Lamtumirë i dashtuni ynë!
— nga Besnik Dizdari
Në nderim të Dr. Ferit Hotit
Detyrë të rëndë më paske caktue Ferit Hoti. Fatalisht, ndodhi ajo që më ke pasë thanë qyshkur, me nënqeshjen tënde të një ironie të pastër, që ishte pjesë e humanizmit tënd të rrallë: “Ti Besnik do të më flasësh te vorri”. Dhe, prap qeshe e ironizove edhe tri ditë më parë, ndonëse përjetoje ditët e fundit të jetës tënde, të shkurtër për ty e për ne, por të gjatë, shumë të gjatë për çka ke bërë.
Dhe vetëm deri këtu.
Tash do të shkosh te Deti, te Valbona e te Nexhati, te Nici, te Petriti. Mandej do të vijmë edhe ne aty. Të gjithë pa përjashtim. Ky është ligji i Zotit që do t’i nënshtrohemi pa bëza. Ndonëse për ty e mendonim krejt ndryshe, sepse ishe më i forti, sepse gjithnjë ke qenë i forti, trimi, guximtari, pinjuell i denjë i fisit Hoti.
I vërtetove këto në gjithë këto ditë, kur e sfidove vdekjen me stoicizmin tënd. E shqiptove sëmundjen e pamëshirshme me zë të plotë, pa bëza, teksa ndjeje duart e të dashunve tuej, që të fërkonin kryet, duke e mbajtë të shtërnguar fort brenda gjoksit dhimbjen e tyre të pangushllueshme: Vera yte e shtrenjtë, Hela si drita, dr. Miri, trashiguesi yt margaritar për të cilët ti përgjëroheshe.
E përgatite vetë lamtumirën tënde, Ferit, ti që ke ndalë kushedi sa lamtumira kësisoji të të tjerëve. Nuk numërohen. Janë me qindra. Shumë prej tyre, të cilët e kanë jetën prej teje kanë ardhur këtu për t’i thënë lamtumirë dr. Ferit Hotit, kirurgut të madh të qytetit të vjetër të vuajtur të Shkodrës, në kohnat më të vështira të tij, kohna skamjeje, kohna shtypjeje. Ti ishe një prej atyre që luftoje me magjinë e profesionit tënd dhe moralin më të lartë qytetar, që të ndriçoje errësirën me sakrificat tueja që t’i njohën dhe i ndjenë të gjithë ata që erdhën tek ti apo që fati i solli tek ti.
“E tradhtove” mjekësinë vetëm një çast në jetë, atëherë kur duhej dalë në ballin e kthesës së madhe të një përmbysjeje të ândërruar përjetësisht. E prap se prap nuk i the lamtumirë përgjithmonë sallës së operacionit dhe mbete kirurgu.
Ti nuk linde një dr. Koplik apo një dr. Shirokë. Ti u bane i tillë, sepse në një farë mënyre vije nga shkolla e tyre, shkolla e fisnikërisë së vjetër të Shkodrës. Edhe ata ikën kështu siç po ikën ti, e siç ikën kushedi sa qytetarë nobël të këtij qyteti, një pjesë e mirë e të cilëve si në një fatalitet të pamëshirshëm, patën kësisoj lamtumirash befasuese, por me nder.
Nder i një intensiteti të rrallë të jetës tënde, që ngrihet në spikamë në gjithë poliedricitetin tënd. Ti, fëmija sfidues, këngëtari i vogël i sinqertë, piktori i portretit të menjëhershëm, ndonjëherë dhe letrari i hoveve të mbrendshme, që më fort se askush i dimë, i njohim ne, vëllezërit e moshës tënde, që i kemi prekur së bashku. Ti, kirurgu i një biçiklete a motor të vogël që ta shkëlqenin tash e parë besnikët tuej, që i pate prej Gjuhadolit e Serreqit, e deri në Perash e Parrucë. Ti qytetari, kryengritësi, deputeti, ambasadori, këshilltari i qeverisë, në fund të fundit mjeku, që guxoi të hynte në ato kohna të vështira edhe aty ku nuk lejohej të hyhej: në dhomat dritëpakta të atyre që iu mohe vetë jeta. Ishe ndër të rrallët që e bëre këtë, falë guximit tënd të pazâshëm.
— marrë nga TemA
I jepet lamtumira e fundit Dr. Ferit Hotit
Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe qindra qytetarë, homazhe në nderim të ish-deputetit të PD — marrë nga Rilindja Demokratike
Përpara se të mbërrinte në godinën e Prefekturës, arkivoli me trupin e pajetë të Dr. Ferit Hotit ka kaluar në rrugën kryesore të qytetit, duke u nderuar nga qytetarë të shumtë. Për të nderuar figurën shumëplanëshe të këtij personaliteti që la gjurmë në qytetin e tij, por edhe më gjerë, gjatë paradites së datës 6 tetor 2007, nga ora 10:00-12:00, në hollin e Prefekturës së Shkodrës, disa qindra qytetarë kanë kryer homazhe përpara trupit të pajetë të të ndjerit, në kujtim të kirurgut të rrallë, por edhe të diplomatit dhe politikanit të njohur.
Shkodra i dha lamtumirën e fundit, dje, mjekut të shquar dhe ish-deputetit të PD, Ferit Hoti. Në homazhet në nderim të dr. Hotit, krahas qindra qytetarëve shkodranë dhe të ardhur nga rrethe të tjera të vendit, morën pjesë dhe Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik në Shkodër, drejtues të lartë të pushtetit vendor, përfaqësues të institucioneve shtetërore, etj. Ndërkohë, një komision i përbërë nga personalitetet më të larta të vendit, Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Maxhid Cungu, Lorenc Luka, Gjovalin Kolombi, Arenca Troshani, Astrit Bushati, Artan Haxhi, Burim Gjyli, Mark Mirashi, Ahmet Bushati, Anton Leka, Bardhyl Lohja, Florian Borshi, është ngritur në nderim të figurës së Ferit Hotit, mjek, diplomat, politikan dhe publicist i njohur, i cili ndërroi jetë të shtunën në qytetin e Shkodrës, në moshën 64-vjeçare. Për të nderuar figurën shumëplanshe të këtij personalitetit që la gjurmë në qytetin e tij, por edhe më gjerë, gjatë paradites së djeshme, nga ora 10:00-12:00, në hollin e Prefekturës së Shkodrës, disa qindra qytetarë kanë kryer homazhe përpara trupit të pajetë të të ndjerit, në kujtim të kirurgut të rrallë, por edhe diplomatit dhe politikanit të njohur.
Përpara se të mbërrinte në godinën e Prefekturës, arkivoli me trupin e pajetë të Dr. Ferit Hotit ka kaluar në rrugën kryesore të qytetit, duke u nderuar nga qytetarë të shumtë. Doktor Ferit Hoti është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tiranës, në vitin 1967 si “Mjek i Përgjithshëm”. Në vitin 1971, specializohet si kirurg i përgjithshëm në Tiranë, ndërkohë që për 28 vjet punoi pranë Spitalit Civil të Shkodrës, si kirurg me një vullnet, pasion të madh e kompetencë profesionale, i udhëhequr nga parimi “Mjekësia në shërbim të të sëmurit dhe jo të mjekut”, duke fituar admirimin e pacientëve dhe shoqërisë civile. Gjatë kësaj kohe ka kryer dhe specializime të ndryshme në Tiranë si dhe pas vitit 1990, në Centre Hospitalier – Granville Francë.
Në vitin 1993-1997, ai punon në shërbimin diplomatik shqiptar si ambasador në Malajzi, ku mbulonte dhe disa nga vendet e këtij rajoni. Gjatë kësaj kohe arriti të hapë disa agjenci tregtare shqiptare, për thithje investimesh, si dhe marrëveshje bashkëpunimi shkencore, arsim, teknologji e sistem fiskal, disa nga të cilat janë konkretizuar dhe në vendin tonë. Dr. Ferit Hoti, ka qenë deputet i Shkodrës i dy legjislaturave, në periudhën 1997-2001 dhe 2001-2005. Në Kuvendin e Shqipërisë është zgjedhur kryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen e Mjedisit, sekretar i Komisionit për Minoritetet dhe të Drejtat e Njeriut, anëtar lobi parlamentar për “Korridorin 8-të” dhe përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë në Unionin Ndërkombëtar (IPU).
Ndërkohë, ai ka dhënë një kontribut të çmuar si iniciator i disa nismave qytetare, për zhvillimet politike dhe ekonomike rajonale e kombëtare, sikurse ka publikuar një numër të konsiderueshëm opinionesh në shtypin shqiptar për çështje që trajtojnë problemet e shëndetësisë, zhvillimit ekonomik e politik. Po me aq dashuri, përkushtim e dëshirë ka shkruar dhe librin “Shkodra zonë e lirë”. Në periudhën e fundit, që nga vitit 2005 e në vazhdim, ai shërbeu si këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Berisha: Shkodra ndahet sot nga një prej qytetarëve më të shquar
Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, bënë homazhe në nderim të Dr. Ferit Hotit, i cili u nda dje nga jeta në moshën 64-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij ngushëlluan pjesëtarët e familjes Hoti për humbjen e të afërmit të tyre dhe një prej intelektualëve më të shquar dhe më pas vendosën një kurorë me lule mbi arkivolin ku prehej trupi i pajetë i Dr. Ferit Hotit, i vendosur në hollin e Prefekturës së Shkodrës. Në një prononcim për mediat, Berisha tha se “Shkodra ndahet sot nga një prej qytetarëve të saj më të shquar, intelektualëve më të ndershëm, më të përkushtuar. Ferit Hoti ishte një qytetar i vërtetë shkodran, ishte një intelektual i vërtetë shqiptar, pasardhës i një familje me tradita të shkëlqyera, një prind shembullor“.
Duke iu referuar njohjes së kahershme me doktor Ferit Hotin, me të cilin ka qenë bashkëstudent në Fakultetin e Mjekësisë, kryeministri Berisha tha se “për mua, Ferit Hoti ishte një mik që nuk do ta harroj kurrë, një mik i dashur, shumë i çmuar që në vitet e hershme të rinisë, deri sa u nda nga të gjithë“. “Me këtë rast, unë u shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes, miqve, të afërmve, por edhe mbarë qytetit të Shkodrës, që ndahet sot me njërin prej bijve të saj më të shquar“.
Në homazhet në nderim të Dr. Hotit, krahas qindra qytetarëve shkodranë dhe të ardhur nga rrethe të tjera të vendit, morën pjesë dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik në Shkodër, drejtues të lartë të pushtetit vendor, përfaqësues të institucioneve shtetërore, etj. Trupi i pajetë i Dr. Ferit Hotit u përcoll për në banesën e fundit, rreth orës 13:00.
Topalli: Hoti ishte deputet i jashtëzakonshëm
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka vlerësuar Dr. Ferit Hotin si “një koleg të jashtëzakonshëm në politikë“. Pjesëmarrëse në ceremoninë mortore të dr. Hotit, që u zhvillua të shtunën në qytetin e Shkodrës, zonja Topalli do të shprehej në një prononcim për median se “dr. Hotin e mbaj mend që kur kam qenë e vogël. Njihej si një nga mjekët më të mirë të qytetit, një ndër mjekët më të gjendshëm në të gjitha familjet shkodrane“. “Më pas e kisha koleg në politikë dhe mund të them se ishte një deputet jashtëzakonisht i veçantë, plot energji, plot ide, shumë luftarak. Unë e kam pasur një mbështetje dhe koleg të jashtëzakonshëm“, tha më tej kryetarja e Kuvendit.
Duke shprehur ngushëllimet për familjarët e dr. Hotit, zonja Topalli tha se “duhet thënë se në ambientet tona politike, humbja e tij ka lënë një boshllëk, që jo të gjithë mund ta mbushin“. Doktor Ferit Hoti ndërroi jetë dje në moshën 64-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Dr. Ferit Hoti ka qenë kryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen e Mjedisit, sekretar i komisionit për Minoritetet dhe të Drejtat e Njeriut, anëtar i lobit parlamentar për Korridorin 8 dhe përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë në Unionin Ndërkombëtar (IPU).
Kirurgu që ëndërroi “shërimin” e Shkodrës
Ish-deputeti Ferid Hoti propozoi që rajoni të kthehej në zonë e lirë ekonomike
— botuar nga Shekulli
Postulati i Hotit: “Mjekësia nuk i shërben mjekut, por pacientëve”
Pak ditë më parë u nda nga jeta në një moshë ende të re, ish-deputeti i mirënjohur i Shkodrës, Dr. Ferid Hoti. Me zanatin e tij si kirurg dhe traditat e thella qytetare që transmetonte, ai u bë një figurë e dashur për vendlindjen e tij. Profesioni i nderuar i mjekut kirurg nuk e pengoi të asimilonte dhe propozonte ide që do ta kthenin rajonin e varfër të Shkodrës në një zonë të zhvilluar ekonomike. E tillë ishte nisma që ai propozoi vite më parë për ta kthyer rajonin në një zonë të lirë ekonomike.
Ish-deputetit Dr. Hoti me librin “Shkodra – zonë lirë, Bazat strategjike të zhvillimit në rajonin e Shkodrës”, kishte idenë që të jepte sugjerime të rëndësishme ekonomike, duke shfrytëzuar shembuj të vendeve të tjera, se si mund të zhvillohej rajoni i Shkodrës, me hapa të shpejtë dhe të sigurtë, dhe se si Shkodra të fitonte gradualisht rëndësinë, që dikur kishte patur në zhvillimet ekonomike rajonale.
Rajoni i Shkodrës ka shumë burime natyrore, të cilat për shkak të një politike të gabuar, të ndjekur nga qeveria komuniste 50 vjetët e fundit dhe nga qeveri të tjera para dhe pas saj, janë atrofizuar, izoluar në vetvete, dhe këto burime nuk shfrytëzohen sa dhe si duhet, për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve, duke ngritur të ardhurat ekonomike të tyre.
Kapacitetet ekonomike e turistike të rajonit të Shkodrës, duke filluar që nga Plazhi i Velipojës; vendet turistike si Razma, Thethi e Vermoshi; mundësitë për të ngritur fabrikën e çimentos në Postrribë dhe punishte të tjera për përpunimin e mineraleve të ndryshme; ngritjen e hidrocentraleve elektrike; ngritjen e punishteve të ndryshme për industrinë ushqimore; thellimin e lumit Buna, që të bëhet i lundrueshëm, krijimin e një kaskade për të ruajtur nivelin liqenit, si dhe krijimin e një porti të brendshëm për Shkodrën; krijimin e një infrastukture rrugore për një komunikim më të shpejtë, si për resurset malore, ashtu edhe ato bregdetare e liqenore, në mënyrë që të hapen perspektivat për një komunikim ndërballkanik.
E gjitha kjo mund të arrihet gradualisht, nëse Shkodra favorizohet dhe kthehet në një zonë të lirë, qoftë komerciale apo industriale. Kjo është edhe ideja themelore e librit në gjuhën angleze “Shkodra Free Zone“, por jo vetëm kjo. Në librin e Dr. Hotit, lexuesi mund të gjejë një pjesë krahasimore të historisë ekonomike të rajonit të Shkodrës, që nga koha kur Shkodra kishte 50 mijë banorë dhe Tirana 3 mijë, kohë kur Shkodra kishte tregun më të madh rajonal, i dyti pas Stambollit në perandorinë turke, treg i cili u dogj nga malazezët më 1912, pas një pushtimi të shkurtër tre javor, kur Bixhisteni (tregu i Shkodrës), veç tjerash u shkatërrua plotësisht.
Në një stil të ri, Bixhisteni po ngrihet përsëri në këto kohë, por zhvillimi ekonomik në kohën e sotme, nuk mund të vijë pa krijimin e rrugëve të mira të komunikimit dhe infrastrukturës së domosdoshme. Duhet të zgjidhen drejtues të rinj në rajonin e Shkodrës, të cilët kanë pikëpamje perëndimore dhe integruese, që janë të aftë t’i kuptojnë dhe zbatojnë më mirë rregullat e ekonomisë së tregut, për t’i dhënë hov zhvillimit, dhe jo drejtues të paaftë, të korruptuar, të cilët nekrotizojnë zhvillimin me paaftësinë e tyre, servilizmin e tejskajshëm për eprorët dhe arrogancën banale për vartësit… prototipë të kulturës bizantine e orientale. Shkodra ka nevojë për drejtues pragmatistë, të aftë për të kuptuar kohën në të cilën jetojmë, dinamikë dhe të devotshëm në prirjen e tyre për ta dashur vendin e vet dhe zhvillimin perëndimor të tij.
Rruga Shkodër – Hani Hotit është premtuar si një investim italian prej rreth 22 milionë €, por projekti po vonohet pikërisht se pushtetarët lokalë, nuk mund të fusin në xhep 10 për qind të investimit – praktikë kjo që aplikhet për investimet vendore. Është premtuar gjithashtu një zonë industriale në Koplik, e cila, sidoqoftë, nëse bëhet dhe kur të bëhet, do të punësojë qindra banorë të zonës. Kjo po, do të jetë edhe fillimi i investimeve serioze rajonale, të cilat marrin shumë kohë këtej nga ne, për shkak të koncepteve të ngurta ekonomike, që ka klasa politike shqiptare dhe në veçanti, ajo e sotme shkodrane.
(Marrë nga Shkoder.net)