HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Përse rasti “TemA” dhe rasti “Marubi” janë të njëjtë

Mero Baze -- nga Mero Baze, TemA - shkurt 2009

Ka disa ditë që kur polica mbërriti në dyert e akademisë “Marubi” për ta rrethuar dhe atë me tela me gjemba, që shumë njerëz afër qeverisë janë bërë “të gjallë” dhe përpiqen të më kujtojnë se rasti i Çashkut nuk është i ngjashëm me rastin e gazetës “TemA”. Kjo, me sa duket, ngaqë mendojnë se mund të zbehë mbështetjen time publike për rastin “Marubi”. Arsyetimi i thjeshtë, sipas tyre, është se gazeta “TemA” ka një kontratë të rregullt, ka fituar një gjyq dhe qeveria po i bie më qafë, kurse ky Çashku… dhe vazhdojnë dërdëllitjet publike të ministrave të Sali Berishës. Interesant është fakti që të njëjtët njerëz nuk e kanë mbrojtur publikisht gazetën “TemA” dhe vazhdojnë të heshtin, ndërsa gazetarët e saj janë rrugëve dhe e ardhmja e gazetës po futet në kolaps financiar. Ata tashmë janë të shqetësuar për të fituar konfliktin e radhës me një armik të pushtetit dhe ky është Kujtim Çashku.

Në të vërtetë edhe historia e gazetës “TemA”, edhe historia e akademisë “Marubi”, jo vetëm që janë të ngjashme, por kanë vetëm një shkak, historinë e raporteve personale të Sali Berishës me mua dhe Kujtim Çashkun. Gjithçka tjetër, gjithçka që duket ndryshe, gjithçka që përpiqet të paraqitet njëherë si ligjore dhe njëherë si antiligjore, është ilustrim se sa pak respekt ka qeveria për arsyet e vërteta.

Problemi është se kryeministri, Sali Berisha, vendosi të shkatërrojë gazetën “TemA” dhe, sapo ajo përfundoi investimet e saj, sipas kontratës 20-vjeçare që kishte, i çoi aty në mënyrë të rrufeshme policët dhe telat me gjemba për t’ia varrosur ato investime dhe për ta bërë fakt të kryer bllokimin e gazetës dhe mosdaljen e saj më në treg. Arsyeja ishte se kryeministri kërkonte të hakmerrej ndaj politikës botuese të gazetës, e cila për hir të së vërtetës i krijoi telashe, pasi provoi publikisht se Shqipëria po e paguan shtrenjtë pushtetin e vajzës, djalit, dhëndrit, Lulit dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes biologjike dhe politike të Sali Berishës.

Edhe pse nuk pyeti për asnjë vendim gjykate, për asnjë urdhër përmbarimi, për asnjë reagim kombëtar dhe ndërkombëtar, Sali Berisha e vazhdoi dhe po e vazhdon këtë luftë me perversitete të tjera, me presione të ndyra fizike, financiare dhe publike. Dje, në orët e vona të mbrëmjes, reporterë të gazetës “Koha Jonë” më merrnin në telefon dhe më tregonin se si Aleksandër Frangaj kishte mbërritur në redaksi dhe i lexonte nga kompjuteri kryeministrit të Shqipërisë një shkrim makabër që përshkruante se si duhet të vritem unë, ç’duhet të bëhet me kokën, trupin, gjuhën, sytë, trutë dhe gjithë gjymtyrët e tjera. Kryeministri natyrisht që ndihej mirë në anën tjetër të telefonit, edhe pse reporterët e gazetës ishin të terrorizuar nga shkrimi. Deri këtu ka shkuar urrejtja dhe përfytyrimi makabër i Sali Berishës për kundërshtarët.

E njëjta gjë ndodh dhe me Kujtim Çashkun. Arsyet përse një sharlatan shkon aty me forca policie për të rrethuar me tela me gjemba oborrin e tij, është se Kujtim Çashku është një intelektual që urrehet prej Sali Berishës. Arsyet e tjera janë vulgare dhe të shpikura. Nëse Kujtim Çashkut i merret oborri, çfarë i pengon të njëjtit që nesër t’i marrin dhe pjesën tjetër të akademisë? Qeveria që ofron toka për 1 euro për Damir Fazlliçin, qeveria që po legalizon 200 mijë ndërtime pa leje, qeveria që duhet të paguajë për filmat dhe kulturën shqiptare, kur regjisori Çashku është një ikonë e pazëvendësueshme, i çon atij policë dhe e rras në qeli sikur të ishte kriminel.

Shkaku është se ai urrehet prej Sali Berishës. Dhe për këtë shkak, sulmi ndaj tij dhe sulmi ndaj “TemA”-s janë të njëjtë. Kujtim Çashku është nga ata intelektualë jokonformistë që kanë mbështetur ardhjen e demokracisë në vendin tonë dhe Partinë Demokratike, deri në atë masë që të mos bëhej pjesë e ëndrrave të përjetshme për pushtet të Sali Berishës. Dhe ky i fundit nuk ia fal kurrë këtë. Vetëm disa metra larg akademisë “Marubi”, të gjithë pamë në ekranet e televizionit se si Aleksandër Frangaj komandonte furgonët e policisë për të arrestuar ata që i pengonin atij punimet për zaptimin e një rrugice. Ai arreston njerëz, zapton toka pronarësh, pret majtas e djathtas, se është njeri i Sali Berishës.

Kujtim Çashku po fyhet dhe poshtërohet, se nuk konsiderohet mik i tij. Këtu fillon dhe mbaron gjithë thelbi i konfliktit. Të tjerat janë pallavra ministrash të kapur që nuk guxojnë dot të shikojnë të vërtetën në sy. Janë ata ministra që e bëjnë në brekë, po t’i marrë në telefon dhe vëllai i Aleksandër Frangajt, janë ata burracakë që në kafe shajnë Berishën, se po i rrëzon nga pushteti, dhe publikisht bëhen ushtarë të pështirë të tij. Është interesante se si këta ministra janë në të dy rastet me Berishën, dhe kur ai e nxjerr gazetën “TemA” që është në rregull me letra, dhe kur nxjerr Çashkun që sipas tyre nuk është në rregull me letra. Pra, sipas tyre, në të dyja rastet, qeveria ka të drejtë ta bëjë këtë.

Që të kenë të drejtë të flasin për arsye burokratike dhe administrative, duhet së paku të provojnë që qeveria mund të tërhiqet nga një prej dy rasteve. D.m.th., nëse thotë që sulmi ndaj “Marubit” bëhet për arsye ligjore, atëherë tërhiqet nga rasti i gazetës “TemA”. Qeveria s’mund të jetë në të dyja rastet fituese, nëse bëhet fjalë për arsye ligjore. Kjo dëshmon qartë se arsyet nuk janë as ligjore, as burokratike. Ato janë fryt i mendësisë hakmarrëse të pushtetit personal të Sali Berishës.

Për këto arsye beteja për të mbrojtur akademinë “Marubi” nuk duhet parë as si betejë ligjore dhe burokratike, siç duan ta kanalizojnë ithtarët e qeverisë, as si betejë politike, por si një përplasje e mendësisë së shtetit personal të Sali Berishës me vlerat publike të Shqipërisë. Ndaj, në mbrojtje të tij duhet të ngrihen studentët dhe organizatat joqeveritare, jo për t’i shtuar apo për t’i hequr dhjetë metra tokë Kujtim Çashkut, por për t’i hequr nga duart pushtetin, qoftë dhe mbi dhjetë metra katrorë, familjes së Sali Berishës.

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara