Vendimi i Kushtetueses, dhe “pazari” i Berishës
-- nga Mero Baze, TemA - 17.02.2009
Gjykata Kushtetuese pezulloi dje zbatimin e ligjit për lustracionin deri në marrjen e një vendimi prej saj, pasi ajo të këshillohet me Komisionin e Venecias dhe organizma ndërkombëtarë për këtë çështje. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e ligjit ishte i pritshëm nga të gjitha palët. Ai pritej të ishte i tillë nga opozita, nga ndërkombëtarët, por dhe nga vetë zoti Berisha. Ky i fundit madje ka qenë më i interesuar se kushdo tjetër për këtë lloj vendimi. Ka qenë i interesuar, për shkak se ai nuk ka interes të bëhet i zbatueshëm një ligj, që nuk i zgjidh asnjë problem, përkundrazi ia shton problemet. Atij i intereson që ligji të mos zbatohet dhe ai të ketë të drejtë të vazhdojë të tregojë me gisht nga çdo gjyqtar apo prokuror që ka në dorë ndonjë dosje që i djeg atij.
Me këtë ligj Sali Berisha u tall deri në fund me ata qindra-mijëra shqiptarë që kanë vuajtur në regjimin e Enver Hoxhës dhe prisnin dhe presin akoma me zemër të dridhur të shikojnë një gjest zyrtar kundër diktaturës. Sali Berisha ndjehet “i larë” me këtë shtresë të gjerë shoqërore, me ata të cilët kanë nevojë vërtet për një ligj, që i jep të drejtë ligjore, morale dhe financiare të shkuarës së tyre nën diktaturë. Ky ligj fatkeqësisht nuk ua jepte, nëse do të zbatohej, dhe ata do të shikonin për herë të dytë se si u tall Sali Berisha me ta. Fakti që ligji nuk do të zbatohet ndonjëherë, është alibi e mirë për Berishën për të korrur frytet pa mbjellë ende pemën.
Ishte kjo arsyeja që Berisha e bëri këtë kështu, të paplotë, të pazbatueshëm, antikushtetues dhe selektiv. Ai liron nga e kaluara politikanë, sekretarë të Parë të KQ të Rinisë, Sekretarë të komiteteve të partisë dhe ndëshkon ndihmësgjyqtarë fshati, nga ata që linin shatin dhe belin dy orë dhe bëheshin pjesë e jurisë popullore që dënonte sipas direktivave të partisë, ku bënte pjesë vetë zoti Berisha. Ky selektivitet që buron nga mungesa e parimeve të tij dhe nga tendenca për ta përdorur pushtetin deri në fund për qëllime personale dhe familjare, e bëri ligjin një karikaturë, që jo vetëm nuk dënonte komunizmin dhe krimet e tij, por shpëtonte ajkën e komunizmit dhe merrej me çirakët e komunizmit. Por, për ta çuar deri në fund përdorimin e këtij ligji, ai i shtoi atij nene qesharake për ta bërë me zor antikushtetues, me qëllim që askush të mos prekej prej tij, dhe ai të kishte të drejtë të vazhdonte dhe të vazhdojë të përbaltë këdo që i prish punë, sipas parimit që i keq është vetëm ai që është armiku im.
Tallja e dytë e madhe e Berishës me këtë ligj adresohet te bashkëpunëtorët e vet. I pamëshirshëm deri në fund për t’i përdorur ata si lolo, dhe për t’i bërë qesharakë në sytë e shqiptarëve, me qëllim që të ndriçojë vetëm statura e tij, ai keqpërdori Topallin, Patozin dhe Bumçin me një qetësi të admirueshme. Deri në sekondat e fundit, kur ligji ishte pezulluar dhe Berisha kishte miratuar pezullimin e pritur, ai i nxirrte dhe vazhdon t’i nxjerrë ata në media si Sadam Hyseni, Ali Kimikun për t’u treguar shqiptarëve se nuk e njohin këtë vendim. I paturp në egocentrizmin e vet, ai po rrit koston e rehabilitimit të tij në sytë e ndërkombëtarëve, duke shkatërruar gjithçka dhe duke krijuar një shkretëtirë politike rreth vetes, me qëllim që të ketë vetëm një zgjidhje, vetëm një njeri, vetëm një ide dhe vetëm njerëz të pozicionuar pro tij.
Shikoni çfarë karikaturash ngjajnë disidentët e tij të djeshëm. Shikoni Genc Pollon, që ngriti shtetin socialist kundër Berishës, si i bie tani në gjunjë vetëm për disa miliona që ka vjedhur nga tekstet shkollore, shikoni Genc Rulin, që ka ngritur botën në këmbë kundër tij, si bie në gjunjë vetëm se ai ka bërë sikur s’i ka parë licencat dhe koncesionet që ka dhënë mes njerëzve të Familjes dhe për ndonjë të vetin, shikoni “të rinjtë e KOP” sa pleq të rrjedhur duken, duke folur me vete dhe duke bërë prova para pasqyrës që t’i pëlqejnë atij. Është një shkretëtirë e prodhuar me vetëdije, me qëllim që askush të mos ketë me kë të bisedojë veç atij. Ai është i vetmi që ka të drejtë të “shesë” kapitalin e shumicës në pushtet dhe tashmë kjo është një e drejtë e fituar me prokurim të drejtpërdrejtë.
Bota ka një javë që është ngritur në këmbë duke menduar se ai është çmendur dhe do kundërshtojë Gjykatën. Nuk kishin faj, se dëgjonin Topallin, Bumçin, Pollon dhe besonin që kështu do bënte dhe Berisha. Dje, e patë që ai dha pazarin e vet konstruktiv dhe pranoi vendimin. Dhe ky është sinjal për të gjithë ata që e vëzhgojnë, që ta kuptojnë se ai është një lider që i ka të gjithë poshtë vetes. Asnjë në krah, asnjë afër. Është një njeri që po vuan t’i japin një pazar, ta thërrasin dhe t’i thonë, me ty kemi punë, se me këta të tjerët nuk merremi dot vesh. Por e keqja është se kanë filluar ta njohin dhe e lënë kështu si e lanë, ta jepte pazarin vetë pa ia kërkuar.
|
|