— nga Dr. Moikom Zeqo, Koha Jonë21.10.2002
– Raca e dijetareve eshte nje race durimshume dhe e plotfuqishme. Sipas nje parabole te Senekes pergjithesisht dijetaret e jetojne jeten e tyre larg bujes dhe publicitetit te dyshimte, larg pushteteve politike dhe perfitimeve tipologjike te administrates shteterore. Dijetaret jane gati si te padukshem, pikerisht se jane me te dukshem nga te gjithe. Dijetaret nuk permenden, sepse ata jo vetem jane ne kujtese, por jane vete substance e kujteses. Dijetaret nuk perfillen, por ne thelb ata jane autoritetet e vertete te kombit.
Ka gati nje muaj qe Jup Kastrati eshte i semure rende. U shtrua ne spitalin e Tiranes, ku me stoicizem ai i duroi dhimbjet dhe krizat. Nese ndonje nga VIP-at e politikes do te kishin marre pjese ne nje mbremje, ne ndonje restorant, ose do te kishin patur ndonje krize te lehte kardiake, shtypi i shkruar dhe mediat elektronike do te tallaziteshin nga gjema, kurioziteti dhe marrezia e lajmeve te bujshem. Dhe ja nje nga dijetaret me te medhenj te Shqiperise, miku im i vjeter, Jup Kastrati, semuret rende dhe absolutisht nuk ka as shqetesimin me te vogel nga e ashtuquajtura Bota Mediatike.
Vetem pak miq te tij i shkuan ne spital, padyshim njerezit e thjeshte dhe te vertete u merakosen sinqerisht per te. Me pak vonese dhe une shkruesi i ketyre rrjeshtave vajta ne spital. Po Jup Kastrati kishte dale dhe kishte shkuar ne shtepine e tij ne Shkoder. Ky qe shkaku qe une vendosa te shkruaj dicka per te. Nuk dua ne asnje menyre te terheq vemendjen me apologjira false. Nuk dua ne asnje menyre per te trumbetuar ate qe une cmoj te Jup Kastrati, ndersa te tjeret s’arrijne ta cmojne dot. Nuk dua ne asnje menyre qe semundjen tashme te tejkaluar te mikut tim ta shnderroj ne nje show, sepse jam teper i lodhur nga kickultura e dites, sepse mendoj qe serioziteti i anatemuar kaq rende eshte me i rendesishem, se sa lajkatimet dhe hipokrizite e kota. Jup Kastrati qe nga spitali me dergoi nje zarf, ku ishte libri i tij i fundit i botuar me titull “Autobiografia e Jeronim De Rades” me nje dedikim miqesor. Duke lexuar kete liber mund te kuptosh ne menyre te koncentruar rolin hulumtues te pashembullt te Jup Kastratit.
Kush eshte Jup Kastrati?
Jup Kastrati ka lindur ne Shkoder, me 15 prill 1924. U shkollua ne kete qytet, djep kulturologjik i Shqiperise. Me 1942 studioi pak kohe ne Liceun Shkencor “Galileo Ferraris” ne Torino. U kthye shpejt ne Shqiperi. Gjate pushtimit italian, si antifashist, ka qene i persekutuar, i burgosur, i internuar ne “Campo Concetramento”, ne kodrat e Tepes ne Shkoder, pastaj eshte mbajtur si peng ne Kosove, ne burgun famekeq te Prizrenit gjate muajve korrik-shtator 1943. Pas Clirimit ka kryer studimet e larta ne fakultetin e filologjise ne Universitetin Shteteror te Tiranes. Tema e tij e diplomes titullohet: “Kontribute per studiumin e Ndre Mjedes” me 1958. U be Doktor i Shkencave Filologjike me 1982 me dizertacionin “Historia e gramatologjise shqiptare” (1935-1944) me 1500 faqe daktilografike.
Me 1987 i eshte akorduar titulli Profesor. Ka sherbyer ne arsim 47 vjet. (1946-1993) nga te cilat 37 vjet ne shkollen e larte. Eshte nje nga themeluesit e Institutit te Larte Pedagogjik te Shkodres, me 2 shtator 1957, dhe ka punuar shume per krijimin e Universitetit te Shkodres. Eshte dekoruar me urdhrat “Mesues i Popullit” si dhe “Mjeshter i Madh i Punes”. Ka qene shef i Katedres se gjuhes shqipe ne Institutin e Larte Pedagogjik te Shkodres me 1973-1990. Jup Kastrati ka mbajtur ligjerata shkencore ne universitetet e Tiranes, Prishtines, Shkupit, Tetoves, Kalabrise, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, etj. Eshte autor i shume librave. Brenda viteve 1956-1999 ka botuar 35 libra. Te dhenat e mesiperme jane guret e kilometrazhit te rrugetimit jetesor dhe krijues te Jup Kastratit.
Librat e tij jane te botuara, pra, te hapur per syrin e lexuesit dhe jane te tjeret ata qe lexojne sot dhe ata qe do te lexojne neser, qe do te bejne vleresimin e patjetersueshem te Jup Kastratit.
Ne kete shkrim lakonik une dua te skalis me shume intimitetin dhe njohjen vetiake. Ka me shume se 20 vjet qe e njoh Jup Kastratin nga afer. Kam vajtur shpesh tek shtepia e tij karakteristike shkodrane, me nje oborr te vogel dhe me nje shkallare, me mjedisin e brendshem plot libra, ku eshte e gjalle dhe e pranishme nje mikpritje e lashte dhe e re, nje dashamiresi e holle dhe nje ngrohtesi njerezore e perhershme. Kam nje korrespondence ne vite me Jup Kastratin, kam ndjere ne personalitetin e tij njeriun e vertete te letrave, i mireinformuar deri ne fund, si pakkush ne Shqiperi. Kam qene ne shtepine e Jup Kastratit kur u semur gruaja e tij, madje, dhe ne raste vdekjesh e fatkeqesish familjare. Kemi diskutuar parreshtur per problemet kulturore te kombit dhe keto biseda jane te skalitura thelle ne mbamendjen time.
Dua te permend nje rast interesant. Sapo isha njohur me priftin dijetar nga Tuzi i Malit te Zi, Dr. Vincens Malaj. Ai me kish dhuruar librat e botuar, madje, krijimtarine e tij ne tri vellime. E njihja Malajn, sepse kisha shkuar edhe te Kisha Katolike e Tuzit, para se ciles qe ngritur statuja prej bronzi e Nene Terezes. Kabineti i Malajt ne kishe ishte me mijera libra, disa dhe me pergamene, madje, edhe me nje liber te shekullit XII. Plot piktura dhe skulptura te bera dhe nga vete Malaj si dhe piktura te artistit shqiptar Lin Delia. Malaj mbante edhe shume objekte arkeologjike te trashegimise ilire. Pikerisht ne Tuz, une bisedova me Malajn per Jup Kastratin.
I fola per librin mbi Faik Konicen, qe Jupi e kish Botuar ne Amerike dhe u shpreha se Jup Kastrati eshte nje nga dijetaret me te medhenj shqiptare ne ditet tona. Malaj me tha se nuk kish pasur rastin ta takonte dhe se madje kish shkruar nje polemike kunder tij. Para tre vjetesh e takova Vincens Malajn ne Shkoder dhe se bashku me miqte e mij nga Shkodra, Ahmet Osja dhe Gezim Uruci e bindem qe te shkonim per nje vizite ne shtepine e Jup Kastratit. Prifti plak u dorezua. Shkuan tek Jupi, i cili na priti sipas tradites proverbiale shqiptare. Teper i kujdesshem dhe delikat ne kete takim nderonte mikun e ardhur nga Tuzi pavaresisht dhimbjes, qe i kish shkaktuar polemika e tij. Une me i lire ne qendrimet e mia beja polemike ne disa raste me Vincens Malajn.
Ish fjala per nje doreshkrim kronikor, qe njihet me emrin “Kronika e priftit te Dioklese” e shek. XIII. Pastaj ra fjala per vepren qe kish ne duar Malaj per katalogun e martireve iliro-shqiptare te krishterimit. Malaj e falenderoi te zotin e shtepise dhe lavderoi vepren e Jupit “Historia e Gramatologjise”. Te dy dijetaret ishin te lehtesuar me njeri-tjetrin. Por une dua te artikuloj mendimin tim per Jup Kastratin, ta ravizoj portretin e tij. Jup Kastrati u diturua si specialist i bibliografise. Ai eshte nga ata njerez qe na kujton se nuk mund te kete shkence pa bibliografi dhe se bibliografia eshte shkence e njohurise autentike. Jup Kastrati eshte nje nga bibliografet me te medhenj shqiptare.
Dua te kujtoj nje nga bisedat e perbashketa ku del ne pah kujtesa e Jup Kastratit. Prej shume vitesh une kisha studiuar krijimtarine e Faik Konices. Ende nuk kisha marre ne dore dhe nuk kisha studiuar monografine e pasur dhe substanciale te Jup Kastratit per Faik Konicen, botuar me nje paraqitje luksoze ne SHBA. Dija qe Konica kish shkruar nje komedi te shkurter dhe e kish botuar ne nje nga organet e shtypit te kohes. E kerkoja kete veper te Konices dhe e kisha te veshtire te percaktoja organin konkret ku ajo ish botuar. Ende dhe sot ky tekst i Konices s’eshte perfshire dhe s’eshte ribotuar ne asnje nga librat e shumte qe keto vitet e fundit jane botuar papushim me emrin e Faik Knices. E pyeta Prof. Jupin per kete subjekt. Pergjigjja qe e menjehershme si per dicka teper normale dhe jo te mundimshme. “Kjo komedi eshte botuar ne gazeten “Trumpeta e Krujes me 1913, Moikom”, me tha Jupi.
Të rrallë jane njerezit kaq te familjarizuar me informacionet e pafundme te librave. Jupi i jep rendesi hollesirave dhe shenimeve ne fundin e faqeve te shkruara, sepse ato shpesh mbartin substance lajmesh dhe kumtimesh te papritura, por te panumerueshme jane dhe shkrimet dhe shenimet e vete Jup Kastratit. Ne dialoget tane te perbashket per bibliografine Jupi ka theksuar me vetedije se mungesa e njohjes se bibliografise krijon nje zbrazdesire dhe eshte nje defekt i rende per cilindo studiues te shquar. Padyshim, une i kam argumentuar Jupit se bibliografia nuk eshte qellim ne vetvete dhe se shpesh ka nje rrace studiuesish, te quajtur si studiues konceptuale, qe bejne zbulime me te medha dhe me te patjetersueshme ne historine e dijes dhe te kultures. Nje studiues i tille eshte p.sh. albanalogu kroat Milan Shuflai, nje dijetar konceptual i klasit te pare. Por bazamenti i studimeve te tij eshte padyshim bibliografia e korpusit te dokumenteve, qe lidhen me historine e mesjetes shqiptare. Bibliografia nuk eshte luks as qellim ne vetvete.
Besoj se e njoh nga afer karakterin dhe tipin e Jup Kastratit. Ai del rralle nga shtepia, por miqte e shumte qe e vizitojne shprehin ndikimin e tij te madh tek te tjeret. Ai eshte njeri me karakter te vendosur, nuk e njeh lajkatimin dhe perfitimet e vogla te dites. Mbron idete e tij sepse eshte i bindur ne rrenjet e ketyre ideve. Ne momente te caktuara ka patur edhe raste te ndonje sulmi pezhorativ ndaj figures se tij, por kjo gje s’ka pasur peshe. Balta i eshte rikthyer hedhesit. E dua pambarimisht Shkodren e motshme, kete kryevater te kultures shqiptare ne te gjithe koherat. I kam njohur nga afer dijetaret e Shkodres. I mrekullueshmi dhe modesti dijetari i shkelqyer filolog Kol Ashta ka vdekur. Ne te gjitha rastet kur vija ne Shkoder une do ta takoja Kol Ashten. Studimi i tij per Gjon Buzukun ka qene nje mrekulli. Nuk mund ta harroj dot dhe te nderuarin Fadil Podgorica apo dhe nje mik tjeter timin Pjeter Topallin. Ata tani s’jane me. Ne kete mjedis diturak Jup Kastrati eshte nje perfaqesues i denje i forces krijuese dhe i karakterit qe nuk jepet. Une i uroj me gjithe shpirt shendet dhe jete sa me te gjate.
Ai eshte i forte dhe duhet te jete gjithnje i tille. Dimension tjeter i dijes se Jup Kastratit jane figurat e medha te kultures si: Ndre Mjeda, Zef Jubani, De Rada, Faik Konica etj. Ne kete hulli u shqua si monografist. Dimensioni tjeter shume i rendesishem lidhet me filologjine, me studimet per sintaksen shqipe, me historine e gjuhesise shqiptare dhe sidomos me historine e gramatologjise shqiptare. Keto dimensione percaktojne koordinatat diturake te Jup Kastratit. Jup Kastrati jeton ne Shkoder dhe punon sipas ritit te shenjte te nje oshenari te punes. Per te eshte e paimagjinueshme humbja kot e kohes. Ai eshte punetor i pashembullt i letrave shqipe. Riti i tij i studimit eshte i panderprere dhe rezultativ. Sa here ne shtepine e tij, ai me ka treguar doreshkrimet e pabotuara por te perfunduara dhe te konceptuara si libra me vete. Nese ka nje pasion delikat per Jup Kastratin jane arbereshet. E shoqja i rri prane, e bija e adhuron te atin, madje, ka botuar nje bibliografi te shkrimeve dhe librave te tij.
Duke lexuar me kujdes “Autobiografine e De Rades”, shqiperuar dhe pajisur me shenime nga Jup Kastrati, mundohesha te kuptoja kuptimin e thelle te altruizmit njerezor. Sot ne epoken e monetarizmit gati askush nuk beson tek altruizmi. Por jo pa perjashtim te gjithe. Nje nga altruistet eshte Jup Kastrati. Ai jep nje shembull qe duhet nderuar. Ai duhet nderuar se e meriton plotesisht. Librat e studimet e tij kane dicka testamentale. Ndoshta ky shkrim modest do ta gezoje Jup Kastratin. Me teper se sa kete gezim une vete kam menduar te shqetesoj indiferentet dhe te pakujdesshmit, vetekuptohet nese kane vetedije dhe ndjenja njerezore. Jam i bindur, qe nuk eshte faji i shtypit dhe mediave elektronike per gjithcka. Ka nje erresim te vetedijes kombetare, qe ngjan me nje lloj analfabetizmi te ri. Por vetedija kombetare nuk mund te zhduket, perderisa nje njeri si Jup Kastrati nuk pranon te perkulet dhe ta lere penen t’i bjere nga dora. Amen!
Jup Kastrati, “Qytetar nderi”
Shekulli, 23.12.2002
Në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër, pak ditë më parë është zhvilluar ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar nderi” i Shkodrës, shkencëtarit dhe figurës së shquar të albanologjisë, prof. dr. Jup Kastrati. Intelektualë të shquar shkodranë, studiues dhe figura të shquara të shkencës shqiptare, të ardhura nga Tirana, ishin të pranishëm në këtë ceremoni, ndërsa vetë Prof. Dr. Jup Kastrati mungonte, pasi prej disa muajsh ndodhet i sëmurë. Dorëzimi i titullit është bërë në shtëpinë e tij nga ana e autoriteteve lokale të Shkodrës. Në veprimtarinë e zhvilluar në Universitet kanë folur për veprimtarinë e prof. dr. Jup Kastrati, rektori Mahir Hoti, drejtori i Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, Jorgo Bulo, dekani i Fakultetit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shkodrës etj. Ata kanë treguar edhe një herë pak nga jeta e prof. dr. Jup Kastrati i cili, më 1987-n mori titullin “Mësues i Popullit”, më 1999-n mori titullin “Mjeshtër i madh i punës”.
Është përfshirë në “Mendjet e ndritura të shekullit XXI” nga Instituti Amerikan i Biografisë. Janë mbushur plot 60 vjet të aktivitetit të tij, si mësues, pedagog, përkthyes e studiues. Figura e tij si shkencëtar i ka kaluar kufijtë kombëtarë dhe ai është vlerësuar dhe nga institucione e personalitete të njohura shkencore të botës. Vepra e tij më e madhe është “Historia e albanologjisë”, vëllimi i parë i botuar më 2000-n ndërsa janë dhe tri vëllime të tjera në përfundim. Megjithëse i sëmurë, prof. dr. Jup Kastrati vazhdon të punojë për përfundimin e këtyre veprave. Prof. dr Jorgo Bulo tha se prof. dr, Jup Kastrati nuk është vetëm nderi i Shkodrës, por i gjithë vendit. Albanologjia nuk mund të kuptohet pa emrin e tij. Në motivacionin me të cilin shoqërohej titulli theksohej qenia e tij si personalitet i shquar i kulturës, shkencës dhe arsimit, njohës i shkëlqyer i veprave të kombit të tij, prezantues dinjitoz i shkencës shqiptare në botë. Propozimi për “Qytetar nderi” është bërë nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” ku ai ka punuar 37 vjet dhe është një ndër themeluesit e tij.
Anila Dushi
Nekrologji për një mendje të ndritur
— nga Elsa Demo / Anila Dushi
Shkodër – 26.09.2003 – U nda nga jeta në moshën 79-vjeçare një nga albanologët e klasit të parë, që ia kushtoi jetën veprës madhore “Historia e Albanologjisë”, një studim shterues për një periudhë 500-vjeçare.
Është përcjellë dje për në banesën e fundit, albanologu i shquar Jup Kastrati. Ai kaloi për dy vjet rresht, orë të tëra në shtrat, për shkak të problemeve të rënda shëndetësore. Megjithatë 79-vjeçari Kastrati punonte në studion e banesës së tij, që ishte në të njëjtën kohë dhomë gjumi, për përfundimin e veprave që kishte në dorë.
Biblioteka e Prof. Kastratit, që është një pasuri më vete në fushat e gjuhësisë dhe albanologjisë, kryesisht në gjuhët frënge, latine e italiane, tregon se si ky njeri i dha albanalogjisë, gjuhës që i kushtoi jetën. Në fondin e kësaj biblioteke numërohen 5 mijë epistolarë, me shkrimtarë e dijetarë vendas e të huaj.
Puna shkencore dhe studimore e Prof. Jup Kastratit, është vlerësuar prej fillimeve, deri më dje, në vitin 2002 kur Instituti Amerikan i Biografive i akordon titullin “Mendje të ndritura të shekullit 21”. Janë fusha kaq të gjëra dhe të thella albanologjike, sa tani kur duhet të përmendim vlerën e këtyre kërkimeve në kuadrin e një nekrologjie, duhet të rendisim titujt e pafund honorifikë dhe sidomos stimujt moralë paradoksalë, me të cilat strukturat shtetërore dhe akademike para dhe pas ‘90-ës e nderuan profesor Jupin.
Ndoqi rrugën e botimeve qysh në moshën 17-vjeçare. Nga veprimtaria e tij shkencore gjatë një periudhe 62-vjeçare, njihen rreth një mijë punime shkencore me 20 mijë faqe shtypi shkencor. Ka botuar 30 titutj me karakter shkencor, shumë prej të cilëve përdoren sot si tekste mësimore. Ka themeluar dhe botuar tre organe shkencore. Punimet e Prof. Kastratit janë përfshirë në përmbledhës, vëllime studimesh të botuara nga Universitetet e Tiranës, Prishtinës, Akademia e Shkencane, Universiteti i Napolit, Kalabrisë. Ka bërë gjurmime bibliotekare për tekstet e vjetra të shqipes në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Romë, Athinë, Beograd, Moskë, Uashington, Nju Jork. Kontributi i tij është shumë i çmuar në fushat e historisë të gjuhësisë shqiptare dhe albanologjisë, të historisë së letërsisë.
Një nga veprat e tij më të dashura dhe më e mundimshmja mbetet “Historia e Albanologjisë”, për të cilën ai është shprehur sa qe gjallë se “është një punim organik, shterues dhe i ngjeshur, një analizë dhe sintezë e studimeve të përpiluara për gjuhën shqipe, për një periudhë 500-vjeçare. Ndërsa puna shumëvjeçare, për ardhjen e plotë të figurave të de Radës dhe Faik Konicës, u kurorëzua vitet e fundit në monografitë “Jeronim de Rada, jeta dhe vepra”, botim i vitit 2002 dhe “Faik Konica”, botuar më 1995. Ky studim pati shumë jehonë në botë, në rrethet e studiuesve gjithashtu, ndoshta për një arsye të thjeshtë dhe themelore, karakteristikë e kërkimit “alla Kastrati”: shterimi dhe dyshimi i paekuivok.
Ndër titujt më të rëndësishëm, që vlerësojnë punën e një jete të tërë, kuptohet vlerë morale, janë titujt e marrë prej vitit 1954, Urdhri Naim Frashëri i Klasit të Dytë, Mësues i Popullit, Drejtues kërkimesh, Mjeshtër i madh i Punës. Eshtë përfshirë në edicionin e 13-të të Enciklopedisë Ndërkombëtare të Biografive të Intelektualëve Botërorë të Kembrixhit, në dhjetor të vitit 1997. Një vit më pas propozohet akademik nga senati i Universitetit të Shkodrës nga Prof. Mahir Domi e Prof. Dhimitër Shuteriqi. Në vitin 2001 i jepet titulli “Intelektual ndërkombëtar” në Kembrixh. Në vitin 2002, Instituti Ndërkombëtar i Biografive i akordon titullin “Mendje të ndritura të shekullit 21”. Në dhjetor 2002, këshilli bashkiak i Shkodrës e shpall “Qytetar Nderi”.
Biografi
Jup Kastrati, i cili u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, lindi në Shkodër më 15 prill 1924. Shkollën fillore, gjimnazin klasik dhe liceun ruajal i kreu në qytetin e lindjes. Për pak kohë studion në liceun shkencor të Torinos. Gjatë pushtimit italian burgoset në Kosovë si antifashist. Mbaron studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Filologjisë. Për 47 vjet ka shërbyer në arsim, nga të cilat 37 në Universitet. Eshtë një ndër themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik, në Shkodër dhe ka luftuar për ta kthyer atë në universitet. Eshtë ai që ideoi dhe propozoi “Luigj Gurakuqin”, sot. Mbron doktoraturën në shkencat filologjike në vitin 1982 me “Historinë e gramatologjisë shqiptare, periudha 1635-1944”. Në vitin 1991 merr titullin shkencor “profesor”.