A na duhet një strategji antikrizë?
-- nga ADRIAN CIVICI, tetor 2008
Për krizën financiare që ka pushtuar pothuajse gjithë planetin, po flitet e reagohet gjithnjë e më shumë. Shifra të frikshme, të paimagjinueshme edhe disa javë më parë qarkullojnë diskurset politike, akademike, financiare apo në masmedia. Vetëm dy ditë më parë, disa nga gazetat më të rëndësishme ndërkombëtare njoftonin "se që nga fillimi i vitit 2008, bursat në gjithë botën kishin humbur më shumë se 25000 miliardë dollarë, e barabartë kjo me gjysmën e kapitaleve të tyre". Duket sikur asnjë lloj "plani shpëtimi" nuk është aq performant sa të stopojë këtë humnerë financiare. "Mundet që vjeshta të ketë një influencë të veçantë psikologjike në humorin e financierëve, por kujdes: dimri po afrohet!", ka shkruar në mënyrë lakonike ekonomisti i shquar John Kenneth Galbraith, në librin e tij kushtuar krizës së rëndë të 1929-'33. Tashmë të gjithë janë të bindur se kriza e "subprimes" po degjeneron gradualisht në një krizë ekonomike globale. Në SHBA dhe BE, "kontaminimi" i ekonomisë reale ka filluar, në Kinë është tregu i pasurive të patundshme dhe sektori bankar ato që po japin shenjat e para të "krisjes", Islanda kërkoi me urgjencë një borxh prej 1.7 miliard eurosh prej FMN-së, Ukraina, Pakistani, Argjentina, Bullgaria, Hungaria, vendet baltike, Rusia, etj., po reklamohen gjithnjë e më tepër si "vende në vështirësi për ta përballuar krizën". Të gjithë duket se janë të bindur se "ekonomia botërore nuk do t'i shpëtojë dot një recesioni të gjatë e të dhimbshëm".
Pothuajse të gjithë qeveritë dhe vendet e botës po hartojnë me shpejtësi "strategji të veçanta anti-krizë", po përpunojnë platforma e skenarë rezervë alternativë në përgjigje të situatave që mund të vijnë, po krijojnë "njësi speciale ministrore" për të ndjekur "ditë pas dite" situatën, po kalojnë në plan të dytë shumë debate e konflikte politike "pozitë - opozitë" për t'iu dedikuar maksimalisht problematikës ekonomike e financiare në vendet dhe rajonet e tyre. Shqipëria duket se bën pjesë në grupin e shumë pak vendeve që duken se janë jashtë këtyre "etheve" reaguese përballë valës së mundshme të krizës. Energjitë tona maksimale politike e qeverisëse vazhdojnë të harxhohen për "ligjin dhe kodin zgjedhor", për shampo apo baltë për "çështjen Fazlliç", për "inaugurime pa fund të çdo metri rruge të re", për kërkesa të vazhdueshme dorëheqjesh e largimesh, për imunitetet e politikanëve e gjyqtarëve, "reforma" të njëpasnjëshme në drejtësi por gjithmonë të kontestuara nga njëra palë apo tjetra, etj., etj., të kësaj natyre. Por, deri tani nuk kemi akoma asnjë analizë të plotë nëse na prek apo jo kriza?... nuk e kemi akoma plotësisht të qartë nëse duhet të marrim masa speciale parandaluese apo duhet të vazhdojmë normalisht sikur asgjë nuk po ndodh? Nuk po shqetësohemi nëse duhet të jemi shumë të kujdesshëm me buxhetin e vitit 2009, që do ta miratojmë së shpejti për të parashikuar "paketa masash antikrizë", siç po bëjnë pikërisht në këtë aspekt me dhjetëra vende të botës.... nëse duhet të kërkohen interpelanca parlamentare e të zhvillohen seanca speciale "për mënyrat më të mira e më të sigurta për të përballuar efektet e mundshme të krizës", etj. Duket sikur na është ndalur koha në problemet e sherret tona tradicionale politike e sociale.
A është vërtet kaq alarmante e urgjente situata në Shqipëri? Natyrisht që jo dhe vend për panik apo shqetësim të skajshëm nuk ka. Sistemi jonë bankar është solid, me tregues efecient të qëndrueshëm, i mirëkapitalizuar, i "painfektuar" nga produktet financiare që provokuan krizën ndërkombëtare, i supervizuar me standarde ndërkombëtare nga më cilësoret, depozitat janë të sigurta dhe zgjerimi i kreditimit pritet të ruajë të njëjtat ritme pozitive, etj. Natyrisht që rritja jonë ekonomike edhe këtë vit duket se do arrijë shifrat 6 ose 6.5%, çka përbën realisht një sukses të ekonomisë sonë. Parashikimet e disa institucioneve ndërkombëtare për zhvillimin afat-mesëm të Shqipërisë dhe rajonit të Evropës jug-lindore janë optimiste, duke parashikuar dhe për 2009 të njëjtën shkallë rritjeje.
Futja në NATO dhe afrimi i datës së mundshme për t'u bërë vend kandidat për në BE janë faktorë të fuqishëm garancie e zhvillimi. Por, gjithsesi të gjitha këto nuk mjaftojnë për të vazhduar me mentalitetin e psikologjinë se asgjë nuk po ndodh, se "neve nuk na kanoset asnjë rrezik real", "se meqenëse jemi një ekonomi e vogël dhe relativisht e izoluar e periferike, kriza nuk na prek", etj,. Megjithëse duket se po i shpëtojmë ndikimeve të ndjeshme të krizës financiare, nuk mund të themi se do të jemi po kaq të imunizuar nga efektet e krizës së ekonomisë reale dhe një recesioni që tashmë duket i mundur në Evropë, SHBA, Azi e më gjerë. Për çfarë "shqetësohen maksimalisht" vende të ngjashme me Shqipërinë, dhe a duhet ta vlerësojmë këtë si një kambanë paralajmëruese edhe për politikën, ekonominë dhe shoqërinë tonë?
Së pari çështja e deficitit tregtar. 2.3 miliardë euro deficit në 2007, mbi 2.5 miliardë duket se është e mundshme për 2008. Remitancat nga emigrantët tanë ekonomikë kanë filluar të japin shenja rënie. Gjatë 2007 vlerësohet se kanë qenë rreth 50 milionë euro më pak se një vit më parë. Eksportet tona kanë njohur një rritje të lehtë, por gjithsesi pengesat për të arritur lehtësisht tregjet e huaja janë prezente. Bilanci jonë i pagesave vazhdon të jetë problematik. Pikërisht, ky mund të jetë edhe i prekuri i parë nga kriza e ekonomisë reale dhe recesionit ekonomik botëror. Në gjithë Evropën po njoftohen parashikime pesimiste për rritjen ekonomike, po njoftohen shkurtime vendesh pune në gjithë gamën e bizneseve dhe shërbimeve, po njoftohen mbyllje uzinash e fabrikash siç është p.sh., rasti i disa kompanive të automobilave në disa vende të Evropës Lindore, etj,. Ekspertë të remitancave vlerësojnë se "vende të tilla si Shqipëria, Maroku, Algjeria, etj., që kanë mjaft të ardhura nga emigracioni, pritet të ndeshen me një reduktim të tyre në muajt e vitet në vazhdim, si pasojë e problemeve ekonomike dhe shtrenjtimit të jetesës në Evropë".
Por një shtrenjtim i tillë i jetesës në Evropë nënkupton dhe një rritje të përgjithshme të çmimeve në eurozonë por dhe në gjithë grupin e 27 vendeve të BE. Duke pasur parasysh se ne zhvillojmë rreth 80% të shkëmbimeve tona tregtare me BE është e kuptueshme që importet tona do bëhen më të shtrenjta. Pra, ose duhet të përgatitemi të blejmë më shtrenjtë, ose të blejmë më pak. Por, edhe ana tjetër e medaljes është po kaq problematike. A do të mundemi t'i shtojmë eksportet drejt zonës euro, ndërkohë që ajo pritet të bjerë në recesion? Sinjalet që vijnë nga vende si Bullgaria, Rumania, Ukraina, Moldavia, Hungaria, Kroacia, etj., tregojnë se këto vende "nuk po arrijnë dot të bëjnë të njëjtat kontrata shitjeje për 2009, duke parashikuar një ulje drastike të tyre si rezultat i reduktimit të kërkesës të mjaft vendeve, deri tani partnerë tradicionalë të tyre".
Së dyti, sigurimi i burimeve të mjaftueshme të financimit për të garantuar rritjen ekonomike të parashikuar. Po ta analizosh me kujdes nga ky këndvështrim "rritjen ekonomike shqiptare" dallon qartë se një burim i rëndësishëm i saj janë investimet e huaja direkte, borxhet apo kreditë e natyrave të ndryshme, etj,. Pra, rritja jonë ekonomike furnizohet dhe garantohet më pak nga burimet dhe kursimet e brendshme, duke qenë e varur jo pak nga "burimet e jashtme". Por, duke pasur parasysh se kriza aktuale është mbi të gjitha "një krizë krediti", të gjitha simptomat janë që në tregun ndërkombëtar, në muajt në vazhdim, krediti të bëhet më i rrallë dhe më i shtrenjtë. Ky fenomen ka filluar tashmë të bëhet shqetësues për shumë vende. Rasti i fundit është ai i tre vendeve balltike, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, që po i bien kambanave të alarmit në përpjekje të garantimit të burimeve të financimit të rritjes së tyre ekonomike, ndërkohë që deri tani një burim i rëndësishëm kanë qenë fondet që vinin nga vendet dhe bankat skandinave, veçanërisht Norvegjia dhe Suedia.
Prekja nga kriza e këtyre vendeve pritet të japë efekte negative direkte në uljen e rritjes ekonomike në tre vendet balltike, të cilat me urgjencë po ndërtojnë "skenarin rezervë antikrizë". Veç kësaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe me një dukuri tjetër financiare që po ndodh në vendet e zhvilluara. Analistët financiarë gjykojnë se në kërkim të kontrollit dhe menaxhimit të krizës, diapazoni i manovrimit me politikat monetare dhe buxhetore duket se po ngushtohet dukshëm. Ulja e vazhdueshme e normave bazë të interesit nga Bankat Qendrore duket se po i afrohet limitit të poshtëm (Fed pritet ta çojë në 1.5%, Banka Qendrore Evropiane në 3.75%, Banka e Japonisë e ka tashmë vetëm 0.5%), ndërkohë që injektimet e shumta të fondeve publike për të shpëtuar bankat në vështirësi po shoqërohet me një rritje të ndjeshme të borxheve publike dhe një përdorim masiv të bonove të thesarit nga shtete e qeveri të ndryshme. Ky shpërthim i bonove të thesarit në tregjet financiare rrezikon të provokojë një rritje të fortë të përqindjeve të interesit në një periudhë afat-mesme. Të gjithë këta faktorë e bëjnë të qartë se çfarë pritet të ndodhë dhe çfarë vështirësish na presin në raport me nevojën tonë për investime e kredi të huaja, për të garantuar rritjen tonë ekonomike, dhe në një sens më të gjerë zhvillimin tonë ekonomiko-social.