Si i sollën Daragjatët makineritë e para në Shqipëri në vitin 1860

0
4120

— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare, 21.07.2003

Historia e panjohur e familjes shkodrane të Ndoc Pjetër Daragjatit të cilët që në vitet e para të shekullit të kaluar sollën makineritë e para për prodhimin e tekstilit dhe letrës

Në qytetin e lashtë dhe me tradita të Shkodrës, diku në rrugën e vjetër të Gjuhadolit, pranë Kishës, Kuvendit, Shkollës dhe Shtypshkronjës së Françeskanëve, ku kanë banuar disa nga personalitetet më të shquar të artit, politikës e letrave shqipe, si Kardinal Mikel Koliqi, Luigj Gurakuqi, Kol Idromeno e Ndoc Çoba, gjendet edhe sot një portë tepër e veçantë që i përket shtëpisë së njohur të Daragjatëve, e cila është ndërtuar para 107 vjetëve të shkuara. Ajo familje e vjetër shkodrane ka qenë tepër e njohur në të gjithë qytetin, jo vetëm për faktin se të parët e saj janë marrë me tregëti dhe kanë qenë shumë të pasur, por edhe për aktivitetin e tyre patriotik e atdhetar. Lidhur me të kaluarën e kësaj familje, na njeh 67-vjeçari Henrik Daragjati, një nga pinjollët e saj që për vite me rradhë ka punuar si arsimtar në qytetin e Shkodrës.

Shtëpia e Ndoc Daragjatit

Sipas dëshmisë së Henrrik Daragjatit, një nga të parët e më të njohurit e asaj familje të vjetër shkodrane, ka qenë Ndoc Pjetër Daragjati, i cili u martua me një vajzë të re bashkëqytetare të tij, që quhej Luke Ndoca, e cila rridhte nga familja prej së cilës ka marrë emrin e saj rruga e vjetër Ndocaj. Nga ajo martesë atyre u lindën tetë djem, të cilët u quajtën: Pjetër, Gaspër, Nush, Ndrekë, Kolë, Gjon, Zef dhe Lazër. Ndonëse Ndoc Daragjati nuk kishte bërë për vete ndonjë shkollë të madhe, ai u kujdes që atë gjë t’ua jepte fëmijëve të tij. Kështu të tetë djemtë e Ndoc Daragjatit, fillimisht u shkolluan në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës, i cili në atë kohë ishte një nga kolegjet më të famshëm jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. I madhi i fëmijëve, Gjoni, ishte një ndër gjashtë nxënësit e parë të qytetit të Shkodrës i cili kishte mbaruar shkollën e parë (të mesme) Tregëtare që ishte hapur prej italianëve në atë qytet që në vitin 1900.

Vëllai tjetër, Kola, i cili që në moshën dhjetëvjeçare u dërgua për të studjuar pranë Kuvendit Franceskan të qytetit të Breshias në Itali, nuk pati fatin të jetonte gjatë pasi vdiq fare i ri. Kolë Daragjati shkruante vazhdimisht poezi dhe kishte passion të madh e ishte shumë i talentuar në letërsi. Shtëpia e vjetër ku ka banuar prej kohësh familja e Ndoc Pjetër Daragjatit, ndodhet edhe sot aty në rrugën e Gjuhadolit dhe ajo është një shtëpi tipike shkodrane e ndërtuar me një arkitekturë të stilit të vjetër ku bie në sy porta kryesore e saj që është ndërtuar që në vitin 1896. Po kështu në ambientet e brendëshme të saj bien në sy, çardaku, parmakët e drurit, qypi, shter e lug prej guri etj. Para 100 vjetëve të shkuara, ajo ndërtesë karakteristike shkodrane u transformua duke u kthyer në stilin e kohës. Që asokohe dhomat e saja kanë qenë të gjitha të zbukuruara me oxhakë dhe tavolina të rrumbullakta e të gdhendura me mjeshtëri me mozaikë të veçantë, rafte me pasqyra të mëdha e me zbukurime artistike, si dhe poltrone që ishin blerë në Venedik.

Po ashtu në muret e saj rrinin të varura, pasqyra artistike, fotografi, piktura, kobure, armë të tjera të vjetra dhe kandila të bukur e të mëdhenj të varur si llampadarë. Në tangarin prej bronxi e më një punim të rrallë artistik (mangallin e prushit) që është blerë në Turqi dhe është përdorur nga ajo familje prej dhjetra vjetësh, shkruhet: “Hanem Hatixhe, gruaja e të ndertit Hasan Pasha 1871” ( i përkthyer nga i ndjeri Hamdi Bushati) Ajo shtëpi karakteristike shkodrane, u dëmtua lehtë nga bombardimet që u bënë mbi qytet në vitin 1913, kur Shkodra gjendej e rrethuar nga ushtritë serbo-malazeze. Aty nga viti 1923, oborri i asaj shtëpie u zbukurua me një pemë kaki që u soll nga jashtë në një fuçi me dhe. Në atë kohë ajo pemë u quajt “Molla e Adamit”, pasi jepte fruta gjithnjë. Pamje të jashtëme e të brendëshme të mjediseve të kësaj shtëpie kanë qenë të fokusuara që para 100 e sa vjetëve nga fotografët e njohur të familjes Marubi dhe në Fototekën e saj janë ruajtur një numër i madh negativash nga kjo familje.

Aktiviteti tregëtar i familjes

Familja Daragjati ka qenë mjaft e njohur të në të gjithë qytetin e Shkodrës, pasi ajo është marrë me tregëti dhe ka qenë mjaft e pasur. Lidhur me këtë, flitet edhe në librin e Historisë së Shqipërisë (vëllimi i II, Tiranë 1984, fq. 59) ku ndër të tjera thuhet: “Në vitet 1850-1860 kur Turqia lejoi marëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Europën, ishin anijet me avull “Skutarini” të familjes Daragjati që filluan tregtinë”. Lidhur me këtë, Henrrik Daragjati shton: “Punishtja me makineri të importuara nga Austria, kishte pesë punëtorë që e punonin atë dhe ajo prodhonte gajtana (kordonë) për kostume kombëtare që porositeshin aty dhe shpërndaheshin me pas jo vetëm në të gjithë Shqipërinë, por dhe në Kosovë dhe Mal të Zi. Ajo makinë prodhonte pesë gajtana njëherësh dhe u vinte në lëvizje nga një punëtor me anë të një volanti të madh, kurse makinat e tjera bënin proceset e tjera ndihmëse. Aktiviteti tregëtar dhe ekonomik i familjes Daragjati, përmëndet edhe në tekstin e sotëm universitar “Gjeografia ekonomike”, ku ndër të tjera thuhet që makina e parë për prerjen e letrave ishte në Shkodër pranë familjes Daragjati.

Punishtja me shtatë punëtorë, përgatiste pako me letra cigaresh për eksport dhe amballazhi i saj ishte i shkruar në turqisht dhe italisht. Po kështu pronë e familjes Daragjati kanë qenë edhe tre maikneri për përgatitjen e silazhit të misrit, të cilat kishin nga një volant dhe tre thika. Ato makineri të cilat përdoreshin me nga dy punëtorë, ishin të parat që silleshin në Shkodër prej familjes sonë. Nga që familja Daragjati përbëhej prej shumë antarësh, ata kishin sjellë edhe një makineri për prodhimin e çorapave, e cila më pas iu dhurua një familje tjetër shkodrane në shenjë bamirësie për të nxjerrë jetesën. Po kështu ndër sendet e para të sjella në Shkodër prej të parëve të familjes sonë, kanë qenë edhe gramafoni e zilja e derës me bateri (pilat e Voltës). Kur Gjon Daragjati shkoi për herë të parë në pazar me biçikletën e tij që e kishin sjellë mga Italia, disa fanatikë e sulmuan atë me cfurqe dhe ia shkatërruan biçikletën që ai e nxirrte për herë të parë nga shtëpia.

Pas vdekjes së kryefamiljarit, Ndoc Daragjatit, ishte bashkëshortja e tij, Lukja, një grua fisnike me shumë autoritet e cila qëndroi në krye të familjes. Pas vdekjes së Ndocit, aktivitetin ekonomiko-tregtar të familjes vazhdoi ta drejtonte, djali i madh, Pjetri, ndërsa llogarinë ia lanë për ta mbajtur, vëllait tjetër, Gjonit, i cili kishte mbaruar shkollën e mesme. Në vitin 1919, vëllezërit Daragjati, menduan të ngrinin bankën e parë private në atë qytet (Banka Daragjati) por ata dështuan në atë projekt, pasi Austro-Hungaria e humbi luftën dhe paraja u zhvlerësua mjaft. Përveç kësaj, një humbje tjetër për familjen Daragjati ishte gjithashtu edhe ndërmarrja që mori Ndrekë Daragjati me ortakun e tij, Murat Haxhia, të cilët në vitin 1933 morën përsipër tharrjen e Kënetës së Kakarriqit”, dëshmon Henrrik Daragjati lidhur me aktivitetin ekonomiko-tregtar të asaj familje që solli makineritë e para të tekstilit dhe të letrës në qytetin e Shkodrës që në vitet e para të shekullit të kaluar.

Aktiviteti politik

Familja Daragjati nuk ka qenë e njohur vetëm për aktivitetin e saj ekonomiko-tregtar, por burrat e asaj shtëpie janë marrë edhe me veprimtari politike e patriotike, gjë e cila përveç dëshmive gojore të pinjollëve të kësaj familje, bëhet e ditur edhe nga disa dokumente që gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit. Në njërin prej këtyre dokumenteve që mban datën 4 dhjetor 1910, është një letër e Gjon Daragjatit, të cilën ai ia dërgon Luigj Gurakuqit, ku midis të tjerash i shkruan: “Fort i dashtuni mik. E kam marrë lett/post. tanden 27.11 që shkoi edhe mue t’lutem më ndi që nuk të kam pas shkrue që kur je ken n’Elbasan, por unë s’mui me shkrue qi barë politikën do ta prekshe, e friga e postës së turkut nuk m’lete rrugë me të shkrue mendimet e mia. Jo vet, që sikurse miku yt e i ships jote, por gjithë Shkodra që ndin dashtnin e vëndit,… por sa ndishim dnimin që i nepte ajo t’mbledhun uqish, atdhetarëve ton, zemra e jon vajtonte, e u dispronte pa mujt me ba ndonjë send bare për ndihmë t’atyre dishmitarëve t’vetzis (pavarsisë së qenit më vehte) t’Shqipnis.

Ani ka ardhë koha qi edhe na kena me marrë gjakun tonë e kena me i pa kto nxuë me krye si pluhur, t’përbuzun prej njerëzve qi me aq kreni i kanë marrë nëpër këmbë. Asht koha qi na t’organizohena, e t’bajmë ndonji punë t’mirë e t’lëvdueshme për nanën ton, e asht koha që t’mblidhna e t’bashkohna n’një mendim, e ky bashkim i jon t’marrin haptë për gjithë viset e Shqypnis, e n’gjith anët e saj të kenë adepti (njerëz të përshtatshëm) t’cilët t’punojn për lulzim e përparim t’saj…” Ndërsa lidhur me aktivitetin e mëtejshëm politik të Daragjatëve, Henrriku dëshmon: “Vëllezërit Daragjati ishin pjesëmarrës dhe aktivistë në klubin e parë patriotik të quajtur “Gjuha Shqipe” të krijuar që në vitin 1909 nga Muço Qulli dhe Çerçiz Topulli, të cilët u takuan në Gjuhadol me disa nga patriotët më të njohur të qytetit të Shkodrës. Në një artikull të botuar në gazetën “Dielli” të Bostonit nga Nush Koci, ndërmjet të tjerash thuhet se Ndrekë Daragjati u burgos nga autoritetet turke për arsye se ishte anëtar i “Komitetit të Ndihmës” dhe se dy vëllezërit e tij,

Gjoni e Zefi, ishin pjesëmarrës në kryengritjen e udhëhequr prej Dedë Gjo Lulit. Për këtë arsye ai u dënua me varje, por shpëtoi nga një ndërhyrje që u bë nga miqtë e familjes sonë. Sipas rrëfimeve të Atë Donat Kurtit, vëllezërit Zef e Gjon Daragjati, ishin pjestarë të një grupi të rinjsh të cilët më 16 maj të vitit 1912, ngritën flamurin kombëtar në fshatin Bardhej që ndodhet në periferi të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1914, uniforma që duhej për Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, u porosit në kryeqytetin Italian, Romë, tek tregëtari Pjetër Daragjati dhe në atë uniformë spikaste dukshëm në kapele simboli kombëtar. Djemtë e familjes Daragjati ishin ndër të parët që lanë veshjet kombëtare të cilat duhej të përdoreshin vetëm në raste festash dhe u veshën me kostumet europiane. Për këtë gjë, krijuesi popullor Gjon Çela, pati shkruar vjershën e titulluar “Kanga e brakeshalive”, ku ai u qante hallin rrobaqepëseve shkodranë që do të mbeteshin pa punë, pasi kostumet e reja do të vinin nga Europa. Në atë vjershë midis të tjerash thuhet: “Ku ia mbrijtme këtij sahatit / na shokët tanë me i pa në ket hall / Këta t’birt e Ndoc Daragjatit / kenkan kthye i vogël e i madh”.

Po kështu një ndër tre vajzat e reja piktore, nxënëse të mjeshtërit të madh të pikturës, shkodranit Kol Idromeno, ka qenë edhe Çezarina Gaspër Daragjati, e cila mori pjesë me pikturat e saja në ekspozitën e parë të “punimeve artistike”, që u hap nga vajzat shkodrane në vitin 1925, nën kujdesin e shoqërisë kulturore “Rozafat”. Po kështu nga familja Daragjati ka qenë mjaft i njohur edhe Ndoc Pjetër Daragjati, (nipi i Ndocit) i cili së bashku me Padër Gjergj Fishtën dhe Atë Pal Dodajn, u vlerësuan me medalje dhe diplomë për përgatijen e pavionit shqiptar në ekspozitën “Misionare Botërore” që u hap në Vatikan në vitin 1925. Ajo gjë bëhet e ditur edhe nga një artikull i studjuesit Willy Kamsi, i botuar në “Hylli i Dritës” të vitit 1966″, kujton Henrrik Daragjati lidhur me të parët e familjes së tij, të cilët veç të tjerash kanë qenë të njohur edhe si njerëz mjaft humanë.

Humanizmi i familjes Daragjati

Ndërmjet shumë bamirësive që patën bërë vëllezërit Daragjati, në qytetin e Shkodrës është mjaft e njohur një ngjarja me një djalë të vogël që ata e morën në shtëpinë e tyre. Teksa po ktheheshin nga pazari për në shtëpi, dy prej vëllezërve të familjes Daragjati, gjetën në rrugë një fëmijë të uritur dhe të zhveshur, i cili ishte larguar nga malësia për problemet e hakmarrjes që kishte pasur familja e tij. Ata pasi e pyetën për emrin, e morën në shtëpi dhe e bënë pjestar të familjes së tyre. Për rastësi, ai djal e kishte emrin Kolë, ashtu si djali i kësaj familje që studjonte në shkollën franceskane në Itali. Pas disa vitesh, gjakësit e asaj familje e diktuan atë djalë dhe pas asaj vëllezërit Daragjati u detyruan dhe e dërguan atë në Amerikë tek një njeri i tyre tepër i besuar.

Por megjithë humanizimin dhe përkujdesin e familjes Daragjati, ai djalë nga malësia e Shkodrës nuk e pati jetën të gjatë, pasi vdiq nga tetanozi pa mbushur të tridhjetat. Por të gjitha këto që thamë më sipër për familjen e njohur Daragjati, të parët e së cilës njihen si industrialistët e parë në Shqipëri, tashmë i përkasin vetëm të shkuarës, sepse shkëlqimi i asaj familje u venit me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944. Pas atij viti pasuritë e pronat e tyre u konfiskuan dhe disa prej burrave të asaj familje përfunduan burgjeve e internimeve e të tjerët mezi mundën të siguronin bukën e gojës.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.