NJË MELODI E KËPUTUR

2
7984

– Në kujtim të kompozitorit Ndok Pistulli, pianistit të parë të operas shqiptare.
– me rastin e 24-vjetorit të vdekjes së mësuesit shembullor, poliglotit, kompozitorit, artistit e sportistit të madh, që s’harrohet kurrë.

— nga Besnik DIZDARI, (shoku i klasës)

Ndok Pistulli e Simon Vasa ushtarë Kur krejt papritmas në ato dite të vitit 1977, miku im, mjeku Ferid Hoti më foli për sëmundjen e tij të pashërueshme, tronditja ime ishte po aq çarmatosëse, si një humbje e vetvetishme thellë në brendësi të shpirtit. Si ishte e mundur që pikërisht në atë fytyrë të pastër qelibar, prej ku të vështronin plot mirësi dy sy të vegjël po aq të qeshur, sëmundja e pamëshirshme të mpakte një jetë aq të trazuar, veç po aq optimiste e plot force? Si mund të ndodhte që në atë shtat të derdhur lastar prej sportisti të talentuar ajo të lëshonte kthetrat e saj? E kush mund t’i spjegonte këta mistere të natyrës që t’i spjegoja unë apo qoftë edhe doctor Feridi që I rrinte aq pranë e që duke ditur gjithçka vuante edhe më shumë?

“Për ditë shoh qartë e ma qartë dhe për ditë vuej thellë e ma thellë.” Kjo retorikë migjeniane mbase I shkonte më për shtat fatit të tij tragjik. Dhe kur qershorin e kaluar, 13 vjet pas vdekjes së tij ne festonim 30 vjetorin e matures e në mungesë të tij në klasë ndodhej i biri, sytë mu mbushën me lot. Aty djathtas pashë bankën e tij ashtu si 30 vjet më pare. Kujtova fytyrën e tij përherë të qeshur, me mollëzat e skuqura paksa, flokët e zezë që kontrastonin me bardhësinë e fytyrës. Asaj fytyre të cilën e ndriste përherë ai, buzagazi I optimizmit të tij.

Megjithatë kishte caste kur një hije e forte serioziteti ia mbulonte gjithçka. Ishte mësimi. Në mësim ai tjetërsohej. Nuk pranonte asnjë fjalë, asnjë ngacmim. I gjithi ish përqëndruar te mësuesi që spjegonte dhe po t’i flisje, prisheshe me të. E pra, a nuk na pëlqente të gjithëve që një rreze ‘relaksi’ sado dritëvogël, ta ndërpriste paksa atë tendosje që krijon klasiciteti i një ore mësimi?

Ai jo. Si ishte e mundur? Shumë thjeshtë: Ndok Pistulli dinte ta mësonte mësimin qysh në klasë. Nuk kishte kohë për të humbur. Në shtëpi ai kishte “mësime” të tjera. Mund ta shihje çdo ditë që edhe detyrat e shtëpisë ai t’i bënte në shkollë, në ato minuta të pakta të pushimit midis orëve. Kam parë me sytë e mi që ndërsa mësuesi i paharruar i matematikës Muhamet Hoxha bënte apelin, Ndoka të nxirrte përfundimin e problemës apo të ekuacionit të detyrës së shtëpisë pa pranuar kurrë që ta kopjonte nga shoku! Professori ynë i dashur shihte, kuptonte gjithçka. Dhe jo vetëm që nuk i bëntea snjë vërejtje këtij “indisiplinimi”, por përkundrazi ndjehej krenar për nxënësin e tij të mrekullueshëm. Edhe ai e dinte që Ndok Pistilli me mësimet e detyrat donte ta mbaronte punën brënda murene të shkollës. Në shtëpi, vërtetë ai ishte “mësime” të tjera.

Me këtë mënyrë të mësuari ‘sui generis’ ai e mbaroi gjimnazin shkëlqyeshëm dhe ishte në të rrallët po aq i shkëlqyer në matematikë sa dhe në letërsi, po aq intuitiv e plot imagjinatë në zgjidhjen e problemeve të stereometrisë sa dhe krijues në hartimin e refrateve latrare, siç na e kujtoi aq bukur një përgjigje të tij professori ynë i nderuar Jup Castrati në atë 30-vjetor të maturës sonë.

E tash Ndoka tjetër. Ndoka i ‘mësimeve’ të tjera të pasdrekës, të shtëpisë. Një shtëpi tipike shkodrane, muzeale në llojin e vet autentik., fare pranë kolegjit të jezuitëve, atij katërkëndëshi klasik ku siç dihet është bërë jeta kulturore e një qyteti. Ndikimi te ky njeri i rrallë nuk mund të vinte drejtpërdrejt nga kjo kulturë sepse ai në të vërtetë nuk kishte lidhje me të. Po mjedisi është gjithmonë mjedis. Dhe tradita është përherë traditë. Geni, ky rregullator i jashtëzakonshëm i fatit të njeriut, do të linte mbase gjurmë te ai. Gjyshi i tij, muzikanti i njohur Zef Kurti, duhej të shfaqej në imagjinatën e tij si një pikë imitami a ngjashmërie. E Zefi është i biri i të famshmit Palok Kurti, kompozitorit tonë patriot. Një vazhdimësi e denjë familiare që vështirë të ndalte!

Aty pranë banonte Ida Melgushi, kjo mësuese popullore flokëbardhë që për vite të tëra u dha mësime muzike fëmijëve shkodranë. E Ndoka qysh 5 vjeç mëson t’i bjer pianos së saj, tingujt e të cilës mbushin gjithë ditën atë rrugë karakteristike me mure të lartë. Më vonë kur Ndoka do të ishte gjimnazist muri i atyshëm megjithatë do të rrëzohej dhe ai me shokët e tij Viktor Jubani, Filip Guraziu, Beb Garxhola, Tonin Çoba, Tonin Çapaliku e Franc Pali do të ngrinin një fushë volejbolli. Vetë, pa trajner, me një seriozitet të pashembullt ajo fushë do të tërhiqte shikues përditë. Ndeshjet e tyre ishin të zjarrta dhe shumë shpejt këta djem do të identifikoheshin me “Vllazninë”, ndonëse shoqëria e tyre tashmë me trajner Injac Lacukun, thirrej “Arsenal”. Ndok Pistilli shtatlartë, elegant, i zgjuar, teknik – ishte ndër më të mirët. Me te “Vllaznia”, është kampione e Shqipërisë me të rinjt më 1958 me trajner Frederik Bjankun. Ndoka arrin deri në kandidat i Kombëtares së Shqipërisë!

Mandej, pasi kish larë me djersë fushën e lojës, ai ngjiste shkallët e zgjatura të shtëpisë dhe pas pak tingujt e ianos sindonin gjithçka. Në mbrëmje mësim gjuhësh të huaja (italisht, rusisht, anglisht), lexime, kulturë. Nuk mund të gjeje në gjithë Shkodrën një të ri kaq të impenjuar, kaq serioz, kaq poliedrik në veprimtarinë e tij. E nderonte një qytet i tërë. E gjithsesi emblema e veprimtarisë së tij do të jetë muzika, pianola, fizarmonika, kompozimi. Qysh në 7-vjeçare është pianisti i melodramës së njohur të Tonin Harapit.

Po kjo do të ishte pak. Më 1959, në premierën e operas së pare shqiptare “Mrika”, ipaharruariPreng Jakova, në gjithë atë Shkodër, pianistin për operan e tij e gjen te 16-vjeçari Ndok Pistulli! E kam si tash parasysh aty në anë të palkut, në atë natë të premierës, e ne shokët e klasës ishim në sale më shumë se për premierën e “Mrikës”, për premierën e pianistit tone të shtrenjtë. Gjithçka është fiksuar nga kjo opera e pare shqiptare e kritikëve të muzikës nuk duhej t’iu shpëtonte edhe ky fakt I pianistit 16-vjeçar që mbetet unikal në historinë e operas shqiptare.

Nuk do të jetë tashmë surprise fakti që më 1960 Ndok Pistulli 18-vjeçar është pianisti në koncertin e pare simfonik të Preng Jakovës. Ashtu siç nuk është diçka e veçantë për t’u shënuar që ndërkohë ai mbaron përsosmërisht fakultetin matematikë – fizikë të Institutit Pedagogjik të Shkodrës. Dhe që bëhet një mësues i mrekullueshëm , siç thonë ata që kanë punuar me të. Është një mësues matematike i llojit të veçantë, një mësues matematike që organizon dy festivale të këngës në zonën e Zadrimës: organizator, orkestrues, pianist, fizarmoniçist, kompozitor. Mbi të gjitha kompozitor.

E kam parasysh si tani, në atë natë dhjetori të vitit 1963 në Tiranë kur ai kish ardhur për festivalin e dytë të këngës në Radio. Vuri buzën në gaz. Kënga e tij “Kënga të ushtojë” padyshim ndër më të veçantat në ritmikën e saj, nuk kish fituar ndonjë çmim. Madje një kritik në revistën “Nëntori”, shkroi për të se “ritmi i këngës del në plan të pare e prish melodinë”. Mundet! Por rinia e pëlqeu këngën. Në një kartolinë urimi që i dërgonte Ndokës për Vitin e Ri, një kompozitor i njohur i yni, megjithatë do t’i shkruante: “Besoj se me këtë panoramë të bukur do të bësh një këngë të mrekullueshme si atë të festivalit”. Cili kishte të drejtë? Sidoqoftë, ai kompozon edhe këngë të tjera: “Muzg pranveror”, “Dy sy, shtatë nota dhe shumë yje”, e të tjera ku si në titujt ashtu dhe në tekstet që i shkruan vetë, ndjehet poetica e tij.

Dhe synon. Ka mbaruar pra një fakultet, por kërkon një tjetër. Fiton konkursin për në Konservator, po e drejta e studimit megjithatë nuk i jepet. Ish thënë të këputej melodia. Një zyrtar pasi zhbiroi në biografinë e tij gjykoi me një të rënë të lapsit që ky student e mësues i shkëlqyer, ky pianist e kompozitor i talentuar, të mos mësonte më shumë se kaq. Kjo qe drama e tij. Shkon ushtar. Kthehet dhe tash Ndok Pistilli, matematicienti, instrumentalisti e kompozitori me 3 gjuhë të huaja bëhet hekurkthyes! Duart e tij të bukura, , prej të cilave dilte një kaligrafi prej piktori, gishtat e tij të gjatë që me elegancë përkëdhelnin tastierën e pianofortes e që ‘ledhatonin’ topin e volejbollit me një teknikë të përsosur, natyrisht që mund të kthenin edhe hekurin!

E ai si pakkush dinte t’i kapërcente dramat e tij. Si gjithnjë me atë buzagazin e tij sa herë që e takoja në Shkodër e kuptoja që ruante një optimizëm të rrallë tek më fliste deri në hollësi edhe për sportin botëror. Po në mbrëmje nuk i ndahet pianos. Opera <> ia pushton shpirtin në netët e tij. Në libretin e shkruar nga Zef Zorba, është legjenda e Kalasë së Shkodrës. Personazhet janë Rozafa, Platori, Etlani, Dasti, Pritani, Durrahasi, Orakulli i lisit, punëtorë, pleq, zana, Taraboshi, Veriu, Rrufeja, Vajza e liqenit, “Kalaja, kalaja, të naltohet kaslaja e lirisë!”, – ushton prologo. E përfundon operan më 1967. Po edhe ajo do të ishte “një melodi e këputur”.

10 vjet më vonë, më 18 tetor 1977 Ndok Pistulli vdes në moshën 35-vjeçare. E varrosi me nderime gjithë rinia shkodrane. Për ditë të tëra shtëpia e tij nuk reshti nga korteu i pandalshëm i njerëzve që ndronin një nga djemtë më të mirë, një nga djemtë më të talentuar të Shkodrës. “Një melodi e këputur”, bash në lulen e rinisë. Po vërtetë, a këputet melodia? A nuk mbijeton ajo në notat e shkruara? Opera “Rozafa” e Ndok Pistullit që duke qenë opera e një 25-vjeçari, mbetet unitale në historinë e muzikës shqiptare, megjithatë hesht në partitura tash 24 vjet!.

marrë nga gazeta DRITA

(organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë)

Ne në QIKSH Albeuropa dhe mbarë shqiptarët u kërkojmë kompetentëve në Shkodër, që Operan “Rozafa” e të paharrueshmit Ndok Pistulli, të vihet në skenën muzikore, aty ku e kompozoi – aty në Djepin e Kulturës Sonë Kombëtare!!!
(Engjëll KOLIQI, QIKSH Albeuropa)

2 KOMENTE

  1. E pashë te udhes me i shkru dy fjalë per ket djalë, qe me ka lanë nji imazh jashtzakonisht te bukur. E kam njoftë ne punë si hekurkthys ne dy vjetet e fundit te jetes se tij. Rrinte gjithmonë me Viktor Kujgjin, dy burra shumë te pashem dhe me nji nivel shumë te lartë intelektual dhe me karakter shumë te fortë. Un nuk kam njoftë tjerë si ata, me kenaqesi dhe krenari i kujtoj. Ne foto, buzqeshja e tij me kujtoj busqeshjen e kushrinit te tij L. Kurtit, edhe ky nji djalë shumë i mirë ne qytetin tonë.

  2. Ndok Pistulli eshte Figura Intelektuale Shkodrane, Artisti i Talentuar, qe e ruaj ne kujtimet e mia, tek mesuesja ime e pare e pianos, Ida Melguzhi, kur isha vetem 5 vjece. Zoti e deshi prane, e deshi per vehte, Artistin simpatik me buzeqeshjen e sinqerte. I perjetshem Kujtimi i tij !

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.