vitin 1990. Nga viti 1993 – 1998 ka qëndruar në Gjermani.

Ka botuar disa libra si në shqip, ashtu edhe në gjermanisht.

Në shqip: 1991: “Refleksione” (me Edi Ramën), 1991: “Shqipëria zgjim i dhunshëm”, 1993: “Quo vadis Shqipëri”, 1997: “Shqipëria ç’mund të jetë” dhe në gjermanisht: 1993: “Mbijetesë shqiptare” (fotot Jutta Benzenberg), 1997: “Fjalor gjemranisht – shqip” (me W. Fiedler), si dhe mjaft tregime, ese, artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj.

– Ju njiheni si një nga studiuesit dhe kritikët e letërsisë shqipe. Ç’mendim keni për letërsinë shqiptare të shekullit të XX?

Për të bërë një saktësim, asnjëherë nuk e kam quajtur veten kritik për dy arsye. Së pari fjala kritik më ngjall shumë alergji, aversione sepse dimë se çfarë ngarkese negative mori kritiku mbas 1945 dhe pergjithësisht kritikë letrar në Shqipëri u bënë njerëzit pa talent, ata që kishin dëshirë të bënin ndonjë tregim dështuan dhe kështu u morën me kritikë dhe filluan t’u bien më qafë shkrimtarëve të mirë dhe filluan të ngrenë shkrimtarët mediokër. Kurse arsyeja e dytë është se unë nuk e ndaj dot kufirin. Unë shkruaj ese, satire, tregime por dhe kritika në kuptimin e analizave dhe nuk e di se ku është kufiri. Ajo që më jep më shumë kënaqësi natyrisht është krijimi.

Nga ana tjetër jam filolog, gjuhëtar mendoj jo i keq. Kam disa punime, kam dhënë mësim një periudhë të gjatë në Universitetin e Mynihut në katedrën e Albanalogjisë edhe aktualisht kam një punim të madh për gjuhën e arbëreshëve të Greqisë. Më konkretisht për pyetjen mendoj natyrisht që letërsia më e mirë shqiptare është në shekullin e XX dhe kjo është e padiskutueshme. Në shek e XX kemi poetë si Fishtën, Poradecin, Migjenin, Camajn, Mjedën pra majat e poezisë, jo vetëm shqiptare, por edhe europiane. Në shek e XX kemi prozatorë si Kuteli deri diku Koliqi, Kadare dhe shumë të tjerë. Në shek e XX kemi kulmet e shqipërimeve Fan Noli, Sotir Caci, Vedat Kokona, Petro Zhej, pra kemi një fluks induktus të fjalës shqipe që ishte e panjohur në shekullin e mëparshëm.

– Kë do të konsideroni si arritje më të madhe të letërsisë shqipe?

Sot nuk duhet të nxjerrësh më të madhen se duhet parë në këndvështrime të ndryshme. Do të thoja që arritjet më të mëdha në poezi i kemi me Lasgush Poradecin, Migjenin dhe nqse. flasim për poezinë moderne të kohës moderne është Martin Camaj. Pastaj Martin Camaj ka meritën e madhe që nuk e la të vdesë traditën e shquar të gegërishtes si gjuhë poetike. Nëse e shohim nga këndvështrimi i romanit me struktura të ndërlikuara me shumë mesazhe të fshehura atëhere do të veçonim disa romane të Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”.”Pashallëqet e mëdha”. Nëse do të kërkonin forcën e fjalës shqipe pasurinë të derdhur qoftë në ese a në satirë do të kërkonim Konicën dhe Nolin.

– A mendoni se e ka penguar censura letërsinë shqiptare dhe shkrimtarët?

Natyrisht që e ka penguar censura dhe autocensura, por nuk duhet të bëhen për këtë fajtor shkrimtarët. Në radhë të parë për këtë fajtor është një sistem, një regjim i caktuar që iu vu popullit shqiptar mbi krye. Kjo bëri që shumë shpejt të merren masa drastike dragoniane kundër shkrimtarëve të talentuar si Vincens Prennushi, Arshi Pipa, Mitrush Kuteli më vonë Kasem Trebeshina etj. Kjo bëri që vetvetiu në bazë të censurës të lindë autocensura. Kjo vazhdoi edhe mbasi ra diktatura sepse ishin krijuar në kokat e shkrimtarëve skena të tilla.

Për mua vazhdim i censurës është edhe fakti kur bën një roman tepër erotik ose pornografik, vetëm nga fakti që para ’90 kjo nuk është lejuar ose kur bën një satirë mediokre kundër Enver Hoxhës vetëm nga fakti se atëhere dënoheshe, pra dhe këto i shoh si pasojë të censurës dhe autocensurës.

– Pas viteve ’90 a ka shkrimtarë që e vazhdojnë traditën apo distancohen më shumë nga ajo?

Për mua kjo është një krizë e thellë që nuk është vetëm shqiptare por do ta quaja një krizë botërore e vlerave shpirtërore në kohën kur nevojat kulturore ose kur kohën e lirë të njeriut e mbulon televizioni, kultura e sipërfaqshme, e shpejtë që është me shumë vizuale dhe tek ne nuk ka patur traditë të gjatë lulëzimi. Ishte një traditë e shkurtër më shumë e lulëzuar nga mungesa e kënaqësive të tjera vizive. Pra ishte një fenomen i përkohshëm etja, dëshira e madhe për të lexuar tek ne, që lidhet me suksesin e jashtëzakonshëm të Kadaresë e të një radhe shqipërimesh.

Ndërsa në perëndim shihej ndryshe kjo çështje. Aty ka sisteme të tjera vlerash edhe nëse televizioni është mediumi më popullor i kohës prapë letërsia ka strukturat e veta, ka juritë që japin çmime të përvitshme, ka subvencione shtetërore apo private, madje letërsia ka vendin e vet, madje edhe në mediat vizive. Kurse tek ne kjo gjë nuk ndodh. Po të shikosh të gjitha stacionet kryesore televizive nuk ka asnjë dritare ku të bëhen debate mbi letërsinë. Kështu ndoshta ka vepra të mira letrare por nuk i shohim ato kjo është dhe reciproke duke parë shkrimtarët që nuk ka një jehonë, një vlerësim të madh në publik dhe ata stepen të shkruajnë, ose bëjnë gjëra të shpejta komerciale, shkruajnë shpesh gjëra që mund të pëlqehen jashtë shtetit ku mund të marrin ndonjë çmim a ndonjë vlerësim.

– A ndjehet nevoja e një brezi të ri në kritikë, pra me parime të tjera duke e parë në këndvështrime të tjera?

Kjo është e natyrshme mungojnë zërat më me autoritet e jemi që në organe të caktuara qofshin këto radiotelevizive apo gazeta të mëdha të kishin, këndin autoritetin e tyre të jepnin vlerësimin e tyre. Mirëpo ne për fat të keq vemë re disa njerëz që bëjnë recesione librash i bëjnë për inerci kështu që nuk e dallon dot grurin nga kashta nuk i kupton vlerat e forta që krijohen në këtë vend. Unë do të jap vetëm një shembull të kritikut të famshëm gjerman Marcel Paiz Rainit i cili mund të jetë afër 80 vjeç dhe ka qenë gjithmonë shtylla qëndrore për vlerësimin e botimeve të prodhimtarisë letrare në Gjermani. Edhe sot ai ka në një stacion televiziv këndin e tij ose prononcohet vetëm ose në një kuartet që quhet kuarteti letrar. Aty merr 3 – 4 botime të spikatura të muajit dhe recensiohen në një mënyrë shumë tërheqëse, shumë intriguese. Tek ne një institucion i tillë nuk ekziston dhe kjo është për të ardhur me të vërtetë keq.

– A mendoni se letërsia duhet të pasqyrojë gjuhën megjithëse ajo është standarte. A duhet të paraprijë gjuha letërsinë?

Patjetër, mendoj se këtu bëhet gabim ose ekziston keqkuptimi i madh sikur gjuha i prin letërsisë sikur gjuhtarët me vendimet e tyre përcaktojnë letërsinë gjë që nuk është aspak e vërtetë. Ndodhi në një rast ku ne morën një vendim qeveritar që do të bëjmë toskërishten gjuhë letrare. U mblodhën komisionet e gjuhëtarëve dhe për normat e kësaj toskërishte te re që atëhere u quajt për demagogji “gjuhë e njësuar”. Sot kanë hequr dorë gjuhtarët nga ky vendim quhet gjuhë standarte. Kjo është vendosur se cdo shtet modern ka nevojë për gjuhën e vet standarte. Mirëpo çështja është që gegërishtja kishte një traditë kaq të gjatë dhe ish një pjesë kaq e madhe e popullsisë shqiptare që flet në dialektin dhe nëndialektet e gegërishtes saqë vendimi i 72 nuk mjafton dhe nuk e ka vënë ekzekutimin final për këtë traditë të gjatë.

Veç unë mendoj sikundër për Martin Camaj në mërgim që shkroi shumë e shumë libra me poezi e në prozë me gegërishten e traditës. Po kështu duhet të veprojnë edhe shkrimtarë të tjerë qoftë nga veriu i Shqipërisë apo nga Kosova, nqse kanë dëshirë të ruhet kjo pasuri. Ky tingëllim i vecantë. Dhe ata duhet të bëjnë një gjë tjetër, duhet të harmonizohen me njëri tjetrin të gjejnë mirëkuptim dhe të vendosin disa rregulla. Një kodim të thjeshtë sesi t’i shkruajnë fjalët. E kam fjalën se nqse do të vazhdojë të kultivohet ky variant pra i shqipes, që nuk ka asgjë të keqe, madje unë ngulmoj që të mësohet dhe me tekstet e shkollave fillore, se ndryshe fëmijët nuk kuptojnë as Fishtën, as Mjedën, as Migjenin as gjithë autorët e tjerë. Nëse bëhen këto dy hapa unë nuk shoh asgjë të keqe në ekzistencën e një varianti letrar të veçantë brenda tërësisë së gjuhës shqipe.

– Cili është mendimi juaj për letërsinë mbarë shqiptare në vise të ndryshme ku ka shqiptarë?

Unë nuk mund të bëj një ndarje se me pak se të gjithë fenomenet e tjera të shoqërisë është letërsia ajo që bën ndarjen midis letësisë në shqip, letërsisë në Kosovë, letërsisë në Maqedoni, letërsisë në diasporë sidomos sot në mjetet moderne elektronike as që bëhet një dallim, këta kufij kanë rënë. Mund të them vetëm këtë gjë që shqiptarët e jugut e kanë më të lehtë ta shkruajnë gjuhën standarte sepse është më afër gjuhës së tyre natyrale, të familjes. Tek shkrimtarët e Kosovës vë re një farë ngërci, sepse detyrohen të shkruajnë në një dialet që është i largët nga e folura e tyre familjare, amtare. Eshtë një minues, një antikop që nuk mund të kalohet kaq shpejt. Kjo do njëfarë kohe dhe kjo vlen sidomos për poezinë që mbështetet më shumë se proza mbi tingëllimin, mbi muzikalitetin. Por kjo gjë vlen edhe për arbëreshët megjithëse ata shkruajnë shumë më pak por ata kanë një traditë të madhe e cila dalngadalë është tretur për mos të thënë është shuar fare, edhe pse tani kanë futur gjuhën e njësuar që sic dihet e bashkëvendosim në 72.

– A ka një mision kombëtar letërsia?

Nëse do të quajmë mision nevojën për të shkruar është gjë tjetër. Për mua është e thjeshtë njeriu ose ka nevojë të shkruajë ose nuk ka nevojë të shkruajë, nqse ndjen nevojën dëshirën e madhe për të shkruar ashtu sic ndjen muzikanti nevojën e madhe për ti rënë një instrumenti apo për të kompozuar, atëhere ai i ka të gjitha gjasat për të bërë letërsi të mirë.

Nqse ka bërë ndërmend të edukoje popullsinë të japë mesazhe të mëdha ka për të dështuar. Për mua të shkruarit është një proces, një nevojë e brendshme, është nevojë për të nxjerrë për të krijuar me fjalën e bukur sikundër skulptori me anë të baltës a të drurit. Natyrisht është shumë bukur kur komunikon, kur ke publikun e vet, kjo e nxit të shkruajë gjëra edhe më të mira. Kjo është e gjitha nevoja e brendshme dhe mundësia që ke për të komunikuar me lexuesin.

– Si e shikoni perspektivën e kësaj letërsie?

Për mendimin tim në këtë krizë që ndodhet letërsia shqipe sot, dy rrugëdalje mund të ketë. Ose njerëzit do të kthehen tek tradita e të lexuarit do të krijohen dalëngadalë ato institucione vlerësuese ose orientuese publikimi që dhe këta njerëz, ashtu si në vendet e tjera të Evropës të lexojnë të mos merren kaq shumë me llafe, me gazeta, me lajme të sipërfaqshme. Kjo është njëra rrugë. Kurse rruga tjetër, është që shkrimtarët t’i përshtaten kohës së re që ka ardhur d.m.th. që krijimin e tyre ta ndërthurin dhe me mendime të tjera, pra të hyjnë më shumë në televizion, të krijojnë qoftë edhe gjëra të vogla në bashkëpunim me njerëz të filmit, dokumentarë të shkurtër, tregime të shkurtra që quhen telenovela ose filma të vërtetë, pra mund të hyjnë me mjetet vizive për të komunikuar më shumë me publikun, sepse kështu siç është koha sot ku gjithësekush nxjerr libra nga 200 nga 500 kopje dhe e quan se ka nxjerr libër, më mirë mos t’i nxjerrësh ato. E them këtë, sepse nuk shoh kurrfarë komunikimi apo ndikimi të letërsisë në jetën shoqërore shqiptare.

Intervistoi: Flori Slatina


“Letërsia Moderne Shqiptare”

Sabri Hamiti— studim nga Sabri Hamiti

Një konceptim i ri për letërsinë moderne shqiptare, realizuar nga studiuesi i njohur Sabri Hamiti, është hedhur në qarkullim këto ditë nga shtëpia botuese “Albas”. Konceptuar si një vepër që mund të shërbejë mjaft mirë për shkollat e mesme, “Letërsia moderne shqiptare”, sjell kolosët Gjergj Fishta, Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Fan Noli, Ali Asllani, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Migjeni, Sterjo Spase, Esad Mekuli, etj, në një këndvështrim krejt të ri, nga ç’jemi mësuar të na serviren gjithmonë në bangat e shkollës. Kësisoj Migjeni nuk shihet më si poeti i mjerimit. Ndonëse vepra e Migjenit ishte e ngritur mbi rebelim tematik e social, apo kundrejt formave mbizotëruese letrare të kohës, nuk mund të thuhet se ishte në nivelin e militantizmit ( siç janë munduar ta shpjegojnë disa kritikë).

Kjo vepër në të vërtetë është një shpërthim vullkanik, më tepër i brendshëm, personal, i poetit, që nuk njeh censurë apo autocensurë”- kështu shkruar në faqet kushtuar veprës së Migjenit, studiuesi Sabri Hamiti. Që në kopertinën e këtij teksti, shpallen konceptet krijuese të tij. Letërsia e gjysmës së parë të shekullit XX hartuar nga Sabri Hamiti, shpall fillimin e modernizmit në kulturën shqiptare. Këtë mendim e mbështet me autorë madhorë të sipërpërmendur, veprën e të cilëve e pa me syrin që i takon në të vërtetë. Sepse veprat e tyre i shmangën format tradicionale të letërsisë romantike të Rilindjes dhe e shpallën letërsinë si një akt të pastër krijimi estetik. Gjithë trajtimi teorik i librit bëhet mbi këtë koncept. Personazhi kryesor i kësaj letërsie në mënyrë figurative bëhet intelektuali perëndimor, që mund të jetë “Doktor Gjilpëra”, i Faik Konicës, apo “Doktor Prela”, i Ndoc Martinit, apo vetë Fishta, Konica, Noli, Migjeni, Koliqi, Kuteli, etj.

Si një tekst mjaft funksional për shkollat, mësohet se ky libër ka rënë tashmë në duart e gjimnazistëve dhe nga Ministria e arsimit është lënë e lirë alternativa e përdorimit të tij. Sepse ky rishikim estetik modern i letërsisë tonë kombëtare është konsideruar si hapja e një vizioni të ri për shkollën shqipe. Teksti reflekton në shkallën më të lartë, një dashuri të vërtetë të madhe për vlerat kombëtare, por e gjithë kjo nuk jepet me analiza moralizuese të thata letrare. Përkundrazi, autori futet në analiza strukturore bashkëkohore të trajtimit të letërsisë. Nëpërmjet shtresimeve letrare arrihet në shtresime psikologjike, analitike, sociologjike, morale, etike, kombëtare. Pjesët e zgjedhura për koment dhe mënyra e realizimit të tyre janë bërë në mënyrë të tillë që bien në sy që sa shfleton fletët e para të këtij botimi. Të tilla janë si “Lahuta e Malsisë”, “Doktor Gjilpëra”, “Ay mal”, “Hymni i flamurit”, “Vdekja e nositit”, “Kërcimtarja e Dukagjinit”, “Nën flamujt e melankolisë”, etj.

Eshtë realizuar edhe një gërshetim mes pjesëve të zgjedhura për koment, dhe ilustrimeve. Nëpërmjet shoqërimit me fotografi nga piktorë dhe skulptorë të kohës si Vangjush Mio, Kol Idromeno, Simon Rrota, Kel Kodheli, Andrea Kushi, etj, arrin të jepet një vizion dhe shkallë më e gjerë njohurish.

Ky harmonizim i këtyre veprave në pikturë ose skulpturë me fragmentet e dhëna për koment, shkëputur nga veprat e plota të shkrimtarëve dhe poetëve të këtij brezi, bie mjaft në sy. Vihet re kjo sidomos tek “Lypësi” i Odhise Paskalit me “Legjenda e Misrit” të Migjenit, apo “Doktor Petrela” i Ndoc Martinit me “Doktor Gjilpërën” e Konicës apo “Portret vajze” i Andrea Kushit, me “Rinë Katerinëzën” e Mitrush Kutelit. “Letërsia moderne shqiptare” është botim i shtëpisë botuese Albas Tiranë-Tetovë 2002 me botues Latif Ajrullai dhe Rita Petro (Filipi), Ripunimi, struktura mësimore e këtij teksti dhe aparatet pedagogjike janë realizuar nga Rita Petro, kurse recensimi, nga prof. as.dr.Ymer Çiraku, pedagog Kastriot Gjika, dr.Zejnullah Rrahmani, dhe Nora Malaj.


Çapaliku dhe 9 autorë mesdhetarë, në një antologji

Stefan Çapalikut “Një udhëtim letrar në mesdhe” (Antologji me 10 novela, ku përfshihet romani i shkurtër i Stefan Çapalikut “Dikush në kalim“, botuar në Marsejë.

Një roman i shkurtër, botuar në Shqipëri në vitin ’96, i titulluar “Kronikë në lindje” dhe që kaloi pa asnjë jehonë, u zgjodh prej një grup kritikësh të huaj për ta përfshirë në një vëllim novelash moderne mesdhetare. I botuar në Marsejë, para pak kohësh, ky vëllim prej 10 novelash, ku përfshihej dhe romani i shkurtër i Stefan Çapalikut është promovuar para pak ditësh në Marsejë, ku janë mbledhur edhe vetë autorët e kësaj antologjie. Romani “Kronikë në lindje” i përkthyer në frëngjisht nga përkthyesi Edmond Tupja, është botuar me titull “Dikush në kalim”.

Eshtë një tekst surealist, ku që në krye të herës janë eliminuar koncepti i kohës dhe hapësirës. Personazhi kryesor është një i abortuar 5 muajsh, i cili hyn në një qytet për të parë nga afër, se qyteti i tij dhe njerëzit e këtij qyteti janë më të abortuar se ai vetë. Këta janë të abortuarit, intelektualë dhe moralë. Koha fizike kur zhvillohet ngjarja janë vetëm 5 muaj, nga aborti tek dita e lindjes. Në këtë moment ai zhduket, duke e refuzuar lindjen në këtë qytet. Struktura e rrëfimit i ngjan një romani të verdhë policesk dhe ka shumë aksion. Kjo bën që filozofia e librit të mos jetë qëllim në vetvete, por thjesht një reminishencë, apo thjesht sugjerim i rrëfimit letrar.

Si një projekt, ku synohet që të bëhen bashkë vendet e Mesdheut, që për rrethana gjeografike, historike e kulturore dhe për hir të një një fati të përbashkët kanë arritur të krijojnë një letërsi të vetën që quhet mesdhetare, botimi i këtij vëllimi me novela, ka bërë më të qartë këtë panoramë krijimi. Antologjia është botuar me titullin “Një udhëtim letrar në mesdhe”, dhe përfshin 10 novela bashkëkohore të prezantuara nga kritiku Fransua Renua. Autorët janë nga Kroacia, Turqia, Italia, Korsika, Sllovenia, Serbia, Shqipëria dhe Izraeli. Romani “Dikush në kalim” i Stefan Çapalikut, është teksti më i gjatë i antologjisë dhe i është kushtuar edhe vëmendja më e madhe. Po ashtu është pritur me interes edhe në disa lexime publike që janë bërë në Marsejë në vende të rëndësishme të qytetit si Qendra e Kulturës, teatri “Turski”, Libraria më e madhe e marsejës, “Arkenuvo”, etj.


Në vargjet e Pjetër Budit

“Poetika e Budit”

Behar Gjoka — studim nga Behar Gjoka

Një studim i hollësishëm për poetikën e Budit me titull “Poetika e Budit”, i realizuar nga studiuesi Behar Gjoka, ka dalë në qarkullim prej disa ditësh në libraritë e kryeqyteti. Eshtë ky studimi i parë i kësaj natyre për Budin. Poezi nga “Doktrina e Kërshtenë”, poezi e kaosit, “Paralajmërim i pasojave kaotike”, “Pasoja e mëkatit të parë”, Bashkëbisedim sipëror, “Përjetësia e mëkatimit”, “Vëllavrasja sipas biblës”, “Magjia shpëtimtare e njerëzve”, “Përlasja e mirësive dhe mbrapshtitë”, “Gjama e Shenjtës Mari”, “Dita e ringjalljes”, “Pasringjallja e madhe”, “Skena e ringjalljes”, “Ardhja e mesisë”, “Kryemëkatarët e rishfaqur”, “Vetëdija e shqipes”, “Poezia e hapësirës arbënore”, “Testamenti Poetik i Budit”, “Destini Autorial”, “Kushtim Virgjinës Mari”, “Kurora poetike budiane”, “Shtegtimi i gjashtëmbëdhjetërrokëshit”, “E vërteta e vrasjes së Budit”, “Prozë polemizuese”, “Letra e politikanit atdhetar”, “Pse Budi shkroi në gjuhën Shqipe”, “Budi në literaturën e huaja”…

Nëpër këto “ndalesa” apo ndarje funksionale, kalon i gjithë studimi i Behar Gjokës, i cili synon të nxjerrë të thena e të pathëna për Budin. E teksa e shfleton deri në fund këtë libër, vihet re se për poetikën e Budit, në fakt është thënë kaq pak. Eshtë një studim ku humbet, për momentin, del në një kryeudhë, e më tej sërish zhytesh, s’di se për ku, duke kërkuar rrënjë të tjera, të fshehta e magji pa fund. “Si për nga risia e temave dhe gjinive, ashtu për nga aftësia kompozicionale, gjithashtu për nga fuqishmëria e shprehjes, Pjetër Budit, kurrësesi nuk mund t’i mohohet cilësia jo vetëm e të parit lëvrues frymëgjatë, të poezisë letrare shqipe, por njëherazi edhe e të parit poet shqiptar, të pajisur me një ndjeshmëri fetare kombëtare të apasionuar”. Kështu shprehet Selman Riza, diku në faqet e para të këtij libri, për Pjetër Budin poet. I cilësuar në këtë studim si prijëtar i poezisë shqipe, studiuesi Gjoka, sjell fakte e hulumtime të reja, mbi veprën e Budit në vargje. Botuar nga shtëpia Botuese “Albas”, ky është një pjesë e vazhdës së botimeve të kësaj natyre nga kjo shtëpi botuese.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.