HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Avokatët e rinj të qeverisë ‘Berisha’

-- nga Mero Baze, TemA - gusht 2008

Mero Baze Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është thirrur dje sërish nga prokuroria për t’u pyetur rreth përgjegjësisë së tij zyrtare dhe personale për tragjedinë e Gërdecit, por sërish ka munguar. Udhëtimi i tij privat në SHBA mbetet ende arsyeja zyrtare për këtë shmangie nga hetimi. Por në vend të tij është shfaqur publikisht Adrian Visha, i cili ka pranuar publikisht misionin e tij si avokat i zotit Mediu. Nuk e njoh nga afër si jurist zotin Visha, por besoj se e njeh mirë ligjin dhe kulisat e hetimit në Shqipëri, dhe për shkak të përvojës së tij të gjatë në Prokurorinë e Përgjithshme, që nga koha kur aty drejtonte zoti Arben Rakipi. Por mbi të gjitha e njoh si gazetar për shkak të punës së përditshme. E njoh zotin Visha nga portreti që i ka thurur atij dikur kryeministri i sotëm i Shqipërisë. Së paku prej vitit 1999 e në vazhdim ai e ka portretizuar atë si njeri të lidhur me krimin, si njeri që ka shitur dosjen ‘Hajdari’, si njeri që ka nxjerrë informacione sekrete në favor të vrasësve, si njeri që ka ngatërruar fotografinë në dosjen e Orik Shytit me qëllim mosekstradimin e tij në Shqipëri dhe që po ashtu ka sabotuar ekstradimin në Shqipëri të vrasësit të shoferit të Dhori Sollakut. Nuk di sa i përfshirë ka qenë në këto afera realisht zoti Visha, por këto akuza i janë adresuar publikisht nga zoti Berisha.

Tashmë, dhjetë vite më vonë, ky njeri i vizatuar si djalli i drejtësisë shqiptare, është avokati i ministrit të qeverisë ‘Berisha’, në një aferë ku kryeministri ka investuar nderin e tij, personalitetin si kryeministër dhe ndershmërinë e tij, të diskutueshme tashmë, lidhur me përzierjen e familjarëve të vet në këtë skandal. Avokati që do të mbrojë tezat e Sali Berishës, tashmë është njeriu që Berisha na e ka vizatuar si figura më e errët e drejtësisë shqiptare. I rekomanduar, sipas burimeve të besueshme, nga Ilirian Celibashi, kunati i Fatmir Mediut, po ashtu një armik politik i zotit Berisha, avokati Visha dhe studioja ‘Celibashi’ janë tashmë avokatët e partisë në pushtet në këtë skandal. E përsëris se nuk kam ndonjë pretendim për aftësitë e tyre personale, por debati lind mbi standardet e akuzave të zotit Berisha dhe konsekuencën e tij të dyshimtë në këtë betejë. Mbrojtja e Fatmir Mediut është e qartë, se është një mbrojtje, për të cilën interesi kryesor lidhet me Sali Berishën dhe qeverinë e tij. Nëse Fatmir Mediu del i paimplikuar në Gërdec nga hetimi dhe nëse mbrojtja e tij mposht akuzat, Sali Berisha ka fituar një betejë të rëndësishme në lakun e ngushtuar të akuzave ndaj tij për korrupsion.

Dhe për ta fituar këtë betejë, natyrisht Fatmir Mediu nuk do të lihet i vetëm. Bashkëpunimi me kryeministrin është mes të tjerash domosdoshmëri politike. Por ajo që tashmë na ngre dhjetëra pikëpyetje para nesh, është se me kë do t’i kryejë konsultat ligjore Sali Berisha. Në tryezën e tij të punës do të jenë komentet dhe skenarët e përgatitur për mbrojtje nga Adrian Visha dhe Ilirian Celibashi, dy avokatët e rinj të qeverisë së tij, kundër të cilëve ai investoi jo vetëm një dekadë jetë politike, por dhe ngriti dhe formuloi dhe gjithë misionin e tij antikorrupsion, dhe portretin e ndryshimit. Tashmë, kryeministri papritur është në duart e tyre. Është në duart e njerëzve që na i paraqiti si djall dhe që tashmë janë engjëlli i tij mbrojtës. Njësoj si me Delijorgjin që na e paraqiti si trafikant armësh dhe eliminues konkurrentësh në biznes dhe tashmë nuk guxon as t’i zërë emrin me gojë. Njësoj si kompaninë “Taçi” që na e paraqiti supertrafikant nafte duke futur, sipas tij, rreth 700 mijë tonë naftë pa akcizë në vit dhe tashmë po përpiqet t’i japë në mënyrë të paligjshme ARMO-n. Njësoj si shumë aktorë të tjerë të biznesit dhe politikës, përballë të cilëve ngriti një sistem të tërë akuzash që përmbanin në të njëjtën kohë portretin e tij të ndryshëm si kryeministër, por që tashmë është njehsuar me ta.

Avokatët e rinj mbrojtës të shumicës në pushtet janë në të drejtën e tyre të punojnë për të pasur klientë të fuqishëm politikë. Por ky është një proces delikat politik, që mes të tjerash ka nevojë dhe për konfidencialitet politik dhe njerëzor. Zoti Berisha ka tashmë konfidentë ata që na i ka paraqitur si armiq të mëdhenj të tij dhe opsioneve të tij për ndryshim. Nuk dimë kush ka ndryshuar, avokatët e tij të rinj apo idetë e tij të vjetra për luftë kundër korrupsionit dhe mafies politike në vend. Por një gjë është e qartë: ai është dorëzuar. Dhe është gati të bashkëpunojë me çdokënd që e siguron se nuk do t’i ndodhë gjë. Si gjithë njerëzit që kanë makth nga ajo që kanë bërë.

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara