Para 60 vjetësh Migjeni u nda nga jeta e «kensave» të kësaj bote në një moshë fare të re. Jeta e tij u mbyll në të pakryerën. Por vepra e tij është një realitet i kryer. Është e vështirë të përfytyrohet se si do të ishte zhvillimi i mëtejmë i letërsisë shqipe, sidomos shkalla e modernitetit të saj teknik e problemor, pa veprën e tij. Vetë Migjeni, duke kërkuar idenë në vend të heroit, u bë një hero i mendimit.
Migjeni i ndërroi rrugë letërsisë shqipe. Kishte gati një shekull, qysh se lindi, deri në të hyrë të viteve ’30, që ajo pati mbetur e mbërthyer në lavdinë e “motit të madh”. Evokimi i epokës së Gjergj Kastriotit u kthye në traditë dhe kishte të ngjarë të kthehej në gjedhe letërsie. Konica ishte ndër të parët që provoi të sjellë në vëmendjen e bashkëkohësve nevojën e ndërgjegjes kritike. Fishta arriti ta shpërngulë dhe ta sjellë të paktën tre shekuj më afër kohës letërsinë shqipe, duke hyjnizuar epopenë shqiptare të kohës së Lidhjes së Prizrenit. Migjeni hyri në botën letrare shqiptare që letërsia e vendit të shihej sy ndër sy me kohën. Askush s’kishte mundur ta bënte këtë para tij.
Në një nga krijimet e fundit, që mbeti i papërfunduar, Migjeni bën pyetjen retorike:
“Ku janë zanat? Muzet ku janë?”
Ai e kishte titulluar këtë skicë me emrin “I fundmi Skanderbe”. Është ndoshta i vetmi krijim ku Migjenit i bie në mend “moti i madh” dhe lavdia e qëndresës shqiptare në periudhën e Skënderbeut. Ai pyet dhe nuk pret përgjigje, as nga lexuesi dhe as nga vetja. Shekulli i zanave, i shtojzovalleve, i mitologjizmit të historisë dhe të malësorit shqiptar, ishte mbyllur.
Ishte pikërisht Migjeni që e shmangu letërsinë shqipe nga kulti i epopesë. Ajo kishte lindur bashkë me këtë kult. Poema të mëdha epike shkruan De Rada e Gavril Dara, Naim Frashëri, Zef Skiroi e Gjergj Fishta. Po shihej shumë qartë se kulti i epopesë mund të kthehej në një kryq, në një pëlqesë imperiale. Hyjnizimi i historisë, të jetuarit me të shkuarën, mitizimi i njeriut shqiptar, nxitej edhe nga ekzaltimi i studiuesve të huaj, të cilët, të trembur prej shpejtësisë së zhvillimeve në Perëndim, mendonin se Shqipëria ishte “kështjella e fundit e virtytit në Europë”.
Në përmbyllje të mesjetës, ku njeriu u bë i zoti të prodhojë atë “teshë të vogël” që më vonë u quajt “armë e luftës në distancë”, kreshnikët e eposit shqiptar u tërhoqën në thellësitë e një bote që i kishte ardhur koha të mbyllej. Kështu thotë rapsodi shqiptar, nëse e pyet se ku janë kreshnikët, ku janë zanat e shtojzovallet, ku janë heronjtë me fuqi mitologjike, që vriten e ringjallen. Koha e re nuk i nxe më ata. Ky është ngujimi i parë i epopesë. Ajo u tërhoq pikërisht në kohën kur mendimin njerëzor kishte filluar ta sundonte humanizmi i Rilindjes Europiane. Duhej, tashmë, një letërsi me heronjë të kësaj bote. Arbëreshët morën me vete, në vend të eposit të kreshnikëve, ciklin e Skënderbeut.
Migjeni hapi portën e një letërsie tjetër
Epopeja e sundoi kulturën shqiptare, jo vetëm në formën e saj gojore, si rrëfim legjendar për një botë të cilën “kështu m’kann thanë, atje s’kam kanë”, por edhe si formë e realizmit të letersisë kombëtare. Maks Lamberc, madje mendonte se ” epopeja e madhe” e shqiptarëve është “Lahuta e malësisë”, pas së cilës duhej të vinte eposi i kreshnikëve. Letërsia e italo-shqiptarëve, e cila u prit nga lexuesi si letersi heronjsh, rilindi botën arbërore. Letërsia romantike që zhvillohej në anën e këndejme të Adriatikut, ishte gjithashtu letërsi heronjësh. Në vend të zanave dhe shtojzovalleve kishte Nora dhe Tringa që tërhiqnin zvarrë krerë pashallarësh e sadrazemësh. Malësori shqiptar hynte në letërsi po të ishte i gatshëm “me e ba dekën si me le”. Migjeni hapi portën e një letërsie tjetër pikërisht në kohën kur ekzaltimi i mëtejmë i vlerave tradicionale shqiptare, hyjnizimi i trimnive epike të malësorëve, mund të kthehej në një skemë që riprodhonte prapambetjen, për hir të ekzotimit sqimatar europian.
Nëse heronjtë kreshnikë u mbyllën në një botë të kryer në fund të mesjetës, për t’ia lënë kohën dhe hapësirën njeriut hero, miti i malësorit rapsodik, që lindet hero dhe e sfidon historinë, mbeti jashtë letërsisë me mbërritjen e fenomenit ‘migjen’.Kjo ishte tërheqja e dytë e madhe e epopesë. Migjeni i bëri një shërbim të shkëlqyer mendimit shqiptar me këtë akt.
Letërsia e Migjenit u shfaq në horizontin shqiptar të pritjes në një kohë kur në traditën letrare të vendit heroi ishte, ndoshta pasuria më e madhe. Heqja dorë nga miti i heroit mund t’i shkaktonte një varfëri më të rëndë kësaj letërsie. Migjeni është poeti i heronjve të shembur, i “idhujve pa krena”. Ai e ndryshoi skemën tradicionale të komunikimit estetik. Migjeni kërkoi lexues dhe jo audiencë. Epopeja, nga vetë karakteri i saj, është letërsi për t’u dëgjuar. Migjeni kërkoi dhe arriti një rrafsh tjetër të komunikimit me pritësit e letërsisë.
Me Migjenin, në letërsinë shqipe, hyjnë disa raporte të përgjithshme që kanë shqetësuar shekuj me radhë mendimin njerëzor: jeta dhe vdekja, zoti dhe qenja tokësore, njeriu dhe bota, krijuesi dhe “kensit” e tij, morali i bashkësisë dhe morali i individit, fati i njeriut dhe dhuna e shtetit. Në veprën e Migjenit, emri i Shqipërisë, duke përjashtuar skicën ” Zeneli”, përmendet me shumë kursim. Në disa raste përdoret fjala kombëtare. Në raste të tjera flitet për “birin e Arbërisë”, që don të mbetet „nip fatosash”, por në këtë rast përmendja ka një ngjyrë të lehtë ironike. Në një rast tjetër flitet për Ilirinë. Arti i Migjenit gjendet ngushtë brenda një harte politike. Migjeni e mendonte përparimin e Shqipërisë përmes progresit të njeriut shqiptar. Ai mendoi të lartësojë këtë njeri duke e vënë në mendime.
Vepra e Migjenit i dha fund shikimit historik të jetës në letërsi. Për Migjenin mori rëndësi ideja në vend të heroit. Shikimi historicist nuk mund të bëjë pa mitin e heroit. Por Migjeni vendosi të zbulojë njeriun. Jo njeriun e bëmave të mëdha historike. Ai i hapi dyert e letërsisë për përsonazhe që s’ishin aspak heronj, në kuptimin historicist të fjalës, madje s’ishin as të denjë për të pasur vëmendje kulturore, sipas mendimit të trashëguar. Ky ishte një akt i madh demokratizues. Një malësor i përgjunjur nga jeta e vështirë, një murgeshë që u lutet shenjtëve të falen mëkatet e botës, një malësore që shet veten në vend të qymyrit, një djalosh që gjen paqë me veten të mos flasë për tradhtinë bashkëshortore të së motrës, kur sipas “zakonit heroik” duhej t’i jepte dhëndrrit fishekun në pajë, kjo është një galeri e tërë personazhesh migjenianë, që do të mund të quheshin “heronj të dobësisë”.
Migjeni ishte në rrjedhat më të përparuara të mendimit evropian. Brenda është pesimizmi intelektual dhe dëshprimi planetar i shkrimtarëve më të njohur, për botë idesh. Kalimi prej mitit të heroit tek miti i idesë është një hap i madh emancipimi në lëvizjën mendore dhe në letërsi. Pikërisht pse arriti të hedhë këtë hap, ai është “poeti që lind poetë”, siç thotë Dritëro Agolli, ose “modernizuesi më i madh i poezisë shqipe, prej së cilës kemi dalë të gjithë”.
Hapi ideor që hodhi Migjeni është aq i rëndësishëm, sa që, duke lexuar veprën e tij, njeriu mund të pyesë nëse mendësia e sotme është para apo prapa tij.
“Përditë perëndojnë zotat”. Ky është vargu i parë me të cilin hapet i vetmi vëllim me poezi që arriti të botojë Migjeni. “Dhe tash s’po dihet ma se kush ashtë zot e kush njeri”. Tek Migjeni kultin e fuqisë trimërishte epike e zuri kulti i fuqisë mendore. Në veprën e tij s’ka më konflikte iliro-sllave apo shqiptaro-turke. Konflikti i vetëm është ai i njeriut me fatin e tij, i njeriut që kërkon përsosjen, por përditë e më shumë ndien rrënimin.
«Të dali nji njeri,
Të mkambi një kohë të re,
Të krijojë një epope!»
Ja pra që edhe Migjeni e ka kërkuar epopenë. Sepse «të gjithë popujt po dehen n’epopena t’veta». Por epopeja e përthirrur nga Migjeni nuk ka të bëjë me ndonjë luftë dhe me heroizma shpate: është ajo epopeja që mbështetet në «një ide të re, në një ideal bujarie. Si poet, si qytetar, si njeri i mendimit, Migjeni duket qartë se nuk ka besim tek heroizmi i vjetër. Shpëtimin e shoqërisë ai e kërkon nëpërmjet mitit të idesë. Por jo çdo ide mund të shërbejë si një mit. Jo çdo ide mund të rilindë njeriun dhe aq më tepër ta përkryejë atë.
Kur flitet për mitin e idesë, njeriu menjëherë kujtohet për poezi të tilla, si: «Trajtat e mbinjeriut» apo «Të lindet njeriu». Por, poeti nuk i beson aq kollaj një ideje të vetme, qoftë edhe asaj të mbinjeriut. Frika se njeriu ka shkuar përpara duke bërë për vete më shumë shejtaninë e hyjnisë se shejtninë e saj e tremb gjer në palcë atë. Arti i Migjenit vjen deri më sot si një blasfemi planetare. Kush do të fitojë? Njeriu që mësoi të zbukurojë kënaqësinë banale të derrit me fytyrën e përvujtur të Sokratit apo ai njeriu tjetër, që do të fillojë ringritjen e kullës së Babelit, dhe tashmë nuk do të ndalet prej mosmarrëveshjes, por do të mbërrijë deri në krye dhe do të thërrasë fuqishëm: „Perëndi ku je?!”.
Migjeni është një poet që kërkon aleatë. Ai mund të bëhet aleat jo vetëm me nxënësit varfanjakë dhe lypsarët e rrugëve të qytetit të veriut, por edhe me „njenën nga ato”, me cubin „të qenë e të paqenë”, me cilindo që është i prirur, nga frymëzimi apo nga rrethanat, të ndryshojë rrugën e jetës. Migjeni është hapur kundër atyre që „nipa donë me mbetë”, qoftë edhe
«nipa të vërtetë,
me atdhe e fe ndër andrrat e thata».
Ai e don dhe e profetizon ndryshimin, qoftë edhe duke «ia fillue një të qeshunit universal, me ja fillue nji të qeshunit qi ka për me tundë kozmosin me planetat dhe sferat në të».
Migjeni provoi që vetë malësorin epik, njeriun e një letërsie të tërë, ta tërheqë nga kulti i heroit tek miti i idesë. Poezia „Recital i malësorit” është shenjuese e kësaj fryme. Malësori vjen tek lexuesi përmes botës së fuqishme të Migjenit jo të sfidojë botën e qytetëruar me lashtësinë e virtyteve të tij, jo si një prej «homerikëve të fundit të botës», por si një qenie e sfilitur prej pafuqisë dhe mundimit:
«Unë – lugat, si hije e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem në bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaquna t’instiktit».
Të ecësh si njeriu dhe jo si gaforrja, kjo është dëshira e poetit
Mbetet një prej meritave qytetëruese të poetit të madh të «Vargjeve të lira» prirja e tij e qëndrueshme për ta parë botën nga poshtë, për të refuzuar çdo shtresëzim doktrinar të saj. Migjeni gjeti prehje në ferr dhe përhumbje në parajsë. Ai prin përpara me mitin e idesë kur thotë se është gati “pash më pash me i ra ferrit” apo kur formulon dedikimin e shtatores së ngrirë në një familje të braktisur. Duke pëlqyer vetën e bashkësisë, poeti shkruan:
«Na t’shprehun t’ngushlluem gjetme në vaj,
Mjerimet i mormë në pajë
me jetën, se kjo botë mbarë,
ndër gji të univerzumit asht nji varrë».
Migjeni shprehu vetëdijen kritike të kulturës shqiptare. Në skicën «Husarët në Adriatik» ai e trondit bashkudhtarin e vet më shumë se dallgëzimi i detit, duke ironizuar thellë «stërgjyshërit tonë ilirë», që e «fitojshin bukën si burra të lirë», duke grabitur anijet romake, dhe «vdiqshin si burra të lirë, por nuk shajshin». Migjeni ndien tmerrin e njeriut të mposhtur prej iluzionit të lavdisë. Ai bëri gjithçka që kishte të mundur për të ekzorcuar nga njeriu shqiptar kompleksin e heroit epik dhe iluzionin e një lavdie të fryrë. Jo heroi, por njeriu; jo historia me lavdinë e saj, por individi me mundimin e tij; të ecësh si njeriu dhe jo si gaforrja, kjo është dëshira e poetit. Migjeni i shtroi të gjitha pyetjet ontologjike, që kanë të bëjnë me thelbin e njeriut. Me këto pyetje ai shmangu “përgjegjësinë para historisë”. Për njeriun e Migjenit është luks të mendojë se ç’do të thotë historia për të. Ai nuk ka nge. E shumta, ai mund të preokupohet për opinionin, të mos ketë skandal.
Duke rrëzuar mitin e heroit, qoftë ky hero kulturor, fetar, kombëtar, ndërkombëtar; heroi i traditës historike apo i asaj letrare, Migjeni preku një nga pasuritë më të rëndësishme të letërsisë shqipe të deritatëhershme. Ai rrezikoi të krijonte një boshllëk të madh. Por talenti i fuqishëm i dha shansin atij dhe vetë letërsisë shqipe të tejkalonte një vonesë që po zgjatej. Ai solli në vend të tyre, në vendin e hyjnisë dhe të idhujve pa krena, në vendin e permendoreve të mermerta dhe të permendoreve ambulante, që rronin «si nip-stërnipa», njeriun e pazbuluar, njeriun që gjendej nën pushtetin dhe eklipsin e heronjve legjendarë, njeriun që mund ta shtynte para jetën e tij dhe të bashkësisë duke ndryshuar mendësinë, moralin, vetëdijen komunitare. Me këtë, ai futi në letërsi përmasën e së tashmes.