Jehe melodish
Në mendimin tim
thërrmohet një tingull guri
e vorbuj flake
ngre në çdo pikël gjaku
mandej një mal me dhimbje
e jehe melodish
ma të lashta se kohë e gurit.Heshtja ka tingull guri
Me buzë të gurta
heshtja na i puthi orët
e ditët
e netët.
Një jetë që po dëgjoj
meloditë e heshtjes
në gojët memece
të gurit.
Heshtja ka tingull guri,
kur fjala bahet gur
e koha gur.Brezit tim
Kopetë e ditëve tona
shkojnë drejt disa brigjeve
të çorodituna
të ndjekuna nga lehje qensh.
Në bulshitë e atyne lehjeve,
të përjarguna
eshtnat e së ardhmes sonë.
Emblema
Po flet?
Shshsh, mos fol!
Fjala ka flatra
e Zeusi s’duron blasfemi.
Kanë tringëllim të përjetshëm
tridhjetë paret,
Juda i ka veshët e gjatë
e përgjon ditë e natë.
Sot ashtë emblemë e jetës
bisku i gjakut,
emblemë pesëcepëshe.
Të gjitha rrugët …
Natë me shti gishtat ndër sy,
por duhet me i thanë mëngjes,
mëngjes me diell, bile.
(Oh, sa t’i marrka dielli sytë!)
Ecim përpara, me hapin lart, marshojmë,
me kangë në gojë, në buzë!
S’e dijmë ku shkojmë,
por të gjitha rrugët të çojnë atje … n’greminë.
Bregu i dritës
Gjiu i shterrun i ditës
nuk pikon dritë
e hana e hyjzit janë fikë.
Në humnerën e universit,
toka mundohet të kapet
në bregun e dritës.
Humbja e diellit
Botës i ka humbë dielli.
Prej syve të errun si qeli burgu
mertisë ashtë drita.
E randë si guri
errësina
mbi shpatulla të qytetit peshon,
mbi kangët e zogjve
dhe mbi çdo fije bari e jete.
E randë si gur.
Kjo natë polare tërkuzë e gjatë,
sa do të zgjasë?
Stinë panairesh
Stinë panairesh dehëse,
pranverë e delireve
që tallaziten në gufim të gjakut
ndër dej.
Panair tingujsh të blerë
kah dridhen në fërgëllim të kalesës,
ma të lehtë se drita
që feks mbas degëzave të kopshtit.
Panair ngjyrash –> |
Libri i dytë poetik i Anton Çefës,
botuar nga Shtëpia Botuese
“Camaj-Pipa”, Shkodër 2002 |
–>
ma të brishta se fjalët e zogjve
në endje ylberesh.
E aromat,
oh, panairet e aromave,
ma të kandshme
se fryma e foshnjeve në djep!
Stinë panairesh dehëse,
pranverë e delireve!
Çast
Në pritje të blerimit
damarëve të mendimit
rrjedh gjaku i vjeshtës.
Humbja e kujtesës
Në pëlhura damarësh të gjetheve
të vjeshtës
u mplak kujtesa e blerimeve të dikurshme
e humbi.
Sythat në stinët e ardhshme
nuk do të trashigojnë asgja
veç dhimbjes së degëve të mardhuna
dhe ankthit
me thanë nji fjalë të blertë.
Hijet e mugta
Përhumbet dita,
nuk shihen ma format e gjetheve,
veç ndihet frushullimi i shpirtnave të tyne
që fluturojnë
hapsinave të padukshme.
Koha zhbahet dikur
si dita
dhe shpirtnat e sendeve
shndërrohen në hije.
Motiv i dikurshëm shkodran
Drini i lau kambët Kalasë
e dielli, tue u rrëzue mbas Taraboshit,
ia fali lulkuqin e fundit
të ditës.
Puthin aroma lulesh
muret e oborreve të randueme nga shermasheku
e shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
kërrusen
nën peshën e lodhjes së mbramjes
e të qiellit në perëndim.
Krismat e dyerve, që mbyllen njena mbas tjetrës,
dhe të gjitha zhurmat tjera
shuhen ngadalë në valët e liqenit.
Nën nina – nanën e bulkut të natës
dremitin rrugët e vetmueme.
E Shkodra flen.
S’e di mirë ku u takuem
S’e di mirë ku u takuem,
në zemren tande a timen?
s’e di mirë.
Në degëzat e brishta të mallit qëndroje
fluide si floku i borës.
S’e di mirë kur u takuem,
sapo ika nga andrra
apo në andërr isha?
s’e di mirë.
Në shtrojet puplore të andjes qëndroje
e përndezun si flaka e dhimbjes. |