Mjekësi pa krye
-- nga Arben ÇOKAJ, 01.06.2007
Ditët e fundit, ministri i shëndetësisë Ndoka, shkarkoi nga puna dy infermierë dhe pezulloi pesë mjekë. Sëbashku me drejtorin jomjek të QSUT-së, ai paralajmëroi punonjësit e shëndetësisë për pushim nga puna, nëse ata marrin para nën dorë. Deri këtu mirë, në drejtim të zbatimit dhe respektimit të ligjit, pasi korrupsioni në sferën e shëndetësisë ka krijuar një imazh mjaft negativ të këtij shërbimi në popull, ku ekziston ideja se fajtorët janë mjekë. Po sistemi shëndetësor, në vetvete, sa i është përshtatur kushteve të ekonomisë së tregut në Shqipëri? A mos është faji i vetë sistemit, që po i detyron mjekët të korruptohen dhe jo morali i tyre? Po pacientët shqiptarë, të cilët duan shërbim falas - siç parashikohet në ligj - a e kuptojnë se një shërbim i shtrenjtë duhet të paguhet, pa ta kesh?! Dhe përderisa shteti nuk paguan, atëherë mjekët nuk mund të jenë përjetësisht filantropikë e zemërgjerë dhe të përkushtuar, se edhe ata duan të hanë, aq më tepër kur shohin se çfarë ndodh në shoqërinë tonë, ku një kryetar komune me 900 vota të blera, mund të bëhet multi-milioner...
Këto ditë dëgjuam gjithashtu nga lajmet, se në Kinë, një drejtues i lartë i shëndetësisë u dënua me vdekje për korrupsion. Ai kishte pranuar për arsye korruptive, që ilaçe të pakontrolluara të futen në tregun kinez, gjë që kishte shkaktuar edhe vdekje njerëzish. Pyet njeriu, pse ndodh kjo gjë në Kinë? Në Kinën që aq simpati e kanë disa shqiptarë... Për më tepër, kur sistemi atje prezumon të drejtën për dënime kapitale. Kjo ndodh sepse nuk ka sistem privat vetë-rregullues në atë vend, dhe sepse sistemi shëndetësor atje është i ngjashëm me sistemin tonë, të trashëguar nga koha e komunizmit.
Dhe vërtetë, pak gjë ka ndryshuar në mjekësinë shqiptare, që nga koha e komunizmit. Shërbimi në spitalet tona është i një cilësie më të ulët se në atë kohë. Përveç disa klinikave private, klinikave dentare, farmacive etj. Duket se dentistët apo farmacistët patën më shumë leverdi ekonomike nga diploma e tyre, në krahasim me mjekët, të cilët marrin para borxh që të bëhen mjekë, për të ardhur një ditë, ku një ministër i pakualifikuar në mjekësi synon të bëjë moral, për t'i kthyer mjekët shqiptarë në kohën e kafshatës. Në një sistem të tillë publik, ku mjeku nuk paguhet me rrogën që meriton, për të siguruar një jetë normale, të ketë makinë dhe të pijë edhe një kafé pa iu dridhur zemra, ai nuk ka rrugë tjetër: veç të korruptohet. Do të korruptohet edhe sikur dënimi të jetë kapital... si në Kinë. Kjo është evidente!
Sistemi shëndetësor në Shqipëri duhet konceptuar në një formë të re, më efektiv, më aktual dhe në përputhje me rregullat e ekonomisë së tregut, dhe duhet të kënaqë të tre palët: personelin mjekësor (mjekë, infermierë, etj.), pacientët dhe shtetin si rregullator. Po kush duhet ta bëjë këtë, dhe a mund të shpresojmë se një reformë të tillë në shëndetësi, mund ta bëjë ministri aktual?! Për kalkulime politike - jo për aftësi menaxhuese të shfaqura më parë, sapo ministri aktual mori në dorëzim zyrën e tij, filloi të flitet me termat e menaxhimit - ju lutem, kush duhet të menaxhohet?! Punonjësit e shëndetësisë apo paratë që jepen për shërbimin shëndetësor? Apo vetë sistemi shëndetësor?!
Nga dëshira për ta parë veten ministër në jetën e vet, Ndoka pranoi një detyrë të rëndë për kapacitetet që ka - një grackë kjo që nuk u pranua nga kolegu i tij Nikollë Lesi. Shumë shpejt, Ndoka e pa veten jashtë loje, pasi mjekët në spitalet qendrore filluan refuzimin estetik. Duke e ndjerë veten keq dhe në pamundësi për të influencuar, duke menduar njëkohësisht se ka të drejtë në ushtrimin e detyrës së tij si ministër, ai filloi të kërcënojë punonjësit e shëndetësisë për pushime nga puna, nëse ata korruptohen, në vend që të plotësojë me drejtorë dhe specialistë vendet vakante që ka në ministrinë e tij. Kjo po, është puna e tij, jo ajo e policit anti-korruptiv. Korrupsionin në shërbimin shëndetësor duhet ta luftojë sistemi, jo ministri! Por a e di ministri, se ka mjekë në Shqipëri, të cilët janë të pazëvendësueshëm, dhe që punën e tyre nuk mund ta bëjnë as dhjetëra hidraulikë apo axhustatorë të mbledhur së bashku? Me çfarë do t'i zëvendësojë ministri ata specialistë, që është vështirë t'i gjesh në Shqipëri?!
Furtuna Ndoka që synon uljen e korrupsionit, duke kërcënuar me pushime nga puna, mund të sjellë një 'ngrirje virtuale' në procesin e trajtimit të pacientëve në spitalet tona. Le të supozojmë se asnjë mjek a punonjës shëndetësie nuk do të marrë para nën dorë. Bëhet pyetja, a iu mjafton mjekëve tanë rroga që ata marrin për shërbimin që kryejnë?! Kush po pyet për këtë? E pra duhet pyetur dhe duhet gjetur një zgjidhje, se ke të bësh me njerëz të kualifikuar, ku pjesa më e madhe e tyre kanë bërë 18-22 vjet shkollë dhe nuk janë bërë milionerë vetëm me një shkollë nate, apo me diploma false, si ndonjë ministër apo deputet, që marrin para nën dorë edhe për punësimin e një polici a shoferi.
Duhet të kemi parasysh se kur flitet për sistem shëndetësor, në radhë të parë mendja të shkon tek personeli mjekësor, përveç kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e institucioneve shëndetësore. Pra, duhet gjetur një formulë, që kënaq punonjësit e shëndetësisë - si pjesa njerëzore dhe koka e një sistemi, në mënyrë që shëndetësia shqiptare të funksionojë. Pa njerëzit e duhur, veglat dhe mjetet mjekësore janë të vdekura. Nga ana tjetër, kur ka një harmoni në mes pagesës që merr një punonjës shëndetësie me punën që bën, ai do të ofrojë edhe një shërbim më cilësor për pacientët e tij.
Dy histori të vogla mund të ilustrojnë më mirë këtë fenomen. Një ditë kur po rregulloja makinën tek një automekanik, e pyeta atë, sa fiton në muaj? Ai më tha "një milion". "Jam në kemp - tha ai - por kam kategori të shtatë dhe punoj këtu bashkë me një koleg dhe djalin...". Në një ndërtesë të marrë me qira, pranë një rruge nacionale, një automekanik, me punën e tij, me disa vegla të thjeshta dhe me duar tërë vaj e graso, fiton një milion lekë të vjetra në muaj, duke mos paguar as tatimin e sheshtë mbi rrogën, që ka ndërmend të vjelë shtetit shqiptar.
Ndërsa një mjek, i cili ka në dorë disa vegla më të ndërlikuara, ka dy dekada vite shkollë dhe që shpeshherë shpëton edhe jetë njerëzish, duhet të mjaftohet me 270-300 mijë lekë të vjetra në muaj, sipas logjikës 'Ndoka' - të cilit aq para as për kafé nuk duhet t'i mjaftojnë në muaj. Një miku im mjek në QSUT, më tha një ditë se po ta kishte rrogën një milion, as që do i shkonte mendja që të merrte para nga ndonjë pacient. Ja ku është problemi! Të gjithë e dimë. Pse nuk bëjmë diçka që kjo gjendje të rregullohet, por luajmë lojën e budallait?!...
Nëse flasim për shërbimin shëndetësor në vende të tjera, mund të përmend këtu faktin se një mjek specialist në Gjermani merr një rrogë vjetore deri në 250 mijë Euro. Dhe nëse nuk ke kartë shëndeti, mjeku në Gjermani ka të drejtë që t'ju shërbejë, duke përdorur mjetet e spitalit ku punon, nga ku privatisht mund të marrë para nga pacienti, pa hyrë në kanalet e diskutimit "korrupsion" apo jo. Askush nuk të sheh me sy të keq, se këtë e lejon ligji! Për më tepër, nëse një pacient i siguruar pret radhën për të bërë një operacion, dhe ka preferencë për një kirurg të caktuar, ai mund ta marrë më shpejt këtë shërbim nga mjeku i preferuar, kundrejt një pagese, që përcaktohet nga mjeku në fjalë.
Atëherë pse nuk liberalizohet sistemi i shërbimit shëndetësor tek ne, që të kemi më shumë efektivitet dhe një cilësi më të lartë shërbimi?! A mos kujtoni se ne shqiptarët jemi racë e veçantë e shoqërisë njerëzore? Jo! Absolutisht jo! Edhe ne si të tjerët jemi. Fatkeqësia jonë qëndron në faktin se jemi pjesë e një shoqërie postkomuniste, dhe konceptet ekonomike e politike në trurin e njerëzve dhe të politikanëve tanë, janë aq të ngurta e diktatoriale, saqë as mendimin nuk e lënë të marrë frymë lirshëm e jo më veprimin. Fatkeqësisht, jemi një shoqëri, ku budallai ka licensë të bëhet edhe ministër e deputet, dhe ai nuk di të bëjë sistem, ai di të vjedhë për vete e bashkëpunëtorët e tij injorantë, dhe kur vjen puna për t'u shëruar, ai mësyn Italinë a ndonjë vend tjetër (ku një operacion kushton sa ashensori i munguar në Ministrinë e Shëndetësisë), duke harruar se banorët pacientë të këtij vendi, detyrohen të shqyejnë me forcë xhepat e mjekut, duke i futur paratë, që ai t'i marrë në dorë, përndryshe duhet t'i drejtohen varrezave, ku edhe toka ka filluar të mungojë në zonat urbane.
Krijimi i një sistemi shëndetësor efektiv dhe të pranueshëm nga të gjitha palët, pavarësisht vështirësive konceptuale të fillimit, duhet të bëhet me pjesëmarrjen dhe kontributin në radhë të parë edhe të mjekëve, të cilët duke analizuar projekte të ndryshme, që mund të propozohen nga Ministria e Shëndetësisë, të zgjedhin projektin më të përshtatshëm për kushtet e vendit tonë. Por duhet një vullnet pozitiv në këtë drejtim, njohuri për sisteme të ndryshme efektive që operojnë në Perëndim, dhe jo kërcënime banale kundrejt një klase njerëzish të mirë-edukuar, të cilët një sistem demode po i detyron të korruptohen.
Ministri i Shëndetësisë e tregon veten të përciptë, kur nuk synon reforma thelbësore, që ndryshojnë gradualisht gjendjen e shërbimit shëndetësor në Shqipëri. Ai u prit mirë nga zëra të vetmuar, të cilët përmenden edhe raste jo-mjekësh në perëndim, të emëruar në rolin e ministrit të shëndetësisë. Por në perëndim ka sisteme shëndetësore të konsoliduara - jo artizanale e me punonjës të keqpaguar si këtu tek ne. Për më tepër, të kërcënosh mjekët, nuk është zgjidhje e situatës - zgjidhja është rritja e rrogës së tyre dhe përmirësimi i kushteve në të cilat ata punojnë. Pastaj mund të kërkohet llogari! Me 'pesë aspra', nuk mund të sigurojë shërbim të mirë ministri. Kërcënimi ndaj punonjësve të shëndetësisë me terminologjinë e përdorur "matrapazë të jetës", pavarësisht vullnetit që ka ministri, mund ta fusë mjekësinë tonë në një rrugë pa krye.