E drejta për të sfiduar pavarësinë
-- nga New York Times*, 10.10.2008
Nëpërmjet një opsioni të pazakonshëm të ligjit ndërkombëtar, Serbia ka fituar në përpjekjet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shqyrtojë mënyrën se si është shpallur pavarësia e Kosovës
Votimet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ishin thellësisht të polarizuara, me 77 vende që përkrahën kërkesën e Serbisë, 6 që e kundërshtuan atë, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe 74 abstenime.
Gjykata, selia e së cilës gjendet në Hagë, shpeshherë është thirrur për të ndërmjetësuar në konfliktet ndërkufitare dhe çështje të ngjashme, por kërkesat nga Kombet e Bashkuara për një mendim ligjor janë kryesisht të rralla.
Rasti i pavarësisë së Kosovës do të jetë një rast veçanërisht i vështirë. Nicolas Burniat, një avokat, i cili për gjashtë vjet me radhë ka punuar për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, thotë se “ligji ndërkombëtar njeh disa nga hapat formalë drejt pavarësisë nga ish-kolonitë në vendet sikurse është Afrika dhe Amerika latine, nuk ka udhëzime të ngjashme se si duhet vepruar mbi shkëputjen në vendet tradicionale ashtu si është Evropa”.
Gjithsesi, shumica e vendeve evropiane kanë abstenuar nga votimi. Madje, disa ambasadorë kanë tërhequr vërejtjen se kjo nismë e Serbisë do të shërbejë veç për të vështirësuar hyrjen e saj në Bashkimin Evropian.
Duke nënvizuar se 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë njohur tashmë Kosovën që prej shpalljes së pavarësisë së saj, ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Sir John Sawers, ka thënë se "Serbia duhet të punojë në mënyrë konstruktive me partnerët e saj të ardhshëm të Bashkimit Evropian".
Ambasadori francez, Jean-Maurice Ripert, citohet të ketë thënë se një veprim i këtillë, "nuk ndihmon në zbutjen e tensioneve".
Rosemary Di Carlo, ndërkaq, e dërguara e Shteteve të Bashkuara, ka nënvizuar se "pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme", duke e përshkruar kërkesën e Serbisë si të panevojshme dhe të dëmshme.
Edhe pse dëgjimi i rastit në Gjykatë do të mund të zgjasë rreth dy vjet dhe vendimi nuk do të jetë i detyrueshëm, fitorja diplomatike e Beogradit do të mund të ngadalësojë njohjet e mëtejme të shtetësisë së Kosovës.
Një vendim pozitiv në Gjykatën Ndërkombëtare do të mund të forcojë dorën e Serbisë për të bërë pazar mbi ndarjen e Kosovës, në mënyrë që veriu i banuar me shumicë serbe t'i bashkohet Serbisë.
Jo më kot, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka thënë se është i gatshëm ta shqyrtojë opsionin e ndarjes, për të zgjidhur më në fund çështjen e Kosovës.