Ana tjetër e pasqyrës

1
5179

Mbi librin me intervista, me të njëjtin titull, të poetit Gjekë Marinaj

— nga Arben Çokaj, 26 nëntor 2003

Arben Çokaj Poeti Gjekë Marinaj ka ndryshuar stil. Ai nuk e ka për zor të luajë edhe rolin e gazetarit, që me pyetjet e tij kurioze drejtuar për personalitete me famë botërore e shqiptare të artit e letërsisë, politikës dhe sportit, të sjellë para lexuesit shqiptar një libër me intervisa sa interesant aq edhe domethënës. Marinaj fokusohet mbi tre fusha të ndryshme të marrëdhënieve shoqërore, të cilat në plan të parë nuk duket se kanë shumë lidhje me njëra-tjetrën, por që padyshim ndikojnë në ndërgjegjen shoqërore, emocionet, pasionin dhe ndjenjat e njerëzve, hapësirën e mendimit dhe forcën konceptuale, bukurinë estetike apo tingullin esencial të një vargu, secila më shumë apo më pak se tjetra.

Politika, Sporti dhe Poezia. Një simbiozë tredimensionale me kahje diverse të shkrira në një libër, që kur e përfundon së lexuari, ndjen një shije të këndshme, pasi je njohur më mirë me disa figura të suksesshme, të shtrira në një sipërfaqe që mbulon globin. Janë 31 personalitete të intervistuara, ndër të cilët në politikë mund të përmendnim ish-presidentin Xhorxh Bush, ish-presidentin Sali Berisha, kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu, publicistin, botuesin dhe politikanin Nikollë Lesi, ish-kryeministrin izraelit dhe fitues i çmimit Nobel për paqe Shimon Perez, ish-deputetin e ndjerë Dodë Kaçaj, dhe për të përfunduar me politikanin kosovar të kohës së ish-Jugosllavisë Azem Vllasi.

Me këto intervista, Marinaj ka dashur të eksplorojë mundësitë që i jepen një populli për të administruar vetveten përmes politikës, faktorët që çojnë në mbijetesën e një kombi, hapësirat, kuptueshmërinë, si dhe mirëqënien shoqërore në përgjithësi, që jep një regjim i lirë e demokratik, përkundër regjimeve totalitare.

Intervistat letrare, Marinaj i fillon me poetin tonë të shquar Dritëro Agolli, të cilin siç shihet e ka për zemër. Marinaj e përdor poezinë jo vetëm si art i të shprehurit të saj në një mënyrë sa më konçize të ndjenjës, mendimit filozofik apo forcës emocionale, por edhe si ushqip shpirtëror, të cilës i referohet herë-pas-here, ku merr edhe pjalmin e bukur të ngjizjes së ideve të reja. Ai i referohet vargjeve të Agollit “Kur të jesh mërzitur shumë/ në raft të librave kërkomë…” etj. etj. që tregon edhe forcën shlodhëse të një poezie të bukur dhe përjetësinë e saj në melodinë e brendëshme të njeriut.

Pasojnë më pas intervistat me shkrimtarë dhe poetë si Ismail Kadare, Naum Prifti, Agim Shehu, Anton Çefa, Shefqet Dibrani, Skifter Këlliçi, etj. të cilët së bashku me autorë të tjerë të talentuar, i japin librit një përqindje të lartë vlerash artistike, ku flitet padyshim edhe për vështirësitë e krijuesve shqiptarë nën kazmën e rëndë të realizmit socialist.

Marinaj i ka kushtuar një vëmendje të veçantë në libër atdhetarit të madh dhe me famë nga Malësia e Madhe, Prenkë Gruda, autor i librit “Ditari i një zemre të lëndueme”, të cilin e ka vizituar në shtëpinë e tij në Florida, vetem pak muaj para se ai të mbyllte sytë në lumnimin e tij të përjetshëm. Ndonëse i lodhur nga sëmundja e rëndë, Prenka i hipën makinës së tij dhe niset për në bregdet, bashkë me autorin e librit në fjalë: “Shikoje detin! Nuk është i turbullt se është i thellë – i thotë ai Gjekës – Cektësia i turbullon gjërat. Matu me detin kur shkruan… duaje njeriun dhe Shqipërinë sa do ky det bregun! Ky është peshqeshi im, që kam për ty.” Pa këto fjalë filozofike të një atdhedashurie të nevojshme për ne shqiptarët në këto kohë, libri mund të kishte qenë më i mangët. Në fakt, libri me intervista i Gjekë Marinajt përshkruhet gjatë gjithë kohës nga një fill i hollë i një atdhedashurie të kuptueshme.

Marinaj prodhon art duke ndërthurur karaktere të ndryshme, që i përkasin fushave dhe pasioneve të ndryshme. Kot nuk pyesin “Ku e ke shtëpinë?”, “Tek fshati i gruas…” është përgjigjia. Edhe Marinaj në këtë rast nuk i ka shpëtuar ketij orientimi instiktiv, kësaj përkujdesjeje xhentile, që ai tregon për gjysmen e bukur të tij, bashkëshorten romune. Dusita Marinaj, së cilës autori ia përkushton librin me shumë dashuri, ka në familjen e saj të afërt një futbollist romun me famë, Millodrag Bellodediç, me të cilin fillohen edhe intervistat me personalitetet e sportit shqiptar dhe botëror. Kemi këtu një larmishmëri personalitetesh sportive, duke përfshirë futbollistin tironas Sulejman Demollari, apo intervistën me yllin e futbollit botëror Pele, për ta mbyllur me legjendën e futbollit kosovar Fadil Vokrrin.

Duket qartë se idenë për të bërë një libër të tillë, Marinaj e ka bluar me kohë. “Ana tjetër e pasqyrës”, që ka dalë në qarkullim para pak kohësh nga shtëpia botuese Marinaj Publishing në Dallas, është shpërndarë tashmë në libraritë dhe bibliotekat shqiptare, ashtu edhe në disa vende të ndryshme të botës. Në Shqipëri dhe Kosovë libri ka një çmim simbolik, në krahasim me çmimin e tij real të botimit cilësor dhe çmimin e shitjes jashtë shteti, të cilin po ia lëmë lexuesit ta zbulojë vetë.

Pas titullit të librit dhe hyrjes së shkruar nga autori, intervistat shoqërohen me një sqarim të shkurtër hyrës, ku lexuesi njihet shkurtimisht me të intervistuarin, i cili më pas bëhet më i dukshëm përmes intervistës së drejtëpërdrejtë. “Ana tjetër e pasqyrës” simbolizon pjesën e padukshme të një karakteri, çfarë fshihet pas një personaliteti me famë, pas një krijuesi të talentuar, apo pas një njeriu të njohur nga të gjithë? Këtij trilli interesant e kurioz njëherësh, Gjekë Marinaj ka provuar t’i japë përgjigje, përmes pyetjeve të tij dhe fjalëve të të intervistuarve. Me pak fjalë: një libër që ia vlen të lexohet!

1 KOMENT

  1. Per mua Gjekë Marinaj asht njeriu i guximshem qe ne vitin ’90 publikoi ne gazeten ” Drita” organi ma i randsishem publicistik ku botoheshin shkrime te lidhuna me rymen standarte te realizmit socialis, poezinë, “KALI”. KUR E LEXOVA, ISHA NE PLAZH NE VELIPOJE DHE UA TREGOVA SHOKEVE TE CILET U BEFASUEN NGA GUXIMI I POETIT ME ATO METAFORA KUPTIMPLOTE PER KALIN E MBRETIT E KALIN E FSHATARIT.
    T’lumtun shqiptaret qe kane pasur e kane ne ShBA njerëz te tille qe ua shndrisin mendjen disa pseudoshqiptareve qe nuk dine çka asht veprue nga komunizmi mbi kurrizin e tyne, madje vazhdohet edhe sot ne vitet e demokracise ku shqiptarë te deshperuem vazhdojne te lãne vendin e tyne per nji jete ma te sigurtë në Perendim.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.