Të jesh anëtar i mafies
-- nga Petar Popoviç, “Blic”, tetor 2008
Kur shkoja në gjimnaz (koha e rock n roll -it, e Luftës së Ftohtë, e të Painkuadruarve... ), kisha fatin që ende jetoja në shtetin më të pasur në botë. Nuk kishte libër shkollor që nuk e thoshte këtë gjë, edhe pse, po të kisha qenë më i rregullt në shkollë, tani do të isha në gjendje t’u tregoja saktësisht edhe emrat e atyre librave. Me sa mbaj mend, vetëm me dy-tri minerale të pavlefshme nuk ishim kampion të rruzullit tokësor. Për potencialet energjitike të lumenjve tanë, as të mos flas! Hit ishte ajo “Amerika dhe Anglia do të jenë vende proletarësh”. E, nëse kujtimi nuk më mashtron, asokohe keq e kishin vetëm zezakët në Amerikë dhe këngëtaret në Magjistralen e Ibrit. Gjenerata ime u rrit duke numëruar përparësitë tona ndaj pjesës tjetër të botës. Kishte aq shumë, saqë shpesh as që më kujtoheshin të gjitha.
Dhe çfarë ndodhi? Pas viteve të shthurjes, edhe në kohën e tranzicionit, ne vazhdojmë jemi më të pasurit në botë për nga numri i mafiozëve. Madje, rezulton që kush nuk është anëtar i ndonjë grupi mafioz, s’ka arsye që të jetojë në Serbi.
Peizazhi i realitetit tonë shoqëror është i tmerrshëm.
Le t’ia fillojmë me radhë: narko-mafia, mafia e benzinës, mafia e duhanit, mafia rrugore, mafia e monopolit, mafia e OJF-ve, mafia juridike, mafia farmaceutike, mafia futbollistike, mafia e rrymës elektrike, mafia e privatizimit, mafia ndërtimore, mafia e gazit... Nëse në këtë numërim e harrova ndonjërën prej mafieve, po iu kërkoj falje publike të papërmendurve. Nuk jeni anëtar i mafias? Atëherë ju mbetet shansi që të gjendeni disi vetë si lobist, nëse ndodh që s’jeni as malazez. E, nëse nuk jeni as mafioz, as lobist, as malazez, atëherë kjo do të thotë se s’jeni askush dhe asgjë në Serbinë e sotme. Nëse asgjë, si shpëtim të fundit, të paktën mundohuni që të prezantoheni si anëtar i respektuar i PUPS (Partisë së Pensionistëve të Serbisë).
Deri para dy dekadave, megjithëse me një distancë, këndohej kënga “s’dua të jem anëtar i mafias, sepse ky është një hap i gabuar, e edhe buka e tyre më duket disi e hidhur”. Mirëpo tani erdhën kohëra të tjera, edhe pse çmimi i anëtarësimit ndonjëherë mund të jetë paska i pakëndshëm. Së pari, ju publikojnë për një ditë ose dy nëpër tabloide dhe gazeta. Mandej, avokatët tuaj të kurdisur e kanë për obligim që të dalin në opinion me deklarata të ashpra. Pasurinë e krijuar lehtësisht dhe paditurinë e fituar me mund nga gjithë pjesa tjetër e mbetur, të thirrurit duhet ta bartin nëpër “pllakën e nxehtë” të mediave dhe të lakmisë njerëzore. Një ditë a dy më vonë shpërthen afera tjetër me mafien e radhës, ju liroheni (nëse veç ju kishin kapur gabimisht) dhe nga statusi i viktimës vazhdoni të kryeni punën tuaj (atë të pasurimit). Si një njeri që ka përjetuar pakëndshmëri mediatike, por që si shpagim ka fituar një respekt marketingu, tani i gjeni shumë më lehtë partnerët afaristë.