Mbi dijetarin Kolë Ashta

0
5499

Ecja nëpër anën e errët të historisë

— nga Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj

Kolë Ashta Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta. Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidomos çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Leksikut …” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës.

Para pak kohësh, pas një pune vullnetmadhe e të frytshme shumëvjeçare si pedagog dhe si studiues i gjuhës shqipe, u nda së gjallësh prof. Dr. Kolë Ashta, njëri nga hulumtuesit më të zellshëm e më të përkushtuar të fjalës shqipe, njohës i mirë i teorisë dhe i praktikës filologjike, figurë e paharrueshme dhe e lidhur me ndihmesa të rëndësishme në lëmin e gjuhësisë shqiptare. Ai vdiq dhe nuk la trashëgimtar: as djalë as vajzë dhe kjo, natyrisht, në planin njerëzor e bën edhe më të dhimbshme humbjen, veçanërisht për familjen e tij, porse ai, ashtu si disa burra të tjerë të shquar të letrave e të shkencës sonë, la një vepër madhështore e të përmasave të mëdha, na la “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, vëllimin e parë të së cilës e botoi më 1996 Sektori Shkencor Albanologjik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”: një punë madhore dhe e hapët, prej rreth 500 faqesh, në të cilën janë përfshirë kërkimet dhe hulumtimet e të ndjerit rreth katër pikave-nyjë në filologjinë historike shqiptare: 10) “Formulës së pagëzimit” apo dokumentit të parë të gjuhës shqipe, shkruar me 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli, 2) Dokumentit të dytë të gjuhës shqipe “Fjalorthit” të Von Harfit (1467), 3) “Perikopesë ungjillore” të përkthyer nga fundi i shek. XV e që përbën të tretin dokument të gjuhës shqipe dhe 4) “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555) që përbën burimin më të madh e më të plotë të shqipes së shkruar deri atëherë.

Le t’i japim një sy, së bashku, të nderuar lexues, kësaj vepre të jetës së mjeshtrit Kolë Ashta, këtij libri të botuar nga Shtypshkronja “VOLAJ” me ndihmën financiare të Fondacionit “SOROS” dhe të Dhomës së Tregtisë të Shkodrës. Redaktorë të vëllimit janë një treshe e profesoratit shkodran, As. Prof. Dr. Tomor Osmani, As. Prof. Dr. Simon Pepa dhe Tefë Topalli, që të tre miq dhe kolegë të Ashtës, po edhe njerëz që i lidh fort zemra me ndihmesat e vyera të albanologjisë e që, duhet ta themi, në botimin e kësaj pune që përmban gjithë jetën e Kolë Ashtës, kanë rolin e atyre që shpëtojnë dikë nga përmbytja. Gaditja për shtyp e punët redaktoriale që kërkon një veper kaq e vëllimshme si “Leksiku historik i gjuhës shqipe” përbënte me siguri një mund e zotim të shënueshëm dhe atyre u përket një nderim për këtë.

Por, para se të hyjmë në thelbin e paraqitjes sonë, le të ndalemi një çast në përkushtimin e kësaj vepre nga autori: “Gjithë punën për kryerjen e këtyre studimeve ia kushtoj An-etës, gruas sime, e cila m’u gjet gjithmonë pranë”. Kjo na kthen edhe një herë tek ajo që prekëm në hyrje: Kolë Ashta nuk la bij, por ai, ashtu si Martin Camaj, pasi çoi jetën me familjen e vet, pasi iu mbaruan ditët, i la bashkëshortes veprën e tij të madhe, e cila e pavdekëson mbiemrin e autorit më shumë se do ta përjetësonin një çetë djem e nipa: ai la emrin e ndritur të studiuesit që kurrë nuk diti të thoshte “kam hulumtuar mjaft”. Ai e vijoi kërkimin dhe punën shkencore deri në çastet kur iu mpa-kën e iu shterruan të gjitha forcat dhe, pa dyshim, në shkëlqimin më të mbramë të syve të tij, para se t’i mbyllte përgjithmonë, zonja e tij e nderuar, Aneta, me siguri që, bashkë me lamtumirën e burrit, do të ketë ndjerë edhe “amanetin” e autorit për veprën që la në botim e sipër.

Tek lexojmë veprën, natyrisht, nuk mund të mos shprehim dhe nderimin që meriton zonja Aneta Ashta që, këtë amanet të të shoqit, arriti ta plotësojë, duke pasur pra-në edhe studiuesit e Sektorit të Albanologjisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Sa herë të lexojmë, të citojmë a të vlerësojmë atë çka thuhet në “Leksiku historik i gju-hës shqipe” të Kolë Ashtës, krahas tij do të na shkojë mendja natyrshëm edhe tek personat që me aq përkushtim bënë të mu-ndur botimin e saj. Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me for-mim të thellë e vizion të gjerë perëndim-or, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta.

Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidom-os çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Lek-sikut …” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës. Kush lexon e studion veprat e Çabejt sheh se atë lëndë e citonte dhe e shfrytëzonte gjerë për etimologjitë e shqipes dhe më tej në kundrimet rreth historisë së gjuhës shqi-pe.

Nuk gabojnë aspak, po të themi se, në veprën e E. Çabejt “Studime etimoligjike në fushë të shqipes” Kolë Ashta është au-tori që është cituar më shpesh. 1. Punimi i parë që zë edhe vendin e kreut hyrës të vëllimit është ai që i kushtohet figurës së Pal Engjëllit, si personali-tet e bashkëkohës i Skëndërbeut, si historian a biograf i tij, i përmendur gjithandej në shkrimet historike kushtuar heroit tonë kombëtar, krahas Biemnit, Barletit etj. po, duke u ndalur, në mënyrë të veçantë në Kuvendin e Matit të vitit 1462, si një nga sinodet shumë të rëndësishme, ku ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli shkroi edhe të famshmen “Formula e pagëzimit”. Koha kur u shkrua Formula ishte një pikë kriti-ke e historisë kombëtare shqiptare: Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot – Skëndërbeu ishte atëherë më i plakur dhe i lodhur e kishte filluar të ndihej trysnia e ndikimit turk. Kuvendi i Matit mishëronte përpjekjet atdhetare për t’i bërë ballë sado pak vërshimit të kësaj vale.

Në sythin e titulluar “Dokumenti i parë i shkrimit shqip është “Formula e pagëzimit”, shkruar në Mat, më 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli”, Kolë Ashta i qaset shtruar shqyrtimit filo-logjik dhe përshkrimit të hollësishëm të brendisë e të formës gjuhësore të atij do-kumenti. “Formula e pagëzimit” e shkruar latinisht e shqip nga Pal Engjëlli është kjo “Ego te baptizo in nomine patris et filij spiritus sancti”. Teksti shqip i Pal Engjë-llit: “vnte paghesont premnit Atit et birit et spertit senit”, që e tejshkruan kështu: “Un të pagëzonjt pr emënit/të/ Atit et birit et spertit senit”. Dokumenti i parë i shqi-pes gjendet brenda një konteksti udhëzim-esh të shkruara latinisht. Këto udhëzime, që kanë të bëjnë me këtë shërbesë fetare, me pagëzimin e në lidhje me formulën e tij, që lexohen në tekstin e Pal Engjëllit, dëgjohen përsëri e do të shtjellohen më gjerë edhe në shekujt vijues, si në Kuven-din e Arbnit, të mbajtur në Mërqinjë të Lezhës më 1706. Autori ngulmon se “ato janë dy më të moçmet sinode shqiptare që nga koha e Skëndërbeut”. (fq. 43).

Formula e pagëzimit, ndonëse është një tekst i shkurtër, gjithsej vetëm një fjali, përmban një hallkë të rëndësishme që lidh Shqipërinë paraturke me Shqipërinë e kohës osmane. Ajo është formula që do të ketë qenë në përdorim të kishës në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse e fiksoi me shkrim atë traditë të trashëguar brezpasbrezi e me një trajtë pothuajse të pandryshuar. 2. Dokumenti i dytë i gjuhës shqipe është “Fjalorthi” i Arnold fon Harfit (Von Harf) i vitit 1497. Ky shtegtar gjerman, qe nisur nga Këlni i Renanisë në vitin 1496 për një udhëtim të largët nëpër Itali, Siri, Egjipt, Arabi, Etiopi etj. Gjatë atij udhëtimi ai u ndal diku edhe në brigjet tona. Ato që pa e dëgjoi gjatë udhëtimit të tij Harfi i renditi në një vepër, e cila asokohe nuk qe botuar. Vetëm mbas shumë vjetësh, më 1860, do të botohej në Këln “Die Pilgehrfart des Ritters Arnold Von Harf…”, në f.65 të të cilit, autori sjell disa fjalë shqipe së bashku me disa fraza e me disa numërorë, që u mblodhën prej tij në vendin to-në dhe po prej tij u përkthyen në gjermanisht. Së këtejmi, edhe quajtja e tyre “Fja-lorth shqip-gjermanisht” i vitit 1497. Nga shqyrtimet e shpjegimet e imëta të Ashtës del se Harfi, së pari, do të jetë ndalur në Ulqin, për të cilin thotë se “ky është një qytet i bukur, i vogël, pronë e venedikasve dhe është tokë shqiptare”. Prej andej ka-lon nëpër det dhe del në Durrës e aty, mbledh disa fjalë dhe mban shënime që, më vonë, do të ngjallnin aq interesim.

Në të vërtetë, përtej interesimit të mirëfilltë për historinë e shqipes së shkruar, ato pak fja-lë të Harfit, do të meritonin edhe një he-tim e analizë të hollë dialektologjike, sep-se, bash qysh aty, mund të vinim re edhe ndonjë dukuri dialektore karakteristike për të folmet bregdetare të Shqipërisë së Mesme dhe të toskërishtes, përderisa dihet se, gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri, ai qëndroi edhe në Sazan. Porse, puna është se teksti origjinal nuk na ka mbërritur, kemi në dorë vetëm kopjimin sipas botimit që ka bërë Mario Roku (Roques). Të interesuarit, studiues apo studentë të le-trave shqipe, në studimin e prof. Kolë Ashtës kanë tërë listën e fjalëve shqip-gjermanisht të Harfit, bashkë me disa shpje-gime kritike në kllapa. Aty kemi, gjithashtu, alfabetin e shqipes të nxjerrë nga “Fjalorthi”.

Sa thotë Ashta rreth veçorive gjuhësore-historike të “Fjalorthit” si dhe të dhënat leksikore të nxjerra së andejmi kanë pasur e do të kenë edhe më tej rëndësi të madhe për studimet rreth fonetikës historike të shqipes, si dhe përgjithës-isht rreth morfologjisë e leksikut të gjuhës sonë. Ato janë përfillur e cituar gjerë sidomos në kërkimet e Eqrem Çabejt. 3) Dokumenti i tretë i shqipes, të cilin Ashta e trajtoi gjerë në veprën e vet, është “Perikopeja ungjillore”. Aty flitet për për-kthyesin anonim të dokumentit, për ndryshimet mes kodit dhe dokumentit shqip të Anonimit “Perikopeja ungjillore”, bëhet përshkrimi i dokumentit nga ana filologjike, jepet pasqyra e alfabetit të “Periko-pesë ungjillore” dhe teksti i dokumentit shqip të Anonimit. Tërheq vëmendjen, në mënyrë të veçantë, shqyrtimi i gjerë dhe plot erudicion i të dhënave rreth fonetikës dhe përbërjes leksiko-frazeologjike që nden “Perikopeja”.

Aty, praktikisht, Porf. Ashta ka derdhur shpjegime e shpallime etimologjike, historiko-kulturore, etnolo-gjike etj., të cilat nuk mund të mos përfilleshin nga dijetarët bashkëkohës dhe at-a që do të vijnë. 4) Natyrisht, puna më e madhe dhe themeli i vëllimit është studimi “Gjon Bu-zuku dhe vepra e tij “Meshari” (1555), një monografi e hapët dhe e plotë prej gati 400 faqesh. Kemi të bëjmë me një studim të kryer qysh më 1963 dhe është bërë du-ke u mbështetur fillim e mbarim vetëm në fotokopjen tërësore të “Mesharit”, sepse, deri atëherë nuk kishte dalë ndonjë botim filologjik i tij. Vendin kryesor në studimin e Ashtës për librin e Buzukut e zënë, siç e thotë edhe ai vetë, sidomos dy gjëra të re-ja: ana letrare e përkthimit shqip dhe leksiku i plotë i nxjerrë nga vepra.

Monografia është nyjëtuar si vijon: pas disa shënimeve paraprake, shkurt, vjen hyrja me titull “Jehet e kohës e të hapësirës në she-kullin XVI dhe Buzuku me veprën e tij” (f. 113-120), sythi rreth jetës së Gjon Buzukut dhe disa vija të personit të tij (f. 121-1126), Arsyetim për çështjet biblio-grafike të veprës së Buzukut (f. 127-134), vrojtime grafike për shkronjat e alfabetit në veprën e Gjon Buzukut (f. 135-141), Një përpjekje për studimin e anës letrare të veprës “Meshari”, sipas përkthimit shq-ip nga Gjon Buzuku (f. 141-175), Veçori dalluese të gjuhës së Buzukut (f. 183-220), Bibliografi për Gjon Buzukun (f. 221-223) dhe Leksiku i plotë nxjerrë nga vepra e Gjon Buzukut, punuar mbi foto-kopje (f. 227-494). Vëllimi që kemi në dorë na fton ta këndojmë me nge, po edhe të nxjerrim së andejmi shumë fakte, pikëtakime e të dhëna që do të na duhen shpesh për të shqyrtuar e zhdavaritur të errëtat e kërki-meve rreth gjuhës shqipe. Po ndalem, kalimthi, vetëm në ndonjë ide e përsiatje që na del gati spontane duke lexuar Leksikun e veprës së Gjon Buzukut. Së pari, në afrinë shumë të madhe fonetike dhe leksikogramatikore të asaj që nden “Meshari” me të folmet e anës veriperëndimore, sidomos me ato të Malësisë së Madhe.

E kam fjalën, në mënyrë të veçantë, për pika të mëdha takimi e përkimesh që nuk ka si kalohen në hije, si p.sh. grupin e zano-reve uo (afëruom, amëshuom, amëltuom, anëkuom, bekuom, besuom, bukuruom, buollicë, dërguom, dëftuom, dëshmuom, duoj, duruoshim, fabrikuom, faruom, firmuom, gruoja, guxuom, gjatuor, gjimu-om, idhënuom), që nuk e ndeshim më kurrkund në të folmet e gegërishtes veri-perëndimore, përveç trevave të Malësisë dhe të zonave prej nga kanë qenë shpërngulur malësorët, si në anët e Krajës dhe në diasporën e krijuar prej mërgimtarësh krajanë e anamalas në Zarë të Dalmacisë. Shumëkush, ndonjëherë edhe në radhët e gjuhëtarve që maten me hijen e mëngjesit, harrojnë se, p.sh., të folmet e Kastratit, të Hotit, të Kelmendit etj, bash hir të pranisë së togut uo dhe fazës së mëtejme të tij ua (grua, mua, prrua, shkua) dallohen prerazi nga mbarë të folmet e tjera të gegërishtes, dhe, least but not least, bashkëzanojnë më dukshëm me toskërishten e me gjuhë letrare standard, sesa me të folmet e tjera, qoftë edhe aq pranë, si p.sh. me të folmen e qytetit të Shkodrës. Pikërisht ashtu si gegërishtja e Gjon Buzukut, siç e kemi thënë edhe gjetkë, ngjason aq fort e përputhet harmonishëm në shumëçka me tos-kërishten e Lekë Matrëngës.

Natyrisht, hi-poteza si kjo mbeten gjithësesi “në kantier” e duhen çuar më tej, porse mua më duket se , edhe në shumë raste të tjera, leksiku dhe semantika buzukiane që nden “Meshari”, jo vetëm gjen përputhje të plo-ta, po edhe jep shteg për të menduar për një zanafillë të mundshme të Gjon Buzukut pikërisht nga ndonjë vis veriperëndimor që kishte një të folme si ato që ndeshim edhe sot në Malësi të Madhe.

Sa për ilustrim, po theksojmë këtu se, duke lexuar Leksikun e Buzukut, mua më vijnë kundruall e krejt të njëjta shumë leksema si këto: ardhija dhe shqiptimi i saj në formën ërdhi, që aq shpesh e kisha ndeshur ndër të moshuarit e Kastratit; mbiemri ci-lësorë i atillë, e atillë me kuptimin “i fortë, i fuqishëm”, që e kam ndeshur në Budishë e Kastrat të Epërm qysh kur punoja për temën e diplomës për të folmen e Kastratit (1965-66); bakeq “keqbërës” dhe antonimi bamirë “mirëbërës”, forma briena si shumës i emrit brini “briri”, folja bukuroj dhe rrjedhojat e saj bukuruom, e bukuru-ome, që ndërtohen pa parashtesë, por dre-jtpërdrejt nga tema bukur: ka nis rrushi m’u bukurue (Kastrat), butak-u që lidhet me but-i, por që në Kastrat e ndeshim në formën bucak-u; fjalët dejem, i dejun “dehem, i dehur”; forma me ll e emrit të së di-elës: Buzuku dielle-ja, Kastrat e gjetkë në Malësi edhe sot: e diell, t diell n mrame; djergem “zbres”, duoj “dorëz kallinjsh”, fjala ndez me formën në dh: dhezunë, dhezëllimë, që, krejt ashtu, na shfaqen në Malësi: me llez i cigare, zjarmin e laç llezun, ka marr t llezun etj. Dukuri të tilla, sigurisht, nuk mjaftojnë vetëm të hetohen, ato duhet edhe të ndiqen në ballë të gjerë e sipas një ideje për te mbërritur në përqasje sa më të plota e sistemore. Vetëm kështu besojmë se mund të jepen pamje më të hapëta e prurje më të sigurta, mbi bazën e të cilave edhe mund të zhdava-riten sadopak mjegullnajat rreth fazave të hershme të gjuhës shqipe e të jo pak pro-çeseve fonetike e morfosintaksore të saj. Paçim shëndet e jetë për t’u ardhur rreth e për të hulumtuar mbi to. Pastë dritë e iu përmendtë kurdoherë për mirë emri mjeshtrit të madh Prof. Dr. Kolë Ashtës.


Kështu i do mushka drutë…

— nga Nikollë Dakaj

Nji polemikë e famshme mes Nikoll Dakaj e At Mark Harapit

At Mark Harapi, i cili e nderoi letërsin shqipe me përkthimin e burgut të romanit italjan (Të fejuemit), mori shkas nga kritikuesit e vet të fyejë personalisht zotin Dr. Kolë Ashtën, dhe të sulmojë gjuhën e mesme dhe shkrimtarët e saj.

Ndër sa fjalë fyese kundra zotit Dr. Kolë Ashta, po paraqes ato që e karakterizojnë ma mirë frymën e pastër dhe njerzore t’artikullistit: Kritikuesit (z.Ashta)… nuk din me i shkrue si duhet as tri faqe të shkret, e na ngrehet gjyqtar mbi tjerë! Ulu, more, prej fikut se del ndonji mustakoç e të zdrypë për veshit. -…çka lëshon shkruesaleci (Shkëndis) – Ky nuk ua ka pa as kartuçat ma të mëdhajve filolog të shqipes e na kokorisë filologji! (siç!)

Tue arsyetuem me gjakftoftësi, z. Dr. Kolë Ashta asht nji shkrimtar i ri dhe nuk ka shkruem ende aq shumë sa me dhanë nji gjykim përmbi të. Ai tash sa ka filluem të shkruejw. Pastaj ata profesorë universiteti qi i kanë dhanun titullin doktor në letërsi, me nënshkrimin e vet kanë tregue se z. Ashta din të shkruejë ma shumë se tri faqe si duhet, dhe i asht dashun të japë provime filologjije, prandej nuk ka nevojë aspak At Harapi të përmendë kartuça.

Sa pse thotë At Harapi dy herë n’artikullin e vet se zoti Ashta kokorisë, unë e dij se kokorisin pulat dhe jo njerëzit, prandej me këtë fjalë At Harapi ka, nderue gojën edhe pendën e vet.

Së fundi sado i zoti të jetë At Harapi, atij i mungon, me sa dij unë, titulli doktor në letërsi, që gëzon zoti Ashta. E me këtë fjalë nuk due të thom se këtij do t’i përkulen të gjithë ata që nuk e kanë ket titull, por due t’i thom se ai që gëzon nji titull të tillë ka të drejtë të shkruejë dhe të gjykojë mbi vepra letrare pa pasun, nevojë At Harapi me i marrun nderin përpara letërsis me shamje.

Më të vjetrit dhe ma të praktikuemit, nga panda mund ta këshillojnë, mund t’i japin zemër, por jo ta shajmë si At Harapi vetëm pse nuk i ka pipat mirë me të.

Deri dje zoti Dr. Kolë Ashta ka shkruem shkodranisht, dhe mund të jetë që nuk i ka hym në pale gjuhës së mesme.

Se pse e ka shkruem fjalën (smuetore) me (ue), asht nji gabim me të vërtetë, por a nuk asht nji gabim dhe fjala shumës filolog (për filologë a filologj) dhe bashkimi i njëjsit me shumës në frazën (mos me ja (ia) pasë aspak lakmi kombeve të hueja), si vrehet n’artikullin e At Harapit. Atëbotë, kur vetë At Harapi nuk qenka i pagabueshëm në gramatikw dhe n’orthografi, pse bërtet me të kotë kundra të tjerëvet? Ma mirë të hapë sytw e të shofë se mustakoçavet tashma u ka kaluem koha.

Porpika ma me rëndësi n’artikullin në fjalë t’At Harapit asht sulmi kundra gjuhës së mesme dhe kundra shkrimtarëvet të saj, si i ndjemi Luigj Gurakuqi, z. Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Ndue Paluca, Kostaq Cipo, Ernest Koliqi, Shpend Bardhi, Kolë Kamsi, dhe sa e sa të tjerë.

Dhe me të vërtetë, po të lexohet me vëmendje gjymsa e dytë e artikullit në fjalë t’At Harapi, del në shesh se shkrimtarët e gjuhës së mesme – zyrtarishtes – dijnë në pikëpamje gjuhësore vetëm të pasunohen me ar dhe të grumbullojnë çifliqe. Por këtu Zotnija e tij mos të kujtojë se ideali asht ndrym vetëm në pallatet e bukura dhe në kopshtet e hapta të Jezuitëvet në Shkodër. Ka idealista dhe përjashta. I ndjemi Luigj Gurakuqi, kur u vra në Bari, u gjet me këmishë t’arnueme dhe me çarapë të shkyem, e pra a kishte në dorë ai të grumbullojë të holla sa të donte, a kurrkush tjetër.

Pastaj nuk asht nevoja me përmendun sa e sa të gjallë mbas gjurmëve të Luigj Gurakuqit ndjekin gjuhën e mesme, të cilët mbas ma shumë se njizet e pesë vjetësh shërbimi nëpër zyra e nalta shtetnore, sot banojnë ndër shtëpija t’ulta qerpiçësh, dhe marrin uha nga të tjerët pse nuk u del rroga të përballojnë jetesën. U djersitën dhe u plakën pa kohë të shkretët, tue punuem, ndokush edhe natën, për gjuhën shqipe, dhe prap se prap del ndonji mustakoç që t’i hudhë në baltë, si njerëz që punojnë për bark dhe jo për ideal. Por këta puntorë të mirë dhe të ndërgjegjshëm mos të ligështohen, pse Shqipnija nuk mbahët vetëm n’At Mark Harapin. E nesërmja do t’i qesë faqebardhë.

Le të shikojë pastaj At Harapi se shkrimet toske kanë të njëjtën orthografi dhe paraqesin pothuejse krejtësisht nji mënyrë të vetme të djalektit të vet.

Po nga ana tjetër gegët, po të vrehen në shkrimet e tyne të shumta dhe të bukura, përdorin tri a katër mënyrë të ndryshme shkrimi. Pastaj trajtat e gjuhës së shkrimtarëvet gegë të veriut, janë të gjymtueme dhe të hangruna shumë. Mungon shumë herë grupi mb, dhe Ë, gja e cila nuk lejon të shifet rranja e fjalës dhe e ban gjuhën të vrazhtë. Përkundrazi, po të shkruejshin të gjithë gegët nji orthografi dhe nji trajtë të vetme gjuhe, toska do të mund ta zente ma lehtazi gegnishten, dhe ndryshimet e dy kryedialektevet do t’ishin shumë ma të pakta.

Na del tash përpara problemi se cila gjuhë e gegëvet do të mirret porsi letrare prej të gjithëve. Sigurisht ajo që kuptohet ma tepër në përgjithësi. Dhe kjo asht – me sa dij unë dhe sikurse asht mendimi i shumë e shumë të tjerëvet shqiptarë dhe të huej albanologë – gjuha e Shqipnisë së Mesme. Mirëpo, tue qenë se kjo gjuhë ka të meta dhe me të vërtetë nuk ka dhanë deri më sot ndonji kryevepër, duhet që vështrimi i mbiemnit (i mesëm) mos të mirret aq fort në kuptimin gjeografik, por ma tepër të mirret porsi trajtë e mesme gramatikore dhe syntaktike e fjalëvet. Mbas këtij mendimi punon Instituti Mbretnuer i Studimevet Shqiptare, dhe kanë shkruem shumë vetë, si u tha dhe ma nalt, dhe nuk asht nevoja të vrasim vehten na tash me kërkime.

Librat shkollorë që botuem Ministrija e Arsimit janë përgjithësisht në këtë gjuhë të mesme. Pastaj kemi shkrimet e të ndjemit Luigj Gurakuqi – që ma i pari nisjativën – dhe, midis të tjerëvet, shkrimet e shumta (përkthime) të ndjekësit të tij ma të përpikët dhe ma puntuer z. Prof. Karl Gurakuqi.

E në qoftë se At Harapi don të ngulë kambë në fjalën e vet se kjo gjuhë e mesme nuk kuptohet, pa kurrnji mbështetje, (letrën zyrtare që tregon Zotnija e tij na nuk e kemi pam se si ka qenë e shkrueme) e pyesim. Kush asht ai që nuk e kupton gjuhën e bukur të romanit “Lule” (prej Fabjan Barkatës – përkthim nga Prof. Karl Gurakuqi) ndër gegë dhe ndër toskë? Ishim ende fëmijë në klasën e parë të liceut kur e këndojshim në shkollë faqe për faqe librin (Zemra) dhe kuptojshim porsi gjuhën e nanës, përveç ndonji fjalë së rrallë, që profesori na e shpjegonte menjiherë. Prandej, më duket se nuk gënjehem në qoftë se thom se po t’ishin shkruem në gjuhën e këtyne dy librave shembullorë, veprat e Fishtës, të Prenushit dhe vetë romani i përkthyem nga At Harapi me titullin (Të fejuemit), nuk do t’i mirrte vesh vetëm Shkodra me rrethet, por e gjithë Shqipnija, pa përjashtuem as toskët. E gjuha e mesme nuk i urren frazat e stilin e bukur si i duket At Harapit.

Sa pse At Harapi ankohet se toskët nuk shkruejnë në gjuhën e mesme, duhet ta dijë se sicilit i pëlqen gjuha e nanës së vet, pa ndryshime themelore. Pastaj toskët e kanë kryem – si u tha edhe ma nalt – nji detyrë në këtë pikë: e kanë unjisuem gjuhën e vet mjaft.

Ta bajmë kaq edhe na gegët dhe atë botë sa ndryshime do të mbeteshin midis dy kryedjalektevet? Rotaçizma, zbutja e zanores hundore n’, ë, gjatësija e zanorevet dhe ndonji tjetër i pa rëndësi. Gjuha kështu do ishte e bashkueme mjaft, pa u përziem djalektet.

Të përdorej athere nëpër zyra e shkolla gjuha e mesme, sot zyrtare. Nuk do të prishej gja. Shkrimtarët do t’ishin të lirë me shkrue si në njënin si në tjetrin nga dy krydjalektet pa u bam kurrnji dhunë as shkrimtarëvet të mdhej gegë, as shkrimtarëvet të mdhej toskë.

Me kaq – kush don të marrë vesht dhe të çveshet nga regjonalizma – nuk duhet ta shajë zotin Dr. Kolë Ashta, pse paska dishruem që (Të fejuemit) t’ishin shkruem në gjuhën e mesme. E në qoftë se Fishta tallej me satyfat e veta me këtë gjuhë, poezija e tij satyrike dhe polemikat e tija i tregojnë kujdo se sa pasjoni ka vluem në zemrën e tij. Ai asht poeti ma i madh që ka pjellë toka jonë shqiptare, por kjo nuk don me thanë se fjala e tij asht nji dogëm kritike. Dhe në qoftë se këtij ajo tallje sarkastike i ka hijë në satirë, nuk i bjen për shtat aspak At Harapit në nji artikull kritike.

Se ku do të dalë kjo çetë shkrimtarësh me këso shkrimesh, unë nuk e dij. Shof vetëm se prej tyne kujtohet se vetëm ata do të vrajnë e do kthiellin qiellin kritik të letërsisë sonë.

Marrë nga: http://www.radiandradi.com/keshtu-i-do-mushka-drute-nga-nikolle-dakaj/

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.