Vrasja tragjike e at Bernardin Palajt, mbledhësit të Eposit të Kreshnikëve

0
5498

HISTORI SHKODRANE
Persekutimi i kishës katolike
At Gjon Shllaku, heroi i katolicizimit
Dom Mikel Koliqi, kardinali nderi i kombit
At Pjetër Meshkalla

— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare

Historia e dhimbshme e klerikut katolik që u diplomua në Austri dhe punoi për 20 vjet në mbledhjen e folklorit në Veriun e Shqipërisë. Dëshmia e nipit të tij, Luigj Palok Gjergji.

Luigj Palok Gjergji Vetëm një ditë pasi at Bernardini ishte kthyer nga Tirana ku bashkë me disa klerikë të tjerë katolikë ishin thirrur në një takim nga Enver Hoxha, atë e arrestuan dhe e mbyllën në një nga dhomat e Kuvendit të Françeskanëve të cilin Sigurimi e kishte kthyer në burg. Gjatë asaj kohe që ai mbahej i arrestuar aty, u torturua në mënyrën më mizore dhe asnjë nga familja jonë nuk mundi që ta takonte dot. Më datën 2 dhjetor të vitit 1946, ne na lajmëruan që të shkonim tek Kuvendi për ta parë dhe aty vajtëm: unë me nënën, Lizën dhe gjyshen, Nushën. Ne nuk na lejuan që të futeshim brenda oborrit të Kuvendit, por na hapën paksa portën e jashtëme dhe nga aty pamë trupin e Bernardinit të plandosur përdhe me veladonin gjithë gjak të ngjitur për trupit. Njerzit e Sigurimit na thanë se ai kishte pasur vdekje natyrale dhe na dhanë disa plaçka dhe sende të tija personale krejt të parëndësishme. Ne kërkuam që të merrnim me vete kufomën e tij për ta varrosur, por ata nuk na e dhanë e pas disa minutash na përzunë edhe ne nga ai vënd”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 69-vjeçari Luigj Palok Gjergji, i cili rrëfen të gjithë historinë tragjike të dajës së tij, at Bernardin Palajt, klerikut katolik i njohur si një nga gjurmuesit e mbledhësit më të mëdhenj të Eposit të Kreshnikëve të Veriut të Shqipërisë. Po kush ishte Bernardin Palaj, cila është origjina e familjes së tij dhe ku ishte shkolluar ai. Cila ishte veprimtaria studjuese e shkencore e At Bernardinit dhe sa kohë punoi ai në mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve të Veriut e folklorit të atyre trevave që u njohën dhe u cilësuan si Visaret e Kombit? Përse e arrestuan At Bernardinin dhe cilat ishin rrethanat e vdekjes së tij tragjike në qelitë e Sigurimit të Shkodrës?

Familja Palaj

Bernardini u lind më 22 tetor të vitit 1894 në fshatin Shllak të Dukagjinit, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Babai i tij, Gjon Palaj, ishte një rrobaqepës tepër i njohur në të gjithë atë zonë dhe njihej si një nga besimtarët më të devotshëm të fesë katolike. Ndërsa e jëma e tij, Maka, ishte një grua shtëpiake që i ngryste ditët e saj duke u marrë me punët e shtëpisë dhe endjen në avëlmend. Bernardini ishte i parëi i fëmijëve dhe pas tij vinin dhe dy vëllezër e një motër. Lidhur me të kaluarën e tij dhe të familjes, i nipi i tij, 69-vjeçari Luigj Gjergji, dëshmon: “I vëllai i madh i Bernardinit, rreth vitit 1925 iku nga Shqipëria dhe mërgoi për në SHBA, ku u martua me një vajzë me origjinë australiane.

Ai deri në fund të jetës së tij banoi në Bruklin, ku kishte në pronësi një hotel me emrin “Juvenilja” dhe një faramci të madhe ku i punonte e shoqja. Ndërsa i vëllai i vogël i Bernardinit, Gjon Palaj, mori zanatin e të jatit të tij, duke u bërë një rrobaqepës i famshëm. Pjesën më të madhe të jetës së tij e deri në vitin 1948 kur u nda nga jeta, Gjoni e kaloi në Tiranë duke punuar si rrobaqepës tek i famëshmi, Gjon Laca, që e kishte puntorinë e tij në shtëpinë e Kacelëve. Ndërsa motra e Bernardinit, Nusha, ka jetuar vazhdimisht në qytetin e Shkodrës dhe është njohur si mjeke popullore. Nusha vdiq në vitin 1953 dhe ajo la dy djem dhe tre vajza, njëra nga të cilat, Liza Gjergji, është nëna ime”, dëshmon Luigj Gjergji mbi familjen e At Bernardin Palajt, të cilin e nëna e tij, Liza Gjergji, e kishte dajë.

Nga Austria në Dukagjin

Mësmimet e para të fillores dhe të shkollës unike, Bernardini i mori pranë Kolegjit të Franceskanëve në qytetin e Shkodrës, ku pasi doli me rezultate të shkëlqyera, u dërgua për të ndjekur më tej studimet pranë Liceut Teologjik në Salzburg të Austrisë. Pasi e mbaroi atë Lice me rezultate shumë të mira, ai ndoqi më tej studimet e larta pranë Fakultetit Teologjik në qytetin e Insbrukut. Lidhur me këtë dhe karrierën e mëvonëshme kishtare të Bernardinit, Luigj Gjergji, dëshmon: ” Pas marrjes së diplomës, Bernardini u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1911 ai u dorzua si frat pranë Kuvendit të Franceskanëve në qytetit e Shkodrës. Pasi qëndroi për disa vjet pranë atij Kuvendi, në vitin 1918, Bernardinit iu dha e drejta e meshtarit duke u dorzuar si prift dhe pas asaj kohe ai shkoi për të shërbyer në disa nga famullitë e fshatrave më të thella të Malësisë së mbi-Shkodrës.

Aty nga viti 1920, Bernardini u caktua si profesor i gjuhës shqipe dhe latinishtes pranë Gjimnazit “Iliricum” të qytetit të Shkodrës dhe në atë kolegj ai bashkëpunoi ngushtë me drejtorin e saj, Padër Gjergj Fishtën, i cili e nxiti atë në fushën e studimeve mbi doket zakonore dhe folklorin e Veriut të Shqipërisë. Atë punë kërkimore dhe studjuese, At Bernardini e vazhdoi gjatë gjithë atyre viteve që shërbeu si profesor pranë gjimnazit “Iliricum”, duke bashkëpunuar ngushtë dhe me mikun e tij, At Donat Kurtin, me të cilin ai herë pas here ndërmerte ekspedita kërkimore në fshatrat më të thellë të trevave të Veriut. Në ato zona të largëta ai bashkëpunoi ngushtë edhe me rreth 40 famullitarë, të cilëve iu linte detyra për mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve të Veriut dhe dokeve e zakoneve të ndryshme të atyre fshatrave ku shërbenin ata.

Po kështu përveç asaj pune të vazhdueshme kërkimore në terren që i zgjati për afro 20 vjet me rradhë, At Bernardini u mor edhe me anën studimore të Eposit të Kreshnikëve dhe aty nga viti 1940 ai filloi botimin e tyre. Në atë kohë ai së bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, At Donat Kurtin, botuan në katër vëllime, librin “Këngë kreshinkësh dhe legjenda”, i cili pati një jehonë të madhe dhe u vlerësua shumë nga personalitetet e letrave të asaj kohe, si Xhuvani, Çabej, Dosti, Padër Anton Harapi etj, të cilët e quajtën atë vëllim: “Iliada shqiptare”. Pas kësaj në vitin 1942 At Bernardini filloi botimin e studimeve të tij në revistën “Hylli i Dritës” me studimin: “Doke e kanu në Dukagjin”, e cila vijoi në disa numra rradhazi, gjë e cila u botua edhe në Romë në vitin 1944. Një pjesë e madhe e studimeve të At Bernardinit, u botuan në vitin 1943 edhe në tekste të ndryshme shkollore. “kujton Luigj Gjergji, lidhur me punën studimore të dajës së tij, At Bernardin Palajt.

Vdekja në qelitë e Sigurimit

Pas vitit 1944, At Bernardini jetoi sa në Shkodër aq dhe në Tiranë, ku vinte shpesh për të botuar punimet e tija shkencore në Institutin e Studimeve Shqiptare me të cilin kishte bashkëpunuar që nga koha e Luftës. Punimet shkencore të tij u vlerësuan mjaft edhe pas mbarimit të Luftës, ku një nga studjueset më të famëshme të Eposit shqiptar, rusja Denisckaja, në një studim të sajin shprehej me superlativa për të duke thënë: “At Palaj është njohësi më i thellë i maleve tona”. Mirpo puna e gjatë kërkimore e studimore që At Bernardin Palaj kishte nisur që në fillimin e viteve 1920, nuk mundi të vazhdonte më tej, sepse ashtu si pjesa më e madhe e klerikëve katolikë edhe ai u godit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Lidhur me këtë, nipi i tij, Luigj Gjergji, dëshmon: “Aty nga data 22 tetor e vitit 1946, vetëm një ditë pasi At Bernardini ishte kthyer nga Tirana ku bashkë me disa klerikë të tjerë katolkë ishin thirrur në një takim nga Enver Hoxha, atë e arrestuan dhe e mbyllën në një nga dhomat e Kuvendit të Françeskanëve të cilin Sigurimi e kishte kthyer në burg.

Gjatë asaj kohe që ai mbahej i arrestuar aty, u torturua në mënyrën më mizore dhe asnjë nga familja jonë nuk mundi që ta takonte dot. Më datën 2 dhjetor të vitit 1946, ne na lajmëruan që të shkonim tek Kuvendi për ta parë dhe aty vajtëm: unë me nënën, Lizën dhe gjyshen, Nushën. Ne nuk na lejuan që të futeshim brenda oborrit të Kuvendit, por na hapën paksa portën e jashtëme dhe nga aty pamë trupin e Bernardinit të plandosur përdhe me veladonin gjithë gjak të ngjitur për trupi. Njerzit e Sigurimit na thanë se ai kishte pasur vdekje natyrale dhe na dhanë disa plaçka e sende të tija personale krejt të të parëndësishme. Por e vërteta qëndronte krejt ndryshe, sepse vdekja e tij kishte ardhur nga torturat dhe sëmundja e tetanozit që i ishte shpifur atij ato ditë nga teli me gjëmba që i kishin lidhur duart.

Ne kërkuam që të merrnim me vete kufomën e tij për ta varrosur, por ata nuk na e dhanë e pas disa minutash na përzunë nga aty. Që nga ajo ditë ne nuk mësuam dot asnjë të dhënë se ku e kishin varrosur trupin e tij, por pas pesë vjetësh, u hap fjala se At Bernardinin së bashku me gjashtë klerikë të tjerë që i kishin mbytur në tortura, i kishin varrosur në gropën e gëlqeres aty në një skaj të Kuvendit Franceskan. Po kështu krahas këtij lajmi ne na thanë se trupi i At Palajt ishte groposur në një vënd me trupin e Dom Lazër Shantojës, brenda murit rrethues të Kuvendit. Por të gjithë këto ishin vetëm fjalë nga njerëz dashamirës, sepse faktikisht eshtrat e At Bernardinit familja jonë nuk ka mundur t’i gjej dot edhe sot e kësaj dite”, e përfundon rrëfimin e tij 69-vjeçari Luigj Gjergji, lidhur me dajën e tij, At Bernardin Palaj, një nga studjuesit më të mëdhenj të Eposit të Kreshnikëve të Veriut, që vdiq në torturat e Sigurimit në dy dhjetorin e vitit 1946, kur qeveria komuniste e Enver Hoxhës propagandonte zgjedhjet e lira dhe demokratike.


Ernest Koliqi: “At Bernardini ishte “frati i kangvet”

Bernardin Palaj Tri dite ndjeja në Palç pa fratin, tue e pritun. Rrogtari e rrogtaresha më shikojshin sytë për të hetue dhe shpejt për të plotsue ma të voglin dëshir t’emin. Kurgja nuk më mungonte n’at qelë të paqët. Megjithëkëtë, kallzoj të drejtën, ato tri dit pa mikun e dashun m’u dukën të gjata. Jo se e urrej vetmin. Përkundrazi shpesh e due dhe e kërkoj si nji gja të lakmueshme. Për ma, qi ajo asht gjtihmonë pjellore. Por vetmija e maleve kish fillue me më lodhun; vetmija e nji qytetari midis Malsorve, me të cilët kurr nuk mund të çelim, nga shkaku i mendësis rranjësisht të ndryshem, një marrëdhanje shfryese shpirtnore. Pritshem me padurim shokun e vjetër, në vetmin e qelës së Palçit. Shumë e rrebtë vetmija e maleve. Vetëm ata qi e provuen mund të flasin për të. Na qi kemi jetue përjashta, njoftim vetmin e qyteteve të mëdhaja. Je kret i vetëm atje ne mes nji morije njerzish të huej. Ecë brryl për bryl me ta, i panjoftun ndër të panjoftun, por atje, ndër udha të mbarmjes plot drita e lëvizje e zhurma e kumbime, zemrën nuk t’a ndrydhë nji shtrëngim i papritur shkretnimi si në Malsi, ku pra flitet gjuha jote.

Edhe pse nuk flasin me ty, kalimtarët e udhavet të përjashtëme të shoqnojnë me fytyra të qeshuna, me sympathy gazmore të shikimeve. E ndien veten si nji botë të rregullueme, q’i gjeti mjetet ma të holla me luftue mërzin, me zbutë ndiejen e tmerrëshme të vetmis njerëzore, të vetmis tragjike, të shpirtit qi trupi dan, robnues. I verbët, nga njerëzit tjerë e nga të gjitha sendet: e lenhë, prandej, e shpesh e kandëshme vetmija ndër qytete të hueja. Përkundrazi ajo e maleve e randë për ne qytetarët dhe nganjiherë dërmuese.

Tmeri, mërzija e mortshme e vetmis më kapi keqas papritmas nji natë në Shosh, mbas dy javësh qi kasha banue me qef aty pa kurrnji takim me njerz qyteti. U argtova si përherë n’at mbramje-deri sa ngjatën ngjyrat e prendimit dhe xhixhilloi hylli i parë në kupë të qiellit, tue ndigjue si muzikë të folunit e pastër të Malsorve. Si u err, u ngjita n’odën t’ime majë kullës së Nik Gjergjit. E qe, aty, m’u duk shum e zbet, trishtuese, drita e vogël e kandilit me vojguri sjellë me tesha tjera prej Shkodre. Do burra të shtëpis, shtrue kambë kryq rreth meje, bsiedojshin. At mbramje nuk më tërhiqte biseda e tyne, si të flitshin nji gjuhë të huej qi un nuk kuptojshem. Sa u kujtuen se un dojshëm të rrij vetëm, ata me shumë njerzi zbritën poshtë. Nikën, qi përpiqej i shkreti t’a largojë me shpoti e gaz mërzin t’eme, e nisa jashtë me fjalë idhnake.

Vobsija e odës, të zit e trenave të tavanit, pabukurija e orendive, terri porsa i davaritun prej flakës dridhëse të kandilit më hynë në shpirt. Dëshirova Shkodrën, shtëpin t’ime qytetare, nji shok qytetar cilindo, për të thye at vetmi kapërthyese. E mbasi këto ngushullime nuk i kishem, e ndjeva veten të mjerë, tmerësisht të mjerë. Por më kaloi. I lajmuem ndoshta prej Nikës për trishtimin t’im, u ngjit majë kullës plaku i shtëpis, Prel Gjoni, me zamare të vet në dorë. Më përshëndeti shkurtazi dhe, pa folun asnji fjalë tjetër, porsa zu vend larg dritës më nji skaj t’odës nisi me i ra zamares me gjashtë bira. Mue më pëlqej sigurija e tij se me ato tinguj të thjeshtë mund të shëronte çdo mërzi të shpirtit. Unë isha mbështetë në psotë me krye në jestek. Mbylla syt e lëshova n’at varg tingujsh qi herë të hollë e të naltë, herë të trashë e t’ ulët, mirreshin mbrapa bukurisht tue u gërshëtue e tue u shkri njani në tjetrin. Zamarija përtrinte zanet e pyllit, të krojeve të jehonave bjeshkore.

Kur çela syt, pash bri plakut, pro pak ma në dritë, ndjejë dhe ajo për tokë, Currlinën, blegtoreshën e re. Heshte e më shikonte me vetulla çue përpjetë. Te vona, tue u avitë kadalë e tue më verejtë me nji tutë disi qesharake, këthei edhe Nika. Nji nga nji u shtruen prap rrotull meje burrat e shtëpis dhe pimë duhan e raki së bashku si ndër mbramje tjera. Ato çasa të shkurtë trishtimi midis malesh më bajnë të mendoj vetmin e kishtarve, të mësuesve, të nëpunsave t’anë qi jetojnë ndër vise ma të humbuna t’atdheut. Sidomos mërzija e gjatë dimnore, kur bora për gjashtë muej pret çdo marrëdhanje me qytete, tham do të jetë e tmerrshme. Por ndoshta e shumta mësohen. Ata qi nuk mund të mësohen në shkreti, vuejnë, por sigurisht ua lehtëson vuejtjen vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë.

Unë ia qajshem hallin fratit t’em. Famullija e tij asht nji ndër ma të largtat e ma të vishtirat. Me kureshtë të gjallë pritshem t’a shof aty midis asaj bote t’egër, midis njerzve mali, atë qi njofta dikur bisedat plot vlerë e mendehapët në mes rretheve ma t’arsimeume të qytetit. Edhe frati erdhi, Buzë mbramjeje, ia dëgjuem shirrjen qi lëshoi nga kryet e livadheve. Plot m’a mbushi Me gëzim zemrën zhapllima e thundrave të kalit, qi zbrite shpejt e shpejt kah qela.

At Bernardin Palaj, famullitar i Mërtunit me ndeje në Palç. At mbramje qi erdhi u kënaqme tue bisedue mbi folkflorën t’onë. E, të nesërmen, frati më çoi në nji odë të vogël e aty, mbi lëpizat e nji rafti të vjetër, më tregoi do turra letrash zverdhue nga moti e tefterësh të trashë. Kangët. Mija kangë kreshnikësh e trimnish, mija valle darsmash, poezi shekullore e popullit shqiptar përherë e ngjomë, kalue nga goja e breznive në të sosun n’ atë të breznive në të këndellun. I shfletuem bashkë ato letra e ato tefterë të pluhunuem prej kah dilte fryma e nji prendvere s’amshueme. Cikli heroik i Mujit dhe i Halilit i këndue nga rapsodet e Dukagjinit me gjuhë të kulluet e të thekëshme. Po ato kangë, po ndër varjante ma të ngjyrëshme, ma të lëvizshme të Malsis së madhe, ku kangëtarët kanë fantazi ma të gjallë. Vallet e Kosovës dhe të Dibrës plot njomsi dashunore. Ato të Shestanit e t’Ulqinit me fytyrime detare, të holla e të lëmueta. Ato të Bizës, tu Kepi i Rodonit afër Durrësit, deliakte plot analogji me trajtat toskënishte.

Nuk e dij se kush pat thanë qi gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Balkan populli këndon për poetët. Deri tash për mue poeti ma i madh i Shqipnis asht populli i ynë. Kjo e vërtetë, më shëndriti para syve të mendes në Palç, në qelën e Fratit të Kangve. Ai, në vetmin e gjatë të malit, i ka vu veshin kangës së pashtershme qi buron shi nga zemra ma e thellë e kombit arbnuer edhe ia ka rrëmbye harresës. Mbi lëpiza të pluhunuene të qelës së Palçit, flen fara e prendvernave të përtardhuna të poezisë re shqiptare.


TRADITA-ZAKONORE

Grimca nga “Visaret e Kombit”, vepra madhore e At Palajt

Për herë të parë “Gazeta” publikon disa pjesë nga punimi i Atë Bernardin Palajt, klerikut të famshëm shkodran që për 20 vjet me rradhë mblodhi dhe botoi Eposin e Kreshnikëve.

(Përgatiti D.K.)

Bernardin Palaj Para pak kohësh, në faqet speciale të rubrikës “Dossier”, zuri vënd një shkrim i gjatë për At Bernardin Palajn, një nga klerikët katëolikë nga Malësia e Shkodrës, i cili vdiq nën torturatë e Sigurimit të Shtetit, në 2 dhjetor të vitit 1946. At Bernardin Palaj kishte lindur në vitin 1896 në fshatin Shllak të Dukagjinit dhe pasi kishte marrë mësimet e para në Kolegjin Franceskan të qytetit të Shkodrës, ishte diplomuar për Teologji në Insbruk Të Austrisë.

Pas mbarimit të Studimeve ai u kthye në vëndlindjen e tij ku u caktua profesor i Historisë në Liceun “Illiricum” dhe krahas asaj pune, për afro 20 vjet me rradhë ai u mor me mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve të Veriut të Shqipërisë, si dhe me doket e zakonet e atëyre krahinave. Për atë punë voluminoze që i zgjati për më shumë se dy dekada, At Bernardini angazhoi edhe më shumë se 40 famullitarë që shërbenin në atëo vise të thella dhe bashkë me At Donat Kurtin, i mblodhi dhe i sistemoi ato në katër vëllime të veçanta, të cilatë njihen ndryshe si “Visaret e Kombit”. Në shkrimin e mëposhtëm, ne po botojmë vetëm një pjesë të vogël nga ajo vepër madhore, të titulluar “Malësia e Madhe dhe Bjeshkët”, të cilën At Palaj e patë mbledhur e shkruar së bashku me At Kol Ashtën. Ky material na u dorzua për botim në dorshkrim, nga 69-vjeçari, Luigj Palok Gjergji, që është nipi i klerikut të famshëm, Palaj.

Malësia e Madhe dhe Bjeshkët

“Popullsia e këtyre trevave malore, natyrshëm, në rrjedhën e jetës ka ardhur gjithnjë duke u shtuar, e si pasojë e këtij fenomeni edhe toka ka ardhur duke u copëtuar gjithnjë e më shpesh në ngastra, e meqë kjo sillte që as me blegtori nuk mund të përballohej ndikimi i shtimit të popullsisë, banorët e këtyre trevave e panë të udhës të dyndeshin për t’i hapur rriskun vetes, familjeve të tyre, duke zbritur në fillim në Nën Shkodër, për të siguruar bukën e dimrit, siç i thonë malësorët e kësaj ane: Sa me kalue baltën e dimnit, por më pas shumë prej tyre u vendosën përgjithmonë aty. U shpërngulën pra prej trojeve të tyre, toka tepër të varfëra për t’u vendosur në tokat plla të Bregut të Bunës, Trushit, Velipojës dhe bregut të Matit ku vunë edhe pasuri.

Megjithë këtë burim fatlum pune e pasurimi, këta malësorë që ishin mësue me jetue me ajër të shëndetshëm, tani ranë në një situatë të vështirë përsa i përket klimës së disfavorshme për ta, klimë moçalishte, plot mushkonja e cila i detyroi që gjatë verës të ktheheshin në vendlindje, ndërsa vjeshtën, dimrin e pranverën ta kalonin duke punuar në viset e Nën Shkodrës. Kështu u krijua karvani ose siç i thonë malësorët Çoja. Karvanët bëheshin të organizuar duke i thirrur njëri-tjetrit, kur ishin gati me u çua: “O mik kur po çoheni / Gati jemi kur të don”. Thirrje kjo karakteristike malësore që për fat të keq disa, për të njollosur malësorët i quanin “fise të egra nomade” gjë që nuk është e vërtetë se malësori ka pasur shtëpinë e plangun e vet në vërri e të bamen në bjeshkë. Çoja ka patur bukuri poetike: Gjithsecili e ka patur me gëzim atë ditë.

Banorët e Nën Shkodrës pashmangësisht dëshironin ta mësyjnë bjeshkën me ajër të pastër e me bukuri natyrore. Karvani apo Çurja nuk është punë e lehtë sepse donin shpenzime e përgatitje, megjithatë bëhesh me ngazëllim. Koha e karvanit caktohej më parë, me marrëveshje duke mos i bërë askujt padrejtësi në shfrytëzimin e kullotave. Se ç’kërkohej për këtë e kishte të qartë kushdo që merrte pjesë në karvanin e Çojes. Sigurimi i miellit për shtegtim, e për sa kohë që do të qëndronin në bjeshkë, sigurimi i bulmetit; enëve të gatimit saj vi, talëret (kopajat) për të mbushur çaprat me mazë, enët me gjalpë e mjeshkavinë etj. Veç këtyre edhe rrobat e shtresat, gunat e fjetjes, ngarkoheshin në mushka. Merreshin edhe qentë e hekurave për të ruajtur mallin e vathën, si dhe pushka me fishekë kundër ujqërve dhe harushave. I pari karvanas ishte gjithmonë i zoti i shtëpisë që udhëtonte në kalë i veshur me çakçirë e xhamadan, ku në jelek varej rrëfana e argjendë e sahatit “serk-isuf” e në kokë mbante qeleshen.

Pas saj vinte çobani i berreve me pushkë pas krahut duke u prirë dhenve e duke u bërtitur ogiçave e pas çobanit vinte bagëtia e trashë me kuaj, pra, të ngarkuara me enë shtëpiake e ushqime, shtroje e rroba trupi. Fëmijët udhëtonin ngarkuar mbi gomarë me kosha. Gratë u grahnin kuajve dhe tek-tuk mbanin ndonjë foshnjë të kërthinjtë në krah. Karvani udhëtonte herët në mëngjes për të përballur vapën e ditës dhe ndalesat për t’u ushqyer i bënin në vende ku i rrihte hieja dhe ku drekonin me bukë që e përcillnin me qumështin e bagëtive që i milnin rrugës për të mos u prishur gjiri i bagëtisë nga kullota e qumështit. Qumështin që u mbetej nuk e shpërdoronin por ua falnin shtëpive para të cilave u binte rruga. Udhëtimin sipas vapës herë e bënin natën dhe ditën pushonin pranë ndonjë kroi apo hieje pemësh e lisash, nën mriza.

Bjeshkën e mësynon Malësia e Nën Shkodrës dhe të Mbi Shkodrës. Ajo e Nënshkodrës karvanin e ka patur më të gjatë se udhëtonin 1 javë e bile edhe mbi 10 ditë deri në Bjeshkë. Këtyre nënshkodrakëve të rënë këtu nga Malësia e Madhe shpesh u kanosej malarja që edhe u jepte vdekjen. Kundër malarjes përdornin “barin e etheve” bimë me shkop të hollë 30 cm me një tufë lulesh të kuqe në majë. Këtë bimë e thanin dhe e pinin si çaj. Edhe kundër vrerit (të vjellurave) përdornin një bimë që kishte një kërcell 50 cm, të gjatë, rritej në shkëmbenj e kishte lule të verdha në majë. Kjo bimë nxjerr një lëng të bardhë si qumështi që quhet rriedhçë e cila përdoret vetëm 3 pika në një masë të pakët sheqeri që duke e ngrënë të pastron të vjellurit (vrerit). Karvanët që niseshin nga zona e Nënshkodrës kalonin nëpër urë të Baçallëkut ku në kohën e Turkut paguhej gjymryku për të hyrë në Shkodër e mandej rruga vazhdonte për në Koplik, Bajzë, Rrapsha e Hotit, Kelmend, Vermosh e në Guci.

Ata që Bjeshkën e kishin në krah të Shalës-përmbi Rrogan, binin nëpër Koplik ku përshkonin fushën e Zhajës e pas këndej vijonin tek prroi i Thatë, Shkrel, Ducaj-Zagorë, nëpër Bogë kah Shtegu i Dhenve, nëpër Theth, Rrogan e në Valbonë. Njëri prej konaqeve që i ka ra kësaj rruge ka qenë edhe shtëpia me zë e Lum Mirae (Mirajve) nga Selcka. Kur Malësia binte në Guci, tellalli lëçiste lajmin:”Prej ditës së dielë e deri të mërkurën tjetër të javës që vjen, mos me lëshue kush gjë të gjallë gjatë rrugës që udhëtojn malësorët, se del Malsija në Bjeshkë!” Ky lajm shërbente për të mos u përzierë tufat e bagëtive të vendalive me ato të malësorëve. Atëkohë rruga e malësorëve ka ra nëpër krejt bregun e djathtë të lumit Gerçar-afër Vermoshit deri në Guci. Kjo porosi e tellallit ka qenë në fuqi deri në vitin 1919. Kur malësorët arrinin në Guci secili ka kaluar në bjeshkën e vet.

Tokat e Malësisë

Sot ka mjaft malësorë që dinë për secilën bjeshkë se e kujt ka qenë. P.sh. Tom Pjetri prej Vukli, 80 vjeçar, Zef Lulashi prej Kikçi 85 vjeçar e Zef Doda prej Nikçit 85 vjeçar, që janë marrë tërë jetën me blegtori, dëshmojnë: 1)Vizitori e Brazda e Vezirit kanë qenë të Dedë Gjo Nikë Sykut prej Selce. 2) Zeletina mbi Nakutë e Bori i Kolinës mbi Vuthaj të Ded Cokut prej Selce 3) Golezhi mbi Andrejevicë, i Kaçel Turkut, bajraktar i Niçit. 4) Zeletina (pjesa tjetër) Gjon Sokolit prej Nikçit. 5. Grebeni – Dush Ulës prej Nikçi. 6. Lipovica-Kol Preçit nga Selca. 7. Bistraçiça, e Nikoll Mekut prej Vuklit. 8. Popadija, e Nik Tomës prej Vuklit. 9. Vollushnica e Zef Camit dhe e Pretash Zogut prej Vukli. 10. Gërbaja e Kel Vatës prej Vuklit. 11. Dromodoli mbi Deçan i Keqa Lukës prej Vuklit. 12. Loxhija mbi Pejë, e Prel Kol Rrasit prej Nikçit. 13. Smilojonica, mbi Beran (Ivangrad) e Vatë Pëtrashit me vllazni. 14. Potkobilla, mbi Plavë, e Cak Dedës prej Vukli. 15. Liqeni i Shtrazës, mbi Shalë i Prek Pëllumbit prej Vuklit. 16. Pecokeqi mbi Shalë i Kol Shytit prej Nikçit.

Boga që shkon në Kelmend ka pasur bjeshkën e vet në të dy anët e bajrakut, në lindje me majën e Dashit në krye e në veri me Bjeshkët e namuna. Maja e Dashit për Bogën është naltue si të ishte “Ora e Bajrakut” me rreth 2000 m lartësi nga deti dhe është i tëri shkëmb gjigandesk. Aty kalohet vetëm nëpër një shteg të vetëm. Vetë Maja e Dashit është livadh alpin me bar deri në gju. Bjeshkatarët e Bogës binin këtu kur bari vesitej më fort, shtrinë e shterpnimin. Kjo bëhej se nga vesa e barit shtrrima e shterpnimi nuk kishin nevojë për ujë. As egërsirat nuk depërtonin këtu se shtigjet mbylleshin aq lart sa egërsira nuk mund t’i kapërcente.

Bjeshkët e Kelmendit

Kelmendi ka pasur bjeshkët e veta në Bjeshkët e Namuna, rreth Plavës e Gucisë mbi Deçan, mbi Pejë, mbi Andrijevicë e mbi Beran (Ivangrad), Hoti, Gruda, Kastrati, Shkreli, Trijeshi e Koja, për çka dihet, nuk kanë pasur hise por në pastë dalë kush për hatriçe. Kjo pjesë tjetër e Malësisë që përmenda më lart, ka pasur bjeshkët e veta: Hoti ka dalë në Veleçik, të ndarë në hise të ndryshme ngastra), sipas bajraqeve: Brushtulla, Kopita, Gropa e Ahit, Shtjerri, Bjezhgazhi, Lugu i Shakujve, Mala e Pshisës etj. Gruda pa pasur Jeshnicën mbi Vermosh, por duke u vrarë me fqinjët i është dashur të shesin Bjeshkën për të paguar gjaqet, kështu që ka mbetur pa bjeshkë. Në kohën e sotme, pra, e vetmja njësi Bajraku, Gruda, nuk ka Bjeshkë.

Kastrati bjeshkën e vet e ka patur në Veleçik, të ndarë sipas bajraqeve: Drugomir, Fushë e Zezë, Krenashdol e Lqeth. Edhe Shkreli ka patun bjeshkët e veta mbi Shkrel nga Lindja, ndër të tjera, me zë Korrila e Shkrelit, si dhe kah Veleçiku-Vrithin, Rranxat e Vrithit dhe Troshanet e Vrithit, por do pasur parasysh se qëkur i ra Hoti përmes kufirit, kësaj ane iu këput edhe Bjeshka në Veleçik, kështu që Traboini e Drumja kanë për bjeshkë Çemerin, Bukuviqin kah Tëbanat e Vuksanas. Për t’u furnizue me ujë kanë pasur Gëzojt shpellë 20 m e thellë ku përmes shkallësh të gurta i afroheshin ujit për t’u furnizuar. Edhe Korita dikur ka qenë e Hotit, por ja hoqën dore.

E Hotit ka qenë edhe Smutigorja e vëllezërve Gjelae (Gjelajve) përmbi Vermosh, por mbeti pa të, sepse, edhe sot shihen vorret e Hotjanëve në ato brigje: burra, gra, fëmijë të mbytur, e pra qysh atëhere Hoti nuk ka dalë më në ato bjeshkë. Në bazë të kallëzimeve të burrave të moshuar të Shkrelit, paraqitja e bjeshkëve të kësaj pjese të Malësisë së Madhe, ka qenë: 1. Zagora: Një pjesë të Fushë-Zezës dhe pjesën e Draganit. 2. Vrithi: Troshanin, një pjesë Fushë-Zezë në Glecan Graban. 3. Dedajt: Brushkullin dhe një pjesë të Korilës. 4. Bzhezh Çek Dedajt: Korilë, Grykë Lugje, Negovan. 5. Xhajët: Draganinë. 6. Ducajt: Kamshallin dhe Breg-Beqen e pak Grykë – Lugje. 7. Majat: Mshitel e pak Grykë-Lugje. Gruda deri diku e ka zëvendësuar bjeshkën, që nuk e ka pasur, me freskinë e njomësinë e Lumit Cem që e përshkon përmes Grudën. Shumë shtëpi të Grudës janë ulur në Lug të Cemit e kanë kalur pjesën më të nxehtë të verës.

Trimëria e Vuksan Gela

Në Grudë bëheshin shumë fiku e rrushi. Vendalitë kësisoj nuk mund t’ia kthenin shpinën vendit të vet. Ka pasur edhe shumë gjë të gjallë e sidomos dhen. Po si shteruan këto dhen? Duke i dhënë dobërzana bjeshkatarëve në Pyll të Madh, afër Liqenit të Shkodrës ku kishte kullotë e ujë boll, por meqë këtu nuk ishte vend i shëndoshë bagëtia jepej siç thamë për 3 okë djathtë për krye berriplle, ose sipas marrëveshjeve nga më të ndryshmet. Dbërzanat (të përzanat) janë edhe nga Dita e Shën Antonit deri për Shëngjon. Në Grudë kemi një rast tjetër; Veziri i Shkodrës i nxori në Bejleg një rival të tij, por duke mos i besuar vetes, kërkon një burrë trim që t’i dalë në dyluftim armikut të vezirit.

I pari i Grudës i asaj kohe, Vuksan Gelë Ivezaj, meqë ishte i plakur, vendosi shprehjen: “Eh, i shkreti unë, më ka lanë këmba e dora se i kisha dalë në bejleg hasmit të Vezirit”. Njëri nga djemtë e Vuksanit e garanton të jatin që të rrijë pa merak se do ta kryente vetë këtë dyluftim, dhe, fitoi ndaj rivalit të Vezirit. Vuksani kërkoi Dimoshën në fushë për vërri dhe Vermoshin për Bjeshkë, Dheun e Zi si dhe Pyllin e Madh deri tek liqeni i Shkodrës!… Thuhet se Vuksan Gela, para se të vdiste, porositi me gojë djemtë e vet duke u thënë:”Keni me më varrosun në Majë të Sukës së Grudës ku këmba e kalit të turkut nuk ka me mujtë me ma shkelun vorrin!”. “Edhe sot ky varr është aty ku porositi Vuksan Gela e për çdo vit i kujtohet emri dhe i bëhen ritet fetare”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.