Pollo dhe imazhi i ri i PD
-- nga Mero Baze, TemA - gusht 2008
Kryeministri, Sali Berisha, po përgatit ndryshimin e ekipit qendror të PD përmes një reforme të thellë radikale, e cila mund të rrisë performancën e tij para zgjedhjeve të vitit 2009. Në vitin 2005 ai tentoi të rriste imazhin e PD përmes një mozaiku figurash të reja dhe të vjetra, kundërshtarë dhe partnerë, armiq politikë dhe besnikë të pandarë prej tij, por të gjithë i mbajti rrotull PD dhe asnjëherë nuk i futi brenda. Strukturat ruajtën refraktaritetin e tyre dhe filtruan vetëm njerëzit, për të cilët bëri shenjë Berisha. KOP dhe ndonjë ish-themelues i vjetër i PD u pranuan, të tjerët ndenjën në radhë.
Në zgjedhjet e vitit 2009 ai duket se po shkon drejt një strategjie tjetër. Ai do ta përdorë Pollon dhe KOP-in si mekanizëm presioni për të ndryshuar lehtësisht ekipin e tij. Shumë nga figurat që i kanë qëndruar atij besnikë dhe kanë përfaqësuar atë në pushtet, kanë marrë tashmë gjithë kostot e tij dhe janë bjerrë në opinionin publik. Duke bërë herë militantin, herë donkishotin, herë të fortët dhe herë të moderuarit, herë intelektualët dhe herë rrugaçët, herë inteligjentët e herë kokëboshët, ata shihen tashmë si pjesë e një pushteti që duhet të ndryshojë. Ndryshe nga ata, njerëzit e KOP dhe Pollo kanë qëndruar mënjanë, kanë bërë pará dhe korrupsion sa kanë dashur, por kanë qenë larg syve dhe sulmeve të publikut, pasi kanë bërë kujdes të mos identifikohen me Berishën.
Më brilanti në këtë drejtim ka qenë Pollo. Ai instaloi mekanizmin më të sofistikuar të korrupsionit në Ministri të Arsimit, mekanizëm që liberalizon përmbajtjen e teksteve dhe centralizon shitjet te sekserët e tij. Ngriti një sistem të tërë monopolist, bëri skandal me standardet e konkurrimit dhe krijoi mekanizma qesharakë për të justifikuar vjedhjen. Në vitin e fundit të mandatit të tij, kur ai mund ta merrte gjithë kastën e hajdutërisë së tij në shpinë, lëvizja e Berishës e shpëtoi, pasi e ngriti atë formalisht në postin e zëvendëskryeministrit, e pastroi nga vjedhja dhe i dha statusin e numrit dy të qeverisë. Me këtë status dhe me tendencën për ta shkrirë kioskën e tij, që e quan parti, ai po shkon drejt numrit 2 të PD, ku do të gjejë ata që Berisha i ka përdorur kundër tij në vitin 1999, kur me ndihmën e shtetit tentoi ta eliminonte opozitën.
Kjo lëvizje, nga ana tjetër, merr vlerë për Berishën. Së pari, se shkakton zemërim dhe ikje vullnetare të shumicës së lidershipit të PD së sotme dhe, së dyti, paraqitet si njeri i moderuar në opinion dhe mund të ndajë me Pollon faturën e humbjes në vitin 2009. Po ashtu, nga ana tjetër, ai mund të avancojë Bashën apo dikë tjetër nga sekti i tij si nënkryetar dhe me këtë kompozicion mund të provokojë idenë e një reforme të PD në prag të zgjedhjeve. Ky tentim mbetet real dhe i besueshëm dhe po shkohet në mënyrë sistematike drejt tij. Fakti që ai e ngriti Pollon në një post formal të rëndësishëm, por jo real, ka bërë që ai të sigurojë që tani një mekanizëm presioni ndaj atyre që janë quajtur besnikë të tij brenda PD dhe që realisht po bëhen figura shumë të konsumuara në publik. Nëse Berisha premton që në vitin 2009 Topallin ta shkëmbejë me Bregun, Boden me Bashën, Patozin me Pollon, natyrisht që mund të konsiderohet se ka ndryshuar shumë në PD dhe që po drejton një PD të re.