HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Merret dhe jepet e mbi të gjitha na bën të mos ndihemi vetëm e të pashpresë

Vetëm besimi do të na shpëtojë

Në një epokë mashtrimesh, është e vetmja gjë ku mund të mbështetemi

Pa besim nuk mund të punojmë ("Do më paguajnë në fund të muajit?"), të kurohemi ("Mjeku që më ka marrë në ngarkim, është i zoti?"), apo të udhëtojmë ("Ç'ndodh nëse njerëzit nuk i respektojnë rregullat e qarkullimit?"). Ja si shprehet një sociolog gjerman për çështjen në fjalë: "Pa besimin, nuk mund të ngrihemi në mëngjes nga shtrati. Nëse nuk jemi të sigurt, na pushton një frikë e jashtëzakonshme". Në fakt, çdo aspekt i jetës sonë ka diçka të pakapshme: nuk mund t'i kontrollojmë të gjitha ngjarjet njëherësh, apo të njohim gjithë qëllimet e të tjerëve. Kështu, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kemi besim.

Fjala besim (nga latinishtja "fidere", të kesh besim) do të thotë të besosh te diçka ose dikush. Është njësoj si ajri që thithim, që rëndësinë e tij e kuptojmë vetëm kur sëmuremi. Si lind besimi dhe si na kushtëzon në marrëdhënien me të tjerët?

Një rrezik

Të kesh besim te dikush, apo diçka, është e pashmangshme, gjithashtu do të thotë të ekspozohesh e të çlirohesh. Në fakt, besimi është investim te të tjerët, por edhe frikë: sot "Microsoft" nuk do të ishte gjiganti i informacionit, nëse Steve Jobs, administratori i deleguar i "Apple"-it, s'do të ishte një njeri i besuar. Në vitin 1980 ai refuzoi një takim me IBM-në, e cila kërkonte një sistem operativ për kompjuterët e tij. Duke qenë se nuk kishte besim tek IBM-ja, ia la radhën rivalit Bill Gates, i cili përfitoi nga puna dhe arriti majat e suksesit.

Një botë mosbesuese?

Sot, shumë sinjale të bëjnë të mendosh se jetojmë në një epokë mosbesuese. Një simptomë? Ksenofobia, ose më saktë frika ndaj të panjohurve, të cilët shpesh konsiderohen më tepër si të rrezikshëm, se sa si një burim i fuqishëm për sigurinë, identitetin tonë kulturor, për ekonominë. Shumë kombe janë mosbesues ndaj vendeve të vogla. Edhe pse janë të bashkuar mes tyre, shfaqin sërish mosbesimin kundrejt çdo gjëje që është e panjohur dhe e huaj. Nëse të gjithë do të kishim pak më shumë besim, gjërat do të shkonin më mirë: besimi në shoqërinë ku jetojmë është parësor edhe për lumturinë e mirëqenien ekonomike.

Të besojmë te nëna dhe babai

Si lind besimi? Ai zhvillohet në vitet e para të jetës, në marrëdhënien me prindërit. Që në muajin e 10 të jetës është e mundur që një fëmijë të besojë te nëna përmes një procedure laboratorike, që quhet "strange situation" (situatë e çuditshme). Për të testuar besimin e një foshnjeje, studiuesit kanë bërë një provë: fëmija ndodhet në një dhomë të mbushur me lodra dhe është nën shoqërinë e nënës dhe një të panjohuri. Kur është vetëm me të panjohurin, fëmija duket i shqetësuar dhe i trembur; ndërsa kur nëna është e pranishme, vogëlushi, i sigurt në vetvete, largohet nga ajo për të eksploruar ambientin, i bindur se nëna e tij nuk do të zhduket, por do të qëndrojë aty me të. Veç të tjerash, një nënë që jep gjithmonë besim, vepron si një "bazë e sigurt": i lë fëmijës liri veprimi, pa i ndërhyrë te gjërat, që ai mund t'i bëjë vetë. Një nënë është gjithmonë gati ta ndihmojë fëmijën në rast vështirësie.

Dhe jo vetëm kaq: besimi sjell besim (dhe e kundërta). Nëse një fëmijë e di që nëna ka besim tek ai, ky i fundit përpiqet gjithmonë të mos e shpërdorojë besimin e saj. Nëse ndodh e kundërta, pra nuk ka besim te fëmija, ka gjasa që nëna të japë një model të keq tek ai dhe kjo nuk e ndihmon aspak një fëmijë, sepse ja ç'mendon ai: "Është e kotë t'i përfundoj detyrat, mami as nuk ka për të më besuar që i kam bërë".

E njëjta gjë ndodh edhe në marrëdhënien në çift: një person që përballet vazhdimisht me skena mosbesuese, në fillim do të jetë tolerant, por nëse kjo gjendje vazhdon gjatë, do të ndihet i lehtësuar nga detyrimi moral për të respektuar dëshirat e tjetrit.

Ky parim vlen edhe në marrëdhëniet diplomatike, mjafton të kujtosh krizën e sotme mes SHBA-së dhe Iranit. Asnjëra palë nuk beson te tjetra dhe marrëdhëniet po rrezikojnë të fundosen dita ditës.

Profeci dhe paragjykime

Besimi dhe mosbesimi mund të veprojnë si "profeci që vetëvërtetohen". Nëse jemi të bindur që fqinji ynë përballë nuk është njeri i mirë, nuk do të afrohemi shumë me të, duke krijuar kështu një hendek të madh mes nesh.

Edhe rendimenti shkollor mund të kushtëzohet nga besimi që mësuesit shfaqin kundrejt nxënësve: nëse dy grupe studentësh angazhohen njësoj në mësim, studentët që do të marrin nota më të mira janë ata te të cilët mësuesit kanë më shumë besim.

Ky mekanizëm vlen edhe në ekonomi: nëse mes investuesve të bursës përhapet bindja e një rënieje të rrezikshme të aksioneve, të gjithë i shesin aksionet, duke shkaktuar realisht rënien e parashikuar. Ja pse besimi është i domosdoshëm në ekonomi: "Përhapja e besimit zhvillon sensin civil, lulëzon kombet, favorizon pjesëmarrjen e demokracisë dhe rrit mirëqenien ekonomike", shpjegon një ekonomist amerikan. Një besim i fortë do të sillte edhe një rritje të konsiderueshme të të ardhurave të qytetarëve.

10 sekonda për të vendosur

Besimi dhe mosbesimi janë të prirur të gjejnë përgjigje në realitet, shpesh në mënyrë paradoksale: nëse beson te dikush, rrezikon edhe të tradhtohesh. Por çfarë i shtyn njerëzit të besojnë te një i panjohur? Një studim i bërë kohët e fundit nga një sociologe amerikane, tregon se ka shumë ndryshime mes dy gjinive: meshkujt besojnë më shumë tek ata që ndajnë të njëjtat interesa, apo që i përkasin kategorisë profesionale mesatare ose institucionale; femrat janë të prirura t'u besojnë më shumë të panjohurve me të cilët lidhen përmes njohjeve të ndryshme.

Shpesh ndodh që të mos kemi mjaftueshëm informacion për një person me të cilin shoqërohemi: truri ynë punon 10 sekonda për t'i bërë një analizë të zakonshme një të panjohuri dhe të vendosë më pas nëse duhet apo jo t'i besojmë këtij personi. Ky vlerësim i parë bazohet te faktorët e jashtëm, siç është pamja fizike, gjestet dhe shprehja e fytyrës: një person me shikim të pakapshëm mund të na krijojë përshtypjen se fsheh diçka.

Mendime të këqija

Kështu, gjykimi nëse duhet të besojmë apo jo te një i panjohur, është i gabuar dhe ndikohet nga mendimet tona (ndonjëherë na ka ndodhur t'i gjykojmë keq dhe të mos besojmë tek ata që vishen keq), gjendja shpirtërore (mosbesimi është më i madh kur kemi ankth) dhe eksperiencat tona të kaluara.

Një tjetër studiues londinez thekson se, në jetën e përditshme, një në tre persona kanë mendime paranojake, që një shok/shoqe me të cilin shoqërohen, ka qëllime të këqija. Shkencëtari ka studiuar sjelljen e 200 vullnetarëve në një simulim me kompjuter. Pjesëmarrësit kishin veshur nga një kaskë, e cila i lejonte ata të jetonin në një dimension virtual: do të qëndronin 4 minuta në vagonin e një metroje, nën shoqërinë e disa personave të tjerë (edhe këta të fundit virtualë). Rreth 40 për qind e vullnetarëve kanë shfaqur të paktën një mendim paranojak kundrejt pasagjerëve të tjerë.

Në jetën reale, tendenca për të mos besuar te të tjerët dhe për t'i keqkuptuar qëllimet e tyre, favorizohet nga tre faktorë: vendi (në ambientet e mbyllura e të ngushta je në duart e një të panjohuri), ambienti i një evenimenti (një e qeshur e pazakontë, për të cilën nuk i dimë arsyet) dhe personaliteti ynë (vlerësimi i madh për veten na bën mosbesues).

Kur në mes është një punë

Besimi na ndihmon të bëjmë biznese të mëdha. Këtë e vërteton teoria e lojërave, që studion sjelljen e individëve të ndryshëm në garë mes tyre. Imagjinojmë dy menaxherë që negociojnë mes njëri-tjetrit: nëse të dy përpiqen të rrisin në maksimum fitimin individual, duke tentuar t'ia hedhin shokut, do të marrin një pagesë shumë të ulët, në krahasim me shumën që do të merrnin nëse nuk do të luanin lojë të pisët. Kështu, besimi dhe besueshmëria - nëse janë reciproke - të paguajnë më shumë edhe në sensin ekonomik. Gjithashtu, besimi përmirëson edhe cilësinë e punës. Por, si fitohet besimi i dikujt? Shpesh herë mjafton t'i habisësh të tjerët pozitivisht, duke i kaluar parashikimet. Për shembull, nëse një djalosh do të kthehet në shtëpi para orarit të caktuar nga prindërit, ky gjest do t'i bëjë ata të ndihen mirë dhe të vlerësuar. Kjo është një mënyrë që i detyron ata të mos vënë më limite orari. Sigurisht, mundësia për të fituar besimin është në proporcion të drejtë me lirinë e dhënë: nëse një person është nën presionin e kontrolleve të vazhdueshme, nuk do të ketë kurrë mundësi ta tregojë veten si një njeri tek i cili mund të besosh. Për të besuar te dikush është e nevojshme që personin tjetër ta vëmë në provë, sepse ka të ngjarë që besimi ynë mund të tradhtohet.

Besim edhe në fushën e biznesit

Besimi është thelbësor edhe në fushën e marketingut: markat e ndryshme e ngrenë suksesin në bazën e besimit që u japin konsumatorëve, për shembull me anë të reklamave. Për të ruajtur klientët, kompanitë e mëdha bëjnë oferta, ulje, japin shpërblime. "Besimi mund t'i bindë konsumatorët të identifikohen me një markë", shpjegon një docent marketingu. Gjithçka ngrihet në bazën e një marrëdhënieje reciproke, që produkti të jetë i vlefshëm dhe raporti me klientin, korrekt. Por, ç'ndodh kur besimi tradhtohet? Nëse ofendimi që kemi marrë është i rëndë, atëherë tradhtia është traumë. Në këtë rast, një psikologe franceze mendon ta zbusë gjendjen dhe t'i afrojë sërish gjërat. Gjithsesi, në çdo rast falja është një proces i thellë. "Të falësh është njëlloj si të pranosh fyerjen, duke u sforcuar ta trajtosh me mirësi personin që ju bëri të ndiheshit keq", thotë psikologia. Kur një shok apo shoqe thyen besimin tonë, mund të shtiremi për një farë kohe sikur nuk ka ndodhur gjë, por herët a vonë do të dyshojmë sërish tek ai ose ajo: pa e pranuar fyerjen tonë, nuk do të jemi kurrë gati t'i besojmë përsëri.

Hakmerrem, më pas fal

Në fakt, nëse "tradhtari" nuk pendohet, është e vështirë të arrihet në një falje spontane. Disa persona arrijnë të falin vetëm pasi kanë marrë hak. Shpesh edhe mëria është një lloj forme shantazhi: priten marrëdhëniet me atë që ka tradhtuar besimin tonë, deri sa personi në fjalë të jetë penduar.

Nga ana tjetër, nëse zhgënjimet janë të pashmangshme, besimi është i domosdoshëm: ai që beson te çdo njeri, duhet të kontrollojë paranojën, ose të mos besojë tek askush. Kjo është një sjellje shumë e rrezikshme, që "paralizon" të gjithë ekzistencën.

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara