— nga HAMIT BORIÇI, gazetar i vjeter shkodran
1.
Kush eshte ai apo ajo, qe, per shkaqe pragmatiste a te tjera, harron, nuk tregon interes te dije e, ç’eshte me keq, mohon rrjedhen e gjakut, te fisit, te kombit te vet?
Do te ishin pak nemet e popullit: “Haram te qofte gjiu i nenes!” e “Shitoftu zana!”. Ende me ka mbetur ne kujtese nje episod si deshmimtar okular. Rasti e solli qe nje funksionar shteti, pas gati tridhjete vjetesh, qekur ishte larguar per ne gjimmnazin e qytetit e qe andej ne nje universitet te huaj, te shkonte ne fshatin e lindjes ne shoqerim te nje delegacioni evropian. Bashkefshataret i priten me gaz e plot hire miqte. Atyre ua shtruan tryezat me gjitheçka e lyp ndera e vendit. Por kur “biri i fshatit” ngriti nje dolli e desh te shprehte krenarine per mikepritjen ai qe kryesonte “sofren”, iu drejtua:
– Djal-e! Degjo ketu! Ne daç ua perkthe miqeve, e ne daç mos, por dije mire se, po te kishe ardhur sot i vetem, do te te vinim drune; se u shkollove dhe u madhove ne zyra, e njehere nuk na begenise. Sa per mua, sa here qe degjoja emrin tend ne radio, shihja fytyren tende ne televizor apo permendeshe ne ndonje shkrim ne gazete, une menjanohesha, te kisha rene hasha, si i pare i fisit qe kam mbetur!
I nisa keshtu keto shenime, se pari, per te vleresuar nismen e kolegut tim, shume me te ri ne moshe, Kolec Traboinit, per te kerkuar e gjetur veteveten, rrenjet e te pareve te tij, per te dritesuar jeten e vepren e babait, lene ne harrese nga s’di se kush e per ç’arsye; se dyti per t’i shtuar edhe nje “pasqyre” (fjale, qe publiçisti Palok Traboini e perdorte si sinonim i “shembelltyres”) konstatimit te hidhur te ketij gazetari: “…ne kete vend te huaj (ne Greqi – H.B.), ku fati na ka perplasur, me mijera e shume jane ata qe e mohojne emrin e vet, prejardhjen, burimin neper te cilin rrjedhin”. Dhe shton: “Duke e perjetuar deri ne tronditje kete fenomen te shperfytyrimit, nje force e brendshme te shtyn te kerkosh ne rrenjet e deget e races tende qe shtrihen ne Atdhe e te ndjehesh krenar per to”.
Natyrisht, Kolec Traboini e shtron kete ide si pergjithesim, pasi ai, ka bluar ne mendje e ne zemer deshirin per te kerkuar e deshmuar qenien e tij si dikushi, qe ne vitet e jetimores. Ndonese, siç do te mesojme nga libri, per te tjeret “nuk kishte rendesi e fare peshe, as e kaluara, as e ardhmja e ime”. Dhe ashtu, te ndjere veten te degdisur nga fati ”ne nje humbetire, ne nje mjegull…”, vogelushit i rritej deshira per te kerkuar krenarine legjitime per prindin e denje te tij, per fisin e lashte, qe rrenjet i ka ne malet e Hotit. Per asnje çast nuk iu nda mendja nga ai, as kur e strehuan ne nje jetimore te Shkodres, mbetur pa prinder, babai i vdiq, nena u martua; as gjate viteve te shkollimit; as kur rrrethanat ia imponuan te hynte ne jete si punetor ne Fabriken e Fibres ne Shkoder.
Iu perforcua bindja gjate viteve studenteske ne Universitetin e Tiranes, ku ne vitin 1975 u diplomua ne gazetari, duke hedhur hapat e pare hulumtues. Pervoja e krijuar si skenarist, autor filmash ne Kinostudion “Shqiperia e Re” ne Tirane, ku punoi me shume se 15 vjet, derisa, me 1991 emigroi ne Greqi, i dhane dore per t’i hyre konkretisht hulumtimeve me nje pune sistematike profesionale, letrare e arkivore. Gjate atyre koheve arriti te mbledhe, e, me pas ne mergim, te sistemoje lenden faktike e dokumentare dhe te hartoje copezat e prozes letrare, qe i botoi me 1995.
2.
Çdo gje eshte nisur e percaktuar nga detyra qe autori i shtronte vetes per te mesuar: “…Kush kish qene im ate, Palok Traboini? Cila kish qene femijeria e tij, rinia e tij? Çfare kishte bere ne jete? Cila eshte vlera e nje jete njerezore kur kane kaluar nen dheun e zi? Çfare kishte mbetur akoma pa u shkaterruar ne kujtesen njerezore mbi ate?”.
Pasi lexon librin “Gjurme ne histori” (Palok Traboini mesues, poet e luftetar), perftohet mendimi se autori, ne rrethana shume te veshtira, ka arritur t’u jape pergjigje pyetjeve te shtruara.
Libri i Kolec Traboinit, konceptuar e realizuar si nje vellim ne te cilin jane permbledhur ese, artikuj publiçistike, nje poeme, flete ditari, letra, deklarata, fotografi nga arkivi i Geg Marubit, faksimile, etj., i perket prozes dokumentare.
Autori shpjegon se dokumentet e çdo gje tjeter qe botohet ketu, ne kujtim te Palok Traboinit, “jane qemtuar neper vite harrese e mohimi, me durim e pasion” dhe se u drejtohet lexuesve “me se shumti brezave te rinj te Hotit, te ndare mizorisht kendej e andej kufirit e te shperndare neper bote, me krenarine qe duhet te kete çdo i ri i rraces shqiptare per prejardhjen, rrenjet e trungun e te pareve, duke ndjekur keshillen e Barletit te madh “Gjithsekush shkon ne rrjedhen e gjakut te kombit te vet”.
Lexuesi veren se ne te 95 faqet jane perfshire fakte, te dhena e deshmi, qe e kane ndihmuar autorin te beje jeteshkrimin e babait te vet, Palok Traboinit (1888- 1951) permes vepres se tij. Ne kopertinen e bukur e impozante paraqitet fotografia e Palokes, veshe me rroba qytetare shkodrane: xhamadan e çakçir dhe fes te bardhe ulur deri mbi vetulla, me alltije ne brez e martine ne dore. Me hyrjen “Im ate Palok Traboini” autori nis kerkimin “me Daden Katrine, bije e Motres Tone, mbese e Kol Idromenos”. Dada Katrine, ajo “plake e dashur e fetare”, ish gruaja e pare e babait te autorit, i foli gjate e me krenari per ish bashkeshortin, per djalit e tyre, Tomen, qe vdiq sa i mbushi shtate vjetet, te cilit “ia kishte prere floket, si kumbar, Dede Gjo Luli”.
Ishte Katrina fisnike ajo qe ruajti me fanatizem poemen historike “Lufta e Maleve” te Palokes, krijuar qe ne vitin 1911, shkruar “me kaligrafi te persosur” derisa vone e dorezoi ne nje reviste, por qe ende nuk dihet pse nuk u botua. Doreshkrimi humbi. Por, fatmirsisht u gjet nje kopje e saj, daktilografuar dhe ruajtur nga regjizori i mirenjohur shkodran, Andrea Skanjeti (nipi i ish drejtorit te kolegjit italian, ku u shkollua Paloka). Me interesimin e tij ne vitin 1962 u botua ne almanakun “Shkodra” kenga e pare e kesaj poeme. Dhe poemen e plote Andrea ia dorezoi Kolecit, disa vjet para se ai te vdiste.
Permes 3 faqeve, doreshkrim i vitit 1908, titulluar “Origjina, femjeria dhe rinia ime” mesohet se Paloka ka lindur ne pranvere, ne muajin prill 1888; se origjina e tij ishte nga Hoti, “qendra e te gjitha fiseve te veriut”; se “babai ishte bujk”; se kishte “nje nane te shkelqyeshme”; se nana e dergoi “ne nje kolegj italian per te mesuar”; se drejtori i kolegjit, profesor Andrea Skanjeti e donte shume; se mesoi me zelle, perveç shqipes, gjuhes se nenes, edhe italishten, frengjishten e greqishten me rezultate shume te mira. Kjo “autobiografi”, shkruar ne moshen njezetvjeçare, kur ende vijonte mesimet ne kolegjin italian te Shkodres, e orientoi Kolecin per te gjurmuar me tej.
Me skrupulozitet, korrektese e respekt per te gjithe ata qe i prine autorit ne brazda e udhe qe e çojne ate ne burime te besueshme, vargezohen te dhenat e arsyetimet e deshmimtareve okulare. Plaku Martin Ujka, pak e nga pak, plotesoi kuadrin historik te fisit, te familjes se Palokes. Hollesite e perjetimet e tij e qiten Kolecin ne shtigje hulumtuese: per gjyshin Luce, mjeshter ndertimi, qe nuk jetoi gjate, duke lene gruan Nore me dy djem, Paloken dhe Pjetrin, per zbritjen e Palokes se vogel ne Shkoder, pajtuar sherbyes ne nje familje te pasur qytetare; per regjistrimin e vazhdimin e kolegjit, ne fillim, duke qene sherbetor, pastaj ne gjirin e familjes Skanjeti, per martesen e Palokes me Katerinen, bije e profesorit Andre Skanjeti, mbese e Kol Arsenit (Idromeno), etj.
Mesuesi i vjeter Kol Duku tregon se si, ish mesuesi e tij, Paloka perhapi mesime e dituri ne shume shkolla, me se pari, ne Prizren; qe andej ne Shkoder e rrethinat e saj, ne shkollen françeskane, ne Bushat e ne Bajze te Kastratit, ne Tuz e ne Kraje. Me krenarine e nxenesit per mesuesin ai tregon se si me 1930 Paloka, me leje te ministrit te arsimit, Hil Mosi, me parate e veta ndertoi shkollen ne katund te Hotit te Ri, ku dha mesim per shume vjet. Pjeter Pali i datelindjes 1907 tregon se Paloka bashke me Kole Ded Jakoven e te tjere me 1920, kur Mali i Zi mesyu ne kufi, “duke zbritur deri ne Koplik, organizoi nje force vullnetare dhe i doli perpara armikut me arme.
Shtatedhjetepesevjeçari Gjergj Gjok Shabani deshmon se mesues Paloka ka punuar edhe me Luigj Gurakuqin. Ndersa Andrea Skanjeti (i riu) ne nje leter, drejtuar Kolecit, me 13 shtator 1984, nder te tjera, shkruan se gjyshi i tij, Andrea, e mbajti afer njerin prej konviktoreve nga Hoti “mjaft inteligjent, dhe si kreu shkollen, i dha per grua te bijen. Ky nxenes quhej Palok Traboini dhe e ushtroi profesionin e mesuesi deri sa vdiq”.
Nga “Hylli i Drites” (1937, nr. 11, f.523) meson se Paloka ishte nje prej atyre trimave qe shperndanin flamuj kombetar; ndersa nga gazeta “Bashkimi” e Dom Ndoc Nikaj iu paraqit me shume te papritura teper emocionuese. Disa fotografi mes te cilave edhe ajo, ku Paloka gjendej ne krah te Ded Gjo Lulit ne ate grup trimash qe ngriten flamurin shqiptar ne Deçiq, ate flamur me te cilin hapet libri, shoqeruar me 5 vargje ne perkushtim te Palok Traboinit, “djaloshit qe pa pike fryme e solli prej Dalmacise”.
Disa fotografi qe e gjallerojne librin: ajo e Palok Traboinit me mesuesin, me pas vjehrrin e vet, Andrea Skanjetin; Paloka me te shoqen Katrine; ajo me mikun e vet ushtarak Ded Nika, te dy te armatosur me huta e martina e mauzere ne duar; mes burrave te malsise, bajraktare e pari te Grudes, te Traboini te Hoti te Kastratit, etj. te cilet kane rrethuar Ded Gjo Lulin. Diçitura “Kreret e Malesise se Shkodres”. Tashme Koleci e sheh babain e vet mesues, poet, mjeshter te fjales artistike me poemen “Lufta e maleve” veprimtar memedhetar e luftetare; ne kuvende te maleve e ne çeta me arme ne dore; por edhe publiçist me nje tufe shkrimesh te botuar ne gazeten “Bashkimi”, ne pranveren e vitit 1910.
3. Përjetime!
Gjate tere kesaj pune per njohjen e te vertetave, Koleci provoi rishtas mjaft gjendje emocionale me te papritura e kundershti. Ate ende e rendon ne shpirt dita e marteses se nenes, pas te ciles Koleci me dy motrat, Tonine e Roza, do te perjetonin “nje femijeri te neperkembur” ne udhet “gjithnje larg shtepise se rruges Badra, per te mos u kthyer me kurre prane saj”; por ende ndjen krenarine e asaj dite qe Kol Duku i dorezoi si relike librat e mesuesit Paloke: nje arithmetike ne gjuhen italiane dhe dy metoda, te lidhura bukur ne nje, per mesimin e frengjishtes nga italishtja, duke iu drejtuar: Une mesova me ta. I ruajta. Tashti te takon me i mbajt ti “Burreria ne sprove…!”
Emocionet qe perjetoi ne ate shkurt te dritherueshem 1991, para emigrimit te pare ne Athine, ku, se bashku me gruan e dy femijte, shkoi te njohe Traboinin e Hotit “ne fshatin e te pareve tane” dhe te falet me te. Tek qendon per dy jave ne shtepine e kushuririt te trete, Pretash Gojçit, hidherohet kur merr vesht se fisi i gojçave eshte shperndare neper bote, nga Amerika ne Australi, por edhe ngazellehet e merr vlage nga dheu i te pareve per ta mbajtur ne gji ne mergimin e larget.
Ate ngazellim e vlage e pasqyron ne ese-ne “Im ate Palok Traboini”, prej nga po shkepusim keto pasazhe: “Shkuam bashke me tim bir dhjetevjeçar neper rruget e fshatit. Nuk desha qe ai ti harroje. Ishte fshati i gjyshit, qe dikur, ne fillim te shekullit, ecte neper keto shtigje… Im bir bashke me djalin e Gjon Pretashit shkonin te mbushnin uje ne Kroin e Traboinit…” dhe “pata fatin te pi ne ate burim te ftohte ku ka pire edhe gjyshi im, Luc Çekaj i Gojçajve, ku pi tani edhe im bir Donald Traboini, qe loz e sperkatet me moshatarin e vet, Robertin e Gjon Pretashit”. E “kuvendon” me Kroin, si me nje plak te vyer, deshmimtar te jetes e ravgime te traboinasve, te qendreses heroike te tyre ndaj zaptueseve te huaj, te bujarise e shpirtgjeresise se tyre. “Atij” do t’i drejtohej nga mergimi, nga Athina, me 14 korrik 1995 duke iu drejtuar: “0 uje i kulluar i Kroit te Traboinit, 0 mrekulli jete. Sa me shume iki larg teje, aq me shume kam etje, nje etje qe me shtyn te kthehem, gjithenje te kthehem…”
4.
Kerkimet e gjetjet e mbrujten Kolecin e burreruar me idealet kombetare, i mprehen frymezimin, penen e publiçistit, te poetit e te shkrimtarit, qe trashegoi nga ati Palok. Edhe ne nderim te atij kujtimi vijne vellimet poetiket e ne proze, duke filluar me ciklin e tregimeve “Petalet e bajames se hidhur” (1973) per te ardhur ne vitin 1995 me nje shperthim krijimtarie, mosheruar ne tri vepra: “Balada e Largesive”, album poetik i emigranteve shqiptare ne Greqi, “Gjurme ne Histori”, letersi dokumentare, dhe “Rapsodi Ushtore” , nje poeme dhe nje cikel polemikash satirike. Me kete veper te fundit, qe i perket publiçistikes poetike e letrare kolegu im vijon ne tradite te publiçtikes se Palokes, duke percjellur ne kohe te reja, po mesazhet e Palok Traboinit per lidhje (bashkim) kombetar dhe per “Kthjellim te mendjes” kombetare po ate tematike.
Koleci ishte ne te paret qe, me besim ne hapjen e zhvillimet e reja politike e shoqerore ne Shqiperi, shfaq pikepamjet e veta per vlerat e simboleve tona kombetare (Rilindja demokratike , nr. 4, dt 16 janar 1991). Por edhe pse i shternguar nga rrethanat mori udhen e mergimit, nuk e nderpreu veprimtarine publiçistike. Ne Athine me 10 prill 1993 themeloi gazeten “Emigranti-Egnatia”, qe qarkulloi ne rradhet e emigracionit shqiptar ne Greqi, te cilen e drejtoi deri ne gusht 1995, kur emigroi familjarisht ne SHBA, ku vazhdon te merret me publiçistike si ne median e shkruar shqiptare, ashtu edhe ne ate elektronike per çeshtje te Shqiperise, brenda e jashte kufijve shteteror dhe te kombit shqiptar.
Zyrih, qershor 1998