Kisha e Shirqit, vendi ku martoheshin princërit

1
9087

Aurel Plasari: Bizhuja e humbur e Shirqit
HISTORI SHKODRANE
Kisha Zoja e Shkodrës
Xhamia e Plumbit
Kisha ortodokse
Sahati i Inglizit
Teatri shkodran


SHKODER – 24.12.2002, Gazeta Shqiptare

Kisha e Shirqit Një anë muri dhe një gur i gjatë janë gjithçka që ka mbetur nga kisha në të cilën shekuj më parë kurorëzoheshin princër malazezë e shqiptarë. Përposhtë rrënojave të saj flenë ende eshtra princërish të paemër, kurse koska të tjerë fisnikësh të pafat kanë dalë jashtë varreve të shkatërruara nga erozioni për të përfunduar kushedi se ku. Bëhet fjalë për Kishën e Shirqit, një nga vlerat më të mëdha historike dhe kulturore të vendit tonë.

Pas dhjetë vitesh shkatërrim, dikush është kujtuar për kishën e njohur, e cila deri vonë shihej me indiferentizëm, pasi konsiderohej se ishte kishë malazeze. Një projekt i Ministrisë së Kulturës do t’i kthejë rrënojat e Kishës së Shirqit në zonë turistike.

Historia

Vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, në të djathtë të fshatit Dajç, buzë vendit ku bashkohet lumi Drin me Bunën, ndodhet Kisha e Shirqit. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI si kushtim ndaj dy martirëve të kishës bizantine, Serçit dhe Bakut, varret e të cilëve ndodhen pranë lumit Eufrat në Azi, afër një kështjelle të quajtur Rozafa. Aktualisht specialistët po punojnë për të zbardhur enigmën e lidhjes së Rozafës së largët me emrat dhe historinë e Kishës së Shirqit.

Ndërkohë historianët pohojnë se kisha ka qenë vendi i preferuar i princërve malazezë e shqiptarë, kryesisht për martesat e tyre. Helena e Rashës, princesha e Bizantit dhe vajza e perandorit latin, Balduin, ka qenë një ndër figurat më të lidhura me Kishën e Shirqit. Pikërisht këtu ajo ka bërë kurorëzimin e saj. Sipas dokumenteve historike, princesha helene në vitin 1290 ka bërë rikonstruksionin e kishës. Arkitektura e kishës është tepër e veçantë. Eshtë një përzierje e stilit roman me atë gotik. Sipas historianëve, Kisha e Shirqit ka ruajtur formën e plotë të saj deri para 200 viteve. Që nga ajo kohë ajo është shkatërruar gradualisht. Shkatërrimi i plotë i saj konsiderohet të jetë bërë 10 vitet e fundit, pasi shteti nuk vuri dorë mbi të.

Rrënojat

Nga kisha e njohur e Shirqit ka mbetur shumë pak: një anë muri dhe një gur i gjatë. Specialistët i quajnë “nefsi jugor dhe një pilaster guri”. Para 10 vitesh ka pasur edhe një fasadë tjetër muri dhe një shtyllë, të cilat i ka shkërmoqur erozioni së bashku me varret që gjendeshin aty. Fasada e murit të mbetur është e bërë me gurë të latuar dhe me disa rreshta tullash të holla. Harqet janë tepër të veçanta. Megjithëse ajo ç’ka mbetur është shumë pak, Ministria e Kulturës e konsideron Kishën e Shirqit si një monumet me vlerë të madhe historike dhe kulturore.

Projekti

Megjithëse me shumë vonesë, Ministria e Kulturës është kujtuar për Kishën e Shirqit, e cila përfshihet në monumentet kulturore më të rëndësishme të qarkut të Shkodrës e të vendit. Vetëm disa muaj më parë kjo ministri dha një fond prej 5,2 milionë lekësh për mbrojtjen nga erozioni të kishës (kjo konsiderohet si faza fillestare). Për fazën e dytë ende nuk ka një fond të përcaktuar, pasi fillimisht do të hartohet projekti për të vazhduar punimet në të. Për hartimin e projektit do të marrin pjesë: Instituti i Monumenteve të Kulturës në Tiranë, homologë malazezë, si dhe specialistë nga Vatikani (Kisha e Shirqit është marrë në varësi nga Kisha Katolike). Mendohet që në këtë projekt do të përfshihen edhe gërmimet për të zbuluar gjithçka të mbetur nga historia e dikurshme e saj. Ministria e Kulturës synon kalimin e Kishës së Shirqit në turizëm kulturor.


Kisha e Shirqit, vendi i martesave te medha

Dy dite me pare, eshte bere perurimi i argjinatures mbrojtese te lumit Buna ne pjesen prane Kishes se Lashte te Shirqit. Kjo eshte faza e pare e nderhyrjes ne kete objekt kulti me vlera te ralla historike dhe arkitektonike. Per te marre pjese ne perurim ka qene edhe Ministrja e Kultures Arta Dade, si dhe Drejtori i Institutit te Monumenteve te Kultures, Gazmend Muka. Ministrja Dade ka premtuar nje vemendje me te madhe ndaj ketij objekti deshmi te trashegimise kulturore te shqiptareve. Ndersa eshte lene te kuptohet se tashme eshte vendosur nje marreveshje ne mes te Vatikanit dhe te Kishes Katolike shqiptare per rimekembjen e kesaj Kishe dhe te Vaut te Dejes.

Sipas Ministres Dade, e cila ka zhvilluar nje takim ne Arqipeshkvine e Shkodres me Arqipeshkvin e Shkodres, imzot Angjelo Massafra, “Tashme Kisha e Shirqit qe eshte nje nga elementet kryesore te trashegimise tone kulturore e ndertuar qe ne shekullin e gjashte, ka pasur sot nderhyrjen e saj te pare mbrojtese ne ambjentet e jashtme. Ne do te bashkepunojme me specialiste te Vatikanit dhe me specialiste te Malit te Zi per te bere te mundur rimekembjen e lavdise se dikurshme te Kishes se Shirqit”. Projekti per argjinaturen e Bunes ka pasur nje vlere prej 52 milione lekesh dhe eshte ndertuar nje prite qe do te pengoje gerryerjen e shtratit te lumit Buna, ku dhe eshte vendosur Kisha qe prej 1400 vitesh.

KISHA E LASHTE

Rreth 20 km larg Shkodres, ne bregun e majte te lumit Buna, aty ku bashkohet me Drinin, pjese e Komunes se Dajcit, ndodhet nje fshat i vogel me pak banore qe ne emertimet e vjetra toponimike eshte quajtur Shirq. Fshati shtrihet ne breg te lumit nga njera ane, ndersa nga ana tjeter ndodhet nje livadh e bri tij nje pyll me bukuri te rralle natyrore. Per banoret e vjeter te Shirqit, nje here e nje kohe ishte krenari te kishe origjinen nga ky fshat. E ndoshta kjo i ka rrenjet shekuj me pare, ne kishen e famshme qe koha pas ndertimit i pat dhene edhe famen fshatit buze Bunes. Dikur, ne vitet ’30, Shirqi ishte pika e preferuar e te rinjve shkodrane, te cilet organizonin ne grupe piknike dhe lojera. Shkrimtari i madh shkodran Ernest Koliqi, ne tregimet e veta ne vellimet “Hane gjaku” dhe “Tregtar Flamujsh” citon, jo nje here, pikniket e atehershem te rinise ne Shirq. Ndersa pas viteve ’70 livadhet e madje edhe pylli per pak kohe u rrafshuan.

Me nje urdher te ministres se atehershme Lenka Cuko, u kthyen ne toka buke qe nuk prodhuan buke thuajse asnjehere. Prej asaj kohe dhe me vone, me nje menyre ose tjeter, familjet nisen te shpernguleshin qe aty. Por, ne historine qindravjecare te Shirqit, mbetet kryefjale vetem kisha e lashte me te njejtin emer. Dikur ajo kishte nje madheshti qe pak monumente religjioze ne Shqiperine e Veriut mund ta kene. Megjithese ende mbetet e pasakte data e ndertimit te kishes se Shirqit, studiuesit e sjellin ate nga shekulli i trembedhjete e ketej. Ne qelen e saj Pjeter Bogdani mund te kete radhitur faqe te tera te “Ceta e Profeteve”, ne vitin 1685. “Nga dritarja e Kishes te Shirqit mund te shikosh te tere fushen e Shkodres”, shkruante asokohe murgu Bogdan. Ne rrjedhen normale dhe anormale te diteve kisha ka ardhur duke u demtuar se tepermi. Sot nga ajo kane mbetur vetem pak fragmente muresh relike te nje kohe te lavdishme dhe te lumtur si dhe ca varre te murgjve te koherave, shume pak te tille, te cilet rrezikohen perdite te rrembehen nga lumi.

PAK HISTORI

Kisha e Shirqit eshte sot monumenti me me vlere nga pikepamja historike dhe arkitektonike. Ne te thuhet te jene lidhur martesa te princerve malazeze dhe shqiptare per kohe e kohe me radhe. Ne librat e lashte te kishes te zhdukur nga lloj-lloj furtunash, sipas fshatareve te ketyre aneve, kane qene te dokumentuar pikerisht keto lidhje. Ende nuk dihet sakte se cila eshte data fikse e ndertimit te kishes. Ne librin me titull “Arkitektura mesjetare e Shqiperise” Prof. Aleksander Meksi, duke folur per Kishen e Shirqit, citon dy mbishkrime te vjetra te gjendura ne mjediset e Kishes, te cilat perbejne objekt diskutimi per daten e sakte te ndertimit te Kishes. “Kane qene dy mbishkrime te vjetra, njeri ne Arkikrahun e rrafshet dhe tjetri ne shpatullen e majte te portes perendimore”, thote Meksi ne librin e tij. Sipas studiuesit, me i vjetri ka qene mbishkrimi i shpatulles se portes. “Ky mbishkrim flet per ndertimin e Kishes ne vitin 1290 nga mbreteresha Helena me 2 djemte e saj Uors dhe Stefani”.

Ndersa studiuesi flet edhe per mbishkrimin tjeter me te ri, i cili e con daten e ndertimit te objektit aty nga vitit 1318, nga Stefan Uorsi i Dyte, djali i madh i mbretereshes serbe Helena qe sundoi ne Serbi. Ndersa, sipas drejtorit te Deges se Monumenteve te Kultures ne Shkoder, Marash Plepi, “Ndertimi i Kishes datohet ne mes te viteve 1213 deri ne 1260”. Gjithsesi, keto jane pika te diskutueshme dhe ende nuk jane te prera. Ne logjiken e kohes te sotme duhet te kete pasur ndonje lidhje martesore, ose ndonje nenshkrim paqeje qe u shperblye me ndertimin e Kishes te famshme. Qe nga momenti i ndertimit e deri vone ne kete kishe jane lidhur shume martesa te princerve serbe dhe malazeze. Princat i benin dhurate martesore zonjave te tyre martesen dhe kuroren ne nje kishe te tille.

Vite dhe shekuj me vone kisha do te humbiste pak nga pak famen e saj per te ardhur ne nje kishe me te thjeshte tipike per Shqiperine e Veriut. Ndersa gjithnje ketu u varrosen murgjit dhe njerezit e rendesishem te fese kristiane. Fshataret tregojne se dikur ne oborrin e kishes ndodheshin shume varre. “Mbaj mend te kete pasur nja njeqind a me shume varre, kur une isha femije. Im ate me tregonte se kishte pasur me shume. Ca i pat prishur turku e disa te tjera komunizmi”, thote keshtu Jak Ejlli, 80-vjecar. Sot varret i merr me vete rrjedha e Bunes. Mund te dallosh me sy te lire varre, te cilat jane krejt ne buze te ujit. Madje ne nje kohe me shume shi, ose ne thatesire te madhe edhe kockat te vdekurve notojne ne ujin e Bunes. Kjo eshte menxyra me e madhe qe koha mund te punoje ketu.

NDERTIMI DHE PAMJA

Nje cope mur i larte i veshur me gjelberim kacavjerres. Nese nuk dallon kryqin a kembanoren, as qe te bie ndermend se kjo eshte kisha. Fshataret sa here kalojne aty pari ndalin kembet, pergjunjen dhe me pas bejne kryq e duke thene “Falemi Meri”, largohen serish te qete. Ndersa madheshtor dhe i demshem ne bri te Kishes, lumi ben gjithnje te veten. Uji ne disa vende nuk ka ngjyren e vet normale, por ngjan sterre, ndersa shtrati merr me vete eshtra, gure e tulla, te cilet duhet te jene pjese e mureve te Kishes. Rrenojat e saj ne pjesen me te madhe jane rrembyer nga lumi. Shkallet e ruajtura paksa na japin mundesine per te kuptuar sesi ka qene e ndertuar njehere e nje kohe ky objekt kulti. “Deri vone nga objeki ruheshin faqja perendimore dhe ajo jugore, nje pjese e murit lindor si dhe 5 pilastra. Sot, prej tyre, ruhet pak me shume se gjysma”, thote Aleksander Meksi.

Pjesa e ruajtur ka nje ndertim interesant jo te zakonshem per syrin e njeriut. Ajo perbehet nga mure te ndertuara me gure dhe tulla, me te cilet sipas specialisteve te arkitektures se Shkodres jane ndertuar 2 harqe te verbera. Muri ne mes te harqeve eshte ndertuar ma 6 radhe guresh dhe tulla te alternuara. Ky lloj ndertimi eshte i vecante dhe mund te arsyetosh per kohe dhe madje edhe per rikonstruksionet qe i jane bere Kishes te Shirqit. Ne gjuhen e specialisteve ketu dalin ne plan te pare ato qe quhen mite. Mitja e pare nga perendimi ka nje dritare te larte, e punuar sipas stilit arkaik romak gotik te bregdetit te Adriatikut, me harqe te mprehta dhe me shpatulla te brendshme dhe te jashtme. Muri perendimor perfundon ne frontal me 4 pilastra, dy ne mes e dy ne qoshe. Pjeset anesore te murit jane te perbera me harqe te mprehta. Ne anen jugore ndodhet nje kembanore. Kisha mund te vizitohet nga gjithekush. Askush nuk te pengon te hysh brenda. Ka ca punetore qe merren me pendat aty pari, por ata punojne te qete. Kisha mbushet plot te premteve. Zakonisht ne kohet e nxehta ketu behen ritet e Shen Premtes.

PO TANI

Deputeti i zones, Valentin Palaj, ka bere disa interpelanca ne Parlament per problemin e Kishes se Shirqit. Madje, duket se problemi ka nje pafundesi moszgjidhjesh. Pak vite me pare, sipas Palaj, ketu u vune disa penda. “Te pakten per pak kohe lumi u ndalua te depertonte ne oborrin e kishes”. Sot punohet serish per kete problem. Ideja eshte ne kthimin e Kishes, ne nje objekt me vlera muzeale. Ketu do te ndertohet edhe nje dhome muze. Dega e Monumenteve te Kultures eshte duke bere restaurimet dhe punimet e duhura. Sipas drejtorit te kesaj dege Marash Plepi, ekziston nje projekt ne dy faza. “Ne fazen e pare u parashikua ndertimi i pendave mbrojtese te varreve. Ndersa ne fazen e dyte ndertimi i nje dhome muze ne ambientet e Kishes”. Sipas Prefektit te Shkodres, Gjergj Liqejza, e gjithe zona mund te perfitoje nje status te vecante nga kjo kishe. “Ketu mund te zhvillohet turizmi historik. Pas nje rimekembjeje turiste te ndryshem mund te vizitojne kishen e lashte. Kisha eshte ne qender te vemendjes. Specialistet e Vatikanit dhe ato te Malit te Zi do te punojne per restaurimin e saj, objekt qe nderthur kultura te ndryshme kombetare”, ka thene Gjergj Liqejza.

Rudina LLazari, Koha Jone, 23 dhjetor 2002


BIZHUJA E HUMBUR E SHIRGJIT

— nga Aurel Plasari

Kisha e moçme kushtuar shenjtërve Sergji dhe Baku në Shirgj të bregut të Bunës pranë Shkodrës, që njihej në popull edhe si “e Shna Prendes”, ka përfaqësuar mbetjen ndoshta më të shquar të arkitekturës mesjetare në Shqipëri. Të mbahet parasysh se në Mesjetë Shirgji pati funksionuar si skela e Shkodrës dhe si doganë. Sikurse e shumta e hulumtuesve të saj e kanë pranuar, kisha i përkiste një stili të përzier romanik-gotik. Mbështetur në njërin nga dy mbishkrimet në gur, që pati regjistruar, lexuar dhe transliteruar Theodor Ippen-i, atij që në kohën e tij ndodhej në fasadën ballore, kisha delte e ndërtuar në vitin 1290 prej mbretëreshës frënge Helenë. Mbretëresha Helenë ishte bijë e perandorit Baldovin II, grua e mbretit të Rashës Urosh I dhe regjente e mbretërisë së Rashës gjatë miturisë së bijve të saj Stefan (Dragutinit) dhe Urosh (Milutinit).

Për t’u habitur që Ippen-i nuk i ka kushtuar vëmendje të plotë përmbajtjes së këtij mbishkrimi të parë, në të cilin thuhet shtjellimisht “edificavit de novo istam ecclesiam” (pra: “e rindërtoi së rishti këtë kishë”), çfarë do të thotë që Helena pati bërë një rikonstruksion/rindërtim të një kishe paraekzistuese, e cila është e besueshme t’i ketë përkitur kohës së Justinianit, kur kulti i Sergjit dhe Bakut martirë u përhap në Siri, Arabi, Irak, Kostandinopojë, Peloponez, Maqedoni etj. Mbështetur në tekstin apokrif Jeta e Justinianit (Apocrypha Vita Justiniani), autorët e Acta-ve janë përpjekur të saktësojnë që kisha në fjalë lidhet me një manastir aty paraekzistues të urdhrit të Shën Benediktit themeluar nga vetë perandori Justinian në shek. VI (Acta, I, nr. 76).

Simbas mbishkrimit të dytë, që ndodhej mbi arkitraun e portës kryesore, kisha del edhe e ndërtuar nga mbreti Urosh (Milutini), pa përmendjen e s’ëmës Helenë, por me ndihmën e një abati shkodran të quajtur Pjetër Dochne. Bllokun e gurit Ippen-i e gjeti të dëmtuar rreth mesit të tij, pikërisht aty ku duhej të ishte edhe viti, dhe e dha vitin me hamendje 1293. Por mbishkrimet qenë botuar më 1875 edhe nga Augustin Theiner-i (Monumente të vjetra, II, 218), i cili i jepte simbas një relacioni që e konsideronte të Pjetër Bogdanit, dhe ky mbishkrim i dytë në këtë relacion rezulton i vitit 1318. Po kështu e kanë dhënë më 1879 Jireèeku (Rrugët tregtare, 66 shën. 210) dhe më mbas Jastrebovi, i cili edhe e vizitoi kishën e rrënuar (Serbia e Vjetër dhe Arbëria, 160). Duke qenë se në botimet në fjalë (në relacionin) nuk përmendet ndonjë thyerje guri, duhet besuar që të jetë i saktë 1318-a. Ka gjasë që në këtë mbishkrim të jetë fjala për një ndërtim të dytë (ose të tretë të kishës nga Uroshi për shkak të dëmtimit të saj prej ujërave të Bunës dhe nevojës së tërheqjes në një kishë tjetër, më në brendatokë.

Dëmtimet që kishte pësuar kisha me pushtimin osman gjenden të përshkruara, ndër të tjerë, prej Imzot Marin Bizzi-t në Relacionin e tij të 1611-s. “Ishte me një strukturë të madhërishme, – shkruan ai për të, – në gjendje të nxinte brenda 3.000 vetë dhe stolisur me piktura shenjtërish të cilëve turqit ua kishin nxjerrë sytë, përpos Shën Gjergjit dhe Shën Mhillit, mbasi këta dy shenjtër nderoheshin edhe prej muslimanëve” (Zamputi: Relacione, I, 103). E ka përshkruar në një relacion të vitit 1622 edhe Ipeshkvi i Shkodrës Imzot Domeniku (Qytetërimi katolik, 6 korrik 1929, 16). Edhe Arkipeshkvi i Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajevici, e ka përshkruar në Relacionin e vet të vitit 1702: me tri nefe të zbukuruara, 24 hapa e gjatë dhe 24 e gjerë, e stolisur e gjitha në mermere të holla dhe e pikturuar a fresco mbas mënyrës së vjetër, por e zbuluar prej turqve që kishin nevojë për tjegulla dhe në rrezik shembjeje në shumë vende, me sakristinë pa çati dhe gjysmë të rrënuar, si dhe me kambanaren të rrëzuar (Bartl: Quellen, 41-42). Edhe tjetri arkipeshkëv i Tivarit, Imzot Vladagni, i kushtonte vëmendje asaj në Relacionin e vitit 1772, duke dhënë njoftime për të të përmbledhura (Zibaldone, I, 380). “Kambanarja e saj është shembur, muret mbahen ende, por në gjendje të keqe”, ka shënuar ai. Po kështu ka dhënë njoftime për të, në një relacion të vetin po të 1772-shit, Imzot Gjergj Radovani, Ipeshkëv i Shkodrës (Zibaldone, I, 157).

Në kapërcyell të shekujve XIX-XX dhanë e morën me studimin e kësaj kishe hulumtues shumtë, si Schwatz (Mali i Zi, Leipzig 1888, 204), Matkovic (Përshkrim, 251), Mijatovic (Kumtari, XLIX, 128), Karl Patsch (Njohuri, Sarajevo 1907, V, 9 dhe vij.) etj. dhe, me sa duket njëkohësisht, konsulli frëng në Shkodër Degrand dhe konsulli austro-hungar po aty Ippen. Në Kisha të vjetra dhe rrënoja kishash në Shqipëri (1900) Ippen-i bëri inventarin e saj të asaj kohe, regjistroi, lexoi dhe transliteroi dy mbishkrimet, përshkroi teknikën e ndërtimit dhe llojet e materialeve të ndërtimit. Me rëndësi për historinë kishëtare dhe kulturore vërejtja e tij: “Mbretëresha Helenë mbeti një katolike besnike, ndonëse ajo nëpërmjet martesës kishte ardhur në një familje dhe në një vend që lëkundej midis besimit katolik dhe atij grek [ortodoks]” (230). Ippen-i u shqetësua edhe për të ardhmen e rrezikuar të këtij monumenti të rrallë: “Mjerisht ky monument i bukur, për shkak të parregullsisë së trishtueshme dhe gjendjes së keqe të sistemit lumor në provincën e Shkodrës, mund të ruhet vetëm për pak kohë.

Ujët e lumit përparon paprerë drejt kishës, saqë fasada anësore që sheh andej tani është nën ujë, e rrëzuar në shtratin e lumit. Ekziston rreziku që Buna të shkëpusë nga bregu atë copë toke mbi të cilën ngrihet kisha, duke e shpëlarë më mbas ndërtesën, që do të mbetej si ishull, me vërshimet e njëmbasnjëshme. Në këtë rast zona e Bunës do të humbiste një simbol, i cili nga kurora e drurëve shekullorë që rrethojnë kishën spikat që së largu përmbi fushë” (229). Degrand-i, nga ana e tij, e ka lënë të pëshkruar në Kujtime nga Shqipëria e Epërme (1901, 95-96). Ai regjistroi shumë mbetje, që mund të gjendeshin ende në kohën e tij: një shtyllëz, një basoreliev (me një shqipe me krahë të hapur përmbi), kupën e ujit të bekuar me stolisje të veçanta, por edhe mbetje pikturash me figura shenjtërish, madje në një pjesë të paprishur të kupolës një figurë të madhe me mjekër të zezë, ndërsa nëpër muret shenjtër tre nga tre (96).

Në vitet ‘30 u mor me përshkrimin e saj edhe E. Armao, në veprën e vet kërshërore Vende, kisha, lumenj, male dhe toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë veriore (1933). Hulumtuesi tjetër italian Sergio Bettini, që e vizitoi dhe e studioi atë po në vittet ‘30, bëri mjaft matje dhe përsaktësime sa i përket stilit të saj, mënyrës dhe materialeve të ndërtimit. Ai vinte re edhe: “Duke ardhur nga veriu, të duhet të bartesh më not me kalë nëpër ujët gjithë baltë të lumit. Për t’iu ngjitur bregut, kafsha çukërmon dhe rrëshqet mbi grumbuj tullash dhe rrasash guri, që janë mbetjet e krejt nefit të majtë të kishës, e gërryer në themele dhe e tërhequr poshtë nga ujërat e lumit, që në stinën e shirave depërton edhe mes pilastrave të mbetur në brendësi dhe që për një kohë të shkurtër do të shkatërrojë çdo gjurmë të asaj që është ndoshta mbetja më e shquar e arkitekturës mesjetare në mbarë Shqipërinë” (Dëshmi, 113-114).

Po në vitet ‘30 me historikun e saj u mor përimtisht historiani At Marin Sirdani në punimin Mbretnesha Helena de Francia dhe Kisha e Shna Prendes në Shirq (“Hylli i Dritës”, II, 1930). Ky bëri matje të reja të reja të kishës, përshkrim të hollësishëm gjithashtu me dhëna të reja të saj, dhe pati mendjen e hollë të vinte re elementet bizantine në stilin e saj (81). Çfarë ka më rëndësi, ai ia doli të ndante mirë dy kishat pranezistuese njëra me tjetrën aty: atë të Shna Prendes me mbishkrimin përkatës dhe atë të Shna Bakut ose, si e thërrisnin vendësit, Shna Baftit, me mbishkrimin e saj (83-84).

Në vitin 1953 gurët me mbishkrime i gjeti në ujët e Bunës Theofan Popa, i nxori së andejmi dhe ata u vendosën në Muzeun e Shkodrës (Mbishkrime, nr. 914). Sa u përket dy mbishkrimeve, Popa ishte i mendimit që rindërtimi i Uroshit (Milutin) mund të jetë bërë eventualisht në vendin e ndonjë kapele të vogël paraekzistuese të Shna Prendes, përderisa në popull kisha vijonte të quhej “e Shna Prendes” dhe, në këtë mënyrë, gjen shpjegim edhe ekzistimi i dy mbishkrimeve të ndryshme në të njëjtën ndërtesë (Mbishkrime, nr. 914); teza e tij qe pak a shumë ajo që kishte shtjelluar Sirdani më 1930-n (Mbretnesha Helena, 75-90). Nga vitet ‘60 e këndej u interesua për këtë kishë posaçërisht Willy Kamsi, i cili madje ia doli të shpëtonte ndonjë mbetje, por edhe t’i parashtronte përfundimet e hulumtimeve të tij në kumtesa, si Një kishë e stilit romanik-gotik në Shqipërinë e Veriut (1984) dhe Kisha e kuvende të Shkodrës me rrethina në Mesjetë (2000) etj.; prej tij pritet edhe monografia e plotë për këtë monument.

Kamsi gjithashtu ka sqaruar se kisha në fjalë, si dhe ajo e Shtojit apo ajo e Vaut të Dejës etj., kanë qenë kisha me kuvende të Urdhrit benediktin, prandaj është pa vend mëtimi që ato t’i kenë përkitur ortodoksisë sllave; edhe fakti që ndonjë prej tyre, si kjo e Shirgjit, u pat ndërtuar prej Helenës, së shoqes së Uroshit II, nuk provon gjë, mbasi ajo ishte katolike dhe vetëm më vonë, së toku me të bijtë, do të kalonte në ortodoksi (Kisha, 123). Po shtoj se kjo gjendje vërtetohet edhe prej burimesh dokumentare, ndër të cilat një letër e 23 marsit 1291 (pra një vit mbas rindërtimit të kishës së Shirgjit) me të cilën papa Nikollë IV lavdëron “mbretëreshën katolike” Helenë që, nëpërmjet Marinit arkipeshkëv i Tivarit, e ka bërë me dije se do të punojë për të kthyer në katolicizëm edhe Perandorin e bullgarëve (Cordignano & Valentini: Regesti, nr. 75-76).

Guri me mbishkrimin e vitit 1290 ruhet sot në Muzeun Kombëtar, Tiranë, ndërsa ai me mbishkrimin tjetër, të 1318-s, ndodhet në Muzeun Historik të Shkodrës. Prej monumentit në fjalë mbetet gjithnjë më pako-gjë: një gjysmë mur që ende mbahet, rrënojat thuajse më të shumtat nën ujërat e Bunës dhe, fatmirësisht, fotot dhe skicat e bëra nga një Ippen, një Degrand, një Cordignano, një Bettini etj. Në këtë mënyrë shqiptarët panë se si erdhi e humbi para syve të tyre, dalngadalë dhe shekull mbas shekulli, mbetja ndoshta më e shquar e arkitekturës mesjetare për Shqipërinë: bizhuja e Shirgjit.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.