HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Vizita e padëshiruar e një antishqiptari

-- nga Anila Dushi, nëntor 2008

"Kemi ardhur për të vizituar varrezat e ushtareve serbë të rënë gjatë luftës ballkanike, të cilët luftuan kundër pushtuesit osman. Këta ushtarë së bashku me të tjerë, kanë sakrifikuar veten për çlirimin e Shqipërisë. Këtu në Bardhaj, kanë rënë mbi 10 mijë ushtarë serb. Unë do doja të thoja edhe diçka tjetër, se ata kanë rënë në kohën kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në atë moment vendimtar historik për këtë vend. Mali i Zi, duhet të kujdeset për të rënët e vet, që u flijuan për lirinë dhe jetën e Shqipërisë dhe shqiptarëve". Këto janë disa nga deklaratat e metropolitit të kishës orthodokse serbe në Mal te Zi, Amfillohije Radoviç bërë në Shkodër të shtunden e kaluar, të cilave po t'u shtosh vetëm disa nga deklarimet e tij të mëparshme, tashmë të njohura, se Kosova është Serbi dhe se në rajon do të nisë një luftë ballkanike, mjaftojnë për të krijuar një mendim të qartë për ato që nuk e njohin se kush është ky metropoliti, që së shpejti pritet të bëhet patriak i kishës ortodokse serbe.

Nuk e besoj se ka ndonjë shqiptar, që pasi të ketë dëgjuar apo lexuar këto deklarata, të mos ndihen keq, kur mendon se disa prej tyre bëhen në një territor shqiptar, brenda kufirit shtetëror dhe ku antishqiptari i flaktë vjen pa asnjë problem dhe thotë ç'të dojë madje i shoqëruar nga "shqiptarë". Mes dilemës së bërjes së detyrës sime si korrospondente lokale e një mediaje qendrore, për të informuar realisht lexuesin për atë që ndodh dhe ndjenjës së urrejtjes për këtë antishqiptar, që vjen në Shkodër e flet për serbë, që paskan rënë për të çliruar Shqipërinë, kur dihet e vërtetuar me fakte se ato ishin ushtarë pushtues, kuptohet që e para, pra ndjenja e përgjegjshmëria e detyrës, e mposht të dytën, por pa e ulur aspak urrjetjen për njeriun, që thuajse çdo ditë flet kundër shqiptarëve. Por ndërsa metropoliti serb i Malit të Zi, është logjike që nuk mund të ndalohet të flasë e pinojë kundër shqiptare, paradoksi qëndron në faktin se ai, i mbështetur nga disa "shqiptarë" e bën këtë duke sfiduar gjithë shqiptarët e veçanarisht shtetin e tyre.

Si qytetar, kuptohet se ai nuk mund të ndalohej në kufi, që të hynte në Shqipëri, përderisa ky shtet nuk e ka të përfshirë në listën e personave të padëshiruar, që nuk lejohen të hyjnë në territorin e tij, dhe që unë nuk e kuptoj se çfarë duhet të bëjë më shumë Amfillohije Radoviçi, që ta meritojë stusin e të padëshiruarit. Është fakt që ky antishqiptar i flaktë ka ardhur dhe herë të tjera në Shqipëri, në Shkodër, por ato që e kanë pritur janë kujdesuar që vizitat e tij të mos bëheshin publike. Por këtë herë është ndryshe. Kur vetëm tre javë më parë në Podgoricë të Malit të Zi, ky person vidhte tëtë vrerin e mundur ndaj shqiptarëve e Kosovës, kur vetëm pak ditë më parë shteti grek vë si kusht për nënshkrimin e marrëveshjes së MSA dhe ratifikimin e protokollit për pranimin e Shqipërisë në NATO, varrezat e ushtarëve grekë të luftës së dytë botërore, ardhja e Radoviçit në Shkodër, "pelegrinazhi" i tij nëpër vendet ku kanë rënë ushtrët serbë e malazezë (sikur këta të kishin rënë vetëm pak kohë më parë dhe jo prej gati një shekulli ), kujdesi dhe kërkesa e tij për t'i trajtuar si heronj pushtuesit e një vendi, marrin një tjetër kuptim.

E ndërsa për faktin se pse ky antishqiptar aktiv vazhdon të jetë i lirë të vijë në territorin tonë e të nxjerrë nga goja gjithçka që do, pa u penguar nga ato që e drejtojnë këtë vend, përgjigjja duhet të jepet prej këtyre të fundit, ajo që të bën të ndihesh keq është fakti i pritjes e shoqërimit të tij nga shtetas shqiptarë. Ndonëse shoqata "Moraça - Rozafa" është përfaqësuesja e mbrojtësja e komunitetit serbo-malazez në Shqipëri, drejtuesit e saj kanë marrë përsipër të thonë se kanë qenë ftuesit e organizatorët e ardhjes së Amfillohije Radoviçit në Shkodër, janë shqiptarë të lindur e të rritur në breza në këtë vend, që janë shkolluar e punësuar këtu, madje në kohë të ndryshme kanë gëzuar dhe poste drejtuese, jo të votuara nga minoriteti serbo-malazez por të dhëna nga shqiptarët në kohë të ndryshme të ekzistencës së shtetit të tyre, jo dhe aq për vlerat që ato përfaqësonin se sa në respekt të komunitetit nga e kishin origjinën.

Po kështu, antishqiptari metropolit serb, pritet dhe nga të tjerë shiptarë, që përfaqësojnë kishën ortodokse autoqefale në Shkodër, të cilët dhe pse e pranojnë se nuk dijnë të flasin serbisht, shprehen se kanë bërë detyrën, duke e shoqëruar metropolitin serb antishqiptar. Por si të mos mjaftonin vetëm këto fakte, që mendoj se janë më së të mjaftueshme për të krijuar një mendim për "shqiptarët" që e bënë këtë, janë pikërisht këto persona që me një cinizëm që të nervozon arrijnë ta mbrojnë mikun e tyre të zemrës, duke reaguar ndaj mediave që e kanë etiketuar Radoviçin antishqiptar. Madje shkojnë dhe më tej, kur deklarojnë se do i drejtohen organizmave ndërkombëtarë, pasi mediat po prishin ekuilibrat fetarë në Shkodër, pasi ato e etiketojnë atë që lufton çdo ditë kundër shqiptarëve, antishqiptar.

Zelli i tyre për të mbrojtur një person si Amfillohije Radoviç, e kalon çdo cak, dhe përpjekjet për t'u justifikuar nën petkun e ekulibrave ndërfetarë që nuk duhen prishur, nuk u shërben. Për çdo shqiptar, është e qartë se ekuilibrat ndërfetarë në këtë vend që quhet Shqipëri, janë ruajtur e ruhen nga vetë shqiptarët, e jo nga ato që për interesa nga më të ndryshmet janë gati të sakrifikojnë fenë e atdhenë. E ndërsa këto persona do etiketohen shepjet nga vetë shqiptarët mes të cilëve jetojnë e punojnë, i përket shtetit shqiptar politikës që çuditërisht vetëm hesht, shoqërisë civile në emër të së cilës flitet shpesh dhe institucioneve të sigurisë kombëtare të reagojnë e të bëjnë të mundur, që Radoviçi e të tjerë si ai të mos shkelin më tokën shqiptare. Këtë herë metropoliti serb, i mbështetur dhe nga disa "shqiptarë", fatmirësisht të paktë, ia arriti qëllimit të sfidojë një shtet me emrin Republika e Shqipërisë, por kjo nuk duhet të ndodhë më. Jo, në rast ndër venat e politikanëve që ne vetë i vendosim në krye, rrjedh akoma gjak shqiptari.

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara